VOAL

VOAL

Vritet një tjetër afroamerikan në SHBA

July 9, 2016

Komentet

Trumpi thotë se ka ditur “gjithçka” për sulmet e Izraelit ndaj Iranit

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara “dinin gjithçka” për sulmet e Izraelit ndaj ndërtesave bërthamore iraniane.

Në një intervistë për këtë agjenci, Trump vuri në pikëpyetje nëse Irani ende ka program bërthamor pas breshërisë së sulmeve izraelite në mbarë vendin.

Ai po ashtu tha se bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit ende janë të parapara që të vazhdojnë këtë të diele, edhe pse shprehu dyshime nëse ato do të mbahen.

Udhëheqësi amerikan përsëriti se nuk është vonë që Irani të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor.

“Kam tentuar që ta shpëtojë Iranin nga turpërimi dhe vdekjet”, shtoi ai.

Kur u pyet për mundësinë e një lufte rajonale si rezultat i veprimeve të Izraelit, Trump tha se nuk është i shqetësuar se mund të ndodhë diçka e tillë.

Më herët gjatë së premtes, Trump paralajmëroi Iranin se duhet të bëjë marrëveshje për programin e vet bërthamor “para se të jetë tepër vonë”, pak orë pasi Izraeli bombardoi objektet bërthamore iraniane si dhe ato ushtarake në të gjithë vendin, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë.

Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

“Ende ka kohë që kjo kasaphane… të përfundojë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë, dhe ta shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”, tha ai.

Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Bombardimet ndodhen në prag të një rundi të ri bisedimesh bërthamore mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman.

Gjatë javës, Irani e hodhi poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë “të papranueshme” dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e vet.

Teherani kishte thënë se së shpejti do ta dorëzonte një kundërpropozim përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik dhe të baraspeshuar” dhe që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta marrin seriozisht.

Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Uashingtoni përshëndet vendimin e Kosovës për pranimin e të dëbuarve nga SHBA-ja

Radio Evropa e Lirë

Të enjten, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.

“E mirëpresim bashkëpunimin për këtë përparësi kyçe të administratës Trump”.

Zëdhënësi nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet specifike se pse u zgjodh Kosova, cilat kritere po përdoren për përzgjedhjen e emigrantëve, apo nëse Kosova do të marrë mbështetje ose stimuj në këmbim të pjesëmarrjes në këtë marrëveshje. Departamenti i Shtetit i referoi pyetjet e mëtejshme Qeverisë së Kosovës.

Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend – të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës – do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.

Përmes një postimi në X, pas marrjes së këtij vendimi, Kurti shtoi se autoritetet kosovare do të punojnë “në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse amerikane gjatë gjithë procesit”.

Më herët gjatë së mërkurës, zëdhënësi i ekzekutivit në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Kosova kishte shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.

“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, deklaroi Kryeziu.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar median Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

Qeveria në detyrë, e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për qendrat për migrantë

Qeveria në detyrë e Kosovës më 26 maj ka shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar, propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.

Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

Pas dy vjetësh funksionimi, kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj ishte mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.

Reagimi – Trazirat në SHBA- DeSantis: Soros po nxit sulmet ndaj forcave të rendit

Guvernatori i Floridas në SHBA, Ron DeSantis ka folur vazhdimisht kundër miliarderit majtist, George Soros, që prej fushatës së tij të vitit 2018.

Tani ai u shpreh për dhunën në rrugët e Los Anxhelosit, duke fajësuar një kundërshtar të vjetër për financimin e protestave.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, guvernatori Ron DeSantis përmendi me emër George Soros në një sërë akuzash ndaj përplasjeve në Kaliforni mes banorëve dhe agjentëve të ICE (Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së).

“Ka një lëvizje në të gjithë vendin ku këto grupe, që besoj se financohen nga njerëz si Sorosi, duan të publikojnë informacion personal të atyre që zbatojnë ligjet e emigracionit dhe të nxisin sulme ndaj tyre, vetëm sepse po bëjnë punën e tyre,” tha DeSantis, duke shtuar se veprime të tilla “nuk do të toleroheshin në Florida.”

Guvernatori nuk dha detaje të mëtejshme për lidhjet mes financierit të krahut të majtë dhe trazirave në “Qytetin e Engjëjve”.

Por shumë persona te e djathta besojnë se Soros qëndron pas rezistencës ndaj agjendës së Donald Trump për emigracionin. sn

INTERVISTA NË SYRI TV – Kaprata: Ndërtimet e larta po e bëjnë jetën në Tiranë të pajetueshme

I ftuar në një intervistë për Syri TV, urbanisti Gent Kaprata shprehu shqetësimin e tij të thellë për betonizmin e pandalshëm të Tiranës, duke e cilësuar si një goditje shkatërruese për qytetin.

Në një bisedë me moderatorin Edvin Parruca, Kaprata theksoi se ndërsa Tirana ka kaluar një periudhë të intensifikuar ndërtimi që nga vitet ’90, tani po përballet me pasojat e këtyre politikave urbanistike. Ai u shpreh se ndërtimet e larta dhe shumë voluminoze janë të padurueshme për qytetarët dhe po e bëjnë jetën në qytet gjithnjë e më të pa jetueshme. Kaprata nënvizoi se ky model i zhvillimit i sjell pasoja të rënda për cilësinë e jetesës dhe përmendi se qyteti ka humbur disa aspekte të rëndësishme për mirëqenien e banorëve.

 “Tiranës po i ndodh një goditje shumë e rëndë shkatrruese. Është thelbësore të kuptohet që në 2007 Tirana nuk mban më ndërtime të reja, aq më tepër të larta dhe shumë voluminoze. Tirana e vitit 90 nuk ka pasur kënd lojrash dhe furniture të tjera urbane. Ne ndërtuam për 25 vjet duke densifikuar më tepër. Këto kullat që bënë arkitekët e huaj janë qershia mbi tortë jo në kuptimin artiktekturor të fjalës. …Kjo gjë e bën jetën e banorëve të Tiranës të pajetueshme.”– tha Kaprata.

Kaliforni – Trumpi dërgon 2 000 trupa shtesë të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa në Los Angeles

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se Trump po vendoste 2 000 trupa të tjera të Gardës Kombëtare në Los Angeles.

Sipas BBC, lajmi u konfirmua edhe nga administrata Trump.

Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, ka konfirmuar se 2,000 ushtarë të tjerë të Gardës Kombëtare janë federalizuar për t’u nisur për në Los Angeles.

“Me urdhër të Presidentit, Departamenti i Mbrojtjes po mobilizon 2,000 trupa shtesë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë që do të thirren në shërbim federal për të mbështetur ICE-në (dhe) për t’u mundësuar oficerëve federalë të zbatimit të ligjit të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të sigurt”, thotë Parnell.

Demonstratat filluan jashtë qendrës së Los Anxhelosit të premten, pasi u zbulua se oficerët e Shërbimit të Doganave të Imigracionit (ICE) po kryenin bastisje në të gjithë qytetin. sn

Përshkallëzohen protestat në Los Anxhelos, teksa Trump dislokon Gardën Kombëtare

Radio Evropa e Lirë

Tensionet në Los Anxhelos janë përshkallëzuar pasi mijëra protestues dolën në rrugë duke kundërshtuar dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare nga presidenti Donald Trump të dielën.

Protestuesit bllokuan një autostradë të rëndësishme dhe ua vënë zjarrin disa makinave vetëdrejtuese, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe shpërthime verbuese për ta kontrolluar turmën.

Shumë protestues u shpërndanë pas rënies së natës, kur policia e shpalli tubimin e tyre të paligjshëm, i cili është paralajmërim për ndërhyrjen dhe arrestimin e atyre që nuk largohen.

Disa nga ata që nuk u larguan hodhën gjësende drejt policisë mbrapa një barrikade të improvizuar që shtrihej përgjatë një rruge, ndërsa të tjerë gjuajtën copa betoni, gurë, skuterë elektrikë dhe fishekzjarrë drejt oficerëve të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë dhe mjeteve të tyre të parkuara në autostradën 101 në drejtim të jugut. Oficerët u strehuan nën një mbikalim.

Protestat e së dielës në Los Anxhelos, një qytet me 4 milionë banorë, u përqendruan në disa blloqe në qendër të qytetit.

Kjo ishte dita e tretë dhe më e ashpër e demonstratave kundër vendimit të Trumpit për luftimin e imigracionit në rajon, ndërsa vendosja e 300 trupave të Gardës Kombëtare shkaktoi zemërim dhe frikë te shumë banorë.

Garda u dërgua në Los Anxhelos në veçanti për t’i mbrojtur ndërtesat federale, përfshirë qendrën e ndalimit në qendër të qytetit, ku u përqendruan protestuesit.

Shefi i Policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, tha se oficerët ishin “dominuar” nga protestuesit e mbetur. Ai shtoi se në mesin e protestuesve ka edhe provokatorë të rregullt që marrin pjesë në demonstrata për të nxitur trazira.

Dhjetëra persona u arrestuan gjatë fundjavës së protestës. Një person u ndalua të dielën për hedhjen e një koktej molotovi ndaj policisë dhe një tjetër për përplasjen e motoçikletës drejt një vargu oficerësh.

Trump iu përgjigj McDonnellit në Truth Social, duke i kërkuar t’i arrestojë protestuesit me maska në fytyrë.

“Duket shumë keq në LA. SJELLINI TRUPAT!!!” shkroi ai.

Përleshjet u përshkallëzuan me mbërritjen e trupave të Gardës Kombëtare

Trupat e Gardës mbërritën të pajisur me armë të gjata dhe mburoja kundër turmës, ndërsa protestuesit brohorisnin “turp” dhe “shkoni në shtëpi”.

Njëkohësisht, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit (LAPD) qëlloi me municion për kontrollimin e turmës për të shpërndarë protestuesit, për të cilët tha se u mblodhën në mënyrë të paligjshme. Pjesa më e madhe e grupit më pas bllokoi trafikun në autostradën 101 derisa oficerët e patrullës shtetërore i larguan ata nga rruga deri në orët e pasdites.

Aty pranë, të paktën katër makina vetëdrejtuese, Waymo, u vunë në zjarr, duke krijuar re të mëdha tymi të zi dhe shpërthime herë pas here teksa makinat elektrike digjeshin. Në mbrëmje, policia lëshoi një urdhër për shpërndarje të turmës dhe mbylli disa blloqe në qendër të Los Anxhelosit.

Guvernatori demokrat i Los Anxhelosit, Gavin Newsom, kërkoi nga Trump t’i tërheqë trupat e Gardës në një letër të dielën pasdite, duke e quajtur dislokimin “shkelje serioze të sovranitetit të shtetit”.

Kjo është hera e parë në dekada që Gardë Kombëtare shtetërore aktivizohet pa kërkesën e guvernatorit.

Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, fajësuan vendimin e Trumpit për të dislokuar Gardën për përshkallëzimin e protestave, duke e quajtur vendimin e tij veprim që synon të nxisë tensione. Ata u kanë bërë thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë.

“Ajo që po shohim në Los Anxhelos është kaos i provokuar nga administrata”, tha ajo në një konferencë shtypi pasdite. “Kjo ka të bëjë me një agjendë tjetër, jo me sigurinë publike”.

Por, McDonnell, shefi i LAPD-së, tha se protestat po ndjekin një model të njohur të trazirave civile, me intensifikim në ditën e dytë dhe të tretë.

Mbërritja e Gardës Kombëtare pasoi dy ditë protestash që nisën të premten në qendër të Los Anxhelosit, dhe më pas u përhapën të shtunën në Paramount, një qytet me shumicë latine në jug të qytetit, dhe në Comptonin fqinj.

Agjentët federalë arrestuan emigrantë në qarkun e modës të Los Anxhelosit, në një parking të Home Depot-it dhe në disa vende të tjera të premten.

Sipas autoriteteve federale, numri i përgjithshëm i emigrantëve të arrestuar në zonën e Los Anxhelosit këtë javë kaloi 100. Shumë të tjerë u arrestuan gjatë protestave, përfshirë një udhëheqës të njohur sindikate, i akuzuar për pengim të policisë.

Protestat nuk arritën përmasat e demonstratave të mëparshme që sollën Gardën Kombëtare në Los Angeles, siç ishin rebelimet e Watts, Rodney King dhe protestat e vitit 2020 kundër dhunës policore, për të cilat Newsom kërkoi ndihmën e trupave federale.

Hera e fundit që Garda Kombëtare u aktivizua pa lejen e një guvernatori ishte në vitin 1965, kur presidenti Lyndon B. Johnson dërgoi trupa për të mbrojtur një marshim për të drejtat civile në Alabama, sipas Qendrës Brennan për Drejtësi.

Në një dekret të shtunën, Trump përmendi një dispozitë ligjore që e lejon atë të dislokojë forcat federale kur ka “një rebelim ose rrezik për rebelim kundër autoritetit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Ai tha se kishte autorizuar dislokimin e 2.000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit – I jashtëzakonshmi Marco Rubio bëhet maja e shtizës së Trump-it

Ditët e para të Marco Rubios si Sekretar Shteti në drejtimin e politikës së jashtme amerikane nuk tërhoqën shumë vëmendje nëpër titujt kryesorë.

Dukej sikur ish-senatori nga Florida, i lënë në hije nga të dërguarit specialë të zgjedhur nga presidenti Donald Trump, ishte pajtuar me një rol dytësor, pavarësisht postit të rëndësishëm në kabinet.

Por çdo dyshim për fuqinë dhe rëndësinë e Rubios tani duket qesharak, pasi ai jo vetëm që merr pjesë në negociatat diplomatike të nivelit më të lartë jashtë vendit, por po luan gjithashtu një rol gjithnjë e më të madh edhe në politikën e brendshme.

Rubio është burri i parë i shtetit pas Henry Kissinger-it që mban njëkohësisht detyrën e sekretarit të shtetit dhe këshilltarit të përkohshëm për sigurinë kombëtare. Ai po mbikëqyr ristrukturimin e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe po zemëron universitetet duke premtuar se do të “anulojë agresivisht” vizat për studentët e lidhur me Partinë Komuniste Kineze.

Madje, pranoi me kënaqësi të marrë përgjegjësinë për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, pasi senatori Chris Van Hollen (D-MD) e kritikoi për rastin e Kilmar Abrego Garcia-s, “ai tipi është pjesëtar bandash,” u përgjigj Rubio pa u menduar dy herë.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh një fushë të politikës kombëtare ku Rubio nuk është i përfshirë.

Zgjedhja e sigurt

Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë vit, dukej sikur çdo kandidat i mundshëm për kabinetin do të përballej me një proces të lodhshëm konfirmimi.

Ish-përfaqësuesi Matt Gaetz u rrëzua menjëherë si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u analizua në çdo detaj, nga zakonet e tij të alkoolit deri te tatuazhet, përpara se të konfirmohej me një shumicë të ngushtë. Robert F. Kennedy Jr. u përqesh si një i çmendur dhe teoricien konspiracioni përpara se të konfirmohej si sekretar për shëndetësi dhe shërbime njerëzore.

Arsyeja ishte e qartë: Trump kishte kaluar katër vitet pas humbjes në vitin 2020 duke planifikuar qeverinë e re, duke u përqendruar te besnikëria më shumë se te aprovimi nga elita politike. Emërimet e tij ishin njerëz të jashtëm që lëndonin ndjeshmërinë e kongresistëve të karrierës.

“Nuk jemi në një cikël të zakonshëm presidencial. Zakonisht kemi presidentë që zgjidhen për mandatin e parë dhe ndoshta edhe për një të dytë, pastaj i bie të tërhiqen,” tha Steve Yates, studiues i lartë në Heritage Foundation. “Në shumë aspekte, kemi një president në vitin e nëntë të mandatit të tij.”

Yates shtoi: “Nën një president të vitit të nëntë, shumë gjëra i drejton vetë presidenti: ka një drejtim strategjik shumë të qartë dhe ai preferon një qeverisje të udhëhequr nga kabineti, më shumë sesa një qasje ‘think tank’-u të Shtëpisë së Bardhë për hartimin e politikave.”

Rubio ishte përjashtimi në kabinetin e të jashtmëve. Senatori nga Florida për 14 vjet mori një votim unanim 99–0 nga kolegët e tij, me seancat e ashpra të pyetjeve që kishin përfshirë kandidatët e tjerë që u kthyen në një festim të karrierës së tij në Senat.

Anashkalimi i sekretarit të shtetit?

Në fillim të mandatit të tij si sekretar shteti, Rubio dukej në rrezik të anashkalohej.

Trump emëroi Steve Witkoff-in, një mik i afërt pa përvojë diplomatike, si të dërguarin e tij special për të trajtuar luftën e Izraelit me Hamasin dhe pushtimin rus të Ukrainës.

Witkoff, që sipas të gjitha raporteve vepron vetëm si zëdhënës i presidentit, ishte zyrtari amerikan që u fotografua në Doha, Paris, Moskë dhe Stamboll, ndërsa përpiqej të realizonte premtimet elektorale të Trump-it për paqe.

“Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet që Steve Witkoff nuk duket se merr vendime vetë në këto negociata. Ai merr udhëzime nga Uashingtoni ndërsa udhëton,” tha Jonathan Schanzer, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive për Washington Examiner.

“E shoh atë si zbatues të dëshirave të presidentit për marrëveshje specifike që ai dëshiron të arrijë,” shtoi ai. “Armëpushimi në Gaza, negociatat për pengjet, negociatat me Iranin, Rusia, Ukraina. Kjo është fusha e Witkoff-it. Këto janë transaksione.”

Roli i ish-ndërtuesit të pasurive të paluajtshme si zëvendës i Trump-it në skenën ndërkombëtare dukej se po e linte Departamentin e Shtetit në plan të dytë.

Raportet tregonin se Rubio po merrej kryesisht me ristrukturimin e departamentit të tij dhe rinegocimin e marrëdhënieve në Amerikën Latine.

“Për mua, mesazhi ishte që po vëmë në rregull hemisferën tonë para se Rubio të përqendrohej në sfida të tjera,” tha Schanzer. “Kështu që mendoj se këto ishin dy gjëra të rëndësishme që ndodhën në fillim, ku Rubio kishte një rol të rëndësishëm, por që nuk tërhiqte shumë vëmendje mediatike.”

Zgjerimi i detyrave

Me 1 maj, Shtëpia e Bardhë njoftoi se këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, do të largohej nga posti i tij.

Ishte një largim i pakëndshëm, pas raportimeve se Waltz kishte përfshirë pa dashje një gazetar të njohur në një bisedë në Signal ku planifikoheshin sulme ndaj Jemenit. Trump tha se do ta emëronte Waltz-in ambasador në Kombet e Bashkuara.

Rubio e zëvendësoi atë si zyrtari më i lartë për sigurinë kombëtare në vend, ndërkohë që vazhdon të mbajë postin e sekretarit të shtetit.

Thuajse brenda natës, Rubio u shfaq në tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Ai bashkëpunoi me zëvendëspresidentin JD Vance për të zbutur konfliktin në rritje mes Indisë dhe Pakistanit, i cili kërcënonte të përshkallëzohej në luftë mes dy shteteve me armë bërthamore.

Filloi të jepte përditësime për bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë konferencave për shtyp dhe dënoi agjencinë e inteligjencës gjermane pasi kjo e shpalli partinë “Alternativa për Gjermaninë”, që mbështet Trump-in, si një “grup ekstremist”.

U shfaq në Fox News gjatë turneut të Trump-it në Lindjen e Mesme për të shpjeguar për Sean Hannity-n pse Irani “nuk do të ketë kurrë armë bërthamore” dhe kërcënoi të “kthejë prapa pasurimin bërthamor në një mënyrë a tjetër.”

Rubio dhe Vance udhëtuan bashkë për në Vatikan për të përshëndetur Papa Leonin XIV pas zgjedhjes së tij, duke formuar një dyshe të katolikëve MAGA që kërkojnë ta mbajnë administratën në marrëdhënie të mira me Kishën Katolike.

Roli i ri i Marco Rubios në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duket se ka zgjeruar rëndësinë e tij edhe në fusha që tradicionalisht nuk lidhen me këtë agjenci.

“Mendoj se tani po shohim një kthesë edhe më të madhe, sepse duket se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga Marco Rubio, po zvogëlohet ndjeshëm,” deklaroi Schanzer. “Dhe kjo do të thotë se ka shumë gjasë që do të shohim më shumë fuqi në duart e sekretarit vetë.”

Kritikët e quajnë shkurtesën e fundit të gjerë të stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare një reduktim të rrezikshëm. Rubio e quajti atë “përshtatje të duhur”.

“NSC-ja është Shteti i Thellë. Është Marco kundër Shtetit të Thellë,” i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë Axios-it. “Ne po e pastrojmë Shtetin e Thellë.”

Përqafimi i plotë i Rubios ndaj agjendës MAGA ka prishur një pjesë të mbështetjes bipartizane që e ndihmoi të merrte postin, por ai duket se nuk shqetësohet shumë për këtë.

Kur Van Hollen i tha Rubios se “pendohet” që votoi për konfirmimin e tij si sekretar shteti, ish-senatori vetëm qeshi.

“Pendesa jote për votën për mua më tregon se po bëj një punë të mirë, duke u bazuar në atë që di për rekordin tënd,” u përgjigj Rubio, duke shkaktuar akuza se nuk po i merr seriozisht detyrat e tij.

Asnjë pengesë tjetër

Tani, i pajisur me mbështetjen e plotë të presidentit, Rubio po drejton burimet e Departamentit të Shtetit drejt çështjeve të brendshme me dimensione të huaja, i gatshëm të veprojë si portier për jo-shtetasit që konsiderohen si përçarës apo nënçmues ndaj interesave kombëtare.

Departamenti i Shtetit filloi një nismë me hetime mbi statusin e vizave të studentëve në Universitetin Columbia që dyshoheshin se kishin marrë pjesë në protesta anti-Izrael në bibliotekën e kampusit.

Kjo betejë u zgjerua në një shtypje mbarëkombëtare ndaj ndikimit kinez në arsimin e lartë amerikan, duke kulmuar me luftën aktuale të administratës kundër Universitetit Harvard.

“Nën drejtimin e presidentit Trump, Departamenti i Shtetit i SHBA do të punojë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të revokuar agresivisht vizat për studentët kinezë, përfshirë ata me lidhje me Partinë Komuniste Kineze ose që studiojnë në fusha kritike,” njoftoi Rubio javën e kaluar.

Në të njëjtën kohë, Rubio po ofron burimet dhe autoritetin e Departamentit të Shtetit për të plotësuar agjenci të tilla si Siguria Kombëtare dhe Imigracioni e Doganat për dëbime masive të emigrantëve të paligjshëm.

Prioritetet e reja u zyrtarizuan në një njoftim të premten nga Departamenti i Shtetit, i atribuuar Rubios, ku shpallej një plan për zhvillimin e mëtejshëm të një “Departamenti më të shkathët, më të pajisur për të promovuar interesat e Amerikës dhe për të mbajtur amerikanët të sigurt në të gjithë botën.”

“Gjatë çerekshekullit të fundit, operacionet e brendshme të Departamentit të Shtetit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, duke sjellë më shumë burokraci, kosto më të larta dhe më pak rezultate për popullin amerikan,” shkroi Rubio. “Që në ditën time të parë si Sekretar, kam thënë se ky Departament duhet të lëvizë me shpejtësinë e rëndësisë dhe, në prill, shpalla një riorganizim të gjerë të Departamentit për ta arritur më mirë këtë qëllim.”

Rubio tha se ristrukturimi i tij është koordinuar me reagimet nga “ligjvënësit, zyrat dhe punonjësit me përvojë të gjatë” për t’i shërbyer më mirë shqetësimeve moderne.

Sipas Axios, plani do të krijojë një Zyrë të Re të Rimigrimit për të lehtësuar dëbimet më të mëdha dhe më efikase përmes Byrosë së Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit.

“Mendoj se ai ka qenë i qartë se politikat që po trajton janë, në fakt, brenda juridiksionit që ka një sekretar shteti,” i tha Yates gazetës Washington Examiner. “Ai ka theksuar se vizat janë në kompetencën e Departamentit të Shtetit. Kjo është thjesht e vërtetë. Dhe kur është fjala për kufijtë dhe çështje të tjera, mendoj se ai në mënyrë të ngjashme ka theksuar juridiksionin e tij.”

Rubio është tani fytyra e filozofisë politike udhëheqëse të administratës Trump, duke thyer secilën pjesë të pushtetit ekzekutiv nga ndarjet e ngurta dhe duke koordinuar veprimin përtej sektorëve pa u shqetësuar nëse shkel mbi territorin e tjetrit.

Në fund të fundit, nëse çdo anëtar i kabinetit është pjesë e Ekipit Trump, ku është problemi që ndajnë punën?

“Nëse duam të jemi efektivë, të gjithë përfaqësuesit kryesorë të presidentit duhet të ndajnë juridiksionin mbi këtë,” tha Yates. “Nuk mund të trajtosh ndikimet dashakeqe të Partisë Komuniste Kineze duke e konsideruar atë vetëm si një sfidë të politikës së jashtme, apo çështjet në arsim vetëm si një sfidë të Departamentit të Arsimit.”

“Duhet të përfshihen të gjithë,” vazhdoi ai. “Dhe në të vërtetë, është në dorën e presidentit të vendosë me kë ndihet më rehat për t’i trajtuar këto gjëra.”

Trump duket se është dakord, dhe nuk ka askënd me të cilin ndihet më rehat sesa me Rubion.

“Marco Rubio, i jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm. Marco, kur kam një problem, e marr në telefon Marco-n,” tha Trump për sekretarin e tij të shtetit në të njëjtën ditë që e emëroi edhe në krye të NSC-së.

sn

Trump- Musk përplasje publike, miliarderi: Pa mua do t’i kishe humbur zgjedhjet

Presidenti i SHBA, Donald Trump shprehu pakënaqësinë e tij me qëndrimin e Elon Musk  me rastin e kritikave publike të shefit të Teslës për “Bill Bill Bill” , i cili ka mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.

Musk ka shprehur vazhdimisht kundërshtime, duke përmendur vlerësime për një rritje të deficitit.

“Ne patëm një marrëdhënie të shkëlqyer me Elon. Nuk e di nëse kemi më,” tha Trump në deklaratat nga Zyra Ovale, më pak se një javë pasi të dy burrat shkëmbyen fjalë të ngrohta në ditën e fundit të Musk në Shtëpinë e Bardhë.

“Jam shumë i zhgënjyer nga Eloni”, u tha presidenti amerikan gazetarëve, duke shtuar:

“E kam ndihmuar shumë”. Presidenti amerikan nuk mungoi të theksonte se Musk kishte njohuri të thella për përmbajtjen e projektligjit: “Ai e dinte çdo aspekt të këtij projektligji. Ai e dinte më mirë se pothuajse kushdo tjetër dhe nuk kundërshtoi kurrë derisa u largua”, tha Trump.

Trump vlerësoi se reagimi i shefit të Teslës ishte për shkak të faktit se “ai reagoi vetëm kur mësoi se do të na duhej të ulnim kuotën e detyrueshme për automjetet elektrike”, duke nënkuptuar se interesat e biznesit të Musk ndikojnë në qëndrimin e tij.

Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi sulmet e tij të ashpra kundër miliarderit, duke sugjeruar se ndryshimi në qëndrimin e njeriut të fortë të Teslës ishte për shkak të largimit të tij nga qeveria. Sipas Trump, shumë nga ish-bashkëpunëtorët e tij përfundojnë duke sulmuar administratën e tij sepse thjesht u mungon pushteti dhe dukshmëria.

“Do të jem i sinqertë: mendoj se atij i mungon vendi”, tha ai për Musk, i cili është tërhequr nga roli i tij këshillues. “Njerëzit largohen nga qeveria ime dhe na duan. Dhe në një moment, u mungon aq shumë sa disa e përqafojnë dhe disa bëhen armiqësorë.”

Trump argumentoi se ky është një model i njohur: “E kemi parë me të tjerët. Ata largohen, zgjohen një mëngjes dhe shkëlqimi zhduket. E gjithë bota është ndryshe dhe ata bëhen armiqësorë. Nuk e di pse ndodh.”

Elon Musk iu përgjigj deklaratave të Donald Trump në një mënyrë kaustike. “Çfarëdo qoftë,” shkroi Musk me ironi në platformën X, ndërsa Trump ende po fliste me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, duke shprehur zhgënjim me qëndrimin e ish-këshilltarit të tij.

Përgjigja e themeluesit të Tesla dhe SpaceX ishte e menjëhershme dhe agresive në lidhje me përmbajtjen e projektligjit. “Mbani shkurtimet në stimujt për automjetet elektrike dhe energjinë diellore – megjithëse është plotësisht e padrejtë, për sa kohë që subvencionet e naftës dhe gazit mbeten të paprekura – por hiqni qafe malin e mbeturinave që keni ngarkuar në projektligj”, shkroi Musk. Ai shtoi: “Në historinë e qytetërimit, nuk ka pasur kurrë një projektligj që të ketë qenë njëkohësisht i madh dhe i bukur . Të gjithë e dinë këtë! Ose keni një projektligj të madh dhe të shëmtuar, ose një projektligj të vogël dhe të bukur . E vogël dhe e bukur është e duhura

“Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senati do të ishte 51-49 në favor të tyre”, shtoi ai, duke shtuar: “Një mosmirënjohje e tillë”.

Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

Radio Evropa e Lirë

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë emigrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, dhe është në pritje të përgjigjes.

Ngjashëm, REL-i u është drejtuar edhe autoriteteve në Serbi.

Kërkesat ndaj vendeve të rajonit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja, të gatshme për të pranuar emigrantët e dëbuar, raporton Bloomberg, duke cituar burime që kanë dijeni për këtë çështje.

Reuters shkruan se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur raportin.

Agjencia shkruan se Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ministria e Jashtme e Serbisë nuk u janë përgjigjur ende kërkesave të saj për koment.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

SHBA: Kosovari Lirim Sylejmani dënohet me burg për bashkim me IS-in

Radio Evropa e Lirë

Lirim Sylejmani, 49 vjeç, i lindur në Kosovë dhe me shtetësi amerikane, është dënuar me 10 vjet burg nga një gjykatë federale në Uashington për pjesëmarrje në trajnim ushtarak me organizatën terroriste grupi militant (IS) dhe për përfshirje në të paktën një përballje të armatosur kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të.

Sylejmani, i njohur edhe me emrin Abu Sulayman al-Kosovi, kishte pranuar fajësinë në dhjetor të vitit 2024 për marrje të trajnimit ushtarak nga një organizatë e shpallur si terroriste.

Përveç dënimit me burg, gjyqtari federal urdhëroi që ai të qëndrojë gjatë gjithë jetës nën mbikëqyrje pas lirimit.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Sylejmani kishte udhëtuar në Siri në nëntor të vitit 2015 së bashku me familjen e tij për t’iu bashkuar IS-it.

Pas mbërritjes, ai kreu trajnime ushtarake për 21 ditë dhe më pas iu bashkua një njësie luftarake në Mosul, Irak, ku mori armë dhe pajisje luftarake, përfshirë pushkën automatike AK-47 dhe granata.

Ai gjithashtu dha besën e besnikërisë ndaj liderit të atëhershëm të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Në maj të vitit 2016, Sylejmani u dërgua në vijën e parë të frontit ku u plagos nga copëzat e një shpërthimi.

Pas shërimit, ai u transferua në një njësi tjetër dhe vazhdoi të shërbente për IS-in, duke marrë edhe pagesa për aktivitetin e tij.

Në vitin 2019, teksa IS-i po humbiste territor, ai u zhvendos me familjen në Baghouz të Sirisë.

Sylejmani u kap më 27 shkurt 2019 nga Forcat Demokratike Siriane dhe u mbajt në burgun Dashisha.

Në shtator 2020, ai iu dorëzua autoriteteve amerikane dhe u dërguar në SHBA për tu përballuar me drejtësinë.

“Ky person do ta kalojë një dekadë në burg duke reflektuar për tradhtinë ndaj vendit të tij”, tha prokurorja amerikane, Jeanine Pirro.

Rasti u hetua nga Forca e Përbashkët Kundër Terrorizmit e FBI-së dhe u ndoq penalisht nga prokurorët e sektorit për siguri kombëtare të Departamentit të Drejtësisë.

‘Ka 12 deri në 18 muaj jetë’, ish mjeku i Shtëpisë së Bardhë shokon me deklaratën për Bidenin

Dr. Ronny Jackson, ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë tha në një intervistë ekskluzive për Washington Free Beacon se ish-presidenti amerikan, Joe Biden ka vetëm 12 deri në 18 muaj jetë.

“Megjithëse kjo nuk është fusha ime e specializuar, jam konsultuar shumë urologë pas daljes së lajmit dhe të gjithë ata kanë arritur në të njëjtin përfundim”, tha Dr. Jackson.

Ai theksoi se bazuar në informacionet që ka dhe analizat e mjekëve specialistë, perspektiva për jetën e 82-vjeçarit është e kufizuar në këtë periudhë kohore.

Megjithatë, Dr. Jackson nuk ka humbur shpresën “se trajtimi do të jetë efektiv dhe që presidenti Biden të jetojë shumë më gjatë se sa parashikimet e tanishme”.

Ai nënvizoi rëndësinë e trajtimeve të avancuara dhe përkujdesjen intensive mjekësore që ish-lideri amerikan po merr aktualisht.

Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, teksa publiku dhe komuniteti politik po ndjekin me vëmendje shëndetin e presidentit më të moshuar në historinë amerikane.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar drejtpërdrejt për këtë deklaratë, mediat po vazhdojnë të kërkojnë informacione të mëtejshme për gjendjen shëndetësore të Biden. bw

Ish-presidenti amerikan Biden diagnostikohet me kancer të prostatës

Radio Evropa e Lirë

Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, është diagnostikuar me një formë “agresive” të kancerit të prostatës, që tashmë është përhapur në kocka, thuhet në një deklaratë të zyrës së tij të publikuar të dielën. Ai dhe familja e tij po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët.

Biden u diagnostikua të premten, pasi kishte shfaqur simptoma urinare, thuhet në deklaratë.

“Ndonëse bëhet fjalë për një formë më agresive të sëmundjes, kanceri duket të jetë i ndjeshëm ndaj terapisë hormonale, gjë që mundëson një menaxhim efektiv”, sqaroi zyra e tij.

Mandati i Bidenit si president përfundoi më 20 janar, kur Donald Trump u betua si president i SHBA-së.


Send this to a friend