Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama bisedoi në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin grek Alexis Tsipras për krizën financiare greke, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të inkurajojnë të gjitha palët që të vijnë deri te një marrëveshje, e cila do ta mbante Greqinë në Eurozonë. Zyrtarët amerikanë besojnë se kjo është në interesin e të gjithëve”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Ministrat e Eurozonës i kanë kërkuar Greqisë që të dalë me propozime të reja, pasi votuesit grekë refuzuan kushtet e kreditorëve ndërkombëtarë për ndihmë, në referendumin e së dielës.
Kreditorët ndërkombëtarë thanë se nuk do të zhbllokojnë fondet për të ndihmuar Greqinë në trajtimin e borxheve, derisa kjo e fundit të mos bjerë dakord për reforma.
Qeveria majtiste greke thotë se reformat, që përfshijnë rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve të mirëqenies, janë të papranueshme.
Komentet