VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

36 orë në Zyrih – Nga Seth Sherwood

By | March 15, 2016

Komentet

NË LOZANË KRYEQYTETIN OLIMPIK E BURGDORF Reportazh nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

Voal.ch – Mbresat nga udhëtimet që institucionet zvicerane organizojnë me APES janë sa të larmishme aq dhe të pashlyeshme. Si ky i rradhës që organizoi Presence Switzerland, pranë Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Nga natyra, gazetarët janë shtegtarë të përhershëm, por pa stinë të caktuar shtegtimesh dhe pa ligje përkatëse shtegtimesh. Më të veçantët, gjithsesi, jemi ne të APES-it, nga të gjitha anët e botës, nga të gjitha llojet e mediave të sotme, përherë e më të shumëllojshme, veçse me një bosht të përbashkët – sa të bukur, aq dhe të papërsërishtëm – i falemi së vërtetës dhe jetojmë në Zvicër.

Pas çdo udhëtimi ne vazhdojmë të shkëmbejmë fotot dhe regjistrimet që kemi bërë nga veprimtaria jonë e radhës, dita ditës i plotësojmë ato dhe, një ditë prej ditësh, detajet krijojnë një përfytyrim të plotë, reportazhi, eseja, dokumentari, udhëpërshkimi, merr përfundimisht formë. Më shumë se subjektive, veçanësitë e akteve të tilla krijuese, janë objektive. Sapo bashkohemi në një veprimtari, sekush nga ne fluturon në një tjetër veprimtari, në një kënd tjetër të rruzullit, me shërbim të ngarkuar nga qendra apo diku me pushime stinore apo vjetore.

Kjo e shpjegon mirëfilli edhe faktin që përbërja e ekipeve tona, nga njëri udhëtim në tjetrin, është e ndryshme, nganjëherë shumë e ndryshme. Jo se nuk do të donim të konfirmonim pjesëmarrjen e plotë në të gjitha udhëtimet, por thjesht pse axhendat e këtyre udhëtimeve jo gjithherë përkojnë me axhendat tona. Kësaj radhe, në përbërje të ekipit tonë janë gazetarë e gazetare nga Thomson Reuters, ANSA, AFP, Deutsche Welle, VRT NIEUWS, Belgjikë, Asahi Shimbun, Guanming Daily China, KUNA, Agjensia e Lajmeve të Kuwaitit, La Suisse russe monthly; Europe Novelle, The Star, Afrika e Jugut etj. etj. Janë agjensi lajmesh e tituj gazetash me emër në gjithë botën, me të cilat është mësuar veshi dhe syri i lexuesit apo dëgjuesit. Ne po ju sjellim një emër jo aq të dëgjuar për veshin, për shembull, The Asahi Shimbun, gazetë japoneze, një nga pesë më të mëdhat kombëtare që ka Japonia, me botim mëngjes e mbrëmje, e cila në vitin 2010 ka arritur tirazhin 12 milionë kopje në ditë ! Me ta jemi dhe ne, dy editorë shqiptarë të The Voice of Albanians – www.voal-online.ch, platformë online, që po e rrit për çdo ditë numrin e vizitorëve dhe klikimeve, në saj të profesionalizmit dhe besueshmërisë të informacionit. Opinioni shqiptar është i etur të mësojë të vërtetën dhe të jetë i orientuar jo politikisht, por se si mund të bëhet qytetar i përgjegjshëm për të patur një shtet ligjor dhe një demokraci Perëndimore.

Grupin tonë e shoqëronte një ekip nga Presence Switzerland, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, me një axhendë të përpiluar si broshurë, me foto e ngjyra, model i seriozitetit dhe kujdesit ndaj gazetarëve dhe imazhit të institucionit që ka bërë ftesën.

Në çdo udhëtim, natyrshëm, vijnë edhe njohje të reja, ngaqë APES është një shoqatë në ndryshim e në përtëritje të përhershme, një shoqatë që shtohet vazhdimisht me anëtarë të rinj. Një njohje e re, e veçantë për ne, është zonja Paola Ceresetti, zyrtare e shtypit në Misionin e Përhershëm të Zvicrës pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Është një fytyre familjare për ne ngaqë për shumë vite ishte një nga gazetaret kryesore të lajmeve në televizionin zviceran në gjuhën italiane, RSI1. Me Paolën hyjmë menjëherë në bisedë, si të njohur të vjetër, ajo ka qenë në vendin tonë dhe komplimenteve tona iu përgjigjet në çast me komplimentet e saj, aq të natyrshme për një zvicerane me rrënjë italiane.

Gjithnjë nën moton “Të shikosh diçka me sytë e tu, ia vlen më shumë se nëpërmjet njëqind burimesh” (proverbë japoneze), tema njohëse e këtij udhëtimi është roli përherë në rritje i Zvicrës në sportin ndërkombëtar dhe roli përherë në rritje i sportit në jetën e Zvicrës e të zviceranëve. Shumë organiza dhe federata ndërkombëtare të sporteve kanë qendrat e tyre në Zvicër, si FIFA, në Zyrih; UEFA, në Nyon; Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, në Gjenevë; Bashkimi Evropian i Shoqatave të Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull, po ashtu në Zyrih, Bashkimi Ndërkombëtar i Ciklizmit, në Aigle. Ne e dimë të gjitha se të gjitha shortet dhe zarat e eveneve sporteve kryesore ndërkombëtare, duke nisur nga kampionatet e futbollit botëror, atij Europian etj etj, hidhen pikërisht këtu në Konfederatën Helvetike!

LOZANA KRYEQYTETI OLIMPIK

Ndërkaq Lozana, e ndodhur përkatësisht në kantonin Vo (Vaud) është kryeqendra e Lojërave Olimpike, thënë ndryshe Kryeqyteti Llimpik, ku e ka selinë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv etj. etj. Këtë rol Zvicra e luan edhe falë infrastrukturës së veçantë moderne në përkryerje të përhershme, ku vetë sporti bëhet faktor në infrastrukturën e jetës zvicerane, shkencës zvicerane, sistemit arsimor zviceran, nga më të mirët në kontinent dhe në botë. Kjo është pjesë e imazhit dhe realitetit të Zvicrës!

Profesor Jan-Anders Manson, një emër brilant me famë botërore në Universitetin Politeknik Federal të Lozanës, ( Zvicra ka dy Univeristete të kësaj kategorie, bashkë me Universitetin Politaknik të Zürich-ut), midis të tjerave, duke na treguar për veten na tha: „Jam suedez, kam studjuar në Siatëll, (Seattle), SHBA, po vendi më i mirë për të jetuar e punuar është Zvicra.

* * *

Ndalesën e parë e kemi në Shtëpinë e Sportit Ndërkombëtar, The House of International Sport, një kompleks unik që sjell nën të njëjtën çati disa faktorë të administrimit të sporteve ndërkombëtare, kryesisht seli të rreth tridhjetë e sa federatave dhe organizatave të sportit ndërkombëtar dhe të nja njëzet kompanive aktive në fushën e sportit. E ndodhur përgjatë brigjeve të Liqenit të Gjenevës, kompleksi i pagëzuar si Shtëpia e Sportit Ndërkombëtar, përfshin një ndërtesë pritjeje dhe tri blloqe zyrash, të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 5752 metrash katrore, me kafeteri, palestër gjimnastikore, si dhe shërbime të ndryshe makinash fotokopjimi, faks,, interneti, telefonash e tjerë.

Kjo infratrukturë e re jep një mundësi të shkëlqyer për organizatat sportive që të punojnë së bashku, të kultivojnë kontakte, të shkëmbejnë përvoja dhe të zbulojnë e shfrytëzojnë përbashkësitë e tyre. Këtu është duke na pritur zonja Cosima Deluermoz, Delegate e Sportit Ndërkombëtar e Kantonit Vo, për të na bërë një panoramë të përgjithshme se çfarë është Lozana për sportin ndërkombëtar, se çfarë është kantoni Vo si organizator e mikpritës i Lojërave Olimpike Botërore, se cilat janë infratrukturat që ecin bashkë me zhvillimin e sportit botëror, ku iu paraprijnë ato këtyre zhvillimeve e dukurive, cilat janë sfidat e reja të sportit botëror për infrastrukturat teknike si dhe për shkencat e dijet përkatëse të kohës së sotme e në ardhmëri.

Kthehemi rishtas tek imazhi. Për të patur një imazh të tillë, Zvicra punon, investon, përkushtohet, angazhohet. Këtë gjë e themi edhe nisur nga ky Media trip, i organizuar enkas për ne gazetarët, ku na presin kudo e na hapin kudo dyert.

Ajo që mësuam në lidhje me Shtëpinë Ndërkombëtare të Sportit dhe na u duk me shumë vlerë është fakti se të gjitha ata që dëshironin të hapnin këtu, në kuartierin kryesor të Kryeqytetit Olimpik, federatën ndërkombëtare të ndonjë sporti, qyteti i Lozanës dhe kantoni i Vaud, ndihmon duke nisur që nga sigurimi i lejeve të qëndrimit deri tek oferta gratis për dy vjet e qirave të zyrave! Kuptoni!

TEK GJYKATA NDËRKOMBËTARE E ARBITRAZHIT OSE ‘HAGA E SPORTEVE NDËRKOMBËTARE’
Nga një mjedis i supersofistikuar dhe modern i Selisë së Sporteve Ndërkombëtare, ndodhemi para Château de Béthusy, një kështjelle jashtëzakonisht e bukur dhe për minuta të tëra duam vetëm të fiksojmë gjithçka në kamerat dhe aparatet tona. Kush jeton në këtë kështjellë ? Ndonjë supermilioner, ndonjë guru, sheik apo yll Hollywood-i ? Jo, ndodhemi përballë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sportet, Court of Arbitration for Sport, e konsideruar ndryshe si Haga e sporteve ndërkombëtare. Selia qëndore e saj është në Lozanë, ndërsa gjykatat i ka në Lozanë, New York dhe Sideny. Këtej kalojnë proceset e atyre që cënojnë Kodin Botëror të Anti-Dopingut. Mikpritës është zotëri Matthieu Reeb, Sekretar i Përgjithshëm. Biseda zhvillohet në sallën ku mbahen seancat dëgjimore mes palëve ankuese dhe palëve të paditura.

Gjykata e Arbitrazhit e Sporteve është themeluar më 1984 nga Këshilli Ndërkombëtar i Arbitrazhit të Sporteve nën autoritetin administrativ dhe financiar të të cilit është. Është një organizëm privat që ka fituar famë dhe kredibilitet botëror. Ka rreth 300 arbitrues nga 80 vende, të zgjedhur si dijetarë specialistë për ligjin e arbitrimit dhe të sportveve. Rreth 200 procedura në vit janë regjistruar pranë kësaj gjykate. Rekordi u arrit në vitin 2008 me 318 raste. Gjykata krijon trupa gjykuese jo të pëhershme në Lojërat Olimpike, në Lojërat e Komënuelthit dhe në veprimtari të tjera të tilla të mëdha ndërkombëtare. Zotëri Reeb nuk ndodhet përballë avokatëve, por përballë gazetarëve, zeja më e përditshme e të cilëve janë pyetjet. Një dëshirë e jona për të dëshmuar kulturën sportive, plus shqetësimet që mbart secili për problemet e sporteve në vendet prejardhëse, e bën bisedën tejet të gjallë dhe interesante. Për më tepër, kur me rastet gjyqësore lidhen shpesh emra të mëdhenj në sportin botëror.

Ne e pyesim, për shembull, rreth rastit të çiklistit amerikan Lance Armstrong, tetë herë fitues i garës më të madhe botërore në këtë fushë, Tour de Francë. Zotëri Reeb na përgjigjet se z. Armstrong duhej të paraqitej para kësaj gjykata, por ai pranoi se trofetë e tij ishin fryt i dopingut, kështu që ato u vlerësuan të pamerituara nga kjo gjykatë. Rasti i tij është shumë i veçantë se Gjykata nuk kishte patur asnjë provë kundër tij.

Pyetjet variojnë nga ato statistike, lidhur me ngarkesën e kësaj gjykate, kohën e zgjidhjes së çështjeve, zbatueshmërinë, raportet me legjislacionin ndërkombëtar, me ligjshmërinë civile dhe me atë penale. Gjykata ka rol ndërmjetësues, ka rol vendimarrës, nëpërmjet tyre rol edukues për sportin dhe sportistët. Dhe detyra e saj nuk do të përmbushej as ndikimi i saj nuk do të vinte në rritje nëse nuk do të kishte bashkëpunim sa më të përkryer me ekspertët e shumë të kriminalistikës të fushave të caktuara, me laboratorë nga më modernët e kohës. E pyetëm patjetër edhe për pagasat, të cilat janë në varësi të të ardhurave, nga 100 franga deri 25 mijë, kur të ardhurat për vit i kalojnë 10 milionë frangat.

PIKËTAKIME TEKNOLOGJIKE DHE SPORTIVE

Drekën e kalojmë në një restaurant të shkëlqyer, Starling Restaurant, me një meny të shkëlqyer me shoqërinë e shkëlqyer të kolegëve dhe ekipit nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, në shoqërinë e verës dhe shoqërinë jo larg prej nesh të Liqenit Leman. Me ne drekon edhe Prof. Jan-Anders Manson, i Teknologjisë Bazë dhe Polimere, President i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave dhe Teknologjisë së Sporteve, specializuar në kërkimet arsimore dhe të zbatuara në studimet e sporteve, i cili pastaj na shoqëron në auditorin pranë Universitetit Politeknik Federal të Lozanës. Prof. Jan-Anders Manson e kemi përmendur në krye të këtij reportazhi.


Profesor Manson ka doktoruar në inxhinerinë mekanike në Universitetin Teknologjik të Goteburgut të Suedisë, ka marrë titullin profesor në Universitetin e Uashingtonit, Siatëll për Inxhineri Kimike dhe për teknologjinë polimere në Universitetin e Stokholmit.
Prej vitit 1990 është profesor dhe Drejtor i Laboratorit në Institutin e Materialeve në Universitetin Federal Politeknik të Lozanës. Kërkimet e tij janë të përqëndruara në strategjitë e reja të zbatimit të teknologjive në kontekstin industrial. Partnerë të tij kërkimorë janë industritë e automjeteve, hapësinore, mjekësore dhe sportive. Ai ka mbi 500 publikime shkencore dhe është anëtar i bordeve të disa revistave shkencore bashkëkohore, është anëtar aktiv i disa akademive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare shkencore. Në aspektin sportiv ai është anëtar i Bordit të të Besuarve në Fondacionin Antidoping të Zvicrës, Kryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Sporteve, anëtar i Asamblesë së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera sportive. Për kureshtjen e lexuesve, mund t’iu themi se është përgjegjës shkencore në Universitetin e Lozanës për projektin e Bertrand Piccard në Solar Impuls, avionin që punon me energji diellore. Pra figurë e vërtetë jo shaka!

Universiteti Politeknik Federal i Lozanës është i pari në renditjen e universiteteve të Evropës dhe ndër të parët në renditjen e universiteve botërore, na sqaron profesori. I vetmi universitet tjetër federal i këtij lloji është ai i Zyrihut, edhe ai ndër më të mirët e kontinentit dhe më gjerë. Duke e dëgjuar Profesor Manson në ligjëratën e tij, me një shpjegim brilant – na hyp dëshira që të kthehemi e të bëhemi rishtas studentë. Por koha nuk na pret dhe na sfidon. I ngrejmë duart lart! I dorëzohemi kohës!
* * *
Drekat dhe darkat gjatë udhëtimeve të APES kanë natyrë çlodhëse e përtëritëse sa dhe njohëse dhe bashkëpunuese. Vendet në restaurante herë janë të përcaktuara e herë jo. Aty improvizohen biseda sipas interesimeve të përbashkëta të grupeve të gazetarëve. Në tryezën tonë gjatë drekës në Starling restaurant pranë nesh patëm kolegun japonez Ishiguro Yutaka, nga The Yomiuri Shimbun, një tjetër gazetë japoneze, që botohet në Tokio dhe disa nga qytetet më të mëdha të Japonisë, në grupin e pesë gazetave më të mëdha që dalin në vend, me një tirazh rreth 14 milionë kopje në ditë, ekspert i zhvillimeve politike dhe ekonomike sidomos atyre të Kosovës. Na tregoi se e kishte intervistuar edhe Sali Berishën. Gazetari japonez na la pa gojë, aq në brendësi të proceseve politikave ishte dhe njohje rreth procesit të privatizimit e të përparësive të investimeve në Kosovë. Folëm edhe për tërheqjen e grupit Albright në privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ishim me një mendje. E ku do t’i gjente Kosova investitorë më të besueshëm se ai i Grupit Albright! Folëm edhe për dashurinë që ka populli i Kosovës për Zonjën Albright. Me kolegun japonez ndanim të njëjta mendime.

Në darkën me grill në një restaurant të bukur brënda në qytetin e Lozanës patëm një bisedë shumë të bukur me Uehara Akiko, gazetare japoneze, e lindur dhe shtetase në Zvicër. Me zonjën Uehara, nga The Asahi Shimbun folëm veç të tjerave për letërsinë dhe përkthimet. Kur po i tregonim se djemtë tanë i kanë shumë qejf Mangat japoneze, ajo na impresionoi kur na tha se poezitë e Charles Baudelaire i ka lexuar për të parën herë pikërisht kur ishte fëmijë përmes Manga-ve. Shikoni se çfarë bën Japonia për të edukuar dhe kultivuar brezin e ri. Se si e përçon kulturën nacionale dhe botërore që të asimilohet sa më mirë. Ndërsa tek ne në Shqipëri shkollës po i vihet kazma, një dramë e përmasave kombëtare që na trishton pa fund.

Në një kënd të veçantë të Lozanës, ndodhet Instituti i Shkencave të Sportit, Qendra e Sportit dhe Shëndetit, pranë Universitetit Federal të Lozanës, pikërisht ajte ku ndodhen laboratorët më modernë dhe më të pagabueshëm të botës bashkëkohore. Instituti ndodhet në një mjedis natyror të veçantë, nga ata që mund të ndeshen vetëm nëpër filma hollivudianë të fantashkencës. Dhe ne përfitojmë sërish të fiksojmë veten në kuadrin e këtyre mjediseve. Jo larg nesh, bile shumë afër ndodhet Liqeni Leman, në një përzierje të magjisë shkaktuar nga bukuria e natyrës dhe përkujdesjes të dorës të njeriut. Drejtori Grégoire Millet, ndërkohë na shpjegon rritjen e pagabueshmërisë së këtyre laboratorëve dhe teknologjive të reja në përgjithësi në fushën e sporteve, lidhjet përherë e më të fuqishme midis instiucioneve të shëndetit dhe botës së sportit, rolin e sportit në rritjen e shëndetshmërisë së shoqërisë, pjesën e sportit në kulturën e përditshme dhe në kulturën shëndetësore të individit dhe një mori të pafundme ndërlidhshmërish të tjera.

 

KOMITETI OLIMPIK – KËSHTJELLA OLIMPIKE E ZHYTUR NË GJELBËRIM

Dhe, natyrisht, çatia e gjithë kësaj bote sportive, Himalaja e saj, është pikërisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Një ndërtesë e konsideruar tip kështjellë, por e zhytur në gjelbërimin e një pylli të moçëm mbi njëqindvjeçar, tejet çlodhës, na fton të përmbyllim një ditë veprimtarish tejet të dendura njëra pas tjetrës.

Në zanafillën e saj, diku në thellësi të mesjetës, e famshmja Château de Vidy ishte kishë, ndoshta nga më të hershmet e zonës, këtu në brigjet e liqenit Leman. Në vitin 1669, kisha u bë shtëpi banimi, e cila kaloi nëpër zotërues të ndryshëm, nëpërmjet blerjesh, nëpërmjet trashëgimish ose nëpërmjet martesave. Shndërrimin e parë rrënjësor ajo e ka pasur në Shekullin e XVIII, kur nga Gjeneva erdhi për të banuar këtu Familja de Loys. Me ripërtëritjen e ndërtesës u muarën dy arkitektë të famshëm të kohës. Punimet përfunduan plotësisht më 1774. Më 12 maj 1880, Napoleon Bonaparti, i cili në atë kohë ishte konsull i parë i Francës, pra kryesundimtar i saj, i cili po iu bënte kontroll të përgjithshëm trupave të tij, para se të marshonin në qafën e Shën Bernardit, u prit këtu në dhomën më të madhe të miqve. Më 1919, familja de Loys ua shiti ndërtesën bashkë me sipërfaqne rrethuese prej 27 hektarësh institucioneve të ndryshme zvicerane, kryesisht atyre të sistemit ushtarak. Për dhjetëra vjet ajo kaloi në duart e bashkisë së Lozanës, duke iu nështruar punimeve të ndryshme përshtatëse. Deri më 1 mars 1968, kur këtu vendosej Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ajo kishte shërbyer për Qendrën Evropiane të Kërkimeve dhe pjesërisht për zyrat e Institutit të Kërkimeve të Komunikimit Masiv pranë Universitetit të Lozanës.
Kjo është edhe periudha e kulmimeve të para në marrëdhëniet mikpritëse të Zvicrës ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, zanafilla e të cilave daton prej vitit 1908, në të cilin sot aderojnë 205 komitete olimpike nacionale, përbërë nga 126 vende, që mblidhet një herë çdo vit, me një president me mandat tetë vjeçar. Presidenti aktual është Thomas Bach i zgjedhur këtë vit. Këtu në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar zhvillohen sesione shkecore, simpoziume, konferenca, kongrese, festat jubilare, këtu nënshkruhen marrëveshje të panumërta, të cilat do të shënojnë edhe rritjen e këtij institucioni dhe forcimin e lidhjeve me Zvicrën, veçanërisht me Lozanën, Kryeqytetin Olimpik. Ciceroni jonë kësaj here është zotëri Patrice Chollet, kryetar i Bashkërendimit të Strategjisë Rinore në krye të programit të ri të këtij Komiteti, i cili na kalon nëpër sallat muzeale duke interpretuar simbolet figurative në muret dhe në mjediset e institucionit, duke kaluar nëpër historikun dhe figurat kryesore të olimpizmit botëror dhe rolin e Zvicrës, që është fondamental sepse ka krijuar të gjitha kushtet dhe infrastrukturën. Kur takimi ka përfunduar i gjithë grupi i gazetarëve bashkë me zotëri Patrice Chollet fiksohemi në foton përballë hyrjes kryesore të Komitetit Olimpik.

 

LARTËSITË E BURGDORFIT

Megjithëse ishim befasuar pa fund, befasia e befasive, megjithatë, do të ishte e nesërmja e udhëtimit tonë. Pasi jemi larguar nga hoteli ynë, me autobusin tonë shuttle, duke përshkuar pamje nga piktoresket e mundshme, jemi në Burgdorf të lokalitetit Emmental, sipas markës të njohur të djathit, të kantonit të Bernës, ku është duke u zhvilluar «Fédérale» një nga ngjarjet më të mëdha popullore festive që mbahen në Zvicër, një herë në tre vjet në vende të ndryshme. Kësaj here qëlloi në Burgdorf. Një lloj mundje , si një Wrestling zviceran, dhe Steinstossen, një sport i vjetër me hedhje guri. Këtu ishim të ftuar edhe ne. Bashkë me gazetarët zviceranë ishim të privilegjuar, pasi na ishte rezervuar vendi në tribunën e « Emmental Arena »-s, stadiumi i hapur, më i madhi në Zvicër dhe nga më të mëdhenjtë në Europë. Këtu përmbajtja sportive është zvicerane, një lloj tradite të cilën zviceranët e konservojnë me kujdesin më të madh. Në përfundim të aktivitetit, do të dilte fituesi, i cili do ta mbajë trofenë për tre vjet. Siç e thamë, kjo është veprimtaria më e madhe sportive dhe një nga festivalet me domethënëse zvicerane – një veprimtari shumëdimensionale, sportive, shpirtërore, kulturore, komerciale, turistike, me vlera unikale. Kërkon mot të mirë, do këshillim paraprak me meteorologët, për të gjetur javën më të qëndrueshme të stinës së verës. Dhe kjo e tanishmja është përzgjedhja më e pagabueshme. Asnjë fije reje nuk guxon të shfaqet diku larg apo diku afër nëpër qiellin zviceran, aq më tepër në qiellin e këtushëm lokal. Po lahemi prej rrezeve të diellit.

 

Kur hymë në zonën e festës, automjeti ynë është i vetmi që lëviz. Të gjitha lëvizjet e tjera janë këmbësore. Pjesëmarrësit në veprimtari i kanë parkuar veturat e tyre nëpër livadhet pranë, me mijëra sosh, të tjerët i kanë rreshtuar në varg pa mbarim biçikletat e tyre. I gjithë rrjeti i qarkullimit publik të zonës – ai i trenave, i tramave, i busëve – është përshtatur për veprimtarinë kombëtare. Ndërkohë, në një rreze prej 50 kilometrash largësi rreth e rrotull, prej ditësh të gjitha vendet në hotelet janë zënë prej kohësh.

Mikpritësi i gazetarëve, atyre të APES, atyre të mediave të huaja, qendrore dhe lokale, është zotëri Fabio Lorenzet, Zëdhënës i Medias Ndërkombëtare, i cili na shpjegon se punonjësit e paguar që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë janë vetëm 230, ndërsa ata që punojnë vullnetarisht, pa asnjë pagesë janë 3500. Burgdorfi është një qytet i vogël, me 17 000 banorë, por këto ditë ai është populluar nga 250 000 deri 300 000 vetë. Buxheti i veprimtarisë shkon në 25 milionë franga zvicerane. Në mensat e ngritura, gjatë tri ditëve kryhen 70 000 orë punë, konsumohen 23 mijë kilogramë mish, 105 mijë litra ujë mineral, 6000 mijë litra shnaps (pije e fortë), 70 000 kafé, pa llogaritur pijet, lëngjet, frutat dhe ushqimet e tjera që konsumohen këtu.


Mediat e Zvicrës i japin papushim gjithë këto ditë publicitet veprimtarisë që po zhvillohet në Burgdorf, reklamat e pafundme të firmave zvicerane, nga ato shumëkombëshe me shtrirje globale, deri te ato lokale, janë të afishuara gjithandej nëpër mjediset ku zhvillohet kjo veprimtari. Në reklama kemi parë edhe vajza të reja që garojnë në sportin e mundjes. I pyesim organizatorët nëse tashmë kjo së shpejti do të jetë risi e kësaj gare. Na përgjigjen se ende mbetet në nivel lokal, por synimet janë që festivali i mundjes popullore të përfshijë edhe femrat garuese në këtë sport dhe sportet e tjera alpine.

Fituesi i garës së mundjes, kampioni i ri, shpërblehet me një dem njëvjeçar që peshon 1200 kilogramë dhe që kushton 22 000 franga, fituesit e tjerë marrin shpërblime dema, kuaj dhe lopë. Të gjithë garuesit janë amatorë, nuk janë pjesëmarrës në sporte të tjera, merren me profesione të thjeshta të bujqësisë dhe të fshatit. I vetmi që i ndryshon jeta pas këtij akvititeti është kampioni i ri, i cili është në qendër të mediave me intervista, në qendër të reklamave, por edhe ai nuk shkëputet nga profesioni që ka. Sivjet Mbreti i kësaj gare është 27 vjeçari Matthias Sempach. Në ceremoninë festive mori pjesë edhe Presidenti i Konfederatës Ueli Maurer, ndërkohë që gjithë vemendja e publikut zviceran i mbante sytë e mbërthyer në Burgdorf. Analistët sportivë i krahasojnë këto sporte me ato që zhvillohen në Japoni, në Kinë apo në vende të tjera aziatike me kulturë të lashtë. Në fakt, ato kanë evropianitetin e tyre, burimësinë e tyre të kontinentit tonë.

Ne grupi i gazetarëve të APES e lamë Burgdorfin në kulmin e ngjyrave dhe festimeve, duke marrë me vete impresionet më të bukura se si një komb i civilizuar e mbron, e ruan dhe e vazhdon me krenari kulturën e vet, qoftë ajo materiale apo shpirtërore. Dhe ne shqiptarëve nuk ka si të mos na dhembë prapë zemra kur kemi parasysh se si kultura shqiptare është lenë në mëshirën e fatit.

Aty edhe u ndamë me kolegët dhe ekipin e DFPJ, duke marrë trenin në klasit të parë, nëpër destinacione të ndryshme, një palë në Gjenevë, të tjerë në Zyrih, Bernë apo Bazel. Me atë përshëndetjen tonë tashmë si refren: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!/Gusht 2013

 

 

 

 

 

Depresioni i Madh, parë me sytë e fotografes zvicerane Annemarie Schwarzenbach

VOAL – Mes viteve 1936 e 1938, fotografja zvicerane Annemarie Schwarzenbach vizitoi Amerikën disa herë. Swissinfo.ch paraqet një përzgjedhje të fotografive të saj që dokumentojnë jetën amerikane gjatë periudhës së Depesionit të Madh.

Kriza e gjatë ekonomike, që pasoi rënien e bursës së Nju Jorkut më 1929, goditi shtresa të gjera të popullsisë amerikane, duke varfëruar pjesën më të madhe të klasës së mesme. Në ato vite Annemarie Schwarzenbach udhëtoi përmes qyteteve dhe fshatrave amerikane për të njohur njerëz dhe historira.

Më 1936 reporterja zvicerane pasqyroi ndër të tjera rizgjedhjen e Franklin Roosevelt në New York e vitin pasues shkoi në Shtetet e Jugut bashkë me gazetaren e fotografen amerikane Barbara Hamilton-Wright. Me telekamerat Rolleiflex dy gratë dokumentuan jetën e çdo dite në  burgjet, në plantacionet e pambukut, nüe fabrikat dhe rrugëve. “Vizioni i një të ardhmeje më të mirë, ëndrra amerikane, është errësuar nga hijet e rrugëve që të çojnë në Jug,” shkruan Annemarie Schwarzenbach në reportazhin e saj “On the dark side of Knoxville”.

Me rastin e 75 vjetorit të vdekjes së Annemarie Schwarzenbach, Biblioteka Nacionale Zvicerane, publikoi mbi 3’000 fotografi të shkrepura në udhëtimet e saj mes viteve 1930 e 1940 në Europë, Afrikë, Amerikë e Azi.

 

 

 

Drejt SHBA në bordin e S.S Berengaria, Tetor 1937

New York

Varreza e automobilëve, Tennesse, 1937

Fabrikë në Cincinnati, Ohio, 1938

Knoxville, Tennessee, 1937

 

Knoxville, Tennessee, nëntor 1937

Cumberland, Tennessee

Montgomery, Alabama

 

Punëtorë në Montgomery, Alabama, 1937

Montgomery, Alabama

Tuskegee, Alabama, ku shkrimtari Booker T. Washington ka themeluar shkollën e parë për popullsinë me ngjyrë në Shtetet e Jugut

Burg në Harris, Texas, 1937

Savannah, Xhorxha, 1937

Lumberton, Karolina e Veriut, 1937

Fshatarë të Tennessee

 

 

Pianoja – Poezi nga Else Lasker-Schüler – Përktheu: Skënder Buçpapaj

 

 

Unë kam në shtëpi një piano blu.

Dhe, pra, nuk njoh fare asnjë notë.

 

Ajo rri në errësirë në bodrum

Prej kohës qëkur zuri fill kjo botë.

 

Luajnë duart e yjeve kuturu

-Hyjnesha e Hënës në lundër seç ia thotë-

Tash miushët hedhin valle me rrëmujë.

 

Është thyer pianoja dhe me kujë

Vdekjen blu e qaj dhe me lotë.

 

 

Oh engjëll i dashur lutem unë

-Pelin i hidhur për mua qe kjo botë –

Për së gjalli hapma derën e qiellit të pafund-

Përkundër gjithë ndalimeve të kotë.

 

Else Lasker-Schüler, emri i lindjes Elisabeth Schüler (Elberfeld, 11 shkurt 1869 – Jerusalem, 22 janar1945), poete surealiste gjermane, konsideruar poetja më e madhe hebreje dhe fenomeni lirik më i shquar i Gjermanisë moderne. Pas një jete private të trazuar dhe një shëndeti gjithnjë e më të përkeqësuar, e kërcënuar dhe e sulmuar nga Partia Naziste, ajo emigroi në Zyrih. Iu hoq shtetësia gjermane. Udhëtoi prej Zyrihut  tri herë në Palestinë. Në udhëtimin e tretë, u sëmur për vdekje. U varros në Malin e Ullinjve në Jeruzalem.

Është e përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë moderne zvicerane. Botoi këto vëllime poetike:

 

  • Styx (1902)
  • Der siebente Tag – Dita e shtatë (1905)
  • Meine Wunder – Mrekullia ime (1911)
  • Hebräische Balladen – Balada Hebreje (1913)
  • Gesammelte Gedichte – Poezi të përmbledhura (1917)
  • Mein blaues Klavier – Pianoja ime blu (1943)

Pikëtakim i ri me Tiçinon, tek e famshmja Lulja e Gurit – Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Me kolegët tanë të APES-it, javën që shkoi ishim në Tiçino. Ishte një udhëtim i organizuar në partneritet me Swissturismus, nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer me APES. Në Lugano grupin e gazetarëve e pret vetë Mr.Turizmus Federico Sommaruga, që më vonë do të na tregonte për vizitën e tij zyrtare në Tiranë, udhëtimin me teleferik në Malin e Dajtit, kështjellën e Krujës dhe për bregdetin shqiptar që priste ta shihte në një udhëtim të ardhëm.

Portali jonë Zëri i Shqiptarëve, megjithëse më i lexuari shqiptarofolës në Zvicër dhe në gjithë diasporën shqiptare në botë, nuk ka marrë asnjë informacion. Kryeministri Edi Rama flet pastaj për diplomaci ekonomike apo krijon portofol ministrie për emigracionin, kur, në mantatin 4 vjeçar pararendës, nuk ka treguar as interesin minimal për diasporën shqiptare në zemër të Europës dhe në botë.

Por le të kthehemi në kantonin e Tiçinos që të ofron diçka të re sa herë e viziton. Kësaj here grupi jonë do të ishte i përqëndruar kryesisht në qytetin Luganos e rrethinat e tij.

Sapo mbërrijmë pas një udhëtimi komod në klasin e parë befasohemi nga stacioni i trenit ndërtuar tërësisht i ri, i vendosur si në një ballkon mbi lartësi përballë pamjes magjike të Liqenit të Luganos.

Në hotel me të arritur na japin bileta gratis për të lëvizur me mjetet e qarkullimit publik, bus, tren, anije nëpër të gjithë Tiçinon gjatë gjithë kohës të qendrimit. Kjo është një risi tiçineze në mbështetje të turizmit lokal.

Udhëtimi ynë këtë herë në Tiçino përkon me ndërrimin e stinëve, kur vera gjithandej ia ka lëshuar vendin vjeshtës. Por këtu është ndryshe, këtu të dyja stinët duket se kanë bërë një kompromis, për të qenë të pranishme në të njëjtin vend dhe kohë. Me një fjalë, vjeshta ka ardhur, por vera nuk ka ikur. Këtë na e thotë Liqeni që shkëlqen prej rrezeve të diellit; njerëzit që shëtisin të shpenguar rrugëve nën shoqërinë e mjellmave, duke u ndalur nëpër bare e restaurante; jeta e natës alla Dolce Vita.

Tiçino po na pret mrekullisht me ngrohtësinë e qytetit të Luganos dhe mënyrën e organizimit nga ana e mikpritësve për ta prezantuar kësaj here zonën e tyre sa më bukur përmes enogastronomisë të traditës.

Grupi jonë i gazetarëve e nisi mbrëmjen duke ndaluar nëpër bare, restaurante dhe tavernat më pikante të Luganos nisur nga emri i njohur Bernasconi duke shijuar verën dhe specialitetet gastronomike të gjitha me markë nga Tiçino.

Kryefjala e darkave ishte vera Merlot, e llojeve të ndryshme, diku e shoqëruar me lardo të prerë hollëz si fletëza transparente, me llojëra të pafund proshutërash, mishrash të tymosur, djathrash me qumësht dhie e duke mos harruar polentën me kokrriza në ngjyrë të kuqe e të zezë gatuar me kërpudha pylli.

Vera e cilësisë më të lartë arriti kulmin me një Merlot të bardhë përgatitur duke e zhveshur rrushin nga lëkura, një prodhim origjinal vendas.

Teksa na e shërbejnë, të zotët e lokaleve na e shpjegojnë se sekreti i shijes së papërsëritshme të Merlotit tiçinez nuk është vetëm tek teknologjia, por pikësëpari tek toka që e prodhon atë dhe dielli, që ia japin shijen unike.

Lëvizja nga njëri lokal tek tjetri nën shoqërinë e verës bëhet edhe më e magjishme pranë palmave dhe xixëllojave të dritave nga zonat e banuara për rreth liqenit. Përballë na shfaqet Mali Bré krejtësisht i mbuluar nga ndriçimi duke i dhënë një pamje surreale atmosferës mesdhetare të këtyre mbrëmjeve luganeze.

Në qytet ka jetë të pasur kulturore. Përgjatë spostimeve si shëtitje në këmbë nga reklamat dhe nga Patrizia, guida jonë shumë e përkushtuar mësuam se këto ditë në Lugano po kujtohej aktori komik italian Toto.

E reja tjetër është Qendra e Kulturës e Luganos, LAC – Lugano Arte e Cultura e inauguruar me 2015, një ndërtese gjigande me një arkitekturë të jashtme dhe të brendshme nga më modernet e më origjinalet e dizajnuar nga Ivano Gianola. Momentalisht aty po mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrove. Në këtë qendër kulturore është inkorporuar salla e koncerteve, e shfaqjeve teatrore, ka biblioteke, salla për ekspozita dhe evente si dhe aty është i vendosur edhe muzeumi i ri i artit me një koleksion permanent nga Muzeumi i arteve i Zvicres italiane. Vizitën tonë në Lugano e nisëm pikërisht prej këtej.

E përtërirë është edhe Kisha Shën Maria e Engjejve, të cilën e kishim parë kur ishte në restaurim. Është ndër më të vjetrat, pothuaj e ka themeluar Luganon, ndërsa afresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit.

Kulmin e udhëtimit tonë e shënon vizita në Monte Generoso (Mali Bujar), ku u takuam nga afër me një nga kryeveprat arkitekturore, firmosur nga akitekti i famshëm vendas Mario Botta.

Në lartësinë 1705 metra mbi nivelin e detit qendron Fiore di Pietra, Lulja e Gurit, një metaforë që nuk ka si të mos i shkojë kullës së ngritur në një nga pikat më piktoreske jo vetëm në Zvicër, por edhe në botë.

Vera që kishim pirë deri në mesnatë nuk na pengoi të zgjoheshim herët sepse programi i ngjeshur fillonte menjehere pas ngrënies të mëngjesit.

Në Stacionin Qendror në Lugano u nisëm për në Capo Lago. Këtu priste treni i vogël dhe nëpërmjet linjës së posaçme hekurudhore bëjmë 9 kilometër rrugë në ngjitje deri tek Fiore Di Pietra.

Për në Capo Lago treni kaloi stacionin e Melides, ku ndodhet Swissminiaturë. Ngjitur me Melide ndodhet Morcote, ku ne për të shkuar atje tre vjet më parë morëm nga Lugano anijen nëpër liqen.
Në Morcote vizituam varrin e Aleksandër Moisiut dhe bashkoshortes së tij. Vjet, më 2016 Morcote u shpall qyteza më e bukur në gjithë Zvicrën.Por kësaj here kishim destinacione të tjera.

Në Capo Logo, bashke me ne në tren kishte plot turistë të huaj dhe zviceranë. Zvicra vizitohet nga rreth 36 milionë turistë në vit, nga këta rreth 20 milionë janë të huaj dhe 16 milionë zviceranë. Tiçino nga rreth 3 milionë.

Treni ku hipëm është i veçantë. Edhe shinat ku ec po ashtu, të përshtatura për sigurinë e ngjitjes në lartësi.

Lexuesin tonë edhe më herët ne e kemi njohur me këtë mjet dhe me këtë infrastukturë të jashtëzakonshme udhëtimi në Zvicër.

Në Lucernë, për shembull, ku pati përdorimin më të hershëm, ky lloj treni i vogël quhet Pilatus, për shkak të emrit të malit të Lucernës, nga kulmi i të cilit mund të shikohen 73 maja malesh. Ideatori për ngjitjen e maleve ishte inxhinieri Eduard Locher në shekullin e XIX. Shumë njerëz e quajtën atë të çmendur, duke parë relievin e thepisur dhe defektet që mund të kishte mjeti në ato vende. Por ideja e tij e çmendur u bë realitet me inaugurimin e linjës hekurudhore. Kjo vepër u ndërtua në 400 ditë nga 600 njerëz. E gjatë 4618 metër, që të çonte nga Alpnachstadi në Pilatus Kulm. Linja u përdor nga një tren me avull deri më 1937. Ajo që sot mbetet një nga vendet më të thepisura në botë është konsideruar një kryevepër inxhinjerike.

Kjo mënyrë udhëtimi është edhe për në Monte Generoso, 125 vjet e vjetër, që pati periudhën e saj të krizës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur, me rënien e përkohshme të interesit turistik, pronari i atëhershëm e shiti dhe më 1941 atë e bleu themeluesi i Migrosit, Gottlieb Duttweier. Prej atëherë Migros ka përqindjen e saj të aksioneve në këtë infrastrukturë dhe në industrinë përkatëse të turizmit.

Ngjitja nga Capo Lago deri në kuotën 1705 metër të Monte Generoso është më se mahnitëse. Para syve tanë kalojnë të gjithë brezat pyjore dhe të bimësisë. Një adrenalinë të veçantë japin zonat e zhveshura, tejet të rrëpirta. Pika më e lartë e udhëtimit, ku ndodhet edhe Fiore di Pietra, maja më panoramike e Tiçinos dhe nga më të magjishmet e Zvicrës, lejon një shikim 360 gradësh ku spikat Liqeni i Luganos, Lugina e Lumit Po deri tek Apeninet, masivi alpin i Gotthardit dhe Bernina. Më të pasionuarit vijnë këtu për të parë lindjen e diellit dhe gjithë shndërrimet që pëson natyra gjatë trajektores së diellit deri në perëndimin e tij, në një mori të pafundme ngjyrash dhe nuancash. Turistët e dhënë pas aspektit aventuror ndalin në stacionet e ndryshme për të shkelur me këmbë shtigje të vështira malore.
Linja hekurudhore e Monte Generosos, përuruar më 1890, është një ndër të parat e ndërtuara në Zvicër. Ndër vizitorët më të famshëm të saj janë Mbretëresha Margerita e Savojës, Princi i Kurorës më vonë Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III, Princesha Enriketa e Saksonisë, Mbreti Boris i Bullgarisë, Mbretërsha Xhovana e Savojës, romancieri francez Hektor Malot, poetesha italiane Ada Negri e shumë të tjerë.

Hotel restoranti Vetta, i ndërtuar në truallin ku deri atëherë ndodhej Hoteli Kulm, do të mbyllej më 2010 për shkak të një fundosje që ndodhi poshtë ndërtesës, nga rrëshqitja e një shkëmbi. Prishja e ndërtesës zgjati deri më 2014 dhe Migrosi vendosi të ndërtojë një restorant të ri panoramik. E kjo iu besua kujt tjetër post arkitektit tiçinez me famë botërore Mario Botta.

Fiore di Pietra është një ndërtesë tetëkëndëshe e përbërë nga tetë “petale”. Tetë “petalet” janë prej gurësh gri. Në pesë katet e kullës ka dalje nga të gjitha anët tek dritaret e gjera që përshkojnë gjithë katet. Në mjediset e brëndëshme ndodhet restauranti, një tjetër restaurant self-service, të dyja me kapacitet për 120 vetë, salla e konferencave e të tjera ndërsa pjesa e posaçme është tarraca në majë të ndërtesës nga mund të kundrosh nga të gjitha anët panoramat, duke të krijuar ndjesinë se je në avion dhe me dorë mund të prekësh qiellin.

Arkitekti Mario Botta e konsideron realizimin e këtij projekti që ka kushtuar 25 milionë franga zvicerane si një kthim në zanafillën e tij. Kur ai ishte i ri dhe me miqtë e tij organizonin shpesh udhëtime aventurore duke i kaluar ditët dhe netët e verës në këto lartësi. Që atëherë brenda tij rritej dëshira që të bënte diçka për të rinjtë e vendlindjes.

Fiore di Pietra u përurua më 29 mars 2017 dhe u hap për publikun më 8 prill.

Grupin tonë të gazetarëve e pret një tjetër surprizë. Ne jemi të privilegjuar sepse tek Fiore di Pietra na pret i biri i arkitetit Mario Botta, Tobias Botta, edhe ky arkitekt, tejet i pasionuar dhe i dashuruar pas veprës së babait të tij që na e zbërthen metaforën e Lules së Gurtë. Në tren, gjatë rrugës të kthimit Tobias Botta, i jep një intervistë të plotë kolegut tonë dhe presidentit të APES Jean Musy.

Ndersa në Lugano temperatura ishte 25 gradë C, në Monte Generoso shënonte 12-13 gradë C. Po kjo është e bukura e Tiçinos.

Prej Monte Generoso në rrugën e kthimit u ndalëm në Capo Lago për të ngrënë drekë. Prej aty morëm trenin drejt Belinconës, kryeqendrën e kantonit, në ceremoninë përuruese të Ignazio Cassis. politikanit.56 vjeçar tiçinas, me profesion mjek i cili prej 1 nëntorit merr detyrën e Ministrit të Jashtëm të Zvicrës, 20 vjet pasi këtë post e mbante një tjetër tiçinas, Flavio Cotti. Ignazio Cassis (Injacio Kasis) u zgjodh në këtë detyrë më 20 shtator, i propozuar nga Partia Liberale Zvicerane, duke pasuar në këtë detyrë Didier Burkhalterin e dorëhequr. Ai ka njëzet vjet karrierë politikë të suksesshme në parlamentin kantonal e pastaj atë federal. Zgjedhja në këtë detyrë e këtij politikani shumë popullor është pritur me entusiazëm në Tiçino. Ai është ministri i tetë në historinë e Zvicrës me prejardhje nga Tiçino.

Tiçino ka një sipërfaqe 2812 kilometër katrorë me rreth 350 mijë banorë, pra dhjetë herë më e vogël se Shqipëria. Në këtë sipërfaqe sektori i turizmit ofron 438 hotele me rreth 20 mijë shtretër ndërsa 30 mijë shtretër të tjerë i ofrojnë shtëpitë e pushimit, pensionet, hotelet për rininë etj. Duke kalkuluar pak që Shqipëria të ketë një turizëm duke patur si model atë zviceran, i duhet të ofrojë rreth 500 mijë shtretër, me këtë infrastrukturë si kjo që ofron Tiçino, ku në çdo cep edhe më të largëtin shkojnë mjetet e qarkullimit publik, dhe ku do të gjesh kudo sigurinë dhe shërbimin me cilësi të garantuar.

Në grupin tonë të gazetarëve dominonin gazetaret kinezë sepse Zvicra është për turistët nga Kina një destinacion që i përmbush të gjitha kriteret. Si model dhe destinacion turizmi Tiçino dhe Zvicra mund të jetë edhe për shqiptarët kudo ku ata ndodhen.

Turizmi i Tiçinos meqë ka një larmi të madhe për shkak të laryshisë së relievit do të ishte një model i shkëlqyer për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, një vend i bekuar nga Zoti dhe i mallkuar nga politika.

Nëse Zvicra do të kishte klimën që ka Shqipëria, do të ishte një parajsë. E megjithatë Zvicra është parajsë nga dora e Zotit dhe e njeriut.

Duke falenderuar Swissturizmus dhe veçanërisht Mr.Turizmus Federico Sommaruga që e shoqëroi grupin tonë përgjatë gjithë guidës turistike, hypim në tren duke e mbajtur kokën prapa sepse sapo treni u nis ne na mori malli rishtas për Tiçinon.

Me shumë të drejtë shkrimtari Herman Hesse, fitues i çmimit Nobel për Letërsi, i cili e pati zgjedhur Zvicrën si atdheun e tij të dytë dhe Tiçinon vendin për të jetuar pjesën më të madhe të jetës deri kur dha frymën e fundit në Montagnolo, thoshte se : “Tiçino është mrekullisht e pasur e tejet e bukur dhe ka gjithçka që nga Alpet deri në pikën më jugore.”

Falenderojmë kolegun tonë, fotografin Pierre Virot për fotografitë e këtij reportazhi.

Ëmbëlsira tiçineze e mikpritjes

LAC – Lugano Art e Kultura

Mr.Turizmos Federico Sommaruga (d) dhe presidenti i APES Jean Musy (m)

 

Patrizia e përkushtuar, njëra nga guidat tona

Afresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit

Stacioni i ri i Trenit në Lugano

Merloti i bardhë ?

Lugano natën

Mjellmat të bëjnë shoqëri

Treni që të çon në Monte Generoso

 

Fiore di Pietra kryevepër e Marco Botta-s

Me Arletën, gazetaren braziliano-zvicerane

 

Ignazio Cassis, shefi i ri i Departamentit të Politikës të Jashtme në Konfederatën Helvetike që pasoi Diedier Burkhalter

 

Tiçinezër janë shumë të gëzuar që kanë përfaqësuesin e tyre në nivelin më të lartë të shtetit

NJË PASDITE NË ZYRIH Nga ISMAIL KADARE

Në fletoret e mia kam shënimet për një pasdite në Zyrih. Madje, edhe titulli ashtu është “Një pasdite në Zyrih”.

Ngjante me një refleks të zbehtë të një pasditeje tjetër.

Në të vërtetë, kisha qenë në Zyrih dhe atë pasdite e mbaja mend mirë. Çdo ditë që mbahet mend ka një çast kur kapet kujtesa si me kanxhë. Në Zyrih ai çast ishte kur gidi që më shoqëronte, duke më treguar një shtëpi, më tha: Këtu ka jetuar Gëte. Zot, sikur ta dija, thashë me vete. Ishte e treta shtëpi që më qëllonte të shihja, që kishte lidhje me Gëten, dhe ato, jo vetëm ngjanin me njëra-tjetrën, por në fasadën e tyre kishin diçka që të kujtonin fytyrën e Gëtes, pas moshës shtatëdhjetëvjeçare. Ishte shtëpi ku mund të mendoje se kishte jetuar një shkrimtar i mesëm, por kurrsesi Gëte, gjë që të krijonte një bezdi brenda teje.

Shtëpia ndodhej në Zyrihun e vjetër, jo larg hotelit “Helmhaus”, ku kisha zënë vend. Por shestimi për Gëten do të ishte gjithsesi i paqetë, ngaqë fare pranë gjendej ndërtesa ku dadaistët gjermanë kishin shpallur artin e tyre dhe pak më tej shtëpia ku kishte banuar Lenini, për të cilën dy dadaistë të mbetur gjallë ende, botonin kujtimet e tyre, të dy në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe, me sa dukej, të rrejshme. (Njëri thoshte se Lenini vinte shpesh në mbrëmjet e tyre të zhurmshme për të shfaqur entuziazmin e tij për dadanë, kurse tjetri ngulte këmbë se Lenini, jo vetëm s’shkelte kurrë atje, por i mërzitur prej zallahisë i kishte telefonuar policisë të ndërhynte për të ndërprerë orgjinë.)

Vite më pas këtu duhej të qe vërtitur Aleksandër Solzhenicini, i cili shumë herë duhej ta kishte vështruar me urrejtje tabelën gjermanisht: “Këtu ka jetuar shefi i komunistëve rusë Uljanov Lenini”, ngaqë, me siguri, i qe dukur se pikërisht atje kishte nisur fatkeqësia e tij. Së fundi, si për të plotësuar tablonë, aty pranë ishte një kafene, ku Xhojsit i pëlqente të pinte verë të bardhë dhe ti, pasi e dëgjoje këtë, ishte e natyrshme që të thoshe me vete: si është e mundur që në një vend kaq të ngushtë të ishin përplasur njerëz kaq të kundërt.

Nuk e di pse, por m’u duk se për të qetësuar atë dendësi të pazakontë në tru, më tepër se largimi nga kjo hapësirë, do të ishte takimi me një shkrimtar të gjallë.

A do të shkojmë, siç më premtuat, te Max Frishi? i thashë gidit.

Ai buzëqeshi me aq djallëzi, sa ç’është në gjendje të ketë fytyra e një gidi zviceran dhe, aty për aty, tha: ne jemi ndërkaq dy hapa larg Max Frishit.

I ramë disa herë ziles së shtëpisë së Frishit dhe një fqinjë na tha se shkrimtari, me siguri, do të kishte dalë të blinte qumështin, gjë që ishte i detyruar ta bënte vetë pas ndarjes me gruan, eh, në moshën shtatëdhjetëvjeçare, për perëndi, s’ishte lehtë.

Ndërsa largoheshim, ndjeva lodhje dhe mërzi. Kisha vënë re se ndodhte shpesh të dëgjoja fjalë të hidhura, për të cilat thosha më pas: ku dreqin i dëgjova! Ose, ku e ktheva kokën për ta parë atë shëmti. Dhe gjithmonë mendoja: si nuk isha larguar edhe pak, ose si nuk kishte erë që të mos dëgjoja, ose të ishte natë, që të mos shihja. Por ndërkaq ajo s’ndreqet më dhe ti je i detyruar të tretësh brenda teje shijen e hidhur. A nuk mjaftonte që fqinja të na thoshte se Max Frishi mungonte, dhe ç’ishte e nevojshme të na sqaronte se ndoshta kishte dalë për të blerë qumësht, dhe aq më tepër të shtonte fjalët e tjera për ndarjen nga gruaja?

E ndieja se isha nervoz, herë me të tjerët, po më shumë me veten time. Ndoshta isha unë vetë që e krijoja këtë trazim. Ishte mendja ime ballkanase, së cilës i dukej ndoshta e padenjë që shkrimtari më i shquar i Zvicrës të dilte të blinte qumësht, pasi qe ndarë nga gruaja. E ç’dashke ti, i shfryja vetes, të rrëmbeje hanxharin, apo të ulërije për gabime ideologjike në ndonjë plenum?

Kisha vënë re se nervozohesha përherë kur dikush më prishte atë lloj magjepsjeje që mendja ime krijonte për gjërat. Ja tani po ecnim drejt hotelit “Helmhaus”, emrin e të cilit, duke u nisur nga shqipja, më pëlqente ta mendoja si “Shtëpia e Helmit”, dhe ndonëse e dija se s’mund të ishte ashtu, vazhdoja ta mendoja si një hotel ku mund të të helmonin. E kisha ruajtur me aq xhelozi atë përfytyrim, saqë, me gjithë kureshtjen, nuk e kisha pyetur asnjëherë gidin se ç’do të thoshte ky emër “Helmhaus”.

Mirëpo, atë pasdite zhgënjyese, pikërisht kur unë kisha nevojë për pak riparim, për pak suvatim magjepsës mbi zhveshjen e ftohtë, pra shi atëherë kur s’duhej, pa kurrfarë shtyse, duke hyrë në holl, gidi më tha: e dini se ç’kuptim ka emri i hotelit tuaj?

Ishte aq e papritur ndërhyrja e tij, saqë nuk arrita t’i thosha “mos!”, se ndërkaq shpjegimi shfarosës ishte bërë: “Helmhaus” do të thoshte gjermanisht Shtëpia e Helmetës. “Ç’keni kështu? Mos nuk e ndieni veten mirë?”

(Marrë nga libri: I.Kadare, “Ftesë në studio”, Onufri)

Kryeministrit dhe liderit të opozitës rreth aferës mafioze të librave shkollorë! Nga Elida Buçpapaj

Për çdo vit të ri shkollor në Shqipëri nis tortura e blerjes të librave për xhepin e taksapaguesave. Shto këtu edhe mënyrën se si shiten librat për t’ua nxirë jetën prindërve të shkretë.

Ky është shteti. Kjo është fytyra e pafytyrë e administratës publike që udhëheq rrëmujën, varfërimin, kaosin dhe stresin, se si me ua vështirësuar dhe bërë të pamundur përditshmërinë qytetarit.

Shtypi i Tiranës ka botuar këtyre ditëve qendrimin e liderit të opozitës me pretendimin e drejtë që librat fëmijëve t’u jepen gratis, çka u prit me reaksion klientelist deri tek kryeeditorialistët e Mapo-s. Sepse në Shqipëri shteti i kapur kështu funksionon dhe kazani i mediave mban qendrim në favor të atij që paguan.

Shumë normale është kërkesa e Lulzim Bashës që librat të jenë gratis, po përse nuk ua dha gratis qeveria ku ai ishte minister në dy mandate?

Përse?

Sepse shitja e përvitëshme e librave shkollorë është një aferë mafioze e një vjedhje të dyfishtë: e shtetit dhe qytetarit. Për të mbushur xhepat e pushtetarëve të përlyer dhe biznesit të korruptuar.

E kam hapur disa here temën e librave shkollorë. Jam përpjekur pa rezultat edhe të hulumtoj.

Jam nisur nga Zvicra, nga Konfederata Helvetike, ku funksionon edhe shteti ligjor edhe kapitalizmi, që ua jep falas librat fëmijëve. Falas, por pa rënduar as xhepin e shtetit, paçka se për Zvicrën, një vend i pasur nuk do të ishte problem.

Zvicra edhe ua jep librat fëmijëve falas, ndërkohë kursen e mbron xhepin e shtetit dhe të taksapaguesave.

Po si?

Ja se si:

Në hapje të çdo viti shkollor, fëmijët në klasat e tyre marrin librat e duhur, të cilët në çdo fundviti i dorëzojnë përsëri. Kaq e thjeshtë është. Fëmijët i mirëmbajnë librat, por nëse ndonjë libër është dëmtuar nga vetë fëmijët, ata e paguajnë vetë dëmin dhe libri riparohet.

Pra shteti nuk paguan për çdo vit libra shkollorë, siç veprohet në Shqipëri, por vetëm kur librat konsumohen.

Si kryeministri ashtu edhe lideri i opozitës të Shqipërisë e dinë si funksionon Perëndimi dhe e kanë për obligim që t’jua sigurojnë fëmijëve të Shqipërisë librat shkollorë falas sikur vepron edhe shteti helvetik, duke mbrojtur edhe xhepin e varfër të qytetarit shqiptar edhe arkën e shtetit që shpenzon çdo vit për tenderat e librave shkollorë, çka përbën një aferë të pastër mafioze në këto 26 vjet qeverisje të majta dhe të djathta.

Tema e tenderave të librave shkollorë i takon Prokurorisë të Shqipërisë.

Kryeministri dhe lideri opozitës të mos shtiren se u digjet shpirti për popullin, por të veprojnë në të mirë të interesit publik sepse kupa është mbushur. Vjedhjet bëhen për fushë dhe përgjegjësia i takon qeverisjeve 26 vjeçare. Sa më lart majës të shtetit të jesh, aq më e madhe përgjegjshmëria.

Mjaft më e vodhët shtetin dhe qytetarin!

Prandaj jeni votuar, jo si shpërdorues të pushtetit, por për të mbrojtur interesin e shtetit edhe taksapaguesit.

Një ndodhi e zakonshme në Zvicër – Nga Elida Buçpapaj

Udhëtimi me mjete publike në Zvicër është një opsion për të gjithë. Është rutinë të udhëtosh me tren, bus apo tram. Edhe për ministrat apo deputetët.

Së pari, sepse Zvicra ka një infrastrukturë nga më të mirat në botë.

Së dyti, punktualiteti. Nuk ka vonesa trenash, busash apo tramash dhe gjithmonë arrin në destinacion në kohën e duhur.

Së treti, shmangen vonesat nga trafiku, shmanget stressi dhe udhëtimi është komod.

Këtë javë Zvicrën e ka përfshirë një valë të nxehti afrikan. Vendet më të  përshtatshme për të mos e ndjere vapën janë në pishina apo pyjet dhe zonat e gjelbëruara që në Zvicër shtrihen si gjerdanë të kudogjendur. Në Bazel lumi Rin është atraksioni i qytetit. Ai është i lundrueshëm dhe ujrat e tij të çojnë deri në portin e Roterdamit. Ndërsa në ditë të tilla vape njerëzit kënaqen duke shëtitur buzë tij, duke u ndalur në baret për ndonjë birrë apo duke bërë banjo dielli e not.

Periudha e pushimeve zyrtarisht nis pas disa ditësh pa e marrë para sysh vapën që ka plasur para kohe.

Por vapa nuk ndihet as kur qarkullon me mjetet e shërbimit publik. Në ditë vape udhëton në fresk dhe ditë dimri në të ngrohtë. Kjo është Zvicra. E thjeshtë, e bukur dhe gjithmonë në shërbim konkurues ndaj publikut.

Dje morëm tramin si zakonisht. Freskia brënda ishte sfiduese ndaj çmendurisë të të nxehtit. Në tram ka nga ata që lexojnë, por shumica nuk u ndahen celularëve, ca kundrojnë pamjet nga jashtë, të tjerë nuk i mban vendi dhe memzi presin të zbresin sepse janë dikund me vonesë, ndërsa ka edhe nga ata që ia fusin gjumit dhe si me zile zgjohen pikërisht në stacionin e duhur.

Duke u këndellur prej freskisë arritëm ku duhej dhe kur mbaruam punë e rimorëm tramin për t’u kthyer.

Por posa hymë brënda u zhgënjyem nga të nxehtit e madh. Çfarë të kishte ndodhur. Njerëzit të skuqur nga temperaturat e larta nuk ankoheshin, ca bënin fresk me gazeta por besoj se seicili prej tyre pyeste me vete se çfarë të kishte bërë vaki.

Kështu zgjati edhe ca,  me ankesa të brendeshme edhe për disa stacione, deri kur drejtuesja e tramit na u lut të gjithëve të zbrisnim e të merrnim tramin që na priste duke na kërkuar shumë herë ndjesë për vapën e madhe në tram që u shkaktua prej një difekti në sistemin e ajrit të kondicionuar.

Ne ndërruam tram duke thënë me njëri-tjetrin. Ja kjo është Zvicra.

MË 29 MAJ 1940 U NDA NGA JETA PAUL KLEE, PIKTORI GJENIAL BERNEZ I HARMONISË MUZIKORE TË NGJYRAVE

VOAL – Paul Klee lindi më 18 dhjetor në Mynhenbukzè (Munchenbuchsee), afër Bernës, në vitin 1879. Ai lindi në një familje muzikanësh dhe mori shtetësinë e babait të tij gjerman, Hans Klee. Ndërsa nëna, Ida, ishte zvicerane. Shtatë vjeç fillon studimet për violinë e bëhet anëtar i një orkestre. Muzika do ta shoqëronte për gjithë jetën e tij. Mbaron shkollën primare, pastaj paragjimnazin (Progymnasium) dhe Shkollën për Letërsi (Literaturschule) në qytetin e tij të lindjes, duke demonstruar përnjëherësh një prirje të fortë për pikturë. Kur ishte trembëdhjetë vjeç ai kishte bërë një mori të panumërt vizatimesh, shumë prej të cilëve kopje të kalendarëve të ilustruar dhe kopje të ilustrimeve të revistave. Duke filluar nga viti 1895 shumëfishohen vizatimet e tij të marra nga natyra: Berna me rrethinat e saj, Friburgu, Beatenberg, Liqeni Tun dhe Alpet. Në muajin nëntor 1897, Klee fillon edhe të mbajë një ditar të tijin, të cilin e vazhdon përditshmërisht deri në vitin 1918 e që do të bëhej i famshëm.
Lodhur nga jeta që bënte dhe në emër të lirisë e të thellimit të artit të tij, ai vendos të shkoj në Mynih të Gjermanisë dhe të nisë mësimet në shkollën private të vizatimit të Heinrich Knirr.
Paralelisht, Walter Ziegler i jep Klee mësime për teknikën e pianofortit. Naturisht, ai fillon të ndjekë edhe jetën artistike e kulturore të vendit (frekuenton ndër të tjera kursin e Franz von Stuck në Akademinë Mbretërore, ku njihet me piktorin Kandinsky). Pas një koncerti ai njihet me një pianiste: Karoline, thirrur në rrethet familiare Lily, me mbiemrin Stumpf. Midis tyre lind një marrëdhënie që dhjetë vjet më vonë do të shkojë në martesë.
Në jetën e një artisti të një niveli dhe ndjeshmërie të tillë dhe të nje përgatitjeje kulturore si e atij, nuk mund të mungonin udhëtimet në gjurmët e kolegëve të shekullit të tij në Itali. Në fillim të Shekullit XX, ai shkon në Milano, Gjenova, Piza, Roma, Napoli, e më në fund në Firence. Sapo kthehet në Bernë, më 1903, përgatit serinë e pikturave në teknikën orto, më vonë të njohur si “Zbulimet”. Pjekuria e tij intelektuale e artistike është e pandalshme: Në vitin 1906 vë re se ai ka zbuluar tashmë stilin e vet personal, çka dëshmohet në këto fjalë të nxjerra nga ditari i tij i famshëm: “Kam arritur të kem përfundimisht stilin tim. Koncepti studim është tejkaluar. Gjithçka do të jetë Klee, edhe kur midis përshtypjeve dhe riprodhimeve do të kalojnë ditë të tëra, qoftë kur midis tyre do të jenë vetëm pak çaste.” Në shtator të atij viti martohet në Bernë me Lily Stumpf. Çifti shkon në Mynih dhe pak më vonë lind Felix, djali i parë. Viti që vjen shoqërohet me një zhgënjim të hidhur: juria e pranimeve të seksionit pranveror të Mynihut nuk e pranon ciklin e punimeve “Zbulime” të dërguar nga artisti Paul Klee.

Si kundërpërgjigje, realizon ekspozitën e parë personale me vepra të krijuara midis 1907 e  1910 në Kunstmuseum të Bernës (gusht), në Kunsthaus të Zyrihut (tetor), në Kunstandlung zum Hohen Haus të Vinterturit (nëntor) e në Kunsthalle të Bazelit (janar 1911). Pak më vonë atij i bën vizitë Alfred Kubin dhe i flet atij fjalë të ngrohta entusiaste për veprat e tij. Midis tyre lind një miqësi e ngushtë dhe një letërkëmbim i dendur. Klee fillon të realizojë ilustrime për veprën “Kandid” të Volterit të cilat publikohen në vitin 1920 nga botuesi Kurt Wolff i Mynihut. Në dimrin e atij viti pranohet në qarkun artistik “Der Blaue Reiter” (të famshmen “vëllazëri” të krijuar nga Kandinsky ), e atje njeh dhe i bën miq piktorët Mark, Jawlensky e Verefkina. Pasi kishte marrë pjesë në ekspozitën e dytë të “Blaue Reiter”, shkon në Paris, viziton studiot e Delaunay, Le Fauconnier e Karl Hofer e merr vizione nga veprat e Braque, Picasso, Henri Rousseau, Derain, Vlaminck e Matisse.
Më 27 nëntor krijohet “Ndarja e Re e Mynihut”, ku Klee bën pjesë në anëtarët themelues, ndërsa Marc e Kandinsky nuk përfshihen. Vitin tjetër shkon në Tunizi bashkë me Macke e Moilliet, duke përshkuar zona të tilla si Kartagjena, Hammamet, Kairouan, Tuniz. Në vazhdim të udhëtimit tunizian, më 16 prill, shkruan në ditar: “Ngjyrat më pushtojnë. Nuk kam nevojë t’i thërras unë. I ndjej. Kjo është ndjesia që më bën të lumtur: unë dhe ngjyra jemi krejtësisht një. Jam piktor.” Krahas sukseseve private të piktorit fillojnë drama konkrete e brutale në botë. Është Lufta e Parë Botërore, një ngjarje që do ta trondiste artistin në çdo qelizë. Pranë Verdunit vritet Franz Marc. Në të njëjtënkohë vetë Klee thirret nën armë dhe e ftojnë në Mynih në regjimentin e këmbësorisë si rezervist. Fatmirësisht, interesimi i miqve me ndikim e lejon atë të mbetet larg frontit deri në mbarim të luftës.
Me të mbaruar lufta, jeta rimerr rrjedhën relative të normalitetit. Në mja 1920, në Galerinë Neue Kunst ekspozohet një retrospektivë e gjere e artistit me 362 vepra. Në tetor, Walter Gropius, drejtori i Bauhaus e thërret Klee të japë mësim në Weimar. Nga kjo përvojë do të marrin formë botimet e Bauhaus në dy vëllime “Padagogisches Skizzenbuch” dhe një shtojcë me leksionet e dhëna prej tij në vitet 1921-1922, me titullin “Beitrage zur bildnerischen Formlehre”. Në botën e artit merr gjithnjë e më shumë vend megjithatë lëvizja surealiste të cilën Klee e shikon me simpati. Është një fakt historik, për shembull, që artisti merr pjesë mdje në ekspozitën e parë të grupit në Galerinë Pierre në Paris.
Nga 17 dhjetori 1928 deri më 17 janar 1929, ndërmerr një udhëtim në Egjipt, me disa etapa në Aleksandri, Kairo, Assuan e Tebe. Rikthimi i tij në Germani përkon ndërkaq me mbarimin e kontratës së tij me Bauhaus, në favor të një katedre në Akademinë e Düsseldorfit. Në moshën pesëdhjetë vjeç Klee mund të deklarohej një njeri i realizuar, i admiruar e i respektuar në gjithë botën. Por telashe të reja e përfshijnë atë dhe familjen. Këto i sjell një emër: Adolf Hitler. Më 30 janar 1933 Hitler bëhet kancelar i Raihut (Reich) dhe efektet ndjehen menjeherë. Gjatë mungesës së tij, shtëpia e Klee në Dessau bastiset deri në themele, ndërsa në prill atij i kërkohet ta vërtetojë prejardhjen e tij ariane. Në fund të prillit Klee largohet nga Dessau e shkon në Dusseldorf. Në të njëjtën kohë përjashtohet pa paralajmërim nga katedra e tij në Akademi. Me këmbënguljen e së shoqes Lily, e shqetësuzar nga përfrikësimet naziste, Klee vendos më 23 dhjetor ta braktisë Gjermaninë dhe të rikthehet në Bernë në shtëpinë ku kishte lindur.

Mjerisht, sa arrin në Bernë, gati menjëherë i shfaqen shenjat e para të sklerodermisë dhimbjesjellëse, çka do të çojë në vdekjen e artistit pesë vjet më vonë. Në Gjermani arti i tij vlerësohet në kulm. Më 19 korrik 1937 hapet në Mynih ekspozita të cilën nazistët do ta quanin “Arti i degjeneruar” (një damkë që do të përfshinte një hapësirë tejet të gjerë të prodhimit artistik, in primis, natyrisht, atë muzikore, në atë periudhë tejet e avancuar për veshët tepër “delikatë” të nazistëve). Klee është i pranishëm në ekspozitë me 17 vepra. Së paku nja njëqind vepra përfshihen në koleksionet gjermane. Në shenjë admirimi e përkrahjeje, më 28 nëntor Klee pret vizitën e të madhit Picasso. Në shkurt, Kunsthaus e Zyrihut hap një ekspozitë me 213 vepra të viteve 1935-1940. Më 10 maj Klee shtrohet në spital, ku përkeqësohet dhe vdes në Locarno-Muralto, më 29 maj 1940, në moshën 60 vjeçare

(Video) Roger Moore jetoi dhe u shua në Zvicër me të cilën pati një lidhje zemre shumë të fortë

Roger Moore, i cili vdiq këtë javë në Zvicër, kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me Konfederatën Helvetike.

Si James Bond, ai luajti në shumë filma, atij i pëlqente skijimi, ecja nordike (nordic walking) dhe gastronomia alpine.

Megjithatë, siç do të shpjegonte vetë për televizionin zviceran në vitin 2007, ishin bijtë e tij që e nxitën për të lëvizur në vitin 1978, pasi mësuan ski.

Moore u pajtua. “Unë kam qenë një baba i dobët dhe mezi prisja një justifikim për të lënë Anglinë”, tha ai.

Familja fillimisht u vendos në Gstaad, ku jetuan për disa vite para se të lëvizin në Crans-Montana.

Moore, i cili gjithashtu dinte frëngjisht, e donte jetën në male.

Talenti i tij si skiator iu desh atij përsëri në vitin 1985 për filmin “007 – “A View to a Kill”, xhiruar në Zvicër.

I vetmi peng i aktorit me Konfederatën Helvetike?

Në dokumentar ai bën shaka dhe thotë se pengu i tij është se nuk iu dha mundësia për të udhëtuar përgjithmonë me një çmim të reduktuar në trenat zvicerane, pavarësisht paraqitjes së tij në një reklamë komerciale televizive të Hekurudhave Federale të Zvicrës.

Në fund të fundit kjo është Zvicra!

 

Përgjigje pyetjes: a e takuat Edi Ramen në Bernë? – Nga Elida Buçpapaj

Kishte kuriozitet nëse ne u takuam me Edi Ramën gjatë vizitës së tij zyrtare në Bernë.

Po ua shteroj kuriozitetin.

Për Zërin e Shqiptarëve – Voice of Albanians – www.voal.ch- portalin më të suksesshëm shqiptar në Zvicër, që drejtohet nga dy gazetarë nga shteti amë, do të ishte normaliteti më normal që të mbulonte vizitën e premierit shqiptar, nëse çdo gjë në Shqipëri nuk do të ishte në kundërthënie me normalitetin.

Përfaqësia e shtetit shqiptar në Bernë e lajmëroi në rrjetin social që në muajin janar vizitën zyrtare të Edi Ramës në Konfederatën Helvetike.

Pas këtij lajmërimi publik, do të duhej që kjo përfaqësi të kontaktonte me mediat kryesore shqiptare në Zvicër dhe t’i akreditonte. Ashtu sikur veprojnë shtetet në Perëndim.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë nuk kontaktoi me Voal.

Natyrisht që përfaqësia shqiptare për çdo veprim apo mosveprim të saj merr vizën aprovuese nga Ministria e Jashtme e RSh.

Në analizë të veprimeve supozohet se për mbulimin e vizitës të PM shqiptar, Ministria e Jashtme e Republikës të Shqipërisë nuk e ka dëshiruar praninë e dy gazetarëve shqiptarë tashmë të natyralizuar të cilëve Zvicra u është bërë Atdheu i parë.

MPJRSH preferoi rolin klishe të përçarësit dhe censorit, një reminishencë e kohës  së diktaturës kur diaspora konsiderohej “Mërgatë qyqesh”.

Nga ana e saj Ambasada vetëm pas kërkesës tonë na dërgoi programin ndërsa adresa ku do të mbahej pritja, ishte gabim. Këto të dhëna që ajo i publikoi edhe në Facebook nuk kishin asnjë vlerë për gazetarët nëse nuk shoqëroheshin me akreditim.

Pra, po të varej nga pala shqiptare, Voal nuk do të merrte pjesë në mbulimin e vizitës së premierit të Shqipërisë në Bernë. Pala shqiptare bëri aq sa mundi në sensin e kundër të akrepave të sahatit. Nuk është diçka e re, tashmë histori e vjetër. Diplomacia shqiptare është e shpërfytyruar dhe e defaktorizuar nga politika që e përdor si kukull.

Fatmirësisht dhe faleminderit Zotit, Voal nuk varet as prej Ditmir Bushatit, as prej Edi Ramës dhe as prej vartësave të tyre. Sikur nuk është varur as prej pararendësve.

Ne e morëm ftesën nga protokolli i shtetit helvetik, ku jemi të akredituar, së bashku me programin e vizitës. Ministria e Jashme e Zvicrës si zakonisht u kujdes deri në detaje që gazetarët e ftuar të kryenin sa më mirë misionin e tyre.

Kryeministri i Shqipërisë u prit me të gjitha nderet nga Presidentja e Zvicrës zonja Doris Leuthard.

Për shkak të hapësirës jo shumë të madhe ku do të zhvillohej takimi, vizita u mbulua nga një grup i kufizuar gazetarësh, katër nga Shqipëria, dy nga RTSH, nga flokëportokallia, fotografja personale e Edi Ramës dhe nje tjetër nga zyra e kryeministrit. Gazetarë shqiptarë me banim në Zvicër ishim katër: ne nga Voal dhe dy nga Albinfo, portali kosovar të cilit Edi Rama për arsye klienteliste i dha trofeun e Shqiponjës së Artë në samitin e diasporës që u organizua nëntorin që shkoi në Tiranë.

Ishin të pranishëm edhe katër-pesë gazetarë zviceranë: Nga televizioni SRF, televizioni kryesor publik gjermanofon, nga gazeta e njohur NZZ, Le Temps etj.

Konferenca për shtyp nuk zgjati shumë. Të parët që e morën fjalën ishin dy gazetarët zviceranë, i pari nga televizioni SRF dhe i dyti nga Le Temps, që i bënë të njëjtën pyetje Edi Ramës në lidhje me Dritan Zaganin, të cilin shteti shqiptar e kërkonte ta ekstradonte nga Zvicra, ndërsa Zvicra i dha azil politik pikërisht në prag të vizitës zyrtare të PM. Që kishte një tingëllim sfide. Kur i dëgjoi pyetjet, Edi Rama i befasuar, e fshehu disi nervozimin duke tribluar nën buzëqeshjen me okeljon se “gazetarët janë kudo njëlloj”.

Voal pyeti në shqip në lidhje me linjën ajrore Zvicër-Shqipëri dhe shkollën plotësuese shqipe, nisur nga fakti dramatik se në shkollën shqipe të një niveli që lë shumë për të dëshiruar shkojnë vetēm 3 % e fëmijëve shqiptarë. Nëse gazetarët zviceranë nuk do ta konsumonin pyetjen për Zaganin, Voal do ta pyeste kryeministrin edhe për ish-oficerin e antidrogës.

Dhe kështu mbaroi konferenca për shtyp.

Ishte një moment që Edi Rama mund të shkëputej nga grupi për disa sekonda duke respektuar veten për të na përshëndetur. Shqiptarçe. Aq më tepër kur ne njihemi. Nuk e bëri. As për hipokrizi nuk mundi. E keni parasysh se sa orë harxhon dhe se si e vret kohën Edi Rama duke iu lëpirë dhe mikluar nëpër restaurante peshku dhe ngjalash Ilir Metën! Voal nga ana e vet po të dëshironte sadopak që të takohej me Edi Ramën i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë. Të takohesh me politikanët shqiptarë nuk është privilegj.

Voal e respektoi kryeministrin e shtetit shqiptar gjatë vizitës historike në shtetin helvetik. Voal do ta dëshironte Shqipërinë të jetë një Zvicër e Ballkanit, që bregdeti i saj i mrekullueshëm të kthehet destinacion kryesor mikpritës për miliona turistë zviceranë. Por Zvicra nuk i dërgon shtetasit e saj aty ku nuk ka shtet ligjor, rregull dhe siguri. Ky është realiteti.

Ndërsa Edi Rama që e personalizon shtetin si pronë dhe gazetarët i konsideron servitorë të pushtetit të tij e mori një leksion të vogël por kuptimplotë nga gazetarët zviceranë.

A nxori mësim?! Politikanët shqiptarë nuk nxjerrin mësime as nga gabimet dhe as nga fajet e tyre.

Ata janë recidivë. Prandaj e kanë mbushur kupën.

Më 10 prill 1963 lindi Doris Leuthard, presidentja aktuale zvicerane

Doris Leuthard (Doris Lojtard), politikane dhe juriste zvicerane, është zgjedhur presidente e Konfederatës Zvicerane për vitin 2010 dhe për vitin 2017. Leuthard ka lindur më 10 prill 1963 në Merenschwand të Argaut.

Leuthard u rrit si e para e katër fëmijëve. Babai i tyre ishte shumë vjet nëpunës i komunës në Merenschwand dhe anëtar i parlamentit të kantonit Argau. Pas mbarimit të arsyimit të detyrueshëm në Merenschwand dhe në Muri ajo vazhdoi shkollën kantonale Wohlen, pastaj studioi për drejtësi në Universitetin e Zyrihut. Specializimet pasuniversitare i bëri në Paris dhe në Kalgari si avokate mbrojtëse për shpikje shkencore ekonomike, të cilat i mbaroi në vitin 1991.

 

Karriera politike e saj filloi më 1993, kur u zgjodh drejtuese arsimi në rajonin Muri. Më 1997 u zgjodh parlamentare e kantonit Argau. Këtu dolën në pah aftësitë e saj të veçanta. Më 1999 kandidoi për në Këshillin Kombëtar të Zvicrës ku fitoi rezultate shumë të kënaqshme. Në vitin 2000 ajo u largua nga detyra si drejtuese arsimi dhe parlamentare kantonale dhe u bë nënkryetare e CVP për kantonin dhe po ashtu për Zvicrën. Në Këshillin Kombëtar Leuthard do të ishte në komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Pas dorëheqjes së presidentit të partisë Philipp Stähelin, Doris Leuthard ishte e ngarkuar e përkohëshme e drejtimit të partisë për disa muaj. Më 18 shtator 2004 u zgjodh presidente e CVP.

 

Më 14 qershor 2006 Doris Leuthards, si kandidaturë e vetme, do të zgjidhej me 133 vota (nga 234 të vlefshme) si pasuese e Jospeh Deiss. Më 10 dhjetor 2008 mbledhja e përbashkët e të dyja dhomave të parlamentit zviceran, me 173 nga 198 vota të vlefshme do ta zgjidhte Doris Leuthard-in nënpresidente të Konfederatës Zvicerane për vitin 2009.

 

Femra e tretë në karriken e presidentit të Konfederatës së Zvicrës, Doris Leuthard do të sillte një frymë të freskët në kreun e Konfederatës: 46 vjeçare, këshiltarja në moshë të re argauese, i ka të gjitha letrat në rregull për të bërë figurë të mirë. Por sfidat mbeten ato që janë.

Nga kriza diplomatike me Libinë tek presioni ndërkombëtar që peshon në lëmin financiar zviceran: “retë e mëdha” që e kanë vënë në hije presidencën e Hans-Rudolf Merz nuk ishin davaritur aspak. E, sipas anketimeve, edhe besimi popullor ndaj qeverisë kishte rënë shumë.
Leuthard duhej të ndeshej sidomos me krizën ekonomike, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt pikërisht me Departamentin të cilin ajo e drejton, ajo është përgjegjëse për punën dhe për papunësinë. Ministria e Ekonomisë mund të marrë disi frymë e lehtësuar për shkak të hyrjes në fuqit të parimit «Cassis di Dijon». Ky parim parashikon që një prodhim i homologuar në Bashkimin Evropian mund të hyjë në tregun helevetik pa kontrolle të veçanta: kjo do të çojë në uljen e çmimeve për konsumatorët.

Presidentja e re e Konfederatës duhej gjithsesi të japë përgjigje të reja në politikën bujqësore dhe në krizën e qumështit. Protestat kundër saj në Olimpadën e Djathit të Bjeshkës, në Saignelégier (Jura), nuk janë një kujtim i pëlqyeshëm. Dhe liberalizimi që vinte nga marrëveshjet me BE-në nuk mund të mos krijonin droja e kundërshtime të tjera.

Kritikat kishin reshur kohët e fundit edhe në fushën e materialeve luftarake: Leuthard i ka mbrojtur në mënyra jo gjithnjë bindëse eksportet zvicerane në vendet e përfshira në konflikte të armatosura. Të rinjtë socialistë bënë madje një manifestim shumë të veçantë.

Sulme të tilla e gjenin të papërgatitur, mësuar të jetë e adhuruara e partisë së saj, tek e cila ajo ka sjellë një atmosferë shndërrimesh gjatë kryesimit të saj midis viteve 2004 e 2006, kur u zgjodh në Këshillin Federal. Ngjitja e saj në presidencë ka qenë marramendëse: parlamentare kantonale në Argau 34 vjeçe, këshilltare kombëtare (deputete e vendit) 36 vjeçe.

Me profesion avokate, ajo ka qenë aktive në shumë fronte, nga ato humanitare deri tek ato bankare. „Si „qytetarja numër një“ Pascale Bruderer, edhe ajo e re argauese, Leuthard është përkushtuar në favor të invalidëve.

Shumanshmëria e talentit të saj vihet re edhe në njohjet gjuhësore: përveç gjermanishtes dhe frëngjishtes, Leuthard flet edhe anglisht e italisht. Gjuha e Dantes do të merrte ton të ri presidencial dhe të lehtësojë marrëdhëniet e dyanshme me Italinë.

Leuthard ishte nënpresidente e Konfederatës për vitin 2009. Ajo u zgjodh presidente e Konfederatës për vitin 2010. Ishte femra e tretë që e mbante këtë post pas Ruth Dreifuss (1999) dhe Micheline Calmy-REY (2007). Më 2016 Leuthard ishte përsëri nënpresidente, më 2017 ajo është për herë të dytë presidente e Konfederatës.

Nga viti 2010 Leuthard pasoi Moritz Leuebergerin në krye të Departamentit Federal të Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit, një funksion shumë i rëndësishëm, të cilin ajo e ka drejtuar dhe e drejton me shumë zotësi./Elida BUÇPAPAJ

 

Atje ku Zvicra pret burrat dhe gratë e shtetit Tre rezidentat qeveritare të Konfederatës Helvetike plus Bellevue Palace Nga Elida Buçpapaj

Rezidenca qeveritare Bernerhof

Bernerhof është ndërtesë qeveritare ndërkohë edhe selia e Departamentit Federal të Financave.

Bernerhof –  është një ndërtesë e pasur me histori. Dikur ka qenë një Hotel superluksos.

Në 1848 Berna u bë qendër administrative. Meqë katër herë në vit mblidheshin të dy Dhomat dhe Këshilli Federal, qyteti duhej të ofronte hapësirat e nevojshme.

Në 1857 u shtua pjesa përfundimtare e Pallatit Federal, East Wing dhe meqë u bë e nevojëshme të priteshin miqtë e shtetit, midis 1856 dhe 1858 Jean Kraft ndërtoi Hotelin Bernerhof në pjesën perëndimore të Pallatit Federal – West Wing – me arkitektë Friedrich Studer e Johann Carl Dähler. Bernerhof kishte 123 dhoma dhe deri në 1870 ishte i vetmi hotel luksi i qytetit. Në këtë hotel janë pritur imperatori i Francës Napoleoni III, Perandoresha e Rusisë, Mbretëresha e Suedisë, mbreti i Siamit, Baroni Rothschild, shkrimtari Carl Spitteler, etj. etj.

Në vitin 1912 është pritur për shembull gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër perandori Wilhelm II i Gjermanisë.

Në 1923 Bernerhof u ble nga Konfederata dhe prej 1924 këtu është edhe Departamenti Federal i Financave. Kjo ndërtesë është po ashtu një nga ndërtesat qeveritare ku priten zyrtarët më të lartë qeveritarë nga vende të ndryshme të botës gjatë vizitave të tyre zyrtare në Zvicër.

Këtu në Bernerhof u prit Kancelarja Federale Angela Merkel gjatë vizitës të saj zyrtare në 2016.

Imperatori i Gjermanisë përpara Bernerhof

MAISON WATTEVILLE

Në Sheshin Federal, pranë shatërvanëve lozonjarë, përskaj ahave dekorativë lotues, pranë sheshit të Mynsterit  ndodhet Maison Watteville, kështjellë e famshme ku priten mysafirët më të lartë të Bernës zyrtare, një mjedis që të ofron gjithnjë risi kureshtare të pazbuluara më herët, ku çdo objekt, çdo hollësi përveç funksionit utilitar (dobiprurës) ngërthen në vete arte të zbukurimit dekorues si dhe shpalos në kënde të ndryshme dhe në kthina e salla të ndryshme nëpër mure gjithandej piktura të paktën që nga Rilindja Evropiane e këndej.

E ndodhur në Junkergasse Nr. 59, në Qytetin e Vjetër të Bernës, pak hapa larg ndërtesës tjetër të famshme karakeristike berneze Erlacherhof, Maison Watteville është nga ato kështjella, të cilat prej zanafillës, nëpër të gjitha metamorfozat e saj iu ka ofruar mysafirëve befasi nga më romantiket. Në kohën kur u ndërtua ajo iu paraprinte disa ndërtimeve të tilla mesjetare rreth e rrotull.

E njohur si Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl, ajo ishte strehë e shumë familjeve të cilat u rritën së bashku nëpër rrjedhën e më shumë se pesë shekujve. Arkitektura e Maison Watteville, pavarësisht ndërhyrjeve të mëhershme apo të mëvonshme, mban vulën e arkitektit të famshëm Joseph Abeille, i cili midis viteve 1695-1710 e ristrukturoi thellësisht arkitekturën e brendshme të saj dhe ia shtoi fasadën elegante të silit të Luigjit XIV. Ai harmonizoi mes tyre arkitektura dhe shije të të gjitha arkitekturave të jashtme dhe të brendshme nga kishte kaluar edhe vetë qyteti i Bernës. Prej vitit 1934, Qeveria Federale e Zvicrës i ka pritur miqtë e saj këtu.

Maison Watteville është e hapur për publikun 4 herë në vit, çdo të shtunë të parë të janarit, prillit, korrikut dhe tetorit. Termat e trashëgimisë, të vitit 1929, sigurojnë jo vetëm që ndërtesa të jetë në përdorim për qëllimet aktuale, por edhe që do të ruajë karakterin e saj të një mjedisi shtëpiak bernez.

Historia e kësaj shtëpie fillon në vitin 1529, si pronë e familjes Frisching. Dhe thirrej shtëpia e Frischingëve. Nga viti 1838, kur Sophie Frisching martohet me Friedrich von Wattenwyl, shtëpia kalon në pronësinë e Watenwylëve dhe thirret përfundimisht shtëpia e Wattenwylëve.

Aventura e rreth katërmbëdhjetë breznive të kësaj kështjelle zë fill nga Hans Frisching. Mercenar i kapur rob më 1513, ai dëbohet nga Berna dhe i konfiskohet e gjithë pasuria. Në vitin 1528 ai lejohet të kthehet në qytetin e lindjes. Zgjidhet më 1535 anëtar i Këshillit të Madh (Këshillit të Qytetit) dhe më 1542 në Këshillin e Vogël (Këshillin Ekzekutiv). Brez pas brezi, bijtë më të shquar të kësaj shtëpie ishin të lidhur ngusht sa me pushtetin ekzekutiv e legjislativ aq edhe me karrierën ushtarake dhe me qarqet protestante. Personaliteti më i shquar i familjes ishte Franz Rudolf Frisching (1733 – 1807) një patricien, oficer i lartë, politikan dhe industrialist. Ai themeloi Manifaturën e Prodhimit të Fajancave në Bernë. Periudha e ngritjes së tij është edhe periudha e zgjerimit të pronave të familjes.

Më 1838 kur, nëpërmjet martesës, kaloi, pra, tek familja Wattenwyl, atëherë e mori edhe emrin Maison Watteville. I fundit i sagës ishte Jacob Emanuel von Wattenwyl. Pronarët e fundit privatë, patricët Béatrice and Jakob Emanuel von Wattenwyl, nuk patën fëmijë. Në cilësinë e trashëgimtarit me të drejta të plota nga e shoqja Beatrice, e larguar nga jeta më 1923, Jacob Emanuel von Wattenwyl ia lë trashëgim Qeverisë Federale shtëpinë kështjellë më 1929, pesë vjet para se edhe ai të largohej nga jeta.

Kontrata e trashëgimisë ia ndalon Qeverisë Federale të bëjë ndryshime të mëdha në shtëpi. Brenda kushteve të përcaktuara në kontratë, Zyra Federale e Ndërtimeve dhe Logjistikave e ka restauruar shtëpinë gradualisht: më 1949 rruga përballë, më 1957-1958 hyrja në holl, oborri i pasmë, shkallët spirale, krahu jugor dhe taracat, në këtë fazë u restauruan edhe dritaret e anës jugore dhe taraca kryesore u kthye në formën e dikurshme, më 1983-1986 ishte faze përfundimtare e restaurimit tërësor.

Maison Watteville është ende e pajisur me objekte kryesisht të Shekullit XVIII dhe XIX, si dhe me shumë portrete të pjesëtarëve të familjeve Frisching dhe von Wattenwyl. Kështjella ka kopshtin-taracë më të madh të ndërtuar në mënyrë private në Qytetin e Vjetër të Bernës.

Sikurse ndërtesa, ashtu edhe objektet, pajisjet, mobiljet, takëmet, portretet e varura nëpër mure, gjithçka këtu kanë historinë e vet të vënies në përdorim për herë të parë, të funksionimit në mjedisin e caktuar, të përkatësisë ndaj anëtarit të caktuar të familjes. Një familje e madhe e përfshirë gjithnjë në sferat e larta të pushtetit, të politikës, të ushtrisë, të religjionit ka lidhje dhe krushqi të shumta, ka miqësi të shumta, mikpritje, marrje e dhënie dhuratash. Të gjitha këto pasqyrojnë risitë, modernitetet e të gjitha etapave që ka përshkuar mënyra e jetesës në Bernë dhe të zhvillimit të saj në të gjithë këta shekuj. Kanë historinë e tyre që nga qilimat e koridoreve, të shkallëve, të antidhomave, të bibiliotekës, të dhomave te ndenjes apo të gjumit, tek tavanët, tek dollapët, komotë, varëset e garderobave, tek kangjelat anësore të shkallëve, tek ornamentet zbukuruese në dru, në gur, metal apo materiale të tjera, tek tavolinat dhe karriget, tek divanët, tek bufetë, tek enët, tek qelqet, terrakotat, majolikat, tek fildishet, qelibaret, tek shandanët, pasqyrat, tek orët, aplikimet e mureve etj. etj..

Në kopështin e Maison Watteville nga ku shfaqet madhërishëm Lumi Aare

KËSHTJELLA LOHN, MIKPRITJE MODERNE DHE NUANCA ANTIKE

Kështjella Lohn në fshatin Kehrsatz  ndodhet midis një  hapësire krejtësisht të gjelbër, rrethuar me gështenja, ndërsa rrugët e drejta që çojnë atje në të dy anët kanë blirë madhështorë.Këtu nuk i presin drurët dhe pemët si ndodh në Shqipëri. Zvicra nuk e pranon kurrë këtë mendësi primitive.

Midis gjigantë, shfaqet kështjella, me pamjen e jashtme karakteristike të tempujve. Kështjella Lohn është një nga tri rezidencat në pronësi të Këshillit Federal të Zvicrës, ku priten miqtë shtetërorë. Rezidenca tjetër është Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl në Bernën e Vjetër dhe Bernerhof.

Kështjella Lohn  mbetet përherë njëra nga tri alternativat, që nga viti 1942 kur ish pronarët ia dhuronin atë qeverisë zvicerane. Kështjella Lohn dhurohej bashkë me dekorimet e pasura dhe me të gjitha pajisjet. Dëshira e dhuruesve ndërthurej me dëshirën që ndërtesa të jetë pjesërisht në shërbim të publikut si shtëpi muzé historike.

Ngritur në një terren tipik fshatar, ku kishte ekzistuar një shtëpi e vogël, me kopshtie dhe pemë, kështjella, e projektuar nga arkitekti Carl Ahasver von Sinner, do të ndërtohej në vitet 1782/1783, mbi parime të klasicizmit të hershëm arkitekturor, me hapësira të bollshme të brendshme: korridore, dhoma, salla, sallone, taracë, një shatrivan, shkallë të përdredhura. Pronari parë i saj ishte një kapiten i ushtrisë hollandeze, nga një familje me emër në histori. Ndërtesën e trashëgoi e bija, pastaj nipi, e më në fund e veja e tij, e cila ia shiti historianit Dr. Friedrich Emil Welti, i biri i Emil Welti, Këshilltar Federal. Në vitin 1942, pas vdekjes së gruas së tij të dytë, Helene Welti-Kammerer, prona i kaloi Konfederatës Zvicerane në kujtim të Këshilltarit Federal Emil Welti. Prej atëherë kështjella është përdorur për miqtë e qeverisë zvicerane, mbretër, mbretëresha, presidentë, kancelarë, kryeministra, disa nga të cilët janë: që nga Sir Winston Chirchill (1946), Pandit Nehru, kryeministër i Indisë (1949), Konrad Adenauer, kancelar i RFGJ (1951), deri tek Mbretëresha Elizabetë II dhe Princi Filip i Britanisë së Madhe (1980) e deri tek Lech Valesa dhe Dimitri Medvjedev, Zonja e hekurt e BE Angela Merkel, dhe të tjerë të ditëve tona.

Mjediset e brendshme, nisur nga natyra edhe muzeale e kështjellës, orendisen në përshtatje me interesat e vizitorëve: Për ne Kështjella Lohn është me të njëjtat orendi sikur sapo ka pritur Sir Winston Churchill dhe Mbretëreshën Elizabetë II. Gjithçka është sipas filmimeve të asaj kohe, të cilat shfaqen në sallonin e posaçëm të pirjes së kafesë, ku është edhe ballkoni kryesor, me pamje me ahishte dhe livadhe.

Familjet fisnike të Kështjellës, më parë ajo e ushtarakut hollandez, pastaj e ministrit zviceran të ardhur nga Argau, kishin tradita mikpritëse për shoqërinë e lartë të kohës, përfshirë artistë, shkrimtarë, historianë, arkitektë, sidomos piktorë nga më të shquarit e kohës. Portrete të realizuara me personazhet e këtyre familjeve dhe me peizazhet e hatashme që e rrethojnë Kështjellën Lohn dhe pamjet e fshatit Kehrsatz janë varur nëpër mjediset e brendshme.

Një ndër miqtë e kështjellës Lohn ishte edhe shkrimtari Nobelist Hermann Hesse, pikturat e cilit në vaj janë të varura nëpër mjediset e brendshme.

Bellevue Palace

Bellevue Palace Hoteli lluksos me pesë yje që ndodhet në krahun e lindor të Parlamentit të Zvicrës në Bernë, po ashtu është pronë e Konfederatës Helvetike. Këtu priten krerët e shteteve dhe qeverive, po ashtu këtu qendrojnë edhe anëtarët e Parlamentit të Zvicrës gjatë javëve kur ka punimet Parlamenti.

Bellevue Palace u ndërtua nga financieri Friedrich Osswald në 1865 ngjitur parlamentit te Zvicrës. Trashëgimtarët e tij e shembën dhe e rindërtuan përsëri  më 1910 me stil neoklasik.Bellevue Palace u rihap më 1913 dhe Gjenerali Ulrich Wille gjatë Luftës te Parë Botërore e bëri kuartier qendror të ushtrisë. Gjatë Luftës të Dytë Botërore hoteli mbeti i hapur për biznes. Ishte një pikë qendrore diplomatike dhe e inteligjencies e fuqive ndërluftuese, e OSS si quhej asaj kohe CIA  që drejtohej nga Allen Dulles. Gjysma e restauranteve frekuentohej nga Fuqitë Aleate dhe gjysma nga ato të Aksit.

Pas luftës, Hoteli nuk pati më fitime. Për të ndalur blerjen e Hotelit nga të huajt, Bellvue Palace u ble nga Swiss National Bank më 1976 dhe më 1994, SNB ia bëri dhuratë Konfederatës.

Më 2002 Hoteli i rinovua plotësisht me një kosto prej 40 milinë franga zvicerane.

Bellevue Palace ka pritur shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish përfshi Winston Churchill, Mikhail Gorbachev, Jawaharlal Nehru, Mbretëreshën Elizabeth II dhe Perandorin Japonez Akihito.

Këtu janë mbajtur negociatat e procesit të Helsinkit gjatë Luftës të Ftohtë dhe nga disa është quajtur si “si ndërtesa më mirë e mbojtur e Europës” lidhur me masat e sigurisë.

 

*Voal ka qenë e ftuar bashkë me grup gazetarësh në të tre rezidencat qeveritare.