(Pjesëmarrja me 12.54% e zgjedhësve në zgjedhjet e pjesëshme lokale, tregon qartazi se tashmë nuk behët fjalë për sovranizëm. Në Shqipërinë e marrë peng nga një grusht njerëzish, janë
shembur të gjitha shtyllat e demokracisë….!)
Në çdo shoqëri demokratike, zgjedhjet janë momenti më i lartë i pjesëmarrjes qytetare — dita kur populli flet, gjykon dhe vendos për fatin e përbashkët. Por çfarë ndodh kur sovrani hesht?
Kur nuk shkon më në kutitë e votimit, jo nga mosinteresimi, por nga neveria? Kjo nuk është më thjesht pjesëmarrje e ulët, por braktisje totale. Është bojkot moral ndaj një sistemi që nuk e përfaqëson më njeriun e zakonshëm, as nevojat e tij.
Vlora, qyteti që dikur përfaqësonte krenarinë e pavarësisë dhe shpirtin e lirisë, po jep sot një mesazh të hidhur.
Një qytet që ka vuajtur çdo ditë padrejtësitë e pushtetit lokal — pa ujë të pijshëm, i përmbytur rregullisht, me mbeturina që digjen në mes të qytetit, me ujëra të zeza që derdhen në plazh — ka zgjedhur të heshtë.
Kjo heshtje nuk është dorëzim, por qartazi një refuzim ndaj një politike që ka harruar njerëzit dhe është kthyer në lojë pushteti midis grupeve të interesit.
Nëse një kryetar bashkie zgjidhet me 12.54% të zgjedhësve në pjesëmarrje, çfarë legjitimiteti moral ka ai të përfaqësojë qytetin? Ligjërisht mund të jetë në rregull, por etikisht dhe politikisht është i falimentuar që në ditën e parë.
Ai nuk ka përballë një opozitë politike, por një opozitë qytetare, të heshtur dhe të zhgënjyer, që nuk beson më askënd.
Kjo pjesëmarrje minimale — vetëm 12,54% e zgjedhësve, është dëshmi e qartë se në Shqipërinë e sotme nuk bëhet më fjalë për sovranizëm.
Populli nuk është më zot i vullnetit të vet politik. Sovrani, që sipas Kushtetutës duhet të jetë qytetari, është shkarkuar në heshtje nga roli i tij.
Vendi është marrë peng nga një pushtet i përqendruar, që nuk njeh më ndarje mes institucioneve, balanca kontrolli apo llogaridhënie publike.
Në krye të këtij modeli qëndron një mënyrë qeverisjeje e ndërtuar mbi personalizimin e pushtetit, ku çdo vendim, çdo politikë dhe çdo investim kalon përmes një vullneti të vetëm.
Kryeministri Edi Rama, në mënyrën si e ka ndërtuar dhe ushtruar pushtetin e tij, ka arritur të kapë dhe të kontrollojë praktikisht të gjitha pushtetet — ekzekutivin, legjislativin, median dhe një pjesë të drejtësisë.
Ky monopol institucional dhe moral ka vrarë frymën e garës dhe të besimit qytetar, të debatit dhe të përfaqësimit real. Kur gjithçka përqendrohet në një dorë të vetme, humbet sensi i sovranitetit qytetar.
Demokracia kthehet në një imitim të vetvetes, ku qytetari nuk është më aktor, por spektator i pafuqishëm.
Mazhoranca qeverisëse, e cila për vite të tëra ka qenë e zhytur në korrupsion dhe abuzime me fondet publike, ka kontribuar në mënyrë vendimtare në shpërbërjen e besimit qytetar.
Afera të njëpasnjëshme, tendera klientelistë, koncesione të dyshimta, mungesë transparence dhe pasurime të pashpjegueshme kanë krijuar një ndjenjë të thellë padrejtësie, revolte dhe humbjeje të shpresës.
Në këtë klimë, votuesi nuk ndjen më detyrimin moral për të votuar, sepse e di se sistemi është i deformuar në rrënjë.
Në një Shqipëri të tillë, ku pushteti ka zëvendësuar meritën me një ushtri të frikshme patronazhistësh servilë dhe ligjin me nënshtrimin, qytetari është kthyer në një figurë të zhdukur nga skena publike.
Ai ndien se nuk përfaqësohet, nuk dëgjohet dhe nuk respektohet. Prandaj largohet — jo për mungesë interesi, por për mungesë besimi.
Dhe kur humbet besimi, humbet gjithçka: moraliteti publik, shpresa për drejtësi, ndjenja e përbashkësisë.
Kjo nuk është më një krizë politike, por krizë ekzistenciale e shoqërisë shqiptare.
Kur njerëzit nuk besojnë më as te vota, demokracia humbet shpirtin e vet. Kutitë e votimit bosh janë pasqyra më e sinqertë dhe më domethënëse e një zhgënjimi të madh kombëtar.
Një qytet që nuk voton nuk është apatik, por i plagosur. Është i zhveshur nga iluzionet dhe i bindur se çdo votë është bërë e pavlerë, sepse rezultati dihet paraprakisht.
Në këtë kuptim, bojkotimi masiv është një akt i ri rebelimi qytetar, një mënyrë e qetë, por e fuqishme, për të thënë: “Mjaft!” me këtë model keqqeverisjeje dhe abuzimi me pushtetin.
Politika duhet të kuptojë se nëse populli i kthen kurrizin, ajo humbet kuptimin. Nuk mund të ketë pushtet të qëndrueshëm mbi një popull që nuk të njeh më si përfaqësues.
Nuk mund të ketë autoritet moral aty ku mungon respekti qytetar.
Dhe nuk mund të ketë demokraci aty ku sovrani është bërë spektator.
Vlora nuk braktisi zgjedhjet. Vlora braktisi mashtrimin. Ajo zgjodhi të mos bëhet pjesë e një loje ku gjithçka është e vendosur më parë.
Ky është mesazhi më i fortë që mund t’i dërgohet çdo pushteti:
asnjë sistem nuk mund të mbijetojë gjatë mbi indiferencën e popullit.
Sepse heshtja e sotme është stuhia e nesërme.
Dhe kjo stuhi që po afrohet, nuk do të ketë më qëllim të përmbysë një qeveri të korruptuar, por thelbësisht të pastrojë ndërgjegjen e një kombi dhe të ringjallë vlerat e harruara të demokracisë përmes një rilindjeje të re morale e politike.
Tiranë, e diel – 9 nëntor, 2025