Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka vendosur t’i përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” kryeministrit në detyrë të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me një mesazh të shkëputur gjatë fjalës së mbajtur në Universitetin e Shkodrës pak ditë më parë.
“Për të gjithë ata që i konsiderojnë shqiptarët si punëtorë sezonalë në trojet e tyre!”, shkruan Bushati në një postim të tij në “Facebook”, shoqëruar edhe me ligjëratën e mbajtur në USH.
“Nëse shqiptarët do të ndihen të margjinalizuar për shkak të jetësimit të politikave që mund ti konsiderojnë si punëtor sezonal në trojet e tyre; nëse ne nuk jemi të vëmendshëm ti përgjigjemi në kohë kërkesave legjitime të tyre për më shumë dinjitet dhe barazi shoqërore atëherë rreziqet që i kanosen rajonit tonë mund të çojnë në tjetërsimin e integritetit tonë kombëtar”, – shprehet Bushati.
Vetëm pak ditë më parë, përmes një postimi po në “Facebook”, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski bënte thirrje për mobilizim kundër ligjit për gjuhën shqipe.
“Nëse partitë shqiptare e sjellin në pushtet LSDM-në ne jemi të gatshëm ta mbështesim si qeveri e pakicës me deputetët tonë nëse LSDM-ja heq dorë nga gjuha shqipe dhe platforma e Tiranës”, – shkruante Gruevski.
Gjithashtu një ditë më parë ai u shpreh i gatshëm që ta përkrahë qeverinë që do ta formojë LSDM, por vetëm nëse partitë shqiptare heqin dorë nga platforma shqiptare, që në thelb ka pranimin e gjuhës shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoni.

“Unë vullnetarisht do të pranoj që të më arrestojnë, keqtrajtojnë, të më mbyllin, kurse VMRO-DPMNE do të përkrahë qeverinë e pakicës, sa ai (Zaevi) të dëshirojë deri në zgjedhjet e ardhshme, vetëm ai të tërhiqet nga sulmi i themelit të këtij shtetit për shkak të dëshirës që të jetë në pushtet. Këtë le ta shohë si ofertë publike”, – shkruante Gruevksi.
Ndërkohë shefi i diplomacisë shqiptare nënvizon se rreziqet që i kanosen rajonit tonë mund të çojnë në tjetërsimin e integritetit tonë kombëtar prandaj Tirana nuk do të reshti së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë.
“Shenjat e alarmit janë dhënë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se këtu bëhet fjalë për të ruajtur e kultivuar atë që kemi tonën të natyrshme e të shenjtë përkundrejt përçudnimeve të importuara e të lehtësuara dhe të shpejtuara nga mungesa e barazisë, dinjitetit dhe zhvillimit. Nuk do të rreshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo ata jetojnë për më shumë dinjitet barazi, përfshirjen e planeve të zhvillimit”, – shprehet Bushati në mesazhin e tij.
Ky reagim vjen fill pasi Zoran Zaev i LSDM-së është në pritje për t’u mandatuar nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov për të formuar qeverinë e re, pasi Gruevski, partia e të cilit fitoi zgjedhjet dështoi në negociatat me BDI-në e Ali Ahmetit.
Komentet