Në verën e këtij viti, ndër sa kaloja disa ditë pushime në bregdetin e Vlorës, mora një njoftim nga Ambasada Kineze në Tiranë se redaksia e gjuhës shqipe e Radios së Jashtme të Kinës kërkonte të lidhej me mua. Në emailin që më kishin dërguar, shkruhej: Bashkia e Pekinit dhe Radioja e Jashtme e Kinës ftojnë dashamirës të popullit kinez për një vizitë në provincat Jilin, Heillongjiang dhe Pekin nga 30 gushti deri më 10 shtator të këtij viti. Luteshin për një përgjigje, nëse mund të merrja pjesë. Ftesën e pranova me kënaqësi.
Mbas disa vitesh do të rikthehesha në Kinë, do të njihesha me ndryshimet në dy provinca dhe në Pekin, ndryshime që shkonin në proporcion të drejtë me rritjen ekonomike të të gjitha provincave të Kinës. Fati e deshi të jem dëshmitar i ndryshimeve dhe rritjes ekonomike të Kinës, sepse e kisha vizituar atë në kohë e periudha të ndryshme. Udhëtimin e parë në Kinë e kisha bërë në vitin 1959, në rrugën për në Vietnam, ku do të bëja studimet universitare.
Kisha kaluar shumë herë në Pekin, në fillimin e viteve 1960 dhe në vitet 1970, kur isha student, dhe më vonë diplomat në Hanoi. Kisha njohur Pekinin në ato vite kur qyteti mbaronte në fund të rrugës “Guang Hoa Lu”, ku ndodhej dhe ndodhet dhe sot Ambasada Shqiptare. Aty afër fillonte rruga njëkalimshe për në Aeroportin e vetëm të Pekinit, e cila përshkonte mes përmes një pylli me drurë të mbjellë jo shumë vite më parë. E kisha njohur Pekinin kur qytetarët mburreshin me dy veprat e mëdha të atyre viteve, Pallatin e Popullit në sheshin “Tian An Men”, dhe Stacionin e ri të Trenave.
Pekinin ndryshe, Pekinin e çudirave e njoha shumë vite më vonë. Në fillim të vitit 2006, kur mora detyrën si ambasador i Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, gjeta Pekinin pa fund. Aty ku mbaronte Pekini, në fund të rrugës “Guang Hoa Lu”, në fillimin e viteve 1970, ndodhej unaza e tretë dhe Pekini i viteve 2000 kishte gjashtë të tilla. Gjatë kohës që përgatitesha për të marrë detyrën e ambasadorit, lexova librin “Shekulli kinez” të Federico Rampini-t.
Më mahnisnin të dhënat për bumin e madh ekonomik të Kinës në ndryshim të përditshëm, falë politikës së hapjes së Deng Xiaoping. Aty mësova për “komunistët më të pasur të botës”, për “eldoradon e arkitektëve perëndimore”, për “Nju Jorkun e së ardhmes”, lexova për Shenzhenin, qytetin që 30 vite më parë kishte qenë një fshat peshkatarësh dhe ishte bërë krenaria e atij zhvillimi marramendës, qyteti i kompanive të mëdha private e shtetërore me teknologjinë më të zhvilluar të kohës.
Gjatë pesë vjetëve që qëndrova në detyrë, jetova ndryshimet e përditshme të Pekinit dhe të Kinës, pata fatin dhe ndoqa ceremonitë e 60-vjetorit të çlirimit të Republikës Popullore të Kinës, mora pjesë në ceremonitë kryesore të Lojërave Olimpike “Beijing 2008”, si dhe ceremonitë e ekspozitës “Shanghai 2010”. Gjithçka perfekte, gjithçka mahnitëse. Kështu e lashë Pekinin dhe Kinën, kur mbarova misionin si ambasador i vendit tim, në vitin 2011. Isha në Pekin edhe në dhjetor 2013, por për pak ditë dhe jo për vizita.
Isha i ftuar në një simpozium të nivelit të lartë Think Tanks të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, që mbahej në State Guest House në Diaoyutai (vilat qeveritare). Kësaj radhe isha ftuar për të vizituar dy provinca të Kinës Verilindore dhe Pekinin. Më 31 gusht, bashkë me miq, kryesisht të vendeve europiane, fluturuam për në qytetin Chang Chun, kryeqendra e provincës verilindore Jilin. Chang Chun njihej si qyteti i pranverës së gjatë e gjithashtu, qyteti i automobilave ose Detroiti i Kinës, për faktin se është qendra kryesore e prodhimit të automjeteve të të gjitha llojeve.
Chang Chun të mahniste me ndërtimet moderne, rrugët e gjera, parqet e shumta dhe gjelbërimin në të gjithë rrugët. Ekspozita e 11-të e Kinës dhe vendeve të Azisë Verilindore, ekspozitë e përvitshme që organizohet në qytetin Chang Chun, e cila u hap ditën që shkuam ne, ishte demonstrim i rritjes ekonomike, rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të mallrave midis provincës dhe vendeve të Azisë Verilindore.
Vizita në Jilin Animation Institute ishte impresionuese. Konsiderohej si djepi i përsosjes së filmave vizatimorë. Instituti, bashkë me Chang Chun Film Group, konsideroheshin si baza kombëtare e industrisë së filmave vizatimorë, institut që mbante lidhje me homologë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni, Korenë e Jugut, Britani, Francë, Itali dhe shumë vendeve të tjera. “China FAW Group Corporation”, një nga kompanitë më të vjetra dhe më të mëdha të prodhimit të automjeteve në Kinë, ka historinë e vet fort interesante. Uzina filloi punimet për prodhimin e automjeteve në vitin 1953, në vitin e parë të planit të parë 5-vjeçar.
Mbështetur në eksperiencën ruse dhe me ndihmën e specialistëve rusë, në vitet 50-të arriti të prodhonte kamionin e parë të markës sovjetike “ZIS”. Shumë shpejt filloi prodhimin e veturave “Hongqi” (Flamuri i Kuq) për udhëheqjen e vendit. Pata dëgjuar nga kolegët e Ambasadës sonë në Pekin se kur ajo prodhoi veturat e para “Flamuri i Kuq” për udhëheqjen e lartë të vendit, aty nga vitet 1960, në ato vite kur marrëdhëniet e miqësisë midis dy vendeve tona ishin shumë të ngushta, Kryeministri Çu Enlai i pat dhuruar Ambasadës Shqiptare në Pekin një veturë të tillë, të cilën e përdorte ambasadori ynë për veprimtaritë zyrtare.
Sot Korporata “FAW” prodhon autovetura të të gjitha markave, kamionë të lehtë, të mesëm dhe të rëndë, autobusë të të gjitha llojeve. Ajo ka marrëveshje bashkëpunimi joint-venture me partnerë si “Toyota”, “General Motors” dhe korporata të tjera të vendeve të zhvilluara. Nga Chang Chun, me trenin e shpejtë, udhëtuam për në Harbin. Vizitën në Harbin e prisja me shumë interes. Në korrik të vitit 1961 po kthehesha për pushime në Shqipëri, mbas dy vjet studimesh në Universitetin e Hanoit. Udhëtimin Pekin-Moskë e bëmë me tren.
Në Harbin qëndruam tri orë, në pritje të ndryshimit të gjerësisë së rrotave të trenit, meqenëse gjerësia e trasesë në hekurudhat e dy vendeve, Kinës dhe Rusisë, ishte e ndryshme. Vite më vonë, kisha lexuar diku, se në fillimin e viteve 1930, në kohën kur ushtria antijaponeze e organizuar nga Partia Komuniste e Kinës kishte mbështetjen e Kominternit, Riza Cerova, një shqiptar, patriot dhe internacionalist, kishte jetuar në Harbin për disa kohë, i dërguar nga Kominterni.
Pra, mendoja me vete se ndalesa ime disaorëshe në Harbin, në vitin 1961, si dhe kontributi që një revolucionar shqiptar kishte dhënë në vitet 1930 në kuadër të Kominternit në luftën kundër pushtimit japonez, më jepnin të drejtë ta konsideroja këtë vizitë në Harbin si diçka të veçantë. Në orët e Pasdites arritëm në Harbin, kryeqendrën e provincës verilindore Heilongjiang, qyteti i akullit, apo qyteti më i rëndësishëm turistik i Kinës, i vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si “qyteti i muzikës”.
Nga fshat i vogël në vitin 1898, u shndërrua në qytet modern mbas ndërtimit të hekurudhës lindore të Kinës, që së shpejti do të kthehej në hekurudhë transsiberiane, financuar nga Perandoria Ruse. Në dekadat e para të viteve 1900, Harbini banohej nga një numër shumë i madh rusësh, hebrenjsh, polakësh, japonezësh, gjermanësh etj., të cilët dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e qyteti të quajtur “Parisi i vogël”. Mbas darkës zyrtare, të zotët e shtëpisë na shoqëruan në shëtitoren qendrore të Harbinit, e cila prej më shumë se 100 vjetësh mbeti qendër tregtare e lulëzuar.
Shëtitorja më e gjatë dhe e gjerë në Azi, vendi ideal për argëtim, çlodhje, “shopping”, në dy anët e së cilës kishte ndërtesa shumëvjeçare me një arkitekturë europiane, ishte mbushur më këmbësorë që bënin shëtitjen e mbrëmjes. Në mesin e turmës, një bandë me vegla frymore që ekzekutonte muzikë marciale, e ndjekur nga një poltron elegant që tërhiqej nga kuaj dhe mbas poltronit dy radhë me vajza, miss-et e qytetit. Atmosferë festive, traditë e vjetër që ruhej me xhelozi.
Diku, anash shëtitores, një grup piktorësh ulur në stole, me telajot e tyre përpara bënin portretet e personave që pozonin. Shoqëruesja më shoqëroi te grupi i piktorëve, thirri njërin prej tyre, ndoshta përgjegjë- si i grupit dhe më prezantoi. Shtrënguam duart. I thashë se sa isha i kënaqur që përjetoja një atmosferë të tillë. Kjo që bëni ju, vazhdova unë, është diçka e ngjashme me atë të piktorëve në Sacre-Coeur të Parisit. Kam punuar disa kohë atje, më tha piktori dhe m’u lut të ulesha për një portret. E falënderova dhe bashkë me grupin vazhduam shëtitjen e mbrëmjes.
Një mbrëmje e paharruar. Harbini qendër e rëndësishme ekonomike e industriale; Harbini i “HIT Robot Group”, kompani e teknologjisë së lartë, e angazhuar në “R & D” (Research and Development) për të gjitha fushat e zhvillimit, transferim teknologjie, pajisje automatike të energjisë bërthamore, të hapësirës, etj; Harbini i Zonës së Re Ekonomike, i parqeve të shumta çlodhëse; Harbini me bërthamën e vet, Distriktin Daoli të informatizuar, me qendra shëndetësore model, me arsim të përgjithshëm dhe profesional modern, me universitete të shumta; Harbini me fabrikë birre dhe fabrikë cigaresh më shumë se 100- vjeçare; Harbini me histori të lavdishme të luftës kundër pushtuesve japonezë -të mbush me emocione të paharrueshme.
Në Pekin do të qëndronim katër ditë. Ç’mund të vizitonim në një kryeqytet qindravjeçar, qytet me arkitekturë moderne dhe tradicionale. Pekini i dikurshëm me Pallatin e Ndaluar, Pallatin e Verës, Tempullin e Qiellit e tempuj të panumërt, Pekini i hutongjeve ku kanë jetuar shkrimtarë, artistë, personalitete të të gjitha fushave, Pekini thesar i historisë së një populli të talentuar e vital.
Pekini i sotëm, qendër politike, industriale, ekonomike, tregtare, kulturore; Pekini i së ardhmes; Pekini i vitit 2022 me një popullsi prej 25 milionë banorësh, me një zhvillim urbanistik tanimë të detajuar nga urbanistët më të mirë të vendit; Pekini me një zhvillim që çudit cilindo vendas e të huaj. Pekini i Qeverisë Qendrore që drejton një vend dhe një popull me një rol shumë të rëndësishëm në politikën botërore, me një ekonomi që zë vendin e dytë në botë, mbas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që pretendon vendin e parë.
Libri “Shekulli kinez” i Federico Rampini-t, që dikur bëri jehonë dhe lexohej me shumë interes nga të gjithë ata që donin të mësonin për ndryshimet e mëdha që kishte arritur Republika Popullore e Kinës nën parullën e Deng Xiaoping, të ndërtojmë socializmin me karakteristika kineze, me politikën e Tij të hapjes së Kinës ndaj botës, sot mbetet libër që i përket historisë.
Ai libër dhe të dhënat e tij nuk çudisin më njeri. Shifrat e rritjes së Kinës tanimë janë të paimagjinueshme. Shifrat që çudisin sot, nesër bëhen të parëndësishme. Këto i arrin vetëm Republika Popullore e Kinës.
*Ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës
Komentet