VOAL

VOAL

Të gjithë ushtarët e ekipit që vrau Bin Ladenin, kanë vdekur në mënyrë misterioze! (Video)

January 26, 2017

Komentet

Lubonja: Rama në një kuptim është armik i Shqipërisë

Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në rubrikën Opinion në News 24 të moderatores Ina Qirjo, komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë, ku zhvilloi takim me emigrantët shqiptarë.

Lubonja theksoi se kryeministri në Athinë bëri patriotizëm për shpërlarje. Sipas tij, Rama dhe politikanët e tjerë dëbuan shqiptarët nga atdheu me politikat e tyre. Ai tha se parë në këtë sens, Rama dhe politikanët e tjerë të Shqipërisë janë armiq të vendit.

“Unë mendoj se shkaku kryesor pse Rama ka shkuar në Greqi është patriotizëm për shpërlarje, dmth kur regjimet kërkojnë të shpërlajnë veten nëpërmjet një evenimenti. Kështu bën prsh Arabia Saudite duke bërë evente të ndryshme si kampionat botëror në futboll. Kjo vizitë vjen kur mbi Ramën ka një sërë akuzash. Kryeministri donte të vinte në dukje mburrjen kombëtare. Fjalët e Ramës nuk janë patriotizëm i vërtetë. Rama tha se në vitet 1990 shqiptarët kanë qenë gjasme të përulur, ndërsa tani jemi gjasme të barabartë se flet sikur Shqipëria është bërë. Meritë e Ramës dhe politikanëve tanë ndër vite është se i kanë dëbuar shqiptarët. Rama iu ngacmoi kompleksin e inferioritetit emigrantëve. Beleri është në burg për interesat e oligarkisë që do të grabisë tokat në jug dhe ju thotë që ky nuk duhet se gjasme nuk na duhet një person i tillë e patriotizma të tillë. Rama është mjeshtër i spektaklit. Kryeministri është manovrator, që përdor herë gjuhën e patriotizmit e herë atë të internacionalizmit, sipas interesave që ka, për të fshehur fytyrën e një njeriu që është në krye të një regjimi. Neve na sundojnë më lehtë me ndihmën e ndërkombëtarëve. Rama në një kuptim është armik i Shqipërisë”, tha Lubonja.

Në lidhje me protestën e nesërme përpara Bashkisë së Tiranës, Lubonja deklaroi se edhe opozita ka problemet e saj. Sipas tij, duhen gjetur akte proteste të tilla që të bëjnë më tepër efekt.

“Protesta është e rëndësishme, për të nxitur edhe SPAK që këta njerëz kërkojnë që drejtësia të veprojë. Edhe opozita ka probleme, sepse nuk thith dot qytetarë. Duhen gjetur akte që bëjnë efekte. Në Sajgon u rrëzua një regjim, sepse murgjet atje u dogjën në mes të vendit dhe amerikanët, që mbështetën një regjim, u tërhoqën”, deklaroi Lubonja.

(Balkanweb)

Investigimi nga BIRN: Investimi në një restorant francez ngre hije dyshimi mbi ministrin e Shtetit

Natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2023, një grup zyrtarësh u mblodhën për të trokitur gotat tek “The Home” – një restorant komod i frymëzuar nga bistrot pariziene në zemër të Pazarit të Ri në Tiranë. Darka përbëhej nga 55 persona dhe u pagua nga Bashkia e Tiranës me një faturë prej 236 mijë lekësh në total.

Restoranti “The Home” ndodhet në një vilë të rinovuar dykatëshe me një oborr të vogël që rrihet nga dielli, një ambient i rehatshëm për darka me miq ose festa të rezervuara familjare. Restoranti premton gjithashtu një përvojë gastronomike me produktet e brumit, kuzhinën eksperimentale, ëmbëlsirat dhe një listë të gjatë verërash portugeze. Por menuja e pasur nuk duket arsyeja e vetme që i mblodhi zyrtarët e Bashkisë në “The Home” – Shtëpi.

Edhe pse njihet prej shefit të kuzhinës, Ledion Çollaku, The Home është në pronësinë familjare të Arbjan Maznikut dhe Endri Fugës; i pari ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës që mban sot postin e ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore dhe i dyti këshilltari jetëgjatë i kryeministrit Edi Rama dhe drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim. Në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania është regjistruar në pronësinë e bashkëshorteve të tyre, Marinela Lika me 50% të aksioneve dhe Besa Fuga me 50%.

Festa e Vitit të Ri nuk ishte darka e parë e bashkisë së Tiranës e organizuar në restorantin “The Home” dhe shpenzimi i parave publike në restorantin e bashkëshortes, gjatë kohës që ai ishte nënkryetar bashkie, përbën sipas ligjit konflikt interesi për Maznikun.

Megjithatë, pritjet dhe përcjelljet nuk janë e vetmja lidhje e restorantit me bashkinë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se një tjetër kompani e lidhur me restorantin “The Home” ka fituar tendera me vlerë rreth 800 mijë euro me kompaninë publike Tirana DC dhe Bashkinë e Tiranës gjatë viteve 2021-2022.

Edhe pse këto kontrata nuk janë të paligjshme, ato ngrejnë dyshime për një konflikt interesi në dukje për ish-nënkryetarin e bashkisë dhe ministrit aktual të shtetit për Qeverisjen Vendore.

Tirana DC është një shoqëri aksionere në pronësi të Bashkisë së Tiranës, e cila u drejtua fillimisht nga Redi Molla dhe më pas nga Mariglen Qato, dy drejtorët e arrestuar me akuzën e përfitimit të miliona lekëve para publike përmes kompanisë “5D Konstruksion”, që sipas Prokurorisë së Posaçme, kontrollohej prej tyre. Molla dhe Qato i mohojnë akuzat.

Mazniku ka mbajtur gjithashtu një pozicion të rëndësishëm në kompaninë Tirana DC si kryetar i Këshillit të Administrimit.

I pyetur nga BIRN, Mazniku mohoi të kishte dijeni për aktivitetet e Bashkisë së Tiranës në restorantin e bashkëshortes së tij si dhe për tenderat e dhënë nga kompania publike, Tirana DC.

“Me elementët operacionale të kompanisë Tirana DC nuk jam marrë kurrë. Nuk kam dijeni dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur,” tha Mazniku duke përjashtuar dyshimet për konfliktin e interesit.

“Nëse kam përgjegjësi, është që Bashkia e Tiranës ka bërë aktivitete te restoranti,” shtoi ai.

“I run the place”

Në sektorin e mbipopulluar të bareve dhe restoranteve në Tiranë, The Home dhe shefi i saj i kuzhinës, Ledion Çollaku përfaqësojnë një markë që i ka rezistuar kohës. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, Çollaku ka hapur fillimisht biznesin në vitin 2009 me emrin The Home Social Club.

Në vitin 2018, Çollaku themeloi kompaninë “The Home” bashkë me motrën e tij, Majela Smakaj dhe e zhvendosën biznesin në zonën e rinovuar rishtaz të Pazarit të Ri. Por dy vjet më vonë, ata vendosën që ta shisnin biznesin për një çmim prej 1 milionë lekësh te Marinela Lika dhe Besa Fuga.

Çollaku vazhdoi gjithsesi të punonte si administrator dhe të menaxhonte aktivitetin e përditshëm të restorantit.

Në profesion, Çollaku përdor emrin e pagëzimit Françesko dhe i përngjan një shefi tipik kuzhine me disa kilogramë të tepërt në trup dhe një buzëqeshje të përmbajtur në fytyrë.

Në oborrin e restorantit të tij në një të shtunë me diell në prill, ai tregoi se kishte studiuar në jug të Francës dhe në Paris për të bërë brioshë të shijshëm me aromë gjalpi. Në kuzhinën e tij gatuhet pothuajse gjithçka, por vetë ai preferon evolucionin e ushqimit tradicional shqiptar si dhe ëmbëlsirat për “precizionin e lartë” të gatimit.

Çollaku tregoi gjithashtu se restoranti ishte pasioni i tij, por u detyrua që ta shiste për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Mazniku, një i njohur i hershëm që nga koha e gjimnazit dhe klient i ushqimit të porositur në kohën e pandemisë, ishte ofruar për ta ndihmuar.

“Unë e dashuroj këtë punë dhe mendova si ta shpëtoja,” tha Çollaku kur u pyet për shitjen e biznesit. “Ata u treguan të gatshëm që të më ndihmonin dhe të më jepnin një dorë,” shtoi ai.

I pyetur për çmimin e shitjes prej vetëm 1 milion lekësh, Çollaku tha se blerësit e rinj ndihmuan edhe me shpenzime të tjera, si psh. pagesën e qirasë.

Por ai nuk ndjehet sikur gjërat kanë ndryshuar.

“I run the place,” tha Çollaku në anglisht, ndërsa shtoi se pronarët e rinj vinin ndonjëherë për “darka familjare”.

Katër vjet pas blerjes së biznesit nga bashkëshortja e tij, Mazniku tha se sipërmarrja kishte rezultuar e pasuksesshme.

“Restoranti ka qenë me humbje dhe ato nuk ia dolën ta ngrinin,” tha ai.

Tenderat e Tirana DC

Shoqëria Tirana DC është e vendosur në dy kate të një pallati të ri në rrugën “Bardhok Biba” – një zonë e qetë dhe e shtrenjtë e kryeqytetit që shtrihet paralelisht me bulevardin “Zogu i Parë”. Megjithatë, një sallë e madhe në katin e parë është e shpërdoruar si magazinë; karriget dhe tavolinat janë hedhur rrëmujshëm mbi njëra-tjetrën, ndërsa kabujt elektrikë shtrihen përtokë.

Tirana DC u krijua në vitin 2020 si një shoqëri aksionere në pronësi 100% të Bashkisë së Tiranës për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme publike përmes kapitalit shtetëror ose bashkëpunimit me sektorin privat. Sipas akteve të regjistrimit në QKB, kryebashkiaku Erion Veliaj emëroi Redi Mollën si administrator të Tirana DC dhe krahun e tij të djathtë, Arbjan Mazniku në postin e kryetarit të Këshillit të Administrimit. Në shtator të vitit 2020, Molla u zëvendësua nga Mariglen Qato.

Tirana DC pati fillimisht plane të mëdha për të konkuruar në tregun e ndërtimit në Tiranë me qëllim ofrimin e shtëpive me çmime të përballueshme për klasën e mesme. Në realitet, kompania mbijetoi me borxhe, dështoi të realizonte ndonjë projekt konkret dhe me raste nuk arriti të paguante as rrogat.

Në zyrën e tij në kryeministri, Mazniku shpjegoi përballë një ekrani të madh se Tirana DC u krijua sipas një modeli të huazuar nga Bashkia e Vienës për të plotësuar një boshllëk në ligjin për strehimin social.

“Pas tërmetit dhe pandemisë doli problemi i financimit, pasi pati mungesë të resurseve,” tha ai.

Megjithatë, bilancet e dorëzuara në QKB tregojnë se Tirana DC nuk u kursye në shpenzime.

Nga rreth 180 milionë lekë të shpenzuara gjatë viteve 2020-2022, gjysma e tyre ose 90 milionë lekë shkuan për të financuar dy tendera të zhvilluar në vitin 2021.

Njëra prej kontratave me vlerë 20.4 milionë lekë kishte si objekt marrjen me qira të disa makinave nga kompania ASG në pronësinë e Gazmend Haxhisë – një partner biznesi i administratorit Redi Molla në hotelin me 5 yje që po ndërtohet në Durrës. BIRN nuk arriti të kontaktonte me Haxhinë deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ndërsa tenderi i dytë me vlerë 70 milionë lekë u fitua nga kompania e teknologjisë “3i-Solutions” dhe kishte si objekt informatizimin e proceseve operacionale të Tirana DC.

“3i-Solutions” është një kompani e teknologjisë së informacionit e themeluar në vitin 2015 nga administratori i restorantit “The Home”, Ledion Çollaku, i cili zotëronte 50% të aksioneve. Në nëntor 2018, Çollaku ia shiti aksionet kunatit të tij, Ervis Smakaj, një inxhinier IT në profesion.

Tenderi i “Tirana DC” nuk është i vetmi i fituar nga kompania 3i-Solutions në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2020, kompania fitoi një tender për modernizimin dhe mirëmbajtjen e numrit të gjelbër (call- center) të UKT-së, ndërsa në vitin 2022 mori përsipër ndërtimin e një platforme e-Rekrutim për menaxhimin e rekrutimit të stafit për llogari të bashkisë së Tiranës.

I pyetur për lidhjet e tij me kompanitë 3i-Solutions, Ledion Çollaku i tha BIRN se kompania ishte regjistruar fillimisht në emrin e tij pasi kunati Ervis Smakaj ishte i punësuar në atë kohë në një kompani tjetër. Ai shtoi gjithashtu se Smakaj kishte një karrierë të gjatë si IT dhe se “nuk e njihte fare Maznikun”.

Edhe Ervis Smakaj mohoi çdo lidhje me Maznikun apo favorizim të mundshëm për të fituar tenderin në kompaninë Tirana DC. Ai shpjegoi se kompania e tij ofronte shërbime përgjithësisht për kompani të huaja, por për shkak të efekteve të pandemisë, ai u detyrua që t’i hidhte sytë edhe në tregun e brendshëm.

Smakaj e përshkroi përfshirjen e kompanisë së tij në tendera publikë si një zgjedhje të detyruar për të “mbajtur njerëzit në punë”.

Asgjë e re nga Athina – Nga Artan Hoxha

Turi paraelektoral i Edi Ramës, me fokus emigrantët e përhershëm, nisi me Greqinë. Turi do vijojë me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas efektit dhe interesit, ai mund të vijojë edhe me aktivitete në vende të tjera.

Fokusi i Kryerilindësit tek emigrantët është shenjë se mazhoranca rilindëse po vlerëson seriozisht mundësinë e votimit të emigrantëve atje ku jetojnë, pa qenë e domosdoshme ardhja e tyre në Shqipëri. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, nëse nuk iu del hesapi, propaganda direkte tek emigrantet ndikon indirekt votën e familjarëve të tyre këtu, ndërsa pompoziteti patriotik i aktiviteteve atje importohet me fuqi të shumëfishuar në mëmëdhe.

Marrëdhënia e ndera me Qeverinë dhe politikën greke, me shkak çështjen Beleri, i dha tubimit të Athinës ngjyra dhe emocione të veçanta që vështirë se do hasen në tubimet e tjera, andaj, frikësuar nga mundësia e pjesëmarrjes së ulët, qoftë edhe si një mundësi teorike konspiracioni grek, rilindja mori masa që Kryerilindësi të shoqërohej nga qindra e qindra patronazhistë e zyrtarë të ministrive e bashkive të vendit, pjesëmarrës në atë takim, të cilët, të entuziazmuar deri në budallallëk a për forcë zakoni, dekonspiruan me duart e tyre, me foto e mesazhe lumë në rrjetet sociale, këtë week-end masiv elektoral në vendin fqinj. Fjalimet e shumta, këngët edhe më të shumta, por asnjë emigrant shqiptar në Greqi, as sa për shenjë, nuk u ftua të përshëndeste tubimin.

Ndonëse takimi ishte “me emigrantët dhe për emigrantët” më shumë se treçereku i fjalimit ishte dialog imagjinar – monolog më saktë – me qeverinë, politikën dhe elitën greke. Si demagog e populist i mirëfilltë, Kryerilindesi lartësoi popujt dhe fajësoi elitat. Populli grek e ai shqiptar, (përjashto ca individë, e shumta një pakicë afendikojsh), paqësor, mirëkuptues, mikpritës e bashkëpunues. Problemi? Elita greke që, ndryshe nga populli i vet, ka ndjekur agjendë konfrontimi e politike “fshesash”. Këtu thirri në ndihmë edhe historinë, që nga lashtësia e të cilën e njeh pak e thotë ç’i shkruajnë, deri në ditët e sotme në të cilën është vetë protagonist. Se pse elita greke sillej a sillet kaq ndryshe nga populli i vet, jo vetëm ne diktaturë, por edhe në demokraci, për këtë nuk dha shpjegim.

Natyrisht që këtu u kujdes të veçonte për mirë Kryeministrin aktual Mitsotakis e, si për ta përforcuar këtë kompliment, nuk la pa shpotitur të majtën greke me të cilën paskësh pasur ca moskuptime për faj të tyre. Nuk la pa përmendur për keq edhe opozitën shqiptare që “i fryn (pa sukses) borive të nacionalizmit”, ndërsa vetes i dha meritën e përpjekjeve të pareshtura e këmbëngulëse për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me Greqinë si dhe të drejtën t’i tregonte elitës greke se si duhet të jetë sjellja, orientimi dhe bashkëpunimi i saj për të ardhmen e përbashkët europiane.

Dhe, jo për herë të parë, pa pikën e modestisë, përmes citimeve të baballarëve të fillesës së kombit e shtetit shqiptar, u shfaq si babai i sotëm, udhëheqësi i shtetit që dinjitetin e kishte humbur kohë më parë e që e rigjeti veç me të në krye këto 10 vitet e fundit e po kështu bashkë me të erdhi edhe prosperiteti që do kulmojë, nën drejtimin e tij, në 2030-tën me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Emigranteve iu bëri shumë lavde, iu qau hallin e halleve të dikurshme e iu përkëdheli sedrën me rolin e tyre të sotëm, zot shtëpie në Greqi, iu tha nja dy gjëra se ç’po bën e ç’do bëjë për ta e i ftoi të vijnë të investojnë në mrekullinë shqiptare të dekadës së ardhshme.

Lau gojën. Nuk mori asnjë angazhim konkret për mundësimin e votimit të tyre pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri, as nuk shpjegoi pse shteti i rilindur prej tij e me të, është ende i vetmi në Ballkan që nuk mundëson votimin nga distanca të emigrantëve.

Asnjë fjale nuk u tha për shtetin ku ka më pak se 9 gjyqtarë për 100 mijë banore nga 22 mesatarisht në Europë; 114 mijë dosje të mbartura, shumëfish i atyre para reformës; e ku dyfishimi i mëtejshëm i ngarkesës tashmë të dyfishuar të gjyqtareve çmendurisht mendohet si zgjidhja për ta terezitur sistemin deri në vitin e shndritshëm 2030. Asnjë fjalë për shtetin në nivelin afrikan lidhur me mjekët e infermierët për 100 mijë banorë dhe arsimtarët/pedagogët për nxënës/student ndërsa jemi në top-listën botërore për numrin e lartë të policëve për 100 mijë banorë.

Asnjë shpjegim as edhe për më të thjeshtën, për shtyrjen e censusit me dy vite, zvarritjen e pakuptimtë të botimit të rezultateve me gjashtë muaj vonesë (ndoshta në qershor), ndërsa dy të këtilla u kryen fët e fët dhe rezultatet u shpallën në kohë rekord, edhe nga qeveria socialiste me Ilir Metën Kryeministër në 2001, edhe nga ajo demokrate me Kryeministër Sali Berishën në 2011, ndërsa aktualisht Kosova me Kryeministër Albin Kurtin, çdo javë shpall rezultatet e pjesshme dora-dorës që kryen procesin e census-it në terren. {shënim: jo rastësisht këta të tre janë edhe fryrësit (pa rezultat) e borive të nacionalizimit sipas Kryerilindësit}

Shume fjalë tha për mrekullinë turistike, por asnjë fjalë për rrugët e vjetra (ato qe gjeti nga paraardhësi) të braktisura këto 10 vite, ato të rejat, të nisura prej tij, të pabitisura; as për inceneratorët që djegin para, edhe kur nuk ekzistojnë, jo plehra ama; as për mutërat e shurrërat, shqiptare dhe të huaja, që përfundojnë të gjitha në lumenj, liqene e dete; as për të dhënat personale që dalin në mixhelis; as për drejtorët e shumtë që janë vetë zot e vetë shkop të parave publike.

Nuk shpjegoi as që në Shqipërinë e NATO-s, ultraeuropiane në të drejtat minoritare, veç një hap procedural larg nga anëtarësimi në Bashkimin Europian pas çeljes së negociatave për meritë të tij, Fredi Beleri mori e merr leje daljeje nga burgu për varrim (fatkeqësi familjare), mund të marrë leje edhe për vallëzim (sebep familjar), edhe për provim (nëse ndjek shkollën) veç jo për betim si kryetari i zgjedhur i Himarës. Leje për betimin kërkoi Fredi Beleri, leje për betimin kërkoi edhe Mitsotakis.

Asgjë nga këto nuk iu tha Kryerilindësi pjesëmarrësve në atë sallë veshur kuq e zi mu në zemër të Athinës bardhe e blu. Emigrantëve, atyre të vërtetë dhe atyre të sajuar sa për week-end, iu foli siç i ka folur edhe kongresistëve të partisë së vet dje e pardje.

Ndaj, ata pjesëmarrës atje në atë sallë, nuk janë bashkësi përfaqësuese as e popullit emigrant shqiptar në Greqi, as e popullit këtu në Shqipëri. Në atë sallë kishte njerëz të painformuar për gjendjen e vërtetë të Shqipërisë, ose pa dëshirë për t’u informuar, ose të informuar fare mirë, por as që e vrasin se kanë të tjera interesa xhepi a pasione shpirti. Të gjithë i përbashkonte vetëm një cilësi – Dekor i Fjalimit të Kryerilindësit. Njësoj si kongresi i mëparshëm i Rilindjes, njësoj si kongresi i qershorit në ardhje.

Asgjë e re pra nga Athina. sn

BIRN: Fondet e BE nuk i marrin fermerët, por politikanët si Elvis Roshi

Fermerët në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut përballen me sfida të ngjashme kur përpiqen të përfitojnë fonde nga programi IPARD i Bashkimit Evropian.

BIRN

Preng Doda filloi të merrej me bujqësi në vitin 1985, kur Shqipëria ishte ende një shtet komunist, por vetëm dhjetë vjet më parë nisi të merrej me prodhimin e verës.

Tani 69 vjeç, Doda kultivon rrush në dy hektarë tokë në fshatin Tenë, pjesë e veriut malor të Shqipërisë. Ai ndërtoi një kantinë vere nga kursimet e tij dhe bleu ose huazoi pajisje të përdorura për të prodhuar verën.

Klima është më e ftohtë se në jug, por Doda është këmbëngulës dhe hardhitë japin fryte.

Ishte e njëjta këmbëngulje që e ndihmoi Dodën të siguronte fonde në vitin 2022 nga Bashkimi Evropian për të përmirësuar kantinën dhe pajisjet e tij të prodhimit.

“Projektin e përgatita me disa specialistë”, tha ai. “Kriteret ishin shumë të vështira për t’u përmbushur.”

Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria kualifikohet për dhjetëra milionë euro në vit grante nga Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit në Zhvillimin Rural të bllokut, IPARD.

Por ashtu si fqinjët e saj dhe kolegët kandidatë për anëtarësim, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria po përpiqet t’i shpenzojë grantet e ofruara brenda afatit kohor të përcaktuar nga BE-ja. Suksesi i Dodës është larg normës.

Në fakt, fermerët e vegjël shpesh hasin vështirësi me dokumentet dhe me gjetjen e kapitalit që duhet të grumbullojnë për t’u kualifikuar. Problem është edhe korrupsioni.

Fondet e papërdorura kthehen

Në Shqipërinë perëndimore, një fermer veteran që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, Kasemi, tha se kishte nevojë për mbështetje nga shteti në prodhim dhe shitje, por se nuk kishte marrë asnjë informacion për programin IPARD.

“Në Shqipëri koha e fermerit është e zënë dhe ai është i zënë gjatë gjithë ditës”, tha Kasemi. “Nuk ka kohë që një fermer të jetë në telefon apo para televizorit. Kështu që nuk kam marrë asnjë informacion. Nuk është se ka pasur ndonjë fushatë në fshat për të na prezantuar me këtë projekt. Të paktën jo në fshatin tonë.”

Në Koçani, në lindje të Maqedonisë së Veriut, Bozhidari, i cili gjithashtu kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, tha se kurrë nuk kishte aplikuar për fondet e BE-së.

“Nuk kisha informacion të saktë, kështu që nuk e kisha idenë se mund të aplikoja për këto grante”, tha ai për BIRN. Kur i hodhi një sy, ai tha se kishte përshtypjen “kërkohej shumë dokumentacion” dhe se ishte e vështirë për t’u kuptuar.

Në Malin e Zi, i cili është shumë i varur nga importet dhe ka nevojë për investime të mëdha bujqësore, të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se 80 për qind e fondeve IPARD u shkojnë kompanive dhe jo fermerëve të vegjël, pavarësisht faktit se kompani të tilla përbëjnë vetëm dy për qind të totalit të numrit të përgjithshëm të fermave të regjistruara.

Sipas programit IPARD II, Mali i Zi kishte të drejtë për një financim prej 52 milionë eurosh ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, 80 për qind e këtij financimi nga BE-ja. Deri në fund të vitit 2023, rreth 35 milionë euro u ishin shpërndarë fermerëve, sipas shifrave të qeverisë, duke bërë që Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – ta zgjasë kohëzgjatjen e projektit deri në fund të vitit 2024.

Vendi tashmë ka kthyer 1.7 milion euro fonde të papërdorura në 2021 dhe 2022.

Ministria e Bujqësisë fajësoi praktikën mes furnitorëve për rritjen e çmimit të makinerive dhe pajisjeve menjëherë përpara ose gjatë çdo thirrjeje publike për aplikime, që do të thotë se fermerët duhet ta paguajnë diferencën nga xhepat e tyre.

Por duke folur për BIRN në tetor të vitit të kaluar, delegacioni i BE-së në Mal të Zi tha se dy thirrjet e fundit publike për aplikime kishin shfaqur interes në rritje, me një numër të lartë aplikimesh me cilësi më të mirë.

“Fermerët dhe agrobizneset tani po aplikojnë me plane biznesi të zhvilluara më mirë”, tha delegacioni. “Numri i aplikimeve të pakompletuara me dokumentacion të mangët, një problem i madh, sidomos në thirrjet e para të programit, tashmë ka rënë.”

Sipas këstit të ardhshëm të programit, IPARD III, do të vihen në dispozicion edhe më shumë para – 60 për qind më shumë se në IPARD II.

“Procesi i mësimit në nivele të ndryshme (prodhues, përpunues, furnitorë, administratë kombëtare) ka marrë pak kohë, por fushatat e shumta informuese të organizuara nga Ministria e Bujqësisë në të gjithë vendin tani kanë dhënë rezultat”, tha delegacioni.

Në një raport të publikuar nga Komisioni Evropian në korrik 2023, parregullsitë IPARD të raportuara nga Shqipëria përbënin pjesën më të madhe të parave të përfshira (33 milionë euro nga 39 milionë euro).

“Kjo ishte kryesisht për shkak të katër parregullsive që së bashku përbëjnë rreth 31 milionë euro”, tha Komisioni. “Parregullsi të tjera përfshinin shuma shumë më të ulëta, kryesisht nën 100,000 euro, në disa raste nën 10,000 euro.”

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, tha se të gjithë donatorët ndërkombëtarë presin një “humbje parash” gjatë një periudhe donacioni, për shkak të korrupsionit, shpenzimeve të pa llogaritura të burimeve njerëzore, zhvillimeve politike, etj.

“Kur ky kufi (i humbjeve të pritshme) tejkalohet, pra kalohet vija e kuqe, BE-ja shqetësohet dhe ndërhyn në nivele të tjera hetimi”, tha ai. Fondet IPARD II për Shqipërinë janë një shembull i mirë i ndërhyrjes së BE-së kur fondet keqpërdoren, tha ai.

Korrupsioni ende një shqetësim serioz në Shqipëri

Mes qindra përfituesve të IPARD-it në Shqipëri janë një numër i njohur për lidhje politike dhe kriminale.

Mes tyre është edhe Elvis Roshi, një ish-politikan, të cilit iu ndërpre mandati si kryetar i Bashkisë së Kavajës pas zbulimit të dosjeve të tij kriminale, përfshirë një dënim për përdhunim në Itali. Në vitin 2018, Roshi u dënua me shtatë muaj e 15 ditë burg për fshehjen e dosjes së tij kriminale në formularin e deklarimit për poste publike, megjithëse në fund e shmangu burgun.

Pasi udhëhoqi Kavajën mes viteve 2011 dhe 2016, Roshi themeloi kompaninë e agroturizmit Kavaljon dhe, megjithëse kishte përvojë të kufizuar në bujqësi, siguroi dy herë grante IPARD.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Shqiptare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, AZHBR, Kavaljon në vitin 2021 fitoi një kontratë me vlerë 8.5 milionë lekë ose rreth 83, 300 euro, për një plantacion agrumesh dhe sherebele. Por kompanisë iu desh të kthente një këst fillestar prej 41,676 eurosh për shkak të shkeljes së kontratës.

Në të njëjtin vit, në një aplikim të dytë me emrin Rikonstruksion Bujtine, Roshi mori një grant IPARD II prej 21.8 milionë lekësh ose 214 mijë euro.

Roshi nuk ishte i vetmi përfitues të cilit iu kërkua të kthente përfundimisht fondet. Sipas të dhënave të AZHBR-së, 73 grantmarrësve u është kërkuar kthimi i parave që kanë marrë. Ndaj 12 u nisën procedime ligjore në kuadër të IPARD II.

Delegacioni i BE-së tha se, pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz në Shqipëri.

“Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”, tha delegacioni.

“Këto investime (nga përfituesit e IPARD-it) u panë nga publiku si të keqpërdorura”, tha Krasniqi. “Lajmet për ta nuk patën asnjë ndikim, nuk tërhoqën vëmendje. Vetëm kur ato u adresuan nga strukturat antikorrupsion të BE-së pati një reagim.”

Zef Preçi, kreu i Qendrës së pavarur Shqiptare për Kërkime Ekonomike, u pajtua me këtë, duke i thënë BIRN se zbatimi i projektit IPARD në Shqipëri ishte një shembull i keqqeverisjes dhe ndërhyrjes së patronazhit dhe interesave korruptive në sektorin e bujqësisë.

Pjesa më e madhe e parave shkoi për fermerë të vetëshpallur me shumë pak përvojë në bujqësi.

“Pavarësisht burimit të financimit, qoftë nga buxheti i shtetit, kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare apo donacionet, korrupsioni ka të njëjtat pasoja në vend”, tha ai.

“Monopolizimi i vendimmarrjes në shpërndarjen e fondeve ka deformuar qëllimin e projektit që është të mbështesë investimet në industrinë agro-ushqimore dhe zonat rurale dhe ka shkelur parimet e përcaktuara për përdorimin e fondeve.”

Ndihmë me gjetjen e kapitalit

Në Maqedoninë e Veriut, Goran Lefkov, drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese Scoop, tha se korrupsioni ka qenë gjithmonë i pranishëm në mënyrën se si shpenzohen paratë publike, por roli i BE-së në programin IPARD ka lënë më pak hapësirë për manipulime.

“Sipas informacioneve të fundit, OLAF (dhe Zyra e Prokurorit Publik Evropian) ka hapur rreth 20 hetime për mashtrim me keqpërdorimin e fondeve nga programi IPARD (në Maqedoninë e Veriut)”, tha ai.

“Mendoj se ky është një numër shumë i vogël në krahasim me sa para ka marrë Maqedonia e Veriut dhe sa projekte ka zbatuar në kuadër të IPARD-it.”

Sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia e Veriut mori 49.3 milionë euro në kuadër të programit IPARD ndërmjet viteve 2017 dhe 2021 dhe nënshkroi 2,155 kontrata me përfituesit.

Në Mal të Zi nuk ka pasur raportime për korrupsion në lidhje me fondet IPARD, por sektori i bujqësisë në përgjithësi nuk i ka shpëtuar shqyrtimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, policia arrestoi Dragana Kandiç Perovic, Kryeinspektoren e Bujqësisë, Verës dhe Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe inspektorin e Veterinarisë Marko Sekariç nën dyshimin se kishin marrë ryshfet për të bërë një sy qorr ndaj aktiviteteve të paligjshme. Ata nuk janë më në paraburgim dhe ende nuk është ngritur asnjë akuzë.

Më pas, në fund të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit Special të Shtetit ngriti akuza kundër ish-ministrave të bujqësisë Petar Ivanoviç dhe Budimir Mugosa, si dhe Blagota Raduloviç, ish-drejtoreshë e zyrës së pagesave IPARD në këtë ministri. Ata akuzohen për shpërdorim detyre në shpërndarjen e fondeve nga Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit midis 2015 dhe 2017.

Në Mal të Zi, problemi kryesor me programin IPARD është se aplikantëve të mundshëm u mungojnë fondet që atyre vetë u duhen për t’u kualifikuar për një grant, tha Marko Maras, themeluesi i platformës rajonale bujqësore Seljak.me.

Maras tha se qeveria duhet të krijojë një fond të posaçëm garancie kredie.

“Si mund të marrë një fermer një kredi nëse toka e tij në fshat nuk vlerësohet? Çfarë do të lërë garanci? Ai s’ka shtëpi buzë detit”, tha Maras për BIRN. “Këtu duhet të ndihmojë shteti.”

Qeveria po punon për një fond të tillë, tha për BIRN Ministria e Bujqësisë. Në korrik të vitit të kaluar, tha ai, qeveria vendosi ta transformojë Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit të Malit të Zi në një Bankë Zhvillimi, duke besuar se kjo do të ndihmonte në përdorimin më të mirë të fondeve të disponueshme të BE-së duke ofruar një sërë instrumentesh financiare.

Për Sabedin Kasamin, një fermer nga zona e Pollogut në Maqedoninë e Veriut, kostot fillestare të plotësimit të dokumentacionit, si dhe kostot financiare fillestare, janë shumë të larta.

“Si një fermer i përkushtuar, është e dhimbshme të shoh se këto sfida më pengojnë të marr fondet e nevojshme për të modernizuar edhe më shumë bujqësinë, si dhe për të kontribuar në rritjen e sektorit bujqësor në vendin tim”, tha Kasami për BIRN. “Shpresoj që autoritetet lokale dhe ato të BE-së do të krijojnë kushte më të lehta për ne fermerët.”

Shpopullimi dhe korrupsioni – Nga Igli Cara

Pas 11 vitesh qeverisje kryeministri shqiptar u kujtua të vizitonte bashkatdhetarët tanë në Greqi.

Për më tepër, në momente të vështira të tij, ku ministra, kryetarë bashkish e drejtorë janë në burg ose po hetohen për korrupsion.

Nuk ka asgjë negative, që kryeministri i Shqipërisë të takojë bashkatdhetarët në një vend fqinj, por vizita e sotme ishte e një njeriu në hall.

Natyrshëm më erdhi në mend thënia e Samuel Xhonson : -“Patriotizmi është streha e fundit e horrave.

Vëllezërve tanë në Greqi do të duhej t’i tregonte sot:

A jetojnë më mirë prindërit e tyre pensionistë?

A paguhen shqiptarët sa grekët?

A kanë shkolla më të mira?

A kanë shërbim shëndetësor më të mirë?

A ka më njerëz që punojnë në bujqësi e blegtori?

Pse po shpopullohet Shqipëria?

Pse ikin nga vendi i tyre, për të punuar tokat e Greqisë dhe jo të Shqipërisë?

Pse ja fal pronat e shqiptarëve miqve të tij?

Por zgjodhi një fjalim patriotik, ku forma edhe kësaj here kishte më rëndësi se përmbajtja.

Në çdo rast, për shqiptarët kudo që janë do të uroja që vizita e kryeministrit t’i sillte benefite!

Druaj se kjo nuk do të ndodhë, për më tepër pas 11 vitesh qeverisje, ku korrupsioni mbetet e vetmja “arritje” e KM & Co!

‘O sa mirë me kenë hajdut!’ – Nga Petrit Vasili

Lukunia e hajdutëve me Ramen në krye kënduan në Athinë “O sa mirë me kenë hajdut”. Një bandë e stërmadhe hajdutësh rilindas me kryehajdutin dy metra, me ministra, me kryetarë bashkie, hijena të parave publike e deputetë që votojnë hajdutërira miliardere, zbarkoi në Athinë.

Miliona euro hajdutërie për tallava dhe për masturbimin psiqik të Edi Ramës. Motua e tyre: “O sa mirë me kenë hajdut”.

Qindra patronazhistë hajdutë më të vegjël, por të përditshëm e të palodhur në hajdutëri vërshuan edhe ata në Athinë. Përqendrimi më i lartë i hajdutëve në një sallë shfaqjesh ishte dje në Athinë.

Hajdutë të të gjitha llojeve.

Kryehajduti që shet detin, kufijtë e Kosovës e rrëmben miliarda me inceneratorë, koncesione, port të Durrësit etj; hajdutë bashkish, që rrëmbejnë milionat e taksave të gjakut e djersës së shqiptarëve, hajdutë nëpër zyra që u rrëmbejnë lekun e fundit njerëzve të thjeshtë, hajdutë hipotekash që rrëmbejnë toka e troje, hajdutë që rrëmbejnë paratë e Europës për fermerët, hajdutë që prishin banesat e njerëzve dhe i nxjerrin në rrugë.

Kjo lukuni hajdutësh, që hodhi miliona dje, përqeshi djersën dhe mundin e pafund të vëllezërve e motrave tona në emigracion që robëtohen për të nxjerrë të ardhurat e tyre.

Sikter lukuni hajdutësh të pacipë e të pa moral që jeni ashtu siç thotë Ali Asllani:

“Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka”!

“Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi”!

“Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe”!

Si të projektosh dhe të menaxhosh një ferr urban në Tiranë – Nga Vincent W. J. Van Gerven Oei, EXIT NEWS

Në gusht 2023, iu bashkova një grupi artistësh në një ecje përreth territorit të Bashkisë së Tiranës, përgjatë të ashtuquajturit “Pyll Orbital”.

Pylli Orbital, i shpallur si “një kufi natyror ndaj zgjerimit urban”, ishte një nga pikat kryesore propagandistike të shitjes në publik të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës “TR030”, hartuar në vitin 2016 nga Stefano Boeri, arkitekt italian dhe ish-kandidat për kryebashkiak të Milanos.

Por edhe pse ecëm disa ditë rresht përqark Tiranës—nga Kodra e Diellit në Linzë, mes fushave të Kasharit, gjatë Lumit të Tiranës e Liqenit të Farkës—nuk gjetëm asnjë gjurmë të kësaj zone të gjelbër. Ajo çfarë pamë nga pika të ndryshme përqark qytetit: një shtresë e trashë tymi, gazrash makine dhe pluhuri nga ndërtimet që mbyste banorët e Tiranës në mes të një verë torturuese jashtëzakonisht të nxehtë.

Si mund të ndodhë që një qytet i planifikuar për të qenë “i qëndrueshëm”, “i aksesueshëm”, “krijues”, “inteligjent” dhe me “biodiversitet” të kthehet në një kantier gjigant ndërtimi në gjendje thuajse të përhershme infarkti trafiku?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të kthehemi në kohën pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, kur qeveria e Edi Ramës kërkoi të zbatonte të ashtuquajturën “Reformë Territoriale”, e cila përfshinte hartimin e planeve të përgjithshme vendore për të gjitha bashkitë e vendit. Për secilën bashki, përfshi Tiranën, ku Erion Veliaj sapo ishte zgjedhur kryetar, u hapën procedura tenderimi ndërkombëtar. Edhe pse teorikisht konkurruese, fituesit e këtyre tenderave ishin më së shumti të paravendosur, sikurse ma konfirmoi Stefano Boeri në një takim në Hotel Rogner mëngjesin para se ai të paraqiste planin e tij para komisionit qeveritar të tenderit. Boeri më tha qartë dhe thjesht: “Ma ka kërkuar personalisht Edi Rama që të merrja pjesë. Jemi mirëkuptuar që studioja ime do të fitojë”.

Boeri e paraqiti me sukses vizionin e tij për Tiranën, i cili ishte bashkëhartuar me studiot UNILAB dhe IND. Pas një serie konsultimesh të dështuara publike, të mbajtura në shkelje të shumë ligjeve, plani u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Zbatimi i tij filloi menjëherë, në vitin 2017.

Plani TR030 përfshin 13 projekte strategjike të cilat do ta kthejnë Tiranën, brenda vitit 2030, në një “model europian për bashkëjetesën jo-antropocentrike mes njerëzve, kafshëve dhe natyrës”. Duhet shumë kohë të diskutohet secili nga projektet strategjike më vete, por në përgjithësi ato mund të grupohen në dy kategori të gjëra. Kategoria e parë përmbledh projektet që kanë synim shtimin e hapësirave të gjelbëra, si brenda ashut edhe përqark qytetit, përfshi ndërtimin e “Pyllit Orbital”; një unaze të dytë dhe një të katërt, të dyja të gjelbra; të “Parkut Botëror”; dhe të tri korridore të gjelbëra përgjatë lumenjve. Kategoria e dytë përfshin projektet që kanë si komponent kryesor ndërtimin: pesë “zona transformimi” shtesë (përfshi “oazin natyror” të Farkës) dhe një rrjet shkollash ndërtuar përmes partneritetit publiko-privat.

Sot jemi në mes të mandatit të tretë të kryebashkiakut Veliaj dhe në mes të afatit të zbatimit të planit TR030 (2017-2030). Vlerësuar në bazë të objektivave të përcaktuaar në plan, grupi i parë i projekteve strategjike ka dështuar plotësishrt, kurse grupi i dytë i projekteve ka lulëzuar përtej çdo përfytyrimi.

Pyllit Orbital nuk i gjendet asnjë gjurmë. Pavarësisht fotografive të përvitshme të kryebashkiakut Veliaj me lopatën në dorë, 2 milionë pemët e premtuara nuk janë mbjellë. Një raport i vitit të shkuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) arriti në përfundimin se mungesa e buxhetit, tokës dhe pronëssië ka çuar në “një nivel të ulët të zbatimit” të këtij objektivi. Unazat e gjelbra (e dyta dhe e katërta), të cilat do krijonin hapësirë lëvizjeje për këmbësorët, çiklistët dhe për një tramvaj, nuk janë realizuar. Po ashtu nuk është realizuar as Parku Botëror i planifikuar përgjatë zgjatimit verior të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Po ashtu korridoret natyrore përgjatë tre lumenjve—Tirana, Lana dhe Erzeni—nuk janë krijuar në asnjë lloj kuptimi. Përkudnrazi, KLSH arrin në përfundimin:

“Mjedisi po degradon me shpejtësi, fakt që reflektohet në probleme të tilla si rrëshqitjet e dheut, përkeqësimi i cilësisë së ujit, ndotja e ajrit, zhurmat, problemet e menaxhimit të mbetjeve, etj.

Shkaku i kësaj gjëme mjedisore është “zhvillimi i pakontrolluar urban”. Vetëm në muajn tetor 2023, u miratuan 12 kulla të reja në qendër të Tiranës. Kjo na çon në grupin e dytë të projekteve strategjike të planit TR030. Si zhvillimi i pesë zonave të reja “të transformimit” (në total 57 hektarë) ashtu edhe ndërtimi i rrjetit të shkollave të reja pulike janë bazuar mbi të njejtin parim: shpronësimi i pasurive private egzistuese dhe privatizimi i pasurive publike për të ndërtuar mbi to me anë të skemës së partneritetit publiko-privat (njohur gjithashtu si konçesione).

Partneritetet publiko-private janë një mënyrë e kushtueshme dhe joefikase e menaxhimit të investimeve publike, përderisa në thelb ato praktikisht subvencionojnë kompanitë private të marrin hua bankare me interesa ndjeshëm më të larta se huatë që mund të merrte vetë qeveria.

Përfitimi për qeverinë në këtë skemë është se “investimi” nuk llogaritet si borxh publik duke e mbajtur kështu artificialisht të ulët nivelin e borxhit publik, ndërsa përfitimi për privatin është se qeveria merr përsipër të gjitha rreziqet e investimit duke i lënë atij vetëm përfitimet.

Këto zona transformimi të përcaktuara në planin TR030 të Boerit, plotësuar me dhjetë “epiqendra dinamike” zhvillimi të riklasifikuara edhe ato si zona transformimi (të tilla si zona e Bllokut) janë bërë shtrati për shpërthimin masiv të ndërtimit në Tiranë.

Urbanizimi intensiv i qytetit ka qënë në mënyrë marramëndëse fitimprurës për vetë projektuesin. Menjëherë pas miratimit të planit TR030, Boeri nisi një fushatë reklamimi për të lëvduar vlerat e planit, duke shpallur e “gati një shekull më pas, janë përsëri italianët që po e projektojnë Tiranën”.

Më pas, Bashkia Tiranë porositi rizhvillimin e zonës bzuë Lanës, në pjesën lindore të saj, me zhvillues privat dhe projektues Stefano Boerin. Gjithashtu, bashkia pajtoi sërish Boerin për projektimin e tre shkollave që do ndërtoheshin me partneritet publiko-privat midis bashkisë dhe kompanisë Agikons. Ndërkohë, ndërtues që siguruan leje në zonat më të lakmuara të planit pajtuan gjithashtu Boerin si arkitekt: Invest Society për dy ndërtesa, The Cube dhe West Residence, në zonën e Bllokut, ndërsa Gener 2 për “Pyllin Vertikal” ngjitur me Stadiumin Air Albania.

Kjo na kthen tek pyetja fillestare: si mund të ndodhë që një plan i projektuar për ta kthyer Tiranën në një “kopsht ballkanik” e ka kthyer atë në një ferr ku të shurdhojnë zhurmat dhe të mbyt pluhuri i kullave? Përgjigjia është në motivet e drejtpërdrejta ekonomike të atyre që janë përgjegjës për zbatimin e tij.

Ndryshe nga zonat e transformimit, asnjë nga kompenentët e gjelbër të planit TR030 nuk ka nga pas ndonjë model fitimi—nuk mund të bëhen para nga parqet, pyjet apo brezat e gjelbër. Ndërtimi i kullave nga ana tjetër kënaq çdo dëshirë për fitim e pasurim.

Së pari, Bashkia Tiranë nxjerr të ardhura me lejet e ndërtimit që ajo lëshon, duke taksuar 8 përqind të vlerës së ndërtimit çdo leje ndërtimi. Këto të ardhura janë kthyer në një shtyllë të rëndësishme të buxhetit të bashkisë, që nga koha kur dyshja Rama-Veliaj kanë në dorë të gjitha lejet e ndërtimit të Tiranës. Në vitin 2022, Tirana vendosi një rekord të ri të për lejet e ndërtimit: lëshoi leje për 1,8 milionë metër katrorë ndërtime të reja. Pa këto projekte Bashkia Tiranë do të falimentonte.

Nga ana tjetër, për shumë individë dhe kompani ndërtimi në Tiranë është një mënyrë e volitshme për pastrimin e parave.

Një raport i vitit 2020 i Nismës Globale Kundër Krimit Transkombëtar vlerësoi se, në peridudhën 2017-2019, në Shqipëri u pastruan rreth 1,6 miliardë dollarë amerikanë përmes pasurive të patundshme (ndërtim dhe shitje).

Pra, si bashkia ashtu edhe kompanitë e ndërtimit kanë motive të forta për të mbajtur të ndezur makinerinë e ndërtimit.

Së dyti, koncesionet dhe strukturat e ndërlikuara të tenderimit të shumë projekteve publike të rizhvillimit për “zonat e transformimit” dhe shkollat publike krijojnë mundësi të mëdha për korruptim dhe vetë-përfitim, sikurse është bërë tashmë e qartë nga skandali i drejtorëve të Bashkisë Tiranë. Në një rast, Kompania 5D, në pronësi të disa drejtorëve të rëndësishëm të bashkisë, “fitoi” tenderin për rizhvillimin e zonës së transformimit në Kinostudio. Njësoj si për ndërtimet private, edhe në rastet e transformimit, përfitjnë si ata që drejtojnë bashkinë, ashtu edhe pronarët e kompanive private (shpesh të njejtët persona).

Dhe e treta, projektet e rizhvillimit prodhojnë sasi masive mbetjesh ndërtimore ndërtimore, të cilat depozitohen në vendgropsojen e Sharrës. Edhe pse ky mund të mos duket një motivim i drejtpërdrejtë, kjo çështje u ngrit nga ish-zëvendës kryeministri dhe ish-ministri i financave Arben Ahmetaj në një intervistë televizive. Duke folur për koncesionin e inceneratorit të Sharrës, Ahmetaj bëri pyetjen kriptike:

“Kam një pyetje për SPAK-un: ku kanë shkaur 60 milionët? …Ku janë 60 milionë eurot, kush është pas tyre, kush ka dhënë garancinë….?”

Çfarë janë “60 milionë eurot” të cilave u referohet Ahmetaj? Janë paratë që kompanitë private të ndërtimit mendohet se kanë paguar deri tani për depozitimin e mbetjeve ndërtiore në vendgroposjen e Sharrës, mbetjet e grumbulluara nga qindra ndërtime me leje nga Bashkia Tiranë.

Para kontratës së konçesionit të Sharrës, e cila ju dha kompanisë guackë Integrated Energy BV SPV në gusht 2017, mbetjet ndërtimore menaxhoheshin nga vetë Bashkia Tiranë. Por me një marrëveshje ekstraligjore dhe pa asnjë transparencë, bashkia vendosi që Integrated Energy BV SPV të priste dhe menaxhonte mbetjet ndërtimore. Kjo marrëveshje lejoi që pagesat nga kompanitë ndërtimore të shkonin direkt në llogaritë e kompanisë Integrated Energy, jashtë çdo lloj mbikqyrjeje apo auditimi publik. Mënyra se si u privatizua menaxhimi i mbetjeve ndërtimore ka mbetur ende e paqartë dhe duhet të hetohet.

Kur asetet e Integrated Energy BV SPV u sekuestruan nga shteti, vitin e shkaur, këto 60 milionë euro që arsyeshëm i përkasin taksapaguesve shqiptarë, nuk u gjetën në llogaritë e kompanisë dhe askund tjetër. Ku shkuan ato? Dhe a ishin vërtet vetëm 60 milionë euro apo më shumë? Si mund të matet sasia e mbetjeve ndërtimore që realisht janë depozituar në Sharrë nga kompanitë private pa patur asnjë mbikëqyrje publike?

Opozita ka artikuluar një shpjegim të mundshëm se ku mund të kenë shkuar këto të ardhura që ka marrë Integrated Energy BV SPV në mënyrë të paligjshme. Opozita mendon se paratë i janë kthyer mbrapsht atyre që drejtojnë Bashkinë Tiranë dhe janë përdorur për të blerë vota, përmes sistemit të kushtueshëm të patronazhistëv, i ngritur nga Partia Socialiste. Si pjesë e këtij sistemi zyrtarët e Bashkisë Tiranë u caktuan dhe punuan si kordinatorë dhe menaxhere të fushatës së PS-së dhe Veliajt në Tiranë, që çoi në fitoren dërrmuese në 27 nga 27 njesitë përbërëse të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Këto para mund të jenë përdorur edhe për të paguar mediat, duke siguruar mbulim të pandërprerë pozitiv në të gjitha televizionet kryesore të projekteve dhe politikave ndërtimore të Bashkisë Tiranë, një praktikë e vazhdueshme televizive gjatë gjithë kohës së drejtimit të saj nga Erion Veliaj.

Pikërisht ky sistem përfitimesh dhe pagesash të paligjshme ka bërë të mundur që cikli i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i shembjeve dhe ndërtimeve, i lejeve të paligjshme, i koncesioneve të dyshimta dhe keqmenaxhimit të plehrave të mos përshkruhet në publik ashtu siç është: një kancer në trupin e qytetit, i cili dalëngadalë po i vret banorët e tij, dhe që duhet të luftohet urgjentisht me hapësira të gjelbëra dhe ligje për kufizimin e ndërtimeve.

Paraja që ky proçes prodhon në çdo hallkë të tij është një element thelbësor i mbajtjes së kontrollit dhe pushtetit mbi qytetin dhe qytetarët e tij. Ndotja nuk është një difekt i sistemit, por është komponenti thelbësor i sistemit. sn

Çka bën Zyra e Kinës në Prishtinë?

Valona Tela, Arton Konushevci

Me fjalët e inteligjencës perëndimore, Kina përbën një kërcënim në rritje për sigurinë globale. Përshkruhet si një fuqi që synon supremacinë dhe përpiqet ta shfrytëzojë epërsinë e saj ekonomike për të arritur qëllime politike.

Shteti komunist, në dekadën e fundit, ka zgjeruar dukshëm ndikimin e tij në Ballkan, duke krijuar lidhje më të forta me disa qeveri dhe duke u përqendruar në sektorë specifikë, si infrastruktura apo energjia, për bashkëpunim. Në vende si Serbia përfshirja kineze vërehet, madje, edhe në kulturë, media dhe arsim.

Përjashtim nga ky model përbën Kosova, thonë autoritetet e saj. Ndonëse prej Kinës importon mallra në vlerë prej qindra miliona eurosh në vit, vendi nuk ka lejuar ndonjë investim të madh kinez apo ndikim tjetër.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.

Rrjedhimisht, dy vendet nuk kanë as marrëdhënie diplomatike, por, prej vitesh, Kina ka në Kosovë një zyrë ndërlidhëse, e cila funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.

Radio Evropa e Lirë i kontaktoi të dyja këto institucione për t’i pyetur rreth aktiviteteve të saj, por nuk mori përgjigje.

Ekipi i REL-it ishte i pranishëm edhe tek objekti i zyrës në Lagjen Arbëria në Prishtinë, më datën 7 maj, por sigurimi aty tha se nuk ka personel brenda dhe se ka “rreth dhjetë ditë” që aty nuk ka qenë dikush.

Ndërtesa e Zyrës Ndërlidhëse të Kinës gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Ndërtesa e Zyrës Ndërlidhëse të Kinës gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.

ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara ambasadat dhe misionet e huaja në Kosovë, figuron edhe Zyra Ndërlidhëse e Kinës. Aty janë publike disa kontakte, por ueb-faqja e zyrës, që do të mund të ofronte informacione për aktivitetet e saj, nuk është funksionale.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a e përcjell punën e Zyrës së Kinës në Kosovë, a ka kontakte me të dhe a merr ndonjë raport prej saj, Qeveria e Kosovës, në përgjigjen e përbashkët me MPJD-në, nuk ofroi shumë detaje.

“Sigurisht që ne jemi në dijeni për praninë e të gjitha misioneve që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe për aktivitetet e tyre në vend. Sa i përket Zyrës së Kinës në Kosovë, ne si Qeveri nuk kemi ndonjë komunikim me të, marrë parasysh raportet ndërmjet dy vendeve”, thuhet në përgjigje.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, se çfarë kontaktesh ka me Zyrën e Kinës në Kosovë dhe a asiston në komunikimet mes saj dhe institucioneve të Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Në ueb-faqen e UNMIK-ut shkruan se më 16 shkurt të këtij viti, shefja e këtij misioni, Caroline Ziadeh, ka pritur shefin e Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Prishtinë, Cheng Lei. Mes tjerash thuhet se Ziadeh ka vënë në pah “iniciativat e UNMIK-ut për ndërtimin e besimit”, por nuk specifikohet më shumë.

Nga kërkimet që bëri Radio Evropa e Lirë në internet rezulton se, muajin e kaluar, Cheng është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në platformën LinkedIn, Rama ka shkruar se me zotin Cheng kanë diskutuar “mundësi të shumta të bashkëpunimit” në fushat e ekonomisë, artit e kulturës.

“U informova se Qeveria e Kinës, deri tani, ka lëshuar viza për më shumë se 1.000 përfaqësues biznesesh nga Kosova”, ka thënë, mes tjerash, Rama.

Po në prill, Cheng ka takuar edhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu. Ky i fundit, në një postim në Facebook, ka shkruar se në takim, mes tjerash, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme e veçanërisht në lehtësimin e të bërit biznes.

Jashtë politikës, Cheng është pritur nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se ka kërkuar nga Cheng që, përmes Zyrës së Kinës, komitetet olimpike të të dyja vendeve të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit – për ç’gjë diplomati kinez është pajtuar.

Mimoza Ahmetaj, e cila ka shërbyer si ambasadore e Republikës së Kosovës në disa shtete, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kosova duhet të përfitojë nga prania e secilit mision të huaj diplomatik në vend, përfshirë edhe atë të Kinës. Partneriteti i ndërtuar me to, thotë ajo, do të shërbente, pastaj, në realizimin e objektivave të vetë Kosovës.

“Bashkëpunimi në mes shteteve është në disa dimensione – politik, diplomatik, në aspektin e sigurisë, kulturor, tregtar, ekonomik… Pra, është një gamë e gjerë bashkëpunimi. Normalisht që neve na intereson ta faktorizojmë Kosovën dhe duhet gjetur forma… Unë nuk do të doja që Kosova të ndërtonte mure mes shteteve, por, përkundrazi, ura bashkëpunimi”, thotë Ahmetaj.

Një që ka publikuar muajin e kaluar Instituti Ndërkombëtar Republikan, me seli në SHBA, ka gjetur se 69 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk besojnë se interesat e vendit të tyre avancohen duke mbajtur marrëdhënie të forta me Kinën.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Exposenë se ky perceptim është krijuar nga mungesa e marrëdhënieve formale politike ndërmjet dy vendeve.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme ndaj rolit që mund të luajë Zyra Ndërlidhëse e Kinës.

“Në mungesë të kontakteve domethënëse me Qeverinë e nivelit qendror, Kina po përpiqet të hyjë në nivele të tjera të qeverisjes. Kjo është potencialisht shqetësuese dhe institucionet e Kosovës duhet të japin udhëzime më të mira se si të trajtohen kërkesat për takime nga Qeveria kineze”, thotë Ilazi.

Ilazi shton se në dëm të Kosovë shkon edhe mbështetja shumë e fortë e Kinës për Serbinë.

Këtë javë, presidenti i Kinës, Xi Jinping, qëndroi për vizitë zyrtare në Beograd, ku përsëriti se Pekini e mbështet qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës. Xi tha, po ashtu, se Serbia është partnerja kryesore e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Sipas Ilazit, forcimi i kësaj aleance paraqet pengesë të madhe për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, meqë Kina është anëtare e përhershme, me të drejtë vetoje, e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – organizatë ku Kosova mëton të anëtarësohet.

*Video: Prania e Kinës në Kosovë

Ilazi thotë se Kosova duhet të jetë “potencialisht e hapur për një nivel të marrëdhënieve diplomatike me Kinën”, por se “këtë duhet ta bëjë në koordinim të plotë me SHBA-në”.

Pro një politike më të hapur shprehet edhe ish-diplomatja Ahmetaj.

“Është e rëndësisë së veçantë ndërtimi i raporteve me këto misione. Duhet gjetur mënyrën se si të bashkëpunojmë me secilin prej tyre dhe si të përfitojmë nga prania e tyre. Në asnjë moment, të mos i shikojmë si të padëshiruara. Kosova është në proces të shtetndërtimit, në proces të konsolidimit të shtetit dhe prania e tyre duhet t’i shërbejë Kosovës në këtë frymë”, thotë ajo.

Për të vizituar Kosovën, qytetarët kinezë duhet të pajisen me vizë, përveç atyre që kanë pasaporta diplomatike. Vizat mund të merren në ambasadën e Kosovës në Shqipëri ose Turqi.

Ngjashëm, edhe qytetarët e Kosovës duhet të kenë viza për të shkuar në Kinë – dokumentet i dorëzojnë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa shqyrtohen në Ambasadën e Kinës në Beograd.

Kosova dhe Kina nuk kanë ndonjë marrëveshje formale bashkëpunimi. Në Kosovë nuk ka ndonjë medium me pronësi kineze, apo me përmbajtje pro-kineze. Kosova, po ashtu, nuk ka ndonjë kredi nga bankat kineze.

Ato që janë evidente, janë shkëmbimet tregtare. Nga të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Dogana e Kosovës, rezulton se në vitin 2023, Kosova ka importuar nga Kina mallra në vlerë prej 650 milionë eurosh. Shifra ka arritur gati dyfishin e vitit 2019, kur kjo vlerë ka qenë 340 milionë euro. Vlera e eksporteve të Kosovës në Kinë, ndërkaq, ka qenë 442 mijë euro vitin e kaluar.

Dogana e Kosovës ka konfirmuar, po ashtu, se në mesin e importeve nga Kina vitin e kaluar, kanë qenë edhe 57.444 pajisje incizuese. Radio Evropa e Lirë ka zbuluar se shumë kamera nga Kina, të kompanive Dahua dhe Hikvision, janë të instaluara në sheshet e Prishtinës, si dhe në ndërtesat qeveritare, përfshirë Zyrën e Prokurorit të Shtetit, Ministrinë e Tregtisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

*Video nga arkivi: Kamerat kineze në institucionet e Kosovës

Çështja është jo pak shqetësuese kur merret parasysh se dy kompanitë Dahua dhe Hikvision, pjesërisht në pronësi të shtetit kinez, janë në listën e zezë të SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.

Janë disa shtete perëndimore si këto që Kinën e perceptojnë si aktore keqdashëse, e cila në disa raste është angazhuar në fushata dezinformuese që e portretizojnë komunitetin perëndimor si të dështuar dhe joefektiv.

Edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka përshkruar Kinën si “armike”. Radio Evropa e Lirë

Çfarë rreziqesh përbëjnë modelet e avancuara të IA-së në duart e gabuara?

Reuters

Administrata e presidentit Joe Biden është e gatshme ta hapë një front të ri në përpjekje për ta mbrojtur Inteligjencën Artificiale (IA) të Shteteve të Bashkuara nga Kina dhe Rusia. Planet e saj fillestare janë vendosja e masave mbrojtëse përreth modeleve më të avancuara të IA-së.

Hulumtuesit qeveritarë dhe ata nga sektori privat shqetësohen se armiqtë e SHBA-së mund t’i përdorin këto modele – të cilat gërmojnë sasi të mëdha tekstesh dhe fotografish për të mbledhur informata dhe për të prodhuar përmbajtje – për të kryer sulme agresive kibernetike, apo edhe për të krijuar armë të fuqishme biologjike.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej kërcënimeve nga IA:

Materialet e manipuluara dhe keqinformatat

Materialet e manipuluara – video të sajuara që duken të vërteta, të krijuara nga algoritmet e IA-së përmes pamjeve me bollëk online – janë duke dalë në sipërfaqe në rrjetet sociale dhe po i mjegullojnë faktet dhe trillimet në botën e polarizuar të politikave amerikane.

Derisa video të tilla artificiale ekzistojnë tash e disa vite, ato janë bërë shumë më të fuqishme në vitin e fundit falë një morie mjetesh të reja të “IA-së gjenerative”, si Midjourney, të cilat e bëjnë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme krijimin e materialeve të manipuluara bindëse.

Mjetet për krijimin e pamjeve përmes Inteligjencës Artificiale nga kompanitë si, OpenAI dhe Microsoft, mund të përdoren për të prodhuar fotografi të cilat mund të promovojnë zgjedhjet, apo dezinformata në lidhje me zgjedhjet, pavarësisht se secila prej tyre ka politika kundër krijimit të përmbajtjes keqinformuese, thanë hulumtuesit në një raport të publikuar në mars.

Disa fushata dezinformuese thjesht e shfrytëzojnë aftësinë e IA-së për t’i imituar artikujt e lajmeve të mirëfillta, si mjet për shpërndarjen e informatave të rrejshme. Disa platformat të mëdha në rrjetet sociale si, Facebook, X dhe YouTube, kanë bërë përpjekje për ndalimin dhe fshirjen e materialeve të manipuluara.

Për shembull, vitin e kaluar, një portal i lajmeve i kontrolluar nga Qeveria kineze që përdor një platformë të IA-së, e kishte publikuar një artikull të rrejshëm, që kishte qarkulluar më parë, se Shtetet e Bashkuara e udhëheqin një laborator në Kazakistan për krijimin e armëve biologjike për përdorim kundër Kinës, tha Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare në një vlerësim për kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare për vitin 2024.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, duke folur në një ngjarje për IA-në të mërkurën në Uashington, tha se ky problem nuk mund zgjidhet lehtë, sepse është kombinim i aftësive të IA-së me “qëllimin e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë, për të përdorur dezinformata, për t’i prishur demokracitë, për të çuar përpara propaganda dhe për ta ndryshuar perceptimin në botë”.

Armët biologjike

Komuniteti i inteligjencës amerikane, grupet hulumtuese dhe akademikët, janë tejet të shqetësuar për rreziqet që vijnë nga aktorët e huaj të këqij, të cilët sigurojnë qasje në kapacitetet e IA-së. Hulumtuesit në Gryphon Scientific and Rand Corporation theksuan se modelet e avancuara të IA-së mund të ofrojnë informata të cilat mund të jenë të dobishme për krijimin e armëve biologjike.

Gryphon analizoi se si modelet e gjuhëve të mëdha (LLM) – programe kompjuterike të cilat tërheqin sasi të mëdha tekstesh për të krijuar përgjigje për pyetjet – mund të përdoren nga aktorët armiqësorë për të shkaktuar dëme në sferën e shkencave të jetës, dhe gjeti se “ata mund të ofrojnë informata të cilat mund ta ndihmojnë një aktor dashakeq në krijimin e një arme bërthamore, duke i dhënë informata të dobishme, të sakta dhe të hollësishme në çdo hap të kësaj rruge”.

Hulumtuesit gjetën, për shembull, se një LLM mund të ofrojë njohuri të nivelit të doktoratës për zgjidhjen e problemit kur punon me një virus përhapës.

Hulumtimi i tyre gjeti gjithashtu se LLM-të mund të ndihmojnë edhe në planifikimin dhe kryerjen e një sulmi biologjik.

Armët kibernetike

Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare (DASK) tha se aktorët kibernetikë me gjasë do ta përdornin IA-në për “zhvillimin e mjeteve të reja” në mënyrë që “të mundësojnë sulme kibernetike më të mëdha, më të shpejta, më efikase dhe më të paqarta” kundër infrastrukturës jetike, përfshirë kundër tubacioneve dhe hekurudhave.

Kina dhe armiqtë e tjerë janë duke zhvilluar teknologji të IA-së, e cila mund ta minojë mbrojtjen kibernetike të SHBA-së, përfshirë programe gjenerative të IA-së që mbështesin sulme malware (lloj virusi kompjuterik) tha DASK.

Microsoft tha në një raport në shkurt se kishte gjurmuar grupe të hakerëve të lidhur me Qeverinë e Kinës dhe atë të Koresë së Veriut, si dhe me inteligjencës ushtarake të Rusisë dhe me Gardën Revolucionare të Iranit. Ato po përpiqeshin t’i përsosnin fushatat e tyre të hakimit duke përdorur MLL.

Përpjekje të reja për adresimin e kërcënimeve

Një grup dypartiak i ligjvënësve njoftuan për një projektligj të mërkurën vonë, i cili do ta bënte më të lehtë për administratën Biden të vendosë kontrolle mbi eksportin e modeleve të IA-së, në përpjekje për ta mbrojtur teknologjinë e vlefshme amerikane kundër aktorëve të huaj të këqij.

Projektligji – i mbështetur nga republikanët e Dhomës së përfaqësuesve Michael McCaul dhe John Molenaar dhe nga demokratët Raja Krishnamoorthi dhe Susan Wild – do t’i jepte gjithashtu autoritet Departamentit të Tregtisë t’ua ndalojë amerikanëve të punojnë me të huajt për zhvillimin e sistemeve të IA-së, të cilat përbëjnë rreziqe për sigurinë kombëtare të SHBA-së. REL

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Rrjeti global i fertilitetit: Shqipëria një parajsë e fshehur e surrogacisë në Evropë

Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës denoncon skandalin e fshehur që po ndodh në Shqipëri, surrogacinë.

Për këtë të fundi i cili po diskutohet që të legalizohet me anë të një ligji, faqja e rrjetit ndërkombëtar të fertilitetit e quajtur ‘OVU Fertility, ‘Global Fertility Network’, tregon se Shqipëria është vendi i fshehur i Evropës për Surrogacinë, e cila me ligj apo pa ligj ndodh.

Duke mbetur një nga vendet sekretet të Evropës, Shqipëria ka shumë opsione për beqarët dhe çiftet që kërkojnë trajtim të fertilitetit.

Për më tepër, ky destinacion është gjithashtu ideal për prindërit që synojnë dhe kërkojnë shërbime surrogate, pasi nuk ka asnjë kuadër ligjor apo rregulla që rregullojnë zëvendësimin; pra as nuk lejohet dhe as nuk ndalohet.

Për këtë arsye, klinikat shqiptare të fertilitetit dhe agjencitë e surrogacive mund të ofrojnë programe për çifte heteroseksuale të martuara ose të pamartuara, burra beqarë, gra beqare dhe çifte LGBTQIA+. sn

Pse dhe për kë është e rëndësishme rezoluta për Srebrenicën?

VOA/Milan Nesic

Rezoluta për Srebrenicën, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në atë zonë gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi, pritet të jetë temë debati dhe votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Periudha në prag të debatit u përshkua me këshillime në selinë e Kombeve të Bashkuara, lobim aktiv nga mbështetësit dhe kundërshtarët e Rezolutës, si dhe deklarata të mprehta nga kritikët e udhëhequr nga rusët, përfaqësuesit e Serbisë dhe të Republikës Serbe të Bosnjës.

Deri në votim, shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme kanë mundësinë të paraqesin amendamente në tekstin e propozuar, që u hartua nga Gjermania dhe Ruanda. Udhëheqja e organizatës e ka bërë të qartë qëndrimin rreth kësaj çështjeje.

Fakti që është kryer gjenocid në Srebrenicë, është konfirmuar nga gjykata. Sa herë që më pyesin nëse është vërtetuar, përgjigjem se po. Pra, këto fakte, për ne, nuk kanë ndryshuar. Shtetet anëtare do deklarohen për këtë sipas pikëpamjeve të tyre”, tha Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.

Mundësia e miratimit të një rezolute me të cilën vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara do të konfirmonin se në zonën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, alarmoi një pjesë të opinionit ballkanik dhe nxiti reagimin e ashpër të zyrtarëve të Serbisë dhe Republikës Serbe. Ajo gjithashtu hasi në kundërshtim të fortë nga Rusia, një vend me të cilin Serbia dhe Republika Serbe mbajnë lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake. Ekspertët e shohin përpjekjen për të debatuar dhe votuar për projektrezolutën si një lëvizje simbolike, pa asnjë pasojë negative, veçanërisht pasi ajo mbështetet në fakte të konfirmuara prej kohësh në lidhje me ngjarjet e korrikut të vitit 1995.

Aktorëve u takon ta vendosin në një kuadër që u përshtatet interesave të tyre. Unë e shoh atë si një hap drejt pajtimit, sepse do të nënkuptonte një pranim simbolik që ngjarjet në Srebrenicë paraqesin gjenocid, i cili ishte subjekt i disa vendimeve nga gjykatat ndërkombëtare. Është e qartë se disa politikanë po përpiqen ta përdorin këtë moment si një mjet për të përshkallëzuar tensionet. Megjithatë, është përgjegjësi e rezolutës apo e politikanëve…. Nuk do të pajtohesha që vetë rezoluta të nxisë tensione”, tha për Zërin e Amerikës David Simon, drejtor i Programit të Studimeve mbi Gjenocidin në Universitetin Yale.

Dhjetëra vende të botës kanë vendosur ta mbështesin ose bashkë sponsorizojnë projekt-rezolutën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“(Projektrezoluta) kujton një fakt historik në një kohë kur gjenocidi mohohet gjithnjë e më shumë në rajon dhe kriminelët e luftës madhërohen. Bashkë sponsorët e saj besojnë se ka ardhur një moment i rëndësishëm për të përkujtuar atë ngjarje historike në një masë më të madhe. Vërtet nuk duhet të jetë sfidë, sepse nuk veçon asnjë vend apo popull, përveç kriminelëve që e kanë kryer atë vepër”, është pikëpamja e zotit Gabriel Escobar, Zv/Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, Rusia kundërshton me forcë projektrezolutën, duke kërkuar tërheqjen e saj. Në Nju Jork, në bashkërendim me Serbinë, ajo loboi në mënyrë aktive për këtë.

Ajo nuk mund të sigurojë pajtimin kombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, por vetëm mund të shtojë mosmarrëveshjet në atë vend dhe në Ballkan në tërësi. Dokumenti bart një akuzë kundër serbe, e cila është e qartë. Rezoluta nuk e akuzon drejtpërdrejt popullin serb, por u referohet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, si dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Srebrenicën, që vështirë se mund të quhet i drejtë në raport me serbët”. tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Në fillim të majit, me kërkesë të Rusisë, në Këshillin e Sigurimit u mbajt një seancë e jashtëzakonshme kushtuar Bosnjës e Hercegovinës, në të cilën u dëgjuan të njëjtat tone të përfaqësuesve rusë. Serbia në atë seancë përfaqësohej nga Marko Gjuriç, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Rezoluta nuk është gjithëpërfshirëse dhe mohon drejtësinë për shumicën e viktimave të luftës. Republika e Serbisë në vazhdimësi dhe me vendosmëri ka dënuar të gjitha krimet e konfliktit tragjik, dhe veçanërisht masakrën në Srebrenicë, një ngjarje e tmerrshme që shquhet për mizorinë e saj. Në vitin 2010, Kuvendi i Serbisë miratoi një deklaratë që dënonte krimin. Dy presidentë të Serbisë morën pjesë në përkujtimet në Qendrën Përkujtimore “Potoçari” dhe përfaqësuesit e saj morën pjesë edhe në përkujtimet në Kombet e Bashkuara në Nju Jork”, tha në atë seancë Marko Gjuriç.

Beogradi zyrtar, përkundër disa aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare të cilat vërtetojnë se në Srebrenicë në vitin 1995 ishte kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, nuk e njeh këtë dhe e karakterizon ngjarjen si një krim të përmasave masive.

Rusia, e cila po kryen agresion brutal kundër fqinjit të saj të parë, Ukrainës për të tretin vit, mbështet fuqishëm politikën rajonale dhe qëndrimet e udhëheqjes serbe. Nëntë vjet më parë ajo bllokoi në Këshillin e Sigurimit miratimin e Rezolutës për Srebrenicën, e cila dënonte gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve.

Ajo është gjithnjë e më e përfshirë në marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjithë Evropën dhe shpesh nuk përdor kanalet e tij diplomatike për këtë, por mjetet përmes të cilave zhvillon luftën informative. Nuk dua të ndalem te akuzat ndaj saj për dezinformim, por dua të tërheq vëmendjen në nxitjen e pikëpamjeve populiste dhe nacionaliste, qëllimi i të cilave është dëmtimi i Evropës së bashkuar liberale”, nënvizon David Simon nga Universiteti Yale.

Karakteri antiserb i projektrezolutës, që do t’i etiketojë serbët dhe Serbinë si komb gjenocidal, është rrëfim i zyrtarëve të shumtë të Serbisë, Republikës Serbe dhe Rusisë, që kundërshtojnë debatin dhe miratimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Teksti i propozuar, në të cilin Zëri i Amerikës kishte qasje, nuk përmend asnjë lloj përgjegjësie të asnjë kombi apo shteti, por, ndër të tjera, bën thirrje për dënimin pa rezerva të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Dokumenti dënon gjithashtu veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Zyrtarët si (Milorad) Dodik, ata në Beograd dhe të mos harrojmë Moskën, do të përpiqen të mohojnë faktet e vërtetuara, ose të flasin për to sa më pak të jetë e mundur. Megjithatë, e gjithë kjo tashmë është në procesverbalet gjyqësore“, thotë për Zërin e Amerikës James Gow, profesor në King’s College të Londrës.

Pretendimet e Milorad Dodikut, politikanit të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion dhe kërcënim ndaj tërësisë tokësore të Bosnjë se Republika Serbe mund të shkëputet nëse rezoluta miratohet, eksperti britanik i vlerëson si teprim.

Dyshoj se do ta bëjë një gjë të tillë, por asgjë nuk duhet përjashtuar. Nëse ai do ta bënte këtë, do të ishte një reagim i tepruar ndaj diçkaje të mbështetur nga pjesë të qeverisë së përbashkët shtetërore në Sarajevë. Bëhet fjalë për kujtesën ndërkombëtare, për të cilën pres që të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pavarësisht ndarjeve të mprehta. Pala që nuk e pranon mund ta injorojë, sikundër shumë aktorë që kthejnë kokën nga gjëra ndoshta edhe më të rëndësishme”, vlerëson profesor Gow.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia janë ndër bashkëhartueset e projektrezolutës.

Përderisa Beogradi zyrtar e kundërshton dhe punon kundër saj, një pjesë e opinionit në Serbi nga organizata joqeveritare kundër luftës, si dhe disa politikanë të opozitës, bëjnë thirrje për pranimin dhe miratimin e projektrezolutës.

E vetmja mënyrë për ta gjykuar një komb të tërë si gjenocidal është kur dikush e mobilizon atë për të mbështetur dhe lavdëruar kriminelët dhe ata që e kanë kryer atë krim. Nëse do të bëhej e kundërta, atëherë do të ishte fare e qartë; ajo që duket qartë nga gjykimet është se nuk bëhet fjalë për dënimin e një kombi të tërë”, tha për Zërin e Amerikës Olga Kavran, ish zëdhënëse e prokurorisë së Gjykatës së Hagës.

Autoritetet malazeze nuk iu bashkuan shumicës së vendeve të Ballkanit në qasjen ndaj projektrezolutës për Srebrenicën. Sinjalet e përziera dhe gjysmë informatat u shpërndanë pasi kryeministri Milojko Spajiç njoftoi se Mali i Zi do ta mbështeste atë dokument në Kombet e Bashkuara. Ai gjithashtu vuri në dukje se do të votohen të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidet dhe krimet në territorin e ish Jugosllavisë.

Megjithatë, për një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik vendor dhe shoqërisë civile, kjo nuk mjafton.

Besojmë se nuk mjafton vetëm votimi, sepse është edhe përgjegjësia jonë në radhë të parë për brezat e ardhshëm dhe fëmijët tanë. Kjo në mënyrë të pashmangshme nënkupton përballjen me të kaluarën, pranimin e fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare dhe kombëtare. Dhe bazuar në ato fakte, ruajtja e kujtesës, mësimi për të dhe parandalimi i përsëritjes së tmerreve të tilla. Për ne ishte një çështje e padiskutueshme të prisnim që qeveria thjesht ta pranojë”, tha për Zërin e Amerikës Tea Gorjanc Prelevic nga organizata joqeveritare “Aksioni për të Drejtat e Njeriut”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, në një aktgjykim të vitit 2007 që pasoi padinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, vendosi përgjegjësinë e Serbisë, e cila, sipas mendimit të gjykatës, nuk parandaloi dhe dënoi krimin e gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ndërsa autorët e drejtpërdrejtë të gjenocidit, thuhej në vendim, janë ushtria dhe policia e Republikës Serbe.

Me atë aktgjykim, vrasjet masive të më shumë se 8,000 qytetarëve të nacionalitetit boshnjak në Bosnjë dhe Hercegovinë u përcaktuan si gjenocid dhe u vërtetua se autoritetet e atëhershme në Beograd nuk kryen, nuk morën pjesë dhe nuk inkurajuan kryerjen e gjenocidit gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ish presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiç dhe ish komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mladiç, u dënuan me burgim të përjetshëm.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk janë detyruese, por interpretohen si dokumente me peshë politike dhe pasqyrojnë pikëpamjet e vendeve anëtare të atij mekanizmi për çështjen e përfshirë në rezolutat e miratuara.

Bie vetingu- BIRN: Sevdari, simbol i zbatimit të ekzagjeruar të ligjit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila e pati konsideruar shkarkimin e Sevdarit si një zbatim të ekzagjeruar të ligjit për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

BIRN

“Jam shumë e emocionuar, është ditë shumë e rëndësishme për mua profesionalisht dhe personalisht,” deklaroi prokurorja Antoneta Sevdari të premten më 10 maj jashtë dyerve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi KPA vendosi të rikthejë atë në detyrë, tre vjet pasi e kishte shkarkuar me të padrejtë.

Sevdari u bë simbol i zbatimit të ekzagjeruar të ligjit mbi kontrollin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili e pati shkarkuar atë në shkurt 2019 pasi gjeti si të pajustifikueshme një sasi të të adhurave të bashkëshorit të Sevdarit mbi dy dekada më parë, kohë para se të njihej dhe martohej me prokuroren.

Në dhjetor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut iu përgjigj pozitivisht ankesës së Sevdarit duke e konsideruar shkarkimin e saj nga detyra të pajustifikueshëm dhe “disproporcional” me qëllimin e ligjit për kontrollin kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, u desh gati edhe një vit e gjysmë pas vendimit të Strasburgut dhe shumë seanca gjyqësore që KPA të merrte vendimin për të rikthyer në detyrë Sevdarin.

Të premten, në dhënien e vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj parashtroi fillimisht gjithë ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar për Antoneta Sevdarin, nga konfirmimi në Komision; ankimin e institucionit të Komisionerëve Publikë dhe shkarkimin e saj nga Kolegji i Posaçëm e Apelimit për probleme në kriterin e pasurisë; prishjen e vendimit të shkarkimit pas kërkesës së Sevdarit për rishikim bazuar në vendimarrjen e Strasburgut që gjetje shkelje të shkallës së dytë të vetingut; kërkimet përfundimtare të Komisioneres Irena Nino e cila pretendoi se GJEDNJ-ja nuk i kishte rrëzuar shkaqet e ankimit të cilave tha se u qëndronte; si dhe qëndrimin e subjektit që i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e Komisioneres.

Gjatë shpalljes së vendimit të premten, kryesuesja Mulaj solli në vëmendje se procesi i rivlerësimit kalimtar mund të përfundojë vetëm me dy aletrnativa, atë të konfirmimit apo të shkarkimit nga detyra. Sipas saj, përderisa nuk u konstatuan elementë që do justifikonin dhënien e një mase të përkohshme, Kolegji arrin në konkluzionin se vendimarrja e GJEDNJ-së është e detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar.

“Për sa kohë, dhënia e masës së shkarkimit është çmuar nga GJEDNJ-ja se ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për rrjedhojë, trupi gjykues në vijim të konkluzioneve të mësipërme vlerëson se vendimi i KPK duhet të lihet në fuqi. Trupi gjykues, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për subjektin e rivlerësimit Antoneta Sevdari”, tha Mulaj ndër të tjera.

Pas vendimit të shpallur në ditën e Drejtësisë, prokurorja Antoneta Sevdari deklaroi për mediet se ndihej shumë e gëzuar që në fund arriti të marrë drejtësi.

“Ndihem shumë e gëzuar që në fund arrita ta marr drejtësisë që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e përkushtuar në shërbim të saj”, deklaroi Sevdari në fund të procesit.

Një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut me ankesa për procesin e vetingut, duke pretenduar padrejtësi. Strasburgu ka pranuar pjesërisht disa kërkesa dhe ka rrëzuar disa të tjera. Në total Strasburgu ka vërejtur se nuk ka një problem sistemik me procesin e vetingut në tërësi.

Sevdari është rasti i parë i një zyrtari të drejtësisë që kthehet në detyrë pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.


Send this to a friend