Në Sotirë të Dropullit të Sipërm edhe në shkurt, si në çdo muaj tjetër të vitit, mund të shkosh si drejt një destinacioni të preferuar të turizmit natyror dhe kulturor.
Pikërisht këtu, është pika fundore e Dropullit të Sipërm e rrethuar përqark nga malet me borë të Murganës madhështore dhe Shtugarës.
Një tabelë e madhe të paralajmëron qysh në Llongo se po shkon drejt pyllit të Sotirës: “ Pylli i Sotirës”, Monument Natyre.Ndalohet prerja dhe gjuetia.
Në qendrën tërheqëse të fshatit, përballesh më dy bukuri që befasojnë edhe pse mund të kesh ardhur më parë: Shkolla me arkitekturën e saj madhështore dhe Kisha e Shën Sotirës me kambanoren me arkitekturë të
mkrekullueshme, ndër më të bukurat në Shqipëri.
Qendra qarkohet nga dy përrenj me ujëra të kthjellëta të dëborës, nga Murgana dhe Shtugara. Tre rrepe gjigandë dikur, të trishtojnë sot, pasi janë tharë nga sëmundja e njohur mesdhetare që ka mbërritur edhe në
këtë skaj që josh gjatë gjithë vitit turistë vendas dhe të huaj.
SOTIR GOGA, ‘DJALOSHI’ 86 VJEÇAR
Në Sotirë nuk dëgjohen zëra dhe personi i parë që takon është Sotir Goga, me nje trastë të rendë ngarkur në sup, si një oshënar i vetmuar në prag të një manastiri.
Duket se ka blerë ushqimet për tërë javën dhe tani duhet të ecë kalldrëmeve drejt shtëpisë e tij në lagjen Shtrika, mbi qendrën e fshatit në drejtim të Murganës të ngarkuar me borë të rëndë.
Në lagjen e tij, tani banojnë vetëm tre vetë. Sotiri dhe dy te tjere.Të tre, të moshës së tretë.
Është 86 vjeç, por nuk ta jep përshtypjen, se është më i mbajtur.
Ka dëshirë të flasë dhe sa herë që e pyet për diçka, veçanërisht për njerëzit dhe ndërtimet karakteristike ne gur të bashkëfshatarëve të tij në breza, gjallërohet si një djalosh që goja nuk i pushon.
Kur e pyet se ku e ka patur shtëpinë kolegu dhe miku ynë, Jorgo Zhonga, Sotiri të tregon me dorë:
-Ja, ajo atje, në lagjen Karamanja.
Pas pyetjes për një familje fotografësh të ardhur nga Amerika dhe që ushtruan profesionin e tyre edhe në Sarandë e Tepelenë, ai hidhet i gëzuar:
– Eja me mua! Ja, vetëm 50 metra, janë konakët e tyre arhondika të familjes Bruzho, me gur të gdhendur dhe me tre kate. Thodhoriu, në Tepelenë dhe Kiço në Sarandë. E mësoj të më bëjë një foto te pragu me gur qemeri të gdhendur te konakët e Bruzhove, nga duart e të cilëve jane fiksuara në celuloid qindra mijëra foto-memorje te jugut dhe, habitshëm miku im i ri, Sotiri, arrin më në fund të më bëjë një foto.
Dhe sa u gëzua, kur i zmadhova foton ta shihte në celular!
Na fton për kafe e raki në konakun e tij pranë shtëpisë së fotografëve dhe kur i themi: “ një herë tjetër”, ta kthen:
– Mirë more xhan, kur të doni, të mirëseardhur jeni!
Na kujton se më 6 gusht në Sotirë, për festën e Shën Metamorfosit te Sotirës, këtu bëhet det me njerëz.
Dhe të duket se ata pak njerëz të moshuar sot në Sotirë, të gjithë, presin 6 gushtin.
***
TË JETOSH ME FOTOGRAFITË.
Andon dhe Garufala Nika janë dy të moshuar të tjerë, nga 80 dhe 72 vjeç që jetojnë në Sotirë.
Përreth oxhakut me zjarrin e shkurtit, shikojmë foto të ndryshme të fëmijëve dhe nipave. Po edhe fotot të dikurshme të nusërisë me veshjen gjithë shije të dropullites.
Shpesh i marrin ne duar fotot me kornizë. I kundrojnë gjatë, si të flasin me fëmijët dhe nipërit në Athinë.
Garufala ose Fulla na tregon foton edhe të nënës së saj edhe të vetën, dalë dikur me kostumin popullor.
– Në të gjithë fshatin jemi a s’jemi, 17 vetë.
E pyesim se kur u ndërtua shkolla në fshat dhe mësojmë se ajo daton në vitin e largët, 1927.
-U ndërtua pas shkollës në Camanda, matanë kufirit. Në një vit u bënë, nga ustallarët e Konicës.-thote Andon Nika i Sotirës.
***
Të shtatëmbëdhjetë të moshuarit që kanë mbetur sot në fshat, në këtë oaz te gjelbër, rrethuar me hilqe , pisha e bredha; jetojnë me kujtimet, fotografitë e të dashurve të tyre në emigrim dhe ëndrrën e takimit me të
ikurit, në një ditë të vetme që është 6 gushti, dita e festës së kishës së Metamorfosit të Sotirës. Sikur, jetojnë në pritje, të një dite të vetme. Dhe e gjithë kjo, më kujton dramën e famshme “Në pritje të Godosë”
nga Samuel Beckett me absurdin e ekzistencës njerëzore dhe pritjen e pafundme për një kuptim, shpëtim ose ndryshim.
Ndaj, ata i mbajnë sytë me një vështrim obsesiv nga pragu, nga dritarja dhe më tej akoma, nga rrugica e mëhallës Shtrika për të parë se ndoshta, krejt papritur afërmit e tyre që kurrë nuk do t’i harrojnë që të shfaqen për të mbërritur një ditë. ///