Qeveria Rama prej 5 vitesh mban peng miratimin e një vendimi i cili i hap rrugën kërkimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur apo të ekzekutuar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në hapësirën kohore nga 29 nëntori 1944 e deri në 2 korrik 1991 janë vrarë pa gjyqe apo kanë vdekur në burgje mbi 6 mijë persona, shumica dërrmuese e të cilëve të dënuar për arsye politike, teksa një pjesë e mirë e tyre ende janë pa një varr.
—–
Qeveria socialiste e Edi Ramës ka harruar prej 5 vitesh të miratojë një Vendim të thjeshtë, i cili i hap rrugën kërkimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur apo të ekzekutuar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në hapësirën kohore nga 29 nëntori 1944 e deri në 2 korrik 1991 janë vrarë pa gjyqe apo kanë vdekur në burgje mbi 6 mijë persona, shumica dërrmuese e të cilëve të dënuar për arsye politike.
Në korrik të vitit 2020, Parlamenti i Shqipërisë miratoi një ndryshim në Ligjin për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, në të cilin ngarkohej qeveria me detyrimin për të nxjerrë një akt nënligjor, i cili do t’i hapte rrugën gërmimeve dhe zhvarrimeve.
Ky ndryshim ligjor parashikonte se akti nënligjor duhej të miratohej brenda 4 muajve, maksimalisht në nëntor të vitit 2020.
Por, rezulton se procesi i zhvarrimeve ende nuk ka nisur, pasi ministritë nuk bien dakord se cila prej tyre e ka kompetencë për propozimin përkatës.
Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar se iniciativa propozuese për projektvendimin i takon Ministrisë së Brendshme. Kjo e fundit mban qëndrimin se ky lloj project-akti nuk përfshihet në fushën e saj të përgjegjësisë shtetërore.
Në mungesë të vendimit të Këshillit të Ministrave, autoritetet përgjegjëse nuk mund të ndërmarrin veprime konkrete për kërkimin dhe zhvarrosjen e eshtrave, çka rrezikon humbjen ose dëmtimin e vendvarrimeve potenciale dhe pengon dokumentimin e plotë të rasteve.
Prej vitit 2022, Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit thotë se ka administruar 214 kërkesa dhe ka evidentuar gjithsej 16 vendvarrime, përfshirë 11 gjatë periudhës 2023–2024 dhe 5 të tjera të verifikuara në fillim të vitit 2025.
Nga një pyetësor i publikuar online nga “Fondacioni Kujto”, me familjarët e 175 viktimave të zhdukura gjatë komunizmit, ku më shumë se gjysma (55%) pohuan se kishin kryer kërkime private në institucionet shtetërore dhe në arkiva për të zbuluar fatin e të afërmve të zhdukur.
Më tej, rreth 71% e familjarëve që kishin kryer kërkime dështuan që t’i gjenin vendvarrimet, ndërsa vetëm 29% i kishin gjetur ato; 50% e familjarëve deklaruan se të afërmit e tyre ishin pushkatuar me ose pa gjyq gjatë regjimit komunist, ndërsa 23% deklaruan se kishin vdekur gjatë vuajtjes së dënimit në burg ose në internim.