VOAL

VOAL

Zgjedhjet – Reagon Ambasadori amerikan në Kosovë: Çfarë dite e shkëlqyeshme

October 7, 2019

Komentet

Shqipëria narko-shtet: Filiberto Zaratti kërkon interpelancë me Melonin (Intervista e plotë)

Deputeti italian, Filiberto Zaratti, ishte i ftuari i mbrëmjes i gazetares Armela Ferko në SYRI TV.

Ligjvënësi i Të Gjelbërve në Itali, komentoi kërkesën e të majtës italiane për të pasur një interpelancë me kryeministren Giorgia Meloni në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë e Edi Ramës për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.

‘Kjo nuk është interpelanca e parë që ne paraqesim për këtë çështje. Por në mënyrë të veçantë, kjo interpelancë e fundit ka marrë shkas nga një investigim i bërë nga programi Report që transmetohet në televizionin publik, i cili dha disa lajme shqetësuese për shpenzimet që qeveria italiane duhet të përballojë.

Thuhet në këtë investigim që shpenzimi nga 650 milionë euro që ishte shpenzimi fillestar, ai mund të kalojë 1 miliard euro.

Programi thotë se mund të ketë probleme dhe rreziqe për sa i përket menaxhimit të krimineleve të këtyre fondeve.

Këtu në Itali ekziston një ligji i antimafies që ka një sërë verifikimesh dhe kontrollesh që duhet të bëhen që kompanitë që marrin pjesë në këto tendera të përputhen me kriteret e transparencës.

Investigimi i Report na thotë se ka probleme serioze dhe për këtë arsye duhet një diskutim më i gjerë sepse Italia do e përdorë territorin shqiptar për këto struktura ku do mbahen emigrantët,’ tha deputeti.

Ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, ku interpelancat rrëzohen sipas dëshirave të kryeministrit Edi Rama, interpelanca është pranuar.

Ndërkohë ligjvënësi italian thekson se marrëveshja nuk është as në interes të Shqipërisë dhe as të Italisë.

‘Interpelanca është pranuar, sigurisht sepse futet në kompetencat inspektuese që deptuetët e veçantë mund të kenë në vendin tonë.

Ne kemi besim që në ditët e ardhshme nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ministritë e interesuara të na japin përgjigje.

Ne mendojmë se kjo nismë nuk është as në interesin më të mirë të Italisë dhe as të Shqipërisë,’ tha Deputeti italian, Filiberto Zaratti.

INTERVISTA E PLOTE:

Instituti Ndërkombëtar Republikan: Kosova dhe Shqipëria, vendet më pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor

VOA/Garentina Kraja

Në një anketë të zhvilluar së fundmi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Instituti Ndërkombëtar Republikan, gjeti një përkrahje të gjerë pro-Perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata. Por, sipas drejtorit për Evropën të kësaj organizate këtu në Uashington, në kontrast të madh ndaj këtij orientimi pro-Bashkimit Evropian dhe NATO-s, qëndron Serbia, ndërkohë që përkrahja për kursin pro-evropian është zbutur edhe në vendet si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të dyja shtete anëtare të NATO-s.

Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan.

Në një rajon ku përkrahja për orientimin euro-atlantik po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo sentimentit pro-rus, brenda publikut shqiptar kursi perëndimor vazhdon të konsiderohet si drejtimi i vetëm.

Në Kosovë, 87 për qind e të anketuarve shprehen se shteti i tyre duhet të ndjekë një politikë të jashtme që përputhet me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin, ndërsa në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, ky drejtim mbështetet nga 82 për qind e të anketuarve.

Në fund të listës qëndron Serbia, ku opinion publik është i polarizuar, me vetëm 10 për qind të të anketuarve që janë për një kurs pro-perëndimor dhe një shumice që synon një politikë të balancuar mes BE-së dhe Rusisë.

Anketa është kryer gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy thotë se në të gjashtë shtetet e rajonit, përkrahja për BE-në mbetet e fortë, me disa përjashtime të rëndësishme.

“Serbia dallon nga pesë shtetet e tjera të rajonit, duke qenë më pro-ruse, duke fajësuar Perëndimin për konfliktin në Ukrainë dhe me një mbështetje shumë të ulët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër shohim qëndrime shumë pro perëndimore në mesin e popullsisë shqiptare në rajon, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku ata jetojnë si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Një orientim të ngjashëm shumë pro-perëndimor, ndonëse pak më pak, e gjejmë edhe te muslimanët e Bosnjës, ku Turqia radhitet si vendi më i përkrahur, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dalin të dytat për këtë popullsi,” thotë ai.

Por në rast të një referendumi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në të gjitha shtetet e rajonit vihet re përkrahje nga një shumicë solide, ndërkohë që në vende si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, anëtarësimi mbështetet nga një shumicë dërmuese. Ato dallojnë në besimin që kanë nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë e synon integrimin e tyre.

Drejtori McCarthy thotë se pëkrahja për anëtarësimin në NATO mbetet po ashtu e fuqishme, me përjashtim të Serbisë, dhe përkrahjes më të zbehur se ç‘është pritur për NATO-n në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, si dhe për rolin që NATO-ja ka luajtur për këto vende anëtare. Në Shqipëri, 64 për qind e të anketuarve mendojnë që anëtarësimi në NATO është shumë pozitiv për vendin, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut një vlerësim të tillë e japin 32 për qind të të anketuarve, ndërsa në Malin e Zi vetëm 28 për qind e tyre.

Në Kosovë, e cila kohët e fundit ka përjetuar një acarim të tensioneve me Serbinë, përkrahja për anëtarësimin në NATO është ngritur me 13 për qind që nga viti i kaluar. Në Serbi, përkrahja për anëatërsim në NATO edhe sivjet është vetëm 3 për qind.

“Pritja e gjatë i ka bërë banorët e këtyre vendeve të humbasin durimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Ervopian. Një pjesë e kësaj shpjegohet edhe me faktin që Ukraina dhe shtete të tjera u ftuan, ndërkohë që në të shumtën e rasteve shtetet e Ballkanit Perëndimor ka mbi dy dekada që presin në radhë për t’iu bashkuar BE-së. Sipas analizës time, përkrahja për BE-në po fillon të zbehet në vendet ku ishte shumë, shumë e fortë,” sipas zotit McCarthy.

Në Serbi kjo përkrahje, thotë zoti McCarthy, është tkurrur, por sipas tij, që nga pushtimi rus i Ukrainës, opinion publik në këtë vend është polarizuar edhe më shumë dhe qëndrimet e kundërta pro-perëndimore dhe pro-lindjes, kanë shënuar rritje. Qasja anti-BE në Serbi, sipas zotit McCarthy, po ashtu po nxitet nga qeveria, e cila e ushqen këtë ndjenjë përmes mediave, duke theksuar marrëdhëniet me aktorë të huaj autoritarë siç janë Rusia dhe Kina.

Por kush është aleat e kush armik?

Për Shqipërinë dhe Kosovën, aleati në i rëndësishëm janë Shtetet e Bashkuara, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, aleati më i rëndësishëm është Serbia, sikurse edhe për Malin e Zi. Për Bosnjën, Turqia është tani aleati më i rëndësishëm, ndërsa për Serbinë është Rusia.
Për shumicën dërmuese të të anketuarve në Kosovë, Serbia mbetet kërcënimi kryesor, ndërsa në Shqipëri shumica sheh si kërcënim Serbinë dhe Rusinë. Në Maqedoninë e Veriut, rrezik kryesor shihet Bullgaria, ndërsa në Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Në Bosnjë rrezik përbën Serbia dhe në Serbi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova e Shqipëria.

Kjo pasqyrë e rajonit, sipas zotit McCarthy kërkon një angazhim nga Uashingtoni dhe Brukseli për t’iu ofruar të gjithë vendeve të rajonit anëtarësim me një hap të përshpejtuar.

“Do të ishte gabim, për shembull, të lihet prapa Serbia ndërkohë që të gjithë anëtarësohen. Nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të nevojitet kohë, por nuk mund ta lëmë Serbinë jashtë ndërkohë që lëvizim përpara, ngaqë për stabilitetin e Ballkanit është e nevojshme që Serbia të jetë me Perëndimin, të jetë në BE dhe përfundimisht edhe në NATO, ngaqë në shumë forma është qendra e Ballkanit, vendi më i madh dhe shtetet përreth saj, sidomos ato me pakica serbe brenda tyre, që kurrë nuk do të ndihen të sigurta përderisa Serbia të mos jetë e orientuar me Perëndimin,” thotë ai.

Sipas zotit McCarthy, Rusia po përpiqet të destablizojë Ballkanin për të shpërqëndruar vëmendjen e Perëndimit nga përkrahja për Ukrainën.

Stoltenbergu zhvillon vizitë të paparalajmëruar në Kiev

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për media në Kiev më 29 prill 2024.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një vizitë të paparalajmëruar në Kiev më 29 prill.

Gjatë vizitës, ai tha se armët dhe municionet në Ukrainë do të nisin të arrijnë në shtet, përderisa pranoi se aleatët perëndimorë kanë dështuar të mbajnë premtimet sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin ukrainas, Stoltenberg gjatë vizitës së tretë që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës më 2022, tha se “vonesat serioze në mbështetje kanë shkaktuar pasoja serioze në fushëbetejë.

“Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të pajtoheshin për një paketë të ndihmës dhe aleatët evropianë ishin në gjendje të dërgojnë municione në shkallën që kanë premtuar”, tha ai.

“Ukraina për muaj të tërë ka numër më të vogël të ushtarëve dhe ka pak municione… Më shumë ndihmë do të vijë së shpejti”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar paketën e ndihmës më 24 prill, pasi Senati amerikan e miratoi atë. Legjislacioni ishte bllokuar për muaj të tërë në Dhomën e Përfaqësuesve, por udhëheqësit republikanë të Dhomës u pajtuan që masa përfundimisht të hidhej në votim dhe kaloi më 20 prill, duke ia përcjellë Senatit.

Paketa e re e ndihmës ushtarake për Ukrainën, që SHBA-ja miratoi, është në vlerë prej 61 miliardë dollarësh. REL

Kurti i kërkon Scholzit mbështetje për Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Gjermani, 4 maj 2022.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e shtetit të tij në Këshillin e Evropës.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e mbështetën më 16 prill raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Në bisedën telefonike me Scholzin, kryeministri i Kosovës tha se i ka shprehur atij mirënjohje për mbështetjen “e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën”.

“Nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e Amsamblesë Parlamentare. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

Serbia, shtet i cili e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, kishte propozuar disa amandamente në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë.

Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto amandamente nuk kaluan.REL

Drejtuesi i Report tek RAI3 Sigfrido Ranucci: Do ta transmetojmë – presim akord të intervistojmë Ramën

Voal.ch – Sigfrido Ranucci, drejtuesi i programit televiziv tek Rai3 Report është përgjigjur para disa minutash në rrjetin social Facebook se transmetimi i pjesës së dytë të dokumentarit, që fliste për penetrimin e mafies deri në majat më të larta të pushtetit të Tiranës, do të transmetohet, por është pritur një dakordësi me Edi Ramën i cili dëshiron të intervistohet.

“…Do ta transmetojmë. Jemi duke pritur që të arrijmë një akord për intervistën me Ramën. Përzemërisht” – Sigfrido Ranucci : “… Lo trasmetteremo. Stiamo aspettando di raggiungere accordo per intervista a Rama. Cordialità”

Kjo është përgjigja që drejtuesi i emisionit Report Ranucci i jep një komentuesi të zemëruar, i cili ka shprehur pakënaqësinë pasi RAI3 lajmëroi se do të transmetonte pjesën e dytë, por nuk lajmëroi se kishte anulluar programin dhe, kështu, gjithë shqiptarët përpara ekranit të vogël, që ishin në pritje, mbetën të zhgënjyer.

Ndërkohë, premier Meloni, pa marrë parasysh fare atë që reportonte Report i RAI3, e mori publikisht në mbrojtje Edi Ramën.

 

RAI 3 anulon pjesën e dytë të reportazhit për marrëveshjen e refugjatëve Itali-Shqipëri

Ndryshe nga raportimet gjatë ditës të autorit të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, televizioni shtetëror italian RAI 3 nuk e ka transmetuar mbrëmjen e kësaj të diele pjesën e dytë të investigimit për marrëveshjen e refugjatëve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Emisioni “Report” në RAI 3 prej një jave ka nxitur reagime të forta në politikën shqiptare, por edhe në Itali. Në puntatën e së dielës nuk ka dhënë pjesën e dytë të materialit, reportazh të cilin e pati paralajmëruar pothuajse çdo ditë përmes postimeve në rrjetet sociale.

Më herët gjatë të dielës, kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi gjatë konventës së partisë së saj se homologu i saj shqiptar, Edi Rama, po sulmohej për faktin e vetëm se po ndihmonte kombin italian. Në fjalimin e saj të gjatë, Meloni kërkoi nga mbështetësit që të shprehnin solidaritet me Ramën.

Ndaj deklaratave të Melonit reagoi Sigfrido Ranucci, autori i emisionit “Report”. Ai shkoi edhe më tej duke paralajmëruar publikimin e pjesës së dytë me të tjera investigime.

Ranucci I Pari
Ranucci Njoftimi

Por më pas gjatë emisionit, pjesa e dytë e reportazhit nuk u dha. Madje nuk pati as edhe një shpjegim se pse pjesa e investigimit për Shqipërinë u anulua. bw

Zelenskiy ripërsërit kërkesën për sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i drejtoi sërish një lutje komunitetit ndërkombëtar që të shpejtojë dhe të ofrojë më shumë sisteme të mbrojtje ajrore për vendin e tij. Po kështu zoti Zelenskiy bëri thirrje për nisjen e bisedimeve zyrtare mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, si dhe që NATO ta ftojë vendin e tij për anëtarësim.

Forcat ukrainase përballen me një pozitë të përkeqësuar në lindje vendit dhe po presin dorëzimin e armëve amerikane, pas miratimit më 23 prill të një ndihme nga Kongresi prej 61 miliardë dollarësh, pas disa muajsh vonese. Zoti Zelenskiy ka kërkuar vazhdimisht sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, veçanërisht ato ‘Patriot’.

Zoti Zelenskiy tha se kishte biseduar me udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries si dhe kishte falënderuar Kongresin amerikan për miratimin e paketës së ndihmës. Por ai shtoi se Ukraina po punonte me të gjithë partnerët që dërgesat të vinin me shpejtësi, çka do t’i mundësonte Ukrainës të ruante pozicionet e saj.

Po presim ato vëllime (në armatime) që mund të ndryshojnë situatën në fushën e betejës, në interes të Ukrainës“, tha ai.

Lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, zoti Zelenskiy tha se Ukraina i kishte përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për pranim dhe se “tashmë i takonte BE-së të përmbushë detyrimet e saj”, sikurse tha ai.

Ukraina, e cila ka marrë mbështetje të fortë nga shumica e vendeve evropiane që kur Rusia nisi një sulmin ndaj Kievit dy vite më parë, është një vend kandidat për t’iu bashkuar bllokut prej 27-anëtarësh, por procesi pritet të zgjasë me vite.

Mbi hyrjen në aleancën ushtarake të NATO-s, zoti Zelenskiy tha se çdo vend që ndan vlera të përbashkëta dhe është i gatshëm t’i mbrojë ato “meriton një ftesë për në aleancë”.

Ai shprehu optimizëm lidhur mbi perspektivën për paqe, duke iu referuar një takimi të ardhshëm mbi këtë çështje që do të mbahet në Zvicër në data 15 dhe 16 qershor. Rusia nuk është e ftuar në takim e për këtë shkak ka kritikuar çdo takim të kësaj natyre, duke e cilësuar si të pakuptimtë, pa pjesëmarrjen e Moskës në to.

U përkujtua dita kombëtare e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë rreth 400 shqiptarë në një nga masakrat më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Shumica e trupave të të vrarëve u gjetën në varreza masive ku ishin dërguar nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Në mesin e të vrarërve ishte edhe Blerim Maloku. E bija, Majlinda, në atë kohë ishte vetëm 2 vjeçe.

“Nuk e di as si ta shpjegoj, është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Krejt fazat e jetës t’i kalosh pa njeriun më të afërt të zemrës është shumë e vështirë, është tepër e vështirë”, thotë Majlinda.

Por sot e kësaj dite disa varreza në fshatin Mejë vazhdojnë të mbesin bosh dhe shumë familje ende nuk dinë asgjë për fatin e familjarëve të tyre. Çdo vit, me 27 prill, në këtë fshat mbahet tubim përkujtimor në nderim të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe.

“Ne kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë për të na i gjetur ata që ende na mungojnë sepse ne e dimë rrugëtimin e tyre, por nuk e dimë vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre se ku janë”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve në Kosovë.

Familjarët presin ndriçimin e fatit të të afërmëve dhe vënien në vend të drejtësisë.

“Është lehtësim kur e din që dikush ka marrë përgjegjësi për këto krime që janë kryer, por kanë kaluar 25 vjet dhe ende nuk ka asgjë. Ju bëj thirrje që të zbardhet tërësisht ky rast dhe mos të qëndrojmë çdo herë me zemër të ndrydhur, shumë është vështirë”, thotë Majlinda.

25 vjet pas luftës, vetëm 74 persona janë dënuar nga gjykatat vendëse e ndërkombëtare nën akuzat për krime lufte dhe veprimtarët humanitarë thonë se drejtësia duket ende e largët.

Tubim përkujtimor në Mejë në nderim të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe.

Tubim përkujtimor në Mejë në nderim të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe.

Udhëheqësit e Kosovës shprehën sot, siç thanë, vendosmërinë e palëkundur për mbrojtjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, ndërsa theksuan mosbashkëpunimin nga Serbia si sfidën kryesore në këtë proces.

“Ky vend është edhe thirrja jonë më e fuqishme për drejtësi. Është personifikim i rrugës së vështirë dhe sakrificës nëpër të cilën kemi kaluar si popull, por edhe i përkushtimit të vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën dhe për ta vendosur drejtësinë. Teksa reflektojmë mbi këtë tragjedi të së kaluarës duhet ta sjellim në vëmendje vendosmërinë e palëkundur për drejtësi sepse vetëm kështu paqja është e mundshme”, tha presidentja Osmani.

“Trashëgimtarët e (Slobodan) Millosheviçit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë e sot politikanë e drejtues të shtetit serb, refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të tyre, zotimet e kësaj deklarate mbesin ende të papërmbushura.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth një mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Osmani: Serbia po e shkel marrëveshjen për të zhdukurit duke mos i hapur arkivat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë se po vazhdon ta shkelë një marrëveshje të Brukselit mes dy vendeve për personat e pagjetur, duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27 prill në Prishtinë, Osmani tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që…të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave – Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha Osmani.

Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Një vit pas, asgjë prej këtyre në praktikë, të gjitha vetëm në letër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se Deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023, “nuk po zbatohet ende”.

Stano theksoi se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shtoi se BE-ja kërkon nga palët që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. REL

40 studiues shqiptarë dhe të huaj kërkojnë nga qeveria shqiptare mbrojtjen e Deltës së Vjosës

VOA/Raimond Kola

Rreth 40 studiues shqiptarë dhe të huaj të natyrës kërkuan nga qeveria shqiptare që të përfshijë Deltën e Lumit Vjosa në Parkun Kombëtar të Vjosës dhe të ndalë vizionin për projekte të turizmit masiv.

Në një deklaratë, pas një jave shkencore në Deltën e Vjosës të studiuesve nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Greqia dhe Italia, e cila u shpërnda nga organizatat mjedisore “Euro Natur”, “Riverwatch” dhe “EcoAlbania” thuhet se Delta e Vjosës, përballet me shumë kërcënime prej vizionit të qeverisë shqiptare për turizëm masiv.

“Së fundmi, vijon deklarata, qeveria planifikon ndertimin e nje resorti luksoz me Jared Kushner, dhëndrrin e Donald Trump, në zonën e Zvërnecit, brenda deltës së Vjosës.. Sipas masterplanit të qeverisë për zonën, kjo është vetëm maja e ajsbergut të planeve shkatërruese për këtë ekosistem delikat. Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gjithashtu brenda Deltës, është tashmë në ndërtim” thuhet në deklaratë.

Organizatat mjedisore përfshijnë në deklaratën e shpërndarë citime të disa prej studiuesve që morën pjesë në Deltën e lumit Vjosa në mbledhjen e të dhënave të disiplinave të ndryshme, që nga studimi i peshqve, gjitarëve, shpendëve, bimësisë, insekteve dhe deri te monitorimi i cilësisë së ujit dhe mikroplastikës.

“Gjetjet tona në vetëm 5 ditë kërkimi janë më të vërtetë të jashtëzakonshme dhe qëndrojnë si një testament i biodiversitetit të pasur të deltës. Ndaj ne po draftojmë një raport gjithëpërfshirës të të dhënave tona dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë rëndësinë ekologjike të kësaj zone delikate dhe ta përfshijë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në përputhje me standardet e IUCN”, pohoi profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Tiranës, Aleko Miho .

Ndërsa Fritz Shiemer nga Universiteti i Vienës deklaroi se: “Në mes të joshjes së turizmit luksoz, ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pakrahasueshme ekologjike të deltës së Vjosës, një thesar unik në të gjithë Europën. Le t’i japim prioritet ruajtjes mbi zhvillimin.”

Një studim i ri tregon siaps organizatave mjedisore që Delta e Vjosës është një nga deltat e pakta të paprekura në Mesdhe. Nga 258 deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve të vlerësuara në rajon, vetëm 4% e tyre, siaps studimit, janë në gjendje të mirë.

Studimi thotë se Delta e Vjosës dhe deltat fqinjë të lumenjve Shkumbin dhe Seman në Shqipëri përbëjnë deltat e fundit të mëdha dhe dinamike, të cilat bartin vlerë të pakrahasueshme për të gjithë detin Mesdhe dhe Europën.

Java e Shkencore e Deltës së Vjosës pason ekspedita të ngjashme në pellgun e Vjosës në vitin 2017 dhe dhe 2021, të cilat luajtën sipas organizatave mjedsiore një rol kryesor në nxjerrjen në pah të vlerave ekologjike të Vjosës, duke shmangur projektet hidroenergjetike dhe përfundimisht duke hapur rrugën për mbrojtjen e Vjosës si Parku Kombëtar i Lumit të Egër.

Stradner: BIA dhe Agjencia e Inteligjencës serbe të Mbrojtjes janë të lidhura ngushtë me Rusinë, së fundmi edhe me Kinën

Ekspertja Amerikane e sigurisë Ivana Stradner ka thënë se Serbia do të vazhdojë të prodhojë diktatorë edhe pas presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas saj, siguria në Ballkan do të jetë diskutabile nëse nuk veprohet urgjentisht në shuarjen e dy agjencive që nxitin destabilizim.

“Nuk ka siguri në Ballkan pa çmontuar agjencinë e inteligjencës së Serbisë së bashku me Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Lidhjet e tyre me Rusinë (dhe së fundmi me Kinën) po dëmtojnë sigurinë në rajon… dhe shumë shpejt në Evropë”, ka shkruar Stradner në X.

Nëse nuk ndërmerren këta hapa, sipas saj pas Millosheviqit është Vuçiqi dhe pas Vuçiqit do të ketë një tjetër diktator “Kjo do vazhdojë derisa të shpërbëni rrjetin”, ka shtuar ajo.

Sipas Stradner, gjëja e parë që një qeveri e re në Serbi duhet të bëjë një ditë është të çmontojë plotësisht aparatin e mbrapshtë të sigurisë dhe të krijojë një të ri. sn

Kurti paralajmëron nga Berlini zgjidhje për çështjen e Asociacionit

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në eventin e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD – partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz – në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës.

Në fjalimin e tij, Kurti bëri thirrje që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës këtë vit. Ai përmendi edhe zotimet e Kosovës që të plotësojë kërkesat që i janë bërë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

“Që kjo të ndodhë duhet të ndodhin dy gjëra”, tha Kurti, raporton Gazeta Express.

Njëra prej tyre është Asociacioni për komunitetin serb dhe tjetra lejimi i bashkimit civil mes gjinive të njëjta – që nuk ka gjetur përkrahje në Kuvendin e Kosovës deri tani.

Ai tha se për këtë personalisht do ta krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.

“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”.

Kurti tha se kjo do të bëhet edhe për shkak që e kërkon që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut derisa kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës është në proces.

“Ne e bëjmë këtë sepse është një e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Europës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, tha Kurti.

Ai foli edhe për minoritetet në Kosovë, duke thënë se do t’i zgjidhë “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb si prioritet.

“Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”.


Send this to a friend