VOAL

VOAL

“Vjen së shpejti!”- Florian Marku lajmëron “betejën”, publikon pamje nga “Air Albania”: Për të gjithë njerëzit e mi

June 19, 2022
blank

Komentet

blank

Kosova përfundon pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare me gjashtë medalje

Xhudisjta nga Kosova Loriana Kuka – Fotografi nga arkivi.

 

Kosova ka përfunduar garat në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 me gjashtë medalje të fituara, duke u radhitur në vendin e 16-të sa i përket medaljeve.

Në garat që u mbajtën në Algjeri, xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu morën medalje të arta në kategoritë e tyre respektive.

Medalje të bronztë fituan xhudistët Akil Gjakova dhe Flaka Loxha, si dhe boksieri Shpëtim Bojku.

Garat u mbajtën në Algjeri – shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – nga 25 qershori deri më 5 korrik, ndërkaq ceremonia përmbyllëse zhvillohet më 6 korrik.

Në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, Kosova u përfaqësua me 39 sportistë dhe gjyqtarë.

Sportistët e Kosovës garuan në 12 disiplina sportive: xhudo, boks, mundje, karate, atletikë, not, shigjetari, shenjëtari sportive, taekwondo, tenis, pingpong, gjimnastikë dhe badminton.

blank

Jani Kaçi, kolosi i portës korçare, që u ndëshkua për foton e Enver Hoxhës

Nga Uvil Zajmi              

 

 

Memorie.al/ Historia e numrave 1 shqiptarë është e gjatë, e shtrirë në vite, dekada, ndeshje, klube dhe kombëtare. Nga Pozeli te Vogli, Bonati, Maliqati, Topi, Janku, Metani, Ndoja, Dinella, Muhedini, Rama, Ahmedani, Luarasi, Musta…! Janë shumë. Të gjithë kanë karrierën e tyre, jo të ngjashme me tjetrën. I bashkon fakti që kanë qenë kolosë në portë. Por, ajo e Jani Kaçit, e një sarandjoti lindur në Korçë, një histori 20-vjeçare e pa treguar është krejt e veçantë. Nga babai që i shpëtoi pushkatimit, te pasioni për boksin, student për Agronomi, mësuesja e historisë, ushtar në Xhenio dhe ndeshja që habiti Petrit Dumen. Bluza me nr. 20 e Llazi Sërbos, dëshira e Bamir Topit, ndeshja me Austrinë dhe takimi me Shumakerin. Çfarë bën sot një ndër portierët më modernë, titullar i “Partizani”-t, “Skënderbeut” dhe Kombëtares që, përcaktoi se Etrit Berisha, do të ishte e ardhmja e portës shqiptare?

Shumë pak e dinë që Jani Kaçi është sarandjot, ndonëse gjithë jetën, karrierën, familjen e ka të lidhur me Korçën. Babai nga Shën Vasili i Sarandës, lindur e jetuar në Athinë, shkon për të parë nënën dhe motrat në Sarandë, në vitet e Luftës dhe gjermanët e dërgojnë në kampet e për qëndrimit në Gjermani, ku qëndron 18 muaj. Pasi vranë 45 burra dhe e panë djalë jetim, i cili fliste gjermanisht dhe me gradë kolonel në qeverinë e Venizellos, e kthejnë në vendlindje. Lufta sapo kishte mbaruar. Atij i kishin shitur gjithçka në Athinë dhe, në kushte të atilla, vendos të qëndrojë në Shqipëri ku fillon punë në Ndërmarrjen Riparim Frigoriferit në Durrës. E shoqja, një vajzë tregtari, shkonte me pushime në plazh. Aty njihen, dashurohen dhe ajo e tërheq në Korçë, ku martohen e lindin 5 fëmijë, të gjithë djem.

Rastësisht portier, ndonëse i pëlqente boksi!

Është bërë portier nga rastësia, sepse në të vërtetë, i pëlqente boksi. Ka qenë vetëm nuhatja dhe një vështrim i trajnerit Trajan Verika, kur luante me moshatarët, i cili i ka thënë: “Ti do të bëhesh portier”. Aktivizohet me të rinjtë dhe në një ndeshje në Konvaleshencë në Durrës, Skënderbeu-Besa. Pandi Peleshi, këngëtar i Ansamblit në Tiranë, por edhe daja i tij, po e ndiqte takimin bashkë me Boriçin, me të cilin kishin pas qenë studentë në Bullgari. Aty, Loro i madh e pyet: “Pse këtu?”. – “Kam një nip që po luan”, ishte përgjigja…! Loro e sheh, e pëlqen dhe e regjistron në memorie. E thërrasin te “Partizani” i madh, ku qëndron pesë muaj bashkë me Muhedinin, Lelën, Ismailin dhe me në krye, Panon legjendar. Ishte pranvera e vitit 1967, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, gjimnazist në vitin e dytë të “Raqi Qirinxhi”.

Këshilla e mësueses: “Jani, ik në Tiranë…”

Sapo kishte filluar stërvitjen, me dëshirën për t’u sistemuar në Tiranë, por nuk ka mundur të regjistrohet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, por as edhe në Shkollën e Bashkuar “Skënderbej”. Çështje biografie…! “Je djalë i grekut”, i thoshin dhe Komiteti i Partisë i Korçës, i’a përcillte negativisht dokumentet. Kthehet në Korçë, mbaron gjimnazin duke bërë dy klasë bashkë dhe fillon Institutin Bujqësor për Agronomi, por nuk i pëlqente. Mësuese në “Historinë e Partisë”, Liri Lubonja, një tip modern, duke parë pasionin e tij, si dhe luftën e klasave që e pengonte sistematikisht, i thotë: “Jani Kaçi, mundohu të ikësh në Tiranë….”. E la Institutin dhe më 12 dhjetor 1971, shkon të kryejë shërbimin ushtarak trevjeçar. Duhet të shkonte direkt te “Partizani”, por Korça e dërgoi në Rinas, në Repartin e Xhenios, për të humbur adresë. “Partizani” ndodhej në Kinë, në një turne miqësor 6-mujor. Sidoqoftë, qëndron pak javë në Rinas, e transferojnë në repartin pranë Kodrave të Rrashbullit, repart artilerie në periferi të Durrësit. Qëndron tre muaj për të marrë transferimin e tretë që do të ishte deciziv për karrierën e tij.

Spartakiada, humbja e “Partizani”-t, urdhri i Petrit Dumes

Kur mendonte se ishte i pafat dhe gjithçka për të ishte e mbyllur, zhvillohet Spartakiada e Ushtrisë. Reparti ‘Shqiponja’, ku Jani luan portier, përballet me Shkollën e Bashkuar. Luan mirë dhe dikush kujtohet se ai është marrë për te “Partizan”-i. Sapo aktiviteti përfundon, e transferojnë ushtar në Elbasan, në repartin kundërajror, me kushtin që të aktivizohej portier, duke luajtur për 15 muaj me Labinotin në Kategorinë e Parë, ku janë Jorgaqi, Ibërshimi, Rudini etj. Vjen takimi Labinoti-Partizani, për kampionat dhe fitore 3-0 e elbasanasve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, i ndodhur në shkallë pas ndeshjes, ka pyetur: “Cili është ky kokëqethuri?”. – “Është ushtar i yni, – i thonë. – E kemi marrë nga Korça”.

Kaq ka mjaftuar që ai të jepte urdhër për ta rikthyer në klub. I grumbulluar me ekipin kombëtar Shpresa, ku trajner ishte rumuni Bolonesku, ndërsa në portë luante Ahmedani, sapo avioni mbërriti në Rinas pas kthimit nga Bukureshti, ku ishte zhvilluar Ballkaniada me 21-vjeçarët dhe Shqipëria u renditet në vendin e dytë, me një makinë ushtarake, e dërgojnë në Durrës, ku qëndronte skuadra e “Partizani”-t. Jemi në qershor-korrik të vitit 1973 dhe, ndonëse shërbimi ushtarak ka filluar në vitin 1971, deri në janar të 1976-ës ai do të jetë ushtar dhe futbollist i “Partizani”-t. Trajner në atë sezon ka korçarin Ilia Shuke. me ndihmës Boloneskun. E fillon si rezervë e Muhedinit dhe, kur duhej një javë para përfundimit të fazës së parë, ndaj ‘17 Nëntorit’, Muhedini nuk është gati dhe Shuke aktivizon Kaçin. Fiton “Partizani”, 2-0 me gola të Muratit dhe Berishës, ndërsa Jani fiksohet stabël në formacion.

Bluza me nr. 20, ide e aktorit Llazi Sërbo

Fanellën e zezë nuk e ka mbajtur asnjëherë, pasi e konsideronte si jo me fat. Ka preferuar të gjitha ngjyrat e ndezura dhe, në veçanti, numrin 20 pas shpine. Me të parën uniformë që ka veshur ka një kujtim: “Ditën që do të luash në formacion do të të jap një bluzë të kaltër kineze, një gjysmë golfi, – i ka thënë një aviator, Sabri quhej, me të cilat pajiseshin aviatorët. – Ndërsa nr. 20, e bëri me disenjatorin e klubit dhe e vendosën në diell që të thahej boja. Idenë për atë numër, i’a dha Llazi Sërbo, aktor-piktor, të cilin e ka pasur shumë mik, në sport dhe jetë”. Sapo shkoi te “Partizani”, Llazi Sërbo i bëri një propozim: “Jani, do të përdorësh fanellë të gjerë, pasi je trupmadh. Ti do të luash me numrin 20”. “Më pëlqente ky numër, ndonëse as sot nuk e di si ma kanë lejuar, pasi rregullorja ishte nga 1 deri te 11-ta. Gjithmonë kam luajtur me uniforma, fanella që më vinin nga Greqia”, rrëfen Kaçi.

I gjithanshëm në çdo sport

Mund të ishte bërë një boksier, një basketbollist, volejbollist apo një mundës i mirë. Kur skuadra kombëtare e mundësve do të udhëtonte në Rumani, takim ndërkombëtar, vetëm dy ditë para nisjes, nuk kishte konkurrent për peshën e Stefan Gjeneralit dhe Ali Kastrati, lajmëroi Jani Kaçin që të shkonte për t’u ndeshur. Ndonëse ishte vetëm një ditë para sfidës ‘Partizani’-‘17 Nëntori’, në tapetin e Pallatit të Sportit “Partizani” ishin përballë Jani Kaçi, një portier, ndaj një kampioni legjendar si Stefan Gjenerali. Askush nuk e kishte menduar se një kapje e Kaçit, do ta hidhte për një çast në tapet kampionin e madh. Pastaj, ndeshje e dytë dhe një supleks i Gjeneralit, e ka lënë pa frymë kundërshtarin, duke i dëmtuar edhe shpatullën. Shqetësim i madh për klubin dhe të nesërmen ndaj tiranasve në derbi, ka luajtur me shpatull të dëmtuar, duke qenë lojtari më i mirë në fushë. Në karrierën e tij ka pritur, por edhe ka gjuajtur penallti. Në Kupë Republike, i ka shënuar Perlat Mustës, në takimin ‘Skënderbeu’-‘Partizani’, ndërsa dy penalltitë e gjuajtura nga Tomorri e Skuro të Partizanit, janë pritur prej tij.

Kthimi i padëshiruar në Korçë

I kishte ardhur koha për t’u liruar, ndonëse kishte bërë disa vite më shumë të shërbimit ushtarak. Grupi i gjeneralëve sapo ishte goditur, “Partizani”, nuk kishte më forcën e mëparshme, ndonëse Jani dëshironte të qëndronte dhe “po të ishin ende gjeneralët, – thotë ai, – karriera do të kishte vazhduar te ‘Partizani”. Vetë Mihallaq Ziçishti, një admirues i tij, ndonëse me dëshirën që të qëndronte në Tiranë, e njoftoi se duhej të nisej. Nuk kishte çfarë të bënte, pasi kishte presion në Korçë dhe tifozët e donin të kthehej. Ishte fillimi i vitit 1976, janar, “Skënderbeu” luante në Kategorinë e Dytë, por pasi kishte eliminuar Lushnjën dhe “Dinamo”-n, del në finalen e Kupës së Republikës. Ishte skuadra e Xhambazit dhe përballë kishin ‘17 Nëntorin’, duke zhvilluar një ndër ndeshjet e famshme në historinë e këtij trofeu, ku protagonist është edhe Jani Kaçi, tashmë i kthyer në vendlindje.

Dinella, Kaçi shkolla e njohur korçare

Tre janë lojtarët korçarë, protagonistë, të famshëm të Kombëtares shqiptare: I pari Teodor Vaso, më pas Koço Dinella e Jani Kaçi, pa harruar shumë vite më parë edhe Klani Marianin. Të tre në mbrojtje, të tre edhe titullarë te skuadrat e njohura “Partizani” e “Dinamo”, madje asnjëri prej tyre nuk qëndroi në kryeqytet. Gjithçka në harkun e një dekade, thuajse nga mes vitet ’65 deri në ato ’75. Ndërsa Dinella, pas “Dinamo”-s, vjen në Korçë, te Skënderbeu, Kaçi sapo ka ardhur në Tiranë, për të luajtur me “Partizani”-n. E gjen aty Dinellën kur kthehet në vitin 1976, qëndrojnë për pak kohë bashkë. Të dy i kanë kulmet me Gjermaninë: Dinella në barazimin 0-0 dhe humbjen 0-1, ndërsa Kaçi më 1 mars të vitit 1981, Shqipëri-RF Gjermane 0-2 (Shuster dy gola). Kur iku nga “Partizani”, bashkë me të ishte edhe Muhedini. Drejtuesit e klubit e kanë pyetur kush mendon ta zëvendësojë: “Shoh Mustën e Lekbellon me perspektivë. Musta është shumë elastik”, pat thënë, duke i hapur rrugën një tjetër legjende të kuadratit partizanas, e atij shqiptar.

Vitet e stili modern i portierëve!

Janku, Dinella, Ndoja, Rama, Muhedini, Ahmedani, të një stili, portierë ajri. Por, Jani Kaçi, i gjatë 1.86 cm., me një fizik e konstrukt të rrallë, potent, elegant mbetet një ndër talentet e mëdha të futbollit kombëtar. Një kolos i vërtetë, pasi ishte vetëm 20 vjeç kur shkëlqeu. Elastik në lëvizje, një interpretues modern i këtij roli. Një portier tipik “Majeri” me një sens pozicioni natyral dhe kapje të mirë të topit. Fluturonte në zonë duke pushtuar dhe zotëruar ajrin në tërësinë e zonës. Nuk linte asnjë hapësirë bosh brenda saj, aq sa të shtinte frikën në dalje. Një ndër pikat më të forta, një lider për skuadrën. Mjafton që në portë të shihje Jani Kaçin dhe kishe një garanci më shumë. I vetëm kundër të gjithëve. Një tip i rezervuar, i thjeshtë, shumë i edukuar, me karakter të fortë, modest për çfarë realisht demonstronte në fushë e jashtë saj. Mik i të gjithëve te “Partizani” dhe në Kombëtare, flinte me Ali Kastratin në një dhomë.

Ka respekt të madh për Gjergji Thakën, pastaj Muhedinin, Mit’hat Shehun, Astrit Ziun, Safet Berishën, Agim Muratin, por edhe me Ilir Përnaskën, Mujo Targajn, Agustin Kolën e Kreshnik Çipin, mjekët, futbollistët e drejtues korçarë, masazhatorë, shoferë etj. Për një çast, ndalet dhe kujton Arjan Hoxhën, ish-portierin e “Shkëndijës”, “Partizanit”, që nuk jeton. E ka pasur si vëlla…! Gjatë karrierës nuk e ka njohur pasigurinë, ndonëse emocionet i ka vuajtur. Në fillimet e tij, “frikë” kishte nga Ramazan Rragami, pasi gjuante nga larg dhe saktë. Kur fitoi eksperiencë, kërkonte sfida dhe përballje me titanët e golit: Tit Dibrën, Përnaskën, Muratin, por edhe Mir Himën, sulmuesin e “Lokomotivës”. Kur luante me “Skënderbeun”, si një skuadër modeste, ka qenë i vetëm kundër të gjithëve, në veçanti në sfidat ndaj “Partizanit”, “Dinamos”, “17 Nëntorit” e “Vllaznisë”, pasi luhej thuajse në një portë. As cigare, as pije, regjim gjerman në karrierë…! Asnjëherë te mjeku, duke e fshehur çdo dhimbje e dëmtim, një regjim profesionist tipik gjerman. Gjysmë orë përpara shkonte në fushë, lagte me ujë vendin ku stërviten portierët. I pëlqente koha e vranët, diellin e ka pasur kundërshtarin e 12-të. Asnjëherë debat, polemika dhe ndëshkime nga arbitrat.

Karriera, Kombëtarja dhe… Austria e Vjenës

I konsideruar një ndër numrat 1 më të famshëm shqiptarë, skuadra e parë dhe e fundit është “Skënderbeu”, ndonëse ka mbrojtur edhe portën e “Labinotit”, “Partizani”-t, Kombëtares në kulmin e momentin e tyre magjik. Ka luajtur me shumë futbollistë të mëdhenj të kohës, duke punuar edhe me trajnerë si: Ilia Shuke, Loro Boriçi, Refik Resmja etj. Mbi 300 ndeshje kampionat e Kupë, por pa dalë asnjëherë kampion dhe kur “Skënderbeu” ka qenë një hap pranë tij. Sezoni 1978-1979, ka përfunduar faza e dytë dhe janë me pikë të barabarta me “Dinamon”, kur FSHF-ja hedh në lojë fazën e tretë, pra nuk ka titull, por ideon këtë formulë. Ndeshja e fundit, në Durrës “Dinamos” i hapet porta, fiton pa vështirësi dhe merr trofeun.

Me Shpresën vetëm pak takime, në vitin 1970, grumbullohet si rezerva e Gud Tafajit në ndeshjen me Turqinë, zhvilluar në Vlorë, me trajner Refik Resmen. Pastaj në Rumani, rezervë e Met Ahmedanit dhe më pas disa sfida ballkanike me Shpresën dhe klube. Mungesë ndeshjesh dhe vite të gjata pezullimi e godasin edhe karrierën e Jani Kaçit, pikërisht në majën e formës. Në portën e përfaqësueses, e rifillon me fitoren 3-0, takim miqësor i luajtur në Tiranë më 10 tetor 1976, ndaj Algjerisë, kur trajner është Loro Boriçi, me të cilin edhe do ta mbyllë. Pastaj një tjetër pauzë dyvjeçare dhe sërish në portë në të parën zyrtare, Shqipëri-Finlandë për EKB, me 3 shtator 1980, në “Qemal Stafa” 2-0 (Braho, Baçi), për të vijuar edhe në pesë sfida të tjera, me trajner Zyber Konçin: Ndaj Bullgarisë, Austrisë, për ta mbyllur me Gjermaninë, në Tiranë, prill i vitit 1981, kur në stol është rikthyer Boriçi. Vetëm 6 ndeshje me përfaqësuesen.

Kujtimin e fundit e ka me portierin Shumaker, pikërisht në takimin në “Qemal Stafa”, pas të cilës nuk luajti më me ngjyrat kuqezi për t’ia lënë vendin Mustës, ashtu si kur iku nga “Partizani”. Tri herë e kanë marrë klubet si përforcim: Vllaznia-Austria e Vjenës, e luajtur në Shkodër 2-0 dhe në Vjenë 1-4. “Dinamo”-“Dinamo” e Zagrebit dhe me “Labinoti”-n në Kupën Ballkanike, kundër “AS Tergu Muresh” në Rumani. Një herë kampion i Ballkanit, me ekipin kombëtar Shpresa, ndonëse 27 vjeç, moshë e madhe, pasi lejoheshin dy lojtar në ekip.

Golat që e bënë Gëzdarin të famshëm!

Është e lidhur me takimin final të Kupës së Republikës, viti 1977, në momentin kur “Skënderbeu” është duke kaluar një ndër sezonet më të mirë të historisë së klubit, gjithçka në pak muaj, menjëherë pas kthimit të Kaçit në Korçë, ku si trajner është sërish Ilia Shuke. 3-0 ndeshja e parë në Tiranë, humbet thellë “Skënderbeu” me tre gola realizuar nga Gëzdari. Në Korçë, pas një jave, interesim i jashtëzakonshëm, “17 Nëntori” fiton 1-0 po me gol të Gëzdarit. “I kam thënë: ‘Të bëra të famshëm me golat që më ke shënuar mua’”, tregon Kaçi sot. Tirana luante me topat gjysmë të lartë duke harkuar në zonë nga krahët me Tit Dibrën e Llambin, për Mond Gëzdarin që me guxim godiste me kokë.

Fundi i padëshiruar!

Karriera e tij është ndërprerë papritur dhe pabesisht! Ka mjaftuar vetëm një episod që shkaktoi ndarjen e tij me “Skënderbeun”, futbollin, shkëputjen përfundimtare me portën, klubin, stadiumin. Vitet kalojnë, por nuk e harron. “Nuk ma bënë gjatë luftës së klasave, por pritën vitet e fundit të karrierës. Sajuan se kisha grisur foton e Enver Hoxhës, ndërkohë që te “Partizani”, kam qenë i respektuar shumë, pikërisht nga fëmijët e Enverit dhe nuk kishte arsye për një veprim të tillë”, thotë Kaçi. E la në vitin 1985, kur ishte 32 vjeç, me dëshirën dhe pasionin të luante deri në moshën 40-vjeçare, pasi regjimi dhe forca fizike i’a garantonin një gjë të tillë.

Miqësitë, të gjithë e kanë vlerësuar

Nga trajnerët e moshave, mësuese Liri Lubonja, gjeneral Petrit Dume, drejtuesit, futbollistë e trajnerë të klubit “Partizani” e kombëtares, oficerë madhorë, deri te Bamir Topi, që edhe sot e kujton kur i thoshte: “Jani, sa do të doja të ishte te Tirana”. Por edhe Jashar Menzelxhiu, kur e sistemoi në Elbasan me “Labinotin”, apo Mihallaq Ziçishti, deri tek Enver Halili, që kur ishte në Vlorë, kërkoi me insistim ta merrte portier te “Flamurtari”. Pa harruar edhe Foto Çamin, që i bën një ftesë për t’u aktivizuar me “Vllazninë”. Por, për Janin, i martuar dhe me fëmijë e ka të vështirë të lëvizë. Ka refuzuar edhe pse ende mbi kurriz ka hijen e biografisë.

Çfarë bën sot gjiganti i portës?

Askush nga familja nuk do ta kishte menduar sportist, madje portier e të famshëm. I martuar dhe me dy djem që luajtën pak futboll, në nivele amatoreske në Gjermani, pa trashëguar askush prej tyre Jani Kaçin. Nuk ka tentuar asnjëherë të shkojë për të punuar e jetuar jashtë vendit pas ’90-ës, ndonëse në Greqi vjen e shkon sistematikisht, pa preferuar asnjëherë të qëndrojë në vendin fqinj. “Ata që më lexonin biografinë, kanë ikur dhe jetojnë atje, me emrat të ndryshuar”, thotë. Ka drejtuar klubin për disa vite, ndërsa aktualisht jep lëndën e Edukimit Fizik në shkollën e mesme “Ymer Dishnica”. E njohin kudo: “Kam luajtur futboll pa interesa dhe jam krenar që kam qenë titullar me “Partizani”-n, “Skënderbeun”, kombëtaret që në moshën 15-vjeçare”.

Nuk e ka mbyllur përfundimisht me futbollin, duke i’u rikthyer vite më vonë si trajner me skuadrat e të rinjve të “Skënderbeut”. Madje, ka qenë ai që ka marrë rrugën për në Prishtinë, kur i kërkuan të jepte një mendim për Etrit Berishën: “Sa e pashë, më pëlqeu, kishte plastikë, nuk ishte portier i ngurtë dhe rekomandova ta grumbullonin menjëherë te skuadra Shpresa e të ndjerit Artan Bushati”.

Edhe pse vitet kalojnë, është po ai, si dikur simpatik e shumë madhështor. Për të mund të flitet gjatë dhe kjo që treguam është një pjesë e vogël e dossierit të madh të një prej kolosëve të portës shqiptare të shekullit të kaluar, Jani Kaçi, me origjinë nga Shën Vasili i Sarandës, lindur në Korçë, ku jeton e punon edhe sot. Memorie.al

blank

Florian Marku tregon datën e duelit në stadiumin “Air Albania”

Florian Marku tregon datën se kur do të ndeshet këtë verë në stadiumin “Air Albania”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, boksieri i njohur shqiptar thotë se 25 gushti është data e duelit të radhës:

“Po kthehem për të gjithë ju, në mes të Tiranës. Në datën 25 gusht ju pres të gjithëve në Air Albania. Faleminderit @boxxer dhe @skysportsboxing për besimin dhe mbështetjen. Kundështari dhe info rreth biletave do dalin këtë javë. Ju premtoj që do jap shpirtin për t’ju bërë krenar akoma dhe më shumë duke u ngritur në majat e botës.”

blank

blank

Skandal në Oran- Triumf me “dhunë”, Qerimaj fantastik, i dhuron Shqipërisë medalje të argjendtë

Erkand Qerimaj mori me “dhunë” një medalje të argjendtë në stilin e shkëputjes, në peshën 73 kg, duke triumfuar përballë një padrejtësie të mbetur në tentativë. Peshëngritësi kuqezi, pas dy provave të para jo të suksesshme me 148 kg, në provën e tretë e dërgoi shtangën në 149 kg, peshë të cilën arriti ta mbajë lart. Në mënyrë të çuditshme, 2 nga 3 gjyqtarët e konsideruan provën të parregullt, një vendim absurd që solli protesta të forta nga Qerimaj dhe trajneri i tij Sokol Bishanaku.

Presidenti i FSHP, Elez Gjozaj por dhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli protestuan fuqishëm duke bërë që gjyqtarët të rishohin edhe një herë pamjet për ta konsideruar më pas të rregullt. Ky vendim solli festë te Qerimaj dhe pjesa tjetër e stafit që me të drejtë festuan për këtë sukses të rëndësishëm që i dhuroi Shqipërisë medalje të argjendtë. Vendimet tendecioze të arbitrave, bëri që të mos merrte pjesë në stilin e shtytjes duke mos u kualifikuar në dygarësh. Kujtojmë që një situatë e ngjashme ndodhi edhe me boksierin Alban Beqiri që u tërhoq nga gara pasi gjyqtarët në mënyrë të hapur favorizuan boksierin algjerian. bw

blank

Medalja e dytë e artë radhazi, Luiza Gega krenaria e Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare! Dominon totalisht garën

Ashtu sikurse pritej, gara e 3000 metrave me pengesa në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” nuk dhuroi asnjë surprizë. Luiza Gega i dhuroi medaljen e artë Shqipërisë në një garë të dominuar totalisht.

Gega realizoi një tjetër paraqitje fenomenale teksa vendosi edhe rekord të ri kombëtar me kohën 9:14.29, duke përmirësuar kështu rezultatin e një muaji më parë 9:15.48 që kishte arritur në Hengelo të Holandës.

Kjo është medalje e dytë e artë radhazi e Luiza Gegës në Lojërat Mesdhetare, asaj të “Tarragona 2018”, me atleten kuqezi që po kalon një formë të jashtëzakonshme.

 

Gjithashtu sot ka shkëlqyer edhe atleti Franko Burraj, i cili u kualifikua në finalen e 400 metrave. Burraj gjithashtu vendosi rekord kombëtar në këtë disiplinë me kohën 46:26./ ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

blank

Distria Krasniqi e jashtëzakonshme, fiton medaljen e artë për dy minuta

Distria Krasniqi po vazhdon me sukseset e saja të jashtëzakonshme.

Ajo ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 42 kilogramë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, shkruan Gazeta Express.

Krasniqi triumfoi me IPPON ndaj xhudistes kroate, Ana Viktorija Puljiz brenda dy minutave.

Xhudistja kosovare në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ana Perez Box.

Krasniqi e kishte kaluar rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë, respektivisht në çerekfinale me Ippon e eliminoi xhudisten nga Qiproja, Sofia Asvesta.

Në garë për medaljen e bronztë është Flaka Loxha, e cila do të garojë pas pak.

blank

TRE NGA ATA QË KLUBIN FUTBOLLISTIK LLAPI TË PODUJEVËS E BËJNË TË NJOHUR EDHE JASHTË KOSOVËS – Nga ARIF EJUPI

Vëllezërit Bejtush, Tahir dhe Beqir Batatina

Klubi Futbollistik Llapi i Podujevës që i ka kaluar nëntë dekada të ekzistimit të tij çdoherë ka qenë fidanishte e talenteve të shumtë.
Nga kjo skuadër kanë dalë edhe ikonat e pavdekshme Fadil Vokrri, Esat Mehmeti, Favzi Rama, Shukri Shabani, Shukri Paçarada, Avi Stubulla etj, që kanë lënë gjurmë të përjetshme në futbollin e Kosovës dhe në atë të ish-Jugosllavisë.
Po ashtu shtylla të skuadrave si: FC Vëllaznimi i Gjakovës, FC. Lira e Prizrenit, FC Besa e Pejes, FC Drita e Gjilanit, FC.KNI Ramiz Sadiku i Prishtinës, FC Kastrioti i Kastriotit, anëtarë të Ligës së Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, grupi i lindjes kanë qenë futbollistët: Selatin Vokrri, Mirko Kecojeviq, Fidaim Konushevci, Sabri Miftari, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Rrustem Sabri Podvorica, Isak Ibrahimi, Fehmi Podvorica, Xhavit Havolli, etj.
Futbollistët llapjanë si: Bedrudin Havolli, Shefqet Osmani, Islam Ajeti, Luan Salihu, Islam Visoka, Adil Vokrri, Isa Blakçori, Naser Hyseni, Ragip Stubulla, Bekim Muliqi e të tjerë kanë shkëlqyer me skuadrat si: Flamurtari i Prishtinës; Kosova e Vushtrrisë, Minatori i Hajvalisë, Ballkani i Therandës e Prishtina.
Asokohe klubet e sipërpërmendura kanë zhvilluar gara në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Skuadra e Llapit ka pasur edhe futbollistë të tjerë të shquar si: Muhamet Vokrri, vëllezërit Shaban e Rifat Hajdari, Emin Simnica, Basri Muçolli, Agim Llugaliu, Bajram Zeqiri, Yzeir Mustafa, Muharrem Behrami, Emrush Ejupi, Tafil Ajvazi, Bejtush Bejta, Ismet Haliti etj, që fare lehtë kanë mundur të luajë me mjaft sukses edhe në rang më të lartë garash.
Por, ata i kanë ngelur besnik përherë Klubit Futbollistik Llapi,në të cilin edhe i kanë nisur hapat e parë.
Gjatë viteve nën okupim dhe pas  përfundimet të luftës FC. Llapi, është ballafaquar me kriza nga më të ndryshmet.
Kjo skuadër e lënë në harresë një kohë zhvillon gara në Ligën e Dytë Futbollistike të Kosovës.
Në fillim të viteve 2000 në Podujevë pa analizën e ndonjë projekti afatgjatë krijohen dy klube të reja të futbollit si: FC “Hysi” dhe FC “Besiana”
Me gjithë suksesin e shënuar në Super Ligën e Kosovës, këto dy skuadra në mungesë mjetesh shumë shpejt falimentojnë.
Dihet që mbajtja e një Klubi futbollistik në garë me më të mirët kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm dhe mjete të shumta.
Skuadrat zvicerane të futbollit FC. Lugano, FC.Neuchâtel, FC Servette, FC Lausanne etj, edhe pse veprojnë në një shtet me ekonomi mjaft stabile ka ngjarë që në mes të Kampionatit e kanë braktisur të ashtuquajturën Super Lague në mungesë të fondeve.
Ky shembull le të vlejë për gojëkëqijtë që nga zilia po mundohem me minimizua kontributin dhe suksesin e vëllezërve Tahir, Beqir dhe Bejtushsh Batatina.
Ata drejtimin e skuadrës llapjane e morën në kohën kur gjithçka ishte rrënuar. Fusha ku Llapi zhvillonte gara ishte tmerr për t’u parë e lëre më për të zhvilluar ndeshje në te.
Deri me ardhjen e vëllezërve Batatina nuk kishte as topa të mjaftueshëm, e për gjëra të tjera as që bëhej fjalë.
Tahir Batatina një entuziast i madh dhe këmbëngulës në realizimin e synimeve të veta do ta lë detyrën e inspektorit të lartë në Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës, për t’ia kthyer krenarinë e dikurshme Llapit dhe llapjanëve.
Përkundër pengesave dhe skenave prapa shpine ai së bashku me vëllezërit e tij s’do të kursejë asgjë, vetëm e vetëm që të realizohen objektivat e parashtruara.
Edhe pse pandemia mori jetë të shumta njerëzish dhe pezulloi zhvillimin e garave vëllezërit Batatina ishin të vetmit në Republikën e Kosovës, që futbollistëve të Llapit, me kohë u ndanë të ardhurat.
Z.Tahir Batatina i diplomuar në Fakultetin e Edukimit dhe të Sportit në Universitetin e Kosovës,niveli Master, tash sa vjet me shumë sukses në FC Llapi, e bën edhe punën e kryetrajnerit.
Ai del shumë më i suksesshëm se paraardhësit e tij, të cilët veten e konsideronin të përkryer në zejen e trajnerit.
Ata edhe pse kishin fond solid të lojtarëve në Llap,dhe ishin mirë të paguar në kushtet e Kosovës, çuditërisht nuk shënuan ndonjë sukses, që ia vlen të shënohet në analet e kësaj skuadre.
Vëllezërit, Tahir, Beqir dhe Bejtush Batatina nuk i dëshpëron e as nuk i zmbraps për asnjë çast mossuksesi i trajnerëve të mëhershëm.
Ata me besim të plotë në vetvete i qasen punës me seriozitetin më të madh duke e bërë LLapin“arrë të fortë” për ekipet si: Prishtina, Drita, Ballkani, Drenica, Gjilani, Dukagjini etj.
Llapi i Batatinajve jo vetëm si nikoqir por edhe si mysafirë disa herë i mposht skuadrat liderë dhe Kampione të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Kupa e Republikës së Kosovës në Futboll dyherë radhas shkon në vitrinat e Llapit, në Podujevë.
Këto ditë kulmin e sukseseve Llapi e arrin me kalimin e sulmuesit 22 vjeç Valmir Veliu, në skuadrën FC.Gaziantep të Turqisë.
Djaloshi nga fshati kodrinoro-malor Dyz i Podujevës,përjetësisht u është mirënjohës vëllezërve Batatina,të cilët pakursyer asgjë e mbështetën në këtë udhëtim jo edhe aq të lehtë.
Trajneri llapjan Tahir Batatina duke i njohur cilësitë e Veliut,para 5-6 muajve e pati paralajmëruar kalimin e tij të sigurt në ndonjë Klub të njohur të Turqisë, apo të vendeve të Evropës Perëndimore.
Vëllezërit, Batatina çdo Kampionat investojnë mbi 1milion euro, me dëshirën që edhe Llapi,i të madhit Fadil Vokrri, ta demonstrojë lojën e vet në përballje me skuadrat pjesëmarrëse të Ligës së Evropës.

blank

Trajneri Tahir Batatina me sulmuesin e deri djeshëm të Llapit, Valmir Veliu

Derisa të gjithë po i shijojmë dhe po u gëzohemi sukseseve të F.C. Llapi, do të ishte mirë që edhe ne, të ndihmojmë sadopak.
Në anën tjetër po ndodhi ndonjë e papritur s’duhet të zemërohemi fare, ngase një barrë me kaq shumë shpenzime një ditë mund t’i lodhë edhe vëllezërit Batatina.
ARIF EJUPI

blank

Andy Murray për herë të parë në Laver Cup

VOAL- Ekipi më i fortë i Evropës do të përpiqet të mbrojë pampshtshmërinë e tij në Laver Cup. Në edicionin e pestë të eventit, i planifikuar në Londër nga 23 deri më 25 shtator, Andy Murray do të marrë pjesë gjithashtu për herë të parë. Pas viteve të vështira për shkak të problemeve të ijeve, 35-vjeçari skocez po rikuperohet qartë, aq sa është ngjitur në numrin 53 në botë.

Siç dihet prej kohësh, Roger Federer (ATP 97) dhe Rafael Nadal (4) do të jenë në skuadër me Murray, ndërsa kanadezi Felix Auger-Aliassime (9), amerikani Taylor Fritz (14) dhe argjentinasi Diego Schwartzman (15) do të mbrojnë ngjyrat e Team World (Ekipit Botëror). ats-eb

blank

Lorik Cana në krye të klubit të Vëllaznimit, stolin do ia besojë trajnerit shkodran!

Një lajm i bujshëm ka qarkulluar sot në media. Bëhet fjalë për kapitenin legjendar të Kombëtares, Lorik Cana.

blank

Sipas “Duelit Sportiv”, 38-vjeçari po mendon të ri-organizojë përsëri klubin e Vëllaznimit të Gjakovës, teksa pritet t’i besojë “timonin” e skuadrës”, trajnerit shkodran Samuel Nikaj.

Pas eksperiencës pozitive me Vushtrinë, ku u ndal vetëm në finalen e “play-off” nga Malisheva, Nikaj duket se do marrë drejtimin e Vëllaznimit.

Në Ligën e Parë të Kosovës, Vëllaznimi e mbylli si vend i tretë sezonin e fundit, duke dështuar të ngjitet në Superligë.

Me marrjen e klubit nga Cana, gjërat pritet të jenë serioze dhe ambiciet padyshim do të jenë madhore. gsh

blank

Vdekja e Maradonës, 8 aktakuza

VOAL- Tetë punonjës shëndetësorë që kujdeseshin për ish-kampionin do të gjykohen me akuzën e vrasjes nga pakujdesia me rrethana rënduese për vdekjen e Diego Armando Maradonës.

Mes tetëve, të cilët rrezikojnë dënime nga 8 deri në 25 vite burg, ka një neurokirurg dhe mjek familjar, një psikiatër, një psikolog, një menaxher infermierie dhe disa infermierë.

Sipas hetuesve, stafi që u mor me Maradonën, i cili vdiq në moshën 60-vjeçare nga një arrest kardiak, ishte protagonist i një trajtimi në shtëpi të paprecedentë, totalisht të mangët dhe të pamatur dhe dyshohet se kreu një sërë improvizimesh dhe falsifikimi. rsi-eb

blank

blank

FADIL VOKRRI ISHTE DHE MBETET EMBLEMË LAVDIE DHE KRENARIE E FUTBOLLIT SHQIPTAR – Nga ARIF EJUPI

Vdekja e parakohshme e Fadil Vokrrit, kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës,është pritur kudo me dhembje dhe pikëllim të thellë.
Vokrri lindi më 23 qershor 1960 në Podujevë. Origjina e familjes së tij është nga fshati Sfeqël i kësaj komune. Rizahu, gjyshi i Fadilit njihej në gjithë Llapin si njeri i urtë e arsimdashës.
Në mënyrë që katër djemtë e tij Bejtullahu, Abdullahu, Selatini dhe Muhameti, të kenë një jetë më të lehtë dhe më të begatët ai me familjen e tij të ngushtë në fillim të viteve të 50-ta largohet nga Sfeqla dhe vendoset në qytezën e Podujevës.
Me gjithë vështirësitë e shumta të asaj periudhe djem dhe vajza të kësaj familje tregohen mjaft të suksesshëm si në edukim ashtu edhe në sport.
Abdullahu, babai i Fadil Vokrrit, është njëri nga pedagogët e parë në Llap. Ai së bashku me Nexhmi Sejdiun, Ramadan Salihun, Nazmi Rrahmanin, Murat Blakun, Kadrush Ramën dhe intelektualë të tjerë të kohës konsiderohen edhe si themelues të gjimnazit të përgjithshëm “8 Nëntori” të Podujevës.
Një kohë të gjatë ai punoi si redaktor dhe drejtor i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës. Tani ky institucion i Arsimit dhe Shkencës,njihet si“Libri Shkollor i Republikës së Kosovës”
Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova ,Abdullahu ndihmë të jashtëzakonshme dha edhe si ligjërues i lëndës së Pedagogjisë, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kosovës.
Ai gjithashtu la pas vetes edhe dhjetëra vepra mbi Shkollat dhe Arsimin në Kosovë.
Krahas punës edukative Abdullah Vokrri shquhej edhe si futbollist, i cili mbi një dekadë luajti në Llapin e Podujevës,së bashku me humoristin e njohur Fitim Domi-Mixha Ramë.
Rrugën e tij e ndoqën edhe dy vëllezërit e tij më të rinj Selatin dhe Muhamet Vokrri.
Selatini në pozitën e qendërsulmuesit me lojën e tij të bukur gjatë e mbajti Llapin në grupin e skuadrave më të mira të Kosovës.
Në periudhën kur Vëllazërimi i Gjakovës, zhvillonte gara në Ligën e Dytë Futbollistike të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes, Selatin Vokrri dhe Luan Vokshi, si lojtarë perspektivë të këtij ekipi lakmoheshin nga skuadra të njohura dhe me renome të futbollit jugosllav.
Arsyeja që Selatini refuzonte çdo ofertë të klubeve jashtë Kosovës, qëndronte në faktin se ai ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav për pjesëmarrje në demonstratat e 68-ës.
Në popull këto demonstrata njiheshin edhe si demonstrata për Flamur e Universitet në Gjuhën Shqipe. Prandaj me të drejtë ai druante edhe kurdisjen e ndonjë procesi të montuar politikë.
I pathyeshëm në mbrojtjen e Llapit u tregua edhe Muhamet Vokrri, i cili dydhjetvjeçarë të plotë u solli adhuruesve të këtij ekipi momente gëzime e hareje.
Ai për kohën pa mëdyshje ishte njëri nga mbrojtësit më të mirë në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Vëllezërit Selatin dhe Muhamet Vokrri, po ashtu u dalluan me punën e tyre të mirë prej mësimdhënësi në shkollën ”Naim Frashëri” të Podujevës.
Famën e kësaj familje pedagogësh dhe futbollistësh të dalluar e ngriti në zenit Fadil Vokrri,i cili në moshën 17 vjeçare debutoi vrullshëm në njëmbëdhjetëshin e parë të KF“Llapi“atëbotë anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.

blank

Vokrri së bashku me axhën e tij Selatinin, dhe dajën Emin Simnica, si dhe me mesfushorët Shukri Shabani e Basri Muçolli përbënin sulmin më efikas të kësaj lige.
Falë lojës së mrekullueshme të Fadilit ende fëmijë Llapi ua prishte llogarit edhe skuadrave si: KF“Liria”të Prizrenit, KF”Vëllazërimi” të Gjakovës, KF“Budiçnost”të Pejës, KF”Cervena Zvezda”të Gjilanit, KF”Ramiz Sadiku të Prishtinës, KF“Kek-u”të Kastriotit,ekipe këto në periudha të ndryshme kohore anëtare të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë në futboll.
Pakkush mund të besojë edhe një të vërtetë tjetër që Fadil Vokrri, krahas suksesit në fushatë e futbollit ishte i suksesshëm edhe në mësime.
Ai në shtator të vitit 1974 u regjistrua në gjimnazin e atëhershëm“8 Nëntori”të Podujevës, të cilin e kreu në qershor të vitit1978 me sukses të shkëlqyeshëm.
Fadili posedonte si virtyt të rrallë modestinë që vështirë e gjeje tek të tjerët. Ai vazhdimisht kohën e lirë e ndante me shokët dhe shoqet e tij të fëmijërisë si: Xhevrije Shalën-Bajgorën, Nurije Toplicën, Minire Demirin, Lule Muçollin, Astrije Blakçorin, Besim Hotin, Nehat Gashin, Bajram Havollin, Behxhet Blakçorin, Muhamet Hoxhën, Ibrahim Gashin, Sami Xheladinin, Bislim Selmanin, Hizdri Demirin, Rifat Sylën, etj,
Paharruar për asnjë çast respektin dhe mirësjelljen edhe ndaj shokëve të tjerë të gjeneratës.
Katër vite aq sa edhe luajti në KF”Llapi”të Podujevës, të shtunat dhe të dilet e gjithë rinia e Llapit papërjashtuar edhe të moshuarit si: Sherif Hajdari, Xhafer Meta, Jetish Rekaliu, Halil dhe Ibrahim Demiri, Ejup e Alush Bekteshi, Sylejman Babatinca, Bejtullah Tahiri, vëllezërit Sylejman dhe Ajvaz Demiri etj, i duartrokitnin lojës së bukur e plotë aksione të Fadil Vokrrit.
Tepër vështirë është që të përshkruhen lëvizjet e shpejta vetëtimë të Vokrrit, dhe shmangia me aq mjeshtëri e mbrojtësve kundërshtarë. Këto paraqitje të shkëlqyera të tij në skuadrën e Llapit, joshën udhëheqësit e KF“Kek-u”(ish-Obiliqi i Kosovës)që në radhët e veta të angazhojnë Fadil Vokrrin, duke i siguruar edhe punë në Administratën e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Fadili këtu qëndron vetëm tre-katër muaj dhe rikthehet në Llapin e hapave të tij të parë,ngase kjo skuadër pas shumë viteve gara në Ligën e Parë të Kosovës, rrezikonte rënien në rangë më të ultë.
Rikthimi i Fadilit në Llap siguron mbetjen e skuadrës në mesin e më të mirëve të Kosovës.
Ai përveç golave të bukur krijonte edhe spektakël të vërtetë me driblimet e tij të papara, duke na dhuruar gëzim dhe kënaqësi të veçantë.
Në momentin kur KF”Llapi”zgjodhi problemin e qendërsulmuesit me Luan Salihun-Lulin, pa ndonjë brengë të madhe për të ardhmen e klubit të tij të fëmijërisë Fadili vendos të kalojë në KF“Prishtina, e cila ato vite me tërë potencialin që kishte synonte inkuadrimin në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë.
Vokrri së bashku me bashkëlojtarët e tij gjatë viteve të 80-ta stadiumin e qytetit në Prishtinë e ktheu në vendin më të preferuar të rinisë shqiptare.
Në katër anët e stadiumit dëgjohej kënga“Besa-Besë”e përcjell me daulle e surle. Kjo atmosferë e paparë festive bartej edhe jashtë stadiumit.
Kremtja e fitoreve të Prishtinës, vazhdonte deri në orët e vona të natës. Fadilit kjo përkrahje e pakursyer e tifozërisë së zjarrtë të Prishtinës, sikur i jepte forcë e kurajë. Ai asnjëherë nuk ndiente lodhje. Në ndeshjet e radhës kthehej me energji të ripërtërira dhe tejet i disponuar për lojë.
Atij edhe pse i viheshin pas dy-tre mbrojtës kundërshtarë nuk e ndalnin dot. Bile herë-herë ata tejkalonin edhe rregullat e lojës, duke startuar ndaj tij brutalisht.
Mirëpo,Vokrri me energjitë e tij të pashtershme sa hap e mbyll sytë aftësohej për vazhdimin e lojës.
Të gjithë i kalonte me lehtësi të paimagjinuar. Ai ishte në gjendje të shënojë nga çdo pozitë.
Në periudhën kur Prishtina bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ai në 84 ndeshje aq edhe sa luajti i detyroi portierët kundërshtarë që nga rrjetat e tyre të nxjerrin topin hiç më pak se33herë.
Falë lojës së tij brilante Prishtina më 1983 pas një pritje prej 10 vjetësh inkuadrohet në elitën e futbollit jugosllav në të ashtuquajturën Ligë e Parë Federative e Jugosllavisë.

blank

Kjo Ligë pa diskutim ishte nga më të fortat jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Evropë.
Vokrri edhe këtu tregohet i suksesshëm. Në asnjë mënyrë nuk mbetet nën hijen e sulmuesve me emër si: Dragan Xhaiq, Dushan Bajeviq, Vahid Halilhoxhiq, Zlatko Kranjçar, Safet Sushiq, Nenad Bjekoviq, Zlatko Vujoviq, Dejan Saviçeviq etj.
Ai në 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës, shënoi 22 gola duke mposhtur portierë të kalibrit si: Stojiq, Omeroviq, Pudar, Kataliniq, Ivkoviq, Janjush, Panteliq etj.
Më 1984 selektori i atëhershëm i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Milosh Milutinoviq, duke parë formën e shkëlqyer të Fadil Vokrrit e fton atë, dhe e aktivizon në 11-shin e parë të kësaj skuadre.
Përveç Fadilit kjo ftesë i gëzoi të gjithë,sepse ai ishte shqiptari i parë nga Kosova që luajti në një reprezentacion kaq të fortë,të futbollit,siç ishte ai i Jugosllavisë.
Me këtë përfaqësuese Fadil Vokrri zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola. Po më 1984 Vokrri ishte bartës i flamurit në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Meqenëse ai vazhdonte me formën e tij të shkëlqyeshme Klube të mëdha si Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, Partizani i Beogradit, madje edhe skuadra të njohura jashtë Jugosllavisë, si Juventus i Torinos u vunë në garë për ta sjellë në radhët e veta.
Sigurt që sikur të mos paraqiste problem shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, Vokrri do të shkonte tek gjiganti i njohur italian Juventus.

 

Pas shumë hamendjesh ai më 1986 kalon tek Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i
Jugosllavisë. Edhe pse i gjendur në një ambient dhe situatë të rëndë Vokrri manifeston në mënyrën
më të mirë aftësitë e tij prej futbolliti me emër.
Vokrri, në Partizan luajti 27 ndeshje dhe shënoi 13 gola. Ata që e jetuan këtë periudhë e dinë fare
mirë se në çfarë konkurrence shpallej futbollisti i vitit në ish-Jugosllavi.
Edhe pse në konkurrencë të denjë epiteti i më të mirit më 1987 iu dha legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, qërdërsulmues i KFPartizan të Beogradit.
Fadili ishte mjaft intelegjent dhe me shumë vëmendje përcillte e analizonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, dhe ish-Jugosllavi.
Ai duke hetuar përshkallëzimin e situatës pazhurmë më 1989 largohet nga Partizani dhe kalon në FC “NIMES OLYMPIQUE”të Francës.
Këtu qëndron një vit duke treguar formë të mirë dhe lojë të shkëlqyer. Fadili me natyrën e tij të butë e gjithnjë modest kudo bënte shokë e miq.
Disa mërgimtarë tanë në Gjenevë, duke rrëfyer dhembjen e tyre për vdekjen e hershme të Vokrrit, tregojnë se disaherë në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Nimes të Francës, për ta përkrahur idhullin e tyre Fadil Vokrri.
Më 1990 Vokrri mbrrin kulmin e karrierës së tij duke kaluar tek Fenerbahçe e Turqisë, e cila përveç sukseseve në vendin e saj ka shënuar arritje edhe në arenën ndërkombëtare.
Pas përfundimit të Kampionatit të Turqisë në fund të vitit 1992 Vokrri rikthehet në Francë.
Meqë jetën e shihte të mangët pa futbollin nis të luajë në FC ”Bourges 18“ dhe më vonë në FC “Montluçon”të regjionit Auvergne—Rhone-Alpes të Francës, ku edhe e përfundon kerrierën e tij prej futbollisti ikonë e futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.
Edhe pse e kishte të rregulluar qëndrimin në Francë, pas përfundimit të luftës ai kthehet së bashku me familjen e tij në Kosovë, me dëshirën e vetme që të kontribuojë në zhvillimin dhe masovisimin e futbollit shqiptar.
Fillimisht e kryen funksionin e Drejtorit ekzekutiv në ish-Klubin e tij KF”Prishtina”Kurse më 2008 persona që njihnin në thelb profesionalizmin e Fadil Vokrrit, këmbëngulin që ai të marrë timonin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Fadili edhe pse i vetdijshëm që kjo pozitë kërkon punë dhe angazhim pranon drejtimin e kësaj Federate. Menjëherë nis rikonstruktimin e brendshëm të saj duke emëruar njerëz kompetentë në pozitat e lëna gjatë bosh. Pastaj pandërprerë lobon për anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta të Futbollit botëror dhe atij evropian.
Fadil Vokrri në cilësinë e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, disaherë vizitoi Zvicrën, ku i shoqëruar nga Z.Naim Malaj, ish-Ambasador i vendit tonë në Bernë të Zvicrës, bëri takime pune me Josef Sepp Blatter, president i FIFA-s.
Malaj plot nostalgji dhe emocin kujton këto takime, duke thënë që Vokrri,ishte njeri i dialogut dhe mirëkuptimit. Ai si i tillë gëzonte respekt të veçantë tek Blatter dhe Platini, i pari president i FIFA-s, kurse i dyti i UEFA-s.

blank
Pamje nga takimi i Vokrrit dhe Malajt, me Josef Sepp Blatter president i FIFA-s.
Malaj, shpjegon deri në detaje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fadil Vokrrin. Ndër të tjera kujton edhe takimin e vitit 2013, kur ai dhe Vokrri u pritën përzemërsisht në selin e FIFA-së në Cyrih të Zvicrës, nga Presidenti i atëhershëm i kësaj organizate Blatter.
Me këtë rast thotë Malaj, kryetari i Federatës së Futbollit tonë z.Vokrri ofroi argumente të bazuara në prova që Kosova, duhet të jetë pjestare e 211-të e këtij mekanizmi të rëndsishëm të futbollit botëror.
Në mënyrë që të zbuten reagimet e Serbisë dhe aleatve të saj fillimisht antarsimit të Kosovës në UEFA DHE FIFA, i parapriu e drejta e zhvillimit të ndeshjeve miqësore.
Kyfarë statusi as mish e as peshk nuk i pëlqeu gjithëaq Vokrrit. Ai nga frika që kjo e drejtë e kufizuar mund të vazhdojë në kohë të pacaktuar intensifikoi tekimet me krerët udhëheqës të këtyre dy institucioneve elitë në Evropë dhe Botë.
Ëndërra e kahëmotshme e Vokrrit u plotësua kur nga ky status i përkohshëm u kalua në atë të rregullt. Kështu Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, e drejtuar plot një dekadë nga Fadil Vokrri, përmbushi me sukses objektivat e saj.
Vdekja e fshehtë dhe tinzare e mori shumëherët Vokrrin, cili ishte në kryrje të mandatit të tretë si Kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Konstatim i të gjithëve është që prirjet për lojën dhunti nga Zoti, Fadil Vokrri i shfrytëzoi maksimalisht, duke vënë gjithçka në të mirën e futbollit të Kosovës.
Andaj, emërtimi i stadiumit të Prishtinës me emërin e tij as që duhet të diskutohet, por duhet të krijohet edhe ndonjë çmim prestigjioz dhe me vlerë me emrin e tij, me çfarë i bëhet nder i posaçëm Kosovës dhe sportit shqiptar në përgjithësi.

blank

Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetojë prore! Fadil të qoftë i lehtë dhèu i Kosovës,të cilën e prezantove kudo në mënyrën më të mirë të mundshme!

ARIF EJUPI

blank

“Vjen së shpejti!”- Florian Marku lajmëron “betejën”, publikon pamje nga “Air Albania”: Për të gjithë njerëzit e mi

Florian Marku po përgatitet për duelin e radhës. Boksieri shqiptar ka bërë një postim në instastory, teksa ka bërë kurioz të gjithë fansat.

Aty shihet stadiumi Air Albania, shoqëruar me shkrimin: ”Së shpejti” apo edhe “Vjen së shpejti për të gjithë njerëzit e mi”.

Siç duket, ashtu siç ishte paralajmëruar, na pret një ndeshje e bukur në Shqipëri. 30 vjeçari po kalon një periudhë tejet të mirë, pasi ka fituar tituj të rëndësishëm së fundmi.

Marku vijon të mbetet një nga boksierët më të mirë kuqezi, duke mbajtur lart flamurin e Shqipërisë nëpër botë. gsh

 


Send this to a friend