Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shprehur i hapur për një takim të mundshëm më Vladimir Putin, por me kufizime për vendndodhjen.
Në një intervistë për mediat italiane, ai theksoi se nëse Presidenti rus është i gatshëm për ta takuar, ka shumë vende, përveç Moskës apo Kievit.
“Jam gati të takohem me Putinin. Sigurisht jo në Moskë apo Kiev. Por nëse ai është gati të më takojë, ka shumë vende për ta bërë këtë. Mund të gjejmë një në Lindjen e Mesme, Evropë, Shtetet e Bashkuara, kudo“, deklaroi ai në një intervistë me Gr1 Rai.
Presidenti ukrainas përsëriti se nuk ka vend për negociata mbi transferimin e Donbasit.
“Nuk mund të diskutojmë thjesht transferimin e Donbasit”, shpjegoi ai, duke theksuar rreziqet ushtarake dhe strategjike të një vendimi të tillë.
Sipas Zelensky-t, një tërheqje e mundshme do të inkurajonte ofensiva të reja ruse.
“Nëse ua lëmë Donbasin rusëve, ata do të pushtojnë zonat tona më të mbrojtura pa asnjë humbje. Ndërtimi i linjave të reja mbrojtëse mund të zgjasë një vit, një vit e gjysmë. Ata mund të sulmojnë Kharkivin dhe qytete të tjera që kontribuojnë ndjeshëm në PBB-në tonë.”
Udhëheqësi ukrainas paralajmëroi gjithashtu për pasojat sociale.
“Dhe do të ketë një përçarje në shoqëri. Dhe çdo ndarje është objektivi kryesor i Putinit dhe shkatërrimi i pavarësisë sonë.”
Zelensky më pas këmbënguli në nevojën për garanci konkrete për të ardhmen.
“Çfarë garancish sigurie kemi nëse Rusia vendos të përparojë përsëri? Ndoshta nuk do ta bëjë këtë menjëherë, ose ndoshta do të sulmojë përsëri pas dy ose tre vjetësh. Ne gjithashtu duam që garancitë e sigurisë të përfshijnë një prani evropiane dhe amerikane.”, shtoi ai.
Në frontin e brendshëm, presidenti ukrainas përjashtoi çdo zgjedhje të menjëhershme.
“Mbajtja e tyre tani është kundër ligjit tonë. Së dyti, ne duhet të ofrojmë siguri për njerëzit, për ushtarët që duhet të votojnë. Si mund ta bëjmë këtë nën sulm?“, tha Zelensky.
Ai gjithashtu iu drejtua të kaluarës, duke pranuar gabimet e bëra.
“Gabime me siguri u bënë, të gjithë bëjnë gabime. Do të na duhej të ktheheshim në vitet 1990, pastaj në fillim të viteve 2000, por Putini do të kishte gjetur ende një pretekst për të pushtuar Ukrainën.”
Së fundmi, disa fjalë për marrëdhënien e tij me Presidentin amerikan Donald Trump.
“Kush ka një marrëdhënie më të mirë me Trumpin sesa unë? Mendoj se kemi një marrëdhënie të mirë sepse jam një nga të paktët njerëz që i them atij se çfarë mendon. Nuk ka shumë njerëz që mund t’i thonë Presidentit të Shteteve të Bashkuara se nuk ka gjithmonë të drejtë. Ne kemi nevojë për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, dhe jo vetëm ushtarakisht. Ata gjithashtu kanë nevojë për ne dhe për përvojën që kemi fituar gjatë këtyre viteve të luftës.”, u shpreh Zelensky. gsh