Shumë prej të mbijetuarve të Masakrës së Studimes, forcat sërbe-jugosllave i dërguan në hangarët e kooperativës bujqësore të Vushtrrisë. Të nesërmen në mëngjes, gratë dhe fëmijët i nisën për në Shqipëri, kurse nja 4,500 burra i futën në burgun e Smrekonicës, nëpër dhoma të mbingarkuara e të papastra, ku i torturonin derisa e humbnin vetëdijen. Sipas një të burgosuri të intervistuar nga Amnesty International:
«Të burgosunit i detyrojshin me knu kangë popullore sërbisht. I shtishin m’u rrokë vlla me vlla edhe baballarët me i rrehë djemtë e vet, veç sa m’u argëtu ata për veti».
© Reuters
Shqiptarët e liruar nga kampi në Smrekonicë të Vushtrrisë e kalojnë kufirin me Shqipërinë.
STUDIME
Në fund të marsit dhe fillim të prillit 1999 forcat sërbe urdhëruan shqiptarët e qytezës së Vushtrrisë dhe të fshatrave përreth që t’i braktisnin shtëpitë, pastaj një pjesë të tyre e nisën drejt Shqipërisë, ndërsa të tjerët i lejuan të qëndronin në zonën rreth Vushtrisë deri më 2 maj 1999. Shumë nga të zhvendosurit përfunduan në fshatrat Bajgorë, Vesekoc, Kurillovë e Sllakovc në verilindje të Vushtrrisë.
Në fund të prillit 1999 forcat sërbe-jugosllave i detyruan të strehuarit në këto zona të largoheshin. Një numër të madh të banorëve që po largoheshin drejt Vushtrrisë, forcat sërbe i grumbulluan në Studime të Ulët dhe Studime të Epërme, bashkë me banorët e këtyre dy fshatrave. Një burrë, që ishte gati në ballë të kolonës, në dëshminë dhënë OSBE-së tregon se asaj i prinin udhëheqësit politikë shqiptarë të zonës duke mbajtë një flamur të bardhë.
Megjithëkëtë, ushtarë jugosllavë, të mbështetur nga policë e paramilitarë, me uniforma të gjelbërta e të kaltërta, disa me mjekra e disa me maska, e ndaluan kolonën prej qindra automjetesh e mija të zhvendosurish, i nxorën burrat nga traktorët, i detyruan t’i vinin duart mbrapa kokës e të uleshin në rrugë, i fyen, i rrahën, ua morën paratë dhe arin. Sipas dëshmitarëve të intervistuar nga HRW, ata që nuk kishin pará i vrisnin, e ata që kishin e ua jepnin, i lironin, ndonëse kishte plot raste që edhe ua merrnin paratë edhe i vrisnin.
Një pjesëtar i forcave sërbe e ekzekutoi një 37-vjeçar pasi ia shtyu tutje me pushkë djalin katërvjeçar. Një i plagosur në krah rrëfeu se pas dy ditëve një mjek në mal u detyrua t’ia amputonte krahun me sharrë. Një tjetër dëshmitar tregoi se forcat sërbe ia vranë djalin që ishte martuar atë mëngjes. I njëjti rrëfeu edhe se i ka ndier pjesëtarët e forcave sërbe duke komunikuar në radio-lidhje që t’i vazhdonin vrasjet derisa të mbërrihej numri 100. Shumica e trupave të vrarë ishin të gjymtuar: pa krahë, pa këmbë, pa kokë.
Dëshmitarët e intervistuar më vonë nga Amnesty International, pohuan se atë mbrëmje, forcat sërbe vranë dhjetra burra duke kaluar nëpër kolonën e traktorëve. Një i mbijetuar i kësaj masakre i tha HRW-së:
«Mbasi më rrehën, i pashë tre ushtarë a policë, tue i ngrehë zhag dy çika, dikund midis 17 e 20 vjeçe. I ngrehën qashtu nja njizet a tridhetë metra, e nuk pashë ma çka u ba me to. Po kur u kthyen mbas nja pesëmbëdhetë a njizet minutash, e pashë që këmishat i kishin të shkyeme për midisi».
Fadil Beqiri, aktivist i të drejtave të njeriut gjatë viteve ‘90 në Vushtrri, dëshmitar i masakrës në Studime, në intervistën e dhënë për autorin norvegjez, Josef Martinsen, thotë se forcat policore, ushtarake e paraushtarake sërbe e jugosllave i kishin rrethuar të dëbuarit në formën e patkoit dhe u kishin lënë vetëm një dalje për në Vushtrri:
«Forcat sërbe arritën në Studime të Epërme në grupe. Grupi i parë plaçkiti gjithçka që gjeti, grupi i dytë hodhi granata mbi njerëzit nga largësia, grupi i tretë vrau dhe ekzekutoi njerëz. Ata dogjën tërë fshatrat e Shalës së Bajgorës. Ata e ndoqën karvanin e njerëzve, pritën deri sa të bëhej terr e pastaj filluan ekzekutimin e njerëzve… Viktimat mbetën aty, në mes të Studimes së Epërme dhe të Poshtme».
Besim Gërxhaliu, të cilit forcat sërbe ia kishin vra 11 anëtarë të familjes, ia doli të ikte sapo pushuan të shtënat e të fshihej në male. Në një prononcim fill pas luftës për Chicago Tribune, ai thotë:
«Nisën me gjuejtë hala sa ishin njerëzit në traktora… Nji vëllaut tem, që i grahke traktorit, i thanë me zhdrypë edhe mandej e vranë. Krejt m’i kanë vra 11 anëtarë të familjes. Do njerëzve iu merrshin pare për mos me i vra. Krejt bashkë, më duket i kanë plaçkitë rreth 18,000 marka ($10,000). Nisën me i marrë thminë prej traktorave, e kah i ulshin, unë u lëshova teposhtë edhe iu ika. U nisa tue nga kah kodrat, e prej aty e shihsha katundin qysh po kallet. Gjysën e shpijave, në të paktën dhetë katunde, i kanë kallë».
Shumë prej të mbijetuarve të Masakrës së Studimes, forcat sërbe-jugosllave i dërguan në hangarët e kooperativës bujqësore të Vushtrrisë. Të nesërmen në mëngjes, gratë dhe fëmijët i nisën për në Shqipëri, kurse nja 4,500 burra i futën në burgun e Smrekonicës, nëpër dhoma të mbingarkuara e të papastra, ku i torturonin derisa e humbnin vetëdijen. Sipas një të burgosuri të intervistuar nga Amnesty International, «Të burgosunit i detyrojshin me knu kangë popullore sërbisht. I shtishin m’u rrokë vlla me vlla edhe baballarët me i rrehë djemtë e vet, veç sa m’u argëtu ata për veti».
Në aktakuzën e TPNJ-së kundër Presidentit të RFJ-së, Slobodan Milošević dhe të tjerëve thuhet se rreth datës 2 maj 1999 ose në atë datë, forcat sërbe-jugosllave sulmuan disa fshatra të Vushtrrisë, duke dëbuar fshatarët nga shtëpitë dhe duke ua djegë ato. Më pas fshatarët i detyruan të udhëtonin në konvoj për në fshatin Studime në drejtim të Vushtrrisë, ku forcat sërbe-jugosllave ndaluan, ngacmuan, rrahën, si dhe vranë afërsisht 104 shqiptarë.
Të nesërmen, të mbijetuarit, së bashku me pjesëtarë të UÇK-së që fshiheshin maleve duke mbijetuar nga racione të varfëra me bukë e patate, i varrosën trupat e të vrarëve në një varrezë masive në Studime. Fill pas luftës, ekspertët e TPNJ-së i zhvarrosën dhe i ekzaminuan.
Romeu Ventura, hetues i TPNJ-së, lidhur me vrasjet e civilëve më 2 maj 1999 në Studime, për gazetën ‘Independent’ deklaroi:
«Vrasjet filluan dikur mes orës 8 e 9 të natës, sapo u errësua… Shumica nga të vrarët janë meshkuj. Të gjithë ishin të qëlluar nga afërsia… Shumë të mbijetuar të masakrës dhanë hollësi prej dëshmitarësh okularë të kasaphanës… I kanë njohur shumicën e vrasësve sepse këta njerëz kanë jetuar bashkë me vite të tëra. Ky ishte nga ato rastet kur fqinji i sulet fqinjit… I kemi emrat e ushtarëve dhe të shefave të policisë sepse shumë prej të mbijetuarve i njihnin».
Sipas të dhënave të Fondit për t ë Drejt ën Humanitare, më 2 maj 1999 në Studime të Vushtrrisë forcat sërbe-jugosllave kanë vra 108 persona: 98 meshkuj e 10 femra, të gjithë shqiptarë. Prej tyre, 5 ishin të mitur, me më të voglën Antigona Idrizin, dyvjeçare, e 12 ishin të moshës mbi 65-vjeçare, me më të vjetrën, Kada Hasanin, 92-vjeçare.
Prej 108 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 8 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.
Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.
Në shkurt 2009 dhe në janar 2014, Tribunali i Hagës, për vrasjet mes të tjerash edhe në Studime, si krim kundër njerëzimit dhe si shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, i dënoi këta persona: Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i RFJ-së (1996-2000) me 22 vjet burg; Nebojša Pavković, komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-1999) me 22 vjet burg; si dhe Sreten Lukić, komandant i policisë sërbe në Kosovë (1998-1999) me 20 vjet burg.
Më 23 shkurt 2011, TPNJ gjeti se Vlastimir Đorđević, shef i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Sërbisë, ishte fajtor për pesë pika, e katërta prej të cilave e ngarkonte për kryerjen e krimit të vrasjes, si krim kundër njerëzimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dhe për ndihmesën dhe nxitjen në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, mes të tjerash edhe në Studime, (por vetëm për këto katër viktima: Haki Gërxhaliu, Miran Xhafa, Veli Xhafa dhe Hysni Bunjaku), prandaj e dënoi me 27 vjet burg. Më 27 janar 2014 Dhoma e Apelit e TPNJ-së ia uli dënimin në 18 vjet.
Më 20 prill 2017, prokurori i EULEX-it Paul Flynn ngriti aktakuzë kundër të pandehurit Zoran Vukotić, me arsyetimin se më 2 dhe 3 maj 1999 ka marrë pjesë në sulmin mbi popullatën civile shqiptare në Studime, me ç’rast janë privuar nga jeta shumë persona. Por, më 25 maj 2018, i pandehuri është liruar nga kjo pikë e akuzës, në mungesë të provave të mjaftueshme që do ta vërtetonin pjesëmarrjen e tij në sulm.
© Reuters
Shqiptarët e liruar nga kampi në Smrekonicë të Vushtrrisë e kalojnë kufirin me Shqipërinë.

Ethnic Albanian men aledgedly released by Serbs from a camp in Smrkovina between the towns of Vucitrn and Mitrovica in Kosovo arrive in the northern Albanian village of Morina May 22. About 800 men crossed the broder.
NSO/ME





Komentet