VOAL

VOAL

Rekuiem për ushtrinë Shqiptare – Nga Gani Elezi

January 25, 2017

Komentet

“Trego ku je takuar me diversantët!”, arrestimi i Ndue Gjinajt më 1979 pasi u arratis i vëllai! Si u mbajt shtëpia për 40 vjet nën vëzhgimin e Sigurimit!

NDUE DEDAJ

Familja e mirënjohur Gjinaj e Fushë-Arrësit mori rrokullimën në vitin 1952, kur Prenushi, djali i madh i Mark Pjetër Gjinajt, u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi bashkë me të shoqen Lizën, ku pasi qëndroi disa vite në Kosovë, u vendos me familje në Bruksel dhe ndërroi jetë në vitin 1973. Por “fantazma” e tij nuk iu hoq asnjëherë nga sytë Sigurimit të Shtetit, që i persekutonte familjen këtu, duke iu kërkuar vazhdimisht vëllezërve, sidomos Ndoit, të tregonin lidhjet që mbanin me të arratisurin e bujshëm të fillimviteve ‘50, krahas nacionalistëve të tjerë në zë: Pjetër Çup Qafa, Gjon Gjinaj, Mark Cara etj. Mbas arratisjes së Prenushit familja e tij u internua e gjitha në Tepelenë, i zoti i shtëpisë, plaku i urtë Mark Pjetri bashkë me të bijtë Nduen dhe Pjetrin, ku Ndoi ka ndenjur 7 vjet në internim dhe ka qenë i dënuar në burgun e Spaçit. Shtëpia që nga ajo kohë ka qenë gjithmonë nën vëzhgim e survejim, se mos aty hynin dhe dilnin të arratisurit. Disa herë është dyshuar se Prenushi ishte hedhur me parashutë si diversant, për rrëzimin e pushtetit popullor. Njerëzit e Sigurimit përgjonin në arë me orë të tëra, ndonjëherë dhe gjithë natën, kush hynte dilte nga shtëpia në Tuç, që ishte në mes të pyllit. “Ne nuk kishim se çfarë t’u banim, tregon e moshuara 90-vjeçare Nanë Dila, por u lëshonim qentë, që ishin të fortë me farue tokën. Të nesërmen spiunët e zonës donin me na e përhumbë mendjen, tue thanë, “nuk kanë qenë njerëz, por bishat e egra të malit, arushat…” Por nuk ishte ashtu, pasi aty ku kishin qëndruar kishte gjurmë njerëzish, bishta cigaresh e të tjerë. Kur familja Gjinaj ndërtoi shtëpinë e re në Tuç, më 1965, njerëzit e Sigurimit iu ishin hakërryer: “E keni bërë shtëpinë për “Ambasadë Jugosllave”, që të vijnë diversantët nga Jugosllavia dhe të strehohen këtu mes pyllit të dendur…”.

DOSJA E NDUE PJETRIT

Shfletojmë dosjen e Ndue Mark Pjetrit, marrë nga familjarët në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. “I pandehuri Ndue Mark Gjinaj, duke qenë një element me prejardhje dhe qëndrim të keq politik, i karakterizuar nga ndjenja pakënaqësie e armiqësore kundër pushtetit popullor, i zhytur me dashje në veprimtarinë e tij, në mënyrë të vazhdueshme është munduar me format më të stërholluara për t’iu kundërvënë politikës parimore të partisë sonë, masave me karakter revolucionar që janë marrë për vazhdimin e revolucionit dhe ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste në Shqipëri. Të gjitha transformimet që janë bërë në vendin tonë, si në fushën ekonomike, ideologjike e politike, ky i pandehur i ka parë e interpretuar me syrin e një armiku të klasës, ku konkretisht, i karakterizuar nga ndjenjat armiqësore, ua ka komentuar në mënyrë të shtrembër personave të ndryshëm, për të bërë sa më shumë për vete njerëz të pakënaqur e për t’i hedhur ata në rrugën e armiqësisë ndaj pushtetit popullor…”. Asnjë krim kundër shtetit. Propagandë e pastër! Një llomotitje politike që të zë frymën. Ja dhe “argumentet” mjerane. I pandehuri Ndue Gjinaj, në bisedë me dëshmitarin X, në muajin shtator të vitit 1967, në shtëpinë e tij, ndër të tjera i thotë: “Tani në fshat nuk jetohet, tokat na i kanë marrë, jetesa është bërë shumë e vështirë, sepse punon gjithë ditën e ditës në kooperativë bujqësore dhe kur vjen fundi nuk marrim gjë, ato pak lekë që marrim nuk na dalin për të ushqyer fëmijët. Me sa duket, kjo qeveri do të rrëzohet e ky sistem do të ndryshojë”. Po në vazhdim të bisedës, me këtë dëshmitar, kur ra fjala për vëllain që është i arratisur jashtë shtetit, Ndueja, ndër të tjera, i thotë: “Vëllai im Prenushi që është jashtë shtetit jeton shumë mirë, sepse jashtë shtetit gjithë populli jeton me pasuri të mëdha e jo si këtu tek ne që populli po vuan”. I pandehuri Ndue Gjinaj, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga rruga e nisur, në muajin korrik të vitit 1979, pasi takohet me dëshmitarin Y ndër të tjera i thotë: “Kjo qeveri që është sot në fuqi tek ne, i ka prishur marrëdhëniet me të gjitha shtetet, tani dhe me Kinën, dhe kështu ka mbetur e vetme e pa përkrahjen e asnjë shteti; kësaj qeverie i ka ardhur fundi e së shpejti do të rrëzohet”. Gjithashtu ky i pandehur, në pranverën e vitit 1974, pasi është takuar tek qendra e fshatit Tuç me një tjetër dëshmitar, ndërmjet të tjerave i thotë: “Tani jetesa në kooperativë bujqësorë është bërë shumë e vështirë, populli tek ne po vuan, ndërsa përpara kemi pasur tokat tona dhe kemi jetuar mirë. Jashtë shtetit, si në Jugosllavi, populli atje jeton mirë dhe ka të ardhura të shumta, sepse e ka tokën të tij, bagëtinë të tij e jetesën e bën të mirë e jo si këtu tek ne që po vuajmë për bukën e gojës”. Më tej aktakuza vazhdon me formulime të përgjithshme stereotipa që hasen dhe në të tjera të ngjashme, se “vepra e kryer paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, ashtu siç “paraqet rrezikshmëri të theksuar dhe vetë i pandehuri për krimin që ka kryer”; se “fajësia e tij provohet plotësisht”, “akuzohet se me dashje ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor, vepër e parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal. Kjo aktakuzë së bashku me materialet e tjera të dosjes penale nr. 41 i kalon drejtpërsëdrejti gjykatës popullore të rrethit Pukë për gjykim”. Kujton i afërmi i tij Zef Pemati. “E sillnin Nduen me “Xing-Fu”-në e Degës së Punëve të Brendshme Pukë dhe e qitnin në malin e Poravit, duke i kërkue me kambëngulje: “Fol, ku je takuar me Prenushin, kur ai është hedhur me parashutë si diversant! Te cila shpellë? Te cili gur? Te cila pishë? Ne e dimë që ai ka ardhur nga matanë kufirit dhe ti e ke takuar. Fol, me kë ishte? Çfarë të tha?”. Ndoi ishte i habitur me ato që i dëgjonin veshët. Ata e provokonin pareshtur, por ai nuk e kishte takue të vëllanë qysh atëherë që ishte arratisun. Për ma tepër ai nuk e dinte që Prenushi kishte ndërrue jetë pak kohë ma parë në Belgjikë….”

RRËFIMI I BIRIT PËR TË ATIN

Është folur e shkruar jo pak për Spaçin brenda telave, por thuajse nuk është thënë asgjë për “Spaçin” jashtë telave, njerëzit që merrnin përditë rrugët e gjata gjithë pluhur për tek të afërmit e tyre të burgosur në Burrel, Spaç, Qafë-Bari dhe kamp-burgjet e tjera politike të vendit. Një kalvar më vete i qindra njerëzve, sidomos gra e fëmijë, që u kishte rënë kjo barrë, për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen të dashurve të tyre të ngujuar me vite e vite në galeritë e bakrit etj.. Mark Gjinaj, është biri i Lenës së Marka Dod Alisë dhe Ndue Mark Pjetrit. Në një intervistë të pabotuar rreth jetës së tij, sjell një dëshmi të dhimbshme nga fëmijëria e tij, që lidhet po me Spaçin, ku qëndroi si i burgosur politik i ati, Ndue Mark Pjetri. “Mbasi arrestuan babën, herën e parë, ditën e nesërme kur shkova në shkollë, pas një ore ecje në këmbë, në klasë gjykimet ishin të ashpra. Mësuesja ime ishte anëtare Partie. Shkolla, në atë kohë, përbëhej nga 4 klasa plot e përplot me nxënës, por asnjë fëmijë nuk më fliste. Asnjë nuk rrinte me mua. Ishte një përjetim i papërshkrueshëm. Megjithatë, ditët kalonin dhe unë u mësova me këtë fakt. Herën e dytë babën arrestojnë në vitin 1979 dhe u dënua me 8 vite burg për ‘agjitacion e propagandë’, ku qëndroi në burgun e Spaçit rreth tre vjet. Nëna ime Lena dhe unë udhëtonim me orë të tëra për ta takuar, shpesh në temperatura të akullta. Unë isha 13 vjeç. Niseshim nga Poravi i Tuçit në orën 4 të mëngjesit për të arritur në Spaç. Nëna ecte ngadalë, pasi kishte mbi shpinë plot 20 kg me ushqime për t’i dërguar babait. Na linin në pritje edhe 1 – 2 orë të tjera, e më pas e takonim. Ajo ishte një dhomë e ngushtë, e vogël, mezi shiheshim, veç t’i dëgjonim zërin dhe t’i preknim duart. Më pas ktheheshim në mesnatë. Unë shkoja një herë në 15 ditë. Sa herë që shkonte një person nga familja, unë gjithmonë shkoja me të deri në ditën që u lirua nga burgu. Spaçi, plot me ngrica, njerëz që punonin nëntokë, grevat që bëheshin, ishte një tmerr i vërtetë. Nuk flas dot më shumë, pasi të gjithë tashmë e dinë çfarë ndodhte aty…”

ISH-BASHKËVUAJTËSI

Nikoll Zef Prenga (Tuci), 90-vjeçar, me banim në Belgjikë, tregon: Sapo erdha nga burgu i Burrelit në Spaç, gjatë apelit, kur po lexoheshin emrat, Ndue Mark Pjetri ndigjoi emnin tim dhe erdhi e më takoi, ai e dinte se unë isha kushëri i së kunatës, edhe pse nuk ishim takue deri atëherë, pasi unë kisha hy i ri në burg. Ndoit i vinin në takim nga shtëpia rregullisht. Në një rast organizuem një drekë në burg, duke i hapun ushqimet mbi një çarçaf. Aty u bamë ma të afërt. Vështirësitë të miqësojnë dhe ma tepër. E kanë thirrë Nduen ata të Komandës dhe e kanë pyet rreth marrëdhanieve tona, i kanë thënë ti e ke mik Nikollë Zef Prengën (Tuci) dhe duem që të na dalësh dëshmitar, se ai flet kundër pushtetit, ban agjitacion e propagandë dhe këtu. Ndoi ua kthen: “Keni ba gabim që më keni thirrë mue për këtë gja, jam moshë e kalueme për kësi punësh. (Ishte rreth të 70-ve). E kam mik shtëpie Nikollën, nuk kam gja për të thanë për të, dmth., kundra tij…”

GRUAJA E FORTË E FUSHË-ARRËSIT

Lena pati fatin të ishte e para nxënëse që u ul në bankat e shkollës në rrethin e Pukës, në vitin 1934. Në një fotografi të rrallë të atij viti, Lena e vogël ka dalë bashkë me të atin Mark Dod Alia, mësuesin shkodran Filip Lacuku dhe një bashkëfshatar. Shkrimtari Bashkim Hoxha, në librin “Aliajt e Kryeziut”, shkruan: “Migjeni, kur ishte kryemësues në Pukë, mori regjistrat e shkollave në fund të vitit shkollor dhe i bën përshtypje emri i një nxënëseje, Lena Marka Dod Alija. Bashkë me kolegun e tij, mësuesin shkodran Abdulla Çanga, nisën nga Puka për në Kryezi për t’u njohur me vajzën dhe prindërit e saj. Migjeni impresionohet nga mikpritja, respekti, biseda, rregulli në familje dhe pastërtia shembullore, ushqimet e gatuara me shije etj.”. Lena rritet në një mjedis të tillë plot virtyte dhe tradita. Jeta e bëri atë një personazh të veçantë në familjen prindërore dhe atë ku u martua. Në vitin 2014 Këshilli i Bashkisë së Fushë– Arrësit, i ka akorduar të moshuarës Lena Mark Gjinaj, titullin “Qytetar Nderi” e Fushë-Arrësit me motivacionin: “Veprimtare e spikatur dhe e guximshme në përkrahje të arsimimit dhe emancipimit të femrës malësore, duke sfiduar paragjykimet e kohës”. Një nënë fisnike me shumë fëmijë që përcolli në breza vlerat dhe virtytet e kësaj krahine duke qëndruar e paepur në përballimin me dinjitet të pasojave të persekutimit të sistemit komunist. Qytetarë të Fushë-Arrësit, historianë e studiues në ceremoninë e dhënies së këtij titulli evidentuan vlerat dhe kontributin e Lena Mark Gjinaj si një nënë fisnike e bujare, patriote e arsimdashëse që vjen nga një derë e njohur e familjes me tradita të shkëlqyera, atdhetare të Marka Dodë Alisë. Familja Gjinaj i ka mbijetuar represionit të regjimit falë harmonisë familjare, unitetit vëllazëror dhe qëndrimit me dinjitet në shoqëri, pa u keqpërdorur nga njerëzit e “pushtetit popullor”. Ky ka qenë një tipar i shtëpive të para, familjeve në zë, mos me e shkelë kurrë besën dhe traditën e të parëve. Kjo ishte masa me të cilën “mateshin” malësorët në votrën e tyre, si burrat, ashtu dhe gratë, të cilat sakrifikonin shumë për familjen ku kishin shkuar nuse. Ndoi dhe e shoqja Lena, në njëzet e një vjet, lindën 10 fëmijë, të cilët i edukuan me traditat më të mira familjare dhe kombëtare. Familja ishte gjëja më e shenjtë për familjen dhe fisin Gjinaj, e cila ruhej me shumë mundim nga familjarët.

MARK DOD ALIJA, NË BURG 80-VJEÇAR

Fati sa e kishte lumturue Lenën, duke u bërë nënë e dhjetë fëmijëve, aq dhe e kishte ndëshkue në rrafshin politik, pasi dy motrat e saj të martuara në Iballe në familjen e njohur të Pematëve, Mrika dhe Shukja kishin qenë në internim, burri në burg politik, por dhe ati, Mark Dod Alia, për më tepër kur ishte në moshën 82-vjeçare. Ka qenë personi më i moshuar në Shqipëri mbi duart e të cilit kanë rënë prangat e regjimit komunist. Më 17 janar 1978 është bërë gjyqi i tij në Pukë, ku është dënuar me 6 vjet burg politik dhe 5 vjet të tjera “pa të drejta civile”, që nënkuptonte mos të zgjidhej në organet e pushtetit dhe mos të ushtronte veprimtari publike. Ky kishte qenë “krimi” i tij, ndikimi i fortë publik që e kishte çuar pas hekurave, pasi i dëgjohej fjala prej një gjysmë shekulli në Pukë dhe Mirditë e më gjerë në Veri. Sipas burimeve arkivore, burri i shquar i Kryeziut, Mark Dod Alia ka qenë ndër përfaqësuesit e Dheut të Spaçit në kuvendin e parisë së Mirditës në Shpal më 29 maj 1928. Lena, e bija, nuk dinte ku të shkonte më parë, kishte mbetur dyerve të burgjeve politike, nga Spaçi në Ballsh, stoike dhe sojnike, një zonjë e vërtetë. Dy vëllezërit Ndue dhe Mark Dod Alija i kishin ndarë rolet, i pari kishte “punët e brendshme” të familjes, mbarëvajtjes së ekonomisë, frekuentimit të miqësisë, kurse i dytë ishte më shumë për “punët e jashtme”, ato të kuvendeve të krerëve dhe parisë, luftës dhe paqes, ndaj dhe do të goditej disa herë, vetëm e vetëm që të bëhej i parrezikshëm për bashkësinë ku rronte. Mirëpo kjo kishte dhe efektin e kundërt, qëndrestarë të tillë si Elez Hoxha i Pukës, Mark Dod Alija, Pashk Curri, Pal Qafa e të tjerë të mbajtur gjatë në burg apo jashtë tij, por nën kontroll të rreptë politik, në popull kishin adhurim të heshtur.

RUAJTJA E VARRIT TË NACIONALISTIT

Mark Gjinaj (i riu) na ka rrëfyer me emocion se si familja e tij në Tuç kishte ruajtur për 40 vjet kujtimin e një varri, që asokohe nuk e dinte askush veç atyre. Ndaj ne menduam të takonim familjarët e Gjetës, djalit që ishte varrosur atje, në rrethana aspak të zakonshme, siç kishte qenë e tillë dhe vdekja e tij. Gjeta kishte qenë i biri i nacionalistit të njohur, Pjetër Llesh Gjoni nga Gjegjani. Ungj e nip, Zef dhe Gjon Lleshi, banues në Lezhë, na rrëfejnë historinë tragjike.

..Ishte viti 1946. Grupet e rezistencës antikomuniste ishin në male. Me to përveç Pjetër Lleshit ishte bashkuar dhe i biri, Gjeta, por jo në të njëjtin grup me të atin. Grupi ku ishte Gjeta bie në pritë në fshatin Shkozë dhe në përballje me Forcat e Ndjekjes plagoset rëndë në këmbë. E kanë marrë shokët e vet dhe e kanë strehue në pyll, që të vinin e ta merrnin natën. Ishte një jetë mundimesh të jashtëzakonshme. Nga plagët mbas një jave Gjeta ndërroi jetë në malin e Poravit. Nuk ishte i lehtë as varrimi, pasi ku të kërkoje ndihmë. Si shtëpi besnike në Tuç ishte ajo e Mark Pjetër Gjinit, të cilës i janë drejtue dhe kanë marrë veglat e punës, kazma, lopata etj.. Vendi ku do të varrosej Gjeta ishte tre kilometra prej fshatit. Atë e dinte bariu i shtëpisë së Mark Gjinajt, që kishte ndihmuar. Varri është hapur në një vend me shenj, që të gjendej lehtë, nëse do të vinte puna të zhvarrosej, pasi askush nuk e besonte se i ndjeri do të mbetej atje në vetmi për gati një gjysmë shekulli. Mbas 1990-ës, një i afërt i Gjinajve, që ishte në Amerikë, ka shprehur dëshirën me i vu në dijeni njerëzit e familjes së Pjetër Lleshit, se ku ishte varri i Gjetës në Porav, në malin e Munellës. Ka ardhë ai dhe kanë shkue bashkë me Frrok Pjetër Lleshin, djalin e Pjetrit dhe vëllain e Gjetës dhe e kanë kërkue varrin në Porav dhe e kanë gjetur sipas shenjave që mbaheshin mend nga ajo kohë e largët… Pavarësisht qëndrimit të ashpër të shtetit ndaj familjeve të të vrarëve, arratisurve dhe persekutuarve, në popull ruhej një mirësi që nuk shqiptohej me fjalë, por tregohej me sjellje, çka e tregon dhe rasti i mëposhtëm.

HISTORIA E NËNËS SË FRANIT

Persekutimi komunist në Veri nuk ka qenë vetëm në disa familje, por përderë, si i thonë fjalës. Ka histori nga më të pabesueshmet. Ish-i dënuari politik, Shkëlqim Abazi, ka sjellë me pak radhë një histori të pazakontë të një nëne pukjane: “Gjithë të dënuarit e viteve…70 – 73 e kujtojnë nanën e Franit, atë grua kreshnike, tepër të vobektë, që nisej në këmbë nga thellësitë e Pukës për të mbërritur në Spaç pas tri ditë-netësh. Si mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo ç’t’i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dy mujore dhe nuk largohej pa u takuar me të birin. Ne ishim mësuar me rregullsinë e asaj nëne fisnike, sa kur mbushej dymuajshi, dilnin mbi tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, do vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit me porosi që i biri të na i ndante secilit nga një kokërr. Por kaluan disa dymujorë dhe nana s’po dukej, u merakosëm. Ç’ti kish ndodhur vallë? Kur nëpërmjet ca të lirëve vendas mësuam se plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje, si ta kishim njeriun tonë të afërm”.

/Gazeta Panorama 

B U R G I M E T Kujtimet e Ejëll Çoba në librin “Jetë e Humbun”

Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme
Konti Rober dë Monteskje

Më 25 dhjetor, ditën e Këshndellave, aty nga ora 11, erdhi kapterri i burgut e më tha: “Eja!”. Mbatha këpucët që kisha në fund të dyshekut, u ngrita e dola me të. Unë e pritja transferimin për në Tiranë, por mbasi nuk më tha me marrë teshat, nuk më shkoi nëpër mend një gja e tillë. Kur dola në korridor, një roje më lidhi duart e kapterri më prini. Ecëm nëpër oborr, dolëm në rrugicën “Sumej” dhe u drejtuem te një kamion që ishte ndalë para derës së Sumejve, dajave të mi. Rojet që më shoqnojshin, largojshin familjet që kishin ardhë me sjellë ushqimin për të burgosunit. Kur po rrijsha në rrugicë, m’u afrue motra, që kishte ardhë me një kushrinë me më pru ushqimin. Më pyeti: “Ku po të çojnë?”. I’u përgjigja: “Nuk e di”. Një roje mbas meje m’u kërcënue.

Në kamion nuk munda të hypja ashtu i lidhun si isha, prandaj një roje më vuni shpatullat në vithe e më ngriti. Shkova e zuna vend në krye të kamionit. Gjashtë roje të armatosuna ishin ulë në spondat e kamionit, tre në njanën anë, e tre në anën tjetër. Unë në mes tyne. Prapë nuk më shkonte ndër mend transferimi. Mendojsha: ditë feste, koha para mesdite, kur populli dilte prej meshës së orës 11 nga Kisha Françeskane dhe bante një xhiro në piacë. M’u kujtue se Riza Danin e kishin ekzekutue në ballkon, para një grumbulli njerëzish, që britshin: “Në litar, në litar!”. Mendojsha se ashtu po ma banin edhe mue. Tri javë i parruem, me fytyrë si para litarit, tamam pamje për Ecce homo!

Ndër këto mendime pashë prapë motrën, që kishte dalë para familjeve, i ishte afrue paksa kamionit dhe po qante me za. Mendonte se po më çojshin për ekzekutim. Kur i çonte sytë nga unë, mendohesha me çue duart e lidhuna, e me i ba shenjë që të qetësohej, por ishte e kotë, se ajo vazhdonte edhe ma me za.

Ndërkaq një toger hypi bri shoferit dhe kamioni u nis. Mori rrugën “Skanderbeg”, majtas nga Perashi. Fillova të mendoj se ishim për Tiranë. Por jo! Hyni në rrugën e Konsullatës Italiane, (sot Shtëpia e Kulturës). U ndal te Burgu i Togës, ish konvikti “Malet Tona”, e këtu pritëm pak. Erdhi motra me kushrinën me ushqimin në dorë. I’u afrue kamionit e më tha: “Këtu asht Keli”? Po, u përgjigja: “E di”. Ishte qetsue, se ishte bindë se nuk po shkojsha për ekzekutim. Vesonte shi. Togeri i’u drejtue dy vajzave me ton të ashpër: “Ç’doni këtu, moj shoqe?! Largohuni!”. Zunë vend te dera e Muzhanit me sy të ngulun nga unë.

Prej Burgut të Togës, sollën Hamdi Isufin, Musa Gjylbegun e Asim Abdurahmanin, që u rreshtuan para meje. Unë prap dyshoja, a ishim për Tiranë apo për ekspozim. Kamioni u nis. Hodha edhe njëherë sytë nga motra. Pritja me ankth me pa ç’drejtim do të merrshim. Kamioni mori djathtas nga Fusha e Qelës. Të katërt ishim pa asnjë gjë me vete. Madje, Hamdi Isufi ishte pa gja në kokë. Binte një shi i lehtë. S’pata ma dyshim se do të na qitshin në ballkon. Por jo! Kur mbërritëm te Kafja e Madhe, kamioni mori majtas, i’u soll rrotull lulishtes, e shkoi e u ndal te ish dyqani i Ulqinakut, (sot dyqani MAPO). Këtu u sigurova se po niseshim për Tiranë.

Kamioni u nis për Tiranë. Sa kaluem Urën e Bahçallekut, togeri që na shoqëronte e rrinte në kabinën e shoferit, urdhëroi të ndalojshim. Zbriti, i’u afrue një partizani që rrinte në spond të kamionit e i tha: “Cili është Hamdi Isufi?”. Ai më pyeti mua, meqë më kishte më afër. “Nuk e di”, iu përgjigja. Po Hamdia e ndigjoi e tha: “Unë”.

Atëherë togeri i dha partizanit një copë tel e i tha t’ia lidhet duart edhe një herë. Na të tjerët nuk e meritojshim “këtë konsideratë”. U mjaftuan me na lidh me një tel të gjatë, të pestë për krahu. Kështu secili me duar të lidhura (Hamdia dy herë) dhe të pestë, të lidhur për krahu, u nisëm drejt Lezhës.

I hodha një sy kalasë njëmijëvjeçare, fushës së përmbytur, mjegullës që kishte mbulue malin e Sheldisë dhe qytetin që po vajtonte nën një qiell plumb e nën një shi të hollë si lotët e heshtuna të shkodranëve, që vajtojshin trimnitë e humbuna. Për gati njëzet e katër vjet, nuk do ta shihja ma qytetin tim!

Deri në Tiranë shkuem pa ndalesa të gjata. Vetëm nja dy herë shoferi zbriti për të shikue motorin, që nuk punonte edhe aq në rregull. Më vonë, në burg, kur po bisedonim rreth këtij udhëtimi me Hafizin e me Hamdinë, ky i fundit na tha: “Sa herë ndalej kamioni, hidhsha një sy anëve të rrugës e kur shihja ndonjë pyll të vogël në afërsi, mendoja se aty do të na pushkatojnë”.

Në Tiranë u ndalëm te Ministria e Mbrendshme (ish Ministria e Financave). Në trotuarin tjetër u mblodh një grumbull u vogël njerëzish. Nuk bëzajshin, por shikojshin me drojtje. Unë njoha vetëm djalin e Xhafer Ypit, e vetëm një vajzë tha me za të naltë: “Qenka edhe një hoxhë”. I kishte ba përshtypje, se i dukej gjë e rrallë.

Mandej kamioni u vu prapë në ecje e u ndal te shtëpia e doktor Bashos, seli e Qarkut ose e Policisë.

Së fundi u drejtuem për në Burgun e Vjetër, në rrugën e Shkodrës. Pasi zbritëm shkallët e mbrendshme të burgut që të çojnë në korridorin e birucave, aty na priste kapter Shahini, që me një shikim epërsie, na tha: “S’ju pëlqen kjo republikë juve”?!

Kapterr Shahini më futi në një birucë pasi u sigurua që aty nuk kisha asnjë të njoftun. Këto hetime i’u dukën të mjaftueshme, prandaj më urdhnoi të rrijsha në qoshe të birucës, në çimento, e sidomos të mos flitsha me pjestarët e tjerë të birucës; dhe doli me mendje të qetë se e kishte krye mirë detyrën. Ashtu i lagun deri në palcë, u ula në çimento, në terrin ma të thellë e në heshtjen ma të plotë.

Nuk e kuptojsha sa ishin dimensionet e birucës, e as sa vetë ishin aty. Nuk kisha vizitue kurrë Burgun e Tiranës, megjithëse të tanë vitin 1939, kisha qenë Kryetar i Gjyqit të Shkallës së Parë, në kryeqytet. Prandaj në errësirën e birucës së Tiranës, u mundojsha me përfyturue formën dhe madhësinë e tyne. Mbas pak minutash, kur të gjithë po rrijshin së bashku, ndodhi një gja që më bani me ndryshue krejt mendimin që kisha formue për ambientin.

Një za që vinte nga nalt, thirri: “Felatun!” e tha disa fjalë në anglisht. Unë atëhere s’dijsha asnjë fjalë anglisht. Menjëherë një za tjetër nga poshtë i’u përgjigj shqip: “Jo, asnji”. Mendova se dikush kishte pyetë, kush kishte ardhë i ri në birucë e nga frika përgjigja kishte qenë negative. Me emrin Felatun, kisha njohë vetëm Felatun Vilën, e nuk njihja njeri tjetër me këtë emën, prandaj mendova se në birucën terr duhej të ishte ai, megjithëse nuk kisha dijeni që të ishte arrestue.

Mbetej mister ai za që kishte ardhë nga nalt. Mendova se biruca do të ishte me dy kate e se dikush do të ishte në katin e sipërm, ose në ndonjë shtrat të ngritun nja dy metra. Mbas përgjigjes së Felatunit, ra prapë heshtja në errësinën e birucës. Kështu kaloi rreth një orë.

Papritmas u hap dera e birucës sonë e hyni një rreze drite nga korridori. Ata që ishin në birucë, vrapuan me dalë e njeni mori guximin e më tha: “Hajde, po shkojmë në nevojtore”.

Dola edhe unë mbas tyne. Përshkuem korridorin dhe u futëm në një kthinë ku kishte katër WC në rradhë pa portë, të cilat u zunë menjëherë e unë mbeta në atë rruginën që ishte para tyne. Në WC-në e parë pashë një njeri të ulun, i cili më shikonte e me gishta në gojë pa za më jepte me kuptue që të mos thojsha se njiheshim. Ishte Felatun Vila. Edhe unë me shenja i lashë të kuptojë që të rrinte i qetë, se do ta zbatojsha dëshirën e tij. Kur u lirue një vend, hyna edhe unë. Të gjithë sa kryejshin punë, dilshin e pritshin në rruginën e ngushtë para WC-ve. E kuptova se po më prisnin mue, prandaj shpejtova. Atëhere u nisën për në birucë e unë mbas tyne. Hymë të gjithë në birucë e dera u mbyll.

Prapë në errësina, por kisha kuptue se përveç Gjushit e Felatunit, ishin edhe dy të tjerë që s’i njihsha. Para se të binte, Gjushi më tha: “Te kambët e mia, mbështetun për mur, asht një karton që e përdor për sofër e po e deshte, merre”.

E falenderova dhe e mora. Ishte një karton 40 x 40cm. U ula mbi të, e ky qe dysheku im për mbramjen e Këshndellave.

Me Gjushin dhe Felatunin, pashë një djalë që më tregoi se kishte qenë puntor në Kuçovë. Pranë meje ishte një burrë 45-50 vjeç. Ndërsa djali po fliste me mue, ai tjetri i tha: “Mos fol, a e di që e kam plumbin mbi kokë?”

Heshtëm. Ai tjetri, mbasi vuni në vend enën ku kishte ngranë, u ngrit në kambë në fund të dyshekut, dhe me fytyrë nga muri, bani kryq trish, e belbëzoi nja tri lutje në greqisht, bani prapë kryq e u ul. Unë u bana kureshtar por s’guxoja me e ndërpre atë heshtje. Foli ai e m’u drejtue:

Kam 33 ditë që jam i dënuar me vdekje.
Paske shpëtue, – i’u përgjigja flakë për flakë.
Pse? – pyeti plot shpresë i kthyem nga unë.
Mbas 33 ditëve nuk ekzekutohet kush, – i thashë unë, aspak i bindun për ç’ka thojsha.
Më shikoi në sy plot shpresë. Siguria me të cilën i fola e ngushëlloi. I mbytuni kapet edhe për shkumbë.

Prapë heshtje. Më dukej sikur ishim në një dhomë mortore. Të vdekunin e kishim aty. Askush përveç tij, nuk besonte se do shpëtonte. Të tjerët, përveç fjalëve të shpresës i kishin harxhue të gjitha e s’kishin ç’ka thonin. Unë kisha ardhë me forca të reja për të dhënë ndonjë shpresë. As ai për fat nuk më pyeti sesi e argumentojsha mendimin tim. Ndoshta u druhej argumentave pa bazë.

Për të thye atë atmosferë të randë, e pyeta përse ishte dënue. “Me grupin e Maliqit”.

Ai më thoshte se nuk i kishte pranue akuzat që i kishin ba dhe se nuk e kishin nxjerrë në gjyq publik me inxhinierët, Sharrën, Manon e gruan e tij. Por i kishin ba një gjyq me dyer të mbyllura bashkë me gjeometër, Përmetin. Dhe ky i fundit ishte dënue me vdekje dhe ndodhej në një qeli aty pranë. Zani i dridhej. Nuk mundesha me e pa në sy se mos e turpërojsha. Isha i sigurt që emocionohej. Prapë heshtje.

Më quajnë Dhimitër, – tha dhe mbasi i dha fuqi vetes na u drejtua neve: Shokë, kam një gocë të vetme në Korçë. Kur të dilni, e ta takoni, i thoni që po vdes i pafajshëm dhe se nuk kam bërë asnji gjë’. Dhe shpërtheu në vaj duke thënë, “Çupën, çupën”.
Kështu filloi dita e parë në birucat e burgut të vjetër në Tiranë. Me gjithë hallet e mija që kisha e dija që po i shkojsha dënimit me vdekje, rasti i inxhinierit që priste dënimin me vdekje pas 33 ditësh, më preku thellë. Më dha përshtypjen e një njeriu që kishte shikue vetëm punën e vet dhe se kishte mbajtë familjen me bukë. E tani e shihte veten të persekutuem e të dënuem me vdekje, i ngushëllue që se kishte akuzue veten për faje që si kishte bë.

Më pas hyri një burrë me një ftyrë pa asnjë shprehje, i shoqërue nga dy rojet e birucave dhe më pyeti.

Ç’e ke Filip Çobën? – më tha me një ton të randë e za të egër.
Vëlla, – i thashë.
Ka dashur të merret me politikë ai, e të bëhet njeri i madh. Këtu e ke. Edhe ai është në birucë. Dhe duke i’u drejtue rojes, i tha: “A është kështu Vani?”
Roja bëri me shenjë me kokë duke thanë “Po”.

Im vëlla nuk ashtë marrë kurrë me politikë, – i’u përgjigja.
Po, po – tha, dhe filloi duke u marrë me të tjerët. Ndërsa kur po dilte, m’u drejtua, “Mos u bëj merak, bëra shaka”.
Dhe dera u mbyll pas tij e rojeve.

Gjithë dita kaloi pothuajse pa biseda. Unë dojsha me fillue biseda pse m’u sillshin ndërmen fjalët e inxhinierit. Vetëm pasi hëngrëm drekën (unë dy franxhollat që u jepshin të burgosurve) Gjushi filloi me më kallzue se është arrestuar qysh në gusht, dhe se e kishte firmue proçesin. E mbasi nuk kishte pas akuza të randa, priste që ta bashkonin me të dënuemit e katit të sipërm. Më pyeti ç’ka kishte ndodh në Shkodër gjatë kësaj kohe.

I tregova për Lëvizjen e Postribës, dhe për ekzekutimet që kishin ndodhë brenda ditës, e për burgimet. I tregova për kushëririn e tij, Pjetër Dedën, që kishte qenë rrethue me të shoqen e shegertin. Ai dhe e shoqja, ishin vra ndërsa shegertin e plagosur, e kishin kap.

I tregova për Simon Daragjatin që ishte hedhë nga kati i dytë i Seksionit, e kishte vdekë. I tregova për Kel Dedën, një tjetër kushëri të tij, vëllai i Pjetër Dedës, që kishte vdekë në hetuesi, dhe e kishin varrosur natën te Penda e Kirit. Dhe qentë e kishin gërmue e zhvarrosë eshtrat e tij.

Nuk i thashë gja për Kolec Dedën, vëllain e tij që kishte vdekë t’u ra nga shkallët në Seksion. I tregova se ishte pushkatue Dom Nikoll Deda. E pashë që u mvrenjt dhe e pyeta “Ça e ke?”, “Vëlla”, më tha.

E pashë që kisha gabue e nuk vazhdova më për arrestime e ekzekutime të tjera. As ai nuk kishte dëshirë me ndigjue ma. U ngrit dhe po shëtiste përgjatë koridorit të ngushtë. Ishte i zymtë dhe ra në mendime. Tue dashtë me e zhdavaritë i thashë:

Ç’po mendon?
Po mendoj për hallet e familjes, pasi kam lanë gruen e tre djem të vegjël pa kurrgja.
Mos mendo hallet e familjes, se bajnë hall vetë.
Edhe unë po të isha atje, nuk dija sesi do i organizoja hallet e familjes, jo ma gruja.
Fjalët e tij mu dukën me vend. Mjerë ai që vdes, se të gjallit i gjendet dermani.

Me të shtyme kaloi kjo ditë dhe të gjithë u shtrimë me ra. Felatuni s’ishte ngritë e nuk ja kisha ndigjue zanin. U mbështeta në qoshe të murit kah Gjushit e kambët më ranë në çimento.

U përgatita me fjetë natën e dytë në birucat e Tiranës. Rrobat më ishin tha në trup. Mendimet e ditës, më kishin lodhë e më kapiste gjumi. Nata mu duk më e gjatë se një natë dimri.

Të nesërmen pesë oficera hapën derën dhe u futën si me madhni. I pari një kapiten elegant, shkoi drejt Felatunit. Në rradhë mbas tij katër togera, dhe në drejtim meje një nëntoger. Të gjithë m’i hodhën sytë mua si të ri. Por dy togerat, menjiherë sa panë inxhinier, Dhimitrin, thanë “Ende gjallë qenke ti”? I’u vërsulën mesa forcë kishin me grushta e shkelma. Inxhinieri i shkretë u s’mbraps, por dy togerat i kërcyen mbi dyshek, ai nuk i pa hall vetes, u kthye i mbërthyer në mur. Atëherë togerat e zellshëm filluen me shkelma, sa i’u desh qejfi. Inxhinieri u mbërthye kaq keq në mur, sa nuk dijshëm a merrte frymë! Ne qëndrojshim në kambë, të zverdhun e me nerva të tendosura. Kurrë nuk e kam pa veten ma ngusht. M’u afrue nëntogeri dhe me një buzëqeshje ironike më pyeti:

Kush je ti?
Si ja tregova, vazhdoi:

Ç’zyrë ke patur?
Unë i thashë gjyqtar, e ai…

Pastaj?
Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, – i’u përgjigja unë.
Pastaj? – Dhe si për me ndigjue ma mirë, kishte ngritë dorën anash veshit.
Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
Pastaj? Dhe afronte fytyrën më afër fytyrës sime.
Nënministër në Këshillin e Ministrave.
Pastaj?
Nënministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Heee! – ia bani me kënaqësi e zan të naltë ndërsa unë instiktivisht, largova fytyrën nga ai.
Mos ki frikë, ne nuk godasim njeri – më tha.
Inxhinieri ishte i mbërthyem në mur e nuk dijshim a merrte frymë. Mandej kapiteni e urdhëroi Gjush Dedën që kishte krye hetuesinë, të shkonte tek të burgosurit e tjerë në katin e sipërm, për tu gjykue. Inxhinierit i tha të shkonte në birucën e gjeometër Përmetit, e mue e Felatunit, na thanë të shkonim në birucën përballë. Mbasi ikën oficerat, dola në koridor se s’kisha tesha me mbledhë, e prisja rojen që të hapte derën. Pashë batanijen time, e dallova nga ngjyra pasi i’a kishim çue babës, kur e kishin arrestue në vitin 1915 e i kishin çue në Mal të Zi. Me babën ishin Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Fejzi Alizoti, Preng Bib Doda, etj.

Kur hyra në birucë gjeta katër vetë. Njoha vetëm Sali Vuçiternin. E shikova, më shikoi e nuk më foli. Siç duket nuk kishte dëshirë që ta merrnin vesh që njiheshim. Fill mbas meje hyri Felatuni, që më tha: “Këtu nuk më kanë thanë që të mos bisedojmë, pranaj eja ulu me mu”.

Kur ndigjoi Saliu që po e thirrsha në emër Felatunin, i tha:

Ti je Felatuni?
Po – i tha ai.
Po ti mos je Ëngjëll Çoba?
Po – i thashë.
Unë nuk ju njoha, po ju a më njohët mue?
Ne të njohëm por nuk dijshim a duhet me të njohë – i thamë të dy.
Kaq na kishte pushtue fryma e seksionit në birucat e Tiranës, sa mos me i dhanë të njohur atyre që njifshim e po vujshim bashkë me to.

Të tjerët ishin: një durrsak, ish oficer, Qani Katroshi dhe Sali Doda nga Mati, një burrë në moshë. Që nuk peshonte ma tepër se 30 kile. Ndoshta vuante nga tuberkulozi, dhe kishte qenë shofer në Shkodër, po unë nuk e njifsha.

Mbasi shkëmbyem pak fjalë të zakonshme me të gjithë, Felatuni dhe unë filluem biseda ma personale, Felatuni fliste pak nën za dhe më tregoi se në biruca baheshin tortura të randa, dhe se ai vetë u ishte nënshtrue torturave, aq sa kishte pre damarët e më tregoi pulsin. Nuk më tregoi dhe as unë se pyeta se çfarë donin prej tij.

Pak para mesditës na ndanë racionin e bukës dhe Qaniut, Saliut dhe mua, na sollën gjellët që na kishte sjellë familja. Enët nuk i njoha, sepse si kisha parë ndonjëherë në shtëpi. Felatuni, e kuptoi çudinë time dhe më tha:

Të paska abonue vëllai në restorant, se enët janë të tyre.
Hajde të hamë bashkë! – i thashë unë.
Unë jam ende në torturë, sepse shpeshherë më thërrasin e nuk më japin gjellën që më sjell familja.
Unë për këto gjana s’kam dijeni, prandaj ulu të hamë i thashë.
U ulëm e shijuem ushqimin e restorantit. Kisha dy ditë që ushqehesha me dy franxhollat e burgut e Felatuni nuk e di sa ditë kishte.

Gjithë ditën prita të më jepshin shtresat. I thashë rojes se kisha pa rrobat e mija. ‘Nuk janë tuat’ ishte përgjigja e tij. Atë natë fjeta në një dyshek dhe të nesërmen i dorëzuem shtresat. Por një idhnim tjetër m’u shtue. Etiketa që kishte emnin tim, ishte shkrue prej motrës që kisha lanë në Shkodër. Vëllanë e tretë e dijsha në Tiranë. Pse kishte ardhë motra në Tiranë, kur im vëlla ishte këtu? Filloi të më brejë dyshimi për fjalët e Drejtorit të Burgut, se dhe vëllain e tretë e kishin arrestue. Tre vëllazën në burg. Nana me motrën në shtëpi. Isha në pritje të një gjyqi, përfundimi i të cilit s’ishte aspak i favorshëm. Shumë të pakta ishin shpresat për faljen e jetës për ata që dorëzoheshin. Perspektiva e tmerrshme e torturave. Vëllazënit e arrestuem, nana me motrën vetëm. Në atmosferën e burgosjeve dhe ekzekutimeve që ishte krijue në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër në vitet 1946-1947, çdo gja mund të pritej. E pse? Sepse kshu dojshin jugosllavët e Titos dhe rusët e Stalinit, urdhnat e të cilëve i zbatojshin marksistat shqiptarë. Në qoftë se quheshin kështu ata që kishin pushtetin në Shqipëri.

Pas mesditës digjova kambë njerëzish që zbrisnin shkallët. Felatuni më tha se ishin hetuesat që vinin për të marrë në pyetje dhe vazhdonin deri natën vonë.

NJI  LULE  VJESHTET PREJ AT GJERGJ FISHTES- Pergatiti Fritz RADOVANI: III

 

 

MENDOHET SE  KJO ASHT LIRIKA MA E BUKUR E AT FISHTES!

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq, sa, ai shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qiella, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi sheklli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdhana.

Engjulli i Zotit, qi bri vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike, për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqyptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore të madhnueshme, së cillës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija.

Shtegtari i lodhun, ulë me pushue, do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun  emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.

Asht botue së pari në Pika Voeset (1909). Thohet se dorëshkrimi i parë i pat humbë.

Prej komentit t’ At Viktor VOLAJ OTM. (1941).

.

N’ atë rrahe t’ dekne mbrenda vorrit t’ errshem

Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,

Ku qiella prirej me sa hana e diella

Terthores s’ eper m’ sharte vrejn t’ njerzimit!

T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,

E ai zâ t’ asht kputë, i cilli bite m’ zemer

Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largut

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!

Ehu! Po; “deka, qi baras m’ derë t’ pellazvet

Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni

Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera

T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa

E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun

Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun

Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,

Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,

Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin

E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt  t’ trishtueshem

Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit

Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!…

Njai grumbull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,

Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,

Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,

Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.

Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini

E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhen,

Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit

Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue

Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri

I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.

Po, po, se pertej vorrin shpirti i nierit

Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambel

Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.

Kur zemren fa’i  s’e grisë. Prej ktij mendimi

As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva

Se diqe: Se n’ ma  t’ miren lule t’ motit

E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta

E paudhnija, ku sundon mizore;

Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese

Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija

M’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.

Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja

E diellit, qi perfton lulet e erandshme,

Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen

E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin

N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:

Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.

S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!

E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,

Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme

Shkon tue kerkue per lila e drandofille,

Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,

Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,

Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:

Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,

Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;

A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,

Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin

E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,

E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana

Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,

kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,

E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin

E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje

T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,

Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.

E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,

Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet

Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,

Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,

T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji

Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme

Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.

Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,

E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,

Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,

Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,

Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue shqyptare,

Dal në dritsore me kundrue shatorren,

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue

Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,

Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue

Nji hyll, aty selin un tham me vedi,

Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zoj’t e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,

Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer

E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,

Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,

Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,

E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri

Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,

Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,

Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.

Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin

N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mbretent;

E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.

Mue edhè, qi sheklli e nji dishir Lirijet

T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun

M’ ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e mbajtun

Besen e dhanun – e miqasin e zanme;

Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:

Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin

Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.

Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.

Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun

Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,

Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr

Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqit t’i  pruen mizore,

Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,

Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli

E t’ ngele moti e sheklli mbarë t’ rropposet,

E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,

Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun

Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,

Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:

Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,

Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme

Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.

E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem

M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti

Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;

Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,

Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit

Qi bumbullojn mbi faqe t’ rruzullimit.

E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun

Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;

E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije

Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.

Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni

Deka n’ atë vorr. E atë botë i largët shtektari

Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta

Shinat e boren: e, kur m’ male t’ veta

T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue

Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso Bote

Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.

Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’ njohtne veç e prej barivet:

Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja

S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:

E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve

Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni

Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

1909.(?)

Shenim FR. Dorshkrimi i parë asht zhdukë. Ky asht i dyti. Mendohet nga kritikët e letersisë se asht nder Lirika ma e bukra e krijimtarisë së At Gjergj Fishtes!

Melbourne, 10 Dhetor, 2025.

Dëshmia e rrallë e gazetarit libanez: Pas vdekjes së gruas dhe vajzës, Pashko Vasa gjente ngushëllimin te dhëndëri dhe…

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombas që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes, që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i komunist në fuqi, pas shumë përpjekjesh e peripecish, do ta kthente “atin e shqiptarizmës” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

 

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventura e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrëfimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli, e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA-ës në vitet 1980-’90-të.

RRËFIMI I DYTË
Kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër

Melhem M. Mobarak

Rruga nga Bejruti në Hazmieh kalon nëpër kodra të mbushura me limonë e portokalle dhe pemë të tjera që e mbushin peizazhin plot me ngjyra. Këtë 31 maj të vitit 1978, në varrezën e Hazmieh, e njohur edhe si varreza e Pashallarëve, zhvillohet një ceremoni zyrtare.

Ambasadori shqiptar Sulejman Tomcini buzëqesh: pas 86 vitesh mërgim të imponuar, trupi i Pashko Vasa Shkodranit së bashku me atë të gruas së tij të dytë, Katerine dhe vajzës së tij Marie, së shpejti do të kthehen në vendin e tij të lindjes. Më 1883, ky patriot i madh shqiptar, autori i poemës luftarake “Oh moj Shqypni”, u emërua guvernatori i katërt i Libanit, një post që mbahej për dhjetë vjet.

Për të garantuar autonominë e Libanit dhe qytetarëve të tij të krishterë, shtatë Fuqitë e Mëdha (Perandoria Osmane, Franca, Anglia, Prusia, Austria, Rusia dhe Italia) kishin nënshkruar një marrëveshje të posaçme që përcaktonte se guvernatori ose “mutesarifi” i Libanit duhej të ishte i krishterë katolik dhe me kombësi osmane.

Me njohuri të plota të gjuhës arabe, poeti i talentuar, intelektuali dhe poligloti Pashko Vasa, shërbeu në këtë post deri në vdekje të tij. Edhe jeta e tij familjare gjithashtu qe e trishtuar. Pasi humbi gruan e tij të parë, pak para emërimit të tij në Liban, ai u martua me Katerine Bonatin, një grua e re greke.

Kjo zonjë e përgjegjshme u kujdes për vajzën e tij të vetme nga martesa e parë. Për fat të keq, tre ose katër vjet më vonë, Katerina vdiq nga kanceri. Ky pikëllim u pasua edhe nga tjetër humbje shumë e dhimbshme. Më 1887, vdes edhe vajza e tij e bukur, Marie.

Falë reputacionit politik të babait të saj, Maria ishte martuar me një manjat financiar armen me emrin Kupelian. Me lëvizjet e mençura të tij, si dhe metodave të paskrupullta financiare dhe ryshfeteve, Kupeliani arriti të institucionalizojë mbretërinë e tij të vogël në Liban, gjatë gjithë kohës që vjehrri i tij ishte në pushtet.

Situata e shpjegueshme e dobësisë dhe vetmisë, pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij, bëri që Pashko Vasa ta gjente ngushëllimin te dhëndëri dhe dy vajzat e tij, duke ju dhënë atyre, natyrisht shumë dashuri prej babai e gjyshi. Duke shfrytëzuar këtë dobësi Kupelian, dhëndri i Pashait, e shtriu mashtrimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës.

Pavarësisht këtij dështimi, gjatë qeverisjes së guvernatorit Pashko Vasa, Libani gëzoi paqe, përparim ekonomik dhe zhvillim artistik. U ndërtuan disa rrjete të mëdha rrugore dhe ura. U ndërtuan shumë ndërtesa të rëndësishme qeveritare dhe spitale.

Guvernatori gjithashtu ndërtoi Shtypshkronjën Shtetërore dhe inkurajoi gërmimet arkeologjike. Një herë, siç shkruan një gazetë franceze, shkoi në ceremonitë e organizuara nga studentët e Kolegjit Jezuit në ditën e tyre të diplomimit.

Shumë pak i njohur është fakti se Ismail Qemali, babai i pavarësisë shqiptare, u emërua Veli i Bejrutit më 1891. Pashko Vasa i kalonte dimrat e tij në atë qytet, dhe sigurisht që ata u takuan shpesh atje.

Në atë kohë, me insistimin e mikut të tij Monsignor Piavi, Pashko Vasa, për të lehtësuar vetminë, ra dakord të martohej me një grua të re franceze, e cila kishte qenë kujdestarja e dy mbesave të tij. Ajo i dha atij dy djem, më i madhi prej të cilëve u quajt Mikel.

Në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa vdes, një vit përpara përfundimit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si Guvernator i Libanit. Akush më mirë se Ismail Qemali, me një rrëfim disi të çuditshëm, nuk i ka përshkruar ditët e fundit të jetës së Pashko Vasës.

Kujtimet e Ismail Qemalit për Pashko Vasën

“Gjatë qëndrimit tim në Bejrut, bashkatdhetari im, Pashko Vasa, Guvernatori i Libanit, vdiq. Ai vuante nga probleme të zemrës dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke mos lënë hapësirë për shpresë.

Meqë funksioni i Guvernatorit të Libanit ishte i rëndësishëm, dhe meqë mund të kishte shumë probleme lokale nëse ai post mbetej vakant, mendova se më së miri, pasi u këshillova më parë me mjekun, t’i shkruaja rreth këtyre fakteve Portës së Lartë.

Për habinë time, Veziri i Madh, në vend që ta trajtonte komunikimin tim si konfidencial, u lidh me Pashko Vasën, duke e pyetur se si ishte me shëndet, dhe pastaj më informoi se ai kishte marrë një përgjigje nga Guvernatori, që i kishte thënë se po përmirësohej!

Një ose dy ditë më vonë, ai vdiq. Porta më besoi qeverisjen e përkohshme të krahinës së Libanit, në drejtimin e Këshillit Administrativ. Por meqenëse Këshilli përbëhej nga presidenti dhe dhjetë anëtarë, në mesin e tyre u krijua një konflikt i cili i bllokoi efektivisht të gjitha vendimet administrative. Më kërkuan të ndërmjetësoja, dhe më pas arrita në një formulë të kënaqshme për të dyja palët”.

Funerali u bë në Kishën e Kapelës në Bejrut dhe trupi i tij u vendos në varrezat fetare në Hazmieh. Ky fshat i vogël, nën diellin mesdhetar dhe mes pemëve të ullirit dhe qiparisave, që të kujtonte peizazhin shqiptar, qe një vend pushimi për të.

Kohët rrodhën…

Në vitin 1967, përpjekjet e para për kthimin e trupit të Pashko Vasës në Shqipëri, i ka bërë Dalan Buxheli (në atë kohë atasheu tregtar i Shqipërisë në Kajro). Në atë kohë, një urdhër administrativ, i lëshuar bazuar në rregulloren e varrezës “Vakëf” në Hazmieh, e bllokoi kërkesën e tij. Për më tepër, në atë kohë Libani nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.

Në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, qeveria shqiptare vendos t’u drejtohet autoriteteve libaneze edhe një herë, me një kërkesë për të kthyer eshtrat e Vaso Pashës në Atdheun e tij. Gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, në mars të vitit 1978, dy profesorët, Aleks Buda dhe Vehbi Bala, më pyetën nëse unë mund të ndihmoja në këtë çështje.

Pas kthimit tim në Liban, u takova me ministrin e Punëve të Jashtme, Fouad Boutros. Ai më premtoi se sapo të arrijë kërkesa zyrtare shqiptare do të merrte hapat e nevojshëm për të shkurtuar burokracitë dhe për të dhënë përgjigje pozitive për kërkesën shqiptare./ Memorie.al/ Nga Avni Dani

Nga ferri komunist – Tre persona ndodhen në shtëpinë time e duan të me vrasin Nga Vepror Hasani

“Në hetuesi më takuan me gruan time polake dhe duke qarë, ajo më tha: ‘E shikon atë njeri atje’

Vaskë Orgocka: “Denoncuesit, ishin miqtë e mi; Vangjush Raci, kolegu im i zyrës; Xhevdet Dervishi, një punëtor, Kristina Gjashta, polake, e martuar në Korçë, kurse të katërtin, nuk ma tregoi.  – ‘Është sekret’, – më tha hetuesi”.

“Nuk di t’i tregoj as sot e kësaj dite ato 19 ditë pritjeje të pushkatimit tim. Me të përfunduar gjykimi dy njerëz me uniformë më morën për krahu dhe më çuan në qeli, më shtynë në brendësi të saj, më lidhën duart mbrapa dhe më thanë: ‘Tani do të qëndrosh në pritje të vdekjes tënde’. Pastaj dy njerëzit me uniformë dolën. Dera e qelisë u mbyll, u dëgjua zhurma e llozeve prej hekuri dhe e shuleve që siguruan derën…hapa në korridor që po largoheshin…! Kisha mbetur i vetëm bashkë me vdekjen time. Kolegji i Gjykatës së Lartë, sapo kishte dhënë vendimin. Më kishin dënuar me vdekje, me pushkatim. Gruan time, Barbarën, e dënuan me 25 vjet burg. Kishim qenë të dy në të njëjtën sallë.

Me të isha njohur në Poloni, gjatë kohës që isha student në Varshavë. Edhe ajo tani ndodhej diku në një qeli tjetër. Nuk do ta shikoja më gruan time, ‘Bashën’, kështu e kisha thirrur që ditën që e kisha njohur, sepse kështu e kishin thirrur edhe prindërit e saj. Nuk do t’i shikoja dot as dy fëmijët e mi: Elisbjetën dhe Arturin. Ata ishin të vegjël: Elisbjeta vetëm 12 vjeç dhe Arturi, 10 vjeç. Më kishin ndarë përfundimisht me familjen time. Unë isha 35 vjeç, ndërsa imë shoqe, sapo kishte mbushur të 30-tat. Ajo që pashë në sallën e gjyqit, më kishte tronditur tërësisht. Gruaja ime, ishte çmendur…”!

Kështu nis rrëfimin e vet, Vaskë Orgocka, vëllai i aktorit dhe regjisorit të njohur, Dhimitër Orgocka, i cili tregon tmerrin që ka përjetuar në hetuesi dhe çmendurinë e gruas së tij.

“Në pritje të vdekjes”

“Isha i vetëm në qeli. Vazhdimisht më dukej sikur dikush më pëshpëriste: ‘T’i do të vdesësh…, ti do të vdesësh…, ti do të vdesësh….! “Do të vijë një skuadër pushkatimi dhe do të të vrasin, trupi tënd do të mbetet gjysëm i mbuluar me dhe, do të shqyhet natën nga ujqërit dhe qentë…! Eshtrat tënde, nuk do t’i gjejë dot askush… as nëna, as babai, as dy vëllezërit, dhe as motra tënde e vetme…’! ‘Gruja jote do të ulërijë si e çmendur, brenda mureve të qelisë, por nuk do të të shohë kurrë. Ajo është vetëm një e çmendur, ti nuk do të ekzistosh, do të jesh një qenie pa varr… një hiç…’! ‘Vdekja ime mund të ndodhte nga çasti në çast, – vazhdon rrëfimin e tij, Vaskë Orgocka.

– Mund të ndodhte edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, edhe…! Kjo pak rëndësi kishte…! Një ditë, shpejt a vonë, pushkatimi im do të ndodhte. Sigurisht më vinte keq për jetën time, isha vetëm 35 vjeç, nuk e dija çfarë ndodhte me gruan dhe dy fëmijët e mi. Përgjoja çdo lëvizje të burgut: herë hapej një derë qelie dhe herë një tjetër, vetëm në qelinë time, nuk po vinin…! Gardianët ose sillnin të burgosur, ose merrnin ata që do të pushkatoheshin, ose i çonin para hetuesit. Këtë e dija nga përvoja e burgut. Prisja të hapej dera e qelisë time…! Prita gjithë natën, në mëngjes u hap dera dhe pashë te hynin brenda tre gardianë. Një e rrëqethur përshkoi qenien time. Më kishin sjellë ushqimin e përditshëm. Ndoshta do të isha i gjallë dhe atë ditë.

Më hoqën prangat nga duart që të haja bukën dhe nisën të më vështronin për një çast, me sy të shqyer. Nuk e kisha mendjen te ushqimi. Mora të gjitha paketat e cigareve, i nxora cigaret që andej, ndoshta 200 cigare dhe i vendosa njëra pas tjetrës, si të ishin ushtarët e shpëtimit të jetës time. Gardianët ndiqnin çdo lëvizje timen. Befas ngrita kokën dhe i pyeta: ‘Dini gjë për gruan time’?. Askush prej tyre nuk u përgjigj. Nuk e dija nëse edhe ata më urrenin apo më mëshironin. Kisha nisur të haja supën e burgut. Kur mbarova së ngrëni, më vunë përsëri prangat. ‘Më lini të ndez një cigare’, u thashë, dhe ata më lanë.

Një çast më vonë, në qeli ndodhesha vetëm unë dhe vdekja time, zëri i gruas që qante, por që nuk ishte aty dhe zëri i fëmijëve të mi, që më siguri edhe ata mund të ishin duke qarë…! Me cigaren e ndezur, ndizja cigaret e tjera. Cigaren e ndezur e hidhja mbi dysheme, pastaj përkulesha me duart e lidhura mbrapa dhe kapja me gojë cigaren tjetër. Me të njëjtin mundim, arrija ta ndizja te cigarja që sapo kisha hedhur mbi dysheme. Kështu vazhdoja t’i pija cigaret, njëra pas tjetrës, gjithë natën dhe gjithë ditën, pa asnjë pushim, deri në çmenduri. Jetoja për të pritur vdekjen”.

“Miq të mi në qeli, dy minj”

“Vazhdoja të qëndroja i vetëm, në pritje të vdekjes time. Dyshemeja kishte dy të çara dhe që andej dilnin dy minj. Nisa të luaja me ta. Herë zija njërën prej të çarave dhe herë zija të çarën tjetër. I detyroja minjtë të dilnin andej nga ‘porta’, që unë ua lija të lirë. Ata dilnin, zgjatnin kokën dhe më vështronin tërë kërshëri. Më dukej sikur kërkonin të më thoshin: ‘Kemi dëgjuar se t’i do të pushkatohesh, ndaj dëshirojmë të të bëjmë shoqëri. Ti mund të luash me ne, për aq ditë sa të vijnë ata të pushkatimit dhe të të vrasin…’! Në momente të tilla, më kujtohej gjithçka që kisha kaluar në katër muajt e hetuesisë. Më dukjes sikur dy minjtë e mi më pyesnin: ‘Po si ndodhi, që je këtu…’?!

Isha në punë kur më arrestuan. Në atë kohë punoja si gjeolog, në minierën e Mborje-Drenovës. Sapo kisha mbërritur në zyrë dhe nisa të haja bukë, kur dikush hyri në zyrën time dhe më tha: ‘Të kërkon drejtori’. E lashë bukën në mes dhe u nisa për atje. Kur mbërrita te drejtori, në zyrën e tij’ pashë disa policë dhe operativin e zonës, Sotir Ndrio. Ky i fundit më shtyu me brutalitet, si për të më thënë: Hap rrugën dhe mos na rri kështu, qen’!. Diçka parandjeva, u drodha i tëri. Kuptova që do të më arrestonin. Ishte koha kur Shqipëria, kishte prishur marrëdhëniet me Kampin Socialist.

Sigurimi i Shtetit, kishte nisur të arrestonte ata që ishin martuar me gra të huaja. Burrat i burgosnin, ndërsa gratë e tyre, ose i dëbonin nga Shqipëria, ose i arrestonin. Unë isha njëri prej tyre. Isha martuar me ‘Bashën’ time. Nuk vonoi shumë dhe operativ i zonës, u drejtua nga mua, duke më thënë: ‘Në emër të popullit je i arrestuar’. M’i lidhën duart mbrapa dhe pastaj shkuan në zyrën time, morën pallton që kisha lënë atje dhe ma hodhën krahëve. Më hipën në makinë dhe u nisën drejt Degës së Brendshme.

Me të mbërritur atje, më hoqën rripin e pantallonave, lidhëset e këpucëve, orën e dorës, që nuk ma kthyen kurrë dhe më futën në qeli. Më dhanë vetëm tre batanije, tepër të përdorura e të pista, sa nuk mund të thuhet. Ishte 7 dhjetor 1968. Bënte ftohtë. Ishte e pamundur që tre batanijet t’i përdorje edhe si dyshek, edhe si jastëk, edhe si jorgan, për t’u mbuluar. Qelia kishte një hapësirë 1 x 2. Edhe varrit kam për t’ia rrëfyer, mundimet e mia. Megjithatë deri në atë çast, nuk e kisha menduar se do të më dënonin me vdekje me pushkatim. Isha tepër i ri për t’u ndarë nga jeta”.

Hetuesi Odhise Porodina

“Që atë ditë më morën dhe më çuan para hetuesit, Odhise Porodina nga Gjirokastra. – ‘E dini përse u kanë sjellë këtu? – më pyeti. – ‘Jo’, iu përgjigja. – ‘Për veprimtarinë armiqësore që keni kryer kundër atdheut’, – ma ktheu ai. Fjalët e tij më tronditën. Pra, nuk ishte shaka, bëhej fjalë për një akuzë të rëndë. Nisa të kuptoja se që nga ajo ditë, unë nuk kisha për ta parë më dritën e diellit. Hetuesi dukej i qetë, dhe as më bërtiste, as më godiste, dhe as më shante. Krejtësisht qetë më tha: ‘Për ty na kanë ardhur katër denoncime, por edhe një sikur të kishim, ti do të dënoheshe njësoj, kurse katër denoncime, janë shumë për ty. Pranoje akuzën dhe e mbyllim shpejt…’!

Po e vështroj i çmeritur. Nuk dija ç’të bëja. ‘Nuk më besoni’?! – tha ai. ‘Ja, na merri lexoi’, dhe më zgjati tre fletë të shkruara. Denoncuesit kishin qenë miqtë e mi. Njëri prej tyre ishte Vangjush Raci, markshedër në minierë, kolegu im i zyrës; tjetri ishte, Xhevdet Dervishi, një punëtor që ndihmonte në trasportimin e mjeteve të punës, ose si ndihmës i markshederit, ndërsa i treti, ishte një grua polake, e martuar në Korçë, Kristina Gjashta, laborantja e minierës. Denoncimin e katër, nuk ma tregoi. ‘Është sekret’, më tha hetuesi. Nuk e di as sot e kësaj dite, se cili mund të ketë qenë ai.

Nuk e di nëse denoncimet ishin bërë me vullnet të lirë, apo i kishin detyruar. Të gjitha këto nuk kishin asnjë rëndësi për mua. Ishte llogaritur gjithçka, deri në detaje, që jeta ime të merrte fund. Duke mos gjetur asnjë rrugë shpëtimi, pranova se kisha bërë agjitacion dhe propagandë. Të paktën kështu do të më dënojnë deri në 10 vjet, mendova, por jo më shumë. Nuk e kisha menduar kurrë, që do të më dënonin me vdekje, me pushkatim. Hetimet në Korçë, zgjatën vetëm katër javë”!

Hetuesi Koço Josifi

“Pikërisht atëherë, kur kisha nisur të mendoja se hetuesia ime kishte përfunduar, më hipën në një makinë dhe më nisën drejt Tiranës, në ‘Burgun 313’. Ishte fundi i shkurtit. Qelia e Tiranës m’u duk më e mirë, sepse kishte të paktën një hapësirë 2 metra e ca, me 4 metra, por 3 batanijet që më dhanë, ishin njëlloj si ato të Korçës: të përdorura dhe të pista, sa nuk mund të thuhet. Të nesërmen më çuan para hetuesit të Tiranës, Koço Josifi. Me të hyrë atje, ai më tha: ‘Mbaroi supa, tani do të merremi me qoftet…’!

Fjalët e tij më tronditën edhe më keq. Kjo donte të thoshte se ato që kisha pranuar unë si faje, kishin qenë vetëm ujë, ndërsa ‘qoftet’, ishin ato që nuk i kisha treguar deri atëherë. Përsëri më përshkuan të dridhura në trup. Me siguri kishin vendosur të më hiqnin qafe…! Atë ditë që më çuan në Tiranë, kishin arrestuar edhe gruan time, Bashën. Gjithçka e mësova kur po kaloja nga biruca në korridor, për te hetuesi. Në korridor pashë një çantë dhe disa plaçka. I njoha të gjitha: ato ishin sendet e gruas time. Me të parë ato plaçka, nuk e përmbajtja dot veten.

Brenda shpirtit tim, po lindte një rebelim, që nuk e kisha njohur më parë. Kisha nisur të ngrija krye. E dija që do të më vrisnin, por të paktën të ngrija zërin. Kur u gjenda para hetuesit, i thashë: ‘Paskeni arrestuar edhe gruan time, më thoni, po fëmijët, m’i keni arrestuar?! Po ua them që tani: mos më thërrisni më në hetuesi, sepse, nuk do të vij më’. Por ç’ndodhi? Që nga ajo ditë, sa herë që më thërrisnin, për të më marrë në pyetje, më çonin në një zyrë tjetër, ku karrigia ishte e palëvizshme, më ulnin atje, m’i lidhin duart mbrapa dhe si më lidhnin pas karriges, nisnin torturat…”!

Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu

“Hetuesia e Tiranës, nuk ishte si ajo e Korçës. Sa herë që më merrnin në pyetje, më rrihnin, më torturonin, më ofendonin, më gjakosnin, deri sa më linin pa ndjenja. Një ditë, kur hetuesi Koço Josifi, po më merrte në pyetje, befas u hap dera dhe në zyrë hyri një njeri trupmadh, me fytyrë të dhjamosur, me një vështrim prej krimineli. Hetuesi sa e pa, u ngrit në këmbë dhe mori qëndrimin gatitu. Nuk e di pse, por ai njeri më futi të dridhurat. Nuk e dija kush ishte. – ‘Ky njeri do të më vrasë mua’, – mendova. Njeriu trupmadh, si u afrua te tavolina, pyeti: ‘Kush është ky’? ‘Vaskë Grabocka’, iu përgjigj, hetuesi.

– ‘Akoma me këtë’?!- tha ai dhe bëri një shenjë me duar, sikur donte të thoshte: ‘Vriteni’! Pas këtyre fjalëve dhe shenjave, ai hapi derën dhe doli. Një çast zyra e hetuesisë u mbulua nga heshtja. – ‘E dini kush ishte ai’? më pyeti hetuesi. – ‘Jo’, – iu përgjigja. – ‘Ai është Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shetit… Feçor Shehu’…, – theksoi hetuesi. Përsëri u rrëqetha i tëri. Me sa dukej emri im, kishte shkuar deri te instancat më të larta të shtetit. Kuptohej qartë: nuk do ta kisha të lehtë. Ata donin të më vrisnin. Feçor Shehu, kishte ardhur te hetuesi, pikërisht për këtë gjë: për të thënë; ‘vriteni’”!

Hetuesi Ferhat Matohiti

“Hetuesia vazhdonte. Ashtu si Feçor Shehu, që kishte hyrë papritur në zyrën e hetuesit, e njëjta skenë u përsërit sërish: Kësaj radhe, dera e hetuesisë u hap dhe brenda hyri një burrë i gjatë, jo shumë i shëndoshë, kaçurrel me një fytyrë të zezë, si prej zezaku. U ul përballë meje dhe më vështroi një çast. – ‘Si dukesh’? – më pyeti. – ‘Mirë’- iu përgjigja. – ‘Nuk po të pyes për shëndetin, por po të pyes për proceset e hetimit’. – “Nuk di çfarë t’ju them, – iu përgjigja, – po më kërkojnë të them gjëra, që nuk i kam bërë kurrë…’.

– ‘Ne të dinim njeri të zgjuar ty, – ma kthehu ai, – po t’i paske qenë një budalla i tërë. Më dëgjo mirë: para se të të arrestonim, dinim diçka për ty, por tashmë, dimë gjithçka për ty, E dimë shumë mirë, ti nuk ke bërë asgjë, një mut ke bërë. Ne të sollëm këtu, sepse na duhesh neve’. – ‘Atëherë më mësoni çfarë duhet të them, dhe çfarë duhet të mos them, – iu përgjigja, – por ama të firmos edhe një kartë tjetër, ku të thuhet se unë nuk kam bërë asgjë, por këto gjëra, i kam thënë sepse ia ka kërkuar hetuesia’. – ‘Hëm, maskarai!- tha ai, mos ki merak, se me ty do të përfundojmë punë shumë shpejt’,- tha dhe doli, por erdhi sërish pas disa ditësh dhe më lidhi pas karriges. Më vonë do të merrja vesh, se ky njeri ishte Ferhat Matohiti, Drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë, për Republikën”.

“Nofulla e thyer”

“Po, më lidhën pas karriges dhe nisën të më rrahin. Po më rrihte vetë Ferhat Matoiti. Kur po më godiste mbi fytyrë, ndjeva që më ishte thyer një dhëmb në gojë. Gjaku që vërshoi, nuk kishte të pushuar. Dhëmbi ishte thyer, por kishte mbetur një cifël, që më shponte te mishi dhe më lëndonte vazhdimisht. Pas kësaj, më çuan në birucë. Nuk dija çfarë të bëja, gjaku nuk pushonte, dhimbja ishte e papërballueshme. I gjendur në këto kushte, trokita te dera dhe i thashë policit, të më çonte të hetuesi. Më çuan te ai. I thashë që kisha një dhëmb të thyer dhe një cifël që kishte mbetur si brisk, më hynte në mish e nuk e duroja dot.

– ‘Ku e theve dhëmbin’, -më pyeti ai, si i habitur. – ‘Duke ngrënë bukë’, iu përgjigjja. – ‘Mirë, shko në birucë, se do të të dërgojmë një dentist’. Shkova në qeli dhe po qëndroja në pritje të dentistit. Më në fund edhe dentisti erdhi. Ishte një burrë i gjatë, me bark të madh, i kuq dhe i djersitur. Në dorë mbante një çantë të madhe. ‘Ku e ke dhëmbin që të dhemb’? – më pyeti. Hapa gojën dhe i tregova dhëmbin. ‘Mirë, – tha, – do ta nxjerr unë tani’. Hapi çantën dhe nxori që andej një palë dare, nga ato që mbathin kuajt. – ‘Hape gojën’,-  më tha. Nuk kisha ç’të bëja, hapa gojën. – ‘Bëhu trim’, – më tha ai dhe nguli darën e kuajve në mish.

Përpiqej ta zinte dhëmbin, sa më thellë të ishte e mundur. Pas kësaj, nisi ta shkulte, por unë e kisha të pamundur të duroja. Ai, pasi i dha darës, herë majtas dhe herë djathtas, së fundi e shkuli dhëmbin, së bashku me një pjesë të nofullës time. Mbaj mend që deri në atë çast, i kisha patur sytë hapur. Pas kësaj, duket që kisha humbur ndjenjat dhe kisha rënë i vdekur mbi dysheme. Kur u ngrita, vura re që isha i tëri i lyer në gjak. Nuk e di sa kohë kishte kaluar dhe gjaku rridhte akoma. I kërkova policit, dy thërrime kripë dhe ai më solli.

Munda të pushoja rrjedhën e gjakut, por dhimbja më vazhdoi për ditë të tëra. Nuk isha më në gjendje, as të haja bukë. Ato ditë, mendova të t’i jepja fund jetës time, por si?! Ishte e pamundur. Desha të hidhesha nga kati i dytë, por shkallët që të çonin te hetuesi, ishin të mbështjella me një rrjetë, që nuk të linte të bijë në katin e parë. Megjithatë, për një kohë të gjatë mendova vetëvrasjen. Për katër muaj me radhë, torturat nuk do të më ndaheshin, qoftë dhe një ditë të vetme”!

“Ditët e fundit të hetuesisë”

“Para se të dilja në gjyq, thirrën për ballafaqim me mua, dajën tim, Tushe Janaqin. Ai ishte dënuar një herë për fshehje të floririt, ndërsa tashmë ishte arrestuar sërish, për të njëjtën gjë. Sa hodhi vështrimin mbi mua, tha: ‘Si të paskan katandisur kështu, o biri im’?! Fliste dhe i dridhej mjekra. Ferhat Matohiti që ndodhej aty, i tha: ‘Tushe, të të pyes për diçka’? ‘Po’, – i tha Tushja. – ‘Dëgjo, t’i ke qenë njeri i pasur dhe i mirë, mund të them se ty të dëgjohej llafi në fshat (Tushja ishte nga Kamenica), a mund të më thush, a na duan neve ata të fshatit’? – ‘Doni të dini të vërtetën’? – tha Tushja. – ‘Sigurisht që duam të dimë të vërtetën’. – ‘Po sikur e vërteta të jetë e hidhur’? – ‘S’ka problem, – tha Matohiti,- thuaje’. –‘E atëherë mund të të them, se një mut u duan njerëzit’. Ky ishte ballafaqimi im me dajën.

Tushe Janaqi ishte gati 90 vjeç dhe nuk e kishte frikë vdekjen. Pas kësaj, pata një ballafaqim me gruan time, Bashën. Atë e kishin çuar në zyrën e hetuesisë dhe pastaj erdhën në birucë e më morën dhe mua. Kur hyra tek hetuesi, vura re 3-4 policë, një gardiane burgu, hetuesin Koço Josifi dhe Ferhat Matoitin. Ime shoqe, qëndronte e ulur në një karrige. U drodha i tëri. Ajo ishte dobësuar krejt. Kishte një vështrim gati të fikur. Diçka kishte ndodhur me të. ‘Mund të takohem me gruan’?- pyeta. ‘Mundesh’,- më thanë.

Shkova dhe i dhashë dorën, por ajo më kapi për beli, më shtrëngoi fort dhe nuk më linte. Qante dhe nuk thoshte dot asgjë. Kaloi një çast, pastaj më tha: ‘E shikon atë njeri atje’, dhe vështroi nga Ferhat Matoiti, – ai e ka shpirtin, më të zi se fytyrën’. Edhe pas kësaj shprehje, ajo vazhdonte të më shtrëngonte për beli, duke qëndruar e ulur në karrige…! ‘Nxirreni jashtë’, – tha Matohiti.

Vura re dy policë, që e kapën për krahu. Ajo qëndronte ulur në karrige, sepse nuk qëndronte dot në këmbë. ‘Bravo, Matohiti, – i thashë, – paske qenë trim, për të sulmuar një grua’. Pas këtyre fjalëve më rrëmbyen edhe mua dhe më plasën në qeli. Tashmë po bindesha krejtësisht, se as unë, dhe as gruaja, nuk do të dilnim gjallë që andej”.

Prokurori Kleanthi Koçi

“Së fundi pas disa muaj hetimesh, na nxorën në gjyq. Prokurori Kleanthi Koçi, që në fillim të pretencës së tij, u bëri të ditur gjyqtarve, se kishin përpara një armik të betuar të partisë dhe të atdheut. ‘Ky njeri nuk ka pranuar asgjë, – tha ai, – nga të gjitha ato që ka bërë, ndaj kërkoj dënimin me vdekje, me pushkatim’. Në atë sallë ishte dhe gruaja ime. Aty do të mësoja edhe diçka tjetër, që nuk do ta harroj dot kurrë…! Gruaja ime ishte çmendur. Sa herë gjyqtarët i drejtonin ndonjë pyetje, ajo përgjigjej vetëm duke përplasur këmbët. Me këtë donte të thoshte: ‘Nuk pranoj të përgjigjem’. E nxorën nga salla e gjyqit dhe e dënuan në mungesë, me 25 vjet burg”.

“Përmbyllja”

“Vazhdoja të qëndroja në qeli, në pritje të vdekjes time. Me këtë ankth, qëndrova 19 ditë rresht. Pas 19 ditëve, më erdhi përgjigjja se; Presidiumi i Kuvendit Popullor, ma kishte falur jetën dhe më kishin lënë dënimin, me 25 vjet burg. Gruaja ime që tashmë ishte çmendur, u lirua pas dy vitesh e gjysëm dhe e nisën drejt Polonisë, ndërsa unë, pas 17 vite burg, u lirova në vitin 1985. Në vitin 1991, së bashku me dy fëmijët e mi, u nisëm drejt Polonisë. Për herë të parë, fëmijët do të takoheshin me nënën e tyre dhe unë me gruan time. U takuam në aeroport. Mbaj mend që ajo nuk çmallej dot me fëmijët.

Shkuam në shtëpi dhe folëm gjatë, por erdhi një moment dhe ajo u ngrit në këmbë. Dukej e dëshpëruar, e shpërfytyruar, e tronditur, e lodhur…! Nuk dinim se çfarë po ndodhte më të. Ajo shkoi drejt telefonit dhe lajmëroi policinë: ‘Tre persona, – tha ajo, ndodhen në shtëpinë time dhe duan të më vrasin’. Kjo skenë përsëritej herë pas herë. Imë shoqe, Basha, sa herë kujtonte vuajtjet e saj në Shqipëri, shkonte drejt telefonit…! Kjo ishte jeta ime, kjo ishte jeta e gruas time”, përfundonte rrëfimin e tij, Vaskë Grabocka, ndërsa te syri, i vezullonte një pikë loti dhe nuk ishte më në gjendje, të thoshte një fjalë tjetër…!

“Aventura për të hyrë fshehurazi në ‘Bllok’ i kushtoi shtrenjtë…”- Historia e panjohur e gazetarit libanez që solli eshtrat e Pashko Vasës në Shqipëri

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombës që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes, që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i komunist në fuqi, pas shumë përpjekjesh e peripecish, do ta kthente “atin e shqiptarizmit” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

 

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventura e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrëfimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli, e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA-ës në vitet 1980-’90-të.

  1. RRËFIMI I PARË

Dalan Buxheli, ish-diplomat shqiptar në Egjipt

“Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978, që përkonte me 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës.

Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978.

Shumë herë kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vaso Pasha pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vend varrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri.

Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur një përmendore e lartë e Pashko Vasës.

E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978, nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Në pranverën e vitit 1978, kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze.

Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Na u desh disa kohë të negociojmë, derisa morëm miratimin e tyre.

Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim, që m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri.

Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër.

E quanin Melhem Mobarak. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana.

Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar. Ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978.

Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familjarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm.

Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut.

Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Pashko Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi rreth dy orë. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 86 vitesh. Në ditarin e tij, Melhem Mobarak shkruan: “Fati qenka vërtet tekanjoz.

Vaso Pashës që pati deklaruar se; ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi po merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër, te një varr pa kryq”!/

Më pas, Sulejman Tomçini paraqiti letrat e tij kredenciale në maj të vitit 1978. Unë e ndihmoja atë në të gjitha hapat që çuan në kthimin përfundimtar të eshtrave të Vaso Pashës në Shqipëri. Dhe më 31 maj ishim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në varrezën në Hazmieh.

Një trupë oficerësh bëri nderimet ushtarake para tre arkivoleve të mbuluar me copë të bardhë. Autoritete të larta vendase ishin aty të pranishëm mes të cilëve: Y. Rassy, Mohafez i Libanit, Koloneli Dargham nga Komanda e Lartë e Ushtrisë, G. Kassouf nga Ministria e Punëve të Jashtme, G. Feghali, Kryetari i Hazmieh dhe O. Arghit, përfaqësuesi turk për punë të jashtme.

Pjesëtarë të familjes së Pashko Vasës ishin gjithashtu pjesëmarrës në ceremoni. U mbajtën disa fjalime të rastit dhe në fund u kryen të gjithë rite e ceremonisë. Tre arkivolet u nisën në rrugë ajrore për në Shqipëri po atë ditë.

Epilogu i kësaj historie ndodhi disa ditë më vonë kur mora një telegram nga Sulejman Tomçini në Tiranë. Ai më kërkonte datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së bashkëshortes dhe vajzës së Pashko Vasës, me qëllim që t’i varrosnin në Varrezat Kombëtare të Dëshmorëve të Shkodrës.

Fati është i çuditshëm. A thua ta kishte menduar Pashko Vasa, i cili shkroi vargun e famshëm: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, se një ditë kjo do të zbatohej simbolikisht edhe me eshtrat e tij, të zhvarrosura nga një varrezë fetare në Liban dhe të vendosura në një varrezë pa kryq në Shqipëri?!

Aventura shqiptare e gazetarit nga Libani

Po kush ishte gazetari që jo vetëm e kishte mundësuar kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, por edhe e kishte ndjekur atë deri në vendlindje? Informacionin e mëposhtëm e rrëfen përsëri diplomati shqiptar Dalan Buxheli:

Melhem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada. Dinte shqip, i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë.

Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Diku aty nga fundi i viteve ’60-të, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria.

Duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej: “Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth, vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë.

Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën.

Kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjja e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë.

I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Në fillimin e viteve ’90-të erdhi sërish në Tiranë. Shkoi në Shkodër e vizitoi vendvarrimin e Pashko Vasës. Memorie.al/ Nga Avni Dani

Sport apo provokim? Fundvitet 1970 dhe historia e thirrjes “O Tito, o Tito…”, që alarmoi policinë dhe pushtetin! Pse u përndoqën tifozët e Tiranës

UVIL ZAJMI/ Fundvitet 1970. Kur në mënyrë spontane nga tribuna “A” e kombëtarit “Qemal Stafa”, edhe nga ata përballë ndërmjet thirrjeve të tifozerisë do të tërhiqte vëmendjen edhe një fjalë: “Tito, Tito”.

Asgjë më shumë se sa shkurtimi i emrave, me të cilat sportdashësit u drejtoheshin futbollistëve të ekipit të tyre. Por, një fjalë, që koincidonte me një emër aspak komod, jo i pëlqyer, përkundrazi. Me kalimin e kohës, do të kthehet në një ritual sistematik, në ato shpërthimet të tifozerisë, kryesisht asaj tiranase. Duke u bërë shqetësues, për sistemin, kur gjatë një ndeshje futbolli, në një mjedis sportiv të madh kombëtar, të dëgjohej, “O Tito, o Tito…”. Të konsideruara edhe provokuese për mekanizmat shtetërorë, deri edhe personelin e ambasadës jugosllave në Tiranë.

Padyshim edhe për forcat e rendit të pranishme në stadium. Ndaj individëve tifozëve tipikë do të kishte reagime, duke aplikuar disa forma ndëshkimi: Larguar me forcë nga stadiumi, izolimin e tyre në rajonet e policisë, apo dërgimin me gazin e saj në periferi të Tiranës, me pamundësinë e ardhjes së shpejtë e ndjekur vazhdimin e lojëse.

17 Nëntori, 1976-77

TIFOZERIA

Ka qenë më shumë se lojtari i 12 në fushë. Tifozeria e pamunguar në dekada në ndeshjet e kampionateve kombëtare. Kudo, në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Secila me mënyrën, traditën e saj. Jo sektorë për tifozerinë e ardhur, pasi shumë pak, në raste të veçanta, skuadra mund të ndiqej nga mbështetësit, jashtë fushës së saj. Për shumë arsye. Kur takimet luheshin të shtunën, si ditë pune ishte e pamundur lëvizja; udhëtimi, që në ato vite, ishte i kufizuar, vetëm me tren dhe që duhet të korrespondonin oraret. Ishte e mundur për dikë që kishte motor privat, ndërsa lëvizja me automjete, organizim tifozërie nuk funksiononte, vetëm diçka rastësore. Kryeqytetasit ishin më të favorizuar për të ndjekur ekipet e tyre, por në qytetet e afërta, vajtje-ardhje me tren, si në Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnje. Jo banera, flamurë, vetëm shpërthime kur shënohej një gol, apo për një padrejtësi të arbitrave. Në Qemal Stafa, ka qenë një spektakël i vërtetë, veçanërisht në takimet derbi, një stadium që priste, vërshimin e tifozerisë së klubeve kryeqytetase. Madje të të pozicionuar në sektorë, duke krijuar edhe traditën. Rregullisht vetëm stadiumin kombëtar, pasi në stadiume të tjera në mungesë të tifozerisë së ardhur, nuk funksiononte ky proces.

TRIBUNA “A”

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, tribuna “A” e tij, është e njohur mbahet mend, edhe sot kujtohet si ajo e tifozerisë së zjarrtë të 17 Nëntorit. Në vite, dekada për entuziazmin, që përcillte ai grup njerëzish tek lojtarët, përkrahjen e tyre dhe anasjellas, raportet që ishin veçanërisht me atë sektor gjatë 90 të minutave. Dhe ishin thuajse, të zakonshmit, që frekuentonin tribunën “A”. Deri edhe shitësit e biletave, ja garantonin këtë mundësi. Ndryshe me tifozët e Partizanit, Dinamos, që nuk e preferonin tribunën A, duke ditur se ishte e atyre tiranas, kundërshtarë, duke u sistemuar, tek ajo “B”. Një e tillë mbante rreth 1200 tifozë ulur. Në mes ishte tribuna e udhëheqjes. Poshtë tyre, për shumë vite kanë funksionuar edhe portativet, me 6 shkallë, por jo me prefernca tifozerie. Sigurisht tribuna “A” ishte më kryesorja, më e frekuentuara, pasi poshtë saj dilnin, futeshin futbollistët, arbitrat ishin stolat e skuadrave. Tensioni rivaliteti në fushë transmetohej, përcillej edhe në ato sektorë e anasjelltas. Ndryshe ishte ajo përballë dhe ato anësore. Po kështu edhe në stadiumin “Dinamo”, nuk ishte ai impakt, nuk ndjehej ajo atmosferë si në “Qemal stafa”. Në sfidat derbi, ajo arrinte kulmin. 30 lekë ishte çmimi i një bilete. Edhe biletasitësit i njihnin tifozët e skuadrave, duke mundësuar dhënien e biletave, sipas tifos, pasioneve të tyre. Kur kërkesat ishin të mëdha, mjaft futeshin edhe pa biletë, nisur nga njohjet me biletaprerësit që ishin të njëjtit persona. Duke e ndjekur ndeshjen në këmbë. Edhe forcat e rendit ishin të shumtë në numër, të kujdesshëm, të shpërndarë në shkallët e tribunë për të mbajtur rregullin, ndërsa grupe të tjera qëndronin në pistë me vështrim nga tribuna, për të kontrolluar çdo veprim, sjellje të konsideruar të gabuar prej tyre. Nisur nga fakti se aty vinin qeveritarë, deri edhe anëtarë të byrosë politike, ministra që kishin vendqëndrimin në tribunën VIP të tyre.

ASTRIT, PETRIT, EMRA POPULLORË

Te 17 Nëntori i Tiranës, në periudhën e viteve ‘70- ‘80-të ka qenë një grup me disa futbollistë, me emra të ngjashëm: Astrit Nurishmi, mbrojtësi i skuadrës së madhe, Petrit Brahja, edhe ky mbrojtës krahu i atij grupi. Më pas Petrit Dibra, sulmuesi i njohur, shpërthyes; Astrit Nallbani, portieri i fitimit të Kupës së Republikës 1876; Seit Hyseni, një tjetër mbrojtës i fortë, stoper; Astrit Ramadani, mesfushor sulmues me Tiranën e Mingës, Kolës e Muçës. Nga miq, shokë, spektatorët në zhargonin ditor, shkurt “Titi” apo “Tito”. Kjo evidente në stadium, gjatë një ndeshje kur luante “17 Nëntori”

NGJARJA

Në fillim si rastësi, pa tërhequr vëmendjen, për t’u bërë vërtet shqetësuese në vijim. Kur thirrja, emri “Tito, bjeri, Toto futja, Toto mos e le, bravo Tito”, etj., nis të krijojë situata delikate dhe si përcillej nga spektatorët dhe impakti që reflektonte ajo fjalë. Si e kujtojnë sot, disa nga protagonistët, të evidentuar nga policia, si jo korrektë, shqetësues, provokatorë, të asaj tifozerie të zjarrtë tiranase në tribunën “A”. Orët e kaluara në polici, kthimi në këmbë në mesnatë nga Dajti apo Kërraba dhe sërish në fundjavë në stadium, për të ndjekur 17 “Nëntorin”, pa harruar: “O Tito, Tito, Tito………”.

******

Tribuna A

Pasioni për “17 Nëntorin”, që i çonte tifozët deri në qelitë e policisë

Një ndër djemtë aktivë, të njohur të Rrugës së Durrësit, kafe “Florës”, “Derrit”. Bashkë me një grup, tifozë të deklaruar të “17 Nëntorit”, të pamunguar në tribunën “A” të “Qemal Stafës”. Në çdo ndeshje kur ekipi i tyre do të luante aty. Duke iu rikthyer asaj kohe e lidhur me tifozerinë, skuadrën, lojtarët, prag sfidat, situatën pas tyre, debatet, diskutimet e zjarrta, Arben Stërmasi, nga Rimini ku prej vitesh jeton me familjen kujton: “Biletat na i siguronte biletashitësi Agim Gjonçe, tejet i veçantë në Tiranë, dashamirës, mik i yni, edhe pse ishte tifoz i Partizanit. Po kështu edhe ata që prisnin biletat në hyrje”, – thotë Stermasi për gazetën “Panorama”. Pa harruar edhe forcat e rendit, pjesë të pandara në mjaft ngjarje, situata qemalstafase.

Z. Stërmasi, çfarë kujtoni nga ajo tifozeri?

Shumë pasionante. Ishim një grup, miq. Unë, Vova Konomi, Nard Gjoka, Osmani. Nxënës në shkollën e mesme, shumë të rinj. Një pasion, simpati për “17 Nëntorin” e trashëguar nga familjet dhe si banorë të Rrugës “Fortuzi”. E njohur për traditën dhe sportistët që ka nxjerrë.

Të zakonshëm në tribunën “A”

Kishim vendin tonë, në tribunën “A”. Pata dëgjuar kur “17 Nëntori” triumfonte në mesvitet ‘60-’70 luante në “Qemal Stafa” ndiqej, mbështetej nga një tifozeri e zjarrtë. Ndër ta, përmendej Dik Seferi, një njeri i mrekullueshëm, që ka pak kohë i ndarë nga jeta, për të cilin pati shkruar edhe “Zëri i popullit”, duke e akuzuar si një tifoz të sëmurë.

“Tito”, një emër i dashur por edhe jo?

Para çdo fillimi të ndeshjes dhe gjatë saj ne ishim në fokusin e policisë. Veçanërisht kur dëgjohej emri “Tito”. Petrit Dibra ishte fejuar me motrën e Vovës, familje e njohur mjekësh. Pra, një detaj më shumë për të bërë tifo për të, e mbështetur në çdo aksion: “Bravo Tito, forca Tito, o Tito ktheje kokën”. Ose “Tito, o doktor, na bëj një gol…”.

Si reagonte policia?

E kujtoj mirë qëndrimin e tyre. Një burrë i shkurtër, ishte njëri prej tyre, i përhershëm në ndeshje. Jo tifozë, nuk shihnin lojën, duke qëndruar me fytyrë nga tribuna. Me Dinamon nuk kishim shumë “inat”. Por, pikërisht kur lunte Dinamo policia ishte edhe më prezente. Ishte skuadra e dikasterit të tyre. Ndryshe me Partizanin, tensioni, ashpërsia në fushë dhe në tribuna ishte më i madh.

Nga një takim tek tjetri jeni në shënjestër?

Komunikonin me zë, i urdhëronte ai polici që ishte shefi i tyre. “Ti zijosh pusho, mbylle gojën”. Apo “merre atë nxirre jashtë”, – i thoshin një kolegu që ishte pranë nesh. Ne refuzonim, kundërshtonim, ata të nxirrnin me forcë. Kishte reagim edhe nga tifozeria, që na bashkohej, tentonin të na mbronin.

Si vepronin, ka disa mënyrat për të izoluar tipat e “rrezikshëm”

Para sheshit të stadiumit të priste “Gazi” i policisë. Të fusnin brenda e të çonin larg, në periferi të Tiranës. Në QafëMollë, Shëngjergj, aty e kanë lënë Osmanin, apo edhe tifozë të tjerë. Për t’u kthyer në këmbë, apo me automjete të rastit, në mbrëmje vonë, kur ndeshja kishte përfunduar.

Vijnë edhe provokime nga ai sektor i tribunës?

Kur tifozët u informuam, e kuptuan se çfarë efekti për policinë e qeveritarët në stadium, sa i shqetësonte ai emër, prej tyre nxitej më shumë “O Tito, o Tito…”. Në një rast me Nard Gjokën, na dërguan në rajonin e policisë, sot pranë urës. Orë të gjata qëndrimi, të izoluar aty. Erdhi djali i një ish-anëtari të Byrosë Politike, që bisedoi dhe na liruan. Kishin vendosur të na mbanin, të na procedonin. Ky person e kishte pasur tim atë pedagog në universitet.

Sa rrezikonte ajo tifozeri e juaja?

U bëmë problem, pati një periudhë që edhe ne u tërhoqëm. Ndërkohë kishim krijuar miqësi edhe me punonjës, zyrtarë tifozë të Dinamos, pasi njerëz ishin edhe ata. Takoheshim rrugës, debatonim. Po kështu me fëmijët e qeveritarëve, sa “kundërshtarë” ishim në stadium, aq miq jashtë. Siç ishte rasti i atij që na nxori nga policia, edhe pse ishte tifoz i njohur i Partizanit.

******

Astrit Nallbani,-Xof-i i

Nallbani, Dibra dhe Hyseni, tre “Titot” që tronditën shtetin

I vetmi që bënte ndryshim ishte Astrit Nallbani, portieri, që nga tifozeria thirrej edhe me një tjetër emër, pseudonim: “Xof”. “Ma kishte vënë Skënder Hyka, lojtar i njohur i ‘17 Nëntorit’ legjendar, bashkë me Gavrosh Lëvonjën, edhe ky basketbollist i shquar i atij klubi. Jo vetëm për ngjashmërinë që kishte në portë me të famshmin, italianin Dino Xof, por edhe për një fakt unikal: Nuk kishte pësuar gol për 1170 minuta, 13 ndeshje, një rekord absolut për një portier shqiptar. Që do t’i thyhej në takimin gjysmë final për Kupën e Republikës, 7 mars 1976 kur në minutën ‘85, në takimin 17 Nëntori-Lokomotiva, Mir Hima do të realizonte nga porta jugore në minutën e ’85 duke barazuar 1-1. Por në finale do të kualifikohej ‘17 Nëntori’ që kishte fituar 1-0, gol i Fori Llambit sfidën e parë. Një koincidencë edhe me Dino Xof, gati një vit pa pësuar gol në ndeshjet me ekipin përfaqësues të Italisë në veprimtaritë ndërkombëtare. Rrëfimi i Nallbanit për gazetën “Panorama”.

Zoti Nallbani, jeni disa futbollistë “Tita” në një ekip?

Janë disa kampionate kur në skuadër ishim: Petrit Dibra, Seit Hyseni dhe unë, pra tre lojtarë që në stërvitje, stadium kudo na thërrisnin shkurt “Tito”. Jo vetëm gjatë ndeshjes, por edhe në pauzat e vogla kur topi dilte në korne, apo rifillimi i lojës, kishte reagime, me fraza të njohura nga tifozët e Tiranës për ne lojtarët, arbitrat. Deri provokuese, ngacmuese për forcat e rendit, veçanërisht kur shënohej gol, apo për ndonjë vërshëllimë e gabuar kundër ekipit tonë.

Cilët ishin më të preferuarit nga tifozeria?

Petrit Dibra, i admiruar si e tribunës qendrore dhe asaj përballë. Sulmues i djathtë, i fuqishëm, me shpërthime në vijë anësore. Pra, kontaktin e kishte të afërt me spektatorin e këtyre sektorëve. Veçanërisht, asaj “A. që shquhej për ‘agresivitetin’, që kishte, përcillte, për mbështetjen ndaj ekipit, lojtarëve. Kur driblonte, shënonte, afrohej te tribuna për të festuar, nga ku shoqërohej, dëgjoje thirrjet, brohoritjet “Tito, bravo Toto”, etj..

Pak më ndryshe me Seit Hysenin?

Që fatkeqësisht nuk jeton, është ndarë nga jeta. Si mbrojtës, i kërkohej të ndërhynte fort, të mos lejonte, pengonte, ndalonte kundërshtarin në lëvizje, manovrime. Edhe nga natyra ishte lojtar i fortë. “Bjeri Toto, mos e le Tito”, fraza nxitëse për të. Nga fillimi deri në fund të ndeshjes.

Për të ardhur edhe tek ju?

Po kështu edhe me mua, “Tito, Tito”, që kur dilnim për nxehmje, futeshim, dilnim për ndeshje, në pushim dhe kur mbaronte loja. Përgëzimet, apo kritikat për ne të tre ishin të pranishme, nuk mungonin. “O Tito”…. Bashkë me shprehjet e zakonshme me duar dhe gjeste.

Kur më shumë ishte tensioni?

Në takimet derbi, ato ndaj Partizanit, ku rivaliteti në fushë, transmetohej në tribuna. Tit Dibra, Tit Hyseni dhe unë ishim të parët ku edhe shpërthenin. Tit Dibra kur shënonte apo gabonte, Tit Hyseni, kur mbulonte, markonte, por dhe kur kundërshtari e shmangte dhe unë, kur shpëtoja portën apo pësoja ndonjë gol. “Bravo Tito, je i madh Tito, o Tito çfarë na bërë?

Flasim pak për “Tito”, kur dhe si u bë shqetësues?

Krejt rastësisht, askush nuk e kishte menduar, se mund të krijonte probleme. Na ato fillime, ishte një fjalë, që nuk u vu re. Thjesht emri i një futbollisti, siç thirreshin edhe të tjerët, Beni, Goni, kudo në stadiume apo mjedise sportive. Në rastin tonë, pa e kuptuar se koincidonte me Titon, emrin presidentit aso kohe të Jugosllavisë.

Vetëm në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”?

Po, pasi aty, çdo sjelle, reagim, shprehje krijonte, tërhiqte vëmendjen. Kryesisht nga tifozët e tribunës “A”, të njohur edhe si më të “rebeluarit” kundërshtarë të qeverisë, e që atë inat, pakënaqësi e shprehnin aty, kur luante “17 Nëntori”. Shoqëruar me thirrje për ndonjë padrejtësi të arbitrave apo me entuziazmin pas shënimit të një goli.

Shqetësimi që vjen në rritje, ka reagim?

Diku është biseduar, trajtuar si një fenomen provokues, shqetësues. Me sa kujtoj, deri edhe ambasada jugosllave u informua, sepse kjo fjalë dëgjohej edhe në transmetim televiziv. Si në Kupën Ballkanike, kur ata ishin të pranishëm në stadium, në ndeshjen 17 Nëntori-Radnicki, viti 1975. Pati një reagim nga personeli i saj, një shqetësim që erdhi në rritje. Jo shqetësim në stërvitje, apo në qytete të tjera, stadiumin “Dinamo. Impakt të madh kishte vetëm në “Qemal Stafa”.

Një emër që nis të bëhet më tingëllues?

Sa herë që nga tribuna dëgjohej “Tito, Tito”, që tifozët i drejtoheshin Tit Dibrës, Tit Hysenit apo mua, sipas situatave, momente që sillte loja ishte normale. Por nga tribuna qendrore i vriste veshin qeveritarëve, të pranishëm në stadium. Mendoni, kur dëgjonin: “O Tito, bjeri Tito, bravo Tito” – tipike fraza tifozerie, etj.. Por për ta tingëllonte jo mirë ai emër, aspak i pëlqyer prej tyre.

Si sillej policia, masat që merrnin?

Kur luante Tirana, ishin të kujdesshëm edhe për të ndaluar, paraprirë çdo situatë ishin tejet rigorozë, të vëmendshëm. Por ishte e pamundur t’i frenonin nisur nga rrethanat që krijoheshin. Merrnin individë, duke i nxjerrë me forcë jashtë stadiumit i çonin larg Tiranës. Kjo vazhdoi deri kur në ekip nuk kishte më asnjë futbollist Petrit, Astrit, pra jo më një lojtar “Tito” në fushë.

/Gazeta Panorama

Konkursi i parë bukurisë për fëmijë në Shqipëri: një ngjarje e veçantë e vitit 1931 Nga Hasan Bello, historian

Në historinë botërore konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantic City ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i Bukurisë Foshnjore Shqiptare”.

Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj.Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale, nuk ishin të pranishëm në këtë proces.

Në parim komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre: 1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçare e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku; 2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër; 3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.

Në vend të parë siç shihet u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.

Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit.

 

The Christian Science Monitor (1929) Fillimi i reformës së gjuhës shqipe në Shqipëri me urdhër të Mbretit Zog – Po botohen qindra mijëra vepra të Shekspirit shqiptar

Ahmet Zogu — Jeronim De Rada

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Dhjetor 2025

The Christian Science Monitor ” ka botuar, të hënën e 18 shkurit 1929, në ballinë, një shkrim asokohe rreth reformës së unifikimit të gjuhës shqipe me urdhër të Mbretit Zog I, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Fillimi i reformës së gjuhës shqipe në Shqipëri me urdhër të Zogut

Dialektet orientale të çuditshme dhe shkronjat arabe duhet të zhduken, u thotë ai studiuesve

Burimi: The Christian Science Monitor, Boston, e hënë, 18 shkurt 1929, Ballinë
Burimi: The Christian Science Monitor, Boston, e hënë, 18 shkurt 1929, Ballinë

Tiranë, Shqipëri (AP) — Mbreti Zog, një mysliman me koncepte dhe shije evropiane, ka urdhëruar, ashtu si Mustafa Kemal Pasha në Ankara, se shkronjat arabe janë një anakronizëm dhe se këtu duhet të zëvendësohen me shkronja moderne latine.

Një komision profesorësh shqiptarë është emëruar për të unifikuar gjuhën shqipe, e cila është një përzierje e çuditshme dialektesh orientale, dhe për të krijuar një gjuhë të përbashkët që do të flitet nga perëndimi në lindje dhe nga veriu në jug.

Fjalori i parë shqip u botua 300 vjet më parë, por tani po përgatitet një i ri. Baza e gjuhës shqipe është indo-evropiane, por ajo përmban një numër të madh fjalësh nga latinishtja, italishtja, greqishtja dhe gjuhët sllave. Çdo shqiptar i arsimuar flet dhe shkruan gjuhën e Skënderbeut, por masat janë ende analfabete. Brezi i vjetër i shqiptarëve flet greqisht ose turqisht, por shqipja po u mësohet brezave të rinj në shkolla, të cilat janë shtuar dhjetëfish që nga viti 1912.

Në gjuhën e shkruar, shkronjat latine përdoren nga gegët, shkronjat greke nga toskët dhe ato arabe nga shqiptarët që jetojnë në rrethin e Elbasanit, në Gjirokastër dhe në Shqipërinë e Mesme, ku popullsia është myslimane. Shteti po shtyp qindra mijëra kopje të veprave të Jeronim De Radës, Shekspirit të Shqipërisë, i cili shkroi qindra poema epike në shekullin XIX dhe fitoi një reputacion botëror si filolog.

Meqenëse Shqipëria është shumë e varfër për të pasur shkolla të mesme dhe universitete, më shumë se një mijë studentë po studiojnë jashtë vendit me shpenzimet e qeverisë. Studentë shqiptarë ndjekin studimet edhe në Harvard dhe Yale.

“Kadri Hazbiu sabotoi vend-komandën e Ministrisë Brendshme”- Zbulohet dokumenti i Sigurimit i vitit 1983

Nga DASHNOR KALOÇI/ Aty nga mesi i muajit tetor të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (ish – ministër i Punëve të Brendshëm në vitet 1954-1979) dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, (arrestuar që me 22 mars 1982), me porosi të Enver Hoxhës dhe me urdhër të ministrit të Brendshëm Hekuran Isait, u krijua Grupi Operativ Special, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si ndihmësa të tij, ishin Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku. Detyra kryesore e këtij grupi, ishte; “Zbulimi dhe hetimi i veprimtarisë së grupit armiqësor”, të kryesuar nga Kadri Hazbiu, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu (me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin), etj., si dhe lidhjet që ata kishin pasur me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.

Përveç detyrave të tjera, siç ishin; rishikimi, studimi dhe analiza e një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe (1945-1982), “Grupi Operativ Special”, thirri disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim ato që ata dinin apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e bashkëpunëtorëve të tyre, me urdhër të ministrit Hekuran Isai, u krijuan edhe tre grupe ekspertësh me specialistë përkatës nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, e Punëve të Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.

Këto tre grupe ekspertësh, pasi do të studionin dhe analizonin “veprimtarinë armiqësore” të tre ish-titullarëve kryesorë të këtyre ministrive, përkatësisht Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe Llambi Ziçishtit, do të përpilonin një raport të hollësishëm, i cili do t’i dorëzohej Grupit Operativ Special, që kryesohej nga Zylyftar Ramizi. Po kështu, krahas këtyre tre grupeve të ekspertëve, u krijuan edhe dy grupe të tjera nga rrethi i Durrësit dhe i Korçës, (ku bënin pjesë funksionarë të lartë të Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive), të cilët do të studionin dhe analizonin “veprimtarinë armiqësore” të Mihallaq Ziçishtit, për periudhën që ai kishte shërbyer si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në ato dy rrethe të mëdha të vendit. Në këtë kuadër, në grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, bënin pjesë; Agur Baxhia, Adem Dino, Koli Dano, Lili Bullari, Arqile Veshi, Niko Zako, Janko Konomi, Et’hem Ruçi, Zija Beqiri, Seit Xhoxhaj dhe Veli Alliaj, të cilët do jepnin raportin e tyre, edhe për anën e fortifikimeve.

Kurse në grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët do jepnin raportin e tyre edhe për anën e fortifikimeve, bënin pjesë; Vasil Kola, Baudin Kazani, Dhimitër Lazri, Veip Proda, Llazi Cici, Tomor Lapardhaja dhe Qëndro Koçi. Të dy këto grupe ekspertësh, në përfundim të punës së tyre hartuan nga një raport-informacion prej qindra faqesh, që iu dorëzua Grupit Operativ Special, i cili pasi e “studioi dhe analizoi” atë, po me ekspertë të tjerë të atashuar pranë atij grupi, dokumentet kryesore ja dorëzoi grupit të hetuesve që u caktuan për procesin hetimor të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, (me në krye Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Nesti Nasen, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Peçinin, Fiqret Shehun, etj.), gjë e cila do të përbënte dhe bazën për akt-akuzën ndaj tyre.

Në raport-informacionet e grupit të ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe atij të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një vend kryesor zinin edhe “sabotimet” e Kadri Hazbiut në fushën e fortifikimeve, si në periudhën kur ai kishte drejtuar Ministrinë e Brendshme në vitet 1954-1979, ashtu dhe atë të Mbrojtjes Popullore, nga fillimi i vitit 1980, deri ditën që u arrestua më 15 tetor 1982. Në atë pjesë të raport-informacioneve, bëhet fjalë edhe për dy nga objektet më kryesore nëntokësore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme, siç ishte “Vend-Komanda e Përgjithshme” (objekt i cili prej disa vitesh njihet si muzeu “Bunk-Art 1”), ku në rast lufte do strehohej Shtabi i Përgjithshëm dhe Këshilli i Mbrojtjes me në krye Enver Hoxhën, nga ku pre-supozohej se do drejtohej lufta në rast të një invazioni apo agresioni ushtarak kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Si dhe objekti tjetër nëntokësor që ndodhet poshtë oborrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Muzeu “Bunk-Art-2”), ku gjithashtu në rast lufte do të strehohej ekipi drejtues i asaj ministrie. Lidhur me këto dhe të tjera nga raport-informacionet e grupeve të ekspertëve përkatës të dy ministrive, për “Bunk-Art 1” dhe “Bunk-Art 2”, të cilët prej vitesh janë bërë objekt vizitash edhe për turistët e huaj që vazhdojnë të kenë një kuriozitet dhe interes të madh për të njohur Shqipërinë komuniste, na njohin këto dokumente arkivore që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (prej vitesh pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al.

(Raport-informacioni i grupit të ekspertëve për Ministrinë e Brendshme ka 75 faqe, por këtu në këtë shkrim, po publikojmë vetëm atë pjesë ku flitet për dy vend-komandat kryesore, atë që tashmë njihet si; Muzeu “Bunk-Art 1” dhe Muzeu “Bunk-Art 2”)

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME HEKURAN ISAI, PËR NGRITJEN E GRUPIT TË EKSPERTEVE QË DO JEPNIN MENDIME PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT E FEÇOR SHEHUT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                               SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                      Ekzemplar Nr. 1

Nr. 92/15 Prot.                                                                                             Tiranë, më 10.6.1983

  AKT – EKSPERTIMI

PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT E FEÇOR SHEHUT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME

Tiranë, me 1983

Me vendim të datës 25.4.1983, të përgjegjësit të grupit të Hetuesisë, Sh. Hekuran Isai, neve, Vasil Kola, zëvendës-sekretar i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme; Baudin Kazani e Dhimitër Lazri, oficerë të Kundërzbulimit, Vehip Proda, oficer i Zbulimit; Llazi Cici jurist; Tomorr Lapardhaja, instruktor i Kuadrit dhe Qendro Koçi, inxhinier ndërtimi, jemi caktuar si ekspertë për të dhënë mendime për veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për këtë, na është kërkuar sqarim këtyre pyetjeve:

1.

(Raport-informacioni i grupit të ekspertëve për Ministrinë e Brendshme ka 75 faqe, por këtu në këtë shkrim, po publikojmë vetëm atë pjesë ku flitet për dy vend-komandat kryesore, atë që tashmë njihet si “Bunk-Art 1” dhe “Bunk-Art 2”)

RAPORTI SEKRET ME AKT-EKSPERTIMIN E GRUPIT TË EKSPERTËVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR “PUNËN SABOTUESE ARMIQËSORE” TË KADRI HAZBIUT NË FUSHËN E FORTIFIKIMEVE

 REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                                SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Drejtoria e Hetuesisë

Nr.                                                               

                                                             12791-A

                                                  DOSJA HETIMORE

                                                             Nr. 14

                                                AKTET E EKSPERTIMIT

  1. Mbi veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut në fushën e fortifikimit të organeve e reparteve të Punëve të Brendshme:

Nga studimi i materialeve të Partisë dhe gjendjes në fortifikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, del se armiku Kadri Hazbiu ka sabotuar në mënyrë të ndryshme edhe në fushën e gatishmërisë luftarake të organeve e reparteve të Punëve të Brendshme e në veçanti në drejtim të pajisjeve të tyre në objekte fortifikuese. Prej tij nuk janë mbajtur parasysh orientimet e Këshillit të Mbrojtjes dhe konkluzionet e nxjerra nga stërvitjet e zhvilluara.

Kapitulli VIII – pika 2, e orientimeve të Këshillit të Mbrojtjes “Mbi masat për përgatitjen shtetërore-civile të vendit për kohë lufte, përcakton që: “për të siguruar drejtim të pa ndërprerë për kohë lufte, organet shtetërore dhe ekonomike, duke filluar nga Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet qendrore, Komitetet Ekzekutive të Këshillave Popullore të rretheve deri në bazë të ndërtojnë, kompletojnë dhe të mbajnë në gatishmëri vendet kryesore të drejtimit për kohë lufte, ai dhe ato rezervë dhe t’i kompletojnë me bazë materiale të nevojshme dhe mjete ndërlidhjeje”.

Për realizimin e këtyre detyrave Drejtoria Operative dhe e Përgatitjes me studimin Nr. 202, datë 11.9.1979, “Mbi gjendjen dhe masat që duheshin marrë për vend-drejtimet kryesore në ministri dhe Degët e Punëve të Brendshme, propozojë të merreshin masa për rregullimin e gjendjes”.

Për aparatin qendror të Ministrisë, të ndërlidhjes, vend-drejtimi kryesor i saj në 41 dhoma pune, por prej armikut Kadri Hazbiu u ulën në 23 të tilla. Po të mos ishin marrë masa pas arrestimit të Feçor Shehut për plotësimin e projektit, objekti nuk do të plotësonte gjithë nevojat për drejtimin e kohës së luftës.

  1. Degët e Punëve të Brendshme Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës, ka qenë e nevojshme që vend-drejtimet kryesore t’i kishin se 13 dhoma pune, ambiente për filtro-ventilim, nyjen e përpunimit sanitar, vend-strehim për grupin elektrik, ndërlidhje. Kadri Hazbiu nuk e pranoi këtë projekt dhe dha orientime që këto degë, të kenë 2-10 dhoma pune, të shfrytëzojnë strehimet ekzistuese por këto s’janë të përshtatshme për drejtim.

Degët e Punëve të Brendshme të kategorisë së dytë, duhet që përveç ambienteve ndihmëse që do të kishin si degët e mësipërme për vend drejtimin kryesor të kishin edhe 10 dhoma pune. Edhe për këto armiku Kadri Hazbiu caktoi detyrë që në Librazhd, Pogradec, Lushnje, Lezhë, Rrëshen, Përmet dhe Krujë për vend- drejtim kryesor të shfrytëzohen strehimet ekzistuese pa asnjë shtesë për dhoma pune e ambientet e tjera ndihmëse përjashto një ambient për filtro-ventilimin e tyre.

Drejtim tjetër i veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut në drejtim të fortifikimit, është shkelja e kritereve të ndërtimit të vend-drejtimeve. Kështu, pa u ndërtuar vend-drejtimi kryesor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërtohet vend-drejtimi rezervë Nr. 21, për shkallën e dytë të luftës popullore.

Edhe pse kanë përfunduar punimet në këtë vend-drejtim, për shkak se është caktuar në një formacion gëlqeror me përmbajtje ujërash, ai është i papërshtatshëm për punë e drejtim, ka lagështi. Dhe temperature e brendshme është 9 gradë celsius. Ndërtimi i këtij vend-drejtimi, filloi në vitin 1966 dhe përfundoi në vitin 1972.

Janë ndërtuar vend-drejtime rezervë Nr. 2 për Degët e Brendshme në Sarandë, Gjirokastër, Fier, dhe Ersekë. Pa bërë në radhë të parë për këto vend-drejtime kryesore rezervë Nr. 1. Me këto ndërtime armiku Kadri Hazbiu ka vënë në zbatim në sektorin e fortifikimit, teorinë e rrëshqitjes dhe tërheqjes, në zonat strategjike të vendit. Organet e mësipërme, ende nuk janë të pajisura me vend-drejtim kryesor ose rezervë Nr. 1.

Pa marrë masa për ndërtimin e vend-drejtimeve kryesore ose rezervë Nr. 1 në Degët e Punëve të Brendshme, në Skrapar, Përmet, Tepelenë, Gramsh, Gjirokastër, janë bërë ndërtime për vend-strehime për kompanitë rezerviste dhe për efektivin e Degës, duke pretenduar se gjoja, duhet t’i kemi si strehim e më pas t’i kthejmë në vend-strehime.

Kjo ka sjellë dëmtimin e rëndë të aftësisë mbrojtëse dhe veprimtarisë minuese ndaj organeve tona, në kohë lufte. Shpërndarja e fondeve në shumë objekteve (mesatarisht 40-50 në viti) pa bërë përqendrimin e tyre në ato më të domosdoshmet, siç kanë qenë vend-drejtimet kryesore ose rezerve Nr.1, ka sjelle si pasojë që të mos realizonin në kohë ndërtimet.

Kështu, në dhjetëvjeçarin 1970-1980, janë ndërtuar dhjetëra vend-strehime për efektivin dhe 31 vend-strehime për makinat zjarrfikëse, ose ato në organikë. Si rezultat, ka mjaft objekte që janë lënë pa u përfunduar sepse, në vitet para-ardhëse fondet janë shkurtuar.

Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivi i Shtetit pa tunelizim, si për fondin që është brenda qytetit, ashtu edhe në vendet e caktuara për evakuim, ka krijuar vështirësi që ai të dëmtohet në kohë lufte dhe të hyjë më kollaj në dorën e armikut.

Ndërtimi i disa vend-drejtimeve jo me ambiente të mjaftueshme me punë, me aftësi mbrojtëse të vogël, lënia e disa organeve e reparteve pa vend-drejtime kryesore, është mbuluar nga armiku Kadri Hazbiu nën pretekstin e kursimeve, gjoja “mos ta rëndojmë shtetin”.

Nga analiza në tërësi e veprimtarisë armiqësore në fushën e fortifikimit në Organet e Punëve të Brendshme, arrijmë në  konkluzion se armiqtë Kadri Hazbiu e Feçor Shehu kanë sabotuar vijën e Partisë dhe kërkesat e Artit Ushtarak Popullor në fortifikimin dhe i kanë krijuar pasoja të dëmshme mbrojtjes së vendit në rast lufte.Memorie.al                   

                                                      E K S P E R T Ë T

Vasil Kola           Baudin Kazani                    Dhimitër Lazri                 Veip Proda

Llazi Cici             Tomor Lapardhaja            Qëndro Koçi 

HYMNI  I  FLAMURIT PREJ AT GJERGJ FISHTES- Pergatiti Fritz RADOVANI: II

 

 

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji).

At Fishta , këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta….”.

Me njiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi  urdhnit të tij.

Flamuri Kombtar valvitej në Kompanjelin e Kishës së Fretenve !

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

          Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

 

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

                    Bini, Toskë!….

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

                     Bini, Toskë!….

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

                     Bini, Toskë!….

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

                     Bini, Toskë!..

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendis,

Kah na ban hije prej qiellet.

                    Bini, Toskë!….

Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

                    Bini, Toskë!….

Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastrjota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

                    Bini, Toskë!….

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

                    Bini, Toskë!….

 

Shenim nga F.R.:

Ky ishte kompanjeli i Kishes Françeskane Shkoder ku u ngrit Flamuri nga At Gjergj FISHTA OFM. 

 

 

             SHKODER,13 QERSHOR 1913. 

 

Melbourne, 6 Dhetor 2025.

Rama e favorizoi me kontrata 21 milionë euro! Si përfundoi projekti i Mogherinit në duart e kompanisë “Fusha”

Autoritetet hetimore evropiane dyshojnë se gjatë periudhës 2021-2022, Kolegji i Evropës ka përfituar, përmes favorizimit, një kontratë me vlerë 3.2 milionë euro nga Shërbimi Diplomatik i BE-së për një trajnim 9-mujor të diplomatëve të rinj.

 

Lajmi i ndalimit të Federica Mogherinit nga policia belge bëri bujë të madhe në fillim të kësaj jave në të gjithë Evropën. Zonja Mogherini, që ishte rektore e Kolegjit të Evropës në Bruges, u shoqërua në polici së bashku me një anëtar të stafit të kolegjit dhe një tjetër zyrtar të Komisionit Evropian, lidhur me një hetim për manipulimin e një tenderi.

Autoritetet hetimore evropiane dyshojnë se gjatë periudhës 2021-2022, Kolegji i Evropës ka përfituar, përmes favorizimit, një kontratë me vlerë 3.2 milionë euro nga Shërbimi Diplomatik i BE-së për një trajnim 9-mujor të diplomatëve të rinj.

Kolegji i Evropës është një institut prestigjioz për studime evropiane me seli kryesore në Bruges të Belgjikës. Të diplomuarit nga vende të ndryshme të Evropës mund të ndjekin aty studime pasuniversitare dhe të përgatiten në fushën e bashkëpunimit dhe integrimit evropian. Ndërkohë, një degë e këtij kolegji është hapur edhe në Tiranë, më shumë se një vit më parë. Kolegji i Evropës në Tiranë është vërtet një degë e atij të Bruges-it, ashtu si edhe ai i Natolinit në Varshavë, por mësimi në këtë universitet është me pagesë, madje jo të vogël 27 mijë euro në vit.

Qeveria shqiptare mbështet studentët me pesë bursa, dhe për vitin akademik 2025-2026 janë përzgjedhur për të studiuar 41 studentë, nga të cilët vetëm 10 janë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, në Tiranë, në Kolegjin e Evropës, do të kenë akses vetëm ata që përzgjidhen nga kjo strukturë, ata që kanë mundësi të paguajnë ose ata që marrin bursë nga qeveria.

Por përse është kjo e padrejtë për qytetarët shqiptarë dhe taksat e tyre?

Qeveria shqiptare, pas firmosjes më 6 tetor 2023 të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Kolegjit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Tiranës, i propozoi në muajin mars Kuvendit të Shqipërisë të ratifikojë Marrëveshjen për Themelimin e Kolegjit të Evropës për hapjen e një dege në Tiranë. Por, përpara se kjo marrëveshje të miratohej nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që autorizonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për të realizuar projektin “Kolegji i Evropës”.

Më pas, marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi në datën 18 prill 2024. Që të hyjë plotësisht në fuqi, ajo duhet të dekretohet nga Presidenti, por askush nuk ka pritur kohën e nevojshme për miratimin e saj, dhe Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim me efekte financiare pa bazë të plotë ligjore. Por shkeljet dhe favorizimet nuk përfundojnë këtu. Edhe pse një universitet privat, marrëveshja i jep trajtim preferencial fiskal këtij kampusi, duke e përjashtuar nga çdo lloj detyrimi tatimor e doganor madje jo vetëm kolegjin, por edhe furnitorët e tij.

Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje hapur favorizuese, Këshilli i Ministrave mori një tjetër vendim, këtë herë për t’i kaluar në pronësi Fondit Shqiptar të Zhvillimit, e më pas kolegjit, tokën pranë Qytetit Studenti për të ndërtuar kampusin. Në total, u vendosën në dispozicion 4 mijë metra katrorë truall nga pasuritë publike të Shqipërisë për Kolegjin e Evropës.
Madje edhe fondet për ndërtimin e godinës do të jepen nga taksat e shqiptarëve. Në total, ndërtimi dhe arredimi i infrastrukturës së këtij kampusi do t’i kushtojë taksapaguesve 21 milionë euro. Këto para kanë kaluar menjëherë në buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili në datën 21 gusht 2024 hapi garën për të përzgjedhur kompaninë që do të kryejë punimet. Fitues në këtë tender është shpallur bashkimi i kompanive “Fusha” me “Ed Konstruksion”, me një ofertë prej 15.2 milionë euro – 1.7 milionë euro më të ulët se fondi limit, por 840 mijë euro më e lartë se ajo e një operatori tjetër pjesëmarrës në garë.

Godina do të përbëhet nga 3 ndërtesa: ajo publike me 5 kate, ajo universitare me 7 kate dhe godina e delegatëve me 5 kate. Në mes të tyre do të ngrihet një auditor në formë kupole dhe do të ketë një parkim nëntokësor me 415 vende. Të gjitha këto do të financohen nga taksat e shqiptarëve, pasi kryeministri Edi Rama ka vendosur t’ia bëjë si dhuratë mikes së tij, Federica Mogherinit.

Ndërkohë, ditën e enjte, e gjendur në një situatë të pafavorshme për shkak të hetimeve të nisura nga Zyra e Prokurorisë Evropiane, Federica Mogherini dha dorëheqjen për t’u hetuar në gjendje të lirë si qytetare e thjeshtë dhe për të mos interferuar me drejtësinë duke mbajtur postin e rektores së Kolegjit të Evropës. Një standard që kryeministri ynë nuk e ka pranuar, në rastin e zëvendëses së tij, Belinda Balluku./Piranjat.al


Send this to a friend