Fragment nga libri
…Nazima Ypi, (daja i sportistit të mirënjohur Asllan Rusi) dhe Ali Demir Alizoti në fillim të shtatorit 1925, ngritën në Korçë fabrikën e parë të tekstileve në Shqipëri. Makineritë u sollën nga Gjermania. Njerëzit ishin gjithë kureshtje, ndiqnin instalimin e pajisjeve dhe pyesnin vazhdimisht sa do të ishte fitimi. Deri atë ditë gjithë llojet e thurrjeve prej leshi, pambuku, mëndfashi, qepjet, qëndisjet etj., ishin bërë me dorë, kurse tani modelet do të merreshin nga vendet e njohura për prodhime tekstili. Gjithçka do të prodhohej shumë më shpejt dhe më lirë nga sa ishin shitur deri atëherë. Do të prodhoheshin edhe mallra të shtrenjta sipas kërkesave dhe dëshirave të porositësve.
Blerja e makinerive iu besua Nazima Ypit, sepse ishte specializuar në Gjermani për tekstile të trikotuara. Për blerjen e pajisjeve, Nazima Ypi dhe Ali Alizoti shitën pronat që kishin në Veria dhe në Kozan të Greqisë; me trikotazhin fitimi do të ishte më i mirë. Sollën nga Greqia teknologet më të njohura të kohës: madam Gjylatër, zonjën Dikrani, zonjushat Agavni, Siranush (bija të madam Gjylaterit, modeliste) dhe të tjera. Zonjat në fjalë ishin me origjinë nga krahina e prodhimit të sixhadeve të Armenisë. Fillimisht pajisjet ishin manuale dhe më pas elektrike. Ndërtesa e fabrikës ndodhej para shtëpisë së Memeda Shtyllës dhe më vonë në ndërtesën e Sabri Qytezës.
Sipas Dezdemona (Ypi) Habibi, pasardhëse e fisit Ypi, familja e Ali Demir Alizotit, e Sabri Qytezës dhe e Nazima Ypit kishin miqësi me njëra-tjetrën; ishin familjet të mëdha me kontribut të spikatur në zhvillimin e Shqipërisë. E shoqja e Ali Alizotit quhej Hysnie Ypi, ishte bija e Alo Beut të Starjes, xhaxhai i babait tim,- shpjegon znj. Dedemona,- kurse Sabri Qyteza ishte avokat, i diplomuar në Stamboll, noter i parë i Korçës, këshilltar ligjor në Qeverinë e Vlorës, kishte grua Safije Ypin, motrën e babait tim, bijën e Yzeir Beut. Familja Ypi kishte miqësi edhe me frashërllinjtë. Asllan Rusi ishe biri i Naimé Rusit (Ypi), e cila ishte bijë e Shahin Kolonjës (Ypi) dhe e Nevrezit, bijës së Naim Frasherit. Gjithashtu, sipas Dezdemona (Ypit) Habibi, Naimesë i vdiqën të dy djemtë, kurse diktatura e la në harresë të plotë; vdiq e varfër dhe shumë e dëshpëruar në shtëpinë e një bamirësi. Atëherë kam qenë e vogël dhe nuk e di si e quanin bamirësin, por di qe edhe ai vdiq po kaq i varfër. Familjet e mëdha vuajtën shumë prej injorancës, (veçanërisht të atyre që e quanin veten perëndimorë) dhe diktaturës”.
Ishin këto familje që kontribuan edhe për ngritjen e trikotazhit, një nga industritë më të lavdërueshme të Korçës. Prodhimet e para të trikotazhit ishin dy sixhade: një halli me përmasa 5m x 3.5m, me fushë të blertë, anash me lule, në pjesën qendrore mbreti Zog mbi një kalë të bardhë (sipas një pikture të artistit Spiro Xega), e cila u vendos në pallatin mbreteror, ishte një sixhade mjaft e goditur artistikisht dhe profesionalisht, ndërsa sixhaden e dytë, Ali Alizoti ia shiti Ambasadës Jugosllave në vitin 1948. (Sixhadja që u përgatit për pallatin mbretëror, nuk ekziston më, pasi u grabit me hyrjen e Italisë fashiste në Shqipëri). Sixhade me kontura të mëdha si ato dy që përmendëm më sipër, nuk u prodhuan më.
Trikotazhi e vijoj punën me linja të tjera prodhimi. Në këtë kohë sipërmarrja u vendos prapa hotel “Palas”, në rrugën “Naim Frashëri”, nr. 21. Vajzat dhe gratë u thirrën të punon në trikotazh. Për to do të kishte edhe specializime, madam Gjylatëri u vu në dispozicion të tyre. Vendet e punës shtoheshin vazhdimisht. Edhe Ali efendi Qyteza ofroi ndihmesën e vet. Në një njoftim të kësaj periudhe thuhet: “Një rast i mirë për vajzat dhe gratë që dëshirojnë të mësojnë mjeshtërinë e trikotazhit dhe të qepurit. Ju bëhet e njohur të gjithë të intersuarëve që dëshirojnë të punojnë në fabrikën tonë, për të marrë gjithë çkoqitjet le të adresohen në godinën e Ali Efendi Qytezës ku ishte internati i vajzave që u transferua tani. N. Ypi&C.”. (Gazeta e Korçës, e mërkurë 28 korrik 1926).
Me këtë rast kujtojmë që Ali Qyteza ishte i pari që hodhi idenë e kanalzimit dhe pastrimit të kënetës së Maliqit: “Zoti Ali efendi Qyteza, urdhëroi në Korçë, duke sjellë me vete lejen për të pastruar gjolin e Sovjanit. Hyqymeti i Korçës quajti (miratoi) një komision prej 7 vetash, të ndajnë kufijtë. Shpresojmë pra, që nga muaji gusht të fillojnë veprimet. Siç dihet, kjo kompani formohet prej Ali efendi Qytezës, Qemaran beut, biri i Reshat Pashës, Aleko Aristidh Pashës dhe Sabri Qytezës. Kjo kompani qëllon (synon) që veprimet (punimet) të mos i japë në të huajt, po të nxjerrë aksione të cilat t’i marrin vendasit, andaj për kapitalistët është një përthurje e mirë. (Gazeta Koha, 6 prill, 1912)]
Rreth viteve 30, po në Korçë, Nazima Ypi krijoi edhe një fabrikë tjetër trikotazhi me Fadil Garon, njeri i afërt me familjen Babani, dhe Ismail Kapshticën, kurse Madam Gjylatëri, u caktua mësuese në shkollën qytetëse të vajzave në Korçë. Gjylatëri përgatiti dhjetra gra të cilat punuan si specialiste në punishten e sixhadeve të Korçës që drejtohej nga Garo Avakian, pinjoll i familjeve ermene të sjella për fabrikën e trikotazheve.
Fabrika çeli një dyqan shitjeje në Tiranë në kompleksin tregtar “Vllazën Juma” në rrugën “28 Nëntori” dhe një tjetër dyqan luksoz në Vlorë që administrohej nga Ahmet Nurja. Një reklamë e vitit 1928, bën të njohura prodhimet që tregtoheshin në Tiranë: “Shiten fanella, zhaqeta, triko, sharpec, çorape, kësula, breza, bluza … të fabrikuara në fabrikë shqiptare, po aq të bukura sa edhe ato që vijnë së jashtmi, por më të lira, më të shëndosha dhe më të mira. Kemi llojna prej leshi, prej pambuku dhe prej mëndafshi. Urdhëroni një herë. Shoqërija “Nazima Ypi”. Poshtë hotel Palace. Tiranë.”. (Revista Diturija, mars 1928, nr. 5. f. 201). Përparime në fushën e prodhimeve shënoheshin nga viti në vit.
Në vitin 1937, Korça kishte këto fabrika: “Faber&Avakjan, pëluhura mëndafshi, peshqira, pëlhura pambuku dhe prodhime trikotazhi, Ali D. Alizoti trikotazh dhe vëllazëria Merxhani, trikotazh.”. (Shqipëria më 1937, f. 353).
Së fundi sipërmarrja e N. Ypi&C, u vendos edhe në Tiranë në bllokun e dyqaneve. Madam Gjylatër ngriti linjën e sixhadeve persiane në Shqipëri. Në nëntor të vitit 1944, kur partizanët hynë në Tiranë dogjën edhe dyqanet që tregtonin prodhimet tekstile të Korçës, kurse në vitin 1947 me dekret të posaçëm të presidentit të R.P të Shqipërisë, fabrika në Tiranë u shtetëza pa asnjë shpërblim.
Megjithatë ishte kjo fabrikë që përgati plejadën e qindra punëtoreve të specializuara për të punuar në trikotazh dhe në saje të kësaj tradite kjo industri funksionoi deri vonë.
Rrefimi i mesiperm bazohet edhe mbi nje rrefim te z. Arben Beli
Komentet