Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke deklaruar se rendi juridik global dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk po funksionojnë më.
“Qëndrimi i Serbisë është i qartë: ne dëshirojmë marrëdhënie miqësore si me SHBA-në ashtu edhe me të gjitha vendet e botës, por është detyrimi ynë të theksojmë kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Pas zhvillimeve në Venezuelë, është e qartë se sot në botë sundon ligji i forcës, e drejta e më të fortit, dhe kjo është bërë parimi kryesor i politikës moderne”, deklaroi Vuçiç në një konferencë për shtyp.
Kreu i shtetit serb drejtoi këtë të diel një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, thirrur për shkak të situatës në Venezuelë.
Vuçiç shprehu shqetësimin e tij për paqen dhe sigurinë globale, duke paralajmëruar se po krijohet një precedent i rrezikshëm.
“Presim që veprime të tilla të vazhdojnë jo vetëm nga SHBA, por edhe nga vende të tjera. Sepse kush do të mund të thotë nesër, nëse diçka e tillë ndodh në Europën Lindore apo në Azi, se është hera e parë dhe se është e paligjshme?”, u shpreh ai.
Presidenti serb njoftoi se Serbia do të vijojë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse për të parandaluar çdo kërcënim, duke përfshirë rritjen e personelit të Forcave të Armatosura me rreth 30% dhe përshpejtimin e programeve të armatimit. Ai vlerësoi se kërcënimi kryesor për Serbinë nuk vjen nga SHBA, por nga rajoni, duke përmendur në veçanti armatosjen e Kosovës me ndihmën e Turqisë.
Marrëdhëniet Serbi–Venezuelë
Udhëheqja politike serbe ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me regjimin e Nicolás Maduro-s. Vuçiç ka komunikuar për herë të fundit telefonikisht me Maduro më 21 gusht 2025, duke e quajtur atë “mik të madh” të Serbisë në një postim në Instagram dhe duke theksuar diskutimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në ceremoninë e betimit të Nicolás Maduro-s në janar 2025, Serbia u përfaqësua në nivel të lartë nga kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç.
Dy vendet kanë nënshkruar në vitin 2023 një marrëveshje për heqjen e vizave, ndërsa një nga arsyet kryesore të përmendura nga zyrtarët serbë për afrimin me Venezuelën është fakti se Karakasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Panorama