VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vuçiç: Serbia me investime në Republikën Sërpska

By | January 29, 2020

Komentet

Bërnabiq: Nuk kam informacione se Serbia ka ndaluar fushatën kundër Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk ka informacione se vendi i saj ka ndaluar fushatën e tërheqjeve të njohjeve të Kosovës.

Të enjten, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“E kam parë këtë lajm, por jo edhe burimin e këtij lajmi. Kur flisni për lajm nga Brukseli, unë nuk e di se çfarë do të thotë. A vjen nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, apo e ka thënë ndonjë njeri në rrugë dhe ne e marrim atë si burim të ligjshëm”, tha Bërnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Ju kërkoni nga unë të komentoj lajme jozyrtare, që janë publikuar në mënyrë tendencioze dhe në kohë tendencioze”, shtoi Bërnabiq.

Ajo tha se përsërit qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe “qëndrimin e shtetit” se Serbia, gjatë dialogut, “mund të pezullojë bisedimet me shtetet tjera që mendojnë se kanë gabuar me njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, nëse Prishtina i pezullon bisedimet e saj për të arritur njohje të reja dhe për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare”.

“Mendojmë se kjo është e drejtë. Gjatë dialogut pezullohet gjithçka derisa të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, tha Bërnabiq.

Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mohuar të enjten se Serbia ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Megjithatë, numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Daçiçi: Serbia s’e ka ndalur fushatën e çnjohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiq tha se Serbia as që do ta ndalojë këtë fushatë “nëse të tjerët nuk e ndalojnë fushatën e njohjes së Kosovës”.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Si pjesë e vullnetit të mirë, për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, palët në Beograd kanë rënë dakord që të mos vazhdojnë me këtë fushatë”, ka thënë një burim i lartë diplomatik i BE-së.

Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut ka thënë se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.

“Duhet të krijojmë një atmosferë pozitive dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Për këto deklarata, ministri serb, Daçiq, tha se ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Daçiq tha se ato janë një “gënjeshtër e madhe”.

“Serbia, tash e sa vite, e thotë publikisht se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës vetëm nëse të tjerët pranojnë të ndalojnë fushatën e njohjeve të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, Serbia nuk ka ndaluar me fushatën e çnjohjeve. Kur ata të ndalojnë, do të ndalojmë edhe ne”, tha Daçiq.

Numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Zyrtarët serbë, përfshirë Vuçiqin, nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Serbia po ashtu ka folur hapur për pozicionet e saj kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, të tilla si Interpol apo Unesco.

Diplomatët në Bruksel thonë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut.

Sipas tyre, masat e reciprocitetit që ka ndërmarrë Qeveria e kaluar e Kosovës ndaj Serbisë “nuk janë në këtë frymë”.

Zyrtarët në Bruksel presin që Qeveria e re e Kosovës t’i marrë të gjithë hapat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut, që nënkuptojnë heqjen e këtyre masave.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë së voni se është i zhgënjyer me vendimin për reciprocitet, të marrë nga ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ka kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të tij.
Përgatiti: Valona Tela

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të dialogut

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t’i heqë ato masa”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar.

I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Greqia bllokon udhëtarët britanikë, amerikanë dhe italianë të vizitojnë vendin në qershor

Greqia mund të jetë një destinacion kryesor pushimesh këtë vit, por për britanikët, amerikanët dhe italianët që ëndërrojnë ta shfrytëzojnë atë për pushime, kjo do të jetë e pamundur për ca kohë. Athina i ka lënë këto vende jashtë listës prej 29 të tillash, nga të cilat Greqia do të nisë të pranojë vizitorë, ndërsa po përpiqet të zbusë dëmet që ka shkaktuar pandemia për industrinë e saj më të madhe, turizmin.

Zyrtarët grekë thonë se udhëtarët nga vendet që nuk janë ndaluar, do të jenë në gjendje të hyjnë në Greqi duke filluar nga 15 qershori dhe vetëm nëpërmjet aeroportin kryesor ndërkombëtar të kryeqytetit, Athinës si dhe metropolit verior të vendit, Selanikut.

Lista me 29 vendeve u hartua pas një rishikimi të rreptë të rregulloreve globale të aeroporteve dhe nivelit të infeksionit COVID-19. Ministri i Turizmit Harris Tehoharis duke shpjeguar arsyet tha se ashtuquajtura lista e vendeve të sigurta është pjesë e një plani të hartuar për të garantuar sigurinë si të vendit ashtu edhe udhëtarëve të huaj.

Ai tha se qeveria greke ia doli të trajtojë me sukses pandeminë duke marrë masa drastike bllokimi që në fillim dhe duke mbajtur nivelet e regjistruara të infeksionit nën 3 mijë dhe numrin e vdekjeve në 175. Në mesin e 29 vendeve, shtetasit e të cilëve do të lejohen në Greqi prej 15 qershorit, përfshihen disa vende të Ballkanit, Izraeli dhe madje Kina e Japonia. Udhëtarët që vijnë nga këto vende do të kontrollohen nëse janë të infektuar me COVID-19 e do të lejohen të pushojnë lirisht pa u kërkuar që të vetëizolohen fillimisht. Në varësi të ndryshimit të nivelit të infeksionit, lista e vendeve mund të ndryshojë përpara se të lejohen të hynë në vend udhëtarët nga e gjithë bota duke nisur më 1 korrik.

Por në kushtet kur SHBA, Britania dhe Italia, vende këto të goditura më rëndë nga pandemia, ekspertë të shëndetit si Gikas Magiorkas paralajmërojnë se mund të duhen muaj, përtej datës një korrik, përpara se udhëtarët nga ato vende të lejohen të vizitojnë Greqinë. Britanikët dhe amerikanë zakonisht përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve në Greqi, duke i sjellë vendit miliarda çdo vit.

Ndërkohë, Italia u kundërpërgjigj duke thënë se vendet e “listës së zezë” ishin aty padrejtësisht dhe se Italia nuk do të lejonte të shihej dhe trajtohej ashtu sikurse e cilësoi një zyrtar i lartë, “koloni lebrozësh”.

Megjithë përpjekjen e Greqisë për të hapur turizmin, shumë zyrtarë të industrisë ngurojnë.

Grigoris Tassis, presidenti i shoqatës greke të pronarëve të hoteleve, thotë se ata nuk kanë marrë direktiva themelore nga shteti, përfshirë informacionin se si t’i trajtojnë rastet e infeksioneve në terren që mund të shfaqen.

Në ishullin e Kretës, një destinacion i preferuar për pushime, shumë zinxhirë hotelesh të mëdhenj kanë zgjedhur të hapin vetëm një pjesë të objekteve dhe lehtësira që ofrojnë për pushuesit. Disa studime tregojnë se rreth 65 për qind e hoteleve greke mund të falimentojnë nëse nuk arrijnë të hapen këtë verë./ZiA

Vuçiçi: Jam i gatshëm të nis dialogun kur të formohet Qeveria në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë dialogun posa të formohet qeveria e re në Kosovë.

Vuçiq i ka thënë mediave në serbi se serbët dhe shqiptarët duhet të kenë marrëdhënie të mira nëse dëshirojnë të jetojnë në paqe.

“Serbët dhe Shqiptarët përfaqësojnë dy nga kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe ne duhet të kemi marrëdhënie të mira nëse dëshirojmë të jetojmë në paqe”, ka thënë Vuçiq, shkruan b92, transmeton Gazeta Express.

Këto komente Vuçiq i ka bërë pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Presidentit Hashim Thaçi lidhur me dekretin e mandatarit të ri për formimin e qeverisë.

Sulejman Rexhepi shkarkohet nga posti i kryemyftiut të Maqedonisë së V.

Isuf Kadriu

Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.

Në deklaratën e lexuar nga myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu, thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.

Në këtë nen, veç tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe për aktin personal të martesës.

Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur ka thënë se koronavirusi është i vdekur.

“Nga sot, sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] e shpall të vdekur. Zoti është me ne dhe kur Zoti është me ne, ne jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi.

Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, të cilët kërkuan kujdes nga vlerësimet e tilla, pasi, sipas tyre, mund të kenë pasoja të rënda në opinion.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të BFI-së u vendos që postin e kryetarit të këtij institucioni ta ushtrojë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.

Mali i Zi përjashton Serbinë nga lista e shteteve prej nga lejohet hyrja

Beograd

Mali i Zi dje njoftoi se së shpejti do të hapë kufijtë dhe do të fillojë të lejojë vizitorët nga disa vende evropiane, pasi në këtë shtet nuk ka raste aktive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, Serbia është përjashtuar nga lista e vendeve të aprovuara, gjë që tërhoqi zemërimin e qytetarëve dhe zyrtarëve serbë.

“Hapja e kufijve me vendet që plotësojnë kriteret e duhura epidemiologjike pritet që në ditët e para të qershorit. Aktualisht, ato janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Malit të Zi.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha sot se vendimi vërteton se serbët nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi.

“Qytetarët tanë tani mund të shohin se nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi. Kjo sepse ne nuk kemi gënjyer se njerëzit tanë po vdesin nga gripi dhe pneumonia, e jo nga koronavirusi”, tha Brnabiç.

Ajo tha se Serbia nuk planifikon në vendosjen e masave reciproke dhe se nuk do t’i mbyllte kufijtë për qytetarët malazez.

Të dielën, 68 ditë pasi njoftoi rastin e parë pozitiv me COVID-19, Mali i Zi njoftoi se nuk ka raste aktive në vend.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 324 raste, prej të cilëve 9 kanë vdekur ndërsa të tjerët janë shëruar.

Biserko: Muajt e ardhshëm vendimtarë se a do të ketë sukses plani i Vuçiqit për ndarje

Ndarja e Kosovës është e vetmja mundësi që Beogradi e ka mbajtur në tryezë për më shumë se tre dekada, thotë Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, duke komentuar për Danas një deklaratë të fundit të presidentit serb për mënyrën se si ai dëgjoi për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.

Sonja Biserko thotë se marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin kur është arritur interpretimi në lidhje me asociacionin e komunave serbe.

“Vuçiq deklaroi në qershor të vitit të kaluar: “Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve”. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington në shkurt të këtij viti. Muajt ​​e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, thotë Biserko.

Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, thotë se Vuçiq ka mbrojtur idenë e shkëmbimit të territoreve gjatë 2017 dhe 2018, por nuk ishte mjaftueshëm i qartë.

“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk duhet që të gjithë të fitojnë të gjitha, e Serbia asgjë”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiq është padyshim një përgatitje për një raund të ri bisedimesh politike për Kosovën me emisarin e presidentit amerikan Richard Grenell.

“Kishim vetëm të ashtuquajtura bisedime politike dhe ekonomike. Por një raund i ri bisedimesh me Lajçak dhe BE po afron qartë. Pritja është më e rrezikshmja. Dhe nuk besoj se Vuçiq po pret diçka”, tha Janjiq.

Vuçiçi: I kam thënë Pendarovskit: mos fol për Kosovën!

Lidhur me intervistën e presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, të dhënë për Gazetën Express gjatë së premtës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kreu i shtetit serb thotë se Pendarovski me deklaratat e tij kundër idesë së ndryshimit të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve dëshiron që t’u hyjë në qejf gjermanëve, pasi sipas tij, një deklaratë të ngjashme e ka dhënë ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass.

“Pendarovski dëshiron t’iu hyjë në qejf gjermanëve”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për TV Prva teksa ka komentuar qëndrimet e Pendarovskit të dhëna për Gazetën Express.

Më tej kreu i shtetit serb ka treguar se kur kishte shkuar në përurimin e Pendarovskit si president i kishte kërkuar që të kishte kujdes dhe të mos fliste për temat që lidhen me dialogun me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë.

“Kur shkova në përurimin e Pendarovskit, i kërkova vetëm një herë që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe që të mos flasë për temat që ndërlidhen me Kosovën”, ka potencuar Vuçiq.

Megjithatë thotë se Pendarovski e ka bërë të kundërtën çdo herë dhe sipas tij veprimet të tilla të maqedonasve janë për t’ua bërë qejfin gjermanëve.

“Sigurisht, ata bënë gjithçka kundër kërkesës time, për t’ia bërë qejfin Gjermanisë”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.

Teksa ka folur rreth kundërshtimeve për idenë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq ka thënë se një gjë e tillë tregon se BE dhe liderët e rajonit presin që Serbia ta njohë plotësisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndaj deklarimeve të Pendarovskit në Gazetën Express ka reaguar sot ashpër edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin.

Vulin ka thënë se askush nuk do ta pyet Pendarovski dhe as s’do të marrë opinionin e tij për atë se si Serbia duhet të zgjidhë problemin me Kosovën.

“Askush nuk do ta pyet Pendarovskin për opinionin e tij rreth zgjidhjes së problemit me Kosovën”, ka thënë Vulin, raporton Gazeta Express.

Të premtën ekskluzivisht për Gazetën Express nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, kanë thënë se Pendarovski beson që korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve mund të ketë efekte të dëmshme dhe se rrezikon gjithë progresin në rajon.

“Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë për Gazetën Express, Biljana Radeva.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vërë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vjetët e fundit. Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen më 21 qershor

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi do të mbahen të dielën më 21 qershor.

Vendimi është marrë sot pas një takimi të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me përfaqësuesit e partive politike.

Zgjedhjet ishte dashur të mbahen në prill, por që u shtyen për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Kumanova, qyteti më i goditur nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Kumanova është qyteti më i prekur, menjëherë pas Shkupit nga koronavirusi dhe masat shtrënguese atje u vendosën pas disa raste vdekjesh dhe rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve.

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila ka për detyrë të gjurmojë, identifikojë dhe izolojë bartësit dhe të prekurit nga koronavirusi, po përpiqet së bashku me autoritetet spitalore të qytetit të ndalë përhapjen e infeksioneve.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, doktor Arif Latifi në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në spitalin e qytetit ndryshon me dinamizëm brenda ditës, me që rastet me simptoma më të lehta ndalen këtu, mirëpo atyre shumë shpejtë mund t’u përkeqësohet gjendja dhe duhet të dërgohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Zoti Latifi thotë se një numër i qytetarëve të Kumanovës nuk po i respekton rekomandimet e mjekëve, megjithëse u janë bindur urdhërave për ndalim-qarkullim:

“Mirëpo, kur e fitojnë atë lirinë disaorëshe, ata dalin në rrugë, grumbullohen dhe disa nuk mbajnë maska, kështu që vetëm rrezikojnë të rrisin numrin e të infektuarve”, thotë kreu i Shëndetit Publik në Kumanovë.

Doktor Latifi u bën thirrje atyre që mund të jenë bartës të virusit që të vetëizolohen, sikurse të gjithë qytetarëve sepse në këtë mënyrë, thotë ai, na ndihmojnë t’i identifikojmë pacientët e mundëshëm ose bartësit e infeksionit.

“Do t’i lusnim qytetarët të cilët i anketojmë në anketat epidemiologjike që të jenë të sinqertë dhe të na tregojnë të vërtetën, sepse disa nga ta po i fshehin kontaktet që kanë pasur, e me këtë edhe bartësit e mundshëm të infekstionit. Duhet ta kenë të qartë se po të jesh i prekur me koronavirus nuk do të thotë turp; ështe shqetësim për të gjithë ne, ndërsa vihet në rrezik personeli mjekësor dhe familjet tona”, thotë ai.

Doktor Latifi vlerëson se numri i të prekurve po vjen duke u rritur.

Virusi ka prekur dhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe personelit mjekësor jo vetëm në Kumanovë, por në këtë qytet fillimisht u konfirmuan 11 mjekë dhe infermierë me koronavirus, sipas të gjitha gjasave të infektuar nga pacienti i ashtuquajtur zero në këtë zone, teksa numri i tyre sot ka shkuar në mbi 20.

Nga mbi 600 personat e prekur me COVID-19 në Maqedoninë e veriut, rreth dhjetë përqind janë mjekë dhe personel spitalor. Autoritetet u bëjnë thirrje atyre që të mbrohen duke përdorur pajisjet e domosdoshme që i kanë në dispozicion.

Së fundmi, në Shkup kanë arritur mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga Sllovenia, Hungaria e Turqia, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë prej 1.1 milion dollarësh për zbutjen e gjendjes dhe luftimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Ministri serb: Reciprociteti më i keq se sa taksa 100%, do të ketë zero tregti me Kosovën

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç deklaroi se reciprociteti, masa e paralajmëruar nga Kosova, është më e keqe se sa taksa prej 100 për qind.

Teksa foli për heqjen e taksës pas 1 prillit, ministri serb tha se “disa mallra kanë shkuar, ndonëse në sasi të papërfillshme, megjithatë ato shkuan. Nëse aplikohet reciprociteti siç është paralajmëruar, që në të gjitha faturat duhet të deklarohet se dërgohet në Republikën e Kosovës, ato mallra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk mund të t’i njohin këto dokumente”.

Ai pohoi se me këtë strategji të ndjekur nga Kosova, “tregtia do të jetë zero”. bw