Vito Kapo gjatë bisedës me gazetarin Xhevdet Shehu
Këto ditë u takova, piva një kafe dhe bisedova me Vito Kapon. Ishte një takim i rastësishëm që u mundësua pas një telefonate të papritur nga miku im i vjetër, Naim Saraçi, një nga truprojat e burrit të saj Hysni Kapo, i cili vazhdon të jetë një nga miqtë më besnikë të familjes Kapo.
Vito Kapo jeton në një shtëpi modeste, në katin e parë të një ndërtese që dikur ka qenë institut studimesh, diku pra 21 Dhjetorit. Gjithsesi nga një vështrim i shpejtë që i hodha asaj shtëpie, të krijohej menjëherë ndryshimi i madh që ka pësuar nga jetesa e dikurshme në Bllok, në këtë hapësirë të ngushtë banimi ku jeton tani. Në atë që mund të quhet dhoma e pritjes, vihet re menjëherë shija e hollë për të qenë gjithçka në vendin e vet. Në atë dhomë Vito Kapo mban në një faqe muri një portret të madh të Hysni Kapos, të pikturuar me ngjyra vaji. Në faqen tjetër të murit mban një fotografi gjithashtu të madhe të fshatit Tërbaç, vendlindjes së Hysniut. Në një ndarje tjetër është biblioteka. Ndërsa disa shkallë të brendshme të çojnë në katin e dytë, ku banon djali i Vitos, Besniku.
Pavarësisht modestisë, gjithsesi, kjo shtëpi duket më e përshtatshme dhe më e qetë se ajo e Nexhmije Hoxhës në ish-pularinë e Laprakës, të cilën unë e kam vizituar disa muaj më parë.
Mësoj se takimet me miqtë i bën zakonisht aty pranë shtëpisë, në një kafene të qetë. Vitoja, pasi vishet me kujdes, deri te kafeneja ecën ngadalë dhe e mbështetur në një bastun. Nuk pranon ta mbajnë për krahu. Ecën ngadalë dhe me kujdes, por ecën vetë. Madje, sikurse na tregoi edhe vetë, herë-herë shkon edhe bën pazar në një dyqan aty pranë, pasi rruga është e qetë dhe nuk ka qarkullim makinash…
Nga distanca e më shumë se 25 viteve nga përmbysja e regjimit komunist, e tërhequr tërësisht nga jeta publike edhe për shkak të moshës, (pas disa javësh, ekzaktësisht më 9 nëntor, ajo mbush 94 vjeç) emri i Vito Kapos është mbështjellë me mister dhe shpesh edhe me spekulime sa herë janë përmendur apo komentuar ngjarje të rëndësishme të atij regjimi, por sidomos me ato që lidhen me vdekjen e Hysni Kapos. Ka dhënë tek-tuk ndonjë intervistë, por prania e saj në jetën publike ka qenë mjaft e rrallë. Ky fakt e bën edhe më interesant bisedën me të. Për më tepër që është mjaft e kthjellët dhe nuk deformon faktet dhe emrat. Sidomos me ngjarjet që kanë të bëjnë me vdekjen e Hysni Kapos në vjeshtën e vitit 1979 ajo është tejet e ndjeshme dhe pavarësisht se kundërshton dëshmitë e botuara nëpër gazeta, përsëri ngre pikëpyetje të tjera… Dhe kjo ndjeshmëri e saj është e natyrshme.
Për vendlindjen e Hysniut ka një dobësi të veçantë. Dhe tregon këtë fakt:
Para disa ditësh në Tërbaç u bë një festë që organizohet çdo vit. Takohen brezat e tërbaçiotëve. Më ftuan edhe mua, por unë nuk shkova dot për shkak të moshës. Po ja më kanë ardhur tërbaçiotët këtu si përfaqësues të bashkëfshatarëve të Hysniut… Më nderojnë herë-pas here këta me vizitat që më bëjnë dhe unë çmallem, pasi kujtojmë Hysniun, Tërbaçin e ngjarje që i kemi jetuar së bashku.
Në tavolinë me ne atë ditë erdhën e u ulën Isuf Xhaka e Hysni Berda, miq të afërt të familjes Kapo, të cilët i shprehën Vitos të falat e tërbaçiotëve dhe emocionet e takimit të sivjetëm.
Ajo ka një kujtesë të jashtëzakonshme dhe kujton detaje të një jete të gjatë dhe aktive që ka bërë gjatë regjimit komunist. Pas Nexhmije Hoxhës, (si dhe pas vdekjes në burg të Fiqrete Shehut) ajo është gruaja e dytë e rëndësishme e atij regjimi, ndaj dhe biseda me të është interesante në disa aspekte, si një dëshmitare dhe protagoniste e shumë zhvillimeve të një periudhë 45-vjeçare që tashmë është fiksuar si diktatura e proletariatit. Mbi të gjitha ajo ishte një grua e zonja për atë kohë dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në parti dhe në qeveri. Dinte të vishej bukur dhe të impononte respekt me një sjellje njerëzore. Edhe tani në moshë të thyer, tek ajo spikat shija e hollë në veshje, në sjellje dhe në komunikimin e ngrohtë.
Por biseda me të është me interes se ajo ka qenë një nga gratë më të shquara dhe me përgjegjësi të kohës që ka spikatur për aftësitë e saj.
“Unë kam qenë anëtare e Komitetit Qendror, kryetare e grave dhe ministre për meritat e aftësitë e mija dhe jo si gruaja e Hysni Kapos. Hysniu kishte meritat e tij, por edhe unë kisha të mijat”, thotë pa modesti të shtirë Vito Kapo.
Gjatë bisedës ajo më thotë se i pëlqen korrektesa, sidomos nga gazetarët. Mërzitem shumë kur m’i shtrembërojnë fjalët apo kur spekulojnë me fjalët e mia. Prandaj dhe thuajse i kam ndërprerë marrëdhëniet me shtypin. Gazeta ‘DITA’ më pëlqen për guximin dhe kulturën e të shkruarit, për debatet që hap dhe qëndrimin që mban ndaj çështjeve me rëndësi madhore. Ja, ky debati për luftën që kini hapur këtë muajin e fundit është shumë i mirë. Por edhe për tema të tjera ju debatoni me kulturë, shprehet Vito Kapo.
***
Biseda me Vito Kapon filloi paksa ndryshe nga bisedat e zakonshme me si je, si mbahesh, etj.; përgjigja e të cilave dihet ose merret me mend menjëherë. E pyeta:
– Ju rridhni nga një familje e pasur zagorite dhe ka shumë arsye që pas përmbysjes së regjimit komunist t’ju thërrasin zonjë. Si ndiheni kur ju drejtohen kështu?
– Në fakt nuk kemi qenë ndonjë familje shumë e pasur. Kemi qenë familje e mesme. Por, prapë, kur më thonë “zonjë” nuk ndihem mirë. Se si më duket kjo fjala zonjë. E huaj dhe e papërshtatshme për mua. Më pëlqen më shumë kur më drejtohen “shoqe”. Unë dhe brezi im i luftëtarëve antifashistë kemi qenë idealistë dhe luftuam jo për zotërinjtë, po për të varfrit, – u përgjigj ajo.
Pas kësaj hyrjeje të pazakontë dhe jashtë klisheve të rëndomta, Vito Kapo fillon e zhytet në kujtimet e kohës së luftës, se si u përfshi në valët e luftës antifashiste që në fillimet e saj, bashkë me Nexhmije Hoxhën dhe shumë të rinj e të reja që ajo i përmend me lehtësi. Përmend Qemal Stafën, Misto Mamen e heronj të tjerë. Por edhe dy vëllezërit e saj Alqi dhe Pirro Kondin…
Duket e habitshme, thotë ajo, por unë, Alqi dhe Pirroja u bashkuam me lëvizjen antifashiste dhe dolëm partizanë thuajse në të njëjtën kohë, pa komunikuar me njëri-tjetrin. Unë në Gjirokastër, Alqi në Berat e Pirroja në Tiranë.
Mandej ajo tregon për demonstratën e parë antifashiste të 28 nëntorit 1941 të udhëhequr nga Enver Hoxha, ku ka marrë pjesë bashkë me Nexhmije Hoxhën, flet për aksione konkrete në Tiranë e Gjirokastër, për sakrificat e panumërta, për organizimet e para partizane dhe ngritjen e celulave të Partisë Komuniste. Doemos flet më gjatë për Hysni Kapon, një nga figurat më të rëndësishme të Luftës Antifashiste dhe një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Shqipërisë së pas luftës, me të cilën ajo lidhi jetën dhe nuk u nda asnjë ditë prej tij deri sa ai vdiq në shtator të vitit 1979. Flet me një adhurim të veçantë për Hysniun, duke çmuar pjekurinë, maturinë dhe trimërinë e tij për të përballuar sfidat e kohës deri në fundin e jetës.
***
Kur i them se ajo e pranoi dekoratën “Medalja e Mirënjohjes” që i dhanë dy vite më parë si pjesëmarrëse në luftën antifashiste, një dekoratë që u kontestua nga opozita, sidomos nga Partia Demokratike dhe pati një jehonë të gjerë mediatike, Vito Kapo përgjigjet se e ka pranuar me kënaqësi atë dekoratë se e meritonte. Madje thekson se në radhë të parë me atë medalje duheshin dekoruar Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha.
E kam thënë kur më dekoruan, e kam thënë vazhdimisht dhe do ta them sa të kem jetën. Ato dekorata ne i kemi merituar dhe i meritojmë se kemi bërë një luftë heroike. Ne çliruam vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Këtë nuk mund të na e mohojë askush. Enver Hoxha ishte në krye të luftës, udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Si Enver Hoxha dhe Nexhmija Hoxha luftuan kundër pushtuesve. E përsëris: Qeveria të gjejë kurajon të dekorojë Enverin dhe Nexhmije Hoxhën, të cilët janë figura qendrore të luftës. Të dekorohen me ceremoni dhe jo në fshehtësi! Akuza e ditëve të sotme janë politike, thotë Vito Kapo.
Pikërisht këtu hapet biseda rreth polemikës që po vazhdon prej rreth një muaji në gazetën ‘DITA’ për Luftën Antifashiste dhe argumentet që janë hedhur pro dhe kundër asaj lufte. Vito Kapo është krejtësisht e qartë dhe e prerë në këtë pikë, e padashje bëhet pjesë e këtij debati, duke kundërshtuar Andrea Stefanin.
– Këtu është bërë një luftë heroike dhe këtë luftë e bëmë ne, bij e bija të këtij populli. Ishim 70 mijë partizanë. Nga ne ranë 28 mijë dëshmorë. Nuk bëri luftë Balli, nuk zbrazi asnjë pushkë kundër okupatorit, por bashkëpunoi me të. Kjo është e vërtetë. Prandaj nuk mund të hiqet kurrën e kurrës vija e barazimit midis luftës sonë dhe Ballit Kombëtar. Ne kemi luftuar e derdhur gjak për këtë vend, kurse Balli luftoi kundër nesh duke bashkëpunuar me okupatorin. Nga ana tjetër, është tërësisht i gabuar barazimi që i bëhet Enverit me Hitlerin. Jooo! Nuk e pranon kush këtë. Kjo është e patolerueshme. Enver Hoxha ka qenë komandant i përgjithshëm i një lufte çlirimtare dhe ka merita të jashtëzakonshme për ndërtimin e Shqipërisë… Janë bërë gabime? Po, dhe ne vetë i kemi pranuar. Në luftë bëhen edhe gabime. Por jo të barazosh Enverin me Hitlerin. E ka gabim Stefani këtë. Ju bëni mirë që i trajtoni këto tema sepse të rinjtë kanë nevojë të dinë të vërtetën, po kurrsesi nuk duhet lejuar të hidhet baltë mbi luftën tonë antifashiste nacionalçlirimtare dhe mbi gjakun e dëshmorëve.
***
Doemos që biseda me Vito Kapon do të dilte te vdekja e Hysni Kapos. Për Hysniun ajo mund të flasë pambarimisht, pasi e ka pasur jo vetëm një bashkëshort të shkëlqyer që e ka adhuruar dhe vazhdon ta adhurojë edhe pas afro dyzet vjetësh pasi ai është ndarë nga jeta, por e ka pasur edhe shok e bashkëluftëtar të respektuar.
Nuk jam përzier asnjëherë në punët e Hysniut, thotë ajo. Dhe ai nuk më ka treguar e nuk më fliste kurrë për mbledhjet e Byrosë, apo për çështje të rëndësishme që diskutoheshin e mirreshin vendime atje. Punonte shumë dhe nuk ankohej asnjëherë. E kisha model të jetës sime…
Hysni Kapo deri në vitin 1979 bënte pjesë në treshen më të shquar të kupolës komuniste, bashkë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. E pyes zonjën Kapo për dyshimet që janë hedhur mbi vdekjen e Hysniut dhe ajo me qetësi më përgjigjet se dyshimet ekzistojnë dhe janë të justifikuara, pra e kanë një bazë.
Hysni Kapo deri në vitin 1979 bënte pjesë në treshen më të shquar të kupolës komuniste, bashkë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. E pyes zonjën Kapo për dyshimet që janë hedhur mbi vdekjen e Hysniut dhe ajo me qetësi më përgjigjet se dyshimet ekzistojnë dhe janë të justifikuara, pra e kanë një bazë.
Vitoja më përgjigjet:
– Vetë Enveri më ka thënë më pas se herën e parë kur shkoi në Paris (më 1978) Hysniun kanë dashur ta helmojnë… Po, po, ma ka thënë Enveri vetë me gojën e tij. Po se kush ka dashur ta helmojë këtë nuk e mora vesh kurrë. Në vijim Enveri më tha se herën e dytë Hysniu doli se kishte kancer dhe kancerit nuk kishim çfarë t’i bënim… Kështu më ka thënë dhe besoj në këto fjalë të Enverit.
E ngacmoj më tej bisedën në këtë pikë dhe e pyes për një çështje delikate që është pohuar në gazetën ‘DITA’ para disa muajsh gjatë një cikli shkrimesh për vdekjen e Hysniut, sipas kujtimeve të dy ish-shoqëruesve të tij Eqerem Sinani dhe Nexhip Paja, si dhe të Dr. Sabit Brokajt. Një nga më kryesorët në ekipin e mjekëve që i shërbenin Hysni Kapos ka qenë edhe Sali Berisha. Madje janë hedhur në shtyp dyshime të forta kundër tij për përshpejtimin e vdekjes së Hysniut.
Vito Kapo pohon se Sali Berisha ka qenë në ekipin e mjekëve të Hysniut dhe ka bërë detyrën që i takonte si mjek. Por edhe Hysniu i ka trajtuar me dashuri dhe respekt mjekët. Dhe mjekë Hysniu kishte Ylli Popën, Petrit Gaçen, Sabitin, Dinen dhe Saliun… Nuk mund të dyshoj tek Saliu për këtë. Hysniu e dinte se Dine Abazi dhe Saliu ishin tropojanë dhe nganjëherë bënte dhe bejte si të gjithë lebërit që i sajojnë vargjet aty për aty. Është e vërtetë që ka bërë edhe një bejte për Saliun dhe Dinen e duke e kënduar qeshte.
“Dy doktorë kam nga Tropoja,
Të dy të bukur nga boja (nga shtati).
Skërfyelli, bilbil nga goja (për Sali Berishën)
Po këtë doktorin tjetër (për Dine Abazin)
E kam besnik të vjetër!”
Pra unë nuk dyshoj se Saliu ka përshpejtuar vdekjen e Hysniut. Ai nuk ishte i pari i mjekëve në Paris. I pari ishte Aleksandri, ai mjeku francez. Nga shqiptarët ishte Petrit Gaçja.
E kam pyetur më pas Petrit Gaçen: Po si ndodhi mo Petrit, pse na vdiq aq shpejt e papritur Hysniu? Më thuaj ndonjë gjë… Po Petriti mjaftohej gjithnjë me pak fjalë: “Shoku Hysni ishte një njeri shumë i mirë. Ruaj kujtimet më të mira nga ai…”. Dhe asgjë më shumë.
Pasi mendohet pak, Vito Kapo shton:
I jam mirënjohës për një gjë Sali Berishës. Pasi vdiq Hysniu, iu luta mjekëve që njërën dorë të Hysniut ta derdhnin në allçi, pra të bënin një maskë të saj që ta kish si kujtim. Aty Saliu u hodh e tha: Pse dorën? Bëjmë maskën e fytyrës… Dhe ai ndihmoi shumë për këtë. E kam falënderuar për këtë… Po a e dini ju se vetëm tre vetëve u është bërë maska e fytyrës në këtë mënyrë? Të parit i është bërë Alqi Kondit, tim vëllai, pastaj iu bë Hysniut në Paris dhe të tretit i është bërë Enver Hoxhës…
Më tej, pasi i them se si e konsideron sjelljen e Sali Berishës pas vitit 1990, kur ai la profesionin e mjekut dhe iu fut politikës, u bë President dhe Kryeministër. Si shpjegohet që ai e futi në burg Nexhmije Hoxhën dhe thuajse gjithë ish-Byronë Politike, ndërsa Vito Kapon nuk e futi në burg?
Vito Kapo thotë: Edhe për këtë mendoj se ai ka shpërblyer respektin dhe besimin që Hysniu tregoi ndaj tij kur ishte gjallë. Saliu asnjëherë nuk e ka sulmuar publikisht Hysniun dhe familjen Kapo gjatë këtyre viteve… Ju doni të dini se çfarë mendoj unë për Saliun politikan? Janë thënë aq shumë dhe e kanë kritikuar aq shumë sa unë nuk kam ç’të shtoj më shumë…

***
Në një moment bëj një kapërcim dhe e pyes Vito Kapon:
Si e ka njohur Mehmet Shehun dhe si kanë qenë marrëdhëniet e Hysniut me Mehmetin gjatë viteve? Përgjigja e saj ishte e thjeshtë dhe e qartë:
Ka qenë një nga marrëdhëniet më korrekte dhe më shoqërore midis tyre. Ata njiheshin që nga koha e luftës dhe në zjarrin e luftës lidhën një miqësi të ngushtë midis tyre. E respektonin shumë njëri-tjetrin. Mjafton të them një fakt shumë domethënës: Të gjithë dridheshin para Mehmet Shehut, për shkak të autoritetit dhe të aftësive që kishte. Edhe anëtarët e Byrosë Politike (me përjashtim të Enverit dhe Hysniut, natyrisht) kur kishin punë me të. Kur kishin ndonjë material të vështirë që duhej të kalonte te Mehmeti për firmë, ata ia jepnin më përpara Hysniut dhe i thoshnin Mehmetit që e ka parë shoku Hysni këtë. Kur s’kishte firmën e Hysniut materiali, Mehmeti merrte në telefon Hysniun dhe e pyeste nëse e kishte parë iks material apo jo. Dhe pasi merrte përgjigje pozitive e miratonte. Njëherë Ramiz Alia tha: “Shyqyr që na nxjerr nga situata shoku Hysni, sa herë kemi punë me Mehmetin…” Ja ky ishte Mehmeti, i rreptë, i drejtëpërdrejtë, skrupuloz e parimor si ai…
Megjithatë, për fundin e Mehmetit, Vito Kapo thotë vetëm kaq:
Ishte i dhimbshëm ai fund. Ishte e turpshme ajo mbledhje dhe qëndrim i ashpër kundër Mehmetit në dhjetorin e 81-shit. Kryeministër si Mehmet Shehu nuk ka për t’i ardhur kurrë Shqipërisë… Ishte e trishtueshme përbërja e Byrosë politike në vitet e fundit. Enveri nuk kishte thuajse asnjë shok të shquar të kohës së luftës dhe me merita të spikatura që nga koha e luftës në byro më pas. Atëherë bëhesh politika e ngritjes në përgjegjësi të kuadrove nga klasa punëtore. Përjashtim nga të gjitha ngritjet që u bënë në ato vite mund të bëj vetëm për Themie Thomain. Kemi qenë bashkë ministre dhe ia kam çmuar gjithnjë aftësitë dhe intelektin. Për të tjerët nuk di ç’të them…
I thashë njëherë Hysniut: Mirë që i ngrini këta njerëz nga klasa punëtore, po të paktën zgjidhni njerëzit më inteligjentë dhe ata që dinë të drejtojnë.
Hysniu më dha të drejtë në heshtje…
***
Pasi mendoj se i kemi ezauruar disa çështje të rëndësishme (aq sa mund të ezaurohen gjatë një takimi e një bisede për herë të parë) e pyes Vito Kapon se si i ka marrëdhëniet e saj me Nexhmije Hoxhën.
– Shumë të mira, -përgjigjet menjëherë. – Flasim shpesh në telefon pasi kemi thuajse të njëjtat probleme të moshës. Ja dje biseduam… Nuk e mohoj miqësinë dhe shoqërinë e gjatë që na lidh së bashku që nga koha e luftës.
Më tej ajo më tregon për shumë miq e shokë që e vizitojnë thuajse çdo ditë në shtëpi apo pi kafe me ta aty pranë shtëpisë, mes të cilëve veçon ish-shoqëruesin e Hysniut, Naim Saraçin.
Pastaj biseda kalon te çështje të tjera të aktualitetit ku përsëri ajo jep me kthjelltësi mendimin e saj. E pyes se si ndihet kur sheh në ekran apo lexon shkrimet e Andi Bushatit, nipit të saj. Ajo thotë shkurt dhe qartë:
– Andi është djalë i zgjuar dhe i thotë me kurajo mendimet e tij. Ai ka krijuar tani personalitetin e tij dhe nuk pret ta mësojë kush për ato që thotë dhe shkruan. Bën edhe parashikime dhe nuk di të bëjë kompromise në kurriz të së vërtetës. E çmoj shumë Andin…
Pastaj na tregon edhe këtë fakt:
– Kur botohen shkrime për Hysniun dhe sidomos nga njerëz që nuk i dinë mirë këto gjëra, unë shqetësohem shumë. Ia shpreha këtë shqetësim Andit. De a e dini se si m’u përgjigj: Mos u shqetëso, nëna. Fakti që flitet aq shumë për gjyshin, tregon se ai ka qenë një njeri i madh e i zoti. Përndryshe do ta kishte mbuluar heshtja dhe harrimi…
Ndahemi me Vito Kapon me shpresën për t’u takuar sërish e për të biseduar posaçërisht për gazetën ‘DITA’. Ajo ka se çfarë të thotë…
Komentet