A thua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkë e mia!
A thua vetëm për këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!
Sa shekuj mallkime
përplasen kohrat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!
Sa shekuj tradhti
përplasen kohrat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!
Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta…
dhe fjalën time e ktheni jehonë
e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!
Komentet