Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e shikon të mundshëm skenarin e shtyrjes së zgjedhjeve dhe moszhvillimin e tyre më 18 qershor, datën e dekretuar prej tij.
Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24”, kreu i shtetit ka deklaruar se nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë shtyrjen e datës së zgjedhjeve do të duhet të caktohet një datë tjetër në zbatim të Kushtetutës. Presidenti Nishani ka folur edhe për mundësinë e thirrjes së një takimi për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, por sipas tij edhe në këtë rast do të duhet një dakordësi mes palëve politike për marrë pjesë në takim.
SHTYRJA E ZGJEDHJEVE
Ndërsa foli për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Nishani kujtoi se Shqipëria edhe në të kaluarën është përballur me situata të tilla kur partitë politike me konsensus kanë dakordësuar shtyrjen e procesit. “Ky do të ishte një vendim tërësisht në diskrecionin e Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ka përvojë nga e kaluara kur janë shtyrë datat e zgjedhjeve, por edhe në këtë rast nuk do të doja të bëj një koment të drejtpërdrejtë, për faktin se çështja e shtyrjes së zgjedhjeve tani është fokusuar në aspektin e debatit politik, relatave politike dhe këndvështrimeve mes palëve. Presidenti nuk mund të futet në mes të këtij debati politik, por nëse Kuvendi i Shqipërisë gjykon se në rrethana të caktuara për t’i shërbyer gjithmonë një zgjidhjeje pozitive, një aspekti pozitiv, jo për të tensionuar më tej situatën, por për të bërë një zgjidhje të njëanshme, mendoj se mund të shtyjë për një afat të caktuar zgjedhjet që të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të ketë ndryshime të rëndësishme politike apo të bëjmë përshtatjen në sistemin politik që kemi, ky është një atribut që u takon vetëm partive politike dhe i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta marrë një vendim të tillë, patjetër që të gjithë ne të tjerët do të zbatojmë vendimin e Kuvendit”, tha Nishani.
ZGJIDHJA E KRIZËS
Kreu i Shtetit ka theksuar se në Kushtetutë nuk ka kompetenca që t’i japin atij të drejtën për të thirrur palët në rastet e krizave politike. Por, pavarësisht kësaj, Nishani sqaroi se është i gatshëm nëse palët ofrojnë gatishmërinë për t’u takuar të thërrasë një tryezë të përbashkët. “Presidenti i Republikës është plotësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet, vullnet që duhet të demonstrohet, patjetër që nuk do të mungojnë edhe lidhjet e gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikës, por institucioni i Presidentit të Republikës është i gatshëm që të ushtrojë të gjitha mundësitë e tij, gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues jo vetëm për të legjitimuar sepse, në fund të fundit, ulja e partive politike në tryezë është legjitime në çdo rast dhe në çdo kohë, por për t’u dhënë patjetër edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve, si dhe për të bashkëbiseduar e gjetur një orientim e një proces; flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga një takim që nuk mund ta kemi. Ajo që unë shoh si zgjidhje të vetme pikërisht dialogun, gjetjen e gjuhës së përbashkët”, thekson Presidenti.
BOJKOTI I PD-SË
Kreu i shtetit u tregua shumë i kujdesshëm për të mos bërë asnjë koment në lidhje me protestën e opozitës apo qëndrimet e maxhorancës. Por, pavarësisht kësaj, Nishani theksoi se në kulturën e tij politike ai është kundër bojkotit të institucioneve. “Në kulturën time politike, në çdo rast unë nuk kam qenë asnjëherë ‘pro’ bojkotit si një mjet, si një mekanizëm, edhe kur ka ndodhur në të kaluan nga shumica aktuale dhe në çdo rast që ndodh. Pa dyshim që bojkoti për mua nuk është mjet që duhet të mbizotërojë jetën tonë politike. Ajo që unë duhet të shoh se si duhet të funksionojë politika në Shqipëri është brenda institucioneve me standarde, brenda institucioneve ku gjithsecili të respektohet, të ketë hapësirën e vet që ia ka dhënë pluralizmi, ia ka dhënë sistemi politik që kemi zgjedhur, ia jep Kushtetuta, ia jep në fund të fundit vota që ka marrë te qytetarët dhe për atë që përfaqëson te qytetarët shqiptarë, por për mua mbetet shqetësim standardi apo një platformë e përjashtimit, shumicat ku nuk duhet të artikulojnë e nuk duhet të përfshihen në platforma përjashtuese. Çdo metodë dhe platformë përjashtuese e adreson politikën, e adreson jetën institucionale dhe gjuhën e përbashkët drejt ngërçit. Ne duhet të shkojmë drejt përfshirjes dhe jo përjashtimit”, deklaroi kreu i shtetit.
ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Nishani do të qëndrojë në detyrë deri më 24 korrik, ditë në të cilën mbaron afati i tij pesëvjeçar si kreu i shtetit, duke nisur nga dita që u betua në Presidencë. Kreu i shtetit ka folur edhe për afatet brenda të cilave do të duhet që Parlamenti të votojë për Presidentin pasardhës dhe mundësinë e kalimit të kompetencave në rast krize të kryeparlamentarit Meta. “Mandati përfundon më 24 korrik të këtij viti, pavarësisht se unë jam zgjedhur President më 11 qershor të vitit 2012, pra unë jam votuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 11 qershor 2012. Jam bërë President i Republikës ditën që jam betuar në Parlament sepse atëherë bëhesh President, më 24 korrik 2012 kur mbaroi dhe mandati i Presidentit paraardhës. Kështu që edhe mandati im mbaron më 24 korrik të këtij viti. Qëllon për herë të parë që zgjedhja e Presidentit të Republikës përkon me të njëjtën periudhë me zgjedhjen e Parlamentit dhe ky rast është parashikuar në Kushtetutën e vendit dhe ligji përkatës, ku thuhet që kur ndodh që Presidenti të zgjidhet në të njëjtën periudhë me Parlamentin, Presidentin e zgjedh Parlamenti që shpërndahet. Zgjedhjet janë të përcaktuara më 18 qershor, duhet të llogaritet afati i fushatës elektorale, duhet të llogarisë Parlamenti ditën e shpërndarjes dhe nga dita e shpërndarjes duhet të llogarisë pesë javë, sepse janë 5 raunde që duhet t’i ketë në dispozicion. Mund të zgjidhet në raundin e parë, të dytë, por mund të zgjidhet dhe në raundin e pestë. Ndaj, nga pikëpamja procedurale Parlamenti duhet të parashikojë pesë javë nga momenti kur duhet të nisë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Nëse nuk arrin të zgjidhet në këtë rast Presidenti, pra mund zgjidhet në raundin e parë, të zgjidhet në raundin e pestë, mund të mos zgjidhet. Në rast se nuk zgjidhet Presidenti, pas 24 korrikut kompetencat e Presidentit i kalojnë Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ushtron kompetencat e Presidentit të Republikës derisa të zgjidhet Presidenti i ri i vendit”, sqaron Nishani.
ANGAZHIMI NË POLITIKË
Bujar Nishani është i gatshëm për të vijuar punën si President i Republikës, nëse palët do t’i besonin një mandat të dytë. “Unë kam shprehur gatishmërinë time për të vijuar punën si President i Republikës. Besoj se e kam kryer duke përmbushur tre elemente: seriozitetin, dinjitetin dhe thjeshtësinë që duhet të ketë ushtrimi i një pushteti kaq të lartë siç është Presidenti i Republikës. Duke besuar në këto tre parime i kam përkthyer në tri kolona dhe besoj që i kam realizuar si tri objektiva”, tha Nishani. Por, edhe nëse nuk do të jetë President, Nishani do ta vazhdojë angazhimin e tij në politikë. “Besoj që do të vazhdoj të mbetem veprimtar shoqëror i mirë i këtij vendi edhe pasi të largohem nga Institucioni i Presidentit të Republikës. Nuk mund të them në PD. Partia Demokratike është një parti që i ka strukturat e saj tashmë, i ka të konsoliduara, i ka në aktivitet, kam respektin tim maksimal. Unë sot jam President i Republikës, se çdo të ndodhë në të ardhmen nuk mund ta parashikoj me angazhime të drejtpërdrejta politike. Duhet të kemi parasysh që unë kam arritur pozicionin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës dhe ky raport e standard duhet respektuar dhe unë do ta respektoj”, deklaroi Nishani.
Komentet