VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Xheladin Zeneli, “Shqiptarët në Mal të Zi – Popull i rrezikuar”, botoi: Art Club, Ulqin, 2019 – Nga Dr. Nail Draga

By | September 16, 2019

Komentet

“Tirana Composition Academy”, mirupafshim në edicionin e dytë!

Në  datën 22.11.2019 Orkestra Simfonike e RTSH-së “Nderi i Kombit” do të vijë para publikut e drejtuar nga dirigjenti anglez Jonathan Bloxham dhe solist në violinë Benjamin Baker nga Zelanda e Re.

Në program janë:

Thoma Simaku – The Scream – për orkestër harqesh – Premierë në Shqipëri
Edward Elgar – Koncert për violinë Op. 61 në si minor
Dmitri Schostakovich- Simfonia Nr. 5 Op.47 në re minor

Koncerti do të organizohet pranë sallës “Iliria” të hotelit “Mak” Albania në Tiranë.

Vetë kompozitori Simaku nuk e fsheh gëzimin për këtë koncert ku do të interpretohet vepra e tij.

Për ndjekësit e tij ai shkruan: “Mbas kaq shume vitesh jam i lumtur që do të kem rastin të dëgjoj orkestrën e RTSH-së, e cila  do të japë premierën shqiptare të veprës sime të fundit ‘THE SCREAM’, në drejtimin e dirigjentit anglez Jonathan Bloxham”.

Ky koncert  vjen disa ditë pas “TIRANA COMPOSITION ACADEMY” 2019 ku kompozitori Simaku ishte themelues dhe aktor kryesor i saj. Në ditën e fundit të Akademisë ai shprehej:

 

 

Sot dita e fundit e TIRANA COMPOSITION ACADEMY 2019! Një kënaqësi e veçantë që na u dha mundësia të shkëmbenim mendime dhe përvojën  me kompozitorë të rinj shqiptarë në këtë aktivitet të parë të këtij lloji në Shqipëri.

Falënderoj së pari instrumentistin e shkëlqyer nga Parisi Jérôme Comte për përkushtimin e jashtëzakonshëm në përgatitjen dhe interpretim e pjesëve të reja të kompozitorëve të rinj nga Shqipëria dhe Kosova!

Falënderoj Ministrine e Kulturës, Akademine e Shkencave dhe Ambasadën Franceze në Tiranë për mbeshtetjen që i dhanë këtij aktiviteti mjaft të  rëndësishëm për të ardhmen e muzikës së re shqiptare! All good things come to an end, por jam i bindur që është vetëm fundi i një fillimi të mbarë!! Mirupafshim në edicionin e dytë”, mbyll postimin e tij kompozitori Thoma Simaku.

Edicioni i parë i “Tirana Composition Academy” lindi pas përpjekjesh për vite për ta realizuar një projekt të tillë.  Kjo nismë lidhet me synimin për të zgjeruar hapësirat për krijuesit e rinj shqiptarë që vijnë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

 

 

Në këtë edicion kompozitori Simaku ishte bashkë me klarinetistin francez Jerome Comte njëherazi edhe solist i formacionit “Ensemble Intercontemporain” të Parisit.

Për disa ditë me radhë  të dy profesorët  Simaku dhe Comte respektivisht nga Universiteti i Jorkut në Britani dhe Konservatori i Parisit në Francë ndanë me kompozitorët e rinj leksione, trajnime dhe seminare mbi teknikat bashkëkohore të  kompozimit.

Akademia e Kompozicionit të Tiranës erdhi me  ndihmën e Ministrisë sonë  të Kulturës, Ambasadës Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,  Akademinë e të Rinjve.

Aktiviteti u mbajt në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë.

Shpresojmë që kjo Akademi e ideuar dhe e realizuar me kontributin e rëndësishëm të kompozitorit Thoma Simaku i cili përbën krenarinë kombëtare në fushën e kompozicionit bashkëkohor të jetë e përvitshme dhe jetëgjatë!

Këtu përfitimin e madh do ta kenë studentët e rinj të cilët do të kenë mundësinë të ndikohen nga muzika dhe përvoja më e mirë e kohës.

 

 

(Video) Vepra ‘Ulërima’ e Thoma Simakut, sheh dritën e skenës për herë të parë në Shqipëri –

Kompozitori i njohur Thoma Simaku është këto ditë rikthyer në Tiranë. Pasi zhvilloi Akademinë e parë të Kompozicionit me artistët e rinj, promovoi CD-n  “Solos & Duos for Violin & Piano”, për ta kurorëzuar karrierën e tij artistike brenda edhe jashtë vendit me ngjitjen në skenë të veprës “The scream” (Ulërima), që do të luhet nga Orkestra e Radiotelevizionit Publik Shqiptar për herë të parë në Tiranë. Për kamerën e “ReportTV” mes emocioneve Thoma Simaku rrëfen punën e bërë për masterklasin, por edhe dëshirën e madhe, që ka për të lënë diçka për brezat e artistëve që do të vijnë.

 “Unë ndihem shumë mirë sa herë që vij në Shqipëri. Vitet e fundit kam ardhur më shpesh, vjet isha si anëtar jurie në konkursin “Gjergj Kastriot Skënderbeut”, ndërsa këtë vit arritëm që të bënim të parën akademi kompozicionale për kompozitorët e rinj shqiptarë kudo që ndodhen. Ky aktivitet ka qenë në mendjen time për disa vite radhë, jam përpjekur që të gjej një lloj platforme për këta kompozitorë, që të shkëmbej me ta eksperienca për idiomat edhe teknikat bashkëkohore”, rrëfen kompozitori Simaku

Për CD-n që u promovua në Akademinë e Shkencave referuan muzikogët Vasil Tole edhe Mikaela Minga. Thoma Simaku prej 30 vitesh jeton në Angli edhe punon, si pedagog në Universitetin e Jorkut. Por, ngjitjen në skenë të veprës  “Ulërima”, për të cilën është frymëzuar nga piktura e njohur e Edvard Munch, e cilëson një ngjarje të madhe në krijimtarinë e tij, të pas viteve ’90.

“Në kuptimin e kohës që ndodh ky koncert për mua është vërtet një ngjarje, sepse për gati 30 vite kjo është hera e parë që një orkestër, si e RTSH-së do të luajë një nga veprat më kryesore që kam kompozuar. Kjo vepër “The Scream” (Psikama apo ulërima), është mbështetur në pikturën e famshme të Edvard Munch-it, (The Scream, 1983). Ajo që ndjen ti si artist, është si diçka që të mbërthen si këdo edhe nuk të lëshon, ke të bësh me një ulërimë në heshtje, që siç edhe e ka cilësuar kritika, është një heshtje e madhe që të shurdhon”, shprehet Simaku.

Koncerti do të luhet nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, pranë sallës Iliria të hotel “Mak Albania”, nesër ora 19.00 nën dirigjimin e Jonathan Bloxham dhe solistëve në violinë Benjamin Baker nga Zelanda e Re.

 

Ton Zmali, një zë i veçantë në letërsinë shqipe – Nga Robert Goro

Ton Zmalin do ta cilësoja si një zë të veçantë në letërsinë shqipe të pas 1990-s. Një zë i përveçëm, intonacionet e të cilit ulen e ngrihen, sipas përjetimeve të shpirtit të vetë autorit. Krijimtaria e tij shquhet që në konceptim, për të vazhduar me gjuhën lakonike nga njera anë –krejt jashtë, por edhe po aq brenda standardit të shqipes sa i përket tingëllimit-, por të pasur me metafora befasuese nga ana tjetër. Në prozën dhe poezinë e tij, Zmali operon me vargun e me frazën si një piktor i mirë abstraksionist, dhe arrin ta detyrojë lexuesin që të marrë edhe vetë pjesë në procesin e “pikturimit”. Në krijimtarinë e Zmalit të bën përshtypje sinqeriteti i thellë, kërkimi i vazhdueshëm dhe tendenca e rebelimit ndaj atyre normave e rregullave që dikush tjetër mendon se duhen respektuar gjithsesi në letërsi. “Poshtë rregullat!… Rroftë ndjenja!”, duket se bërtet Ton Zmali në çdo rresht të krijimtarisë së vet. Ashtu si kreshta që i nënshtrohet vetëm bardhësisë së paparashikueshme të dëborës, edhe Ton Zmali i nënshtrohet totalisht vetëm ndjenjës; dhe kjo mendoj se përbën risinë më të dukshme në librat e tij. Ngase ka kaluar një pjesë të madhe të jetës jashtë atdheut, do të guxoja ta krahasoja me një masiv bjeshkor që ka rënë në mes të Athinës, duke mbartur mbi vete njëkohësisht dhe përjetësisht gjelbërimin, bardhësinë, freskinë dhe natyrisht ashpërsinë dhe kokëfortësinë pozitive, por edhe mençurinë e viseve të origjinës. (Dikur kam debatuar ashpër me të, kur po shkruante kondraromanet e tij “Enguj pa qiell” dhe jeta e vjellagjolasve”, por kur e lexova mbeta pa fjalë dhe njëherazi i përmbushur). Ashtu si bjeshkët, edhe krijimtaria e Zmalit, ka një eternitet alpin. Më mirë se kudo tjetër, këtë veti përgjithësuese mendoj se mund ta gjejmë në rreshtat e paktë të poezisë së tij, “Ringjallja e mumjeve”. Një poezi që unë e kam kopjuar në një bllok të veçantë me qëmtime nga letërsia e mirë, të cilin e shfletoj sa herë herë ndjej nevojë për prehje:
Ringjallja e mumjeve
U ringjallën mumjet dhe dolën si faraonë
Me kostum kollare frak e papion…
Mumja pa sy
U bë njeri
Brenda nesh fshehur, skelet i padukshëm
Fantazmë fluturuese.
Ringjalljet e mumjeve
Paralajmërojnë
Shkretira të reja.

FRYMA LIBERALE NË POEZI, DRAMË & TEATËR KUR MBRETËRONTE REALIZMI SOCIALIST – Nga Mexhit Prençi

 

 

I

Në    fillim të viteve 1960 një frymë e re filloi të ndjehet në rrafshin e poezisë, prozës së shkurtër, të dramës, spektaklit dhe regjisurës. Krijuesit në tërësi, por sidomos poetët dhe regjisorët që kishin mbaruar ose lënë përgjysmë studimet në universitetet e BS dhe të shteteve të tjera të perandorisë komuniste, sollën  veshtrime te reja  dhe profesionalizëm në rrafshin e poezisë,   dramës e spektaklit. duke aplikuar mjeteve të reja  e të larmishme figurative .

II

Potët e talentuar Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, me prurjet e reja poetike, sfiduan poezinë arkaike, konservatore e deklamative të viteve 1940-1950 që luhatej midis poezisë popullore dhe asaj të kultivuar.. Fryma liberale Në poezinë e tyre  e tyre u shfaq në pasqyrimin e realitetit socialist  nëpëmjet me figuracione poetike të freskëta dhe originale me fantazi të jashtëzakonshme.. Këta poetë u bënë në vitet e ardhshme, personalitetet më të shquara  të poezisë shqipe. & frymëzes për poetët e rinj të talentuar: Frederik Rreshpja: Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Bilal Xhaferri, Musa Vyshka, Ndoc Papleka, Dhori Qiriazi, Agim Gjakova, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Koçi Petriti, Adem Istrefi, Bardhyl Londo dhe  poetët e shquar të burgut  të kohës pa liri të socialzmit, Vizar Zhiti  e  Pano  Taçi

III

Poetët e rinj të frymëzuar dhe nxitur  nga poezia e Arapit, Kadaresë dhe Agollit u orientuan në qasjen e  kërkimit të mjeteve figurative të reja dhe promovuan talentin e tyre, ku vlerat ishin të konsideruseshme dhe sfidë ndaj skematizmit, rutinës, anakronzmit dhe rregullave të ngurta, që frenonin lirinë dhe  fanntazine e poetit. Një nga mjetet që mundësonte daljen jashtë mureve kufizuese,   ishte edhe vargu i lirë që promovuan  Arapi, Kadare, Agolli  e  u mirëprit   nga poetët  e  rinj  të talentuar.

***

Në atë kohë midis poetëve të rinj & të vjetër u zhvilluan debate, madje edhe  në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kadare,  Agolli dhe Arapi, ligjëruan bukur  dhe me argumente sipas një optike të re, i mundën të vjetrit. Drejtori i Shtepisë Botuese “Naim Frashëri”  Drago Siliqi, i mbeshti dhe inkurajoi  poetët e rinj jo vetëm me botimet e librave poetikë, por edhe  me shkrime  kritike.

IV

Poetët të rinj, e kërkonin poezinë  jo vetëm te dukuritë e natyrës, por edhe  te bukuria shpirtërore e njeriut, ku dashuria për të mirën e të dobishmen  dhe urrejtja  për të keqen, jepen nëpërmjet një sistem figurativ të larmishëm e të freskët, me metafora e simbole, gjuhë koloristike  e tropologjike  ku poetët këndonin me zërin e tyre.. Ndërsa në   poezine që u shkrua sipas realizmit socialist, fryma liberale u venit, poezia përshkohej nga ideologjizimi dhe politizimi. Theksoj  se poetët që shkruanin sipas socrealizmit kanë qenë edhe liberalë edhe poetë të dyzuar, tek të cilët bashkëjetonte politizimi dhe   liberalizmin natyral, si qytetarë & poetë në një pjesë të krijimtarisë poetke , por në tërësi  poezia më e fuqishme e tyre ishte ajo që përshkohej nga partishmëria komuniste, sidomos tek  Ismail Kadere, Dritero Agolli dhe Fatos Arapi.

V NË FILLIM TË VITEVE 1960 fryma liberale, u  ndje edhe në rrafshin e DRMATURGJISË  & TEATRIT. Disa regjisorë të talentuar të cilët u kthyen nga studimet jashtë shtetit, që me spektaklet e para sfiduan amatorizmim, skematizmin dhe teatralitetin në teatër. Ata guxuan të kërkojnë dhe eksperimentojnë alternativa të reja në rrafshin artistik dhe estetik, por pa qenë të kujdesshëm në rrafshin  e ideve e mesazheve,

*** Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogle dhe Piro Mani, sollën jo vetëm frymë të re, por edhe profesionalizëm në teatrin tone të atyre viteve. Vlerësoj  edhe kontributin e regjisorëve: Esat Oktrova, Lec Shllaku, Drita Agolli, Selman Vaqarri dhe të dy pionierëve të regjsurës profesionale  Sokrat  Mio  e Pandi Stillu,  të cilët  të parët promovuan profesionalizmin  në  regjisurën amatore të teatrit amator, fill pas Clirimit të venditit kur u ngritën teatrot profesioniste..

VI

Në fillimet e karrierës, Mani, Spahivogli dhe Luarasi,e ngritën  regjisurën në nivele cilësore profesionale më të larta, në teatrot ku ishin emruar, ndërsa në rrafshin e ideve e të mesazheve, iu nënshtruan politizimit dhe ideologjizimit,  ne vazhdim te karierës së tyre,- si në përzgjedhjen e veprave ashtu dhe në  formësimin regjisorial të spektaklit, Nëpërmjet mjeteve shprehëse regjisoriale, ata dhe tërë regjisorët e tjerë, potencionuan faktorët jashtëletrarë duke i bërë më të fuqishëm. Kjo ka qenë dominante në regjisurën e tyre, sidomos  të Pirro Manit e Kujtim  Spahivoglit, por pa përjashtuar regjisoët e tjerë .Ndërsa ata, që guxuan t‘i kalojnë vijat e bardha të censurimit u dënuan…disa të bënin punë fizike  në minjera, fabrika  e ndërmarrje shtetërore, që të “edukoheshin” midis klasës punëtore. Më rëndë e pësoi regjisori liberal-modern Mihal Luarasi bashkë me dramaturgun Minush Jera, të cilët  u  burgosën për spektaklin Njollat e Murrme”. që “nxinte realitetin  e shëndritshëm  socialist”. ….

VII

Edhe në rrafshin e kritikës u shfaq fryma liberale: në biseda, e debate në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe  në Shkollën  e Lartë për Aktorë “Aleksandëe Moisiu”. Opinionet ishin të ndryshme dhe të çuditshme: Mihal Luarasin, Kudret Velçën  Shaban Hysën i konsideronin liberal perëndimor, Kujtim Spahivogli. liberal lindor. Tre të parët i etiketuan brehtian, Spahivoglin stanisllavskian. Kjo ishte një erë  e re që fryente, në mjediset teatore  por pa guxuar  të kaloheshin vijat e bardha…

.VIII

NË RRAFSHIN E DRAATURGJISË,  disa autorë të rinj liberalë ishin më të guximshëm, Nndoshta jo të ndërgjegjshëm për sfidën ndaj realizmit socialist. Këtë e dëshmojnë edhe veprat e tyre të para dramatike. Megjithatë ata guxuan.: NAUM PRITI  shkroi dramënRethimi i bardhë”, FATOS ARAPI : “Drama e një partizani pa emër”, QAMIL BUXHELI dramënDueli”.

Fryma liberale u shfaq  rrafshin artistik, midis së vjetrës dhe së resë, traditës dhe novatorizmit. U aplikuan forma artistike të reja duke thelluar realizmin e ne te njejën kohë modernen, për të  komunikuar me lexuesin apo publikun e spektaklit  që të marrë kënaqësi shprtëroe, artistike, estetike & mesazhet e duhura,  Ndërsa në rrafshin ideologjik, fryma liberale u shfaq në  tema tabu si ajo e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në paraqitjen e figurës së heroit jo sipas modelit komunist, por duke e parë dhe trajtuar atë në kompleksitetin që përmban figura në vetvete. Gjithashtu fryma liberale u shfaq edhe në trajtimin e personazheve, në tërësi jo bardhë e zi, por si figura me të mirat dhe të këqijat e tyre, si personazhet pozitivë ashtu edhe ato negativë. Madje pati raste që të trajtoheshin si figura komplekse edhe personazhet armiq, duke evidentuar edhe anën pozitive të tyre në situata të veçanta, në dialogë e debate të ndryshme si: debatet midis Shkrimtarit dhe Partizanit te drama e Fatos Arapit dhe të Gjermanit me Partizanin  te ”Dueli” e Qamil Buxhelit .

.IX

Këto vepra nga pikëpamja artistike  ishin të nivelit mesatar  duke veçuar dramën ekzistencialeRrethimi i bardhë” e Naum Priftit, e cila ka vlera edhe për kohën tonë e të ardhmen, Në mënyra të ndryshme tri vepat që citova, iu kundërvunë  realizmit socialist, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, Në shtresat dhe nënshtresat semantike të tekstit shquaj  sfidën  e lirisë krijuese si në rrafshin e formës ashtu edhe të përmbajtjes, sidomos sfida ndaj paraqitjes ndryshe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlrimtare nga drama e Arapit dhe Buxhelit, duke çmitizuar  MITIN E LIRIRË.

X

Paraqitja e LANÇ  me hiperrealizëm, siç ka ndodhur në të vërtetë, me episode, ngjarje e situata,  me bëmat e partizanëve, ballistëve, gjermanëve pa e zbukuruar e shtrembëruar realitetin, duke i formësuar personazhet  si figura komplekse, me dramat e tyre, me mëdyshjet, frikën përpara vdekjes, po edhe guximin për të luftuar kundër okupatorit, madje edhe kundër njëri-tjetrit partizanë e ballistë, ishte sfidë e asaj dramaturgjie  që e kishte dhënë të idealizual e lustruar e luftën e partizanëve me gjermanët, Partiznët  paraqiten trima e  të guximshëm që vetëm fitonin, hubës në luftime ishi gjermanët.. Ndërsa ballistët i trajtonin tërësisht të këqinj, tërësisht bashkëpunëtorë të gjermanëve; që nuk bënin luftë por shfrytëzonin fshatarët duke pirë raki e ngrënë pulat e tyre.

Të tri dramat  u ndaluan, autorën e tyre u kritikaun dhe i futën në rrethin të kuq….

 

KONKLUZË:

Fryma liberale në kohën e mbretërimit të socrealizmit në fillim të viteve 1960 e poetëve elitarë  Ismail Kadare, Dritëro Agolli  dhe  i dramaturgëve të rinj Naum Prifti, Qamil Buxheli e  Fatos Arapi si dhe e regjisorëve të shquar Pirro Mani, Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi, ishte një qasje  artistike progresiste që solli risi në profesionalizëm  në rrafshin e poezisë dhe të teatrit e në të njejtën kohë ishte edhe kumt frymësues për të rinjtë që të guxonin të ecnin në rrugë të pashkelura për të realizuar veprat e tyre, duke aplikuar parimin e ajsbergut  “Nëntë mbi ujë e një nën ujë””, në kushtet e diktatures  së egër enveriste. .

Një emër që udhëton në harkun e pesë mijëvjeçarëve – Nga Kujtim Mateli

 

Parathënia e librit

 

Të shkosh në gjenezën e popullit tënd, ta studiosh dhe të sjellësh prej andej pamje sa realiste aq dhe të mrekullueshme, është një nga misionet më të bukura që njeriu ndërmerr në jetën e tij, por dhe nga më të vështirët. Këtë mision ka përmbushur dhe shkrimtari dhe studiuesi Ilir Cenollari me monografinë “Shën Mandili” që ndodhet këto ditë në duart e lexuesit të apasionuar pas historisë dhe identitetit tonë të spikatur në mijëvjeçarë. Për shqiptarët ky mision bëhet i vështirë, sepse gjuha shqipe është e dokumentuar vonë dhe përpjekjet e studiuesve shqiptarë deri në ditët e sotme për të lexuar disa nga mbishkrimet e gjetura në Ballkan, që vlerësohen si mbishkrime parahelene apo  pellazge si: stela e Lemnos etj., ku autorët e antikitetit kanë vendosur atje pellazgët, nuk kanë marrë ndonjë vlerësim miratues nga institucionet shkencore.

Mbishkrime të ngjashme ndodhen dhe në Itali, sidomos në truallin e etruskëve. Me gjithë përpjekjet e Nermin Vlorës dhe të pasuesve të saj për t’i deshifruar në gjuhën shqipe, përsëri institucionet shkencore kanë heshtur ndaj këtyre përpjekjeve dhe sakrificave që kanë bërë disa breza shqiptarësh përgjatë këtyre dy shekujve të fundit. Rezultatet e këtyre punimeve pritet të vlerësohen dhe procesi duhet të vazhdojë më tej, deri në zbardhjen e plotë. Mbase, në vitet e ardhshme do të hidhet dritë më tepër dhe gjuha e këtyre mbishkrimeve do të mund të lexohet në gjuhën së cilës i përkasin.

Por jo të gjitha fjalët janë gërryer nga erozioni i kohës. Shumë fjalë i gjejmë në po atë formë që janë përdorur dhe në antikitet. Mund të përmendim emrat e maleve. Olimpi është përdorur nën këtë emër që nga koha e Luftës së Trojës dhe përdoret në po atë formë edhe sot. I tillë është mali i Pindit. Shembujt mund të vazhdojnë dhe me emrat e njerëzve.

Në këto kushte, për të depërtuar në thellësi të mijëvjeçarëve para Krishtit, e vetmja mënyrë mbetet ajo e fjalëve që gjejmë dhe që lidhen me shqipen, por sidomos emrat e njerëzve dhe të vendeve. Në këto kërkime që bëhen në një terren tepër të vështirë, gjendet dhe studiuesi Ilir Cenollari, i cili kërkon të vërtetojë se emri Mandil, i përdorur në dëshmitë më të hershme që lidhen me Dodonën dhe rrethinat e saj, vazhdon të përdoret deri në ditët e sotme në truallin shqiptar dhe më gjerë.

Në ditët e sotme është e vështirë të ndash qartë se cili nga dy popujt që kanë banuar jugun e Ballkanit, shqiptarët apo grekët, e kanë produkt të gjuhës së tyre këtë fjalë, sepse marrëdhëniet e këtyre popujve në mijëvjeçarë kanë bërë që gjuhët e tyre t’i japin dhe t’i marrin njëra-tjetrës fjalë që sot gjenden në të dy gjuhët. Në këtë kontekst gjendet dhe fjala Mandili. Studiuesi Ilir Cenollari për ta ndarë se në cilën gjuhë ka qenë zanafilla e kësaj fjale, ka ndërrmarrë një studim që e ka shtrirë në hapësirë, pra në vendet ku gjendet e përdorur kjo fjalë, por edhe në kohë. Pika më e largët kohore, kur dhe dëshmohet kjo fjalë, është ajo e Orakullit të Dodonës. Në Dodonë është përdorur emri Mandyl si emër njeriu. Kjo përbën dhe pikën më të largët kohore, e cila mund të dokumentohet dhe është e mjaftueshme për të thënë se emri Mandil është përdorur fillimisht si emër njeriu. Kjo do të thotë se midis emrave të njerëzve që përdoreshin në Dodonë, është dhe emri Mandil. Nga emër njeriu, e gjejmë si veshje që përdorej në atë periudhë, një lloj gune apo sharku që përdorin edhe sot barinjtë dhe autori është mbështetur mbi dëshmi të pakontestueshme që kanë si burim autorët e antikitetit.

Gjuha e Dodonës duke qënë në marrëdhënie të ngushtë dhe me popujt e tjerë, ka patur më shumë mundësi se çdo gjuhë tjetër, që këtë fjalë të përgjithshme siç është fjala mandile për veshjen, ta “përcjellë” dhe te popujt e tjerë. Autori e dokumenton këtë fjalë në një terren gjeografik tepër të gjerë, përtej hapësirës ballkanike. Në këtë hapësirë jugore të trojeve shqiptare, ku ndodhet dhe Dodona, ky emër ka një përdorim të gjerë, veçanërisht në mbiemrat e njerëzve. Emri Mandil, i përdorur fillimisht si emër njeriu dhe më pas si emër i përgjithshëm për veshje të ndryshme, nuk e ka humbur kuptimin e parë të përdorimit. Ato territore përreth Dodonës që e lindën këtë emër nga gjuha e tyre, të paktën tre mijë vjet më parë, ato vazhdojnë ta ruajnë deri në ditët e sotme. Atëherë fjalën Mandil e lindi Dodona pellazge, sot këtë fjalë e ruan shqipja.

Po ndërsa helenët apo grekët e sotëm e kanë të provuar nga autorët e antikitetit se gjetën pellazgët në territorin ku ata u vendosën dhe emrat e perëndive i morën nga pellazgët, sigurisht bashkë me to dhe emrin e bariut që shërbente në Dodonë, mbetet që emri i Mandilit të ketë shkuar nga ajo popullsi që quhej pellazge deri në ditët e sotme si vazhdim i trungut të së njëjtës popullsie.

Studime të kësaj natyre, të thelluara në aspekte të tjera, do të bëjnë që të hidhet më shumë dritë në atë pikë të errët të origjinës sonë që e ka zanafillën te  Dodona pellazgjike.

                                                        

 

 

 

Ilir Cenollari: Për Shën Mandilin, përkthyer në italisht

Në këtë sprovë pasqyrohet historia e jashtëzakonshme e emrit të shenjtë Mandili, i cili rron ende sot në krahinën e Zagorisë së Gjirokastrës, Shqipëria Jugore. Ky emër shërbeu si “fanar” për të “çarë” errësirën e dendur të shekujve, për të ndriçuar aspekte të ndryshme të historisë së popullit shqiptar por dhe të qytetërimeve të tjera, si ai pellasg, grek, latin, mesdhetar dhe bizantin. Emri Mandili është parë në marrëdhënie të ngushtë me historinë, gjeografinë, fenë, mitologjinë, etnografinë, gjuhësinë dhe kulturën duke i shkrirë në një paradigmë të vetme. Mandili, qoftë si emër familje, qoftë si fjalë, ka shtrirje të madhe kohore dhe gjeografike, nga antikiteti deri në ditët tona,; atë e gjejmë në Shqipëri, në Itali të Jugut, në Greqi, etj. Për herë të parë emrin Mandili shfaqet në traditat dhe legjendat Dodonase të përcjella nga historian i Piros së Epirit, Prokseni dhe shkrimtarë të tjerë. Heroi Mandilas tenton të presë Lisin e Shenjtë por e ndalë plaka profeteshë, plaka-orakull. Emri Mandili sipas gjasave buron një lloj veshje e stërlashtë, mantile, që shfaqet në gjuhët e vjetra, qoftë të Mesdheut, qoftë të Lindjes së Afërme. Për këtë arsye, krahas shpjegimeve gjuhësore, përshkruhen dhe veshjet e lashta të fiseve ilire dhe romake, sikurse përputhshmëritë dhe ngjashmëritë e mëdha mes tyre. Në epokën e hershme të Krishterimit, emri / fjala Mandili merr kuptim të ri, kuptim simbolik duke u bërë ikona e parë e Jezu Krishtit ose Shën Mandili. Në këtë sprovë përshkruhet historia e lindjes së shëmbëlltyrës së Krishtit, e peripecive të pafundme të ikonës së shenjtë, e transferimit nga Edesa në Kostandinopojë, e luftrave dhe përplasjeve të forta mes qytetërimit perëndimor, përkatësisht bizantin dhe atij islamik, e ngjashmërisë së madhe midis eposit bizantin “Digenis Akrites” dhe baladës shqiptare “Kostandini dhe Dhoqina”, e lindjes dhe përhapjes së disa lëvizjeve heretike, si Manekizmi, Bogomilizmi, etj! Kulti i Mandilionit u rrrënjos fuqimisht në kishat e Lindjes, në Kostandinopojë, në Italinë e Jugut, në Siri, Armeni, Kaukaz dhe arriti deri në Torino e Gjenova të Italisë. Nuk është rrugëtimi i një emri në histori por dhe rrugëtimi i qytetërimeve botërore në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Tiranë më, 10. 07. 2019

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip, i Prof.dr.Eshref Ymerit, një Monument në fondin e artë të kulturës kombëtare – Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

                                                          “Gjuhën shqipe kam NËNË DHE BABË!”E.Ymeri

 Eshref Ymeri është një personalitet dhe individualitet i veçantë i kulturës kombëtare, një erudit që ka dhënë vlera të pallogaritshme në fushën e gjuhësisë, të përkthimtarisë dhe të publicistikës. Ai është autor dhe bashkëkohor që ka vënë një gur të rëndë në kolanën e artë të kulturës kombëtare. I pajisur  me dije të gjera, njohës i mirë i disa gjuhëve, me vullnetin që e karakterizon në punën e tij të palodhshme dhe vetmohuese e ka renditur veten në elitat e kombit.Ky personalitet i kulturës kombëtare,edhe pse insitucionet e larta shtetërore janë treguar dorështrënguar duke ia mohuar një të drejtë legjitime,Akademiku,”Personalitet i shquar i Labërisë” një nga Elitat bashkëkohore të kombit, Prof.dr.Eshref Hasan Ymeri, është“Mjeshtër i Madh ”për lexuesin e gjerë.

Para pak ditësh u mrekullova me një vepër monumentale akadmike, të  sapobotuar,  “Fjalor frazeologjik anglisht-shqip”, me autor Prof. dr.Eshref Ymeri. Fjalori doli nga botimi në nëntor 2019. Kjo vepër akademike ka 25 440 shprehje frazeologjike (anglisht, kurse në shqip ka mijëra shprehje frazeologjke), të cilat janë përfshirë në 1254 faqe. Nuk është vepra e parë monumentale e akademikut Eshref  Ymeri, i cili herëpashere befason me punë të tilla vetmohuese, brilante dhe mbi të gjitha ka bërë një punë voluminoze, hulumtuese, shkencore, që këkon një vullnet të jashtëzakonshëm, cilësi që nuk i mungon profesorit. Ky fjalor është një vlerë e padiskutueshme për katedrën e gjuhëve të huaja, për lexuesit, studiuesit, përkthyesit, akademikët që dinë ta vlerësojnë. Veçanërisht është një vlerë e pallogaritshme në pasurimin e gjuhës shqipe, sidomos, Leksikologjisë si shkencë dhe një pasuri e madhe e folklorit. Për vepra të tilla me peshë në historinë e Gjuhës Shqipe që kërkojnë përkushtim, kohë, mund, dije dhe njohje të thella të gjuhës mëmë, si dhe të gjuhëve të huaja, zakonisht angazhohet Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Nëse Akademia do të punësonte  një numër akademikësh, Prof Eshrefi e punoi i vetëm dhe e botoi me ndihmën financiare të fëmijëve. Për fat të keq ky insitucion, më i rëndësishmi në kulturën kombëtare, si “udhërrëfyes” i institucioneve Arsimore Akademike, ka rënë në gjumë letargjik.

Por a mund dhe a duhet të hesht Akademia e Shkencave, Katedra e gjuhësisë për një vepër të tillë, e para e këtij lloji në vendin tonë? Fatkeqësisht dhe çuditërisht këto institucione, për botime të tilla janë veshëvulosur, symbyllur dhe gojëkyçur. Mjerisht u ka ngelur ora te veprat e Realizmit Socialist. Natyrisht ato “janë më të realizuara, sepse janë të diktuara”. Kurse ky fjalor i pandarë nga krijimtaria e bollshme e cilësore e Prof.Ymerit, si dhe sa botime të tjera të autorëve të ndryshëm me vlera bashkëkohore, janë produkt i vetëdijes së lirë, ku ndërgjegja ka arritur shkallën më të lartë. Një ndërgjegje e tillë gjendet te njerëzit me shpirt të madh  dhe mendim të lirë. Kjo e dallon nga të tjerët sepse Ai u jep më të mirën e vetes, nuk kursehet për të dhënë ndihmën e tij krijuesëve të tjerë, me bujari, çiltërsi dhe dinjitet.  I tillë është Prof. Eshrefi, një individualitet me një formim e personalitet të admirueshëm, sepse ka fituar diçka të madhe, lirinë vetjake që nuk ndërvaret nga askush, nga asnjë lloj klani apo grupimi politik. Gjithsesi kjo nuk e pengon akademikun, eruditin, Eshref Ymeri që të tregojë se cili është apo deri ku arrijnë aftësitë e tij si studiues i mirëfilltë dhe i mirënjohur, linguist, leksikograf  i shquar i Gjuhës Shqipe, si dhe i gjuhëve, rusisht, italisht, anglisht etj.

Prof.dr. Eshref  Ymeri është bashkautor i disa fjalorëve dhe autor i dy fjalorëve Frazeologjik: “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip”, me 25160 shpehje, botuar në vitin 2015. Tani doli me “Fjalor  frazeologjik anglisht-shqip”, me 25 440 shprehje.

Fjalori -anglisht shqip të josh qysh në pamjen e parë të tij, pasi është botim mjaft elegant, të cilin nga pikpamja estetike, pa frikë mund ta krahasosh apo ta quash një vepër arti klasik, por me përmbajtje moderne me baza shkencore.* Ky botim luksi, tejet i bukur, i një cilësie të lartë, që bie në sy të kujtdo e mbi të gjitha i punuar mjeshtërisht, është meritë e Sh.B.‘Bota Shqiptare’, së cilës i shpreh mirënjohjen time!

Për realizimin e kësaj vepre madhore (Fjalor frazeologjik anglisht- shqip), veç punës së thellë studimore, hulumtuese dhe shkencore të Prof. Eshrefit në një afat kohor prej mëse 20 vitesh, duhen falënderuar bashkëpunëtorët e këtij botimi.

Së pari, përgëzoj dhe uroj bashkëshorten e Prof.Eshrefit, znj.Hava Ymeri, si korrektore jo vetëm në këtë fjalor, por dhe në veprat e tjera të tij, botuar më parë. Shpreh mirënjohjen time për dy gjuhëtarët: së pari shokun tim të shkollës pedagogjike “Jani Minga”, të cilin e përshëndes përzemërsisht, shkencëtarin e gjuhës standarde shqipe, Prof.dr.Rami Memushi (redaktor ).

Së dyti, përshëndes leksikologun, hartuesin e 11 fjalorëve, Prof.dr. Hairi Shehu, i cili si profesionist i mirëfilltë, ka bërë parathënien, duke vënë në pah vlerat e pallogaritshme që i jep ky fjalor shkencës së Leksikologjisë, një pasuri shumë të madhe. Për punën cilësore dhe profesionale të kolegëve. Prof.dr. Eshrefi u ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë.

Në profesion nuk jam e profilit të gjuhësisë, gjithsesi dëshiroj të shpreh mendimin tim për rëndësinë leksikore, shkencore dhe atdhetare që ka ky fjalor. Fjalorë të tillë anglisht- shqip, rusisht -shqip, italisht- shqip, veçanërisht fjalorët frazeologjik, si pasuri e patundshme e kulturës kombëtare shqiptare, janë tregues se sa e pasur është gjuha shqipe nga pikpamja e leksikore.  Pas leximit të veprave studimore të viteve të fundit (2012-2019), si,“ Antologjia e Kryqëzimit”, me autor,( Dr.Islam  Lauka & Prof.dr.EshrefY meri), “Përkthimi, një histori pasioni” dhe veçanrisht “Arti gojor i përkthimit”, një vepër studimore e rrallë , ku Prof Eshrefi ka shpalosur dije, kulturë, maturi politike , vepër që më hapi një horizont të gjerë dhe të ri në fushën e përkthimit gojor. Kur lexojmë një libër të përkthyer nga gjuhët e huaja, na pëlqen duke na lënë veç mbresave, edhe një shije të përkryer ndijore nga përshtatja e përsosur drejtshkrimore. Veçse, si lexues kurrë nuk kemi vlerësuar punën e lodhshme, të vështirë dhe këmbëgulëse të përkthyesit, sepse është merita e tij që i bënë autorët antikë apo klasikë të flasin në gjuhën e bukur shqipe. Por e veçanta e Prof Eshrefit nuk janë librat e shumtë që ka përkthyer, aq më tepër ka qenë përkthyes gojor i politikanëve  në këto 30 vite tranzicion. Ushtrimi i gjatë i përkthimit gojor, bëri të mundur që Prof. Eshrefi të realizojë librin studimor “Arti gojor i përkthimit”, ku përfshihen fjalimet e përkthyera të politikanëve më të mëdhenj të kohërave në botë.

Kujtoj se një fjalor i tillë krkon punën hulumtuese të shumë akademikëve, kurse Prof.Eshref Ymeri e bëri i vetëm

    Duke u nisur nga vlerat që mbart një vepër e tillë, si fjalori,  është domosdoshmëri dhe kulturë , që, së paku, Akademia e Shkencave, Institucionet Akademike, Ministria e Kulturës, Minsitria e Arsimit dhe Presidenca duhet të shprehnin mirënjohjen  për punën shumëvjeçare të autorit, duke i dhënë vlerësimin e duhur.  Gjithashtu është lexuesi, si kritiku më i paanashëm i krijimtarisë shkencore apo letrare, ai që duhet t’i jetë mirënjohës autorit për këtë dhuratë të vyer, që nuk ka çmim. Prof.Eshrefi, veç përkthimeve, si hartues i teksteve mësimore universitare, Lëndëve mësimore praktike, Kurse leksionesh, Artikuj metodiko-shkencorë e shkencorë dhe Fjalorë.

    Fjalorë:

Fjalor frazeologjik rusisht-shqip (autor) (2015), me 25 160 shprehje frazeologjike – i pari fjalor frazeologjik dygjuhësh me këto përmasa, model për fjalorë të tjerë frazeologjikë dygjuhësh, me shqipen si gjuhë përkthimore ose burimore.

Fjalor frazeologjik italisht-shqip (bashkautor) (1997).

Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip (bashkautor) (2007)

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (bashkautor) (2002 dhe 2007)

Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (bashkautor) (1990)

Fjalor rusisht-shqip (redaktor) (2005)

Fjalor shqip-rusisht (redaktor) (2007)

Përkthimi – një histori pasioni (autor) (2015)

    Përkthime të letërsisë politike

Në Shtëpinë botuese “8 nëntori”, gjatë viteve 1978-1990, ka përkthyer 3200 faqe letërsi politike nga gjuha shqipe në gjuhën ruse.

     Përkthime artistike

Gjatë viteve 1998 e në vazhdim, ka përkthyer dhe botuar vepra të shkrimtarëve: 

 Aleksej Prijma:“Edgar Kejsi”ShB.Deas-2000;

 F.M. Dostojevski:“Një zemër e dobët”,1998, “Sozia”, 2000, “Pollzunkovi” -2000,“E zonja e Shtëpisë” -“OMSCA”, 2001),“Një grua bote dhe një burrë poshtë shtratit” OMSCA” 2002).

 Italo Kalvino:“Përralla italiane” (Sh.B“Deas”, 2000).

 Nikollaj Kolada:“Nishani”. Dramë. Vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin2003.

 Ludmilla Razumovskaja:“E dashur Elena Sergejevna”.Dramë,vënë në skenë Teatrin kombëtar( 2007).

 Zheni Kostandinova:“Vanga”, – OMSCA-1999).

 Zhorzh Amadu:“Zonja Flora dhe dy burrat e saj” (OMSCA- 2001).

 Kobo Abe:“Gruaja e burgosur në rërë” ( “Bota shqiptare”, 2012).

 Leonid Grossman: “Pushkini në kulturën ruse”. -Bota Shqiptare- Tiranë 2014.

    Përkthime nga shqipja në rusisht

 -Vath Koreshi:*“Porta Eva”. Skenar filmi, prodhim shqiptaro-rus. Regjisor: Albert Minga. Producent: Aleksandër Mihajllov. U xhirua në Shqipëri në vitin 2000 dhe doli në ekran në vitin 2001).

 “Ky është profeti Muhamed, i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin(përgatiti për botim dhe botoi Instituti shqiptar i mendimit dhe i qytetërimit islam (Tiranë 2008).

Prof .Eshrefi, Urime për Fjalorin, suksese në s rugëne studimit, përkthimit dhe publicistikës.

Nuk di nëse munda të them sadopak nga vlerat e mëdha që kanë veprat tuaja…

I uroj jetë të gjatë dhe të suksesshme “Fjalorit  frazeologik anglisht-shqip”! Profesor, Ju uroj Juve dhe znj.Hava, jetë të gjatë në krahë të njëri-tjetrit për vepra të tjera studimore akoma më madhore!Jam e bindur që Ju i arrini!

 Me konsiderata të veçanta!

Familha Haxhiraj, Fitimi,Vilhelme ,Rezi; Ladi dhe Rainhardi (frymëmyrrja, Dielli,dhe Universi i nëna Vilit

 Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë,7.11.2019

Hytbi Tarelli lindi në Devoll, por vepra e tij i përket të gjithë Shqipërisë – Nga Viron Kona

 

Hytbi Tarelli, veprën e vet që e kishte më të shtrenjtë se veten, statujën e heroit Adem Jashari, e mori në krahë dhe, nga Kanadaja, e çoi atje ku ishte vend i shenjtë i heroizmit dhe i lirisë, në Prekaz të Kosovës.

 

E njoha Hytbiun në një vit të shënuar për kombin tonë, në vitin e 100-Vjetorit të Pavarësisë. E shoqërova atë, së bashku me të vëllanë, mikun tim Kadriun. Shëtitëm në bulevarde dhe sheshe të Tiranës, biseduam për ndryshimet, për ndërtesat që s`ishin më dhe për të rejat, për mjediset e gjelbëruara, shfaqëm konsiderata por edhe merakun që disa gjëra mund të bëheshin më mirë. Vizituam ekspozitën ku shfaqeshin punimet për konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Hytbiu ndihej më shumë se i gëzuar, ai ishte i lumtur. Thoshte se ishte me fat që po merrte pjesë në atë ngjarje të madhe në përkujtim të ditës më të shënuar të kombit, pavarësisë, të shpallur më 28 Nëntor 1912. Kompozimi i i tij “Memoriali” që kishte paraqitur në atë konkurrim, ishte një bashkëpunim artistik me arkitektin Hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton dhe punon, po në Kanada. Bëmë edhe fotografi, bashkëbiseduam edhe për vepra të tjera të paraqitura në atë konkurs, kaluam edhe një drekë bashkërisht të ftuar prej Hytbiut. Ajo ditë mbeti për ne e paharruar, një kujtim i çmuar. Nuk thonë kot që ditët nuk janë ato që ke jetuar, por ato që mbeten në kujtesë. Gjatë gjithë kohës që ishim bashkë, shihja gjendjen emocionale të Hytbiut, bukurinë e shpirtit të njeriut të mirë dhe të ditur, që shprehte ndjenja të çiltra dhe të sinqerta, që nëpërmjet fjalës përcillte mesazhe paqeje dhe dashurie. Siç shprehen miqtë dhe shokët e  tij që shkruajnë në këtë libër: “Hytbiu, miku dhe shoku i të gjithëve, përmbi talentin kishte thjeshtësinë, mirësjelljen, urtësinë, respektin, shpirtin e madh dhe fisnikërinë. Të dëgjonte me kujdes pa të ndërprerë, me shikim aq të butë e të qetë… Në çdo fjalë kishte diçka të bukur, që të bënte të mendoje, të qeshje, të gëzoje, të mësoje…”

Hytbiu e  kishte me shumë merak të vishej me kostumin kombëtar shqiptar, aq sa Kadriut dhe mua “na ranë këmbët” për ta gjetur atë kostum nëpër dyqanet e  Tiranës. Ia treguam këto Hytbiut, duke vlerësuar dashurinë dhe respektin  tij për veshjen kombëtare shqiptare.

 

 

-Po,-tha,-ai kostum ishte i plotë, i bukur, pa asnjë mangësi. E doja jo vetëm ta vishja vetë, por edhe t`ua tregoja të tjerëve, miqve, shokëve, por edhe kanadezëve. Doja t`u tregoja atyre se sa e bukur është veshja kombëtare shqiptare. Në bisedë sollëm edhe Lord Bajronin. Piktura që e paraqet atë më bukur, është ajo që ka realizuar piktori Tomas Filips, i cili  e ka paraqitur Bajronin të veshur me kostumin tradicional shqiptar…

Një shpirt të bukur dhe të lirë kishte Hytbiu, një krenari dhe dashuri të rrallë për atdheun dhe kombin, një nderim të jashtëzakonshëm për figurat kombëtare. Se ndryshe, nuk do t`i përkushtohej atyre duke i shprehur me aq përkushtim, finesë dhe bukuri: “Nusja ilire”, “Genti Mbreti i ilirëve”, “Medaljoni i Flamurit” “Himnin Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, “Tekst atdhetar i gdhendur  në gur”, “Mëmëdheu”, Shtatorja e “Nënë Terezës” dhe “Momente të gëzuara”, “Ali Pashë Tepelena”, “Isa Boletini”, “Adem Jashari”; ngjarjet e mëdha kombëtare: “Besëlidhja e Lezhës”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Kongresi i Manastirit”, “Dita e Artë” -shpallja  e Pavarësisë”, por edhe portrete të artistëve si ai i Mirush Kabashit dhe këngëtares me famë botërore Inva Mula… Me vepra të tilla artistike dhe me të tjera  që përcjellin art të vërtetë te shikuesi, artisti Hytbi Tarelli ia arriti të shprehte talent të madh, aftësi dhe vizione, mençuri dhe mprehtësi, teknikë të përkryer në penel dhe në daltë,  origjinalitet në trajtim të karaktereve, në pamje, realizim dhe përmbajtje. Ai shfaqet edhe si një artistë romantik, por, po aq, edhe realist, ai  ëndërron dhe krijon i përfshirë gjithnjë dhe tërësisht në frymëzim, ashtu siç sythet dhe lulet që çelin nën erërat pranverore. Të tillë shpirti kishte Hytbiu, donte të nderonte jo thjesht veten, por vendin e tij, për të cilin ndihej krenar dhe e ëndërronte gjithnjë. E si mund ta harrojë lexuesi i këtij libri momentin kur duke udhëtuar në Shqipëri, ai i kërkoi shoferit ta ndalte makinën dhe, duke u kërkuar falje udhëtarëve të tjerë, u tregoi bukuritë e peizazhit shqiptar dhe u tha: ”-Unë jam piktor dhe jetoj në Kanada. Nuk dua ta humbas këtë pamje magjike të qiellit shqiptar. Dua ta marr me vete këtë copë qiell dhe retë që lodrojnë mes tyre. Këto pamje nga vendlindja ime, dua t’ua tregoj edhe mërgimtarëve të tjerë, që jetojnë në dheun e largët. Dua t’i hedh në telajo. Kemi shumë mall…”

Hytbiu ishte talent i lindur, një vlerë kjo e cila iu shfaq që në fëmijëri dhe që ai e ushqeu me përkushtim dhe dashuri gjatë gjithë jetës. Siç kujton vëllai i tij Kadriu, por edhe vet Hytbiu, kujtimet më të hershme që shprehnin dashurinë e tij për artin ishin vizatimet në moshën 5-6 vjeçare në anët e hambarëve të drithit, ku për të vizatuar përdorte thëngjij. Me skicat e asaj moshe ai mundohej të shprehte botën që e rrethonte, natyrën, pemët, lulet, zogjtë, gjithçka që i bënte përshtypje, gjithçka të dashur dhe të bukur. 

Hytbiu nuk kreu shkollë të posaçme artistike, ndonëse e kishte ëndërr. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, fitoi konkursin për në Liceun Artistik të Tiranës, por nuk u lejua të shkonte atje. As më vonë në Institutin e Lartë të Arteve. Arsyeja ishin absurditetet e kohës, fantazma  e biografisë. Por Hytbiu nuk u tërhoq, ai bëri më shumë, bëri shkollën e  jetës, shkollën që i dha hov, motiv dhe kuptim shpirtit dhe zemrës së tij, duke ia falur këto cilësi e virtyte të tij edhe veprave të artit. Sa bukur i thoshte bashkëshortes: Unë kam dy dashuri: Ty dhe Artin. Kështu dhe eci në jetë, me besnikëri dhe përkushtim të lartë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të shtrenjtë, por dhe ndaj artit që e deshi aq shumë. Me këtë frymë e dashuri ai i përcjellë veprat edhe sot tek ne, por edhe tek brezat që do të vijnë. Ata do të shikojnë dhe do t`i përjetojnë vlerat artistike të Hytbi Tarellit, por edhe do të mësojnë nga ai shembullin se si punët e nisura, dëshirat dhe ëndrrat, pasionet dhe qëllimet, duhen çuar me vullnet e këmbëngulje deri në fund. Ata do të kujtojnë këshillat e tij  që rridhnin nga përvoja  krijuese: ”Duaje artin, jeto me artin dhe  sakrifiko për artin!».

Edhe ne sot jemi entuziast, jam i sigurt edhe ata që do të vijnë, kur të dëgjojnë se artisti Hytbi Tarelli, veprën e vetë që e kishte më të shtrenjtë se veten, statujën e heroit Adem Jashari, e mori në krahë dhe, nga Kanadaja, e çoi atje ku ishte vend i shenjtë i heroizmit dhe i lirisë, në Prekaz të Kosovës.

Si dhe artistë të tjerë, ai dëshironte që veprat t`i gëzonte populli, ndaj dhe donte  që edhe vepra të tjera t`i shikonte në vendet e duhura. Për “Skënderbeun”  e larë me flori, thoshte: “Ky bust më ka lodhur por e kam punuar me shumë dashuri. Kur e përjeton krijimin, e mposht lodhjen. Kam dëshirë që ai të vendoset në ndonjë mjedis shqiptar”. Në krijimtarinë e Hytbiut janë me dhjetëra punë të ndryshme të shpërndara nëpër institucione shtetërore dhe galeri arti, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e  Bilisht, por dhe shumë prej tyre në Kanada. Ato i gjen në shkolla, qendra dhe sheshe publike, parqe, por edhe në shumë familje shqiptare që vet Hytbiu ua ka falur me gjithë zemër dhe  bujari.

Falënderimi dhe mirënjohja shkojnë kurdoherë bashkë kur bëhet fjalë për njerëz dhe artist si Hytbi Tarelli. Ndaj ne sot e  falënderojmë Hytbiun për ato vepra artistike me klas, me botë dhe plot jetë, për ato vlera të rralla dhe origjinale, të cilave mendja, dora dhe shpirti i artistit të vërtetë u dha  frymë, energji, bukuri, stil, lëvizje, ajër, dritë, gjallëri, plasticitet, ngjyrë, u dha shpirt, ndjeshmëri dhe jetë, i bëri të pavdekshme. Hytbiu projektoi një rrugë të hapur dhe plotë dritë, ku sot po  ecën plot siguri biri i tij i dashur Elisi, i cli me talentin e spikatur, po i ngre edhe më lartë vlerat e rralla të babait të tij të talentuar, artistit të rrallë dhe mendjendritur.

Janë të shumtë ata që kanë shkruar në këtë libër. Detyra ime si recensent ishte që të bëja një vlerësim kritik për veprën. Por çfarë mund të bëj tjetër, veçse t`u  shprehë të gjithëve respekt, nderim të thellë dhe mirënjohje për gjithçka ata kanë shkruar, duke vënë në vend të fjalëve, ndjenja të dala nga thellësia e shpirtit dhe nga zemrat e tyret të bukura për njeriut e dashur dhe  artistin e shquar Hytbi Tarelli. Të gjithë kanë shprehur ndjenja të thella dashurie për Hytbiun, dhembje dhe mall që s`e kanë më pranë, por edhe krenari për veprën e tij.

Hytbi Tarelli lindi në Devoll, por, me emrin dhe veprën e tij të shquar, i përket të gjithë Shqipërisë…

Krenar për vendlindjen – Nga FRAN GJOKA

 

 

Një vështrim rreth veprës “Shmili-një rrugëtim në shekuj”, të studiuesit elbasanas, Agim Qoku

 

 

Me krijuesin me origjinë nga Çermenika, z. Agim Qoku kam njohje që në rini, kur së bashku shkruanim në organet e shtypit. Agimi është mësues, ndërkohë që për aftësitë e tija drejtuese ka qenë zgjedhur prej shumë vitesh drejtues në disa shkolla të rrethit e që këtë detyrë e vazhdon me sukses edhe në ditët e sotme. Emri i tij është bërë tashmë i njohur në rrethin Elbasanit dhe më gjerë si drejtues me vizion të spikatur, si specialist me përvojë në fushën e mësimdhënies, por edhe si një publicist që dallon dukshëm me artikujt e tij të ideuar bukur, e sidomos kur trajton tema me interes për arsimin dhe pedagogjinë në radhë të parë, por edhe për fusha të tjera të publicistikës, të letërsisë, të historisë dhe të kritikës, ndërkohë që shquhet edhe si një studiues i kualifikuar dhe kontribues.

 

Njohja ime me këtë krijues dhe publicist të talentuar erdhi e  u forcua vecanërisht kur, bashkë edhe me shumë e shumë kolegë të tjerë, bashkëpunonim dhe jepnim ndihmesën tonë për botimin e gazetës “Mësuesi”, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (Sportit). Mund të them se gjithnjë Agimi ka qenë dhe mbetet një shembull i njeriut të formuar me personalitet dhe kulturë të lartë pedagogjike, publicistike e kulturore.

 

Cilësitë e vyera të Agimit dhe personaliteti i tij si drejtues arsimi dhe krijues në shumë fusha, më  nxitën të hedh në letër edhe disa konsideratat të merituara për këtë koleg të nderuar, por edhe të shkruaj për librin e tij të kohëve të fundit me theks studimor “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, sintezë e një pune kërkimore disa vjeçare në fushën e studimeve monografike dhe historike, një libër që autori ia kushton vendlindjes së tij Shmilit, fshat dhe katund i njohur, jo vetëm në zonën e Çermenikës dhe të Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë.

 

                     

                                             

Ngjarjet historike që autori përshkruan në këtë vepër janë aq interesante dhe të thjeshta, saqë edhe lexuesi më i zakonshëm përjeton me emocion historinë e lindjes dhe zhvillimit të krahinës gjatë periudhave të ndryshme të historisë. E në këtë fushë, Agimi shfaqet me prirje historian i spikatur, i kujdesshëm dhe i saktë, si në përshkrimet e gjalla dhe bindëse, ashtu dhe në thellësinë e argumentimit të tyre, bukurin e  vlerave që përbëjnë këtë krahinë dhe si dhe vet  Shmilin e njohur,  Katund i parë i kësaj treve, e që ruan në gjirin e  tij vlera të shumanshme: historike, arkeologjike, sociale dhe kulturore dhe, si rrjedhojë, bënë krenar cdo banorë të saj, por dhe rrezaton në historinë e trevës së Elbasanit si një margaritar i rrallë.

Libri “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, përcjellë te lexuesi episode të bukura, tërheqëse dhe  mbreslënëse të cilat, krahas informacionit të zgjedhur që ofrojnë, të bëjnë ta duash dhe të ndihesh edhe më shumë për këtë trevë të lashtë dhe të vyer shqiptare, madje edhe të kërkosh të dishë për herë e më shumë. Janë vlera të vërteta që i ka një libër i mirë, që lexuesi e ka tashmë në duar dhe që e bëjnë të ndihet krenar me vendin dhe atdheun, i cili, sic dëshmon edhe ky libër, por edhe e gjithë historia dhe kultura e popullit tonë, në cdo pëllëmbë të kësaj toke të begatë, spikat dukshëm një kulturë e pasur dhe  e rrallë, e cila vjen nga ilrët e përcillet pastaj në shekuj e breza njerëzish që kanë qenë pjesë e vyer e kombit shqiptar e që kanë pasur gjithnjë lajtmotiv të tyre: lirinë dhe pavarësinë.

 

Është interesant fakti se z.Agim Qoku, në këtë libër shquhet për një punë kërkimore e shkecore, vecanërisht kur ai kërkon rrënjët e historisë së formimit të krahinës së Shmilit dhe të Çermenikës, e cila daton (argumenton autori) që në kohën e pellazgëve, e ku ajo del me emrin Lugaxhi, nisur nga forma e relievit që ka edhe sot, ndërsa emri Shmil, mendohet të ketë lindur rreth shek. III pas Krishtit dhe vjen nga emri Shen Mëhill, që sot identifikohet me trevën e Çermenikës së Zezë.

 

Sic vë në dukje, në hyrje të librit, recensuesi i tij, shkrimtari i njohur Viron Kona: “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, është një punim që të vë në mendime, por dhe të entuziazmon kur mendon se gjithë këto prurje  historike, arkeologjike, etnografike të traditës etj., janë të mbledhura në një trevë, në një fshat e krahinë, ku densiteti i ngjarjeve historike, cilësitë, veçoritë  dhe tiparet e banorëve janë sa origjinale, aq edhe të pasura me vlera të shumta. Duke lexuar, mendja më thoshte se i tërë trualli shqiptar është i tillë, si një minierë e pazbuluar, që përmban aq shumë “minerale” të çmuara materiale dhe shpirtërore, mjafton të kërkosh e të gërmosh dhe do të shohësh se ky vend është një truall i rrallë dhe i bekuar”.

 

Shmili ndodhet në një vend strategjik dhe me një pasuri gjeografike dhe klimatike të begatë, mendohet se vendbanimet e kësaj krahine shtrihen në një periudhë kohore gati 2500 vjeçare, ku jetonte fisi i njohur ilir i Kandavëve, të cilët kishin hyj një perendeshë ekuivalente me Dianën romake që quhej Zana. Ndër të vecantat e  krahinës, është edhe fakti se aty mendohet të jetë vendorigjina e lindjes së Ditës së Verës, festë e njohur pagane e cila ka përhapje në të gjithë Shqipërinë. Lidhur me ktë ngjarje lexuesi merr në libër një informacion pikant dhe tërheqës, po aq edhe bindës që nxit krenarinë dhe  zbukuron jetën si dhe për festa të tjera origjinale ilire-arbërore-shqiptare. Ndërkohë që do të theksonim këtu edhe Ditën e Rrushit, e cila na tregon se festat lidheshin dhe me dukuri e fenomene që kishin të bënin në mënyrë të drejtëpërdrejtë me jetën e njerëzve, si në kohët e lashtë e deri në ditët tona. Kështu, autori Agim Qoku na shpjegon se festimi i Ditës së Rrushit në Shmil e Çermenikë lidhej me faktin se populli i kësaj krahine ka siguruar gjithnjë rreth 60%  të të ardhurave nga prodhimi i rrushit dhe produkteve të tij.

Libri ka bukuri velerash, emra personalitetesh historikë, toponime të shumta, episode, ngjarje, histori që vënë në dukje faktin se nga treva të thjeshta kanë lindur ata njerëz që kanë bërë historinë e truallit tonë ilir e arbëror. Janë midis të tjerave edhe shumë figura të njohura, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në njohjen dhe zhvillimin e krahinës por dhe të vendit tonë si Pjetër Shmili, bashkëkohës i Imz.Mark Skurës, pjesmarrës edhe në Kuvendin e Dukagjinit në vitin 1602. Në këtë trevë, dikur pagane, në fillim u përhap besimi katolik, aty ndodhen edhe tri kisha, ajo e Shënpremtes, Shënkollit dhe Shëngjonit, madje në këtë krahinë gjënden rrënojat dhe toponimet e 12 kishave, por me pushtimin e trojeve të arbrit nga pushtuesit turq, pupullësia nisi të konvertohej në mysliman aty nga fillimi i shekullit XVIII.

Ishte David Arianiti i cili mes viteve 1001 – 1018, pati krijuar një shtet me dy qendra, njëra prej të cilave në Çermenikë, por pas dyndjes së fiseve gote e sllave, treva bie nën sundimin bizantin dhe Arianitasit mbeten feudal të vegjël.

Shmili është treva ku ka lindur dhe luftuar bashkëpunëtori i afërt i Gjergj Kastriotit, Gjergj Arianiti, i cili përmendet për betejën e zhvilluar në Byshek të Elbasanit më 1432, që shënohet në kronikat e kohës si fitorja e parë e princërve arbnorë. Duhet theksuar se populli kësaj krahine nuk i ka shuar kryengritjet për liri. Një e tillë ishte edhe ajo kundër Dalip Beut që deshi të nënshtronte krahinën e Çermenikës, madje populli i ngriti edhe këngë:”…Dalip Beu, o Dalip jevga, / Merr atë zallë e pre do tjegulla, / Mos pre tjegulla e mos pre tulla, / N’Çermenikë t’i nuk ngre kulla…”, por e ashpër qe edhe lufta kundër reformave të Tanzimatit, ku u dallua udhëheqësi i kryengritjeve, patrioti i njohur çermenikas Selman Lleshi, të cilin e kapën forcat turke pabesisht, por fshatarët patriotë dhe luftëtarë të zonës së Çermenikës msynë mbi trupat turke dhe e liruan.

Patriotët e kësaj treve kanë dhënë një kontribut të shquar edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku veç Iljaz Pashë Dibrës – Çoku, si kryesues i Takimit, morën pjesë edhe Daut Çoku, Ali Hida. Hasan Alia, Seit Duraku etj.

Duke lexuar librin e z.Qoku, që për hirë të së vërtetës jo vetëm e kam lexuar por edhe e shfletoj herë pas here si për pasurinë e ngjarjeve pikante, për argumentimin e tyre, por edhe për vlerat arkeologjike, historike dhe kulturore, më ka ngacmuar mendimi se sa e pasur është cdo trevë shqiptare dhe se cfarë detyrash të mëdha dhe të rëndësishme kanë intelektualët, studiuesit dhe kërkuesit në këto treva, të cilat, përvecse shquhen për bukurinë natyrore dhe origjinalitetin, përbëjnë edhe një pjesë të mozaikut të ndritur të kombit tonë të lashtë.

Kontributi i padiskuteshëm i z. Qoku, ofrimi prej tij i këtij libri plot bukuri dhe informacione të cmuara, na bënë që të dalim në konkluzionin nxitës se historinë tonë do ta bëjmë dhe mund ta bëjmë kurdoherë më mirë vet ne shqiptarët.

 

Gjithnjë ka pasur përpjekje të tilla dhe shumë njerëz kanë shkruar për fshatin, krahinën, qytetin, rrethin apo për e ngjarje të vecanta që kanë ndodhur, por them se është koha kur, sot, Shqipëria me kaq shumë intelektualë, njerëz me kulturë dhe e hapur me botën, mund të sjellë thesare në sipërfaqe të saj, të fshehura dhe të mbuluara nga shekujt dhe pushtimet e njëpasnjëshme që kanë rënë mbi këto popull.

Mendoj se studiuesi, mësuesi, drejtuesi i njohur Agim Qoku po e bënë me dinjitet dhe kompetencë shkencore këtë detyrë ndaj atdheut dhe kombit, ndaj dhe ai, për mendimin tim, është njeri i punëve të mëdha nga duhet të marrin shembull.

Të gjithë kemi detyra ndaj vendlindjes, ato shfaqen në shumë e shumë fusha, por, njëra prej tyre është edhe vepra: “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, e shkruar me përgjegjësi, stil, bukuri e rrjedhshmëri nga kolegu ynë i arsimit dhe i letrave shqipe, studiuesi i njohur elbasanas, z. Agim Qoku.

Përgëzime dhe urime për vepra të tjera!

(Video) Zëri i Amerikës: “Drama jonë e Tiranës”, një ekspozitë revoltë në kryeqytet

Ilirian Agolli

Artisti i njohur shqiptar Avni Delvina çeli sot në Tiranë ekspozitën e tij “Notre Drame De Tirane” – “Drama Jonë e Tiranës”. Kjo sipas tij është një mënyrë e veçantë për të shprehur revoltën e artistit ndaj cënimit të institucioneve demokratike dhe planeve për të shembur Teatrin Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Artisti i njohur shqiptar Avni Delvina paraqiti në Tiranë një seri veprash, ku gërshetohen imazhe nga diktaturat komuniste dhe kryengritjet e qytetarëve kundër regjimeve të dhunshme.

Ai qëllimisht i ekspozoi ato në hollin e Teatrit Kombëtar, i cili sipas tij, është epiqendra e dramave të kryeqytetit dhe e rezistencës qytetare ndaj korrupsionit.

Ekspozita me grafika është vetëm një pjesë e një galerie të gjerë me mbi 80 vepra, që i kushtohen mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, nderimit për artistët që për mbi 80 vjet aktruan aty dhe kundërshtimin e projekteve për ta rrëzuar ndërtesën historike.

Artisti Avni Delvina thotë se nuk mund të mungonte në Tiranë me veprat e veta në këto kohë protestash qytetare ndaj abuzimeve të administratës në çdo nivel dhe dhunimit të demokracisë në çdo institucion. Nëse njeriu mungon në këto protesta për demokraci, atëherë mohon veten e vet, theksoi ai.

Në veprat e kësaj ekspozite autori ka përfshirë shumë dhunë dhe armë, shkatërrime, betonime dhe inerte, të cilat ai thotë se dëshiron t’ia parandalojë Tiranës.

Autori Avni Delvina e vlerëson shumë faktin që ekspozita u çel pikërisht në hollin e Teatrit Kombëtar dhe konsideron veten si një qytetar protestues në mbrojtje të ndërtesës historike.

Avni Delvina ka mbetur i njëjti njeri modest në sjellje e shprehje, siç ishte në vitet 90, një rebel kundër diktaturës. I vetëdijshëm për fuqitë dhe cilësitë e veçanta të veprave të tij, që lartësojnë vetëm demokracinë dhe vlerat njerëzore, ai është gati të rebelohet sa herë që ato cënohen .

 

EMINE HOTI, “MARIGOJA” SHQIPTARE NË NORVEGJI – Nga Kadri Tarelli

Libër kushtuar poetes, stilistes dhe veprimtares shqiptare

Këto dit, të vjeshtës së dytë, 2019, doli në qarkullim libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”, monografi e autorit Viron Kona, kushtuar poetes, shkrimtares, stilistes dhe veprimtares atdhetare, Emine Hoti, shqiptare nga Drenica e Kosovës.

Vetë titulli i librit dhe fotografia e vendosur mbi kapak, flet shumë dhe kursen fjalët mbi përmbajtjen, që është tërësisht në shërbim të atdhetarizmit të kësaj zonje shqiptare. Është përkushtim atdhetarie dhe dashuri e shprehur me vepra dhe jo me fjalë. Besoj se ky motiv rrezatues, e ka shtyrë autorin Kona, të ndërmarrë këtë studim të admirueshëm, si model të shpirtit atdhetar të shqiptarit.

Lexuesit, besoj nuk i le gjurmë biografia, më shumë se veprimtaria e kësaj zonje të nderuar. Dhe, libri e zgjidh bukur këtë dilemë, duke shtjelluar bëmat e saj, që natyrshëm janë edhe brumi që gatuan jetëshkrimin. Besoj se kjo formë është gjetur mjaft mirë nga autori dhe e mbërthen lexuesin ta çojë këndimin deri në faqen e fundit, duke pyetur: Ç’ i shtyn këta burra dhe gra të fisme, drejt një idealizmi pa kufi, për t’i shërbyer kombit, pavarësisht vështirësive që ka emigracioni, ku lufta për mbijetesë është e madhe? Vërtet raca shqiptare paska ende të tilla heroina trime, të forta e të durueshme, të guximshme e të qëndrueshme para vështirësive, të buta, bujare e të dhimbsura ndaj atyre që kanë nevojë, të afta të sakrifikojnë nga vetja, nga koha, nga buxheti i familjes, në emër të atdhetarisë, në emër të humanizmit, në emër të shqiptarizmit? A kemi të drejtë të krenohemi me të tillë njerëz, që mbartin mirësi dhe falin urtësi, pa më të voglin interes dhe përfitim vetjak?

Mendimi shkon më përtej: Sa përcillet te brezi i ri nëpër shkollat tona, përvoja dhe shembulli i tyre? Pse hallakatemi të fusim në tekstet shkollore shembuj nga bota, që nuk e dimë ku janë e nga janë, dhe mbyllim sytë për heronjtë tanë shqiptar, që i kemi me bollëk mes nesh? Është një pyetje që po e përsëris sot, por që e kam bërë më parë, kur publikova shkrimin: “Përmendore për një misionar të shqipes”1, kushtuar jetës dhe veprës së leksikografit Sadulla Zendeli (Daja), shqiptar nga Gostivari, hartuesit të disa fjalorëve shqip-suedisht, i cili jeton prej vitesh në Suedi. Në të vërtetë thesi i pyetjeve është i madh, për kushtet në të cilat po jetojmë sot, kur një pjesë mjaft e madhe e të rinjve kërkojnë të largohen.

Shembulli i znj. Emine, pavarësisht se duket disi i rrallë e i vetmuar, vetiu shndërrohet në një institucion edukimi atdhetar i klasit të parë, mjafton që nxënësit apo të rinjtë, vajza dhe djem, ta njohin jetën dhe veprën e saj, si grua, nënë, gjyshe dhe veprimtare. E gjitha kjo, duke lexuar këtë libër me vlera të mëdha njohëse dhe edukative, ku veç takimeve, bisedave në katedra universitetesh, nëpër biblioteka dhe kuvende librash, do të gjejmë edhe vlerësime nga pena të njohura, për krijimtarinë e saj letrare.

Ajo që bie në sy, gjatë leximit të librit, janë fotografitë e shumta që fiksojnë çastin dhe flasin me gjuhën e tyre pa fjalë, për frymën e bashkimit mes shqiptarëve dhe lartësimi të vlerave tona. Mrekullohesh nga ngjyrat e kostumeve dhe veshjeve kombëtare. Punime të nxjerra nga duart e saj të arta, që ia dhuron fëmijëve dhe të rinjve kudo që shkon, në trojet arbërore apo nëpër botë, ku është mërguar raca jonë. Dëshira e zjarrtë, që ata të duken më të bukur, të dallueshëm nga të tjerët dhe për t’u njohur që janë shqiptarë, pa qenë nevoja të pyesësh.

Të gjithë krijuesit, besoj, kush më shumë e kush më pak, i shërbejnë shqiptarizmit, secili sipas aftësisë dhe mënyrës së vet, dikush në poezi, letërsi, muzikë, pikturë-skulpturë, sport dhe më tej, në studime shkencore. Ndërsa Emineja jonë, shkëlqen në muzikë, poezi, prozë, stiliste e veshjeve dhe qëndistare e flamurit, duke shtuar me krenari edhe si veprimtare dhe luftëtare e orëve të para, për çlirimin e Kosovës dhe emancipimin e femrës shqiptare.

Duke lënë mënjanë frymëzimin, mendim shkon më përtej gjykimit dhe përjetimit të çastit: A mund ta quajmë këtë zonjë të nderuar një misionare të shqiptarizmit? Ç’ bëjnë më shumë misionarët shërbestarë ndaj zotit? A është shqiptarizmi, më i larti besim ndaj kombit, kur vetë Pashko Vas Shkodrani, një shekull më parë tha me zë të lartë, që e dëgjoi bota mbarë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”? A kam të drejtë ta quaj këtë bijë dardane, një “Nënë Tereza”, si veprimtare deri në adhurim ndaj shqiptarizmit?

Libri i studiuesit Viron Kona është një monument, që i kushtohet veprës së kësaj heroine, kësaj shqiptareje me shpirt e zemër të madhe, që s’pushon së rrahuri për komb e flamur. Të tjerët që do të vijnë më pas do ta lartësojnë më tej, pasi dëshira, energjia dhe vullneti i saj, ka ende shumë për të bërë në dobi të idealit kombëtar.

Urime Autorit Kona dhe znj. Emine, për vepra të tjera më të bukura e të madhërishme!

Në mbyllje pak vargje:

Marigo dardane!

Çikë Dardanie, oj Emine Hoti!

Shpirti yt i pastër, porsi pikë loti.

Bjeshkët i flladit, zjarr i ndez gurit,

Shqiponjën qëndis, në mes të flamurit.

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 30. 10. 2019.

 

  1. Shkrimi u publikua: V. Kona. Libri “Ju dua më shumë se veten”, portali “Fjala e lre”, 23. 05. 2015. “Zemra shqiptare” dhe “Tribuna shqiptare”, datë: 23 dhe 25. 05. 2015.

NJË JETË KUSHTUAR SHKOLLËS, EDUKIMIT DHE KRIJIMTARISË LETRARE – Nga Kadri Tarelli

Mësuesi, gazetari dhe shkrimtari Bashkim Saliasi

Këto dit vjeshte, mes tetori 2019, kolektivi mësimor i shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”, në Babru-Fushë, Bashkia Kamëz, organizoi një veprimtari festive në një lokal në rrëzë të malit të Dajtit, për nder të kolegut nëndrejtor CL, z. Bashkim Saliasi, dhe mësuese e CF znj. Floresha Bilo, të cilët dolën në pension.
Veprimtarinë e vlerësuan dhe e nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Drejtori i Zyrës Arsimore Vendore Kamëz, z. Gentjan Murataj; Shefi i Burimeve njerëzore, Sulejman Keta; Specialisti i kurrikulës, shkrimtar dhe publicist, Andon Andoni; Shkrimtari i mirënjohur për të rritur dhe fëmijë, vlerësuar me çmime të ndryshme në fushën e letërsisë, miku i shkollës Viron Kona; psikologja e ZAK-së Fatjona Radhima dhe Kadri Tarelli, si mik i ardhur nga Durrësi.
Drejtoresha e shkollës, znj. Merita Prenga, drejtuese energjike me oratori të përkryer, përshëndeti në emër të kolektivit mësimor, miq e të ftuar dhe kolegë të dy mësuesve që dolën në pension: “Respekte e mirënjohje për të ftuarit, që na nderuan jo vetëm me prezencën e tyre, por dhe me përshëndetjet e tyre tepër miqësore për misionarët e dijes, Mësuesit”.
Ajo vlerësoi lart punën me përkushtim dhe profesionalizëm të dy kolegëve, duke uruar shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, njëkohësisht kërkoi, që kolegët e nderuar të mos shkëputen nga veprimtaritë e shkollës, ku do të jenë përherë të mirëpritur. Një urim të veçantë dha për Bashkimin, që ta vazhdojë punën krijuese në dobi të shkollës dhe arsimit shqip.
Shkrimtari dhe studiuesi z. Viron Kona, si mik i vjetër i kësaj shkolle, përshëndeti të pranishmit, duke i kushtuar një fjalë plot nderim e mirësi krijuesit dhe gazetarit të njohur Bashkim Saliasi:
I nderuar miku ynë i veçantë!
Është një nder ky takim kaq i bukur. Kur të duan dhe të respektojnë kolegët e punës me të cilët ke punuar, ke bashkëpunuar dhe ke ndarë shqetësime e suksese të përbashkëta, atëherë ndihesh më shumë se i lumtur, ndihesh i vlerësuar.
Kur del njeriu në pension, për pak çaste secili përfytyron jetën dhe punën e tij, sigurisht edhe moshën, të cilën nuk e ndalim dot, sepse ajo vërshon si lumi dhe nuk na pyet, por ne kemi mundësi që ta jetojmë ashtu siç duhet, t`i vendosim asaj «diga» që të prodhojmë sado pak dritë dhe mirësi për vete, për familjen dhe për shoqërinë. Cilido që lëshon dritë, është i respektuar dhe i dallueshëm. Edhe një bukureze (xixëllonjë) vlerësohet, sepse ndriçon qoftë edhe një çast errësirën e natës dhe, jo më njeriu që sakrifikon dhe shkrihet gjatë gjithë jetës, përkushtohet e mundohet për pakëz dritë, për të ecur i ndriçuar dhe i orientuar, për të ndihmuar veten, familjen e dashur, kolegët dhe miqtë, të gjithë shoqërinë.
E ka kryer këtë detyrë Bashkimi në vitet e punë dhe të jetës, në shkollat ku ka punuar: si në Skrapar, edhe në Tiranë, e veçanërisht unë kujtoj shkollën »Niko Hoxha» të Valiasit dhe tani në mbyllje, shkollën «Vllëzërimi», emërndritur dhe emërbukur.
Pata fatin ta njohë Bashkimin në vrullin e punës kur botonim gazetën «Mësuesi», atëherë kur Bashkimi sillte atje mendime dhe artikuj plotë jetë, freski dhe gjallëri nga shkolla ku punonte. Ai na e sillte shkollën në gazetë dhe ne i ishim mirënjohës, sepse një gazetë nuk e bënë një staf, sado i përkryer, por e bënë një staf i mirë me bashkëpunëtorë të mirë.
Juve e njohët Bashkimin në shkollë: edhe gjatë procesit mësimor, edhe jashtë tij, veçanërisht njohët ritmin dhe dashurinë e tij për pedagogjinë dhe nxënësit, për shkrimtarinë e tij dhe pasionin për librat.


Djathtas: Sulejman Keta, Merita Prenga, Gentian Murataj, Bashkim Saliasi

Vlerat e Bashkimit për të botuar vepra publicistike dhe letrare kanë qenë dhe janë një arritje origjinale e tij. Po aq, edhe planet, projektet dhe ëndrrat për të shkruar edhe në të ardhmen. Nuk mund t`i bëjmë dot të gjitha në jetë, por nëse bëjmë më të mirën tonë, atëherë kemi bërë gjithçka.
Duke realizuar më të mirën e tij, Bashkimi është sot ndër të përzgjedhurit tanë, na nderon dhe na bënë krenar me miqësinë e tij.
Tani miku ynë është përpara një starti të ri, ku me siguri do të vijojë të ecë me energji dhe projekte të reja, për të kryer vepra të tjera humane dhe shkrimore.
Të urojmë miku ynë Bashkim, pension sa më të gëzuar, ty së bashku me familjen! Të urojmë jetë të gjatë, edhe 100 vjet të tjera, por edhe 100 vepra të tjera publicistike dhe letrare: Urime dhe falënderime të gjithëve ju, kolegë të dijes dhe të kulturës!



Djathtas: Andon Andoni, Viron Kona, Kadri Tarrelli, Sulejman Keta, Bashkim Saliasi.

Në këtë kuvend festiv, ku vazhduan gjatë, urimet e fjalimet, vallja, kënga, recitimet, shkëmbime e dhurime librash, edhe unë Kadri Tarelli thashë fjalën time; Më takonte si mik i vjetër i ardhur posaçërisht nga Durrësi:
– Përshëndetje miku ynë z. Bashkim! Jemi miq të hershëm, që na njohu dhe na miqësoi gazeta “Mësuesi”, ku shpesh takoheshim në mjediset e redaksisë, kur çonim shkrimet tona modeste. Çuditërisht dhe mirësisht ndoqëm të njëjtën udhë, udhën e bukur të publicistikës, krijimtarisë letrare dhe botimit të librave. Jam i nderuar që ndodhem në këtë takim mbresëlënës, të cilin e quaj “Kuvend festiv” mes mësuesve, të cilëve u thërras me gojën plot: “Misionarë të dijes”. Edhe ju jeni një misionar i dijes.
Urime miku ynë! Urimet nuk do të pushojnë edhe për shumë kohë, pasi të gjithë miqtë e shokët, veçanërisht nxënësit e tu, do të kenë përsëri mundësi të të urojnë për librat dhe shkrimet e tua. Shëndet dhe penë të begatë! Kurdoherë qofsh mes miqsh e shokësh, që vlerësojnë punën, përkushtimin, ndershmërinë dhe krijimtarinë tënde!
Mbase nuk them gjë të re, por krijuesit nuk e përfillin moshën e pensionit, madje Heminguej dikur thoshte: “Pensioni është fjala më e shëmtuar në gjuhë”. Vërtet ke kohë me bollëk, por do ta ndjesh se nuk të mjafton, aq sa edhe kafen kur do ta pish, do ta quash kafe pune.
Atmosferën festive e ndezi edhe një herë Çaush Kullafi, mësues i kësaj shkolle, kur recitoi vargje kushtuar heroit të festës, Bashkimit:
……………
Kurorë me urime, profesor Bashkimi!
Merr sot nga kolektivi i shkollës Vëllazërimi.
Orët kaluan shpejt, pa u ndjerë dhe pa e zbehur gëzimin e festës.
Ishte kënaqësi për mua, kur Bashkimi më dhuroi librin e tij të fundit: “Shkolla Vëllazërimi”, një libër historik, kushtuar mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle.
Shëndet të plotë, jetë të gjatë e të gëzuar, i nderuar koleg!

Kadri Tarelli
Durrës më: 19, vjeshta e dytë, 2019

Ditët e “Mbretëreshës Teutë” në Prishtinë-2019 “Ti nuk je vetëm”

Me këtë kauzë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë (të dhënat flasin për 20 mijë) organizata mbarëkombëtare me seli në Zagreb “Mbretëresha Teutë” me Presidente Znj.Shenida Bilalli, realizoi këtë projekt  në Prishtinë.

Po ashtu ishte e ftuar Albanian Exellence me ekspozitën fotografike “121 jetë suksesi në 121 foto”.

Koncepti i kësaj mbrëmjeje me të ftuara :

Brunilda Paskali-këshilltare e Presidentit të Shqipërisë

Dr.Feride Rashiti-KRCT-Kosovë

Vasfije Krasniqi-SHBA,heroinë për të drejtat e grave

Ramize Myrtezi-Shala,autore e librit.

Logoja e purpurt në banerin e “Mbretëreshës Teutë” sikur iu shtuan ngjyrat nën valëvitjen e flamurit të Kosovës e flamurit kombëtar e me ritmin e 2 himneve kombëtarë shqip kënduar Besa Llugiqi -soprano dhe Ermira Lefort-piano.

Salla e të pranishmit,me solemnitet e krenari,po ndjenin hapjen e një spektakli të rëndësishëm madhështor, antik-historik-social-artistik.

3 Tabllotë e baletit u hapën me ritme daulleje dhe ushtarë ilirë që paralajmërojnë ardhjen e Teutës.

Narratori Ali Topalli lexonte në kontekstin e historisë tekstin përpara interpretimit të baletit, me skenat

“Teuta në fron”

“Teuta luftëtare”

“Teuta e tradhëtuar”

me koreografi të Shenida Bilallit dhe asistentes së saj,prima balerina Vjosa Llugiqi,mbushën plot emocion me mesazhet që transmetoi çdo koreografi baleti.

Monologu i Teutës u lexua nga Vjosa Abazi.

E pra kishte pika takimi dhimbje,drame e kërkesë për drejtësi,në koncept me kauzën “Ti nuk je vetëm”

Fjala e Znj.Vasfije Krasniqi,emocionoi me guximin ,dinjitetin dhe kërkesën e përsëritur për gjykim të aktorëve të këtij krimi.

Me plot gra e vajza të reja në hollin e Biblotekës Kombëtare të Prishtinës,ishte shëmbulli më i mirë i kurajos dhe vendosmërisë që shpalosej atë mbrëmbje nga ato dëshmi.

Mes personaliteteve që morën fjalën si Znj Brunilda Paskali,Shenida Bilalli,Feride Rushiti, Flora Nikolla,

Çmimeve që u dhanë nga “Mbretëresha Teutë” shkuan për -Vasfije Krasniqi-Goodman heroine e të drejtave për gratë,

-Feride Rushiti për kontributin e çeshtjeve të grave të dhunuara

-Ramize Shala-Myrtezi për librin “Unë e përdhunuara”

-Flora Nikolla për evidentimin e jetëve te suksesit të grave

-Vjollca Llugiqi për kontribut të evidentimit të vlerave artistike kombëtare.

Gjithnjë me emocion në rritje,ku çdo etapë e mbrëmjes alternohej me larminë e kërcimit të grupit” Lady’s dance” të këngëve të korit”Nexhmije Pagarusha” aq mirë profesionalisht prezantuar, të grupit “Ilirë”, Ansambli “Anamorava-Viti” drejtuar nga Arianit Hetemi, Ansambli “Zeri i Kosovës” nga Fushë-Kosova me drejtoren Nurie Avdiu,mësuese e parë e shkolles shqipe në Zagreb, ku me një energji të mrekullueshme,
nga rrëfimi i fenomenit e dramës reale të viktimave të dhunës,treguan tone force e optimizmi për kauzën e atmosferën gjithnjë në rritje emocionalisht artistikisht. Gjithashtu, vazhduan me

-Shpresa Gashi që këndoi aq bukur Arien e Mrikës nga Prenk Jakova

-“Sempre libera” te G.Verdi e

-“Agimet Shqipëtare” të A.Mulës kënduar me aq pasion drithërues nga soprano e mirënjohur Besa Llugiqi.

-Tokatta e F.Ibrahimit për piano,me inspirim nga ritmi i daulles e melosit verior me fyell, interpretuar nga pianistja Ermira Lefort.

“Mbretëresha Teutë” nga (Skutari) Shkodra u bë paksa e kohëve që jetojmë ,me Ariet lirike shkodrane, kënduar ëmbël e me sharm nga këngëtarja shkodrane Gentjana Tafili.

Vijoi me shikimin e ekspozitës së Revistës “Iliria” revistë dy gjuhëshe shqip-kroatisht me kryeredaktore Shenida Bilallin dhe Ekspozitën”121jetë suksesi në 121 foto” te Albanian Exellencë.

Lidhur me ngjarjen, dizajnerja shqiptare e njohur në Evropë me krijimet e saj, që jeton dhe vepron në Gjermani, Flora Suldashi, e vlerësoi këtë aktivitet dhe uron që të kenë jehonë të madhe dhe që “Ditët e Teutës” të shndërrohen në traditë. Dizajnerja Flora Suldashi shkëlqeu me paraqitjen, e veshur në të zeza, përplot stil. Ajo njihet për veshje të panumërta që ka krijuar për shumë figura të njohura shqiptare e përtej trojeve shqiptare.

Ky projekt me kauzë e mesazh në art gjithashtu,ishte një risi për pjesmarrësit jo vetëm nga Prishtina por ardhur nga shumë shtete si Suedia,Gjermania,Zvicra, Italia etj e po ashtu Këshilli për pakica kombëtare të Kroacisë që mbështeti për kostumet e baletit,bëri pra që publiku të ishte tejet admirues.

Me profesionalizëm e lirshmëri, të gjithë komponentët e projektit “Mbretëresha Teute” dhe kauzës “Ti nuk je vetëm”,prezantimin e bëri moderatorja e njohur Alketa Gashi-Fazlliu

Dita e 2 e “Mbretëreshës Teutë” vazhdoi me tryezën e rrumbullaktë të anëtareve të bordit ku u shkëmbyen ide të reja bashkpunimi e prezantimi të këtij projekti në shtete të tjera në vazhdim.

Me ftesë zyrtare nga ambasadorja kroate në Prishtinë Danijela Bariśić delegacioni ishte i pranishëm në ambasadë ku u vlerësua puna e gazetares,regjizores e koregrafes Znj.Shenida Bilalli dhe stafit e gjithë bashkpunëtorëve të “Mbretëreshës Teutë”.

U evidentua me përgëzim nga gjithë delegacioni, mbështetja që qeveria Kroate i jep kësaj organizate dhe Revistës “Iliria”.

Po ashtu u diskutua që kauza “Ti nuk je vetëm” të marri dimension më të gjërë edhe për gratë e dhunuara të Kroacisë,Bosnje-Hercegovinës në një projekt të përbashkët.

Axhenda vazhdoi më pas me vizitën në Muzeun Kombëtar të Prishtinës pritur nga Drejtoresha Znj Alisa Gojani-Berisha.

Antikiteti i ekspozuar por dhe stenda me veshje të grave e objekte të dhunimit,përloti dhe trazoi shpirtra.

Drejtoresha e muzeut tregoi interes për bashkpunim në aktivitete të ardhëshme me “Mretëreshën Teutë”

Në përfundim të ditës bordi dha intervista në Radio RTK të cilat i  realizoi me pyetje profesionale e ndjeshmëri të lartë gazetarja e nderuar Drita Miftari.

TV KOSOVËS ishte mbështetësi mediatik i spektaklit të “Mbretëreshës Teutë” ku antikiteti,historia, kauza “Ti nuk je vetëm” u ndërthurën aq bukur me art,solidaritet, humanizëm e vullnetarizëm të grupimeve shoqërisë civile e artistike,që Znj.Shenida Bilalli bashkoi në këtë spektakël të shkëlqyeshëm, plot vërtetësi mbështetjeje, ngjyrash baleti e muzike.