Dhjetë vite më parë, kryeministri Edi Rama pranonte publikisht se bujqësia shqiptare po përballej me probleme të thella dhe paralajmëronte se, nëse nuk merreshin masa të forta mbështetëse, fshatrat do të boshatiseshin dhe tokat do të mbeteshin djerrë.
Sot, një dekadë më vonë, ky paralajmërim është shndërruar në realitet në shumë zona të vendit, ku emigracioni dhe braktisja e fshatit kanë lënë pas qindra banesa të mbyllura dhe sipërfaqe të tëra të papunuara.
Në një deklaratë të bërë një dekadë më parë, Rama shprehej se qeveria ishte plotësisht e vetëdijshme për problemin e vetmisë së fshatit dhe për rrezikun që, pas dhjetë vitesh, të mos mbetej askush për të punuar tokën.
“Jemi shumë të vetëdijshëm që problemi kryesor i fshatit sot është problemi i vetmisë. E dimë shumë mirë që pa i dhënë fshatit një mbështetje shumë të fortë që të rifillojë të prodhojë normalisht, ne rrezikojmë që pas 10 vjetësh të mos ngelet asnjë njeri që të merret me tokat, por të mbeten djerrë komplet.
Nuk ka fshatarë të varfër në pikën që nuk arrijnë dot t’i japin një gotë qumësht fëmijës në mëngjes, kjo nuk ekziston…
Dhe nuk kanë faj, sepse shohin prindërit që rropaten 16 orë duke punuar me tokën dhe në fund, çfarë përfitojnë? Vetëm mbijetesë. Mbijetesë për të mbushur barkun me bukë”, shprehej Rama.
Megjithatë, pavarësisht këtij paralajmërimi dhe pranimit të problematikës, dhjetë vitet që pasuan u shoqëruan me një tkurrje të vazhdueshme të popullsisë rurale, emigrim masiv dhe braktisje të shumë zonave bujqësore.
Në shumë fshatra të vendit, tokat kanë mbetur të papunuara, ndërsa numri i familjeve që jetojnë dhe punojnë në bujqësi është reduktuar ndjeshëm. Panorama
https://www.facebook.com/share/v/18tGachDK4/