VOAL

VOAL

VOA: Incident në Oscars, Will Smith godet prezantuesin Chris Rock

March 28, 2022

Komentet

Dossier: Sherr sot në GJKKO mes ish-Presidentit Ilir Meta e ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi – Meta: Shatku njeri i UDB – Kryemadhi: Mjaft me llafet e Dumanit e Blushit

Gjyqi i themelit për Metën dhe Kryemadhin, avokati i ish-deputetes

Sherr mes Kryemadhit dhe Metës në gjykatë: Boll se nuk duroj më! Mos u merr me llafe grash

Këtë të mërkurë, 24 qershor, në GJKKO është duke u zhvilluar seanca ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, ku dy janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

 

Sherr mes Kryemadhit dhe Metës në gjykatë

Ish-Presidenti Ilir Meta është përplasur verbalisht me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi gjatë seancës gjyqësore të mbajtur sot.

Meta tha se nuk ka dijeni për veprimet e Kryemadhit, duke shtuar se ajo e di vetë historinë e mesazheve.

Ndërsa Kryemadhi është kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk duhet të flasë bazë thashethemesh e llafesh grash, apo fjalët që i sjell Dumani.

Përplasja në sallën e gjyqit:

Meta: Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi.”

Në këtë moment, Monika Kryemadhi i përgjigjet: “Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”

Pasi gjykata i tërheq vëmendje, Kryemadhi thotë: “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”

Duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ndodhet në sallë.
Gjykata: Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni.

Këtë të mërkurë, 24 qershor, në GJKKO është duke u zhvilluar seanca ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, ku dy janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Gjatë seancës avokati i Monika Kryemadhit nuk ka hyrë ende në sallë. Redi Llanaj, ashtu si në seancën e shkuar nuk lejohet të hyjë pasi nuk pranon t’i kontrollohet çanta nga punonjësit e sigurisë.

Esmeralda Rama, do jetë përfaqësuese ligjore e Monika Kryemadhit në seancën e kësaj të mërkure, pasi sërish Redi Llanaj pati probleme në skanimin e sendeve të tij personale.

Ndërkohë avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani kundërshton akuzat e ngritura nga SPAK.

“Kallëzimi penal i parë nuk ishte për zotin Meta, ishte për Sali Berishën dhe kabinetin e tij për koncesionin, jo individualisht. Më pas çuditërisht u kallëzua edhe Meta nga Romeo Kara. CEZ DIA është një ndërmarrje shtetërore. DIA është një kompani amerikane.  Meta nuk është përmendur kurrë. Akuza është bërë për të goditur Metën. Në 15 faqe përmblidhet çështja e shekullit, pastaj faqet e tjera janë për t’u mbushur. Kjo është luftë politike.

Dhe luftën politike, nuk mund ta materializosh me akuzë, sidomos për një akuzë të rëndë për korrupsion. Në 2009, kur është shkruar mesazhi që pretendon akuza ‘Deri nesër më duhen 200 mijë’, nuk ekziston në dosje, dhe asokohe Meta nuk ishte funksionar publik, ishte deputet opozitar. Ku është subjekti i posaçëm që akuzohet për korrupsion pasiv? Meta ishte një deputet i thjeshtë që vinte vërdallë aty… si këta sot. Nuk ishte ministër apo zyrtar i lartë. CEZ DIA është një statistikë, një episod për të dënuar Meta. Dhe këto janë përpiluar në akuzë”, tha Cakrani.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht të vitit të shkuar, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Më herët, me anë të një letre dërguar kreut të SPAK, Klodian Braho, ai ka kërkuar publikimin e kontratës së lobimit të LSI-së në SHBA, duke pretenduar se mbajtja sekret e dokumenteve po i pamundëson mbrojtjen në gjykatë.

Ish-Presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrim për paraqitje”.

Dosja e tij dhe Kryemadhit është ndarë në dy pjesë. Për Metën e Kryemadhin gjykimi do vijoj më vete me procedurë të zakonshme, ndërsa është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar nga Pirro Xhixho, Ema Çoku e Fatime Kryemadhi.

“Më sillni personin që e ka nisur” Meta mohon në GJKKO mesazhin për 200 mijë Euro

 

Këtë të mërkurë në GJKKO po zhvillohet seanca e themelit ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Të dy janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Gjatë seancës, Meta ka vijuar vetëmbrojtjen, duke u ndalur te çështja CEZ-DIA. Ai ka hedhur poshtë deklarimet e bëra nga Dritan Prifti, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

“Do bëj dy plotësime për CEZ DIA. Gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ DIA. Ka një email që i ka dërguar Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës. Ky Dritan Prifti thotë që “nuk kam firmosur kurrë, mund ta kem takuar…”, deklaroi ish-presidenti.

Meta përmendi gjithashtu dëshminë e një prej ish-drejtuesve të CEZ, Josef Heisek. Sipas tij, Heisek ka deklaruar në vitin 2011 se nuk e njihte Kastriot Ismailajn, ndërsa më vonë ka thënë se prezantimi ishte bërë nga Qazim Tepshi, ambasadori i Shqipërisë në Çeki.

“Në dëshminë e tij, z. Heisek në 2011 thotë:
Nuk e njoh personin që më prezantoi CEZ DIA. Më pas, në 2014, kujton se ia prezantoi Qazim Tepshi. Ishin disa kompani, ka thënë ai, dhe ne morëm disa të dhëna për DIA-n. Ajo që na bindi ishte DIA amerikane”, citon Meta.

Sipas dëshmive të administruara në dosjet hetimore dhe në arbitrazh, Qazim Tepshi, në atë kohë ambasador i Shqipërisë në Çeki, ka qenë personi që ka prezantuar biznesmenin Kastriot Ismailaj me drejtuesit e kompanisë CEZ në Pragë.

Më tej, Meta kundërshtoi edhe pretendimin e SPAK lidhur me një mesazh të vitit 2009 për shumën “200 mijë”. Ai tha se nuk ka prova që mesazhi të jetë dërguar prej tij dhe se një gjë e tillë nuk rezulton në dosje.

“Më sill mua patronazhistin që e ka nisur. Është shumë e thjeshtë me teknologjinë që ka avancuar që të niset një mesazh i tillë. Unë isha në opozitë. Është e pamundur që unë të nisja një mesazh të tillë për diçka që do të ndodhte 14 muaj më pas.”, deklaroi Meta.

Gjyqi i themelit për Metën dhe Kryemadhin, avokati i ish-deputetes ngelet jashtë sallës së gjyqit; s’pranoi kontrollin e çantës

Ditën e sotme do të mbahet gjyqi i themelit për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi në Gjykatën e Posaçme.

Mësohet se avokati i Kryemadhit nuk ka hyrë ende në sallë, pasi Redi Llanaj, ashtu si në seancën e shkuar, nuk lejohet të hyjë pasi nuk pranon t’i kontrollohet çanta nga punonjësit e sigurisë.

Kujtojmë se edhe më herët, GJKKO e la në burg ish-presidentin, pavarësisht se ai kishte ofruar 50 mijë euro garanci pasurore.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje./pamfleti

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie! Shqipëria nuk është për shitje, e ardhmja e saj europiane duhet t’u përkasë qytetarëve të saj — jo oligarkëve

 

 

Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, aleancës së liberal-demokratëve në Parlamentin Europian, i bëri të martën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të dëgjojë zërin e protestuesve për ndryshim demokratik dhe llogaridhënie.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk duhet të rrëmbehet nga interesat oligarkike”, thuhet në nisje të qëndrimit të Partisë Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, publikuar të hënën në mbrëmje, kur në Tiranë po mbahej protesta e 23-të radhazi kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Protesta, që nisi si një kundërshtim ndaj planeve të qeverisë për të ndërtuar një kompleks rezidencial në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, u shndërrua shpejt në një lëvizje anti-estabilishment me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit.

Partia Demokratike Europiane thotë se po ndjek me shqetësim mobilizimin qytetar në Shqipëri dhe pyetjet që ai ngre për transparencën, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të vendit.

“Ajo që nisi si një protestë kundër një projekti të kontestuar imobiliar në një zonë natyrore të mbrojtur është kthyer në një kërkesë më të gjerë për llogaridhënie dhe ndryshim demokratik. ‘Revolucioni i Flamingove’ tregon se shumë shqiptarë nuk pranojnë që aspiratat e tyre europiane të reduktohen në marrëveshje të errëta, privilegje private dhe interesa oligarkike”, thuhet në qëndrimin e demokratëve europianë.

Sandro Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe deputet i Parlamentit Europian, thotë se “ky mesazh duhet të dëgjohet në Tiranë dhe në Bruksel” dhe se “pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, Kryeministri Edi Rama nuk mund t’i shpërfillë kërkesat legjitime për llogaridhënie dhe për një ndryshim të vërtetë kursi, nëse kjo është ajo që shqiptarët zgjedhin me mjete demokratike”.

“Shqipëria i përket Bashkimit Europian,” shton Gozi, “por anëtarësimi nuk mund të ndërtohet mbi mbrojtje të dobësuara, marrëveshje pas dyersh të mbyllura apo rrëmbimin e të mirave publike nga një grusht i fuqishëm. Zhvillimi duhet t’u shërbejë qytetarëve, të mbrojë trashëgiminë natyrore dhe të respektojë shtetin e së drejtës.”

“Shqipëria nuk është për shitje, e ardhmja e saj europiane duhet t’u përkasë qytetarëve të saj — jo oligarkëve”, përfundon Gozi.

Në këtë kontekst, PDE bën të ditur se Gozi paraqiti të hënën një pyetje prioritare me shkrim drejtuar Komisionit Europian, duke kërkuar se si e vlerëson ai këto zhvillime përkundrejt detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit lidhur me shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe çfarë hapash do të ndërmarrë për të garantuar vendimmarrje transparente dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore.

Nga Alba Kepi – Prato, laboratori kriminal i Europës: Alarmi për zgjerimin e grupeve shqiptare dhe nisma e re e Parlamentit Italian

Prato, zemra e industrisë tekstile italiane dhe një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit në Europë, po përballet me sfidën e depërtimit të rrjeteve kriminale transkufitare.

Distrikti i tekstilit, zinxhiri i prodhimit të modës së shpejtë dhe aftësia për t’u përshtatur me tregjet globale e kanë shndërruar qytetin toskan në një qendër ndërkombëtare të qarkullimit të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve. Por e njëjta shpejtësi që ka ushqyer rritjen ekonomike ka krijuar gjithashtu hapësira për veprim edhe për organizatat kriminale.

Vitet e fundit, magjistratura dhe strukturat hetimore italiane kanë sinjalizuar se territori i Pratos është shndërruar në një pikë kyçe bashkëpunimi për format e reja të krimit të organizuar rrjete fleksibël, të afta të operojnë përtej kufijve kombëtarë, të depërtojnë në ekonominë ligjore dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron globalizimi.

Nuk bëhet më fjalë vetëm për mafiet tradicionale italiane, por për një sistem kriminal kompleks, të bazuar në aleanca të përkohshme, shkëmbim shërbimesh dhe interesa ekonomike të përbashkëta. Prato, me intensitetin e lartë të shkëmbimeve tregtare, flukset e mëdha financiare dhe praninë e zinxhirëve të fragmentuar të prodhimit, përfaqëson një terren veçanërisht tërheqës për organizatat kriminale që synojnë të riciklojnë kapitalet e paligjshme dhe të integrohen në ekonominë reale.

Prokurori i Pratos, Luca Tescaroli, në një intervistë eskluzive për Syri Tv. e ka cilësuar territorin si një «laborator kriminal multietnik», ku organizata të ndryshme mafioze ndërveprojnë, bashkëpunojnë dhe shfrytëzojnë ekonominë globale për interesa të paligjshme.

Mes tyre, sipas prokurorit, grupet kriminale shqiptare po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në panoramën kriminale ndërkombëtare.

Tescaroli i përshkruan ato si struktura kriminale në zgjerim, të afta për të krijuar marrëdhënie me organizata mafioze italiane, për të kontrolluar rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe për të ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës në Amerikën Latine.

Sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë bërë aktorë kyç jo vetëm në trafikun e narkotikëve, por edhe në pastrimin e parave, duke bashkëpunuar me rrjete të tjera kriminale transnacionale.

Një element veçanërisht shqetësues, sipas prokurorit, është përdorimi i sistemeve informale të transferimit të parave, të njohura si “banka klandestine”, që lejojnë lëvizjen e kapitaleve pa kaluar përmes sistemit bankar tradicional.

Por risia më e rëndësishme e deklaratave të Tescarolit lidhet me nevojën për të krijuar instrumente të reja ligjore për luftën kundër mafieve moderne.

Prokurori bën thirrje për zgjerimin e mbrojtjes ligjore për bashkëpunëtorët dhe dëshmitarët e drejtësisë me shtetësi të huaj, duke argumentuar se organizatat kriminale transnacionale mund të goditen më efektivisht vetëm nëse shteti ofron garanci konkrete për ata që vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Sipas tij, në Parlament janë paraqitur tashmë propozime ligjore për të lehtësuar dhënien e shtetësisë italiane për dëshmitarët e huaj të drejtësisë, një masë që mund të zgjerohet edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë që japin një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.

Image

Intervista

Pyetje – Alba Kepi: Prokuror, ju e keni përkufizuar Praton si një “laborator kriminal multietnik”. Ku pozicionohet kriminaliteti i organizuar shqiptar në këtë panoramë?

Përgjigje – Luca Tescaroli: Nuk mund të jap indikacione specifike për pyetjen që më bëni. Mund të them, në terma të përgjithshëm, se kriminaliteti shqiptar është një nga strukturat kriminale që ka fituar dhe po fiton hapësira gjithnjë e më të mëdha në panoramën kriminale botërore.

Në vendin tonë, këto organizata janë konsoliduar dhe përbëjnë një pikë referimi për realitete të tjera mafioze, si ‘Ndrangheta dhe Sacra Corona Unita.

Ato konsiderohen partnerë të besueshëm në trafikun e lëndëve narkotike dhe kanë marrë një rol të rëndësishëm në këtë sektor.

Arrijnë të kenë kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, kontrollojnë porte në vende të ndryshme dhe menaxhojnë importimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.

Gjithashtu, luajnë rol edhe në aktivitetet e pastrimit të parave.

Ndërveprojnë me grupe kriminale kineze dhe përdorin shërbimet financiare që këto organizata janë në gjendje të ofrojnë përmes sistemeve të ashtuquajtura “banka klandestine”.

Këto sisteme mundësojnë kryerjen e pagesave në vende të ndryshme pa pasur nevojë për lëvizjen fizike të parave.

Prandaj, ato janë tashmë plotësisht të integruara në panoramën kriminale të vendit tonë dhe përbëjnë një rrezik në rritje, i cili duhet të luftohet me mjete gjithnjë e më efektive.

Do të ishte e rëndësishme të mendohej për zgjerimin e legjislacionit aktual italian edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë me shtetësi të huaj.

Masat e mbrojtjes dhe asistencës të parashikuara nga ligji mund të nxisin bashkëpunimin me drejtësinë si nga anëtarët e organizatave kriminale të huaja, ashtu edhe nga dëshmitarët.

Kjo do të përmirësonte ndjeshëm efektivitetin e veprimeve kundër krimit të organizuar transnacional.

Alba Kepi: Kjo duket si një risi e rëndësishme. A ekziston tashmë një propozim konkret?

Luca Tescaroli: Në Parlament janë paraqitur propozime si në Dhomën e Deputetëve ashtu edhe në Senat për të lehtësuar dhënien e shtetësisë italiane për dëshmitarët e huaj të drejtësisë.

Këto masa mund të zbatohen edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë që japin një kontribut të rëndësishëm.

Ky është një fillim. Shpresojmë që iniciativa të tilla të gjejnë mbështetje të gjerë politike dhe të shndërrohen në ligj.

Alba Kepi: Hetimet e fundit në Prato dhe në Toskanë kanë folur për bashkëpunime mes grupeve kriminale kineze dhe shqiptare në fushën e pastrimit të parave.

Luca Tescaroli: Nuk mund dhe nuk dua të flas për hetime që janë ende në zhvillim.

BIRN: Të zhdukurit e komunizmit, kërkohet veprim nga prokuroria

Zhvillohen aktivitete rutinë si ky i mëposhtëmi, por faktet mbeten rrëqethëse, presin që popullit t’i vdesë plotësisht memoria:
————————–

Në godinat e braktisura të ish kampit të punës së detyruar të Spaçit, i përdorur gjatë diktaturës komuniste si vend dënimi për të burgosurit politikë, u përkujtua 53-vjetori i Revoltës së Spaçit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të qëndresës ndaj regjimit totalitar drejtuar nga Enver Hoxha.

Protesta e të burgosurve nisi më 21 maj 1973 si kundërshtim ndaj punës së detyruar në minierë, por ajo mori ngjyrim politik kur të burgosurit  të organizuar morën kontrollin e burgut duke hedhur parrudhat;  “Poshtë komunizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”

Shtypja e revoltës nga forcat policore të regjimit përfundoi me 4 të pushkatuar,  Pal Zefi, 33 vjeç, Skënder Daja, 23 vjeç, Dervish Bejko, 27 vjeç dhe Hajri Pashaj, 29 vjeç, ndërsa dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.

Katër të ekzekutuarit e kësaj revolte sot e kësaj dite mbeten pa varr, por gjetjet e fundit të një hetimi të kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve, AIDSSH, kanë ngjallur shpresat për gjetjen e eshtrave të tyre.

Hetimi i ekspertëve të ICMP konstatoi se ka indikacione për ‘mbetje njerëzore’ në thellësi të tokës në zonën e Shpalit në zonën ku ndodhet ish-burgu i Spaçit, vend ku sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore besohet se janë varrosur pas pushkatimit 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit.

Edhe pse më shumë se tre dekada pas rënies së regjimit komunist Shqipëria ka bërë pak ose aspak në drejtim të gjetjes së të zhdukurve, pasi ende nuk është ndërmarrë një aksion serioz për të kërkuar, zhvarrosur dhe identifikuar trupat e mijëra shqiptarëve që rezultojnë të zhdukur para viteve ’90.

Dhe pse me një marrëveshje ligjore në fuqi mes qeverisë shqiptare dhe ICMP-së dhe rekomandimeve të Komisionit Europian procesi nuk ka nisur për shkak të mungesës së vullnetit politik, përplasjes mes institucioneve për përgjegjësitë dhe boshllëqeve ligjore.

Por, Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, u shpreh optimiste se gjërat do të ndryshojnë pas gjetjeve të reja. Ajo u tha të pranishmëve në aktivitetin përkujtimor se Autoriteti ka dorëzuar në prokurori raportin hetimor të ICMP-së dhe po pritej leja për nisjen e zhvarrimeve.

“Në Shpal mendojmë se, përmes provave që kemi mbledhur, mund të jetë vendi ku ndodhen trupat e tyre. Raportin e kemi përfunduar, e kemi miratuar dhe ia kemi nisur Prokurorisë së Rrethit, së bashku me pesë raporte të tjera për vendvarrime të dyshuara”- tha ajo duke shtuar se po AIDSSH po priste “me padurim hapat e mëtejshëm: lejen për gërmim dhe procesin e identifikimit”.

Duke folur në mënyrë simbolike pas një porte hekuri të qelive të Spaçit, ambasadori i BE-së, Silvo Gonzato, bëri apel për nevojën për drejtësi dhe dëmshpërblim për ata që vuajtën nën mizorinë e regjimit komunist, si vlera thelbësorë të Bashkimi Evropian.

“Ne u detyrohemi këtyre njerëzve tre gjëra: së pari, një vend kujtese për jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan; së dyti, drejtësi për ta dhe për familjet e atyre që u vranë; dhe së treti, dëmshpërblim, sepse dëmshpërblimi është një mënyrë konkrete për të njohur vuajtjen e shkaktuar dhe për të rikthyer dinjitetin e tyre”- tha ai.

Ambasadori Silvio Gonzato në Spaç

Autoritetet shqiptare vlerësojnë se rreth 6,000 shqiptarë vdiqën nga torturat ose ekzekutimet jashtëgjyqësore ose u qëlluan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin midis viteve 1944 dhe 1991, kur Shqipëria drejtohej nga një diktaturë e egër staliniste. Që nga rënia e komunizmit, të afërmit e të zhdukurve kanë kërkuar gjetjen e eshtrave të tyre, por kanë marrë pak ndihmë nga shteti.

Dëshmitë dhe dokumentet arkivore sugjerojnë se në territorin e Shqipërisë, kryesisht pranë burgjeve dhe kampeve të internimit, janë dhjetra lokacione që kanë shërbyer si vendvarrime për kundërshtarët e regjimit.

AIDSH thotë se hetimi i ICMP ka referuar edhe 5 vendvarrime të tjera përveç zonës së Shpalit në Mirditë ku besohet se janë varrosur 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit. Ato janë Zona pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë; Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazi, Sait Kazazi, Gjon Shllaku, Dom Luigj Zojzi dhe personave të tjerë të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953; si dhe vendvarrime të dyshuara në Mallkeq; në Shënvasil dhe në vendin e quajtur Shelegur, në malin e Gramozit.

Për hulumtuesit e historisë së komunizmit nevoja për veprim konkret nga institucionet në këtë drejtim sa vjen e bëhet më e madhe me kalimin e viteve për të përballur shoqërinë me përmasat e krimeve të komunizmit dhe kthimin e dinjitetit njerëzor për të zhdukurit dhe familjet e tyre.

Enriketa Papa, pedagoge në departamentin e Historisë në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN se procesi duhej të përfshinte patjetër hetim penal nga prokuroria për rastet e referuara nga AIDSH me raportin e gjetjeve të ICMP-së, por ajo shprehet skeptike për kapacitetin dhe vullnetin e institucionit për ta bërë këtë.

“Prokuroria e shtetit në radhë të parë nuk ka eksperiencë, mund të ketë dhe mungesë interesi për shkak të mbingarkesës së punës, dhe çështja e ‘missing persons’ mbetet në plan të dytë. Pra nuk është çështje emergjente për prokurorinë”- tha ajo.

Por, Papa, shton se “me zbulimet e ICMP-së patjetër që hetimi penal duhet të bëhet edhe në aspektin e identifikimin të viktimave, si është zbatuar vendimi i gjykatës për dënimet e tyre, por sigurisht dhe në aspektin e dinjitetit njerëzor”.

Ajo sugjeron që prokuroria të krijojë një departament për këtë çështje dhe të marrë eksperiencë nga vendet e tjera ku procesi për kërkimin e të zhdukurve nga regjimet totalitare është zhvilluar.

Për sa i përket ndikimit dhe pasojave  që ka në kujtesën kolektive gjetja e tyre, Papa thotë se “kjo është e rëndësishme sepse lidhet me të vërtetën historike për të kuptuar çfarë ka ndodhur”. Sipas saj ky është një kapitull pak i heshtur kur vjen puna tek çështje të drejtësisë tranzitore dhe përballjes me të shkuarën komuniste dhe se Shqipëria është tmerrësisht vonë për të akumuluar kaq shumë çështje që skanë gjetur zgjidhje.

“Duhet të jetë prioritet i drejtësisë sepse me gjetjen e tyre, jo vetëm familjet kanë nevojë për kthimin e dinjitetit njerëzor, por dhe shoqëria ka nevojë për të kuptuar se çfarë ishte komunizmi dhe përmasat e këtij krimi, sa janë vrarë, sa janë ende të zhdukur sot, sepse ende hamendësojmë mbi numrat”

Edhe Admirina Peçi, gazetare që prej më shumë se një dekade merret me memorien nëpërmjet një programi televiziv të përjavshëm ‘DosjaK’ dhe autore e ‘BunkArt’, i tha BIRN-it se gjetjet për vendvarrimet duhet të shoqërohen me “veprim institucional”.

“Prandaj pyetja sot nuk është vetëm nëse ekziston kapacitet teknik për gjetjen e të zhdukurve, por nëse ekziston një vullnet i qëndrueshëm për ta trajtuar këtë si çështje drejtësie dhe dinjiteti njerëzor, jo thjesht si çështje memoriale”- shton ajo.

Duke sjell përvojën e saj duke punuar në fushën e memories Peçi thotë se përmasat e këtij krimi shtetëror janë të mëdha dhe tregojnë mënyrën se si regjimi I trajtonte kundërshtarët politikë, duke mos u dhënë as të drejtën e një varri.

“Kam dëgjuar dëshmi të ish-të burgosurve apo banorëve lokalë që tregojnë për varrime natën, pa emra, pa shenja, në vende që më pas janë mbuluar nga koha dhe heshtja dhe duhet të kuptojmë se këto nuk janë vetëm histori të së shkuarës; janë plagë që vazhdojnë të ekzistojnë në mijëra familje shqiptare edhe sot”- thotë ajo.

Sipas Peçit, procesi I gjetjes dhe rikuperimit të eshtrave të të zhdukurve duhet të shoqërohet me një hetim penal për krimet e komunizmit.

“Mungesa e një hetimi ka krijuar një boshllëk të madh në ndërgjegjen publike shqiptare, sepse kur një shoqëri nuk arrin të emërtojë viktimat, të gjejë trupat apo të pranojë përgjegjësitë institucionale të së kaluarës, krijohet ideja se krimet mund të harrohen me kalimin e kohës”- thotë ajo duke theksuar se “kjo dëmton jo vetëm kujtesën kolektive, por edhe besimin te drejtësia dhe te vetë shteti”.

Ndërsa heshtja institucionale është, sipas Peçit, “rrezik që historia të relativizohet ose të banalizohet.” /Reporter.al

Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova ndan vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Pas takimit me komisioneren e BE-së për Zgjerim Marta Kos, Kurti ka theksuar se gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Ai ka shtuar se mungesa e funksionimit të Kuvendit ka shkaktuar vonesa në reforma, e se tash “po rrezikohen edhe për afatin e qershorit”.

Kurti ka thënë tutje se me komisioneren Kos është ngritur edhe çështja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim”, ka thënë ai në konferencë për media.
Kurti ka deklaruar se Kosova ka bërë progres në shtylla themelore dhe se kjo meriton njohje nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit.

“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor”.

“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësia e gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”.

Kurti tutje shtoi se me komisioneres u fol edhe për bashkëpunimin rajonal. Përmendi se Bosnja e Hercegovina ende nuk i ka hequr vizat për Kosovës, e se Serbia po e mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave.

“Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit. Në Banjskë me 24 shtator 2019 dhe në kanalin Iber-Lepenc në infrastrukturë kritike me 2024, që të dyja këto të financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie, rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të jetë bashkëpunues, kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”.

Kurti ka kërkuar që të zbatohen tri masa mirëbesimi nga Serbia në mënyrë që të vazhdojë dialogu. Ai ka kërkuar dorëzimin nga Serbia të kriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiqit për mosnjohje të integritetit territorial të Kosovës, dhe zbatimin e marrëveshjeve.

“Ne jemi për të drejtat e pakicave, ne jemi për të drejtat e njeriut, sepse këto janë thelbësore për demokracinë, por në anën tjetër kërkojmë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian që të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut edhe në Serbi të respektohen në mënyrë që të kemi përafërsisht një lloj simetrie në të dyja anët”./Koha.net

Anadolu: Shqipëri, tensione dhe përplasje në protestën e opozitës, kërkohet dorëheqja e Ramës

Opozita në Shqipëri ka vazhduar protestat antiqeveritare, ndërkohë që protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe përplasje, raporton Anadolu.

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, ka organizuar protestën kombëtare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Fillimisht protestuesit u mblodhën para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe deputetë të opozitës.

Gjatë protestës nuk pati fjalime nga përfaqësuesit e opozitës, ndërsa protestuesit marshuan edhe në disa nga rrugët e kryeqytetit, duke përdor edhe koktej molotovi dhe fishekzjarrë pranë selisë së Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, gjatë marshimit të protestuesve filluan edhe tensionet, pasi forcat e policisë nuk kanë lejuar protestën para selive të ministrive, duke shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë.

Gjithashtu u shënuan edhe përplasje mes disa deputetëve dhe protestuesve nga njëra anë dhe forca të policisë nga ana tjetër.

Për protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë dhe u bllokuan disa akse rrugore.

Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, ndërkohë që kanë paralajmëruar vijimin e protestave./sn

“Kam drejtuar 3 vjet Foltoret – prej 17 vjeç jam me PD – Një herë dola agjent se isha kundër Lulit, tani kundër Berishës”, flet këshilltari Dritan Burgija i shkarkuar nga Noka

TPZ

Partia Demokratike lajmëroi shkarkimin e dy këshilltarëve të saj në Durrës, Arlind Boshku dhe Dritan Burgija, pasi ishin krah Salianjit në takimet me demokratët e Durrësit. Dritan Burgija, i ftuar në emisionin”Të Paekspozuarit” në MCN T,m u shpreh se nuk dinte akoma pse ishte shkarkuar dhe se lajmin e mori vesh nga mediat.

“Ka dy ditë që po përpiqem ta gjej se çfarë ka ndodhur, që faktet për shkarkimin tim dhe të Arlind Boshkun të bëhen publike. Unë u njoha nga mediat që ka dalë një shkresë për shkarkimin. U surprizova dhe nuk jam i qartë. Ata i janë referuar nenit 24 për thyerjen e disiplinës së brendshme, ndërmarrja e veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale etj. Minimalisht për thyerje disipline bëhet një procedurë për anëtarëin dhe jo më për mua që kam qenë drejtues dege nga 2021. Isha kryetar i këshilltarëve të grupit.

Doktori ka bërë disa deklarata pas takimeve të Salianjit që salla u mbush nga Ani Dyrmishi, njerëz të PD-së që kanë punuar për Ani Dyrmishin, me aludime.

Unë jam për herë të dytë agjent. Unë dola edhe herën e parë kur dola kundër Lulit. Në kohën e Bashës u dënova dhe më tha po këto fjalë, por nuk nxorri akte dhe shkresa.

Tani mund të vijë edhe Luli atje, se unë atëherë isha drejtuesi i Foltores në Durrës tre vite.

Unë kam qenë me PD-në që 17 vjeç kur filluan revoltat. Ne pastaj ikëm me eksodin e vitit 1991. Jemi kthyer dhe u angazhuam në fillim si anëtar dhe derisa u bëra kryetar. Jam i persekutuar” –tha Burgija.

“Marta Kos, palaço!”/ Bushati debat me Rakipin për deklaratat e komisioneres: Përsërit tezat e Ramës

Deklarata e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se korrupsioni në Shqipëri është i pranuar nga shoqëria, ka shkaktuar polemika të shumta.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, analisti Andi Bushati deklaroi se deklaratat e Kos janë në një linjë me Edi Ramën dhe janë manipulative.

Debati në studio:

Ylli Rakipi: Dakord, Marta Kos thotë një fenomen që është kulturor dhe shoqëror në Shqipëri.

Andi Bushati: Ajo e përdor për manipulim.

Ylli Rakipi: Ç’faj ka Marta Kosi, kur doktori bërtet kundër korrupsionit dhe denoncon Marta Kosin për racizëm, kur është i pandehur në SPAK për korrupsion? Pra këtë luftën kundër korrupsionit e bëjnë të korruptuarit? Duhet të dalin Berisha dhe Rama për këtë?

Andi Bushati: Berisha, Rama, Meta i ziu, gënjejnë. Ne kujtojmë se këta i kemi arbitër, por arbitri në këtë rast është bërë palë. Arbitri përsërit tezën e Ramës.

Ylli Rakipi: Jemi shoqëri e korruptuar padyshim. Dhe tani të dalë Rama dhe Berisha, dhe këta të na ç’korruptojnë? Dhe paska faj Marta Kosi?

Andi Bushati: Në 21 Janar, po të ishte Marta Kos dhe ti thoshin a janë të pranueshme për ty vrasjet politike dhe Marta Kos e asaj kohe të thoshte kjo është shoqëri që vjen nga vrasje politike të panumërta. Relativizon krimin aktual. Atë ka bërë ajo.

Ylli Rakipi: A thua për 21 Janarin? Hiq emrin e Marta Kosit, ambasadori amerikan tha “Berisha burrë shteti”.

Andi Bushati: Ti dhe unë kemi qenë kundra kur ai palaço tha ashtu. Edhe kjo palaço bëri të njëjtën gjë.

Ylli Rakipi: Tani janë ngritur këta që janë akuzuar në SPAK për të korruptuar dhe duan të ç’korruptojnë këtë vend.

Andi Bushati: Ti po na pyet ne a është normale deklarata e Marta Kos? Është një deklaratë prej mercenare. Si e bën Rama dhe si e interpreton Saliu…

Ylli Rakipi: Ti ke të njejtin mendim që ka Saliu për këtë, mercenare, se Saliu me Gazi Bardhin thanë këtë që the ti.

Andi Bushati: Saliu e çoi në racizëm, por ajo thjesht ka përsëritur të njëjtën tezë të Ramës.

Itali, votohet për të ardhmen e sistemit gjyqësor/ Referendumi për Reformën në Drejtësi, test për Giorgia Melonin

Italianët iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit në një referendum të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit gjyqësor, një nismë e propozuar nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Ky votim shihet si një provë kyçe për qeverinë e saj, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Qytetarët po vendosin nëse do të miratojnë ndryshimet kushtetuese që parashikojnë ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ndarjen e organit vetëqeverisës të drejtësisë në dy struktura të veçanta. Kjo çështje ka qenë prej kohësh burim debatesh të forta në politikën italiane.

Referendumi vjen pas një fushate të nxehtë politike. Kampi “po”, i udhëhequr nga qeveria, përballet me kundërshtimin e fortë të opozitës së qendrës së majtë, përfshirë Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yje.

Opozita paralajmëron se reforma mund të minojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të rrisë ndikimin politik mbi drejtësinë. Sipas tyre, ndryshimet mund t’i japin më shumë kontroll qeverisë mbi sistemin gjyqësor.

Nga ana tjetër, qeveria i hedh poshtë këto akuza, duke argumentuar se reforma është e nevojshme për të luftuar politizimin brenda sistemit dhe për të shmangur skandalet që kanë shoqëruar emërimet e prokurorëve të lartë.

Analistët vlerësojnë se një fitore e kampit “po” do t’i japë një shtysë të fortë politike Giorgia Melonit, ndërsa një rezultat në favor të “jo”-së do të forconte opozitën dhe përpjekjet e saj për të krijuar një front të bashkuar kundër qeverisë.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri të hënën pasdite, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit në muajt në vijim.

Gërvalla-Ramës: Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin kurrë ortakërinë me Vuçiç

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët që ai ka publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në gazetën gjermane FAZ.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë artikull kryeministrit Rama.

Ndërsa shtoi se nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë.

“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”.

“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë” – tha ajo në RTK.

Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.

“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”- ka thënë ajo.

Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK. Lavdi – E juaja, Besarta Hamëz Jashari

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo vit më pushtojnë emocione të forta – emocione që marrin kuptim kur e di se janë ndarë dhe përjetuar nga mbarë kombi shqiptar.

Sot e nisa ditën në odën e familjes, ashtu si dikur.

Por sot aty nuk e gjeta babushin tim, siç e gjeja çdoherë… atë që më mbushte me forcë shpirtërore, që më dëgjonte e më këshillonte, atë që më jepte vetëbesim.

Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin.

Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën – ndoshta edhe diçka më shumë.

Ne e kemi të vështirë ta përmbushim mixhën Rifatin për mungesën e madhe që bart në zemër, për mallin e pashuar për familjen.

Më kujtohet janari i vitit 1996, kur mixha Rifat erdhi ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në shtëpinë e pabanuar të familjes.

Ne fëmijët, duke luajtur në oborr, kishim vërejtur se në “shtëpinë e dytë” ishte një njeri “i huaj”, i cili herë pas here dilte në dritare dhe na shikonte.

Derisa në një moment ai “i huaji” doli nga shtëpia dhe erdhi tek ne… dhe e pamë se ishte mixha Rifati.

Sot, pas tri dekadash, e kujtoj atë moment dhe i kuptoj më thellë emocionet e tij.

Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte.

Sot, pas gjithë këtyre viteve, ai po çmallet me nipat e mbesat e tij… duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.

Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK.

Lavdi

E juaja,

Besarta Hamëz Jashari

 

Si u zhdukën shishet e verës miliona € të Ergys Agasit? SPAK nis hetimet: Janë produkt i veprimtarisë kriminale

Skandali i zhdukjes së shisheve të shtrenjta të verës që u zbuluan në një qilar në një resort në pronësi të Ergys Agasit po hetohet nga SPAK.

 

Burime pranë këtij institucioni thanë se kanë pranuar dosjen që iu përcoll për kompetencë nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka arritur në konkluzionin se vera është produkt i veprimtarisë kriminale ku është përfshirë Agasi.

Vera u sekuestrua nga SPAK në kuadër të kontrolleve që u kryen në pronat e Ergys Agasit, kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin si të dyshuar si krerët e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenëve dhe i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Malli i sekuestruar iu la në ruajtje kushëririt të të shumëkërkuarit, por kur të nesërmen autoritetet doganore shkuan për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se vera ishte zhdukur.

Kushëriri i Agasit, po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për veprime që pengojë zbardhje e së vërtetës, pasi nuk tregon se ku i dërgoi shishet e verës.

Sipas aktit të ekspertimit, rezulton që vlera të jetë 1.4 mln euro, por kjo vlerë e verës rritet me të paktën dyfish nëse do të shitej me shishe.

Ergys Agasi, është në kërkim ndërkombëtar bashkë me Ermal Beqirin, për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë e grupit kriminal.

SPAK po i heton nën dyshimet se urdhëruan rrëmbimin e biznesmenit  Gerond Meçe dhe e detyruan të tërhiqte ankesat për tenderat e AKSHI-t.

Nën masën e arrestit në shtëpi janë ish-drejtoresha e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa masa ma të lehta janë firmosur ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie. bw


Send this to a friend