VOAL

VOAL

Politika italiane ndaj çështjes shqiptare 1897-1912 – Nga Dr. NIKO FERRO

September 22, 2015

Komentet

“Femrat gjakovare u shquan edhe si artiste e këngëtare dhe në teatrin amator të kohës, kanë luajtur; I. Zherrka, V. Binishi, D. Bakija, A. Kryeziu, J. Rudi, etj,…”/ Historia e panjohur e Gjakovës

Nga RAXHIJE DUSHI – RUGOVA

Nuk është aspak e lehtë t’i kundërvihesh mentalitetit, aq më tepër një mentaliteti që të dënon publikisht dhe ku zëri i femrës është i pandjeshëm, gati sa nuk ekziston si pasojë e injorancës dhe analfabetizmit. Sami Frashëri thoshte; “Nëse duam të kemi një shoqëri të përparuar, në radhë të pare duhet t’i keni femrat e shkolluara, se fëmijët edukatën e parë nga Nënat e marrin” Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë apo e krejt njerëzisë. Për shkak të sundimeve të gjata nga pushtues të ndryshëm, populli shqiptar e në mënyrë të veçantë femra shqiptare nuk kishte mundësi të ndiqte rrugën e emancipimit ndonëse nuk i mungonte dëshira dhe vullneti për t’u emancipuar ashtu si popujt e tjerë të lire evropian. Kjo mundësi i erdhi popullit shqiptar tek në shekullin XX-të.

Mundësia për hapjen e shkollës së parë shqipe Gjakovës i erdhi në kohën e pushtimit austriak, kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Në këtë kohë, pra, gjatë viteve 1915-1918 në Gjakovë u hap edhe shkolla shqipe, Në vitin shkollor 1917-‘18 u hap edhe shkolla e vajzave. Mësuese të para të kësaj shkolle ishin Emine Shehdula, nëna e Agim Gjakovës dhe Dominike Ndocaj, që e zhvillonin mësimin në një shtëpi private, në fillim me 15 nxënëse e më vonë me 30 vajza. Por pas vitit 1918, Kosova u ripushtua nga jugosllavët dhe menjëherë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe.

Mundësia për rihapjen e shkollave shqipe në Gjakovë erdhi tek ne në vitin 1941, kur Kosova u pushtua nga Italia dhe në këtë kohë u realizua edhe bashkimi kombëtar. Në këtë kohë u rihapën edhe shkollat shqipe. Gjatë periudhës 1941-’45, në shkollën e vajzave jepnin mësim këto mësuese; Emine Shehdula, Shirine Shehdula, Pina Kola, mësuese që kishte ardhur nga Shkodra, Zografe Martini, Vera Gashi, Lirije Tanefi, Marije Lumezi, Xhevrije Lipoveci, Marije Hajdari, Melihate Deva – Nura, Nasibe Rizvanolli, Mervete Xhevori dhe Drita Kryeziu .

Ky numër i mësueseve shqiptare në atë kohë tregon dëshirën e madhe për emancipim dhe shkollim të femrave shqiptare që deri në atë kohë ishin femra të mbyllura dhe pa perspektivë. Pra gjatë kësaj kohe u shkollua një numër i konsiderueshëm i vajzave gjakovare, të cilat shërbyen si një kontingjent i mësueseve të ardhshme që hapën dritën e diturisë edhe pas çlirimit, pra pas vitit 1945 e më tutje, jo vetëm në Gjakovë, por në shumë fshatra dhe vise të ndryshme të Kosovës.

Këto mësuese, përveç kontributit të tyre në procesin mësimor, kanë dhënë një kontribut shumë të madh në emancipimin e femrave duke organizuar kurse të ndryshme si kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse rrobaqepësie, jo vetëm me vajza të reja por, edhe me gra më të moshuara. Njëra prej aktivisteve të këtyre kurseve ka qenë edhe Nanije Bakalli-Deva. Ajo bashkë me disa mësuese shkonin fshat më fshat për të organizuar këto kurse. Por një punë të madhe kanë bërë edhe duke i bindur burrat që t’i lëshoni gratë e tyre për t’i ndjekur këto kurse, se ishin për të mirën e tyre.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare ishin angazhuar edhe në Lëvizjen Nacional çlirimtare për çlirimin e vendit nga nazifashistët, ashtu si dikur motrat Bejtullahu, që kishin luftuar kundër ushtrive të huaja për mbrojtjen e nderit të tyre. Ndër më të dalluarat ishin Bije Vokshi e cila, përveç që kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në luftë, ajo përpiqej edhe për ta mbërritur barazinë gjinore në mes të burrave dhe grave, si pjesë aktive e shoqërisë.

Në këtë lëvizje ishin të angazhuara edhe shumë femra gjakovare, si Ganimete Terbeshi, e cila për shkak të aktivitetit të madh që zhvillonte, bie në sy te armiqtë, zihet dhe varet në litar si një heroine e vërtetë. Me te ishte e angazhuar edhe motra e saj, Hidajete Terbeshi, Muradije Terrbeshi, e njoftur si Halla e Terbeshit, Shefkije Terbeshi dhe shumë të tjera si; Safete Nimani, Hidajete Muhaxhiri, Halise Muhaxhiri, Shefkije Dobruna, Gjylshahe Pula, Hyrije Hana, Xhije Hana, Mema Vokshi, Cymë Puka e Naxha e Lakucit dhe shumë të tjera.

Këto edhe më vonë kanë vazhduar aktivitetin e tyre në fusha të ndryshme e sidomos në heqjen e havalës që ishte një pengesë e madhe për emancipimin e femrës shqiptare. Në këtë kohë, nga nevoja e madhe për arsimimin e femrave shqiptare, qeveria e kohës kishte organizuat edhe kurse të shpejtuara pedagogjike në Prizren dhe Pejë, ku i dërgonin edhe ato vajza që kishin kryer vetëm katër klasë, për t’i përgatitur për mësuese. Kishte raste kur këto vajza shumë të reja, në moshë 13 vjeçare, si Besa Dyla-Gaxha, që emërohet mësuese. Tani shkollimi ishte bërë masiv për të gjithë rininë dhe nëpër klasë të mësimit mësonin bashkarish djemtë dhe vajzat.

Sipas shënimeve të nxjerra nga tekste të ndryshme nga viti shkollor 1946-’52, na dalin rreth 50 emra të mësueseve në Gjakovë, që kanë dhënë kontributin e tyre në mësimdhënie, jo vetëm në Gjakovë, por gjithkund ku kishte nevojë nëpër Kosovë. Mësueset që kanë punuar gjatë kësaj periudhe janë; Shqipe Gjakova, vajza e mësueses Emine, kishte punuar në gjimnazin e ultë.

Ganimete Baraku-Brovina, Mandushe Bejtullahu, Hydajete Beqa- Domi, Marije Berisha, Serbeze Brovina, Xhilone Brovina, Nafije Deva, Nanije Deva, Hidajete Dobruna, Shqipe Grezda, Durrije Shita, Shpresa Bardhi-Meça, Nazmije Nimani, Sadete Nushi-Luzha, Nakije Agani, Shyqerije Zherrka që luante edhe si aktore në teatrin e qytetit, Vera Binishi edhe aktore, Hidajete Terbeshi-Gërqina, Nanije Bokshi-Nixha, Mervete Hoxha-Nimani, Resmije Purrini Shala, Edibe Binishi Pula, Nizafete Binishi- Pula, Sevdije Dushi, Për kontributin e saj emërohet si zëvendës-drejzoresh dhe e drejton këtë sektor për tetë vjet.

Hysnije Deda, Pakize Shasivari, Shyrete Valla, Andane Kolçi, Naxharije Binishi, Samile Dushi, Florije Domi, Ganimete Hoxha, Bardhe Vokshi-Vala, Nexhmije Kabashi që ishte edhe aktiviste ne shumë aktivitete dhe si aktore e mrekullueshme, Nanije Koshi, Ferihane Canhasi, Bahrije Polloshka,Atifete Kryeziu, Drita Kryeziu, Zejnete Baraku, Nashide Baraku, Zyrafa Rraci, Florije Rizvanolli, Nafije Nushi, Nadire Komoni, Fatime Berisha-Xharra, Muhamedije Bokshi, Samile Kabashi, Shyrete Dyla etj. Vlen të përmendet edhe emri i Ganimete Vula-Nura, jo vetëm që ishte mësuese por ishte një aktiviste e madhe dhe njihet si parashutistja e parë shqiptare në Kosovë. Gjakova njihet si djep i artit dhe i kulturës.

Një kapitull në vete është edhe paraqitja e femrave gjakovare si artiste dhe këngëtare. Në teatrin amator të kohës, kanë luajtur; Igballe Zherrka, Vera Binishi, Drita Bakija, Atifete Kryeziu, Jalldyze Rudi, Rabije Domi. Por ato që vazhduan si artiste profesioniste, janë motrat Qefsere dhe Mervete Kurtishi, Elida Shasivari etj. Kurse si këngëtare janë dalluar; Zyhra Mula, Hazbije Kavaçi, këngëtare dhe valltare e njohur, Z. Vera… balerina e parë në Kosovë, që i kishte kryer studimet në Shkup, Besa Arllati, Sadete Kupa, Bardhe Riza-Gjini, Gongje Çaushi, Hazbije Dautaga, Mandushe Bakija, Bahrije Shyti etj.

Sanije Kryeziu njihet si harmonikistja e parë shqiptare, që në vitet ‘30-ta bënte muzikë, që ishte rast i rrallë jo vetëm te ne. Samile Roka njihet si fotografja e parë femër në Kosovë, që ka punuar jo vetëm në qytet, por edhe nëpër fshatra me shumë vështirësi por me një dëshirë dhe guxim të rrallë. Edhe në bibliotekën e qytetit të Gjakovës, kanë punuar si bibliotekiste Florije Nura dhe Fitnete Pruthi. Kurse në Muzeun regjional të qytetit të Gjakovës, ka punuar Fatmire Buza.

Në atë kohë një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare, përveç shkollave të ndryshme që i kryenin nëpër Kosovë, shkuan për të studiuar edhe nëpër fakultete të ndryshme të Jugosllavisë, si në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, Shkup e vende të tjera. Për t’u përgatitur dhe për të dhëne kontributin e tyre edhe si eksperte të fushave të ndryshme. Më të parat janë; Lejla Rraci, kryen studimet në Beograd si gjinekologe e parë shqiptare në Kosovë, Qamile Jaka kryen studimet për stomatologji.

Sute Polloshka Stavileci në Beograd për farmaci, Litafete Nebi Komoni Xërxa studion për sociologji, Lirije Sahit Barku-Caka kryen studimet në Beograd për filozofi dhe pedagogji, Behije Dashi kryen studimet në Beograd dhe ishte arkitektja e pare shqiptare në Kosovë. Mervete Isa Radoniqi është specializuar në Beograd për kardiologji dhe ka qenë ligjëruese në fakultet.

Drita Bakija-Gunga, doktoreshë e historisë. Egjlale Dobruna, ka studiuar në Zagreb dhe është arkeologja e parë shqiptare. Nurije Shllaku Haxhikadrija, ka kryer studimet në Sarajevë për ekonomi. Nysrete Vula-Mulla, ka kryer studimet për letërsi është marrë edhe me shkrimin e poezive, si poeteshë e parë shqiptare në këto anë. Nesrete Vula, si albanologe, Myhybije Dushi kishte kryer studimet për fizikë. Nafije Meka, ka kryer studimet për kimi dhe ka ligjëruar në fakultet, Samile Dushi ka kryer studimet në Shkup dhe Navi Sad për gjuhën gjermane dhe ishte ligjëruese në fakultet.

Raxhije Dushi Rugova, ka kryer studimet në Shkup dhe Prishtinë për gjuhën angleze, kishte shkuar edhe në Angli për ta përvetësuar sa më mirë gjuhën angjeze, si femra e parë që doli jashtë shtetit dhe ishte femra e parë në Gjakovë që fillon mësimin e gjuhës angleze në shkolla të mesme. Pra numri i femrave shqiptare ishte mjaftë i madh, që u specializuan në fusha të ndryshme të dijes dhe të shkencës.

Që nga ajo kohë e deri tani, numri i femrave intelektuale shqiptare është në rritje të vazhdueshme dhe mund të themi se është arritur një shkallë të lartë barazia gjinore në të gjitha fushat e jetës. Pjesa dërmuese e trupit arsimor nëpër shkollat e komunës së Gjakovës janë femra. Në të gjitha institucionet e vendit i hasim femrat, duke punuar jo vetëm si punëtore, por edhe si eksperte. Prej prokurorisë Shpresa Bakija e, deri në qeveri, si Atifete Jahjaga si Presidente e Kosovës.

Femrat tona sot janë deputete por edhe kryetare e komunës së Gjakovës, si Mimoza Kusari Lila, pra edhe nëpër pozitat e vendim marrjes. Në saje të emancipimit të femrës është arritur edhe barazia gjinore dhe në pjesën më të madhe të familjeve tona nuk ka më diskriminim ndaj femrave, por në harmoni e organizojnë jetën nëpër familjet e tyre./ Memorie.al

KOLABORACIONIZMI, NË KUSHTET E QËNIES SË VËNDIT TË PUSHTUAR NGA KËMB’E HUAJ, SI EDHE NË VAZHDIM, KUR SHQIPËRIA U QUAJT E ҪLIRUAR! – Nga Mërgim KORҪA

 

(Pjesa I)

                Shtysa që na bën t’a kundrojmë periudhën historike përfshirë mes viteve 1939 – 1945 me një pamje të gjërë, të themeltë, përgjithësuese edhe tërësisht shkencore, kërkon që të ndriçohen e pastaj edhe të mbështetemi edhe në fakte historike jo vetëm lënë në harresë por edhe shtrembëruar qëllimisht nga historianët e periudhës së diktaturës. Prandaj detyrohemi t’a fillojmë analizën duke përcaktuar fillimisht kriteret bazë të mirëfillta shkencore lidhur me përdorim caqesh gjuhësore pa u a shfytyruar kuptimin atyre, pa le në vazhdim edhe të lejojnë interpretime të gabuara, (prirur nga shtysa karakteri ideologjije politike), të cilat nga ana e tyre në vazhdim çojnë pashmangshëm në përfundime krejtësisht të gabuara. Po radhisim disa shëmbuj përcaktimi të cakut gjuhësor KOLABORACION:

                KOLABORACION – Në parim, bashkëpunim, pra kooperim, lidhur me arritjen e një kontributi përgjatë një veprimtarie kolektive.

KOLABORACIONI kundruar nga këndvështrimi përgjithësues filozofik, përcakton  se si ndaj kolaboracionizmit janë të prirë  kryesisht të pafuqishmit,(në çdo fushë, qoftë ekonomike, politike, ushtarake, etj), nga që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë.

                KOLABORACION  NË INTERES TË ATDHEUTKur bashkëpunumi kryhet me pikësynim mbrojtje interesash kombëtare, pa i përfillur ato personalet, bile përgjithësisht jo vetëm duke i nëpërkëmbur ato por duke vënë në lojë edhe të kaluarën skajshëm pozitive të vetë personit.

                KOLABORACION TRADHËTAR Kur bashkëpunohet me një shtet të huaj për hir interesash, thjeshtë vetiake ose grupi, prirur për t’a mbështetur të huajt këtë regjim të pamerituar dhe udhëheqësit e këtij regjimi i shquan ndjenja e vetqëndërzimit të pashëmbulltë, (egoizëm i kësaj natyre), i cili shtyhet deri në kufij skajorë duke shkelur qoftë edhe mbi kufomat e mbështetësve besnikë të dikurshëm!

                OPORTUNIZËM  POLITIK Në vijin, sa i takon kolaboracionizmit politik, (qoftë ai në interes ose jo të atdheut), pikërisht të paaftët për t’a nxjerrë “qimen nga qulli”, duke i u referuar kolaboracionit, post facta, (mbasi ngjarjet të jenë zhvilluar),  duan t’i a japin të drejtën vetes, duke pasë qëndruar krejtësisht INDIFERENTË  dhe  oportunistë përgjatë zhvillimit të ngjarjeve, të japin gjykime me gishtin  e madh lart ose poshtë, (thumb up ose thumb down simbas dy herë fituesit të çmimit Nobel, ptofesor Linius Pauling – ndonëse i konsideruar si prosovjetik, e pra aspak në mbështetje të kësaj analize – shënim M.K.)!

                Nisur nga këto konsiderata, hyjmë në temë duke filluar, me pak histori, që të përshëndriten e doemos edhe të sqarohen, disa çaste të rëndësishëm ku gjykimi në vazhdim të shikohet se si udhëhiqet nga logjik’ e shëndosh’ edhe e themeltë.

Është në nderin tonë që né, shqiptarët si komb, kemi trashëguar një emër të vlerësuar shumë lart përgjatë rrjedhave të historisë. Kjo është nje e vërtet’ e pamohueshme. Mirëpo numuri aq i madh i qindravjeçarëve përgjatë të cilëve rrebeshet si edhe tufanet politiko – shoqërorë u munduan t’a zhbinin nga faqja e dheut kombin tonë, ndonëse nuk i a arritën atij qëllimi, e vunë para provash tejet të vështira për t’u përballuar. Vetë pozicioni ynë gjeografik, i kushtëzuar në mënyrë të pazgjidhëshme në vazhdim nga zhvillimet politike si pasoj’e dyndjeve përgjatë shekullit të VII-të nëpër Europën lindore të popujve sllavë, si pasoj’e një trysnie të egër të tyre për mbijetesë, krijuan rrethana si edhe situata që veç një banor i atyre viseve, i vdekur asokohe dhe i rilindur sot, në shekullin e XXI – të mund të na i skjarojë. Vetëm ai, duke e gërmuar e zhbiruar sadopak sipërfaqen tashmë të ngrir’e të ngurtësuar të asaj  llave dyndjesh nomade që tashmë  konsiderohet e autoktonizuar, do të mundej të na hidhte dritë të saktë rreth të vërtetave të zhvillimeve historike. Mirëpo edhe po të arrihej hipotetikisht të hidhej dritë mbi ato sekuenca historike tashmë të fosilizuara, asnjë përfitim konkret nuk do të na vinte. Kjo sepse përgjatë zhvillimeve shumë më të afërt në kohë, konkretisht që nga mesi i shekullit të XIX – të e këtej, drejtuesit e popullit tonë janë ballafaquar me nevojën të merrnin vendime si edhe të nbanin qëndrime, në rrethana të caktuara në interes të kombit tonë, të cilët historianët bashkëkohës të periudhës së diktaturës komuniste, i kanë dënuar nga pozita krejtësisht jo – shkencore dhe kryekëput konformiste partiake. Fatkeqësia pastaj që ajo diktaturë e egër dhe gjakësore e pati jetën e saj thuajse gjysëmshekullore, bëri të mundur që çpifjet, gënjeshtrat si edhe shtrembërimet e atyre historianëve konformistë ndaj pohimeve dhe fantazive të diktatorit paranojak komunist, u rrënjosën duke zënë vënd në tekstet mësimore edhe të sot e kësaj dite! E pikërisht rreth ndonjerës prej këtyre konsideratave të prekëshme dhe tejet të pranishme edhe në ditët tona, dua të përqëndrohem përgjatë kësaj analize edhe të hedh dritë rreth dëmeve që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë ato vetë.

Do t’a filloj, vetëm sa për t’a cekur, duke kujtuar një temë q’e kam trajtuar relativisht gjerë në Simpoziumin e V – të të zhvilluar në Orosh të Mirditës nga E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE, përqëndruar në kreun e XXII – të të Kanunit të Maleve me titullin VRASA. Me këtë rast dua të shtroj para lexuesit një pohim të studjuesit japonez Profesorit Kazuhiko Yamamoto i cili, duke qënë specialist i fushës kanunore botërore, pohon se Kanuni i Maleve është, simbas tij, më i lashti kod ligjor!  E përsëris më i lashti kod ligjor! Kurse, për nga rigoroziteti i trajtimit ligjor, e quan pararendësi i Kodit të Justinianit që vuri themelet e së Drejtës Romake! Pse e fillova me këtë hedhje drite rreth Kanunit të Maleve tona? Sepse përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste jo vetëm juristët si edhe historianët tanë, por edhe letrarët tanë nga më të shquarit e Realizmit Socialist, Kanunin tonë të Maleve e përbaltën, e zvetënuan, e përdhosën dhe e dogjën mbi turrën e druve! Natyrshëm lind pyetja, pse u veprua kështu? Për t’u konformuar me egoizmin e diktatorit dhe të partisë së tij që donin të ngulitej mendimi se çdo e mir’ e Shqipërisë u themelua mbas marrjes se pusht-shtetit nga komunistët! E ky qëndrim fillimisht ndaj Kanunit të Maleve, që s’është gjë tjetër veçse një xhevahir si edhe me plot kuptimin e fjalës,  NDERI I KOMBIT TONË.  Po, ndér të cilin aman sa do të ëndërronin t’a kishin kombet kufitare me ne, historianët si edhe letrarët e Realizmit Socialist, e katandisën në atë nivel që kur sot vriten dy a tre qofshin trafikantë droge apo keqbërës të tjerë me njëri tjetrin, gazetat shkruajnë fare pa përgjegjësi duke ndjekur mendësinë e instaluar me dhunë nga P.K.Sh., me gërma kapitale: VEPROI EDHE NJËHERË KANUNI! Kurse përgjigja ndaj kësaj mosnjohjeje të skajëshme të së vërtetës historike, si rrjedhim edhe të vetë Kanunit të Maleve, është: Duhet t’a mësojnë ata që  nuk e dijnë e gjithashtu edhe t’a pranojnë historianët shtrembërues të të vërtetave historike se, heret a vonë faktet historike si edhe të vërtetat e shtrembëruara apo të mohuara, DALIN NË SHESH! Kanuni i Maleve ka qenë veprues kur nuk ekzistonte shteti ligjor. Kurse sot ai është vetëm një relike  muzeale por e cila relike e vyer  dëshmon se si kombi i ynë, pikërisht në mungesë të shtetit ligjor, administrohej nga rregulla e ligje të së drejtës civile si edhe asaj penale që kombeve të tjerë ose u mungonin fare ose ishin akoma kode në shpërgënj krahasuar me tonin!

                Vazhdojmë me një çështje tjetër skajshëm të mprehtë, problemi habré në Shqipëri dhe mënjanimi i genocidit ndaj tyre. Sa për ilustrim, në Izrael kanë institucionalizuar një titull  nderi të lartë të emërtuar TË DREJTË NDËRMJET KOMBEVE! Ky titull nderi u është dhënë jo – hebrenjëve që kanë fshehur  dhe shpëtuar hebrènj të persekutuar nga gjermanët përgjatë luftës së II – të Botërore edhe emri i tyre ësht’i shkruar  në murin e Yad Vashemit, shoqëruar ky nderim edhe me një medalje të personalizuar.

Lejomëni tashti të bëjmë fluturimthi një analizë krahasuese. Në Shqipëri nga ana e shtetit Izraelit janë shpërndarë 69 tituj të tillë nderi.[1] Në qoftë se këtë shifër, në raport me popullatën, do t’a konsiderojmë 100,00 njësi për Shqipërinë, po ju radhisim me radhë shtetet e tjerë me gjithë shifrat relative të tyret krahasuar me Shqipërinë:

1 – Shqipëria……………………………100.00

2 – Danimarka …………………………..16.63

3 – Maqedonia …………………………..  9.80

4  – Sllovenia ……………………………… 6.53

5 –  Rumania………………………………   6.52

6 –  Bullgaria……………………………….5.90

7 –  Mali i Zi…………………………………3.53

Shumatorja e treguesve, të konvertuar të gjashtë shteteve së bashku, arrin vlerën totale 48.91 % krahasuar me Shqipërinë! Duke e mënjanuar për një çast  për saktësi llogaritjeje Danimarkën nga kjo listë, faktori Shqipëri në shpëtimin e jetëve të hebrénjve strehuar në territorin e saj merr një pamje akoma më shprehëse në favorin e Shqipërisë ku kjo e fundit ka treguesin100 % ndërsa pesë shtetet e tjera Ballkanike së bashku arrijn ëvetëm kuotën e 32.28 %! Duke e larguar tashti nga rrethi i abstragimit Danimarkën e duke e shikuar pasqyrën krahasuese edhe një herë të plotë, bije në sy se si Shqipëria në krye, e pasuar nga Danimarka, kanë njësit’e shpëtimit të hebrénjve shumë më të larta nga popujt e tjerë. Natyrshëm çdo vëzhguesi, sadopak i vëmëndshëm qoftë, i bije në sy se si në gadishullun Ballkanik jo vetëm që Shqipëria shquhet katërcipërisht dukshëm ndaj popujve të tjerë  në drejtimin e shpëtimit të hebrénjve, por edhe danezët si popull shquhen shumë mbi mesataren ballkanase në këtë drejtim! [2]

Natyrisht dy janë pyetjet që kërkojnë përgjigje:

1 – Ҫ’patën të përbashkët në qëndrimet e tyre Danimarka me Shqipërinë?

                Në Danimarkë pushtuesi gjerman si edhe në Shqipëri ai italian, strukturën shtetërore e lanë të pacënuar, me pak fjalë të dy vëndet patën parlamentet dhe qeveritë e tyre. Nga ana tjetër, në mes Danimarkës si edhe Gjermanisë u nënshkrua një memorandum sipas të cilit njihej qeveria daneze me kompetenca të plota dhe gjermanët pranonin të mos ndërhynin në punët e brëndëshme të vëndit. Të mos harrojmë se i njëjtë qé edhe pozicionimi i qeverisë Gjermanisë ndaj vëndit tonë, fillë mbas kapitullimit të Italisë, me të gjitha rrjedhojat e saja objektive relativisht pozitive për vetë Shqipërinë.

2 – Si ka mundësi që Danimarka mezi arrin  16.68%, e krahasuar me Shqipërinë, sa i takon livelit të shpëtimit të hebrénjve përgjatë pushtimit gjerman?

Kjo pyetja e dytë, kërkon shpjegime të gjata  e të dokumentuara historikisht në mënyrë të themeltë. Në kuadrin e kësaj analize do të përgjigjemi doemosdo brënda caqeve të rilla që, së paku  të painformuarit si edhe t’ushqyerit nga propaganda komuniste, por në esencë njerëz të ndershëm, t’i mësojnë të vërtetat e në vazhdim po deshën të qëmtojnë, të thellohen e të paisen në këtë drejtim me fakte si edhe të vërteta historike të tjera, pastaj në vazhdim të gjykojnë vetë, pa asnjë ndikim të jashtëm.

Danimarka ishte nën trysnin’ e pranisë ushtrisë gjermane në territorin e saj në një kohë që në Shqipëri nuk kishte këmbë ushtari gjerman deri më 8 shtator 1943, ditë kur kapitulloi Italia. Si u zhvilluan ngjarjet lidhur me hebrénjtë? Qeveria daneze i mbrojti dhe u a maskoi identitetet hebrénjëve por hebrenjëve danezë!  Kurse hebrénjt’ e dyndur në Danimarkë, nga Gjermania, Norvegjia, Suedia si edhe shtete të tjerë, të ndodhur pa mbrojtjen e qeverisë daneze, në shumicën e tyre dërmuese u zbuluan sipas listave emërore dhe përfunduan kampeve të çfarosjes. Ndërsa në Shqipëri ndodhi krejt ndryshe. Lidhur me këtë fakt do të sjell një dëshmi timen personale .

E mbaj mënd mirë sikur të ishte dje. Im Atë sapo ishte kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë. Sapo erdhi i telefonoi mikut të familjes dhe kryeministrit të Shqipërisë Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se sapo qe kthyer nga Kosova. Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u çfaq kryeministri i cili, porsa hyri, i tha tim eti ç’dinte t’i thosh për hebrènjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve. Dua të saktësoj se duhet të ketë qënë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e tim’Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942). Nga që im’Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré, mik i albanologut Norbert Jockl-it, atëbotë Mustafa Kruja  i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit, duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre. Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion. Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë ia lehtësonte punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra evenruale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lakmëronte mënjëherë  edhe Engjëll Ҫobën, aso kohe sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë Ai me gjithë t’im Atë. Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Ҫoba, në krye të një grupi prefektësh ei edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuzë të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë të listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin  David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Moisiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe duke i nisur urgjent për në Shqipëri. Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket  të papërditësuara nga informatorët e tij. Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me veprime pro hebréje, sepse në arkiva  do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë. Pse e kam këtë bindje? Sepse lidhur me atë ngjarje , ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288 – 289 të librit të tij : La politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri) me botues Cappelli editore botuar më 31 maj 1965, pohon tekstuaiisht: “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte “burrnia” e tij, d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxim si edhe  zemërgjerësi, e pata pak kohë  mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit  Ministror. Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte  dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri … Në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman  që të mund t’i identifikonin … ramë në ujd( … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso .. Roma nuk u njoftua zyrtarisht  lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çështjeve rezervate, ministri fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në sajë të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebréJjtë gjermanë , bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësia t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”

                Me kapitullimin e Italisë edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, (në ndryshim nga Danimarka ku në krye të shtetit ishte nbreti), e pastaj si aparat ekzekutiv qevert’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht pozicionimit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman. Hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar të gjithë! Edhe me kaq sa u paraqit këtu , besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm  nuk e ve më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuesese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve  të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënia: Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar  atje,  dolën nga Lufta e II- të botërore, në numur më të madh nga ç’hynë! Nuk e lemë dot pa e përmendur edhe një qëndrim kuptimplotë të  pjesëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës (përgjatë kohës së gjermanëve), bashkë – nënëshkruesit të Dokumentit të Mëvehtësisë si edhe atdhetarit të shquar Lef Nosit. Ndonëse ai mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebrèut prof.  Mark Menahemit, i cili në Maqedon(, tek e trasportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ishte hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri! Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991. E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetar i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku të përfundonte  tjetër  veçse para skuadrës pushkatimit, bashkë me anëtarin tjetër të regjencës, Patër Anton Harapin si edhe ish kryeministrin Maliq Bushatin!

Dhe unë marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike: A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar  nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjtha qeverit’e tjera nën juridiksionin e Regjencës? Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre  qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e popullit Shqiptar, aq të nderuar mes emrave të murit Yad Vashemit!

Deri këtu u identifikuan dy nga shtrembërimet madhore që historianët e indoktrinuar  si edhe letrarët konformistë u kanë bërë të vërtetave historike: Përbaltja si edhe çpifjet ndaj Kanunit të Maleve që, nga ana e tyre në rastin më dashamirës, është konsideruar vetëm turpi i kombit tonë, si dhe nga ana tjetër problemi i shpëtimit të hebrénjëve, falt i cili nuk mohohet dot sepse bashkëkohor, por faktori vendimtar i asaj  shmangie genocidi nazist ndaj hebrénjve ishin padyshim qeverit’ e asaj periudhe të kohës së Luftës së II – të Botërore, veprimi i të cilave jo që u la në harresë por vazhduan dhe u përbaltën si qeverikolaboracioniste  derisa e drejta vezulluese e atyre fakteve historike  u mbulua nga çpifjet e përsëritura deri edhe sot e kësaj dite!. Mirëpo faktet janë kokëforta dhe e drejta vërtet vonon por vjen një kohë dhe del në shesh! Një ditë krejt papritur, bile kur Kosova akoma nuk e kishte shpallur dot énde pavarësin’ e saj, merret një vendim, (i cili për kohën që u muar, nga që faktet kanë qenë fshehur në Shqipërinë mëmë për dhjetravjeçarë me radhë, dukej në syt’e shqiptarëve shumë  komprometues për Kosovën dhe kosovarët), ku njera prej rrugëve kryesore të Prishtinës, e pikërisht ajo para ndërtesës Parlamentit, u pagëzua me emrin e nderuar nga kosovarët dhe u quajt Rruga Munstafa Kruja! Po kështu janë emërtuar me të njëjtin emër rrugë edhe në Pejë e Gjakovë). Pra Kosova, me përgjegjësi edhe guxim, mbështetur në  fakte publikisht të njohur por të mbajtur fshehur, të shfytyruar bilè edhe të përbaltur nga historianët e diktaturës brënda kufinjve të Shqipërisë “mëmë”, e vlerëson lart figurën e ish Kryeministrit Shqiptar! Ndonjë studjuesi të painformuar mirë mund t’i shkojë  mëndja se ky nder i është bërë Mustafa Krujës, për meritën e tij lidhur me shpëtimin e hebrénjëve që ishin dyndur në Kosovë.  Zotërinj, nderi i atribuar Mustafa Krujës nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë ngjarje por me qëndrimin skajshëm patriotik të mbajturnga Mustafa Kruja lidhur kjo edhe me veprimet e tija në këtë drejtim ndaj Kosovës që i pati përmbledhur me plot gojën, ((besoj se për një t’ardhme të afërt e provizore), dhe zyrtarisht e botërisht qé shprehur … “Ma mirë nji Shqypni gjysë e pamvarun por me Kosovën, se sa e pamvarun por pa Kosovën ! S’bashkut me Kosovën, pamvarsia nuk vonon e s’fundit vjen!

[1] Shtetet e marra në kundrim janë përzgjedhur jo rastësisht por kriteri ka qenë  të krahasoheshin shtetet ballkanike, ku governator i përgjithshëm  gjerman ka qenë Hermann Neubacheri, pra (kushtet e trajtimeve të kenë qenë të njajtë), dhe mes tyre  është futur edhe Danimarka , me që asaj edhe i jemi referuar përgjatë analizës si shtet i vetëm përveç Shqipërisë, ku Reichu Gjerman  zbatoi trajtimin  si urë kalimi dhe mosndërhyrje në punët e tyre të brëndëshme.

[2] Sa u takon krahasimeve të bëra ku për Shqiprinë  njësia llogaritëse, (si emërues i përbashkët krahasues), është marrë 100.00 njësi, gabimi eventual ësht’i barabartë për të gjitha shtetet e marra në konsideratë, (i varur ky gabim lidhur me gabime në censusin e popullatave të ndërsjella të viteve 1940 – 1944).

“Paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre, reflektohet tragjikisht në ekzistencën e…”/ Si paraqiteshin shqiptarët në sytë e Perëndimit në fillimet e shekullit të kaluar

Evarist Beqiri

“As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”. Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA-ës. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë. Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – myslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.

Shqiptarët janë vetëdijesuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe muhamedane. Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim. Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.

Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzjenë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias, kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk.

Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre– shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.

Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.

Hakmarrja praktikohet ende

Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kolektiviteteve të kodit të shqiptarit.

Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër. Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet.

Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut. Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut.

Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.

Personalitet i pathyeshëm

Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve.

Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar. Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin muhamedan, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-muhamedanë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.

Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm.

Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre.

Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve.

Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët. Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët.

As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.

Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm

Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes.

Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian.

Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte. Shenjat e para të një kundërshtimi u dhanë që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze.

Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.

Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin.

Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.

Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine.

Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.

Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë. / Memorie.al

“Jo pushtet vetëm me komunistë”, deklarata që fundosi Kol Kuqalin, procesverbali i hetuesisë më 1947

Historia e Shqipërisë komuniste mbetet e mbushur me figura të cilat u zhdukën nga jeta politike dhe publike përmes dhunës, burgosjeve dhe eliminimit fizik.

 

Mes tyre qëndron edhe emri i Kol Kuqali, një nga deputetët opozitarë të pasluftës, intelektual, ishfunksionar i Legatës Amerikane në Tiranë dhe një prej njerëzve që refuzoi të nënshtrohej përballë makinës represive të regjimit komunist.

Sot, pas dekadash heshtjeje, kujtesa për të dhe për kunatin e tij, Loni Adhami, po rikthehet në vëmendje përmes nderimit të bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Pak ditë më parë në ambientet e ambasadës amerikane, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, mirëpriti familjarët e Loni Adhami, duke vlerësuar guximin dhe sakrificën e tij gjatë diktaturës komuniste.

Ambasada Amerikane theksoi se si Loni Adhami, ashtu edhe Kol Kuqali, u burgosën dhe u torturuan pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara. Të dy humbën jetën në burgjet e regjimit, duke u kthyer në simbol të qëndresës morale dhe të besnikërisë ndaj së vërtetës.

Në nder të tyre, pranë flamurit amerikan në ambasadë është vendosur një memorial përkujtimor, si simbol i sakrificës së dy shqiptarëve që u përballën me terrorin shtetëror në emër të dinjitetit dhe të së drejtës. Nderimi i bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë është një akt simbolik me rëndësi të madhe historike dhe morale. Megjithatë, mbetet domethënëse që institucioni ku ai shërbeu si deputet. Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka ngritur një memorial për deputetët e pushkatuar, të burgosur apo të zhdukur gjatë diktaturës. Nuk ekziston një sallë përkujtimore, një pllakë memoriale apo një hapësirë institucionale që të kujtojë përfaqësuesit e zgjedhur që u eliminuan nga regjimi komunist. Historia e Kol Kuqali mbetet një dëshmi e fortë e fatit tragjik të opozitës shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe e mënyrës se si regjimi komunist eliminoi çdo zë të pavarur politik. Por mbi të gjitha, ajo është historia e një njeriu që refuzoi të dëshmonte në mënyrë të rreme dhe që pagoi me jetën e tij besnikërinë.

NGA EMIGRACIONI NË SHBA, TE LEGATA AMERIKANE

Jeta e Kol Kuqalit ishte e lidhur ngushtë me zhvillimet politike dhe diplomatike të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX. I lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, ai emigroi fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, Kuqali u emërua funksionar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku shërbeu për gati një dekadë si sekretar dhe përkthyes. Në dëshminë e tij hetimore të 30 majit 1947, ai përshkruante aktivitetin në Legatën Amerikane, kontaktet me diplomatët amerikanë dhe rolin e tij në përkthime, komunikime dhe marrëdhënie diplomatike. Për vite me radhë, ai kishte ndihmuar në ndërtimin e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke krijuar lidhje të forta me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë. Pas largimit nga legata në vitin 1938, Kuqali vijoi karrierën në administratën shtetërore dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, u emërua zëvendësdrejtor i Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ndryshimet politike që solli ardhja në pushtet e komunistëve do ta vendosnin atë shumë shpejt në shënjestër.

DEPUTETI OPOZITAR QË SFIDOI REGJIMIN

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, të parat pas luftës, Kol Kuqali ishte një nga dhjetë deputetët opozitarë që guxuan të kandidonin jashtë Frontit Demokratik, organizatës politike të kontrolluar nga Partia Komuniste Shqiptare. Ishte një akt i rrallë guximi në një kohë kur pushteti po konsolidohej shpejt dhe opozita po shtypej sistematikisht. Por regjimi nuk kishte ndërmend të toleronte zëra të pavarur. Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi heqjen e imunitetit për dhjetë deputetë opozitarë, mes tyre edhe Kuqalin. Ata u arrestuan dhe u akuzuan për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Hetuesia e asaj kohe përdorte torturën si metodë standarde pune. Në procesverbalet e kohës dhe në dëshmitë e mëvonshme të ish-funksionarëve komunistë përmendet qartë përdorimi i dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të arrestuarve politikë. Në gjyqin ndaj Koçi Xoxes, ish-zyrtarë të Sigurimit pranuan se tortura dhe provokacioni ishin pjesë e metodave të hetuesisë.

TORTURAT DHE VDEKJA NË BURG

Kol Kuqali u mbajt në Burgun Ushtarak të Tiranës, ku iu nënshtrua torturave të vazhdueshme për të firmosur deklarata të fabrikuara nga Sigurimi i Shtetit. Ai akuzohej si pjesë e një organizate që synonte përmbysjen e pushtetit me ndihmën e faktorëve të huaj, veçanërisht të misioneve anglo-amerikane. Në procesverbalet hetimore ai pranonte kontaktet me diplomatët amerikanë dhe diskutimet politike me figura opozitare të kohës, por refuzonte të pranonte akuzat e montuara për komplot dhe tradhti. Torturat vazhduan për ditë me radhë. Më 30 maj 1947, Kol Kuqali ndërroi jetë nën tortura. Regjimi tentoi të manipulonte rrethanat e vdekjes së tij, duke ndërtuar versione të rreme hetimore, por dokumentet e mëvonshme dhe dëshmitë e ish-hetuesve zbuluan realitetin brutal të asaj që kishte ndodhur. Pak ditë më vonë, edhe kunati i tij, Loni Adhami, i cili kishte shërbyer gjithashtu në ambasadën amerikane, do të vdiste i torturuar në burg. Ironia tragjike e historisë qëndron në faktin se Kol Kuqali kishte mbështetur Luftën Nacional-Çlirimtare dhe kishte sakrifikuar shumë për vendin. Dy nga djemtë e tij humbën jetën gjatë luftës, njëri në kampin e Prishtinës dhe tjetri në kampin nazist të Mathauzenit. Megjithatë, kjo nuk e shpëtoi familjen nga persekutimi. Njëri prej djemve të tij, Gjikë Kuqali, u njoh edhe si artist dhe piktor, ndërsa veprat e tij ruhen sot në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Por emri i të atit për dekada mbeti i heshtur, i fshirë nga historia zyrtare e regjimit.

DËSHMIA E KUQALIT NË HETUESI

Dëshmia e Kol Kuqali, e mbajtur në Burgun Ushtarak të Tiranës më 30 maj 1947, paraqet jo vetëm historinë personale të një ishdeputeti opozitar, por edhe mekanizmin e represionit politik që përdori regjimi për të eliminuar çdo mendim ndryshe. Dokumenti hetimor nis me të dhënat personale të Kuqalit: i lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, me profesion nëpunës, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Në dukje, procesverbali ka formën standarde të një deklarate hetimore. Por në thelb, ai është dëshmi e një kohe kur hetuesia dhe Sigurimi i Shtetit funksiononin jo për të zbuluar të vërtetën, por për të prodhuar “armiq” politikë dhe për të justifikuar eliminimin e tyre. Në dëshminë e tij, Kol Kuqali rrëfen jetën dhe aktivitetin e tij profesional. Ai tregon se kishte jetuar fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, ai ishte punësuar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku kishte shërbyer deri në vitin 1938 si sekretar dhe përkthyes. Për hetuesinë komuniste, kjo lidhje me amerikanët ishte e mjaftueshme për ta konsideruar të dyshimtë. Në realitet, puna e tij kishte qenë pjesë e aktivitetit normal diplomatik të kohës. Ai kishte ndihmuar atasheun ushtarak amerikan me përkthime dhe informacione politike apo ekonomike, kishte organizuar komunikime dhe takime diplomatike dhe kishte ndërmjetësuar marrëdhëniet mes përfaqësuesve amerikanë dhe personaliteteve shqiptare. Në procesverbal, Kuqali përshkruan atmosferën e Legatës Amerikane në vitet e monarkisë së Zogut, ku organizoheshin darka dhe pritje me figura të njohura shqiptare. Ai theksonte se këto aktivitete kishin si qëllim forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Por në logjikën e regjimit komunist, çdo marrëdhënie me Perëndimin interpretohej si tradhti dhe bashkëpunim me “imperializmin”. Pjesa më dramatike e dëshmisë lidhet me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kol Kuqali shprehet se kishte simpatizuar Lëvizjen NacionalÇlirimtare, sidomos për faktin se djemtë e tij kishin qenë të lidhur me të. Madje, ai pohon se e kishte ndihmuar luftën antifashiste. Megjithatë, pas çlirimit ai kishte mbetur i zhgënjyer nga drejtimi që po merrte vendi. Në deklarimet e tij shfaqet qartë shqetësimi për konsolidimin e pushtetit komunist, arrestimet politike, shtetëzimet dhe afrimin e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik.

Kuqali pranon se kishte zhvilluar biseda me figura të njohura opozitare si Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto, Shefqet Beja dhe Riza Dani. Ai përshkruan mbledhjet e zhvilluara në fillim të vitit 1945, ku diskutohej nevoja për organizimin e një force opozitare kundër Frontit Demokratik të kontrolluar nga komunistët. Në këto biseda, sipas dëshmisë, shprehej shqetësimi për faktin se Partia Komuniste kishte marrë kontrollin absolut të shtetit dhe se çdo element tjetër politik po përdorej vetëm si fasadë. Në procesverbal përmenden edhe emra të tjerë të njohur të kohës, si Selim Kokalari, Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani. Hetuesia synonte të krijonte idenë e një organizate të gjerë opozitare të lidhur me misionet anglo-amerikane, me qëllim përmbysjen e pushtetit. Megjithatë, shumë historianë dhe studiues të periudhës theksojnë se këto procese hetimore zhvilloheshin nën presion ekstrem fizik dhe psikologjik. Tortura ishte metodë standarde pune në hetuesi. Vetë ish-funksionarë të Sigurimit dhe të Ministrisë së Brendshme e kanë pranuar më vonë përdorimin sistematik të dhunës për të nxjerrë deklarata të fabrikuara. Kol Kuqali nuk pranoi të firmoste akuzën kryesore të ngritur ndaj tij, atë të drejtimit të një organizate që synonte rrëzimin e pushtetit me ndërhyrje të huaj. Refuzimi i tij për t’u nënshtruar e bëri edhe më brutal trajtimin ndaj tij në hetuesi.

/Gazeta Panorama 

Gazeta britanike (1930) Aksidenti që për pak sa nuk i kushtoi jetën At Gjergj Fishtës, poetit kombëtar të Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Maj 2026

Nottingham and Midland Catholic News” ka botuar, të shtunën e 14 qershorit 1930, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth një aksidenti që mund ti kishte kushtuar jetën At Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Poeti kombëtar i Shqipërisë

Prifti françeskan që i shpëtoi për pak vdekjes

Burimi : Nottingham and Midland Catholic News, e shtunë, 14 qershor 1930, faqe n°3.
Burimi : Nottingham and Midland Catholic News, e shtunë, 14 qershor 1930, faqe n°3.

(Nga korrespondenti ynë)

Vjenë, e hënë

At Gjergj Fishta, poeti kombëtar i Shqipërisë dhe një figurë shumë e nderuar nga populli shqiptar, kohët e fundit pësoi një aksident që për pak sa nuk i kushtoi jetën.

Sipas raportimeve, prifti i shquar françeskan po mbante një fjalim gjatë ceremonisë së inaugurimit të një fabrike çimentoje.

Pas fjalimit, Prefekti i Shkodrës vuri në punë motorët dhe të ftuarit u ftuan të vizitonin fabrikën. Pikërisht gjatë këtij inspektimi, zhguni françeskan i priftit u kap në një rrotë të dhëmbëzuar të makinerisë. Makineria e tërhoqi priftin me një forcë të jashtëzakonshme. Të pranishmit u pushtuan nga frika, pasi për një çast menduan se prifti i tyre i dashur do të shtypej për vdekje.

Me gjakftohtësi, At Fishta u hodh përdhe, ndërsa dy oficerë shqiptarë arritën ta çlironin nga kapja e rrotës së dhëmbëzuar.

Prifti u dërgua menjëherë në Spitalin Shtetëror, ku u konstatua se kishte pësuar një plagë të gjatë në kofshë, por kishte shpëtuar pa lëndime serioze.

ZEMRA E FERDINAND TEMALIT VAZHDON ME RRAH !- Pergatiti  FRITZ RADOVANI

 

 

FERDINAND TEMALI

 

Gjithnjë të kam kujtue o Mik…e, do të kujtoj… Se, zani Yt më ushton si gjithmonë:
“Do fitojmë apo jo?!…Po, Po, Po..!”

 

TI ISHE ATDHETAR I PERKUSHTUEM
E PUNTOR I PAVDEKSHEM
!

E, Themelues i Asaj BSPSH, organizator dhe luftar në betejën e përmbysjes së komunizmit ishe Ti, e vetëm Ti, o

 Ferdinand Temali!..

E, na,.. mbas Teje!

13 dhjetor…

SHKODRA PA TIRANIN KRIMINEL ENVER HOXHA!

Edhe njëherë plot dritë kjo ndertesë e Prefekturës së Shkodres!/

U zgjue Shkodra mbarë me një mendim 46 vjeçar në kokë: “Deri kur surrati i këtij tirani të pashoq vrastar perballë Prefekturës sonë?!”…

Vlonin rrugët e Shkodres, vlonin rrethinat, vlonin urat lidhse të qytetit…

Vlonte Kalaja “Rozafat” !

Rinia ishte zgjue nga gjumi gjysëshekullor… Pushkët dhe kazmat i kishte kraheqafë Ramiz Alia!

Doli nga Instituti Pedagogjik i Shkodres një djalë me një suazë të madhe në dorë, dhe mbas tij disa studentë… Sa mërrijti tek shkallat e hymjes kryesore, veç kur i dha krah asaj korrnizë, e shkoj tek trotuari copa e grima xhami bashkë me surratin e enver hoxhës!

Mendova me vete: “Sot i erdhi fundi edhe këtij qen e bir qeni!”… Nga Dugajt’ e Reja, kaloi një grup djelmësh të rij, që shpejtonin hapin…

Nga të katër anët Pjaca Fusha e Çelës, po vershohej nga njerzit që shpejtonin me shkue tek Prefektura e Shkodres. Ferdinand Temali në ecje më tha këto fjalë: “Po shkojmë me rrëzue bustin e diktatorit, mirë u pafshim!..”

Të gjithë ishin aq të gëzuem, sa ndoshta, u dukej, se po shkojnë në darsem…

U bashkuen tek Banka e Shtetit me një grup tjeter që me Flamurin e Shqipnisë “pa yll”, thërrisnin: “Liri Demokraci!”, “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”, Ishte shperthimi i fundit që pritej me brohoritje nga turmat e Popullit të Shkodres…

Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit enver, e nder të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë perpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”, që i pat thurë një vjerrshë edhe Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, që as Ai nuk “zehët me gojë”!!

U hap fjala e mori dheun… Në Shkoder Rinia rrëzoi bustin e diktatorit!

Ka “disa shqiptarë” që, “as sot nuk e dijnë, se Ai… që e zhguli dhe e …!” Edhe data 2 Prill 1991 nuk harrohet!

Një Shkoder Loce, uroj me zemer: “enver hoxha e pastë thye qafen, e kurrma mos ia pashim surratin, e i daltë fara e tij kudo në Trojet tona Shqiptare

Të Heroit Gjergj Kastrioti !”

Melbourne, 23 Maji 2026.

E vërteta ballas thashethemeve: Skënder Luarasi për At Gjergj Fishtën

Skënder Luarasi përshkruan mbresat nga takimi i parë me At Gjergj Fishtën më 22 prill të vitit 1931:‘’Kur Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u kthye nga mërgimi, mbajti një fjalim publik në Sheshin ‘’Skënderbeg’’. Kolektivi i Institutit Teknik na caktuan Hysen Dervishin dhe mua ta ftonim të na fliste edhe ne. Më ledhatoi kur më tha se gëzohej që njihej me birin e patriotit të Rilindjes, Petro Nini Luarasi. Studentët i bënë një pritje madhështore. Fola edhe unë për mikun e shquar. Skënder Luarasi: Kujtime.
Kjo visitë u pasqyrua edhe në revistën e shkollës teknike ‘’Laboremus’’: At Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar shqiptar i bën një vizitë shkollës sonë më 22 prill Laboremus, 1 maj 1931, f.10.
Ndërsa në organin ‘’Shqipëria e re’’ shkruhet:
‘’Konferencë e poetit kombëtar At Gjergj Fishta. Në sallën e madhe të Shkollës Teknike përpara 300 e ca nxënësve At Gjergj Fishta zhvilloi një konfereneë edukative. Fjalët e arta të përejellura me talent të shquar pushtuan dëgjonjësit që ndjenë në zemrat e tyre çdo fjalë që thuhej për Atdhe. Fjalët e fundit u mbuluan me duartrokitje e brohoritje të nxehta.
Profesor Skënder Luarasi me fjalë të ëmbla në emër të nxënësve falenderoi poetin kombëtar.’’Shqipëria e re, 20 korrik 1931,f.2
Vlerësimin e tij për veprimtarinë dhe veprën e At Gjergj Fishtës Skënder Luarasi e shprehu disa herë, ku e si mundi, edhe në rrethana të rrezikshme politike…edhe kur e përjashtuan për 5 vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve në vitin 1950…edhe kur përndiqej e kërcënohej deri në fund të jetës.
E vërteta historike dhe trillimet letrare
Në një debat parimor mbi të vërtetën historike dhe trillimet letrare Skënder Luarasi u shpreh: ‘’Dikush mund të thotë që ‘’romanet historike’’ ( me thashetheme e shpifje) kanë edhe gjëra të mira. Unë nuk do të pranoja t’i vija në peshë këto ”të mira” po të pranohet që këta romane kanë gabimet dhe të këqijat e përmendura më sipër. Dikush mund të thotë gjithashtu që romanet janë letërsi, ku nuk bëhet pa invereione dhe ku autori është i lirë të trillojë. Por unë mendoj se trillimi nuk duhet përdorur kundër së vërtetës.’’
Në vazhdën e interesave jashtëletrare, politike e klanore, në një ‘’roman historik’’ na u shpik një ‘’vetdeklarim’’ (vetposhterues) i Skënder Luarasit ‘’për të lartësuar At Gjergj Fishtën!’’:
‘’Ma lavdërojnë atë përkthimin që i kam bërë këngës ‘’Lamtumirë’’ të ‘’Child Harold-it’’ të Bajron-it, por, në fakt, njerëz si ne e kuptojnë se ate e ka bërë Fishta, thotë Luarasi. Ia mora përkthimin që njerëzit të thonë: Sa mirë e paska bërë poeti ynë! Dua të them, sepse, sado të lodhet ndokush, Fishta nuk hiqet nga librat e shkollës. Do të luftoj për këtë. Pra, këto antologjitë të bëhen gjithnjë e më mire.’’ Etj., etj…
Të dy tekstet e përmendura , të Fishtës e të Luarasit janë të mirënjohura e të publikuara edhe online dhe dallohet lehtë që nuk kanë aspak ngjashmëri, në stil apo format. Atëhere, përse shërben dhe kë nderon e turpëron ky trillim?!
Autori i romanit përkatës lipset të japë shpjegimet e duhura për këtë çështje.
Skender Luarasi O lamtumirë! Atdheu im
O lamtumirë! Atdheu im
Po zhduket dalngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim,
Çaçri gërhet mbi valë,
Pas diellit që po flakëron,
Po nisemi të lirë;
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!
Kur nesër rishtaz ai diell
Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell
Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
Nëpër avllit’ e forta
Të kullës sime rritet bar,
Im qen po leh te porta.
“Ti pazh i vogël, pa m’u qas!
Pse qan e po vajton?
Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron?
Pa fshiji lott; anija jonë
E shpejtë është dhe e fortë:
Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë”
“Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë;
Prej babës e prej nënës ik,
U ndava prej shtëpisë;
Tani s’më mbetet asnjë mik,
Veç teje e Perëndisë.
“T’im at’ e pashë që duron,
Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush ma ngushëllon
Gjer sa të kthehem gjallë!” –
“Pusho, pusho ti djal’ i mirë!
Të kanë hije lott;
Po të isha vetë zemërdlirë,
Nuk do t’i mbaja dot.
“M’u qas, m’u qas, ti trim besnik;
Përse më qenke zverdhur?
Mos trembesh nga një frëng armik,5
Apo nga det’ i ndezur?” –
“Sër Çajld, nuk jam aq frikacak,
As zverdhur jam prej frike;
Po kur kujtova gruan larg
M’u zbeh faqja besnike.
“Rron ime shoqe me tim bij
Në kullë te këneta:
Nd’e pyeçin ç’u bë babai,
Ç’t’u thotë nënë-shkreta?” –
“Pusho, trimi im, të mora vesh
Ta njoha brengën tënde;
Por unë zemërlehti qesh
Që shkoj nga këta vënde”.
Kush u beson psherëtimave
Të femrës që mbush sytë?
Ia than lotët qepallave
Ndonjë dashnor i dytë.
S’qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
Po vetëm qaj se nuk lë pas
Asnjë që lotn’ e vlen.
Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi;
Përse të qaj pra për të tjerë –
Për mua s’qau njeri.
Do t’angullijë ndoshta sot
Im qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot;
Nd’ u kthefsha do më shqejë.
Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo,
Në detin plot buçim;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo në vendin tim!
Të falem det i kaltr’ i zi!
Dhe kur të shkel i lirë
Në dhé, të falem, shkretëti!
Atdhe, Natën e Mirë!
(Xh. G. Bajron ‘’Shtegtimet e Çajld Haroldit’’)
Gjergj Fishta: Lamtumirë vëndet e mija
Lamtumirë vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë,
Gjëmon deti ushton duhija,
Lkundet varka valë mbi valë.
Kah njaj Diell që asht tuj flakrue,
Andej fill un tash do t’veta,
Lamtumirë atdhe i bekuem,
Lamtumirë për sa të jetë jeta!
Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e Diellit ka me ra,
Kush e di sa ujë e dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?
Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
S’ka me më fol kush ma mue t’shkeretit
Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…
Vëndin tëm ma skam me pa…
Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…
Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e Shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!
Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.

Çfarë dinte Naxhije Dume për vrasjen e Qemal Stafës? Dëshmitë për enigmat e luftës! Grackat për Shanton dhe Vojo Kushin

SEJDO HARKA

Si një përmendore e gjallë, gdhendur në faqet e historisë së kohës, ka mbetur në kujtesën tonë portreti i Naxhije Dumes, e para grua ministre në Shqipëri. Për herë të parë, nga afër e takova, në nëntor të vitit 2003, kur m’u dha mundësia ta intervistoj për gazetën “Mësuesi”, në atë kohë organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për ta bërë sa më interesante intervistën, paraprakisht shfletova, jo vetëm Arkivin Qendror të Shtetit, por edhe kujtimet e saj dhe shtypin e viteve, kur ajo luftoi e punoi. Ndërsa, për të biseduar nga afër, shkova në shtëpinë e saj, ku ajo jetonte me djalin e saj, në një hyrje të vjetër me qira, që ndodhej në Tiranën e Re. Naxhijen e gjeta pranë një tavoline të vjetër, ku shkruante kujtimet e saj. Barra e 83 viteve të vështira të jetës, sëmundja e gjatë dhe hallet e brengat e kishin ligështuar, por nuk e kishin gjunjëzuar për asnjë çast. Në fjalët e saj ndjeva jehonën e Luftës për liri, shijen e hidhur të lotëve e të vuajtjeve pafund, kujtesën e freskët, të përzierë me shpresën për një jetë më të mirë dhe ëndrrën për liri, e cila iu shndërrua në një ferr plot vuajtje e mjerim.

KUSH ISHTE NAXHIJE DUME

Naxhije Dume u lind më 3 janar të vitit 1921, në fshatin Lubonjë të Kolonjës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Babai i saj, Dume Dumja ishte specialist pyjesh. Ai luftoi kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit, ndërsa nëna e saj, Vezirja, e ndoqi Naxhijen pas në çdo vështirësi të jetës. Shtëpia e saj, në rrugën e Shëngjergjit, në Tiranë, ku rrinte me qira u bë bazë e rëndësishme e luftës për liri. Nga që i ati punonte nëpunës dhe lëvizte shpesh nga një qytet në tjetrin, Naxhijes iu desh ta vazhdonte shkollën në shumë rrethe të vendit, si në Ersekë, Sarandë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Në vitet 1933-1941, mbaroi Institutin Femëror “Nëna Mbretëshë”, nga i cili ruante kujtime të bukura. Ja, ç’më tregoi Naxhija në intervistën e vitit 2003: “Vitet e Institutit Femëror ishin vitet më të bukura të rinisë sime. Kujtoj me shumë dashuri, se si shkolla jonë u shndërrua në një vatër e mrekullueshme diturie, kulturore dhe atdhetare”. Në atë kohë, drejtor ishte i respektuari Sotir Papakristo, njeri shumë autoritar dhe një nga pedagogët më të përkushtuar të arsimit shqiptar. Ndërsa pedagogët, që na dhanë dije e kulturë, midis të tjerëve, ishin Marije Kraja, Lola Gjoka, Ollga Nikolla (Luarasi) etj..

Në këtë shkollë, ajo ka studiuar me Meri Papakriston, Fatbardha Ficon, Liri Gegën, Nermin Vlorën, Margarita Tutulanin, Liri Belishovën, Eleni Pashkon, Nexhmije Xhunglinin, Fiqirete Sanxhaktarin etj. , të cilat më vonë u bënë antifashiste dhe personalitete të njohura të regjimit monist. Si anëtare e grupit të Shkodrës, që vepronte në Tiranë, Naxhija ishte e lidhur ngushtë me Qemal Stafën, Vojo Kushin, Tuk Jakovën, Kristaq Tutulanin e të tjerë. Pas mbarimit të këtij Instituti, Naxhija u emërua mësuese në shkollën “Avni Rustemi”, në kryeqytet. Mori pjesë në të gjitha demonstratat antifashiste të ditëve të para të vitit 1939. Për veprimtarinë e saj tepër aktive, u vu në ndjekje nga kuestura, gjë që e detyroi që të punonte në ilegalitet. Në vitin 1943, mori pjesë në Konferencën e Parë të P. K. Sh. të vendit dhe, kur ajo ishte vetëm 23 vjeçe, u zgjodh një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror të P K Sh. Një vit më vonë, u zgjodh delegate e qarkut të Korçës për në Kongresin e Përmetit, nga ku u kthye anëtare e Këshillit Antifashist. Së bashku me Kristo Themelkon, bënë organizimin e Brigadës së 22-të Sulmuese. Naxhija ishte një nga gratë, që mori pjesë në mbledhjen për krijimin e Qeverisë së parë shqiptare, në Berat. Me transferimin e Qeverisë së re në Tiranë, u emërua pranë aparatit të KQ të PPSH dhe më vonë Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, ku qëndroi deri në vitin 1947. Në dhjetor të vitit 1946, ajo u zgjodh deputete në Kuvendin Popullor. Ndërsa më 6 shkurt të vitit 1948, Naxhije Dume emërohet Ministre e Arsimit.

NAXHIJE DUME, MINISTRE E ARSIMIT

Në fillim – tregonte ajo – kur u emërova ministre e Arsimit, nuk dija nga t’ia filloja. Nuk rrinim dot në zyrë, sepse ishim çmësuar të punonim në tavolinë. Nuk komunikonim dot në telefon, se ishim mësuar ta bënim këtë me korrier. Nuk shtypnim dot shkresa në makinë, sepse ishim mësuar të komunikonim gojarisht. Emërimi im në këtë post ishte emocionues dhe i papritur. Mua më thirrën Koçi dhe Enveri, në shtëpinë e këtij të fundit dhe më komunikuan se, me vendim të Byrosë Politike, isha emëruar ministre e Arsimit.

Në çast, belbëzova një “faleminderit”, por mendja gjithnjë më punonte, se si do ta kryeja këtë detyrë aq të vështirë. Më pas, kur e mblodha veten, i thashë Enverit, se isha shumë e re dhe se e ndieja veten nxënëse përpara profesorëve te mi, të cilët do t’i kisha vartës në Ministri. E ndieja veten të ndrojtur, sepse në atë Ministri, më parë kishin punuar Gjergj Kokoshi, shkodrani i urtë e me kulturë të gjerë, dhe Sejfulla Malshova, që më dukeshin shumë më të zotë se unë. Para meje dilnin detyra të vështira. Duheshin kompletuar shkollat e mesme, dhe sidomos ato unike e fillore me kuadër, literaturë, banka e materiale didaktike, të cilat mungonin thuajse krejtësisht. Vetëm në qytetet kryesore ekzistonin shkolla të rregullta. Ndërsa në fshatra mungonte gjithçka. Na duhej të emëronim mësues me arsim 7-vjeçar, sepse kishim mungesë të madhe kuadri.

Dilte në plan të parë organizimi i kurseve kundër analfabetizmit, kualifikimi i mësuesve dhe gjithë punonjësve të arsimit, organizimi i botimeve masive të teksteve të reja shkollore. Kishte ardhur koha të mendonim për shkollën tonë të lartë kombëtare. Si fillim, duhej të krijonim Institutin e Lartë Pedagogjik, shtëpitë e pionierit dhe vatrat e kulturës, muzeumet, bibliotekat, Institutin e Shkencave, Teatrin Popullor, Estradën e Shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve, që do të ishin bazat e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre institucioneve kishin filluar të organizoheshin me kohë, por ishin të pakonsoliduara. Kështu, në këto kushte të vështira për mua, por edhe për vendin, fillova punën e Ministres. Në këtë post qëndrova vetëm 6 muaj, sepse pas Kongresit të Parë të PKSh-së u përjashtova nga detyra e lartë që mbaja, pas akuzave të rënda nga Enveri dhe Mehmeti, se gjoja po i jepja arsimit drejtim projugosllav dhe antisovjetik”.

NË SHËNJESTËR TË POLITIKËS MONISTE

Po, cila ishte arsyeja e vërtetë, që Naxhije Dume u vu në shenjestrën e partisë-shtet të kohës, pas punimeve të Kongresit të Parë?! Ja ç’tregon ajo: “Në këtë Kongres, thekson ajo, sqarova se, për gabimet e Plenumit të 8-të të KQ , përgjegjësi kishim të gjithë, sepse askush nuk diskutoi kundër rezolutës së tij. Por kjo gjë nuk u pëlqeu krerëve të udhëheqjes. I pari u hodh Mehmeti, i cili tha: ‘’Ta rrahim hekurin sa është i nxehtë, sepse konkluzionet e Naxhijes godasin krerët kryesorë të udhëheqjes!?

Kështu filloi persekutimi im 54-vjeçar. Për një kohë të gjatë, agjentët e sigurimit më gjurmuan për të më arrestuar. Pra, vazhduam të jetonim në një tmerr të pafund, deri sa u përmbys sistemi diktatorial”. Në vitet 1951-1953, ajo punoi si drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik dhe Etnografik, ndërsa në vitin 1956 drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare. Këtu punoi edhe 3 vjet të tjera, deri në çastin e shpërthimit të goditjeve të fuqishme, që do t’ia shkatërronin jetën. Si përfundim, e transferuan në Cërrik, ku mbeti pa punë. Ndërsa i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi, në atë kohë, punoi në ndërtimin e rafinerisë së naftës.

Më vonë, Naxhija punoi në Elbasan, drejtoreshë e bibliotekës, por shpejt atë e dërguan mësuese të thjeshtë në këtë qytet. Në vitin 1961, nga që i shoqi u emërua drejtor i minierës së Selenicës, shkoi për të jetuar atje. Pas konferencës së njohur të Partisë në Tiranë, filloi kalvari i ri edhe më i egër politik e administrativ ndaj Naxhije Dumes dhe bashkëshortit të saj, Nesti Kerenxhi. Pasi punoi gjatë si mësuese e thjeshtë, në vitin 1972 doli në pension. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadri Hzbiut, i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi u burgos dhe doli prej tij në shtator të vitit 1983. Prej këtej filloi internimi në Mavrovë e në Selenicë të Vlorës. Vetëm në vitin 1996 u kthye përsëri në Tiranë. Gjatë Luftës dhe punës, ajo ka marrë disa dekorata, si “Urdhri i Flamurit”, “Urdhri i Lirisë”, “Urdhri i Trimërisë”, “medalaja e Kujtimit”, “medalja e Trimërisë” e “medalja e Çlirimit”, të cilat për arsye të qëndrimeve të saj politike, i u hoqën padrejtësisht për gjithnjë. Por meritat e saj të luftës për liri dhe të punës për ndërtimin e vendit nuk mund t’i mohojë askush.

DRITË MBI VRASJET ENIGMATIKE TË LUFTËS

Në kujtimet e saj, Naxhije Dume hedh dritë edhe mbi vrasjet enigmatike, të disa Heronjve të Luftës. “Kur vendosa të them të gjitha ato që di rreth Luftës dhe regjimit të kaluar, thekson ajo në kujtimet e saj, mendova se kështu mund t’i shërbej sadopak historisë së vendit tim. Këto kujtime janë testamenti im i fundit, para se të largohem, mjaft e lodhur nga kjo botë, por e qetë, sepse mbi ndërgjegjen time nuk kam shkelur kurrë. Nuk mund të hesht nga shtrembërimet, që i bëhen historisë nga disa pseudohistorianë.

Tërë jetën më ka ngacmuar pyetja, se si u vra Q. Stafa?! Deri në atë kohë Qemali banonte në shtëpinë time, në rrugën e Shëngjergjit. Më tha ta kontrolloja shtëpinë e re, fatale për të, ku një ditë më pas ai do të vritej. Kur e takova, i thashë me ngulmim, se ajo shtëpi nuk ishte e përshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt. Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enveri. Për mua ka ngelur enigmatik fakti, se nga e dinte Kristo Themelko këtë bazë kaq të rëndësishme, në kushtet e konspiracionit tonë të madh?! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit.

Në shtëpinë e re Qemali gjeti Dritën, gruan e Zefit, Kriston dhe shokun e panjohur. Papritur, panë se ishin të rrethuar nga forcat policore. Themelko (Shulja) shpëtoi për mrekulli, ndërsa Qemali u vra!? Kjo ishte ngjarja më tronditëse për ne, shokët e tij. Në qoftë se Kristo Themelko do të kishte faj, Enveri nuk do ta linte pa e ndëshkuar rëndë. Për mua, konkluzioni përfundimtar do të ishte ky: Enver Hoxhën, më shumë se kompleksi i neglizhencës, e ka munduar kompleksi i vetëfajësisë për vrasjen e Qemalit”. Ndërsa për vrasjen e Vasil Shantos, Naxhije Dume kujtonte: “Takimi i fundit me Vasil Shanton (në Korçë) më ka lënë mbresa të veçanta. Ai ishte caktuar ta shoqëronte Tempon në Mal të Zi.

Shpesh herë më ka shqetësuar pyetja: Vallë, ky qëndrim duhej mbajtur me një personalitet, si Vasil Shanto?! Ky hero atentator, mjeshtër i madh i luftës guerile, që ishte aq i vyer për Shqipërinë, a duhej keqpërdorur, si shoqërues e korrier i tij?! Mbaj mend, se Vasili më tha: Naxhije, ky do të jetë udhëtimi im i fundit. Në fakt, ashtu ndodhi. Ai u vra në rrethana enigmatike, duke u kthyer nga misioni i fundit luftarak. Me vrasjen e tij, Lufta humbi një nga atentatorët dhe trimat më të rrallë të kohës”. Ndërsa më tej, ajo vazhdon: “Për t’i dhënë përgjigje enigmës së kësaj vrasjeje, më kanë ndihmuar dëshmitë e Llambrini Mitrushit, zonjës së shtëpisë, që u bë bazë e Vojo Kushit, në ato vite të stuhishme lufte. Ajo më ka thënë se, një ditë prej ditësh, vajti në shtëpinë e tyre (bazë e V. Kushit), Fiqirete Sanxhaktari (Shehu) dhe e njoftoi atë, se duhej të shkonte në shtëpinë e Kodrës së Kuqe. Në këtë shtëpi, V. Kushi e ndjente veten të sigurt, aq sa në kohë të lirë lexonte dhe libra. Kaluan shumë kohë nga kjo ndodhi tragjike dhe Llambrinisë s’i hiqet nga mendja fakti që atë ditë në Kodrën e Kuqe nuk u bë asnjë mbledhje e thjeshtë dhe jo më e rëndësishme. Në atë shtëpi mbetën të rrethuar, përveç Vojos dhe Sadik Stavelecit dhe Xhorxhi Martini, të cilët luftuan e ranë trimërisht, aq sa legjenda e Kodrës së Kuqe mbeti e përjetshme në historinë e Shqipërisë”.

Naxhije Dume u nda nga kjo jetë në moshën 87-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë e të pashërueshme, më 25 shtator të vitit 2008. Ajo u shua si kandili, kur i mbaron vaji, në një shtëpi të vjetër me qira, ku banonte me djalin e saj të dytë. Përndjekja e gjatë dhe sëmundja e pashërueshme, ia brenë shpirtin tërë jetën. “Por më shumë se çdo gjë, – ka shkruar ajo në kujtimet e saj, – më ka vrarë indiferentizmi dhe heshtja shurdhmemece e qeverive të kohëve të sotme. Askush nga pushtetarët nuk u interesua të mësonte, se ku banoja dhe ç’nevoja kisha për t’u kuruar. Ishin mjaftuar vetëm me një pension qesharak, që nuk më dilte as për ilaçe e kafe!?”. Është sa e dhimbshme, aq edhe paradoksale, kur mëson se Naxhije Dume, ish-Ministrja e parë shqiptare, e cila u ndesh dhëmb për dhëmb me lakejtë e diktaturës për të trokitur në portën e lirisë së vërtetë, u largua nga kjo botë, pa iu thënë asnjë fjalë e mirë nga pushtetarët e kohës, edhe pse u persekutua tërë jetën nga regjimi monist. Naxhije Dume u nda përgjithnjë nga jeta, krenare për bëmat e veta, duke lënë në gjumë letargjik shurdhmemecët e politikës shqiptare.

/Gazeta Panorama 

“Si mund të mendojë mbreti Nikollë i Malit të Zi, të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë…” Intervista e panjohur e Ismail Qemalit për gazetarin italian

Nga Ilir Ikonomi

Kjo është intervista që Ismail Qemali (Ismail bej Vlora) i dha një gazetari italian në Romë më 1 prill 1913, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë.

Më në fund, Ismail beu kishte arritur të dilte nga Vlora e bllokuar prej anijeve greke dhe të vizitonte kryeqytetet e Evropës. Siç e thotë edhe vetë, atij i ishte dukur sikur kishte dalë nga një burg i vërtetë, i tillë ishte ankthi që kishte shkaktuar bllokada.

Kishte mundur të largohej me jahtin e një duke francez, i cili donte të bëhej princ i Shqipërisë. Kjo fotografi tregon ndoshta çastin e largimit nga bregu i Vlorës për të hipur në jaht. Periudha për të cilën flasim ka qenë ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë: Kosova ishte pushtuar, serbët kishin ardhur deri në Durrës, Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, ndërsa grekët, përveçse kishin bllokuar bregdetin jugor, kishin përparuar deri në Tepelenë. Në këtë situatë tragjike, ambasadorët e Fuqive të Mëdha debatonin në Londër për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së re.

Intervista ishte realizuar nga Achille De Benedétti dhe ishte botuar në gazetën ‘Il Giornale d’Italia’ të datës 2 prill 1913.

ISMAIL QEMALI arriti të largohej pardje nga Vlora me jahtin e Dukës Montpensier. E takova sot në mëngjes në stacionin e trenit tek arrinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Boletinin, që ishte pak i sëmurë, bashkë me djaloshin Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit. Qemal beu kishte ardhur me dy nga djemtë, që e kanë shoqëruar në të gjitha këto peripeci. Plaku i shquar dukej mjaft mirë. Ishte i gëzuar që kishte mbërritur në Romë pas ikjes nga Vlora.

E pyes se si kaloi udhëtimi?

ISMAIL QEMALI: Shkëlqyeshëm nga çdo pikëpamje. Pak ditë më parë arriti në Vlorë ‘Mekongu’, jahti i Dukës së Montpensierit, me një flamur tregtar anglez. Duka menjëherë më ftoi në anijen e tij të mrekullueshme dhe më pyeti nëse dëshiroja të vija në Itali. Ishte fat i vërtetë. Do të kisha qenë i marrë po të mos e kisha shfrytëzuar këtë rast të rrallë. Për mua kjo do të thoshte të çlirohesha nga një burgim i çuditshëm. Ishte edhe një mundësi për ta ndihmuar pak më nga afër çështjen e vendit tim.

Po grekët, nuk ju kapën?

ISMAIL QEMALI: Jo. Ata na panë shumë mirë. Pastaj, mos harroni se ‘Mekongu’ kishte ardhur nga Korfuzi. Po të kishin dashur të më kapnin, do ta kishin patur të lehtë. Unë nuk e fsheha aspak faktin që po nisesha. Një torpedinier grek, i ngarkuar për bllokimin e bregdetit, na vuri re dhe na lejoi të kalonim pa ndonjë problem. Udhëtimi shkoi mjaft mirë. Jahti i Dukës është vërtet i mrekullueshëm dhe jam i gëzuar që arrita të dal nga ky burgim pa asnjë shpenzim dhe në kushte kaq të mira.

Po miqtë tuaj të Vlorës, Shkëlqesi, nuk patën kundërshtim që ju të niseshit?

ISMAIL QEMALI: Ishin ata vetë që më këshilluan të përfitoja nga ky rast i papritur. Ata janë të bindur se çështja shqiptare nuk është në Vlorë, në këtë qytet ku liria u shpall në një lloj burgu, por gjetkë, e sidomos në Londër, ku diskutohet për fatet tona të së ardhmes. U kam lënë udhëzime të qarta miqve të mi të qeverisë, duke i bërë të reflektojnë për pasojat e rënda që do të kishte vendi, në qoftë se do të ndërmerrnin ndonjë akt të nxituar apo, nëse do të fillonin ndonjë revoltë. Ata m’u betuan dhe jam fare i qetë se bashkatdhetarët e mi do të mbajnë një qëndrim paqësor, ashtu siç i kam këshilluar dhe siç është dëshira ime.

A kanë përparuar më tej grekët?

ISMAIL QEMALI: Jo. Nuk kanë përparuar përtej Tepelenës. Në Tepelenë ndodhi diçka me rëndësi, sepse turqit prenë urën për të penguar pushtimin. Pra, grekët nuk kanë shkuar më tutje se Tepelena. Ata e dinë se Vlora është e paprekshme, sidomos për shkak të vullnetit të Italisë, por edhe të Austrisë.

Po Beratin nuk e kanë pushtuar?

ISMAIL QEMALI: Jo. Në të gjithë sanxhakun e Beratit, nuk kanë shkuar përtej Tepelenës.

Si ishte gjendja në Vlorë kur u larguat?

ISMAIL QEMALI: Shumë e qetë. Nuk ka patur vështirësi të tjera të brendshme, përveç ankthit të bllokadës detare që na ka izoluar dhe na ka bërë të na mungojnë disa elementë bazë të jetesës. Ka ndodhur vetëm diçka që është vërtet për t’u shënuar: ardhja e një oficeri austriak me veshje civile, i shoqëruar nga një prift dhe një marinar.

Si arriti të vijë?

ISMAIL QEMALI: Ai zbarkoi në grykën e Semanit me një anije të kompanisë Lloyd dhe, prej andej, erdhi në Vlorë me një barkë me rrema. Ju e dini se në Vlorë ekziston një element që nuk e dëshiron pavarësinë e pastër të Shqipërisë. Ky element gjithnjë më ka luftuar dhe është përpjekur të më krijojë vështirësi. Oficeri që erdhi tha se ishte në gjendje të armatoste popullatën dhe të na dhuronte armë. Mirëpo unë nuk e pata të vështirë t’i shpjegoja popullit, se ne nuk kishim nevojë për makinacione të tilla dhe se mund ta realizonim sigurinë e vendit tonë me besimin tek mbrojtja që na jep Evropa.

Në Itali shtypi ka patur një lajm për këto qëllime të austriakëve në Vlorë…

ISMAIL QEMALI: Atëherë ky lajm nuk qenka i ri për ju. Megjithatë, unë e njoh politikën e Vjenës dhe gjithsesi i jam mirënjohës edhe Austrisë për interesimin ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër kuptoj edhe ndryshimin mes dy politikave, të Vjenës dhe të Romës…!

Në këtë pikë, Qemal beu u zhyt në një heshtje diplomatike.

Po vështirësitë që ju krijon bllokada për t’u ushqyer?

ISMAIL QEMALI: Oh, më mirë të mos flasim për këtë. Është diçka që të shkakton ankth. Jam i gëzuar që ndodhem në Itali edhe sepse do t’i kërkoj si qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha apo ministrit të Greqisë, që t’i japin fund kësaj mase kaq të shëmtuar dhe të kotë. Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani.

Por nuk është e mundur të vazhdojmë më tej në këtë gjendje. Ekzistojnë tashmë arsye humanitare, pët të cilat bllokadës duhet t’i jepet fund. Duke e vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët po tregohen të padrejtë, në kundërshtim të plotë me qytetërimin e tyre. Përse duan të trullosin me katastrofën e urisë një popullsi që nuk i bën keq ndokujt me asnjanësinë e saj? Asnjë arsye nuk mund ta përligjë bllokimin e Vlorës.

A nuk është e vërtetë që aty vërtiten trupa të Xhavit pashës?

ISMAIL QEMALI: Janë thjesht ushtarë të çrregullt në gjendje të mjerë, që nuk përbëjnë asnjë shqetësim ushtarak. Xhavit pasha ndodhet në Lushnje afër Shkumbinit në kushte vërtet tragjike dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë lloj veprimi kundër grekëve, as t’i dëbojë nga pozicionet që kanë kapur. Të paktën tani, grekët zotërojnë Sarandën dhe të gjitha pikat e bregdetit të bllokuar. Ata kanë deklaruar se nuk do ta prekin Vlorën, sepse ky është vullneti i dy fuqive të Adriatikut, prandaj nuk duhet t’i bien në qafë asaj me pretekstin e bllokadës. Shpresoj të bëj të ditur arsyet humanitare që kërkojnë heqjen e bllokadës.

Pastaj, Qemal beu më kërkoi t’i tregoja të rejat e fundit nga Konferenca e Londrës për Shqipërinë. Përsa u përket kufijve jugorë të Shqipërisë, i shpjegova se cila ishte teza e grekëve, të cilët kërkonin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën si dhe Gjirokastrën e Sarandën.

ISMAIL QEMALI: Po kjo është si t’i presësh krahët e këmbët Shqipërisë (thirri Qemal beu). Të shpresojmë se vullneti i Evropës, i cili një ditë do të triumfojë, do të çojë në integritetin e popullatave që janë shqiptare të pastra. Është vërtet e çuditshme që grekët mendokan të marrin edhe Korçën!

Cilat janë marrëdhëniet e tanishme mes Turqisë dhe Shqipërisë?

ISMAIL QEMALI: Janë krejtësisht paqësore. Kemi marrë në Vlorë komunikatën zyrtare të Vezirit të Madh, me të cilën njihet pavarësia shqiptare dhe e drejta e flamurit tonë. Me këtë mori përgjigje fyerja e madhe, që trupat e Xhavit pashës i bënë flamurit tonë në Tepelenë. Qeveria turke nisi një hetim dhe i bëri me dije mytesarifit të Beratit, se ajo e njihte tashmë autonominë tonë dhe u kërkoi autoriteteve të fundit turke të mbetura në territorin shqiptar, të respektonin emblemën tonë.

A u zgjidh çështja e princit të shtetit tuaj?

ISMAIL QEMALI: Oh! Çështja e pretendentëve të fronit, apo e principatës së Shqipërisë ka rrezik të fryhet tej mase. Pata rastin të takohem me Dukën e Montpensierit, i cili me ndihmën e tij humanitare më nxori nga gjendja e çuditshme në të cilën ndodhesha. Natyrisht, i shpreha atij gjithë mirënjohjen time për këtë akt fisnik dhe i thashë se Shqipëria do ta kishte për nder nëse do të kishte në krye të saj pasardhësin e një familjeje të shquar dhe historike. Por i thashë gjithashtu, për hir të sinqeritetit, se ende nuk ishte koha për të menduar mbi çështjen e princit, e cila do të duhej të zgjidhej më vonë.

Ç’mendoni, Shkëlqesi, mbi çështjen e Shkodrës?

ISMAIL QEMALI: Mund ta merrni vetë me mend. Mendoj se çështja e Shkodrës është tani në rrugën e zgjidhjes. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se ka shanse për sukses. Janë mjaft të njohura arsyet se përse Shkodra duhet t’i mbetet Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha, të cilat e kuptojnë plotësisht nevojën e një vendimi të tillë, kanë rënë tashmë dakord ta bëjnë Malin e Zi të tërhiqet.

A e keni lexuar telegramin e mbretit Nikollë, i cili flet për kështjellën e krishterimit që duhet t’i kundërvihet islamizmit?

ISMAIL QEMALI: Pikërisht këtu qëndron edhe dobësia e tezës malazeze. Si mund të mendojë mbreti Nikollë të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë? A e ka menduar ai se duhet të përgatitet për shumë e shumë luftra të përgjakshme? Megjithatë, unë besoj se më në fund Mali i Zi do të tërhiqet përpara vullnetit të Evropës.

Jam i gëzuar, – përfundoi Qemal beu, – që munda të dal nga Vlora për të mbrojtur më tej të drejtat e Shqipërisë në kryeqytetet evropiane, në qytetin tuaj e sidomos në Londër. Me sa duket Peja, Prizreni dhe Gjakova janë të humbura, por ka disa territore që ende mund të shpëtohen. Dhe këtë do të përpiqem të bëj me besimin tek të drejtat e shenjta të popullit tim”.

Pas disa ditësh, Ismail Qemal beu do të niset për në Londër. Atje ai do të përpiqet të mbrojë çështjen e paqes jo vetëm në interes të vendit të tij, por sadopak edhe të Evropës, e cila, në çështjen shqiptare, mund të shohë dështimin e përpjekjeve të saj për ruajtjen e paqes. Ai po fillon kështu një pelegrinazh politik nëpër kryeqytetet e Evropës, ku Roma është etapa e parë e rëndësishme.Memorie.al

Gezim Peshkepia: “Unë kam denoncuar disa herë sjelljen e hetuesve, të cilët më kanë gjakosur dhe…” Nga Nebil Çika

Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik: Pas ’90-ës, hetuesin tim e dërguan diplomat

Nga Nebil Çika/ Në emisionin “Rrno për me tregue” të realizuar vite më parë në Shijak TV, gazetari dhe moderator i njohur, Nebil Çika, ka pasur të ftuar edhe ish-të burgosurin politik, Gëzim Peshkëpia, intelektual i njohur dhe pinjoll i një familje të madhe e shumë të njohur në Shqiperi, me kontribut që nga fillimet e idesë së shtetit shqiptar, deri në ditët e sotme. Ish i burgosur politik dhe i biri i njërit prej të pushkatuarve në masakrën e bombës në Legatën Sovjetike në Tiranë në vitin 1951, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektuale të njohur të kryeqytetit.

Hetuesi-1

NEBIL ÇIKA: Gëzim, kam këtu një kopje të vendimit të internimit tuaj. Më bën përshtypje një shënim në fund, ku thuhet: “Interesohuni për sistemimin e tyre në një ndërtesë, gjithashtu t’i gjendet një pune sa për të mbajtur frymën gjallë”! Shumë cinik, makabër…?!

GËZIM PESHKËPIA: Dhe ka një emër aty poshtë, që për ironi quhet Kasapi, Kiço Kasapi. E denjë për një fjalor që mund ta përdorin kasapët. Bëhet fjalë për një tmerr të vërtetë.

NEBIL ÇIKA: A u realizua kjo porosi e Kasapit?

GËZIM PESHKËPIA: Po, deri në fund. Natën e parë e kaluam në një han, pastaj na çuan në kalanë e Beratit, ku kemi ndenjur në shtëpinë e Miti Sanijes. Miti Sanija ishte një karrocier, një burrë shumë i mirë, një familje shumë e nderuar, që ju vinte keq sepse shikonin sesa i pakuptimtë ishte internimi i një plake si gjyshja ime, i një gruaje me dy fëmijë të vegjël, ndërkohë, kur babai jonë ishte pushkatuar.

Aty më përpara kishte qenë familja e Markagjonit dhe me ata mund të kishin një farë arsyetimi, se kishin një të arratisur që mund të vinte nga jashtë, por për ne, ne s’përbënim asnjë rrezik, s’kishte kush të na vinte më, kryefamiljarët ishin të pushkatuar.

Kemi qenë ne, ka qenë dhe familja e Fadil Dizdarit dhe familja e Hekuran Trokës, bashkë me një grua të vetme që quhesh Maria Rashkoviç, gruaja e Lluka Rashkoviçit. Në internim privoheshim nga e drejta e lëvizjes nga qyteti. Kishim të drejtë (të lëviznim) deri në Urën Vajgurore. Për çdo lëvizje duhet të njoftonim Degën e Brendshme.

Duhet të paraqiteshim dy herë në ditë te kryetari i Këshillit Popullor. Pasi e bëmë këtë dy dite, ai ishte një njeri shumë i mirë, tha që të mos lëviznim se do vinte vetë në shtëpi të na shihte, se ishte e pakuptimtë.

Nga një anë ishte një grua lehonë me një fëmijë të vogël, siç ishte e shoqja e Hekuran Trokës që rrinte me një plakë, me të shoqen e Lluka Rashkoviçit, nga ana tjetër ishte një plakë që rrinte me nusen e djalit të vet dhe dy fëmijë të vegjël, qe s’përbënin asnjë rrezik. Ka dhe një aspekt që më ka mbetur në mendje:

Një herë, një natë gjetëm në derë një bukë, që tani s’është asgjë, po në atë kohë gëzimi jonë ishte i jashtëzakonshëm. E vramë mendjen se kush mund ta këtë bërë këtë, e dënim këtë se i zoti i shtëpisë herë pas here na dhuronte ndonjë gjë fëmijëve të vegjël, por prapë ishte jashtë mundësisë së vet.

Buka ishte dy triska e gjysëm. Hamendja ime është se kjo ishte nga kryetari i Këshillit, sepse të tjerët e kishin pak të vështirë për të na u afruar. Njerëz të thjeshtë na kanë dashur, na kanë përkrahur dhe në një farë mënyrë kjo ishte dhe shfaqje e disidencës.

NEBIL ÇIKA: Pas Beratit ku shkoi familja juaj Gëzim?

GËZIM PESHKËPIA: Familja ime më pas shkoi në Kavajë.

NEBIL ÇIKA: Prapë ju internuan?

GËZIM PESHKËPIA: Aty quheshim në një formë tjetër, “të urbanizuar”. Edhe atje duhet të merrnim leje në Degën e Brendshme, në qoftë se do iknim në Durrës apo Tiranë.

NEBIL ÇIKA: Ndryshoi situata juaj në Kavajë?

GËZIM PESHKËPIA: U jam shumë borxhli kavajasve. Kemi gjetur një ambient të mrekullueshëm. Kemi qenë disa familje.

NEBIL ÇIKA: Si ambient të mrekullueshëm?

GËZIM PESHKËPIA: Ambient të mrekullueshëm për shkak të njerëzve të ngrohtë, këtë quaj ambient. Ishim ne, familja e Anton Delhysës, ishte Shyrete Jegeni me fëmijët, ishte Nadire Kasoruho me të birin, Amikun, ishte dhe familja e Fadil Dizdarit.

NEBIL ÇIKA: Të ndalemi pak te xhaxhai juaj, një figurë shumë e njohur, një nga krerët e ideologët e Ballit Kombëtar, dhe me një aktivitet që nuk e pushoi asnjëherë në diasporë. Me sa kam lexuar ishte dhe anëtar i Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Robëruar, një organizatë që përmblidhte gjithë vendet nën komunizëm?

GËZIM PESHKËPIA: Po, ashtu është. Deri në një farë kohe ka qenë dhe përfaqësues i Shqipërisë pranë kësaj asambleje. Ai ka qenë dhe anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Kjo përsa i përket anës politike, e cila e ka zanafillën qe në periudhën e fashizmit, kohë në të cilën ai ishte arsimtar në Tiranë dhe bashkë me babain refuzuan të vishnin kamishat e zeza, siç u dha urdhër për të gjithë nëpunësit atëherë.

Për këtë u internuan në Elbasan, megjithëse në profesionet përkatëse punuan dhe atje. As atje nuk reshti aktiviteti politik i tyre, për këtë dhe u arrestua xhaxhai. Nga protestat e mëdha u detyruan ta lirojnë. “Në burg, – më tha Dashnor Mamaqi – ai na organizoi ne kundër fashizmit”. Kurse një herë, në një deklaratë që bëri njëri nga këto birbot e veteranëve, e quante fashist. Ai qe antifashist.

NEBIL ÇIKA: Sa ndikonte aktiviteti i xhaxhait kundër qeverisë komuniste shqiptare, në trajtimin tuaj brenda Shqipërisë.

GËZIM PESHKËPIA: Shumë e lidhin aktivitetin e xhaxhait dhe me vrasjen e babait, por dhe qëndrimi i babait ka qenë prej nacionalisti dhe nuk dua ta minimizoj për ta nxjerrë më shumë viktimë, sesa martir.

NEBIL ÇIKA: Aktiviteti i Nexhatit vazhdoi gjatë, edhe pas vrasjes së babait, dhe qëndrimi ndaj familjes suaj u ashpërsua. A ndikonte kjo?

GËZIM PESHKËPIA: Natyrisht. Kontingjenti më i predispozuar për burgjet komuniste ishim ne, bijtë e tyre.

NEBIL ÇIKA: Z. Gëzim, presioni që bënin komunistët ndaj jush, a synonte të frenonte xhaxhain?

GËZIM PESHKËPIA: Natyrisht. Unë di një shokun tim (fëmija Maçi), i cili i shkruante të atit që, po të jetë për ne, vazhdo atë linjë që ke, mos bëj kompromis. E thirrën një herë gruan e xhaxhait tim në Degën e Brendshme dhe i thane; “shkruaji një letër Nexhatit që të kthehet”. Letrën e përpiloi babai im. Ata e kuptonin aq gjë, pak kohë para se të ri arrestohej. Kjo ishte një histori e dhimbshme….! Kur m’u dha rasti, u mundova t’ua tregoj kur dola jashtë Shqipërisë, u është dukur e pabesueshme…!

Si mund të vritet një poet?! Vetëm këtu tek ne ndodh kjo! Një njeri që s’ka mbajt një pushkë në dorën e vet, ti e merr nga shtëpia dhe e pushkaton dhe i çon lajm shtëpisë, se u vra si terrorist. Terrorin e bënte tjetër kush, persekutorët dhe jo të persekutuari. Kjo masë terrori ishte u ndje shumë në Tiranë. Tirana atëherë ishte e vogël dhe të arrestosh 150 vetë dhe të pushkatosh 22 për një natë, ishte terror i pastër. Nata e Shën Bertolomeut (shqiptar).

NEBIL ÇIKA: Gëzim, dua të qëndroj te fati juaj. Duket se nuk mjaftuan internimet po u arrestuat edhe vetë për krime politike, si kundërshtar i regjimit.

GËZIM PESHKËPIA: Bëja pjesë në kontingjentin më të mundshëm për goditje. Kjo erdhi në vitin 1974-1975, kur u bë goditje në masë.

NEBIL ÇIKA: Ku ndodheshe në atë kohë?

GËZIM PESHKËPIA: Atë kohë punoja si piktor në OMT (mbase gjejmë emrin e gjatë), sapo isha martuar, kisha tre muaj kur u arrestova. U dënova 8 vjet dhe më dërguan në burgun e Ballshit.

NEBIL ÇIKA: Për çfarë u akuzuat?

GËZIM PESHKËPIA: Për agjitacion e propagandë në fushën e artit dhe të kulturës.

NEBIL ÇIKA: Çfarë akuze kishe konkretisht?

GËZIM PESHKËPIA: Gjetën ca libra të Fishtës në shtëpinë time, ndër to dhe “Lahutën e Malësisë”.

NEBIL ÇIKA: Mjaftonte Fishta për të dënuar…?!

GËZIM PESHKËPIA: U thur një legjendë, doli dikush që tha; “na mere, se ky është libri i poetit tonë të vërtetë”, etj. Dola si propaganduesi më i madh i Fishtës si poet. Ajo është e pamohueshme, por ata mund të thurnin akuza të paimagjinueshme. Ata të bënin poli-agjent etj.

NEBIL ÇIKA: Tetë vjet për Gjergj Fishtën?!

GËZIM PESHKËPIA: Nuk ishte vetëm Fishta, gjoja kisha folur dhe për piktorë, të cilët ishin dekadentë apo për letërsinë, si p. sh. për librin “Dasma” të Kadaresë, sikur kisha thënë që ky libër është sikur të lexoje gazetën. Në fakt unë këtë kisha thënë, por në pikëpamje të stilit letrar të atij libri.

NEBIL ÇIKA: Ishin njerëz të njohur ata që dëshmuan kundër teje?

GËZIM PESHKËPIA: Jo, akuzën e mbështetën nja dy njerëz pa personalitet.

NEBIL ÇIKA: Hetuesia si ju kaloi?

GËZIM PESHKËPIA: Hetuesia ka qenë çnjerëzore. Unë kam denoncuar disa herë sjelljen e hetuesve Nasho Gjikopulli dhe Kosta Gazeli. Kosta Gazeli më ka torturuar, më ka godit, më ka gjakos dhe me gjithë denoncimin tim, në vend që të vihesh në bankën e të akuzuarve, e çuan diplomat. Ai ishte personi numër 2 në Athinë, pas vendosjes së demokracisë. Më vonë u fut në Partinë e të Drejtave të Njeriut.

Të dy (ishin) greqishtfolës. Më dënonin mua sikur të isha armiku i atdheut tim në atë hetuesi, ku njeri me tjetrin flisnin greqisht. Ishte një paradoks, jo sikur të ishe në zyrat e shtetit tënd. Bashkë me to në atë “kor” puqej dhe kryekrimineli Kadri Ismailati, dhe ai greqishtfolës. Më kanë lënë në mes të dimrit, me një përparëse doku të hollë, e cila u bë shkak për një proces pulmonar.

NEBIL ÇIKA: Jeni personazh (në kujtimet) e disa njerëzve që kanë shkuar nëpër burgje, duke filluar që nga bashkëvuajtësi juaj Patër Zef Pllumi, por dhe të tjerë. Edhe ju në librat tuaj keni përmendur disa personazhe të shquar të historisë së sotme. Çfarë kujtoni nga këta shokë të burgut?

GËZIM PESHKËPIA: Unë veçova Patër Zefin, sepse me të më lidhi një miqësi e ngushtë, e cila vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së tij, një miqësi e pastër, mes dy njerëzve që ndoshta nuk i lidhte besimi fetar, por një lidhje shpirtërore jashtë koncepteve të fesë dhe bindjeve politike, që në burg merr një formë të tillë miqësie të pakrahasueshme.

NEBIL ÇIKA: Të kthehemi pak te Patër Zef Pllumi, çfarë figure ishte?

GËZIM PESHKËPIA: Me Pater Zef Pllumin u njoha që kur isha në burgun e Tiranës, më pati folur Patër Aleks Baqli. Unë njihesha me françeskanët, kisha mik At Viktor Volaj që ka qenë shërbestar në Kepin e Rodonit, ku kisha qenë arsimtar. Më vonë, Patër Aleksi ma përshkroi (At Zef Pllumin) si hero, si njeri të papërkulur, i përmasave jonjerëzore, përsa i përket durimit të vuajtjeve dhe ashtu doli se gjatë gjithë periudhës së burgut, pata shumë biseda të karakterit të ndryshëm, ku mund të them se pak gjëra të reja kam lexuar në librat e tij, sepse ishin thënë e stërthënë në bisedat që kishim bërë bashkë.

Kishte fusha ku dëgjoja tamam si një nxënës, nuk mund të debatoja me të, sepse ishte unik, nuk mund të flisja për Fishtën me Pater Zef Pllumin, sepse ai kishte njohuri të bollshme. Siç dihet, Kleri Katolik, sidomos ai françeskan, kishte përfaqësuesit më të mëdhenj në letërsinë shqiptare.

NEBIL ÇIKA: Në këtë libër më bën përshtypje që ai flet pak ose aspak për veten. Kështu ka qenë edhe atje?

GËZIM PESHKËPIA: Ashtu është, ata ishin të përkushtuar pas idealit të tyre dhe nuk ishte gjë e papritur qëndrimi që bënin ata. Unë kam përmendur një episod në librin tim te Aleks Baqlit që ishte mik i ngushtë i Pater Zefit, kur e urdhëroi komisari që të thyente statujën e Krishtit dhe t’i copëtonte rruzaret.

Ai refuzoi. Ishte një moment aq i thjeshtë, po aq heroik sa na befasoi të gjithëve. Ishte kontakti i parë që patëm ne me burgun, me ata që e kuptonin drejt se çfarë ishte disidenca, ç’është kundërshtimi. Ato ishin gati të martirizoheshin.Memorie.al

“Pranoj, veç lini fëmijët të qetë”, kërcënimi që Sigurimi i bëri Fiqerete Shehut në hetuesi: Soj e sorollop do t’ju burgosim

 

NGA PËLLUMB VREKA

Dy fjalë për hyrje, Sigurimi i Shtetit fillimisht u krijua me të ashtuquajturin “Batalioni i Sigurimit”, i cili drejtohej nga Kadri Hazbiu. Elementët që bënin pjesë në këtë batalion ishin njerëz të zgjedhur me biografi të pastër, patriotë të devotshëm të partisë. Në këtë Batalion sa për kuriozitet bënte pjesë edhe i famshmi Halit Bajrami i cili në përplasje me Kadriun u arratis në Zelandën e Re. Fillimisht detyra e Batalionit ishte sigurimi i jetës së anëtarëve të Byrosë Politike d.m.th të udhëheqjes.

Pastaj më vonë u angazhua për kryerjen e detyrave operative. Siç ishin edhe arrestimet dhe dënimet, (shto pushkatime pa gjyq, që Kadriu e ka pranuar hapur gjatë gjykimit), e kosovarëve të cilët dyshoheshin se ishin dërguar për t’u infiltruar në jetën Shqiptare duke qenë agjentë apo bashkëpunëtorë të UDB Jugosllave. Bile kishte raste kur pala Jugosllave kërkonte me ngulm kosovarin X për tua kthyer Jugosllavëve në këmbim të ndonjë elementi “Armik i Pushtetit Popullor” i arratisur atje.

Imagjinoni se ç’fund tragjik do kishte i deportuari nga pala Jugosllave! Po ashtu edhe ata që i dorëzonte Sigurimi i Shtetit, të cilët pas torturave drastike e çnjerëzore, kur i shpëtonin ekzekutimit, përfundonin në famëkeqin: Burgun “Gulak”. Por Sigurimi i Shtetit u mirorganizua pas Luftës me ndihmën e Shërbimit Sekret Sovjetik KGB. Eksperienca e KGB Sovjetike ishte jashtëzakonisht e vyer sepse vinte nga Sigurimi i Shtetit Sovjetik i kohës së Leninit dhe që quhej “Çeka” e udhëhequr nga Beniamini i Leninit, Feliks Xhexhinski.

Ky sigurim më vonë mori emrin KGB i kohës së Stalinit dhe udhëhiqej nga Berja e më vonë u ekzekutua nga Nikita Krushovi. Aq i egër ishte Sigurimi i Xherxheniskit sa që (Praktikë e zakonshme e eliminimit të kundërshtarëve të regjimeve në fuqi në gjithë vendet e Lindjes), edhe Trockin, kundërshtarin e Leninit e të komunizmit, e gjurmoi, e gjeti në Meksikë dhe e ekzekutoi me një goditje me… Kazëm!

Më poshtë nuk do merremi me sistemin e organizimit të ndarjes e të detyrave të drejtorive të ministrisë së Punëve të Brendshme. Tema jonë është aktiviteti drithërues, kurthet, presionet, shantazhe dhe ekzekutimet e personave të pafajshëm, viktima të regjimit diktatorial të sistemit komunist, nga të pafetë: oficerët e Sigurimit të Degëve të Punëve të Brendshme, të cilët Reshpenshë quheshin (edhe në dokumente), Oficeri Operativi qytetit ose i fshatit. Sigurimi i Shtetit bënte pjesë në sistemin e sigurimit, të vendeve të Lindjes me të cilët ndante dhe merrte eksperiencat e survejimit, përndjekjes, çuarjen para hetuesisë deri para gjyqit i quajtur Gjyq Popullor, sepse bëheshin me dyer të hapura. Pse? Sepse të akuzuarit dilnin me idenë e imponuar (torturimit), se pranonin fajin e bërë kundër Pushtetit Popullor.

SHËRBIMI SEKRET

Tipike, veç KGB-së që dihet botërisht aktiviteti i saj brenda e jashtë vendit, ishin dy sisteme sigurimi, ai i Gjermanisë Lindore me në krye Honekerin, të cilin Brezhnjevi e donte aq shumë për diktaturën komuniste që ushtronte, e puthi në buzë, një ngjarje sa e habitshme aq edhe e paimagjinueshme, e cila edhe sot bën xhiron e botës. Pas rënies së regjimit në depot e magazina e Shërbimit Sekret të Sigurimit Gjermano-Lindor “STAS”-i u gjetën mijëra kavanoza me mbetje trupore të viktimave të komunizmit.

Ndërsa Rumania e Nikolai Çausheskut dhe e Helenës (Ata udhëhiqnin në duet), kishin një specifik tjetër. Anëtarët e Shërbimit Sekret të Sigurimit “Securitates” përveç militantëve të zgjedhur me kokrra nga radhët e Partisë Komuniste Rumune pjesa dërmuese merrej e zgjidhej nga jetimorët pra, elementë Recidivistë pa din e pa imam. Ata nuk njihnin dashuri familjare të nënës e babës. Këta ishin ata që pa hezitim, hapën zjarr kundër demonstruesve paqësorë në Timishoara duke vrarë afro njëqind protestues.

Nejse, të fokusohemi, tek ideja e shkrimit tonë, tek Sigurimi famëkeq i Shtetit. Sigurimi i Shtetit ishte një organizatë me organizim perfekt. Fuqia e tij ishte e jashtëzakonshme, aq sa shpesh cilësohej si shtet brenda shtetit. Edhe vetë Komitetet dhe Organizatat e Partisë, bashkimet profesionale, Organizatat e Gruas e deri tek ato të Pionierëve, dridheshin para emrin: Sigurimi i Shtetit. Fuqia e tij ishte aq e madhe dhe e fuqishme sa që asnjë person nuk mund të dilte jashtë shtetit pa autorizim të Oficerit të Sigurimit. Unë vetë nga vitet 1982, kam filluar të dal jashtë shtetit me shërbime të ndryshme por për çdo udhëtim do pajisesha patjetër (kjo ishte praktikë për të gjithë, pa asnjë përjashtim, përveçse dihet…Udhëheqjes e fëmijëve të tyre), me “Vizë” nga Ministria e Brendshme.

Aq shpesh kisha dalë sa në një rast, u paraqita në Aeroport për në linjën Tiranë-Budapest, pa marrë atë vizë. Policia më ndaloi udhëtimin, u desh ndërhyrja e ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Veip Proda, që të vazhdoja udhëtimin. Punëtorët Operativë ose Oficerët e Sigurimit gëlonin në çdo ndërmarrje, Komitet Ekzekutiv, Komitet Partie e deri në Kooperativat e largëta Bujqësore. Gjithë fshati drithërohej kur merrej vesh se në fshat paskej ardhur, punëtori operativ i zonës dhe se ndodhej në zyrën e… sekretarit të Partisë ose Kryetarit të Kooperativës. Veshja e tyre tipike me të njëjtën uniformë me kostum doku bezhë, pardesy bezhë, me kasketë e me çantën krahqafë ngjyrë kafeje, dallohej gjithandej. Këta punonjës operativë ose oficerët e sigurimit ishin të atashuar në organikën e Degës së Punëve të Brendshme, të cilat duhet pranuat që dhe kur kalonin pranë tyre asnjë qytetar nuk kthente kokën e të bëhej ndopak kurioz.

Çdo qytetar, punonjës, kooperativist, pa përjashtim kalonte nëpër brimën e gjilpërës qoftë edhe i pafajshëm. Pale të kishe ndonjë të arratisur ose qoftë edhe pjesëtar i fisit që kish mbetur matanë kufirit për shkak të martesës. Kam qenë në Gjimnazin e Bajram Currit. Shokut tonë të klasës Besim D i erdhën nga Kosova (lexo Jugosllavia), pako me rroba dhe një orë “Areta”. Dy ditë pas shuarjes së kuriozitetit tonë për ç’ka i kish ardhur, u thirr në Degën e Punëve të Brendshme nga Oficeri i Sigurimit duke e pyetur atë e të atin me orë të tëra. Shpejtësia me të cilën u thirr në degë, ishte e habitshme, aq sa dhe mësuesi kujdestar Gjergj Preluca bëri një pyetje shqeto para klasës:

– Kush nga ju është spiuni? Në fakt në klasë ishim 30 çuna e vetëm një vajzë, Xhemile Mece. Kështu i binte që spiuni të ishte shok i klasës, (më vonë u mor vesh që spiuni ishte S. Kore, bashkëpunëtori i sigurimit me pseudonimin “Shkëlzeni”). E tregova këtë ngjarje për të treguar se sa thellë hynin tentakulat e Sigurimit të Shtetit. Në një rast, ish Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, raportonte para Byrosë Politike se një në çdo tre shqiptarë ishin bashkëpunëtorë të rregullt me pseudonim ose bashkëpunëtorë “vullnetar” të quajtur “AGBV”.

TË ZELLSHMIT

Bile pati edhe të atillë që prej zellit të madh, për ta pasur mirë me Sigurimin, raportonin edhe komshiun se ku i gjeti paratë që bleu peshk, se atij nuk i del rroga të hajë sheqerpare apo qull! Kompromentimi dhe futja nën tutelën e sigurimit, realizohej me miratim të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme p.sh. në kohën kur u futën në përpunim Genc Leka e Vilson Blloshmi (Pushkatuar në përrua), shkresa shkruante: Tepër sekret, aprovohet, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Kolonel Shim Kolli. Propozuesi punëtori operativ (Oficeri i Sigurimit), Feta Veizi, Shefi i Seksionit për përpunim 2/B, të (Gjynafqarit) Kapiteni i Parë, Avni Mehmeti. Komenti është i tepërt. Akuza sekrete me dëshmitarë të imponuar dhe vendimi, plumb pas koke për të pafajshmin! Bashkëpunëtorët betoheshin sikur futeshin në Organizatat mafioze dhe pas firmës nuk mund të largoheshin më, vetëm po të pranonte burgun ose plumbin. Ja si e shfrytëzon rastin punëtori operativ.

HISTORIA E SHOFERIT

Një rast i thjeshtë. Viti 1976. Një shofer S.K. kamioni i një reparti ushtarak bënte, për furnizim itinerarin Leskovik-Ersekë. Kamioni i mbuluar me mushama, sigurisht edhe prapa tek karroceria. Në rrugë shikon një fshatar që pavarësisht se kish çadër, shiu i dendur e kish bërë qull, i bën shenjë të ndalojë. Pasi e pyet se ku do shkonte, shoferi S.K. i tha:

– Hip prapa, kuptohet ishte qull dhe para me të as që bëhej fjalë. Pas ndonjë një orë shoferi arriti në destinacion dhe i thotë pasagjerit:

– Zbrit, se arritëm. Pasagjeri hiç, S.K. shikon menjëherë prapa ngriti mushamanë dhe ç’të shohë, jo vetëm tym i makinës kish mbushur karrocerinë por edhe pasagjeri kish “ngrirë” i asfiksuar nga gazi karbonik i marmitës nuk kuptoi asgjë. I tmerruar e duke u dridhur e mori trupin dhe e la buzë rruge që të dukej. Mori makinën e ia mbathi për në shtëpi. Praktikisht kjo ishte një praktikë e njohur. Ushtria Gjermane për të kursyer plumbat i mbushnin kamionët me të burgosur dhe një tup lidhej me marmitën e hynte duke u shfryrë në karroceri. Vdekja ishte e menjëhershme, pa zhurmë dhe e “ëmbël”.

S.K. në shtëpi nuk e zinte vendi. I kish hyrë thotë populli “Tartakuti”. Gruaja e pyeti disa herë por, ai justifikohej me punën e vështirë, etj., broçkulla. Megjithatë gruaja që dyshonte se diçka kish i shoqi, shkon në Degën e Brendshme dhe raporton tek oficeri operativ. Ai, pa çak pa bam, thirri S.K. dhe e mori në pyetje. Duke e mbajtur brenda në birucë, pa një vendim gjykate. Nga këqyrja e rrethanave të ngjarjes ku u vërtetua se një nyje dërrase e dyshemesë kish rënë dhe fatkeqësisht ishte sipër marmitës kështu kabina e mbyllur hermetikisht helmoi të gjorin.

Pra, S.K. doli i pafajshëm. Deri këtu mirë. por nuk ishte mirë për Oficerin e Sigurimit, i cili i ngriti kurthin për ta bërë bashkëpunëtor.

– Ti, S.K. i thotë, sigurimsi je fajtor për vdekjen dhe fshehjen e ngjarje, sipas Kodit X, e Y, ti do dënohesh me dhjetë vjet burg.

– S.K. sa nuk i ra të fikët.
– Por, ka një gjë thotë sigurimsi, unë e kam në dorë ta mbyll këtë çështje, (vërtet në dorë e kishte se ata ishin vetë Ali e vet Kadi). Por duhet të zgjedhësh, o burgun ose të firmosësh si bashkëpunëtor i yni e të na raportosh çdo gjë që do të të kërkojmë. Kurthi (Çarku) u shkreh, S.K. mbeti brenda. Pranoi të firmosë e të evitoj burgun. Kështu oficerit Operativ (Sigurimsit) iu shtua edhe një spiun “Pa dashje”! Një kurth tjetër i burgosuri Remo T. kishte disa muaj që hante grushte e shqelma, e fusnin në ujë të ftohtë akull, e mbanin të lidhur në këmbë në dhomën e izolimit, për ta detyruar të pranonte atë që i kërkonte punëtori operativ me hetuesin. Mos o Zot, ku dorëzohej remua, sepse gjykonte që kishte plotësisht të drejtë. Kur mendoi, se ngaqë nuk i imponuan të pranonte, mendja i shkoi se do ta lironin. Mendja e tij, por jo, mendja djallëzore e hetuesit, i cili pasi e zgjidhi remon nga karrigia e ngulur e betonuar në dysheme, e kapi nga krahu dhe me “Delikatesë” e afroi tek dritarja.

– Shiko pak tek pema, – i tha, – se kush të ka ardhur për vizitë. Nën pemë e mbështetur Remua kapsalliti sytë, duke parë të shoqen e veshur me një fustan të kuq me pika të bardha, si një sorkadhe. (ishte e re, njëzet e dy vjeçe). Lotët e remos rrodhën nëpër faqe.

– Zgjidh e merr, nusja jote do flej këtu sot në dhomën tonë, timen dhe të hetuesit, do firmosësh apo jo?! I shkreti Remo, nuk i mbanin gjunjët dhe me zë të mekur tha: – Po. Kurthi funksionoi. Remo u thye. Oficeri Operativ dhe Hetuesi korrën sukses për t’ia raportuar Kryetarit të Degës se i burgosuri remo, me dëshirë e pa asnjë imponim pranoi fajin e sabotimit…!

SHANTAZHI NDAJ FIQIRETE SHEHUT

Kurthi familjar. Tipik është rasti i Fiqirete Shehut (Sanxhaktarit), pasi u mbajt me muaj të tërë me kaskë në kokë (demek se mos vriste veten) e me qindra orë hetuesi, ku i kërkohej të pranonte “Tavën” që i kish përgatitur Sigurimi i Shtetit ajo kuptohet nuk pranonte. Me asin nën mëngë hetuesit i vunë përpara alternativën familjare:

– Po nuk pranove, do të burgosim soj e sorollop të familjes. E tmerruar dhe me besim të verbër, duke parë se ç’kish hequr vetë, pranoi.

– Pranoj, – tha të them çdo gjë, veç fëmijët e mi lini të qetë.

– Po, patjetër. Pa merak, veçse para trupit gjykues do lexosh ato që do të japim ne.

Deklarata që lexonte Fiqirete, demek me një ndershmëri e pastërti, bëri bujë të madhe në sallë. Mirëpo e shkreta gjatë leximit jo vetëm dridhej por, ngatërronte edhe rreshtat (kuptohet kur nuk e shkruan vetë), akuzat që bënte ishin komplet të pabesueshme, aq sa Kadriu nga fundi i sallës, kur e përmendte Fiqireti tha:

– Jepi, jepi, gri si gramafon i prishur! Kështu kurthi i Sigurimit funksionoi dhe direkt iu raportua Enverit si një “zbërthim”, me dëshirë e pa imponim të Fiqiretes. Ç’mund të bënte tjetër Sigurimi i Shtetit kur e burgosura deklaronte me ndërgjegje të qetë e dëshirë pa imponim, sigurisht do t’i merrte njëqind për qind të vërteta.

Vijon…

KRISTO KIRKA, PATRIOT I DY SHQIPËRIVE! Nga Prof. SAMI REPISHTI

Arkiv – E Djelë, 05.19.2013, 09:08am (GMT+1)

Me Konicën

Ridgefield, CT. Këto ditët e fundit, miku dhe bashkëvuejtësi i im, Niko Kirka,më dërgoi një kopje të librit “Kristo Kirka”, të studjuesit Uran Butka, jetëshkrimi i një figure të njohun në botën shqiptare për dedikimin e tij idealit të demokracisë në Amerikë dhe në  Shqipëri. Libri, botue në Tiranë vitin e kaluem, përmban 296 faqe, dhe një seri fotografishë publike dhe familjare. Ashtë një punim që na gëzon.

“Ky bir i madh dhe i harruar”, patriot i dy Shqipërive, në Boston.Mass. para 1912-ës dhe ma vonë, në Shqipëri, martir  deri në fund të jetës, ashtë bir i Korçës qytet i traditës kombëtare shqiptare dhe djep i arsimit, kulturës dhe artit.

Kristo Kirka, i lindun në vitin 1886, trashëgoi atë që Korça kishte ma të mirë: përgatitjen e qytetarit të ndershëm dhe me shkollim. Në fillim të vitit 1904, në moshën 21 vjeçare emigroi në Amerikë, “… ku u ndez edhe më keq për punët e Shqipërisë”.(f.18), në një kohë kur Shqipëria ishte akoma një krahinë e humbun e një perandorie dekadente turke. Ashtë në këtë “Shqipëri të parë” ku refugjatët politikë përbajshin bërthamën e emigracionit, që Kristo Kirka gjeti pasionin e jetës tij: ai vijoi veprën e Petro Nini Luarasit, e përfaqësoi shoqëninë “Mall i Atdheut” në përpjekjet për themelimin e Vatrës. “Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë, përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe, tek emigrantët shqiptarë”.(f.24) Kjo, mendonte ai, shprehte ndërgjegjen kombëtare për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Një prirje e hereshme e Kristos bahet leitmotivi i jetës tij: arsimi, përsëri arsimi për të gjithë! Ai ishte një rilindës i vërtetë! “Ideja a nacionalizmit rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet tek njeriu për të lartësuar mendësisht, moralisht, esthetikisht dhe teknikisht popullin prej kah ka dalë…në përkrahjen e interesave kolektive të kombit”(f.15)

Në Amerikën e largët, në qendrat mërgimtare të Europës, të Egjiptit, dhe Rumanisë, e sidomos në ShBA po ngrihej hap mbas hapi, një “Shqipëri e re”, e lirë, pararojë e Nanës Shqipëri për shqiptarët. Në këtë Shqipëri të largët nga Nëna Shqipëri, emigranti Kristo Kirka u inkuadrue  si patriot i rendit të parë, pa hezitim dhe pa rezerva, me “…atë shpirt-mohim dhe guxim që i priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe”, shkruente Qazim Prodani. Dhe vazhdon:”Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizma- feja e tij, besimi i shpirtit fisnik që qëndronte në atë trup të pastër,. i pastër si dëbora e Gramozit”(f.27)

Shqiptaret orthodoks si Kristo Kirka “…jo vetem qe ndjeheshin etnikisht dhe kombetarisht shqiptare, por qendronin ne rradhet e para te levizjes per te drejtat kombetare te popullit shqiptar”(f.29) Bashke me patriotet tjere ne Shqiperi, Kristo Kirka ishte legjoni i nderit kombetar qe “…vune themelet e Shqiptarizmit e te shtetit kombetar shqiptar.”(f.30) “Une jam orthodoks, dhe si e degjon flas mire greqishten. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam per nder qe jam i tille”, i deklaronte ai profesorit grek Kicos ne Boston. Kane qene patriote te ketill si Kristo Kirka qe u bane nismetare dhe themelues te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Per mendimin e tij edhe “Fan S. Noli pranoi te dorezohet prift per motive kombetare”!(f.38) Sepse, “…ai (Noli) besonte tek vetja e tij, se ne petkun e priftit e te predikimeve te tij, mund te sherbente shqiptaret e Amerikes, por edhe te Shqiperise, per te hyre ne rrugen e perlindjes dhe te qytetnimit”. (f.41) Shqiperia nuk ishte shtet ne ate kohe te veshtire. “Me 22 mars 1908, ne Kishen e Shen Gjergjit ne Boston, u tha e para meshe ne gjuhen shqipe ne një kishe orthodokse”. Hapi i pare u be ne Amerike!” (f.42)

Me  15 shkurt 1908, shoqeria “Besa-Besen” , e kryesueme nga Kristo Kirka, filloi botimin e gazetes “DIelli”. Deviza? Dielli eshte organ i shqiptareve kombetare, qe kerkojne veteqeverisjen per Shqiperi. Redaktori i pare: Fan S. Noli.

Tashti, te gjitha shoqenite e shumeta shqiptaro-amerikane kishin kthye koken drejt Shqiperise, dhe u ndergjegjsuen per detyrat kryesore: perkrahjen e levizjeve revolucionare ne Shqiperi, dhe mbrojtjen e çeshtjes shqiptare ne arenen nderkombetare, veçanerisht ne SHBA. “Ketu, thonte Kristo Kirka, jemi te lire te veprojme pa frike”. Dhe   ashtu bani!

Por u deshen shume perpjekje kambengulese te Komisionit te Bashkimit, i perbame nga vatranet patriote si Kristo Kirka, Elia  Tromara, Kostaq Kotta, Kostika Treska, Llambi Çikozi per te arritun deri ne themelimin e Federates VATRA. (Ashte shume domethanes fakti se te gjithe themelueset e VATRES jane shqiptare ortodokes. Një perbamje e ketill tregon qellimin fillestar te Vatres: ruejtjen e Shqiperise nga agresioni grek. Ne themelimin e Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike ky qendrim merr edhe një forme ma konkrete, randesia e te cilit, dhe efekti i tij pozitiv jane jashtezakonisht te medha, dhe me një fryme patriotike te rralle ne historine e vendit tone)

Me 24 mars 1912, u vendos te formohet “Shoqeria Federale” Vatra me Diellin si organ te saj.  Dhe (me shume randesi!)”…gazeta te mbahet vetem me te ardhurat e saj, nen kontrollin moral te shoqerise”(f.56)

Një nga delegatet ishte Kristo Kirka. Me 31 mars 1912, u pagezue  Federata Panshqiptare e Amerikes “VATRA”. Ne mbledhjet e 9 dhe 14 prill 1912, u shqyrtue dhe u aprovue edhe Kanunorja e Federates Vatra, Me 28 prill 1912, u mbajt mbledhja perfundimtare, dhe quhet dita e themelimit te Vatres. Perseri, figuron ne dokument emni i Kristo Kirkes, patrioti i “Shqiperise se pare” ne mergim, i cili u zgjodh anetar i Pleqerise se Perkoheshme, dhe Managjer i Dielli-t. Me 12 maj 1912, u formue Dega a Bostonit, dhe Kristo Kirka u zgjodh kryetar.

Me pase një ide te entuziasmit shqiptaro-amerikan per Shqiperine ne ato vite, duhet te kujtojme mitingun e 27 prillit 1913, kur Peticioni i derguem Konferences se Ambasadoreve ne London ne mbrojtje te çeshtjes shqiptare te neperkambun, u nenshkrue nga ma shume se 30.000 veta.

Mbas shpalljes se pavaresise se Shqiperise, 28 nandor 1912, Kristo Kirka vendos te kthehet ne atdhe me bindjen e plote se një bashkepunim ne mes te shtetit te ri dhe Vatres e cila ne ate kohe kishte afer 40.000 anetare-  ishte rruga ma e mire per çeshtjen tone kombetare. Kontributi i Vatres gjate ketyne diteve fatale njihet botenisht. Me 18 maj 1913, edhe Komisioni i Vatres vendosi qe Kristo Kirka te shkoje ne Shqiperi qe te percjelle atje mendimin dhe qendrimin e Vatres, dhe te ndihmonte ne punet e Shtetit te ri shqiptar. Ate dite, ai u vleresue per kontributin e jashtezakonshem se veprimtar i Vatres dhe suksesin e tij me Diellin qe dyfishoi abonimet.

Perseri ne Boston, Kristo Kirka ne Kuvendin e jashtezakonshem te Vatres, 17-18 korrik 1915, u zgjodh si N/Kryetar i Vatres (kryetar Fan S.Noli). Por Noli shkoi ne Europe, dhe Kirka mori detyren e Kryetarit te Vatres. Dielli shkruente:” I vetmi shpetim per ne eshte te perqafojme politiken europiane, dhe jo ate austriake, italiane, angleze, franceze veçmas. Detyra e jone eshte qe te tregojme Europes se ne duam vetem Shqiperine dhe simpatizojme vetem ata qe do te perkrahin vendin tone”. Ne nandor 1915, Kristo Kirka ka qene një nga promotoret kryesor te formimit te Komitetit “Miqt e Shqiperise”.

Me 4 janar 1919, Kuvendi i jashtezakonshem i Vatres luejti një rol te dores se pare per çeshtjen kombetare. Dielli shkruente se asnjë komb  tjeter nuk e ka ndihmue çeshtjen e vet ne kete mase sa ndihmojne punetoret shqiptare te Amerikes. Deri ne mesin e shkurtit 1919, ndihma e Vatres ka kalue 120.000 dollare(f.94)($8million)

Ne mes te ketij aktiviteti te madh, u formue edhe Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike, si peshkopate autoqefale dhe prifti Fan S.Noli u shugurue si peshkop i kesaj Kishe, dhe si peshkopi i pare shqiptar. Ne Washington D.C. Kost Chekrezi e Kristo Dako perfaqesojshin interesat shqiptare, ndersa SHBA emnoi Robert Townsend si N/Konsull te Amerikes ne Korçe. Ky qendrim perkrahes dhe mirenjohes i Amerikes se Wilson-it ka qene rezultat i veprimtaise se Vatres ne SHBA. Ne mes te figurave kryesore qendron edhe ajo e Kristo Kirkes.

Edhe ma vone , ne nandor 1920 kryeministri shqiptar, I.Vrioni, emnoi Imzot Nolin Kryetar  te delegacionit shqiptar prane Lidhjes se Kombeve. Me 17 dhetor 1920, Shqiperia u pranue anetare e kesaje organizate botenore. (Keu duhet te njohim kontributin e britanikut Sir Cecil Roberts sekretar i L se K) Po ne ate kohe, Mit-hat Frasheri vjen ne Amerike dhe ne shoqenimin e Kristo Kirkes hape fushaten per “Huane Kombetare”. Njëkohesisht kerkohet hapja e një dege te një banke amerikane ne Tirane.. Deri ne shtator 1921,  u mbodhen 179.773 dollare,( aferisht $ 11 miljone me vleren e sotme) dhe u derguen ne Tirane.. Me 2 janar 1921, Vatra ngarkon Kristo Kirken me detyren e perfaqesuesit te saj te posaçem ne Shqiperi. Misioni kryesor ishte te formohej Partia Kombetare ne Shqiperi, e frymezueme nga “…iderat dhe parimet e Federates VATRA: te shohe burrat e shtetit shqiptar te bashkuar ne nje program, te forcuar ne nje parti, qe te mund te bejme balle rreziqeve te jashtme ne vitet e para te rilindjes sone kombetare” (f.114)

Kristo Kirka zen vend ne Korçe ku ndjehet shume nevoja e tij. Me 1921, ai harton programin (firmue nga 20 personalitete shqiptare) e një partie…qe u quejt “Partia Popullore” per shkak te prirjeve demokratie te saj” (f.121) Zgjedhjet e 1921-es i fitoi Partia Popullore. Kryetari u zgjodh Fan S.Noli. i sapo kthyem ne Shqiperi, ku u prit si “kryezot”., dhe u shpall qytetar nderi i Korçes..

Kristo Kirka u zgjodh deputet i Korçes. Pozita e re qeveritare i mundesoi atij punen me intensitet qe Fan S.Noli te kunorezohej peshkop i Korçes dhe i gjithe Shqiperise. Fati e deshi qe me 9 nandor 1921. Konferenca e Ambasadoreve njohu zyrtarisht shtetin shqiptar, dhe percaktoj definitivisht kufinjte e Shqipenise. Korça mbeti  ne Shqiperi.. Ne tetor 1922, Kisha Autoqefale Orthodokse  u njoh edhe nga Qeveria shqiptare. Anetar i Keshillit te Larte te Kishes ishte edhe Kristo Kirka.. Me kete cilesi ai autorizohet te shkoje si anetar i delegacionit kishtar prane Patriarkut te Istanbul-it me kerkese per njohjen e Kishes se re. “Ishte nje aksion i guximshem me koken ne torbe!” kujton ai. Patriarku refuzoi! Me 4 dhetor 1923, ne Kishen e Shengjergjit ne Korçe u organizue ceremonia  e fronezimit kanonik te Peshkop Nolit. Tashma ai ishte zyrtarisht Metropoliti Theofan, peshkop i Durresit (f.151) Ashtu si vite ma pare ne Boston, edhe ne Tirane, prezent ne krijimin ishte edhe Kristo Kirka.

Ai nuk u perfshi ne levizjen revolucionare te qershorit 1924, “…nuk ishte per permbysje revolucionare”.(f.153) Ky qendrim e ndihmoi te emnohet ne postin e konsullit te Shqiperise ne New York, qe ai e pranoi te punonte edhe per Vatren. Per arsye te kundershtimit te Traktatir shqiptaro-italian te vitit 1926, ai u denue me vdekje (ne mungese) Por ne SHBA ai u zgjodh anetar i Keshillit te pergjitheshem te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Ne vitin 1930, Kristo Kirka e konsideroi te perfunduem misionin e tij prej atdhetari dhe diplomati ne SHBA,   dhe me 1933,  bashke me familjen u kthye ne Shqiperi.

Ne vtitin 1936, per meritat e tia emnohet n/prefekt i Himares, një zone shume nevralgjike politikisht, dhe ma vone ne Bilisht.. Ne vitin 1938, shteti shqiptar ishte i interesuem me bashkue vatranet e perçare qe kishin humbe peshen e tyne prane qeverise amerikane.. Me kete detyre u ngarkue Kristo Kirka dhe Aqif Permeti”…per te sjelle një bashkim midis shqiptareve te Amerikes rreth Federates VATRA “(f.209)

Mbreti Zog kerkoi qe qendra e Vatres te mbetet gjithehere ne Boston, dhe te perdoren te gjitha fuqite qe qendra e Vatres, ketej e tutje te mbetet ne Boston”(Deklarate e Abdurrahman Matit(f.210)

Kohet e fundit, studjuesi Ilir Konomi, (“Faik Konica”), ka zbulue edhe kete fakt:” Misioni i tyre ishte te bindin Peshkopin (Noli) te kthehej ne Shqiperi per te kryesuar Kishen Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e cila kishte fituar njohjen e Patrikanes se Konstandinopojes”.(f.156)

Kthimi perfundimtar i Kristo Kirkes ne atdhe u ba mbasi perfundoi misionin e tij ne Amerike. Perseri ne Bilisht,, me ardhjen e okupacionit Italian, ai u gjet perballe një levizjeje te elementeve komuniste. Ai u trondit, sepse “…e dinte mire se cili ishte thelbi i komunizmit:terrori!”(f.211)

Ai e kuptoi  zhvillimin e  gjendjes dhe shqetesohej shume. Lufta italo-greke e ashpersoi edhe ma shume situaten. Me hymjen e grekeve ne Korçe ai vendosi te mos largohej, megjithese njihej mire si anti-grek. Një dite, greket e arrestuen, dhe e derguen ne një kamp perqendrimi te quejtun Koqinja, afer Athines, ku gjeti edhe shqiptare te tjere, dhe u mbajt atje deri me 16 maj 1941, mbas kollapsit grek.

Me largimin e trupave greke, Kirka i dermuem, u kthye ne shtepi, dhe perseri ne detyre ne Bilisht. Por kesaj rradhe ai u perball me levizjen komuniste. Ne parim Kristo Kirka ishte anti-komunist i vendosun. Per kete, ai filloi te mbledh “fakte e prova” (influence e drejtesise amerikane) ne lidhje me veprimtarine komuniste, dhe jo te marre masa te pamotivueme. Por mbrenda vetes, ai kishte dyshimet e tia ne se detyra e N/prefektit e komprometonte. Ai tregon:”Ne kohe qe une kam qene ne Bilisht, kur ka qene okupacioni , per ata persona qe ishin ne sherbim te okupatorit, ishte një gabim'”(Dosja gjyqesore e KK) Ne vitin 1942, largohet nga Bilishti dhe emnohet Kryetar Bashkie ne Korçe, me funksione administrative e jo politike.

Por jeta bahej çdo dite e ma e veshtire. Ne fillim, dy forcat e rezistences, PKSH dhe B.K. i shikonte si “…dy anet alternative te luftes per çlirim” (f.225) dhe perpiqej te evitoje konfliktin. Por miqt e tij te ngushte ishin anetaret e Keshillit Qarkor te B.K. per Korçen.

Masakra e Ziçishtit, Devoll, ku u theren pabesisht 6 nacionaliste nga çetat e Dushan Mugoshes e tronditi shume. Si kryetar bashkie u perpoq qe skena te ketilla te mos perseriteshin ne Korçe, dhe qe aksionet kunder gjermaneve te mos baheshin ne qytet ose ne rrethina. “Detyra e çdo qeverisje, ne rradhe te pare, ashte te ruaj jeten e shtetareve te vet” thonte ai (f.230)dhe “Jemi vellezer, s’na ndani dot!!” ishte parulla kryesore. Me një seri fjalimesh dhe deklaratash publike ai u perpoq te zbute atmosferen e acarueme deri ne vellavrasje. Por pa sukses; Shqiperia po rreshqiste drejt shkaterrimit. Bashkepunimin me Levizjen Nac-Çlirimtare nuk e pranoi. Kristo Kirka, patriot i formuar, per te cilin ishte shume e qarte se ç’perfaqesonte levizja komuniste e maskuar si nacional-çlirimtare”(f.237) nuk mund te pranonte. Por, ai nuk u largue as nga Korça as nga Shqiperia!

Fitorja e komunisteve e mbylli Kriston ne shtepi, por u arrestue qe me 25 tetor 1944 dhe u lirue mbas 18 viteve. U vetembylle perseri ne shtepi. Ishte stina e gjyqeve ushtarake ne Korçe, si gjyqe te bujshme. Ne Tirane, ishin vatranet Kole Tromara, Bahri Omari, Aqif Permeti qe u denuen me pushkatim. Rrethi ngushtohej. Ma ne fund , me 12 maj 1946, u arrestue si “…armik i popullit e sabotator i pushtetit popullor…”  Terrori komunist nuk e kurseu ate qe nuk kurseu asgja per Shqiperine!

“Doli nga shtepia dhe nuk u kthye ma” tregon i biri, Niko Kirka. E mbyllen ne biruca plakun 63 vjeçar  dhe e torturuen per te pranue kauza te rrejshme. Me 17 dhjetor 1946, e denoine me 20 vjet burgim. Një nderhyjrje ne favor te tij nga Imzot Fan S.Noli nuk dha asnjë rezultat. Një muej mbas arrestimt te tij, u burgos edhe i biri, Niko Kirka, Bashkeshortja e tij,tani një nane e mjere, pa ndihme me dy foshnje u detyrue te mbijetoje pa burr e pa djale, te dy te burgosun per vite te gjata.

“Patrioti i dy Shqiperive,” Kristo Kirka, vdiq ne burgun e Burrelit me 27 prill 1955,  vetem, i smure, i harruem. Ky ishte shperblimi qe i jepte Shqiperia birit te saj qe i kushtoi jeten lirise dhe pavaresise se atdheut qe deshi pa kufi!

Një tragjedi shqiptare e shumfishte!

Maj 2013


Send this to a friend