VOAL

VOAL

Zgjedhjet lokale në Kosovë; më shumë se gjysma e komunave shkojnë në balotazh

October 18, 2021

Komentet

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në panelin e diskutimit “Zhvillimi ekonomik për serbët e Kosovës”

 

 

Prishtinë, 21 shkurt 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në panelin e diskutimit “Zhvillimi ekonomik për serbët e Kosovës”, organizuar në Media Center Cagllavica. Në panel, ishte pjesëmarrës dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe akterë nga shoqëria civile nga komuniteti serb në Kosovë.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se “nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit”.

Ai shtoi se angazhimi i Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik edhe për komunitetin serb shkon përmes 5 hapave si: mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, rritja e formalizimit të ekonomisë, fuqizimi i kërkesës agregate, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore, dhe rritja e efikasitetit duke e luftuar korrupsionin e kontrabandën e krijuar hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin.

Ndërsa një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat e tjera të Kosovës, shtrihet në tre rrafshe: bashkëpunimi ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, bashkëpunimi i ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.

Rikujtoi dhe se javën e kaluar ministri Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70 për qind të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve.

Mbi rregulloren e BQK-së, ai tha se “Rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave”. Ai shtoi se Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.

“Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh”, përfundoi ai.

 

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Faleminderit shumë për mundësinë që sot bashkë ne ministrin Rashiq dhe me kolegët e miqtë e nderuar të shoqërisë civile të diskutojmë bashkë për mundësitë për zhvillim ekonomik. Për mua është edhe një avantazh për arsye se kjo temë përputhet dhe me idetë që unë kam nisur nga background-i im, që mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit. Dhe unë mendoj që kontributi më i mirë që mund të bëjmë në këtë drejtim është që edhe çështjen e integrimit të komuniteteve jo shumicë ta trajtojmë me të njëjtat kritere siç është edhe kriteri për avancimin ekonomik të të gjithë popullatës së Kosovës. Ajo që ne bëjmë në gjithë pjesën e Kosovës, mendoj që duhet të jetë prioritet edhe kur bëhet fjalë për angazhimin e Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik në komunat me popullatë shumicë të komunitetit serb. Kisha dashur që shkurtimisht në hyrje me i përmend mekanizmat përmes të cilëve ne veprojmë.

Hapi i parë është mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, qoftë ndërmarrjet organizuese shoqëri aksionare, qoftë ndërmarrjet e krijuara nga vetëpunësimi i ndërmarrësve të vegjël. Ne këtë e bëjmë përmes programeve të mbështetjeve me grante dhe subvencione në mënyrë direkte, apo qoftë në mënyrë indirekte, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës, që këto subjekte e mundësojnë.

Ne kemi parë javën e kaluar vizitën e ministrit Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, në veri të Kosovës, ku kanë prezantuar platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70 për qind të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve. Feedback-u që ne kemi marrë, është që kjo masë është pritur jashtëzakonisht mirë në veri dhe është shumë me rëndësi të potencojmë që kalkulimet e tanishme të ministrisë janë, që potenciali për të gjeneruar vende të reja të punës është diku 2000, por në qoftë se ne e shohim që ka gatishmëri dhe interesim të ndërmarrësve për të krijuar më shumë vende të punës, kjo masë lirisht mund të zgjerohet edhe për 2000 vende tjera dhe çka është shumë me rëndësi, është që, një masë e tillë mundet lirisht të zgjerohet edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës.

Një mbështetje tjetër [hapi i dytë], që ne i bëjmë fuqizimit të bizneseve në këto komuna, është edhe përmes rritjes së formalizimit të ekonomisë dhe mendoj që në këtë kontekst duhet parë edhe idenë e masës së prezantuar nga ministri Rashiq, meqë teknikisht për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, çdo vend i punës që lajmërohet, qoftë vend i ri ose formalizim i vendeve ekzistuese, do të trajtohet njësoj, pra kriteri për vlerësim do të jetë njësoj, por formalizimi nënkupton që edhe transaksionet, të cilat performohen nga pjesëmarrësit në këtë gjiro ekonomike, duhet të regjistrohen të gjitha, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurohet edhe barazia e konkurrencës. Andaj, në këtë dritë duhet interpretuar edhe rregullorja e Bankës Qendrore, për të cilën do të flas pak më vonë.

Elementi tjetër [i tretë], përmes së cilit ne mbështesim fuqizimin e sektorit të ekonomisë nëpër komuna, është edhe përmes fuqizimit të kërkesës agregate. Të gjitha programet e qeverisë gjatë vitit 2022 dhe 2023 kanë synuar një rishpërndarje të të ardhurës kombëtare e cila ka shkuar nga buxheti drejt atyre kategorive të shoqërisë të cilat kanë një tendencë më të madhe për të konsumuar prodhime vendore. Do të thotë në qoftë se ne ndajmë mjete buxhetore për pensionistët apo për fëmijët, probabiliteti që këta do ta shfrytëzojnë këtë fuqi blerëse shtesë për të blerë prodhimet lokale është më i madh dhe në këtë mënyrë pastaj, në mënyrë indirekte fuqizohet ekonomia vendore.

Edhe shtylla e katërt që për mua është shumë e rëndësishme, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore të cilat mbështeten përmes tri kanaleve, dy prej të cilave janë në kontroll të Qeverisë së Kosovës. Kanali i parë është buxheti i alokuar për komunat të cilat e kanë qartazi kategorinë e investimeve kapitale, qoftë ato të karakterit lokal qoftë të karakterit ndër regjional dhe synimi i këtyre investimeve është që krahas përmirësimit të jetës së qytetarëve ta rrisim edhe konkurrueshmërinë e bizneseve.

Përshembull në qoftëse ne e përmirësojmë infrastrukturën rrugore në Zubin Potok kjo e shpejton periudhën e dërgimit të mallrave apo produkteve që fermerët e Zubin Potokut i prodhojnë drejt tregjeve në pjesët e tjera të Kosovës dhe me këtë e rrit edhe shansin që ata të mund të gjenerojnë të hyra shtesë. Kanali i dytë përmes së cilave mbështetet infrastruktura kryesisht vlen vetëm për katër komunat në veri të Kosovës, është fondi i mirëbesimit, në të cilin derdhen mjetet buxhetore që ne i grumbullojmë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe përdoren për investime sipas kërkesës së lidershipit komunal të drejtuar në një panel ku pastaj votimi bëhet nga përfaqësues i BE-së në Kosovë, ministri i Financave dhe përfaqësuesi i katër komunave në veri të Kosovës.

Edhe shtylla e pestë që është më rëndësi është fuqizimi indirekt i ekonomisë përmes rritjes së efikasitetit, kjo bëhet duke e luftuar korrupsionin, kontrabandën e të tjera, që krijon hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin. Përveç kësaj ne jemi në një fazë të projektimit dhe ideimit të projekteve më të mëdha infrastrukturore p.sh. të gjitha të dhënat tregojnë se komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut ka potencial mbi proporcional për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme por kjo kërkon fonde pastaj më të mëdha dhe në bashkëpunim edhe me BE-në.

Por ne për momentin jemi duke testuar edhe mundësitë e qeverisë, por edhe gatishmërinë e bizneseve të huaja dhe serioze që të hyjnë në këtë treg dhe të krijojnë hapësirë për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Po them matjet tregojnë se ka potencial të madh. Po ashtu kemi dizajnuar dhe punojmë në ndërtimin e kapaciteteve tona absorbuese, një projekt shumë më të madh të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian i cili mund të jetë qoftë pjesë e Planit të Rritjes, qoftë edhe e IPA-ve vjetore, ose mund të jetë pjesë e konferencës së donatorëve që pritet të organizohet në momentin kur ka një zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike mes Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar.

Një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat tjera të Kosovës, edhe atë në tri rrafshe. Bashkëpunimin ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, le të themi një kompani e ujësjellësit në Shtërpcë që do të bashkëpunonte me një kompani të ujësjellësit apo të grumbullimit të mbeturinave në Ferizaj.

Pastaj, pjesa tjetër do të ishte shtylla e bashkëpunimit të ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe shtylla e tretë, intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.

Tek vendimi apo rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që rregullorja nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave dhe kjo siguri ka qenë e atakuar nga tri elemente.

Elementi i parë ka qenë nga një proporcion tejet i madh i shfrytëzimit të monedhës së 500 eurove në qarkullim, e dihet që monedha të tilla në një ekonomi relativisht të vogël si Kosova, zakonisht përdoren kur kemi të bëjmë me transaksione jashtë ekonomisë formale, dhe përvojat e muajit të kaluar tregojnë që kjo brengë e Bankës Qendrore ka qenë shumë legjitime meqë për shumë pak javë Banka Qendrore ka nxjerrë nga qarkullimi 165 mijë monedha nga 500 euro që është në total diku 83 milionë euro. Mund ta paramendoni për një ekonomi si të Kosovës, sa do të thotë kjo për sigurinë e transaksioneve në ekonominë formale.

Pjesa e dytë ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve nga qarkullimi i monedhave fallco dhe ju jeni dëshmitarë se në kohët e fundit kemi një atakim i cili nuk vjen nga Kosova, por hyrja e monedhave fallco vjen nga vendet fqinje të Kosovës, por kjo krijon pastaj telashe për të gjithë përdoruesit e monedhës euro.

Dhe e treta ka të bëjë me importin dhe eksportin e monedhave në tërësi, jo vetëm të euros, por të gjitha monedhave, përfshirë edhe dollarin amerikan, lekun e Shqipërisë, dinarin e Serbisë, do të thotë të gjitha monedhave në Kosovë, për të cilët duhet të vendoset ligjshmëri. Kjo është edhe kërkesë e procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit SEPA nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk mund të anëtarësohesh këtu pa arritur të konsolidosh sistemin e pagesave brenda territorit të Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.

Edhe njëherë faleminderit shumë për mundësinë. Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh.

Po përfundoj me konkluzione edhe njëherë që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të ecin vetëm me atë ritëm me të cilin ecin edhe pjesëtarët e minoriteteve, andaj e shohim edhe obligim të shumicës në Kosovë që të punojë më shumë drejtë integrimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit me pjesëtarët e minoriteteve tjera në Kosovë.

Faleminderit shumë edhe njëherë.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimi për studime albanologjike ndërmjet MAShTI-t dhe Universitetit të Prishtinës 

Prishtinë, 21 shkurt 2024
Në datën e 21 shkurtit e cila shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nën praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Universitetit të Prishtinës, për zhvillimin dhe promovimin e Albanologjisë, me theks të veçantë në programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe.
Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij në ceremoni bëri të ditur se qëllimi i këtij memorandumi është përkrahja financiare e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat që botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Veçanërisht, Ministria do të përkrahë stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe”, shtoi tutje ai.
Ndër të tjera, do të ofrohet mbështetje vjetore për tri projektet shkencore të realizuara nga stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë në kuadër të studimeve albanologjike. Përkrahje të tillë ky memorandum i ofron edhe dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendim kritik, argumentim dhe drejtshkrim.
Me këtë rast kryeministri Kurti uroi që zbatimi i këtij Memorandum Bashkëpunimi të sjell përfitime për stafin akademik e studentët, dhe njëkohësisht të prodhoj rezultate origjinale e të vyera për studimet albanologjike.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit ishte Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Qerim Qerimi, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prorektorë të UP-së, Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë dhe staf akademikë e studentë të Universitet të Prishtinës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Qerim Qerimi,
E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari Zëvendësministër, Taulant Kelemendi, 
Të nderuar Prorektorë, profesor Faton Berisha, profesore Njomza Llullaku, profesore Pranvera Breznica Selmani, profesore Arta Basha Jakupi, profesor Sefer Avdiaj,
E nderuar profesore Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë,
Të dashur studentë dhe profesorë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Më vjen shumë mirë që sot, më 21 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, jemi bërë bashkë për këtë Memorandum të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në njërën anë dhe Universitetit të Prishtinës në anën tjetër, për mbështetjen e qëndrueshme, por njëkohësisht edhe për promovimin e zhvillimin e Albanologjisë, veçanërisht të programeve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe.
Rrugës për në rektorat, njeriut i duhej të kaloj kah Fakulteti i Arteve. Aty janë Departamenti i Arteve Dramatike dhe Muzikore, edhe aty nuk ke se si të mos e shohësh një pllakë ku në mesin e emrave të rrugëve është edhe emri Johan von Hahn. Pra rruga që të nxjerrë për te Fakulteti i Arteve, e mban emrin e njëjtë me atë që njihet si “Babai i Albanologjisë”, juristit dhe diplomatit gjerman Johan Georg von Hahn. E në kohën kur studiuesi Johan von Hahn kishte arritur në Prishtinë, më 30 tetor të vitit 1858, për atë dhe për llojin e njerëzve sikurse ai që e studionin gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve, përgjithësisht përdorej termi “albanist”.
Vetëm pasi Johan von Hahni filloi ta botonte veprën e tij kapitale në katër vëllime, “Studime Shqiptare” (“Albanesische Studien”), nisi të konsolidohej termi “Albanologji” dhe “Albanolog”. Tash unë nuk e di nëse profesorët dhe studiuesit e kanë sqaruar plotësisht se kur duhet të përdoret termi “Albanologji” dhe kur “Studime Shqiptare”. Por, besoj që kjo mund të jetë pikërisht njëra ndër temat që e meriton një studim apo punim shkencor prej stafit akademik. Aq më tepër që fundja, edhe historia e Albanologjisë, gjithashtu është Albanologji!
Gjuha shqipe është edhe më e gjerë edhe më e thellë se sa secili prej neve bashkëkohanikëve që e flasim atë, por do të thosha edhe më e gjerë e më e thellë se sa të gjithë ne bashkë. Gjuha nuk është thjeshtë vetëm mjet komunikimi apo dije bisedore, është shumë më shumë se kaq, prandaj edhe më së shumti mbase duhet ta mësojnë e studiojnë gjuhën shqipe pikërisht ata që pretendojnë se e dinë. Dhe në këtë mënyrë ti kontribuojmë vetes mbase edhe më shumë se sa gjuhës.
Nëpërmjet  këtij memorandumi që do të nënshkruhet sot do të përkrahet financiarisht stafi akademik i Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat të cilat botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.
Veçanërisht, Ministria do të përkrah stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe. Gjithashtu, do t’u ipet mbështetje vjetore tri projekteve shkencore që realizohen nga stafi akademik i Fakultetit Filologjik, dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendimin kritik, argumentimin dhe drejtshkrimin.
Të nderuar të pranishëm,
Shekullin e kaluar e patëm filluar, siç e përmendi edhe Rektori i Universitetit, me Kongresin e  Alfabetit në Manastir, ndërkaq në gjysmën e dytë të shekullit XX ishte një 50 vjeçar ku i  kishim jetën dhe veprën e le të themi Eqrem Çabejt dhe Idriz Ajetit. Në shekullin XXI ne duhet të ngritemi edhe më lartë, të ecim shpejt përpara, kurrsesi të mos ngelemi prapa apo të biem poshtë.
Andaj, uroj shumë që gjatë pesë viteve të ardhshme sa e ka kohëzgjatjen ky memorandum, nga stafi akademik dhe studentët që përfitojnë prej tij, të prodhohen sa më shumë rezultate të reja  dhe të vyera për studimet albanologjike.
Ju faleminderit dhe ju qoftë puna e mbarë të gjithëve.
(Zyra e Kryeministrit)

Konjufca: Kritikat e SHBA-së janë gjithmonë me vend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk janë në nivel shqetësues dhe për panik, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se vendimi për ndalimin e dinarit serb kanë ndikuar në cilësinë e raporteve mes shteteve.

“I mirëkuptojmë plotësisht vërejtjet e kritikat që na japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto janë gjithmonë kritika me vend, sepse SHBA-ja e sheh Kosovën nga një nivel shumë më të lartë sesa që e shohim ne gjendjen”, tha Konjufca gjatë një prononcimi për media më 21 shkurt.

Ai tha se SHBA-ja e sheh Kosovën nga aspektin rajonal, evropian dhe nga konteksti i përgjithshëm global.

“Qysh e shohim ne, është e drejta e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetin e vetë. Kjo është perspektivë më e ulët, më ngushtë, por është perspektivë e të drejtës së Kosovës që të kryejë punët e veta”, tha Konjufca.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

SHBA-ja ka thënë se kjo rregullore, që përjashton përdorimin e dinarit serb nga kryerja e pagesave, nuk është bërë me konsultim paraprak dhe nuk ka marrë për bazë ndikimet që mund të ketë te popullata serbe.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.

Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq autoritetet në Kosovë kanë thënë se vendimi do të zbatohet përmes një periudhe tranzitore lehtësuese, jo më të gjatë se tre muaj.

“Vërejtjet e tyre nuk kanë lidhje me legalitetin e veprimeve tona. Ata na japin të drejtë, por duhet më shumë përgatitje kanë thanë. Pse duhen më shumë përgatitje? Sepse kjo mund t’i acarojë serbët dhe dikush mund ta shfrytëzojë situatën dhe ta keqpërdorë këtë gjendje, të bëjë ndonjë protestë. Kur ka protesta ka tensione, kur ka tensione mund të rrezikohet siguria. Kjo është perspektiva e SHBA-së, a e jona është që duhet të bëhen këto veprime”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës shtoi se është e mundur që për vendime të tilla, informacionet të ndahen me partnerët paraprakisht, “dhe mendoj që Qeveria këtë tashmë është duke e bërë”.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.rel

Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës

Prishtinë, 20 shkurt 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

 

U theksua rëndësia e dokumentimit në shërbim të memories kolektive si dhe të drejtësisë për shtypjen politike dhe dhunën e përdorur mbi aktivistët politikë shqiptarë dhe intelektualët e angazhuar për të drejta politike, për vetëvendosje, për çlirim dhe për Republikën e Kosovës.

 

U bisedua për mundësitë e dokumentimit për të dëshmuar të vërtetën mbi torturat fizike dhe trysnitë psikike nga regjimi kriminal i Serbisë mbi mijëra të burgosur shqiptarë. Duke veҫuar masakrën mbi të burgosurit politikë në burgun e Dubravës, u tha se ndonëse të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryesit ende nuk janë nxjerrur para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve.

 

Në takimin e përbashkët me kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku dhe përfaqësuesit Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Xhemajl Pllana dhe Xhevat Bislimi, u bisedua për format e mundshme të mbështetjes për ShBPK-së dhe fuqizimin e saj.- Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, prezantohet dhe diskutohet plani vjetor 2024

 

 

Prishtinë, 20 shkurt 2024

 

Sot u mbajt takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, në hapjen e të cilit mori pjesë kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Getoar Mjeku, si dhe akterë të tjerë përfaqësues nga institucione publike e private, vendore e ndërkombëtare.

 

Gjatë këtij takimi kryeministri Kurti theksoi përkushtimin për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave, përmes së cilës edhe është arritur zhvillimi i një plani vjetor ambicioz për vitin 2024 mbështetur nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO-ja zvicerane dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë.

 

“Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’ (B2B)”, u shpreh ai duke rikujtuar datën 3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK; 24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe 20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.

 

Në këtë takim ku u ndanë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike  dhe zhvillimit  të qëndrueshëm, kryeministri përmendi synimin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, përkushtimin për një mjedis biznesi lehtësues e inkurajues dhe prioritizimin për reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, që ndikon në minimizimin e barrës administrative dhe sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë.

 

Në anën tjetër, esenciale kryeministri e quajti promovimin e sektorëve, që janë të duhur për Kosovën si, bujqësia dhe sektorët e ushqimit, shërbimet BPO (Business Process Outsourcing) të mundësuara nga teknologjia e informacionit, sektorët e prodhimit të lehtë, prodhimi i energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme dhe gjithashtu fokus i dha dëshirës që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese.

 

“Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti, duke falënderuar sektorin privat për kontributet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

 

Për planin vjetor foli Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili ndër të tjera tha se qasja e Qeverisë ndaj bashkëpunimit me sektorin privat ka qenë dhe është e bazuar në tri shtylla kryesore, vlera, sisteme dhe rezultate. Në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ai tha se është definuar qartë një kalendar për tërë vitin si dhe për vitet e ardhshme të dialogimit publiko-privat.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuara, znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë edhe Tregtisë,

I nderuari, z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,

I nderuari, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe

Zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjeku,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të pavarura shtetërore,

I nderuari, z. Artan Mehmeti, shef i sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime,

I nderuari, z. Sergyi Maslichenko, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

I  nderuari, ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot,

Të nderuar përfaqësues të sektorit privat,

Të nderuar përfaqësues të odave dhe asociacioneve sektoriale dhe bilaterale në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të Agjencive zhvillimore,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 

Është nder dhe kënaqësi që të hap këtë ngjarje, ku do të ndajmë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike  dhe zhvillimit  të qëndrueshëm. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i motivuar nga pozicioni unik që zë vendi ynë dhe mundësitë për të ndërtuar një ekonomi progresive, të hapur, gjithëpërfshirëse dhe stabile. Ne synojmë të tërheqim investimet e huaja direkte që sjellin vlerë të lartë dhe punësim cilësor për qytetarët tanë. Në këtë drejtim, Qeveria jonë ka ndërtuar një bazë të mirë për përmirësime të mëtejshme. Vetëm gjatë tri viteve të fundit, investimet e huaja direkte janë dyfishuar, po ashtu edhe eksportet,  ndërkaq raporti ndërmjet eksporteve dhe importeve është rritur nga gati 1 me 9 sa ka qenë, në edhe më mirë se 1 me 6.

 

Vazhdimi në këtë rrugëtim të suksesshëm, kërkon angazhim të palëkundur. I tillë është përkushtimi ynë për një mjedis biznesi i cili jo vetëm lehtëson dhe inkurajon operimin e ndërmarrjeve brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu fton inovacionin dhe konkurrencën. Kemi vendosur si prioritet të lartë reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, për të minimizuar barrën administrative dhe për të siguruar një mjedis të barabartë për të gjithë. Kjo përfshin nxitje fiskale për sektorë kyçë dhe investime në infrastrukturë dhe arsim, për të përgatitur fuqinë punëtore të Kosovës për sfidat e ardhshme.

 

Qeveria jonë ka vënë në fokus ndërlidhjen e tregut të punës me arsimin dhe aftësimin profesional.

 

Promovimi i sektorëve që janë të duhur për Kosovën është esencial për të maksimizuar potencialin tonë ekonomik. Bujqësia dhe sektorët e ushqimit në Kosovë përbëjnë një themel të ekonomisë së eksportit, duke llogaritur 17% të eksporteve totale dhe karakterizohen nga disa avantazhe konkurruese si për shembull, kostot konkurruese të punës, klima kontinentale e përshtatshme dhe industria e gjallë e verës. Ndërkohë, Kosova po shfrytëzon bumin global të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke u pozicionuar si një destinacion kryesor për shërbimet BPO (Business Process Outsourcing), të mundësuara nga teknologjia e informacionit, me një sektor të teknologjisë që ka treguar rritje të konsiderueshme që nga viti 2015. Sektorët e prodhimit të lehtë kanë arritur të krijojnë një prani të konsiderueshme, me pajisjet elektrike, metalin, plastikën dhe prodhimin e drurit, që drejtojnë më shumë se 43% të eksporteve në 2023, duke theksuar pozicionin e fortë të vendit në këto industri. Kosova gjithashtu është duke iu drejtuar energjisë së ripërtëritshme, me qëllime ambicioze për të transformuar peizazhin e saj energjetik, përderisa gjithashtu  vazhdojmë të ndërtojmë mbi trashëgiminë tonë të pasur minerare.

 

Para pak javësh kemi përmbyllur ankandin e parë për 100 megavatë në Rahovec, me ç ‘rast gjashtë korporata serioze ndërkombëtare ndodhen në garë për prodhim të energjisë nga burime të ripërtëritshme, në këtë rast diellin. Ndërkaq edhe 150 megavatë të tjerë do t’i kemi në llote nga 75 megavatë gjatë këtij viti, me shpresë gjatë mesit të vitit 2024, me ç ‘rast nuk do të jenë të specifikuara për nga vendi meqenëse bashkë me korporatat të cilat do të fitojnë ne do të arrijmë që ta bëjmë këtë përcaktim. Pra synimi ynë është që me Strategjinë 2022-2031 t’i shtojmë 1200 megavat prodhim të energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme që është shumë ambicioze por njëkohësisht edhe e realizueshme.

 

Gjithashtu ne dëshirojmë që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese. Nuk është e rastësishme që në Kosovë kemi raste kur bizneset e caktuara importojnë lëndën e parë ta zëmë nga një vend siç është Austria, dhe prodhimin final e dërgojnë në një vend fqinj të Austrisë siç është Zvicra. Kostot operuese në Kosovë janë të ulëta, edhe sa i përket fuqisë punëtore që paguhet edhe sa i përket qiramarrjes e cila është përgjithësisht e lirë.

 

Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave. Pra, edhe mundësitë edhe sfidat të shohim se sa mund t’i përcaktojmë së bashku dhe kjo është mënyra se qysh ne mendojmë se ecim përpara: edhe konkurrencë edhe inovacion edhe bashkëpunim. Jo konkurrencë pa bashkëpunim, por natyrisht edhe jo bashkëpunim pa konkurrencë.

 

Përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, asociacionet e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe në koordinimin me Shefin tim të Stafit, Luan Dalipin, kemi arritur të zhvillojmë një plan vjetor ambicioz për vitin 2024. Ky plan është  mbështetur edhe nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO zvicerane, për çka i falënderojmë, dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë, të cilët gjithashtu i falënderojmë.

 

Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’. Periudhat për t’u mbajtur mend e shpresoj që të gjithë ju do t’i vendosni në kalendarin e aktivitetve dhe planeve që bëni për vitin në të cilin ndodhemi, janë:

 

▪ 3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK;

▪ 24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe

▪ 20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.

 

Gjatë nëntorit të kaluar, nën organizimin e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, janë mbajtur takime me përfaqësues të odave dhe kompanive më konkurruese të dhjetë sektorëve, prej të cilave kanë rezultuar rreth 130 kërkesa nga sektori privat.

 

Dialogu i bazuar në vlera midis sektorit publik dhe atij privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

 

Pra, ne jemi një Qeveri që nuk i sheh vlerat e ndara nga interesi, ne i shohim ato bashkë. Është e mundshme t’i kemi bashkë,  ne e dimë që nuk janë e njëjta gjë. Vlerat dhe interesi nuk janë e njëjta gjë. Mirëpo nuk duam as vlera por pa interes, ku nuk ka përfitim, ndonjë farë lloj vetëmjaftueshmërie e vlerave por pa dobi materiale nuk është preferencë e jona. Por edhe nuk ka nevojitet një interes brutal i cili shpërfill çfarëdo vlerash. Ne besojmë që është e mundur t’i kemi të dyja këto dhe kjo duhet të jetë princip pune në dialogun tonë publiko-privat.

 

Ky dialog ndërmjet sektorit publik dhe privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

 

Ne e kuptojmë që  një partneritet i fortë midis qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të krijuar një ekonomi dinamike dhe inovative. Përmes këtij dialogu, ne synojmë të kemi një kuptim të përbashkët të mundësive dhe sfidave, duke u angazhuar për zgjidhje të qëndrueshme nga të cilat përfitojnë të gjithë akterët e përfshirë. Kjo do të thotë të dëgjojmë me vëmendje, njëri tjetrin sidomos ne juve, të jemi transparentë në vendimmarrje dhe të veprojmë me integritet.

 

Ndërsa përparojmë, Kosova mbetet e vendosur që të luajë një rol të rëndësishëm në skenën ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare. Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit.

 

Ju faleminderit për kontributin e deritanishëm dhe ju dëshiroj punë të mbarë në këtë diskutim gjithsesi të nevojshëm.

Kurti: Me SHBA-në s’pajtohemi për gjithçka, por raportet janë të mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.

Kurti tha se Qeveria e tij duhet ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, sepse me Kushtetutë dhe ligj e ka për detyrë.

SHBA-ja është shprehur e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit – valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia që nga paslufta, më 1999.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

Ngjashëm insistoi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se vendimi për dinarin i ka prekur tashmë raportet mes dy vendeve.

Kurti, megjithatë, këmbënguli se “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.

Teksa foli për gazetarët gjatë vënies së gurthemelit të një fabrike për prodhimin e dyerve dhe dritareve në Verbicë të Gjilanit, Kurti u pyet edhe nëse është ftuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai tha se do të shkonte në takim nëse do të ftohej për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, tha Kurti.

Marrëveshja në fjalë është arritur gojarisht vitin e kaluar dhe, mes tjerash, kërkon nga Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nga Serbia ta njohë de facto Kosovën.

Sipas Kurtit, është Vuçiq ai që refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen, ndërsa vetë Vuçiq thotë se, fillimisht, duhet zbatuar ajo që është nënshkruar.

Për Asociacionin, dy vendet janë pajtuar nga viti 2013, por autoritetet e Kosovës kanë refuzuar ta themelojnë nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.rel

Osmani. apel qeverisë: Ka ende hapësira për të diskutuar për dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është rikthyer edhe njëherë ngërçit mes qeverisë dhe aleatëve për çështjen e dinarit.

Sipas kryetares së shtetit, problemet me ndërkombëtarët në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për “dëbimin” e dinarit nisi për mënyrën se si ai u komunikua.

Osmani insiston se ka ende hapësira mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë zgjidhje.

“Gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje. Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja.sn

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës pranoi dosjet e para për krimet e luftës

 

Në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), u bë pranimi i dokumenteve të para në IKKL. Dëshmitë lidhur me krimet e zhdukjes me dhunë gjatë luftës nga Serbia u dorëzuan nga Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon që të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe paqësore, në të njëjtën kohë shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm.

 

“Themelimi dhe funksionalizimi i këtij Instituti ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës tashmë të shumë viteve për drejtësi”, tha kryeministri Kurti.

 

“Qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive”, tha Kryeministri Kurti.

 

Ai ftoi të gjithë që të bashkohen në nismën për mbledhjen e materialeve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës, të cilat do të arkivohen tek Instituti dhe do t’i shërbejnë këtij instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Këtë thirrje Kryeministri ua drejtoi dokumentuesve, hulumtuesve, shoqërisë civile, ekspertëve të jashtëm, gazetarëve e në përgjithësi të gjithë qytetarëve të vendit.

 

Kryeministri Kurti, falënderoi Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia.

 

Instituti është pikë grumbullimi e dëshmive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe qendër ku të gjithë mund të japin kontributin e tyre për të vërtetën historike, drejtësinë dhe paqen, tha Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

 

Ndërsa kryetari i KKAFZHK u shpreh i lumtur me funksionalizimin e IKKL-së dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Zonja dhe zotërinj,

 

Jemi në hapësirën e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me Drejtorin Ekzekutiv, Atdhe Hetemi, dhe me Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, për ceremoninë e pranim dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.

E falënderoj z. Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia.

Ky vit shënon 26-vjetorin e një ndër kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë: krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Por, në anën tjetër, po këtë vit, edhe festojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë sonë, të arritur me mund e sakrifica, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fuqisë së rezistencës së popullit tonë.

Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë.

Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.

Krahas institucioneve shtetërore, nga sot, dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm, mediat, gazetarët e të gjithë qytetarët kanë Institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë Institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, e kështu që sot ju ftoj që të gjithëve të bashkoheni në këtë nismë shumë të rëndësishme.

 

Qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh.

 

Përgëzoj drejtorin Atdhe Hetemi, përgëzoj kryetarin Ahmet Grajçevci dhe gëzuar e urime festa e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti.

(Zyra e Kryeministrit)

Kryeministri Kurti takoi përfaqësues të kompanive gjermane, i fton për investime në Kosovë

 
 
Mynih, 16 shkurt 2024
Qëndrimin në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Shefi i Stafit, Luan Dalipi dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e filloi me një mëngjes pune me përfaqësues të bizneseve gjermane, të organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Jashtëm mbi Marrëdhëniet Ekonomike (Foreign Councils on Economic Relations).
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri Kurti nënvizoi indikatorët ekonomikë të vendit dhe progresin e Kosovës si një shtet zhvillimor, progresist e demokratik. Ai renditi përparësitë demografike dhe gjeografike, politikat e favorshme fiskale, të rinjtë profesionistë, reformën dhe përmirësimi në sundimin e ligjit dhe stabilitetin institucional, si arsye se pse e bëjnë Kosovën ambient të favorshëm për investime të huaja.
I njoftoi për planet dhe potencialin e investimeve në vendin tonë në shumë fusha. Ndër to, u theksua sektori i energjisë, përkatësisht energjisë së ripërtëritshme, ku së fundmi u përmbyll me sukses procesi i ofertimit për ankandin e parë solar 100 MW dhe së shpejti pritet të hapet thirrja për ankandin tjetër, të erës, me kapacitet 150 MW.
Gjithashtu, kryeministri foli edhe për fillimin e zbatimit të arsimit dual në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna me qëllim të ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës, si dhe për Fondin Sovran, i cili do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare.
Në këtë kontekst, ai i ftoi kompanitë gjermane që ta vizitojnë Kosovën dhe të konsiderojnë mundësitë që ofron ajo për investime.- Zyra e Kryeministrit

Në Mynih, Kryeministri Kurti takoi Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan

 

 

Mynih, 16 shkurt 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, zhvilluan sot takimin e parë bilateral mes tyre.

 

Në fillim të bisedës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës. Ai tha se Republika e Kosovës i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO.

 

Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë.

 

Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit.- Zyra e Kryeministrit

QUINT-i mbështet grupin e serbëve të kritikuar nga Bislimi

Pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shprehu një sërë kritikash ndaj takimit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me një grup të komunitetit serb nga shoqëria civile, mediat dhe zyra e Avokatit të Popullit – ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë thonë se ata “përfaqësues të serbëve të Kosovës janë partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.

Ky grup i serbëve, duke përfshirë zëvendësin e Avokatit të Popullit në Kosovë, Sërgjan Sentiq, Jovana Radosavljeviq dhe Miodrag Miliçeviq nga organizatat joqeveritare Iniciativa e Re Sociale dhe Aktiv, drejtorin e RTV-së lokale, Kim Isak Vorguçiq dhe Dragisha Mijaciqin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, u takuan me Lajçakun më 13 shkurt në Bruksel.

“Gjithmonë ndihmon kur dëgjohen zëra nga terreni”, ka shkruar Lajçak në një postim në rrjetin social X pas atij takimi.

Kësaj, zëvendëskryeministri i Kosovës u përgjigj duke njoftuar se në takimin me Lajçakun ishte një “delegacion i përbërë kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në sektorin ekonomik dhe në jetën sociale të Kosovës”.

Këto takime të serbëve me diplomatët ndërkombëtarë ndodhën në kohën kur Kosova është nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të shtyrë vendimin për shfuqizimin e dinarit serb. Vendet perëndimore besojnë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili parasheh euron si valutë të vetme për transaksionet e parave të gatshme dhe pagesave, mund të ketë ndikim negativ në komunitetin serb.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi i BQK-së nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë t’i ndihmojë serbët në Kosovë, por ato duhet të paguhen në euro.

Në të njëjtën kohë, që nga fundi i janarit, janë mbyllur shtatë komuna paralele serbe që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme. Po ashtu, janë mbyllur edhe zyrat e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në qendër të Prishtinës me arsyetimin se aty janë ofruar “shërbime të paligjshme mjekësore”.

Me këtë rast, më 8 shkurt, sektori civil serb ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndalojë veprimet që pengojnë punën e institucioneve serbe në Kosovë dhe të gjendet një zgjidhje përmes formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, disa organizata joqeveritare nga komuniteti shqiptar reaguan ndaj kritikave të Bislimit me mesazhin se ato janë “të pabaza dhe të dëmshme”.

“Kërkojmë respekt të sinqertë dhe të pakushtëzuar të parimeve themelore demokratike të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga disa organizata joqeveritare dhe individë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar për deklaratat e Bislimit dhe ka vlerësuar se organizatat joqeveritare që kanë hasur në kritikat e tij, “punojnë pa u lodhur në integrimin brenda Kosovës”.

Po ashtu, organizata joqeveritare Aktiv bëri të ditur se kritikat e zëvendëskryeministrit të Kosovës janë “sulm ndaj shoqërisë së lirë për të cilën ne qëndrojmë”.

Iniciativa e Re Sociale sqaroi gjithashtu se Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian përbëhet edhe nga një rrjet i organizatave të shoqërisë civile që është i pavarur në punën e tij, dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë organi shtetëror, organizate bilaterale apo ndërkombëtare.

“Ne nuk e shohim dialogun si një rivalitet midis dy palëve armiqësore, por si një proces që duhet të mundësojë paqe të qëndrueshme, një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo etnike, si dhe prosperitet për të gjithë rajonin”, tha kjo nismë.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë më shumë se dhjetë vjet që zhvillojnë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por shpesh palët i interpretojnë ndryshe marrëveshjet e arritura dhe akuzojnë palën tjetër për shkeljen e tyre.

Vitin e kaluar Kosova dhe Serbia e kanë pranuar marrëveshjen e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin për zbatimin e saj. Megjithëse nuk është nënshkruar, BE-ja ka thënë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.rel

Përurohet Rezonanca Magnetike në Spitalin Regjional të Prizrenit

 

 

Prizren, 14 shkurt 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrija Emilija Rexhepi dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë në përurimin e Rezonancës Magnetike (MRI) në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Atje u prit nga drejtorja e Spitalit, Dr. Narqiza Arenliu dhe stafi i spitalit.
Pas Spitalit Rajonal të Pejës dhe në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, Spitali Rajonal i Prizrenit bëhet institucioni i tretë shëndetësor që pajiset me aparaturë të Rezonancës Magnetike brenda një periudhe njëvjeçare.
Projekti i përuruar sot kap vlerën 908,653 euro. Investime si kjo, për qëllim kanë rritjen e shërbimeve cilësore dhe decentralizimin e shërbimeve. Si rezultat, nga ky shërbim i tij përveç qytetarëve të rajonit të Prizrenit, që përfshinë banorët e Komunës së Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Mamushës e Dragashit, do të përfitojnë edhe qytetarët e Gjakovës e madje edhe shtetas të Shqipërisë nga Qarkut i Kukësit.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj personelit shëndetësor, teksa i falënderoi për angazhimin, punën, kontributin e palodhshëm për shëndetësinë. Në veçanti falënderoi radiologen, Dr. Arta Zhuri Dula, e cila do të përkujdeset që gjithçka të shkojë mbarë e mirë me këtë pajisje të re dhe praktikisht të mos kemi më lista të pritjes, që ka qenë në të kaluarën një prej ankesave kryesore të qytetarëve.
Me rastin e përurimit në Prizren, të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha dhe Drejtori i ShSKUK-së, Dr. Elvir Azizi.
Deklarimi  i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në Prizren, për të bërë një përurim tejet të rëndësishëm për shëndetësinë në vendin tonë.
Përveç se po angazhohemi për rritjen e shërbimeve cilësore, në të njejtën kohë ne angazhohemi edhe për decentralizimin e kësaj cilësie, ashtu që të mos jenë investime të përqendruara vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, por edhe gjithandej komunave të Kosovës, ku është popullsia e Republikës tonë.
Më herët rezonancën magnetike e kemi përuruar në Spitalin Rajonal të Pejës, gjithashtu edhe në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, në QKUK atje e sot, këtë e bëmë këtu në Prizren, një spital rajonal, i cili mbulon një popullsi prej rreth 400 mijë banorëve.
Rezonanca magnetike që u përurua sot,  ka kushtuar afër 909 mijë euro, prej të cilave 785 mijë euro është vetë pajisja, 1.5 Tesladhe trajtimi zgjat prej 15 deri në 18 minuta.
Ndërkaq, pjesa tjetër, pra nga 124 mijë euro  përafërsisht ka qenë rregullimi i infrastrukturës përcjellëse, përfshirë këtu Kafazin e Faradeit, i cili ndodhet në muret e kësaj rezonance magnetike, që do të shërbejë përveç Komunës së Prizrenit, edhe qytetarët e Komunës së Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Mamushës, Dragashit, por, siç e dini ju edhe të Gjakovës, e qe besa edhe të Qarkut të Kukësit.
Andaj, urime e përgëzime të gjithë qytetarëve dhe personelit këtu shëndetësor, të cilët i falënderoj për angazhimin, punën që po bëjnë, kontributin e palodhshëm për shëndetësinë kosovare, e njëkohësisht tash nuk do ta kemi vetëm mjekun e infermierin pranë, por aty do të jetë edhe diagnostikimi i hershëm, i cili e bënë shërimin më të shpejtë dhe parandalon fatalitetin.
Me mua është zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, drejtorja e Spitalit, doktoresha Narqiza Arenliu, është zëvendësministri Arsim Berisha, por është edhe shefi i ShSKUK-së, doktori Elvir Azizi. Dhe, në veçanti e falënderoj radiologen, doktoreshën Arta Zhuri Dula, e cila do të përkujdeset që gjithçka të shkojë mbarë e mirë me këtë pajisje të re dhe praktikisht të mos kemi më lista të pritjes, që ka qenë në të kaluarën një prej ankesave kryesore të qytetarëve.
Ju faleminderit!

Send this to a friend