VOAL

VOAL

Vuçiç: Më 8 shtator në Kosovë do mbaj fjalimin më të rëndësishëm të jetës sime

August 23, 2018

Komentet

Qeveria e Kosovës i rrit pensionet 20 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohet nga shteti.

“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm te mirë të gjithë pënsionistëve. Nga ky muaj, do t’i rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet”, tha Kurti në një konferencë për media të hënën në Prishtinë.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, tha kryeministri.

Ndërkohë, pensionet për përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025, tha Kurti.

Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Kurti tha se nevojitet “ndryshime në tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”, para se të rriten këto pensione.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet prej vitit 2014.

Sipas Ministrit të Financave të Kosovës, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ai tha se buxheti i përgjithshëm i tërë skemave pensionale është rreth 500 milionë euro për vit fiskal, ndërsa do të ndahen edhe 100 milionë euro shtesë vjetore pas kësaj rritjeje.

Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.

Deri tani, pensionet në Kosovë silleshin nga 100 deri në 265 euro.

Rritja e fundit, në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19.

Në fund të shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ia dorëzoi kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkon ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti.

Më 2022, sindikalistët madje kishim mbajtur protesta për të kërkuar ndryshimin e një neni të këtij ligji, përmes së cilit kërkohet që përfituesit të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Por, as Kurti e as ministri Murati nuk e përmenden këtë çështje në konferencën e së hënës.rel

Kurti: Serbia dëshiron të dëmtojë Kosovën pavarësisht bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se Serbia dëshiron ndarjen e Kosovës dhe të dëmtojë tërësinë territoriale dhe funksionalitetin shtetëror të saj pavarësisht dialogut që po zhvillohet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e përgjithshme të subjektit të tij politik Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tash Serbia ankohet që Kosova po bën veprime unilaterale, në fakt ajo po ankohet vetëm për qëndrimin e saj, mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ankesa është përsëritje. E akt bilateral do të ishte pikërisht nënshkrimi i përbashkët i marrëveshjes bazike me aneks të implementimit për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht duke nënshkruar marrëveshjen bëjmë gjëra bilaterale ndërkaq çështjet e brendshme të Kosovës sikurse shpallja e pavarësisë së Kosovës padyshim që janë çështje të Kosovës”, tha ai.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën institucionet e emëruara nga Beogradi dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Miroslav Lajçak, tha një ditë më parë gjatë një forumi të mbajtur në Budvë të Malit të Zi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon. Ai tha se fatkeqësisht 18 muaj që nga arritja e marrëveshjes në Bruksel e Ohër, është bërë shumë pak për zbatimin e saj.

“Në ndërkohë ne shohim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit por, për fat të keq është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti i prekur vendës. Prandaj edhe kemi më pak normalizim e më shumë tensione”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se sundimi i ligjit është sikurse frymëmarrja për shtetin sovran.

“Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë ndoshta, por Kosova mund të ketë pasur nevojë për ndihmë të parë në pranverën e verën e vitit 1999. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i shtetit. E këtë sundim të ligjit ne nuk e kemi përdorur në kurriz të të drejtave sepse ligji është i drejtë dhe për shkak se shteti është demokratik”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Serbia vazhdon të mos e respektojë marrëveshjen bazike të arritur vitin e kaluar në Bruksel ndërsa kërkoi të tërhiqet menjëherë letra e ish kryeministres të Serbisë Ana Bërnabiç dërguar Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2023 në të cilën thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

“Nëpërmjet dhunës në veri të Kosovës ata kanë sulmuar që të dëshmojnë se shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë andaj edhe duhet ndarë Kosova. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit para një viti kishte për qëllim një konflikt të gjerë e të gjatë me gjithë atë armatim që kishin sjellë paraprakisht në funksion të aneksimit të veriut të Kosovës. Pavarësisht dialogut në Bruksel ata e duan ndarjen e Kosovës, ata duan ta dëmtojnë tërësinë tonë territoriale dhe funksionalitetin tonë shtetëror”, tha kryeministri Kurti.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja pavarësisht që nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për Kosovën dhe Serbisë dhe se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.sn

IKSHPK: Uji i liqenit të Badocit nuk është i pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije, por vetëm për pastrim.

Kjo pasi, sërish në analizimin e mostrave të marra nga ky liqen janë vërejtur nivele të ngritura të manganit.

Edhe vitin e kaluar, IKSHPK kishte rekomanduar mospërdorimin për pije të ujit të Badocit, për shkak të ngritjes së vlerave të manganit.

Ky institut tha se paraqitja “e fenomenit” të manganit në Badoc është dukuri e vazhdueshme, që ndodh “kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve”.

“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake, si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, tha IKSHPK.

IKSHPK-ja ka publikuar një hartë të zonave që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badocit. Ndër to janë disa lagje të Prishtinës, sikurse Matiqani, Aktashi, Bregu i Djellit, e lagja e spitalit, por edhe Graçanica.

Instituti tha se pavarësisht se mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, vlerat e larta të tij në ujë të pijes mund të kenë ndikim të dëmshëm në shëndet, “e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”.

IKSHPK po ashtu i ka kërkuar ujësjellësit rajonal “Prishtina” që të kontrollojë procesin e dezinfektimit të ujit, të përcjellë gjendjen e ndotjes organik dhe të pastrojë rrjetin e shpërndarjes, pra të gypave. REL

Kosova në samitin e 10 të Procesit të Berlinit

Sandra Cvetkoviq

“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

“Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

“Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

“Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

“Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Përgatiti: Valona Tela

Sulmi me raketa nga Irani, Kurti: Mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i shqetësuar për sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti ka thënë se mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti.

Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. bw

Serbët e Kosovës e pranojnë se dora e Kishës Ortodokse Serbe ka vepruar në Kosovë

Kryetari i ‘Forumit Kombëtar Serb’ nga Graçanica, Momçilo Trajkoviq, para dy ditësh u takua me opozitën në Serbi. Ai tha se do të formohet një grup punues që do të sublimojë atë që u tha dhe propozimet për të “ndaluar proceset negative që po i ndodhin popullit serb në Kosovë”.

Ai deklaroi se delegacioni i serbëve nga Kosova, në të cilin është edhe ai, do të pranojë çdo propozim dhe tha: “Së bashku do të marrim pjesë në kërkimin e mënyrave për ndryshimin e situatës”.

Ai gjithashtu tha se pjesëmarrësve të takimit iu prezantua një kornizë për “një strategji të re për mbijetesën e serbëve”.

Është propozuar edhe një “moratorium” për aktivitetet e partive politike nga Beogradi në Kosovë.

Disa pjesëmarrës të takimit i kërkuan fuqishëm Kishës Ortodokse Serbe që të shprehet dhe të paraqesë një “pozicion të qartë për Kosovën”, duke theksuar se në të kaluarën ishte përgjegjëse për mbijetesën e popullit serb.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, përkundër disa thirrjeve të mëparshme, nuk i priti anëtarët e delegacionit të serbëve nga Kosova.

Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të tri shoqatave – Forumi Kombëtar Serb, Këshilli Kombëtar Serb dhe Lëvizja “Atdheu”, të cilat më parë janë takuar me akademikë dhe anëtarë të lëvizjes ProGlas. sn

Ndahet nga jeta gjenerali i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Këtë të shrtunë 28 shtator është ndarë nga jeta Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjenerali i FSK-së dhe veprimtari politik, Imri Ilazi – Komandant Ferri.

Lajmin për ndarjen nga jeta e ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt, ku ka njoftuar se në kujtim të jetës dhe veprës së tij, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, organizon sot mbledhje komemorative nga ora 15:00 në Teatrin “Adriana”, në Ferizaj.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Ilazi, bashkëluftëtarëve, familjeve të Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shpirti i tij, u prehtë në parajsën e paskaj”, thuhet në njoftim.sn

Gërvalla takon homologun grek: Kosova e përkushtuar për rritje bashkëpunimi me Greqinë, fokus tregtia e investimet

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, në cilin ajo tha se kanë folur për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

Përmes një shkrimi në platformën X, Gëevalla tha se në këtë takim, ka theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, soç tha ajo, me fokus në tregti dhe investime, përcjell Klankosova.tv.

“Kënaqësi të takohem me Ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis në margjinat e #UNGA79. Ne diskutuam mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh”.

“Theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, me fokus në tregti dhe investime”, ka shkruar Gërvalla.sn

Një vit pas sulmit terrorist, Banjska me rrugën e Afrim Bunjakut!

Një vit pas sulmit në Banjskë, vendasit thonë se ende nuk e kanë marrë veten. Rruga në Banjskë merr emrin e Afrim Bunjakut. Si paraqitet gjendja e sigurisë atje?

 

Fshati Basnjkë në veri të Kosovës mori rrugën e tij të parë: Rruga tani quhet Afrim Bunjaku. Kështu quhet polici i vrarë në sulmin e armatosur para një viti nga një grup i armatosur i serbëve. Më pas në konfliktin me Policinë e Kosovës janë vrarë edhe tre serbë – dy nga Leposaviçi dhe një nga Zveçani.

Tabelën me emrin e rrugës e ka zbuluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Banjskë ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Një vit nga ngjarjet e 24 shtatorit 2023, jeta në Banjskë ka ndryshuar dukshëm. Atje ka më shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e më pak vendorë, sepse vendorët janë shpërngulur në zona të tjera.

Këto ditë nga frika e provokimeve u mbyll edhe manastiri i famshëm i fillimit të shekullit XIV në këtë fshat. Shkolla fillore “Banoviç Strahinja” në 24 shtator ishte e zbrazët – kjo shkollë ka më së shumti nxënës të klasës së parë në të gjitha fshatrat e veriut të Kosovës – shtatë.

“Më mirë një rrugë se një monument”

Shiu i dendur në përvjetorin e parë i detyroi fshatarët të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por shiu nuk është e vetmja arsye: ata e dinin, siç thonë, se fshati i tyre do të ishte nën vështrimin e politikanëve dhe gazetarëve atë ditë. Banorët thonë se akoma nuk e kanë marrë veten nga ato ngjarje. Ata ende nuk duan të flasin hapur për këtë.

Një nga të paktët që pranon të flasë është aktivisti civil Dejan Nedeljkoviç. Ndonëse prej kur është martuar nuk jeton në Banjskë, shpesh vjen këtu në shtëpinë e prindërve. Ai thotë se po angazhohet që Banjskë të ringjallë potencialin e saj turistik.

Nedeljkoviç thotë: “E dinim se dikush do të vinte dhe do ta shënonte disi këtë ditë. Madje u tha se do të ngrihej edhe një monument. Nuk do të habitesha nëse do të ishte një monument i gjatë dy metra. Por emërimi i një rruge është padyshim një alternativë më e mirë. Deri më tani Banjska nuk kishte asnjë rrugë, adresa e saj ishte Banjska bb (Banjska pa numër)”, thotë ai për DW. Ai shton se askush në fshat nuk shqetësohet me emrin e rrugës.

Nedeljkoviç flet për ngjarjet e një viti më parë kështu: “Njerëzit kaluan nëpër ferr atë natë”. E para, nuk dihej se kush ka hyrë në fshat, nuk e dinim nëse ishte ushtria serbe. Meqë ishin me uniformë, në fillim menduan se ka hyrë ushtria serbe. Pastaj në një moment u shfaqen persona të uniformuar që flisnin serbisht, ndërsa më vonë persona me uniformë që flisnin shqip, sepse ndërkohë edhe ata kanë hyrë në Basnjskë. Ishte shumë stres. Atë mbrëmje kanë qenë edhe prindërit e mi këtu. Atyre u është thënë të fshihen pas murit dhe të mos dalin në dritare, sepse mund të qëllohen”.

Nedeljkoviç e quan situatën e sigurisë në veri të Kosovës si shumë të keqe, sidomos që nga dita kur serbët u larguan nga institucionet, mbi të gjitha nga Policia e Kosovës dhe nga gjyqësori.

“Ishte një vendim katastrofik. Kishim 650 policë të armatosur ligjërisht, të cilët në çdo moment mund t’i thoshin Policisë së Kosovës se nuk duhet të vijnë në veri dhe të shkaktojnë telashe, siç ndodh në disa enklava në jug. Në situata të tilla paraqitet FOR-i dhe ndalen problemet”, thotë ai dhe kërkon që KFOR-i të vijë edhe në Banjskë.

Prokuroria me siguri do të insistojë në zbardhjen e ngjarjeve

Për shkak të rastit Banjska, Prokuroria e Kosovës në shtator ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave. Tre u arrestuan, të tjerët janë në arrati. Në mesin e të arratisurve është edhe Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë para institucioneve në Serbi, por atje nuk ka filluar asnjë proces. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë këto ditë që të ndjekin penalisht autorët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Serbinë për këto ngjarje./DW

Osmani dhe O’Brien bisedojnë për sigurinë në rajon

Takimi mes Osmanit dhe O’Brienit.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Shtetet e Bashkuara me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha po ashtu se gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në.

“Takimi i radhës me ndihmëssekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në SHBA dhe po merr pjesë në disa ngjarje, teksa liderët botërorë janë mbledhur për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Takimi mes Osmanit dhe O’Brien pasi kohëve të fundit SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për disa veprime të ndërmarra në veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – që i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

SHBA-ja po ashtu i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta që nga viti i kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë.

Së fundi, Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin e armatosur në Banjskë kundër 45 personave.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati. REL

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani, këtë javë, ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Reagimi pason raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila tha se është “duke vazhduar shqyrtimin e çështjes” dhe se “nuk ka marrë asnjë vendim për momentin”.

“Ne ju referojmë te deklarata jonë e 30 gushtit, ku thuhej: ‘Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet e saj vartëse”, thuhet në përgjigje.

Në deklaratën e 30 gushtit, Ambasada amerikane tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin dërguar mediave, Policia e Kosovës tha se i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.

“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla.

REL

Sveçla ‘shpërthen’ ndaj Speciales: Aktakuza për Banjskën e mangët pa përfshirjen e kreut të ushtrisë serbe

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, është e mangët nëse nuk përfshihen , kreu i ushtrisë së serbe dhe komandanti i kazermës Pasulanski Livade.

Ai ka thënë se mospërfshirja e tyre në aktakuzë amniston Serbinë si të përfshirë direkt në sulm.

Sveçla në një intervistë në Tëvë1 ka thënë se përveç armatimit që i është dhënë këtij grupi ata kanë kryer edhe ushtrime ushtarake në kazermën e ushtrisë serbe.

“Aktakuza për mu është e paplotë përderisa nuk është komandanti i kazermës Pasulanski Livade, zëvendësi i tij, komandanti i ushtrisë së Serbisë.

Mungesa e përfshirjes së tyre amniston Serbinë si e përfshirë direkt në sulmin e Banjskës. Nuk mund të ndodhë që gjithë ai ushtrim ushtarak të ndodhë në një kazermë zyrtare pa lejen e komandantit”, është shprehur Sveçla.

Ai ka thënë se aktakuza e kufizuar vetëm në individët që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë për të është e çuditshe.

Më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakzuë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiq për sulmin në Banjskë. Ata akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe shpërlarje parash.

Në aktakuzë thuhet se grupi terrorist kishte për synim aneksimin e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Prandaj kufizimi vetëm në indvidët të cilët kanë qenë pjesë e sulmit për mu është pak i çuditshëm


Send this to a friend