Replikë ndaj shkrimit të z. Gani Vila, “Nga Cancuni në Zvërnec e Sazan” botuar në gazetën Dielli.
Shkrimi i Gani Vilës, “Nga Cancuni në Zvërnec e Sazan”, i botuar në gazetën Dielli, përpiqet ta paraqesë projektin e mbështetur nga qeveria e Edi Ramës si një çek të bardhë për Shqipërinë dhe protestat qytetare si kundërshtim ndaj investimeve të huaja, duke i dhënë lexuesit faktin e kryer: projekti duhet pranuar, përndryshe Shqipëria po humbet një shans historik.
Vila përsërit narrativën e qeverisë Rama duke ndërtuar një seri tezash që përputhen drejtpërdrejt me narrativën qeveritare: Investimi paraqitet si një “mundësi historike” që nuk duhet humbur; kundërshtimi ndaj investimeve lidhet në mënyrë të tërthortë me frikën nga zhvillimi; kapitali amerikan paraqitet thuajse automatikisht si garanci ligjshmërie dhe interesi kombëtar dhe projekti lidhet me NATO-n, stabilitetin dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Krahasimi mund të tingëllojë tërheqës, por është i paplotë, manipulativ dhe çorientues. Vila na tregon hotelet, turistët, aeroportet dhe kapitalin e Cancunit, por anashkalon pyetjet vendimtare të Zvërnecit në lidhje me pronarët legjitimë të tokës, kujt i është shitur toka, procedurat, transparencën, mjedisin, ekosistemin, përfitimin dhe interesin publik shqiptar, Pa përgjigje konkrete, fjalët “investim strategjik”, “aleat strategjik” dhe “zhvillim” bëhen slogane për të mbyllur debatin, jo argumente për ta hapur atë.
Një investim privat, nuk bëhet interes kombëtar vetëm sepse investitori është amerikan. Vlerat amerikane nuk janë bindja e verbër ndaj pushtetit. Ato janë mbrojtja e pronës private, sundimi i ligjit, transparenca, konkurrenca e ndershme dhe përgjegjshmëria e institucioneve.
Si një protestues dhe mbështetës i protestave, i kujtoj Z. Vila se askush nuk është kundër investimeve amerikane. Shqiptarët e kanë konsideruar gjithmonë Amerikën aleatin e tyre më të rëndësishëm. Protestuesit nuk janë kundër zhvillimit, Amerikës, turizmit apo investitorëve të huaj.
Ata po kundërshtojnë përdorimin e të emrit të Amerikës si alibi politike për të justifikuar vendime të errëta. Amerika nuk mund të përdoret si mburojë për Edi Ramën. Protestat janë kundër zhvillimit pa ligj, kundër një qeverisjeje të korruptuar, që vepron pa transparencë dhe i trajton pasuritë e Shqipërisë sikur t’i kishte pronë private.
Nga ana tjetër, krahasimi i Vilës fsheh një ndryshim themelor historik dhe juridik; Cancuni nuk u ndërtua mbi një tokë private të kontestuar, Cancuni nuk lindi thjesht nga ardhja spontane e investitorëve të huaj mbi prona private të qytetarëve. Ai ishte një projekt i planifikuar nga shteti federal meksikan. Përmes institucionit që më vonë u bë FONATUR, shteti grumbulloi dhe administroi territorin, hartoi planin urbanistik, ndërtoi infrastrukturën dhe më pas u ofroi investitorëve parcela të përgatitura për zhvillim. Rishikimi zyrtar i politikës turistike të Meksikës e përshkruan rolin e FONATUR-it në blerjen dhe administrimin e tokës, ndërtimin e infrastrukturës dhe shitjen e parcelave investitorëve privatë. Pra, Cancuni u krijua si projekt shtetëror, mbi tokë të mbledhur dhe të administruar nga institucione publike.
Kjo është krejt ndryshe nga një projekt ku qytetarët pretendojnë pronësi private ekzistuese dhe kundërshtojnë të drejtën e qeverisë për ta transferuar apo zhvilluar atë territor. Zvërneci nuk mund të trajtohet si një bregdet pa pronarë, pa banorë, pa histori dhe pa kufizime ligjore.
Prandaj çështja nuk është nëse Shqipëria duhet të zhvillohet, por nëse mund të quhet zhvillim një projekt që nis pa zgjidhur pronësinë, pa transparencë të plotë dhe pa miratimin real të komunitetit.
Për këto arsye, shkrimi i z. Vila nuk është analizë e balancuar, por një mbrojtje e tërthortë e politikës së Edi Ramës.
Apologjetët e pushtetit, nuk mbrojnë zhvillimin; ata mbrojnë çdo vendim të qeverisë, edhe kur mungon transparenca, kur ligji anashkalohet dhe kur qytetarëve u kërkohet të besojnë pa parë asnjë dokument. Kjo nuk është analizë por është propagandë.
Vila na tregon vetëm njërën anë të Cancunit: hotelet, plazhet, turistët dhe vendet e punës.
Gani Vila muk thotë se zhvillimi turistik dhe i pasurive të paluajtshme në Cancun me rritjen e fluksit të mëdh financiar, turizmit, ndërtimimeve, e ndërthurur me rritjen e korrupsionit qeveritar, degradimin e shtetit Meksikan dhe dobësitë institucionale krijuan mundësi për depërtimin e krimit të organizuar.
Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron se në shtetin Quintana Roo, ku ndodhet Cancuni, ekziston rrezik dhune nga kartelet, bandat dhe organizatat kriminale. Ai përmend përplasje mes grupeve rivale, viktima të pafajshme dhe krime në zonat turistike dhe joturistike, duke këshilluar kujdes të shtuar në Cancun, Tulum dhe Playa del Carmen.
Prandaj Cancuni më shumë se një fotografi e bukur për një artikull propagandistik e turistit të mahnitur Gani Vila, është një paralajmërim i fortë se kur turizmi, ndërtimi, politika dhe kapitali i paqartë ndërthuren pa kontroll, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh ekonominë e ligjshme nga paratë kriminale.
Në fakt, Shqipëria dhe Meksika janë dy vende të ndryshme, me rreziqe të ngjashme. Në Meksikë, grupet kriminale ushtrojnë në kontroll territorial, zhvatje dhe dhunë të drejtpërdrejtë. Në Shqipëri, ndikimi shfaqet përmes trafikut ndërkombëtar, parave të pista, ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit dhe lidhjeve me biznesin e politikën.
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë vazhdon të kërkojë hetime financiare më sistematike në çështjet e krimit të organizuar, luftë më të fortë kundër pastrimit të parave dhe sekuestrim të pasurive kriminale.
Kjo e bën edhe më të rrezikshme propagandën e cekët e zotit Vila që mat zhvillimin vetëm me numrin e vinçave, hoteleve dhe resorteve. I kujtoj z. Vila se një ndërtesë e re nuk provon automatikisht zhvillim. Një resort luksoz nuk provon automatikisht interes publik. Një investim i madh nuk provon automatikisht se kapitali është i pastër, prona është e ligjshme dhe procedura është demokratike. Shqipëria nuk duhet të kopjojë vetëm hotelet e Cancunit. Duhet të mësojë edhe nga rreziqet që Cancuni përfaqëson.
Nëse z. Vila kërkon një model amerikan, le të rekomandojë zhvillimin e Zvërnecit sipas modelit të zhvillimit të Miami Beach.
Miami Beach u zhvillua përmes pronarëve dhe investitorëve privatë që zotëronin ose blenë ligjërisht tokën, e ndanë në parcela dhe investuan në infrastrukturë, ndërsa qyteti krijoi institucione, rregulla urbanistike dhe kontroll publik.
Modeli amerikan nuk është: “Qeveria vendos, investitori vjen dhe qytetari duhet të heshtë.” Modeli amerikan është: pronësi e qartë, kontrata të ligjshme, transparencë, leje, planifikim publik, kontroll gjyqësor dhe e drejta e qytetarit për ta kundërshtuar projektin.
Si përfundim, zgjedhja që përpiqet të imponojë propaganda e zotit Vila dhe adjutantëve të Edi Ramës është e rreme. Shqiptarët nuk duhet të zgjedhin mes varfërisë dhe dorëzimit të bregdetit. Nuk duhet të zgjedhin mes izolimit dhe marrëveshjeve të fshehta. Nuk duhet të zgjedhin mes miqësisë me Amerikën dhe mbrojtjes së pronës së tyre. Shqipëria mund të ketë investime serioze dhe njëkohësisht të respektojë ligjin, pronën, natyrën dhe qytetarët.
Një projekt është strategjik vetëm kur është transparent, i ligjshëm, i kontrolluar publikisht dhe në shërbim të qytetarëve. Përndryshe, termi “investim strategjik” mund të bëhet një mbulesë për transferimin e pasurive nga qytetarët te një rreth i vogël pushteti dhe kapitali.
Shqipëria ka nevojë për investime, por nuk është në shitje. Zvërneci dhe Sazani mund dhe duhet të zhvillohet, por pa cenuar pronën, natyrën, interesin publik dhe pa u trajtuar si plaçkë politike.
Linku i shkrimit te z. Vila:
https://www.facebook.com/share/p/1BesaC8sNe/?mibextid=wwXIfr