Pas përgjigjes që kryeministri i dha nga foltorja, ku i kujtoi se kushti i vetëm për integrimin është vetingu, ka marrë fjalën sërish Blushi, por ndërkohë kryeministri doli nga salla e Kuvendit.
“Nuk kisha dyshim, Rama e ktheu interpelancën në një miting mediokër, ministra qeshin dhe shumë të tjerë që s’duhet të ishin në këtë kuvend. Unë e thirra këtë interpelancë se doja tu thoja që Edi Rama s’ka aftësi për të qeverisur dhe është i paaftë, për detyrën që ka. Shumica e problemeve që lidhen me integrimin nuk janë për pasojë të paaftësisë së tij, do ishte e justifikueshme se paaftësia është defekt njerëzor, por ai është frikacak”- tha Blushi.
Ndërkohë duket Rama që lë vendin e tij në sallë dhe del nga seanca.
Blushi: Lerë të ikë se është frikacak,
Ndërhyn Leskaj
Blushi: Zonja Leskaj, më lejoni të flas.
Deputetet flasin nga vendi
Blushi: Është frikacak Vangjel edhe frikacak i paaftë se frikacakët dridhen por rrinë në vend, ju që e mbështesni aty jeni problemi i Shqipërisë.
Ku e keni frikacakun, thoni të vijë në seancë, thirre Taulant të vijë se është në interpelancë, dua ti tregoj sa i paaftë është edhe si frikacak. Shkoni nxirreni nga aty se po fshin hundët..
Blushi akuza të forta Ramës: Je përgjegjës për bllokimin e integrimit
Me tone të ashpra, plot akuza direkte për Qeverinë dhe personalisht për kryeministrin Rama, deputeti Ben Blushi ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se është pikërisht i pari i qeverisë përgjegjës për bllokimin e integrimit dhe fajtori pse vendit nuk iu caktua datë për hapjen e negociatave me BE-në.
Në nisje të interpelancës urgjente që ai me 6 deputetë të tjera përfshirë demokratin Patozi, kërkuan me kryeministrin Rama për cështjen e integrimit të vendit, Blushi theksoi se Shqipëria është sot në një moment shumë të vështirë.
“BE nuk fiksoi një datë për negociatat me vendin tonë, edhe pse qeveria premtoi se do të ndodhte. Ministrat e Jashtëm të BE përcaktuan 5 kushte, pas plotësimit të të cilave negociatat edhe mund të hapen, ne mendojmë se kjo shtyrje nuk do e favorizojë Shqipërinë”- tha ai.
Blushi numëroi gjithë problemet e vendit që nga krimi, korrupsioni deri në rangjet elitare të politikës dhe akuzoi Ramën se jo vetëm nuk ka bërë gjë për ndryshimin e situatës, por përkundrazi i ka shtuar vendit të tjera halle dhe probleme.
“Sot nuk ka asnjë alibi se ka qenë Evropa që s’na ka pranuar, Evropa nuk paragjykon shqiptarët, por krimin, korrupsionin, ekonominë e kapur, informale, ka harxhuar 10 mld euro për ne. Këtu ka njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi e të japin llogari se elita politike është fajtore për korrupsionin, bashkëpunimin e hapur me krimin e organizuar se sot s’jemi në Evropë edhe pse jemi evropiane. Humbja më e madhe është shpresa dhe ajo po mbaron, sepse shqiptarët po pengojnë shqiptarët të bëhen evropiane dhe kjo është e vërteta. Bota përreth Shqipërisë po ndryshon, Evropa dhe tjetër nuk janë ata që më parë. Bota po hyn në fazë të re, që nuk dihet se do e favorizojë shqiptarët, bota po hyn në ngricë, nuk jemi në pranverë, por vjeshtën e integrimit, fuqi që kanë pasur ndikim negativ në historinë tonë po forcojnë rolin e tyre në kurriz të demokracisë. Ne e kemi pësuar mbi kurriz, sa herë që demokracia rrezikohet vendi izolohet, sa herë që demokracia kërcënohet, Shqipëria zvogëlohet. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ekonomia e dobët që nuk garanton progres, vende pune dhe cilësi. Ne nuk do lejohemi të shkojmë në Evropë si shqiptarë të korruptuar”- tha ai.
Pas debatit e replikave me nënkryetaren e Kuvendit, e cila i kujtoi disa herë se i mbaroi koha, Blushi kaloi në akuzat direkte për Ramën.
“Ne donin që ai të përgjigjej se sa e ka ndryshuar ritmin e integrimit, c’ka bërë për të ndarë krimin nga politika dhe sa e ka përmirësuar ekonominë e vendit dhe hapjen e vendeve të punës. Ne mendojmë se kjo qeveri dhe Rama ka bërë shumë pak, për të mos thënë që problemeve i ka shtuar edhe të tjera. Ai e ka parë integrimin diplomaci dhe jo cështje të brendshme, që duheshin përmbushur kushtet e caktuara.
Rama me politikën e tij të tolerancës miqësore përballë krimit politik po shton koston e përditshme, me cinizmin ndaj të varfërve, me sabotimin e reformës zgjedhore është personalisht përgjegjës për këtë vonesë. Unë nuk kam shpresë se ai ka aftësi të pranojë të vërtetat dhe as përgjegjësinë për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së vendit, por jam këtu për ta dëgjuar”- tha ai.
Komentet