Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta këtë të martë në moshën 89-vjeçare konsiderohet si një nga figurat e rëndësishme të tranzicionit të Partisë Socialiste.
Pas viteve ’90, ai u përfshi në mënyrë aktive në jetën politike si një nga drejtuesit kryesorë të selisë rozë. Kulmi i karrierës së tij politike ishte periudha 2002–2005, kur shërbeu si Kryetar i Kuvendit.
Përplasjet e forta me Fatos Nanon
Emri i tij lidhet ngushtë me përplasjet e brendshme të Partisë Socialiste në vitet ’90 kur dhe fillimin e viteve 2000, veçanërisht me raportin e tij të ndërlikuar me Fatos Nanon. Kur kreu i socialistëve ishte në burgun e Bënçës, e akuzoi Pëllumbin si “marksist”.
Në librin e tij me kujtime, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, Servet Pëllumbi ka rrëfyer detaje të rëndësishme për marrëdhënien e tensionuar mes tyre. Pëllumbi e ka konsideruar Fatos Nanon si “naiv” në prag të arrestimit të tij në vitin 1993. Sipas ditarit të Pëllumbit, Nano besonte gabimisht se duke sulmuar publikisht ambasadorët e huaj (veçanërisht atë amerikan), do të mund të krijonte një mburojë politike që do ta shpëtonte nga burgosja që po i përgatiste pushteti i asaj kohe.
Gjatë kohës së burgimit, Nano dërgonte mesazhe dhe udhëzime të shpeshta, të cilat Pëllumbi i ka përshkruar si përpjekje për të mbajtur kontrollin absolut, shpesh duke injoruar realitetin e vështirë që po kalonin socialistët në terren.
Pëllumbi ka treguar gjithashtu se Nano u lirua përkohësisht nga burgu në mars të vitit 1995 për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij. Sipas “Profesorit”, Nano e shfrytëzoi atë moment pikëllimi për të zhvilluar një mbledhje të improvizuar kryesie, ku nxori njerëzit jashtë për të dhënë udhëzime politike.
Pëllumbi ka zbuluar se marrëdhënia e tyre u kris rëndë menjëherë pas daljes së Nanos nga burgu në vitin 1996. Nano i quajti drejtuesit e asaj kohe (përfshirë Pëllumbin) si “guralecë” që duheshin hequr nga rruga e partisë. Pëllumbi u ndje i fyer, pasi gjatë kohës që Nano ishte në burg, ai kishte mbajtur peshën kryesore të drejtimit të PS-së dhe kishte udhëhequr protestat për lirimin e tij.
Megjithatë, në periudhat e mëvonshme, Pëllumbi është shfaqur edhe si një zë më i moderuar, duke e vlerësuar Nanon si një nga figurat kryesore të tranzicionit shqiptar dhe duke theksuar rolin e tij në historinë politike të vendit.
Pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos (tetor 2025), Servet Pëllumbi e vlerësoi atë si një figurë qendrore të tranzicionit, duke i lënë mënjanë përplasjet e vjetra në mesazhin e tij të fundit të ngushëllimit.
Kritika për Ramën në opozitë dhe lëvdata pas ardhjes në pushtet
Nuk kanë qenë të pakta edhe kritikat që “Profesori” kishte bërë për Edi Ramën sidomos gjatë kohës që PS ishte në opozitë. Ato u theksuan pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës dhe kur Rama nuk u largua nga drejtimi i PS-së.
Duke kërkuar në kronikat e kohës, Pëllumbi e ka akuzuar Ramën se me aksionet e dështuara që po ndërmerrte pas humbjes në zgjedhje po e tkurr elektoratin e majtë të cilët nuk ndihen më të përfaqësuar në programin e partisë së tyre.
“Ai që është i majtë duket sikur ka turp të thotë që jam i majtë. Pse? Sepse nuk iu referohet atyre shtresave, kategorive, njerëzve që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social ekonomike.
Se po të jetë se partinë e kë partinë në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referencë në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Po të jetë se ti iu drejtohesh zgjedhësve, votuesve, në përgjithësi votuesve dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk mbështesin.
Që të mbështesin duhet ti mbështetësh, që të mbështesin duhet t’u japësh ato ide që kërkojnë ata” – deklaronte Pëllumbi në 2010-ën.
Pas ardhjes së PS-së në pushtet kritikat ishin të pakta, por mbahet mend një batutë e 2016-ës, pas publikimit të kujtimeve të tij, për të cilat Rama kishte thënë se “do të kishte bërë mirë që të mos i shkruante”.
“Zoti Rama do të bënte mirë të mos fliste për njerëz dhe ngjarje në Partinë Socialiste për kohën që vetë ishte në PD” – e kishte thumbuar Pëllumbi./Lapsi.al