VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Grupi i Kumanovës shfaqet live në “Facebook”: Do qëndrojmë si luanë, do vdesim faqebardhë

By | October 14, 2019

Komentet

Kreu i opozitës pas takimit me Presidentin: Asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale

Kreu i opozitës, Lulzim Basha foli pas takimit me Presidentin Meta.

Basha ndër të tjera u shpreh se një prej çështjeve që u diskutua në takimin me Metën, ku të pranishëm ishin edhe aleatët e Partisë Demokratike, ishte zgjidhja e krizës politike.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka refuzuar në paktën katër raste ofertën e institucioneve ndërkombëtare për ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

“Nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale kushtetuese.

Do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë për zgjedhjet e parakohshme dhe do i bëjmë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë për të marrë pastaj të gjitha hapat e nevojshme”, tha Basha.

Takimi i Metës me partitë e opozitës: Përshëndes qëndrimin tuaj për zgjedhje të parakohshme të menjëhershme

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në njoftimin e publikuar nga presidenca bëhet me dije se Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.

Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.

DOKUMENTI- Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE: Vuri në diskutim dekretin për 30 qershorin dhe u tregoi gishtin shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE Bernd Borchardt.

Në dokumentin që disponon “Panorama”, kreu i shtetit është drejtuar me një letër Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se “Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

LETRA E PLOTE

“Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t’i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë’, shkuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

Ja çfarë ndodh në Medvegjë në kohërat e përbetimeve dhe shengen-dashurive ballkanike

Liderët e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas mohimit të paktën përkohësisht të vazhdimësisë së rrugës së përfshirjes në BE, janë hedhur në një sulm zhurmues mediatik dhe gjeopolitik për treguar vullnetin e tyre të plotë për të ndërtuar të quajturin Minishengen Ballkanik.

Gjithcka në emer të fqinjësisë së mirë, demokracisë, paqes dhe mirëqënies së qytetarëve të tyre.

Pavarësisht, se nga brendia e asaj, që u shërbye publikisht në takimet e nivelit të lartë të mbajtura së fundmi në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, në thelb është vetëm Marrëveshja Cefta plus 5% e nënshkruar afër 15 vite më parë dhe e zbatuar në jo më shumë se 50% të përmbajtjes së saj, nisma të tilla janë për t’u përkrahur.

Por me një kusht: të jenë të sinqerta.

Ndërkohë, nga Medvegja shqiptare në Serbinë Jugore vinë dhëna dramatike se cfarë po ndodh në të vërtetë në terren. As më pak dhe as më shumë kemi spastrim etnik ” de facto” të egër të pothuaj 65% të shqiptarëve nga autoritetet e Beogradit, pikërisht në kohën e përbetimeve dhe dashurisë ballkanike të nismëtarëve të MiniShengenit.

Të dhënat e frikshme vinë në këndvështrimin e qartë të të zgjedhurit politik të shqiptarëve të Medvegjes dhe sipërmarrësit europian z.Muharrem Salihu. Gjithcka është paraqitur në letrën ndërgjegjësuese, që i është dërguar ambasadorit të RF të Gjermanisë në Serbi si dhe përfaqesuesve më të lartë të BE dhe SHBA-ve.

Shënim nga Gjergj Buxhuku

 

*****

 

Medvegjë, Bujanovc, 6 nëntor 2019

I nderuar Z. Thomas Schieb

Ambasador i RF të Gjermanisë

Beograd, Serbi

Lënda; Fushata e spastrimit të heshtur etnik të shqiptarëve të Komunës së Medvegjës

 

I nderuar Z. Ambasador,

Dua të paraqes përshëndetjet e mia të ngrohta për Ju si dhe falenderimet për vizitën e fundit në Bujanovc. Njëkohësisht dëshiroj të shpreh keqardhjen për pamundësinë Tuaj për të ardhur në Medvegjë dhe për tu takuar me përfaqësuesit e zgjedhur së fundmi të bashkësisë shqiptare.

I nderuar Z. Ambasador, sikurse mund të jeni në dijeni, ne përballemi me zhvillime politike dramatike në Komunën e Medvegjes. Duke filluar nga viti 2011 qytetarët e kombësisë shqiptare janë fshirë në mënyrë sistematike nga regjistrat e gjëndjes civile nga autoritetet shtetërore serbe. Ata janë cregjistruar pavarësisht, se janë qytetarë të Serbisë dhe janë në zotërim të gjithë dokumentave të lëshuar nga shteti. Qëllimi është të zbrazet Medvegja nga shqiptarët.

Sa më sipër përbën një akt të padëgjuar diskreminimi në Europën e shekullit të 21. Për më shumë gjithcka më sipër ka kaluar pa u bërë e njohur në media, shoqërinë civile dhe qarqet politike ndërkombëtare në Serbi dhe jashtë saj. Duke abuzuar me një paragraf të ligjit për statusin e residentit, konkrtisht neni 18, autoritetet e Serbisë janë duke shënjestruar residentët e përhershëm të bashkësisë shqiptare në Medvegjë. Mënyra e zgjedhur e diskriminimit është dërgimi nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë i fletëthirrjeve të posacme qytetarëve shqiptarë për tu paraqitur në stacionin e policisë.

Nuk ka të dhëna, që ftesat e mësipërme bëhen, se autoritetet përkujdesen vetëm për të verifikuar, nëse shqiptarët jetojnë ende në vendbanimet e tyre. Sikurse jemi vënë në dijeni në mijëra raste alarmante personeli i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë me cdo kusht kërkon dëshmi false kundër qytetarëve të kombësisë shqiptare. P.sh në mjaft raste autoritetet serbe përfshijnë dëshmi të rreme që një qytetar shqiptar nuk jeton më në Medvegje.

Në vazhdim këto të dhëna të falsifikuara i hedhin në një regjistër të dhënash në të cilin raportohet “mungesa e qytetarit” dhe si rrjedhim rreziku i marrjes së shërbimit shëndetësor, sigurimeve shëndetësore, shoqërore, paaftësisë në punë, etj. Autoritetet serbe jane duke i thonë shqiptarëve të Medvegjes se “ju nuk mund të përfshiheni në skemën e shërbimit shëndetësor”, “ ju nuk mund të përfitoni pension”, “ju nuk mund të regjistroni makinën tuaj”, etj. për të arritur te më e keqja që “ ju nuk mund të votoni sepse, nuk figuroni në listën e zgjedhësve”!

Sa më sipër është një krizë humanitare me përmasa epike dhe një goditje e drejtpërdrejtë e demokracisë. Ne kemi raste të qytetarëve të kombësisë shqiptare të sëmurë me kancer, që nuk mund të marrin shërbim mjeksor, kemi me mijra qytetarë shqiptarë, që kërkojnë të kenë të drejta të rifitojnë statusin e tyre si qytetarë të barabartë në Serbi dhe megjithatë MPB në mënyrë të prerë nuk i merr parasysh.

Përgjigjia standarte e autoriteteve vendore është, që “kemi udhëzime nga sipër” dhe “nuk jemi të detyruar të japim shpjegime për ju”.

Pasojë e diskreminimit të dhunshëm shtetëror është, që në Medvegjë në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor të mbajtura në 8 shtator 2019 vetëm 1800 shqiptarë ishin në lista e shpallura me të drejtë vote. Në vitin 2015 kishte 5000 shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote. Kështu, brenda katër vitesh Qeveria e Serbisë u kishte hequr të drejtën e votës mbi 3200 ose pothuaj 65% të shqiptarëve nga regjistri civil dhe regjistri zgjedhor në bashkinë e Medvegjes.

Unë dua të theksoj, se shumica e shqiptarëve të Medvegjes janë fshirë nga regjistri civil ndërsa ende janë në zotërim të dokumentave zyrtare të vlefshme të lëshuara nga Republika e Serbisë. Autoritetet në fuqi nuk bëjnë dallim nëse janë të pamundur,  në pension, të rinj ose të vjetër, femra ose meshkuj. Kushti i parë dhe i vetëm për diskreminim është të qënit me kombësi shqiptare! Sa më sipër është tërësisht e papranueshme për një shtet kandidat dhe që synon të jetë antar i bashkimit Europian.

Si një përfaqësues politik i zgjedhur i shqiptarëve në Medvegje, unë jam thellësisht i shqetësuar, që deri më sot asnjë organizaë ndërkombëtare dhe asnjë ambasadë në Serbi nuk ka mbajtur qëndrim për pastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve nga Medvegja. Ndërsa fokusi i vetëm i bashkisë ndërkombëtare ka qenë ulja në tavolinën e bisedimeve të drejtuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoritetet e Beogradit, në Medvegje po zhvillohet një pastrim i pastër dhe i heshtur etnik ndaj shqiptarëve.

I nderuar Z. Ambasador,

Duke parë zhvillimet dramatike në komunën tonë une dëshiroj t’Ju paraqes një ftesë të përzëmërt për të vizituar Medvegjen. Ju ejani dhe takoni njerëzit tanë të cilët janë zhveshur brenda natës nga të drejtat themelore të njeriut. Dhe Ju lutem ejani të takoheni me përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve të Medvegjës. Une kam kënaqësinë t’Ju uroj mirëseardhjen në komunën tonë dhe të jap të dhëna të tjera për cështje urgjente të natyrës politike si edhe marr përsipër të qëndroj krah Jush për të zgjdhur krizën dramatike politike dhe njerëzore në Medvegjë.

Ndërkohë, unë kërkoj nga Ju të shtroni cështjen në fjalë të të gjitha institucionet politike më të rëndësishme dhe trupat politike ndërkombëtare. Ju lutem mbani këtë qëndrim në emër të shqiptarëve të Medvegjës, sepse duke vepruar ashtu ju do të mbani qëndrim për një Serbi demokratike, gjithashtu. Ne kërkojmë nga Ju të na ndihmoni për të rifituar statusin e qytetarëve të kombësisë shqiptarë si qytetarë të barabartë të Serbisë.

Ne nuk mohojmë shtetin e Serbisë; Serbia nuk duhet të na mohojë qënien tonë si qytetarë.

Sinqerisht Juaji

Muharrem Salihu

Përfaqësues Politik i Komunitetit Shqiptar të Medvegjës,

Antar i Këshillit të Komunës së Medvegjës

 

Mirush Kabashi: Adela Gjoka, 23 vjeçe i dha fund jetës për shkak të varfërisë ekstreme e pamundësisë për të gjetur një vend pune

Aktori i shquar Mirush Kabashi reagon në Facebook pas vetvrasjes të Adela Gjokës, vajzës 23 vjeçare, që posa ishte diplomuar në inxhinieri por nuk gjente dot vend pune. Ja si shkruan Kabashi:

“Adela Gjoka, një vajzë vetëm 23 vjeçe nga Rrësheni i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë për shkak të varfërisë ekstreme të familjes së saj dhe pamundësisë për të gjetur një vend pune.

E diplomuar për inxhinieri, ajo u end më kot dyerve shtetërore pasi nuk mori kurrë një përgjigje pozitive.

Çdo përplasje dere ishte një thyerje zemre për të. I vranë shpresën teksa i duhej me patjetër një punë që të shlyente borxhet e familjes. Prindërit e saj të papunë, ishin zhytur në halle vetëm e vetëm që të shkollonin Adelën. Kishin qenë entuziastë se së paku hallet do tu mbaronin kur e bija të diplomohej.

Diploma në perceptimin e tyre përkthehej me punësim. Punësimi, në para. E paratë në shlyerje borxhesh. Se dinin ende të gjorët se për një vend pune duhet të kesh zyrtar partie, 5 mijë euro, ose të jesh dashnorja e ndonjë drejtori idjot që vjen era kërmë e që paguhet për të bërë kurvarin, sekserin, spiunin e servilin.

Adela u hodh mbrëmë rreth orës 23:00 nga kati i shtatë i pallatit ku jetonte në Rrëshen.

Britmat e Adelës në “fluturimin” drejt fatalitetit tmerruan një qytet të tërë.

Sot në Rrëshen të gjithë ulën kokat para trupit të së ndjerës.

Askush nuk pati guximin për ti hedhur sytë këtij engjëlli që me vetëvrasjen e saj deshi të vriste një shoqëri të tërë.

Deshi të vriste ata që e nëpërkëmbën. Ata që përqafojnë antivlerat dhe injorantët.

Ata që nuk i dhanë një dorë që të ngjitej si shoqet e saja që kanë prindër nëpunësa apo me poste politike.

Për Adelën askush se gjeti dot një vend pune. Aq shumë e donte punën sa së fundmi ajo po kërkonte të ikte nga vendi. Të gjente një punë edhe si babysitter diku në Europë, mjafton që të largohej…

Por fati se deshi dhe gjërat nuk shkuan në vijën e duhur. Ajo mbrëmë nuk e përballoi më gjendjen që e kishte kapluar. I

Iku duke na dhënë një shuplakë të mirë të gjithëve dhe për të pushuar e vetme në paqe!”😥😥

Ngushellime familjes për këtë humbje te madhe.🙏

Presidenca: Brenda javës nxjerrim videon. Prova përvëluese jo vetëm për Dvoranin, por edhe zyrtarë të tjerë

Presidenti Ilir Meta ka rikonfirmuar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, se ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani.



Përmes një mesazhi në “Facebook”, Blushi thekson se po administrohen prova të reja përvëluese për Dvoranin, por që sipas tij, “shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë”.

Më tej, zëdhënësi i Metës paralajmëron se “brenda javës Presidenca do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Reagimi i plotë:

Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.

MILOT SJELL NË NAPOLI 100 UJQËRIT E LIU RUOWANG – Nga Ph.D. OLTSEN GRIPSHI Artist & historian arti

Milot, Asesori i kultures Nino Daniele, Matteo Lorenzelli, Liu Ruowang e kryebashkiaku i Napolit Luigi De Magistris

Napoli kryeqendra e artit kontemporan ne jug të Italisë keto dite u “pushtua ” nga 100 ujqër kinezë! Një ekspozitë në qiell të hapur, ku skulptori kinez Liu Ruowang ka sjellë instalacionin e tij monumental në sheshin qendror të qytetit italian të kuruar nga artisti i njohur shqiptar – Italian Alfred Mirashi Milot , bashke me galeristin famos milanez Matteo Lorenzelli.
Ky eshte padyshim instalacioni me i madh ne historine e artit kontemporan te Italise , ku pothuajse idea dhe iniziativa eshte e Artistit e kuratorit italo- Shqipetar Milot i cili eshte shok dhe mik i ngushte i artistit kinez ku bashke me te ka bere shume ekspozita bashke .
Ekspozita vjen si një qasje me përmbajtje të shumëfishtë, ku estetika gërshetohet me mesazhin kuptimplotë që skulptori i madh kinez kërkon të përcjellë te publiku vendas dhe përtej atij. Një instalacion i përplotësuar nga prania e 100 uqërve të derdhur në hekur, të cilët vërtiten rreth e rrotull një luftetari që kërkon t’i mbajë larg ato, duke kërkuar t’i trembë me shpatën ndërduar të ngritur lart […]. I gjithi ky inskenim shpërfaq një gjendje tensioni, gadishmërie, frike dhe ankthi, por edhe forcën e pushtetit diktatorial të një realiteti të panjohur për Perëndimin… mesazhi është i fuqishëm, gati therës për çka ai perceptohet si i atillë në sytë e një realiteti ndryshe nga vendi ku artisti është formuar.
Padyshim që kuratori Milot ne bashkepunim Komunen e Napolit , Kryetarin e Komunes Luigi De Magistris , asesorin e Kultures Nino Daniele dhe me miqte e tij napoletanë ka arritur të trondisë me përzgjedhjen e këtij instalacioni, duke përzgjedhur dhe qytetin në të cilën do të ekspozohet, pasi bën bashkë njëherazi jo vetëm dy realitete sa të kundërt aq dhe të përbashkët. – Ujku simbol i të zhdukurve, i perandorisë së nuhatjeve të forta dhe armik i përbetuar i qenies njerëzore, gati-gati edhe i hyjnive..! Një kafshë e vrullshme, me energji të pashtershme dhe që nuk njeh kufizime aq sa e shpien njeriun të humbasë pushtetin e vetkontrollit.
Të gjitha këto si përbërës të konceptit kuratorial që vendos ballë për ballë qenien njerëzore dhe forcën natyrës, Perëndimin dhe Lindjen, dritën dhe errësirën, pushtetin dhe gjunjëzimin, kapitalizmin dhe komunizmin, kulturën kineze me atë vendase napoletane… – një botë e egër ashtu si Ophois hyu i luftës në Egjiptin e lashtë, ai që shoqëron kufomat e të vdekurve gjatë luftime drejt varrit […]. Në të vërtetë skulptori kinez na vërteton nëpërmjet figurës së ujkut atë çfarë në Kinë e konsiderojnë si mbrojtësi i mbretërisë qiellore, sikurse në mitologjinë greke ujku ishte mishërimi i Apollonit kur ai mbante rolin e rrezatimit diellor, por dhe ruajtësi i tempullit të tij në pyllin e shënjtë.
Në këtë vështrim ekspozita-instalacion e artistit Liu Ruowang e kthen vetë qendrën e qytetit në qendrën e një realiteti tjetër, aty ku përballen kulturat dhe estetikat. Padyshim që kuratori Milot shok i ngushte I artistit per me shume se 7 vite , ka evidentuar nëpërmjet kësaj vepre monumentale shpirtin luftarak të popullit kinez, duke e konceptuar atë të shtrirë në të gjithë sipërfaqen e sheshit dhe me vendosje të çrregullt, por të gjithë me drejtimin për të shkuar tek ushtari luftarak, si një mënyrë për të joshur kureshtjen e qytetarëve dhe për t’i bërë ata pjesë përbërëse të vetë veprës artistike. Një vepër, ku publiku lëviz brenda saj, e prek veprën, ballafaqohet me të, komunikon dhe shtron pyetje […]. – Qendra e instalacionit nuk është më qendra e sheshit, por luftetari i stilizuar, i cili ka një qendrim sulmues dhe gati futurist, ku dhe krijon një “koreografi” tipike të qendrimit të ushtarëve kinez. Një element i kapur me shumë mjeshtëri nga skulptori Ruowang që tenton nëpërmjet dinamikës dhe shumëllojshmërisë së lëvizjeve të uqërve të materializoi gjendjen e gadishmërisë dhe të tensionit në çdo cast. Kjo e lidhur edhe me zhvillimet social-kultuore dhe politike në vendin e tij të lindjes, Kinë, ku fryma dhe propaganda komuniste ka arritur të tulasë shpirtin e qenies njerëzore, duke e tjetërsuar dhe vendosur brenda një realiteti surreal, aq sa vetëm fuqia e përbashkuar e “uqërve” dhe egërsia e tyre mund të ndryshojë drejtimin e tatëpjetës ideologjike në të cilën kanë rënë […].

Matteo Lorenzelli, Milot e Liu Ruowang

Luftetari si qendra e instalacionit, por edhe si figura që mbart dy kahet e psikologjisë së realitetit midis kinës dhe Napolit, midis arrogancës se perditshme dhe delirit të një force qe po shkaterrojne cdo gje , midis të mirës dhe të keqes, pasi ajo çfarë del në pah është se si një ideologji përkthehet në një koncept bashkëkohor dialogues mes qenies njerëzore dhe materieve të vdekura si hekuri! 100 uqërit krijojnë pakuptuar një dialog me qytetin, me arkitekturën që i rrethon, e cila nuk është ajo e habitatit të tyre natyral, por që i bën ato fitmitar ndaj njeriut-individ (ideologjisë së kohës), duke i zhvendosur ato në zemër të një realiteti me përmasa njerëzore dhe jo më si krijesa periferike thjesht të egra.
Ne Napoli shikojme kete installacion Ku ne te kenaqur jane adoleshentet qe luajne me ujqerit e Liu Ruowang, i prekin , ka krijuar nje kontakt positiv Ku bejne foto turiste e qytetare nga e gjithe
bota .Ky është rrugëtimi sa joshës aq dhe komunikues midis tre realiteteve të largta mes tyre Kinë, Shqipëri dhe Napoli, por që i përbashkon e tashmja me fenomenologjinë për mbijetesë në kapitalizmin e fillim shekullit të XXI.
Ekspozita eshte sponsorisuar nga Galleria ”Lorenzelli Arte ” Milano .

Liu Ruowang e Milot

 

Konkluzionet e përkthyera me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë të shtrembëruara e nuk duhet të citohen nga askush – Nga Bardhyl Mahmutaj

 

Pas publikimit të raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”,  emisioni “Pressing” i T7, i datës 24 tetor 2019, iu kushtua këtij raporti. Të ftuar të drejtuesit të emisionit, z. Leonard Kërquki, ishin prindërit e Astrit Deharit (Avniu dhe Xhemilja) dhe avokati që përfaqëson familjen Dehari, z. Tomë Gashi.

  1. Leonard Kërquki ma mundësoi të lidhem drejtpërdrejt nëpërmjet telefonit dhe të jap disa sqarime lidhur me përkthimin skandaloz të konkluzioneve të këtij raporti.

Përkundër asaj se disa medie në Kosovë publikuan përkthimin tim të këtyre konkluzioneve, ende vazhdohet të citohen konkluzionet e shtrembëruara nëpërmjet përkthimit, të cilat u shpërndarë zyrtarisht nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe u publikuan në faqen zyrtare të internetit të Prokurorit të shtetit. E shoh të udhës t’i kthehem edhe një herë kësaj çështjeje.

T’i marrim konkluzionet një nga një.

Në tekstin origjinal në gjuhën frënge thuhet:

                                                    CONCLUSIONS

Sur la base de l’ensemble des éléments à notre disposition et suite aux analyses effectuées dans nos laboratoires, nous pouvons admettre les conclusions suivantes:

  1. Comme indiqué dans notre expertise EI 180001, nous avons des doutes concernant les circonstances du décès de M. DEHARI Astrit. En effet, l’hypothèse d’un suicide de M. DEHARI Astrit par le moyen avancé par les médecins légistes parait peu vraisemblable et l’intervention d’une tierce personne dans le processus fatal doit être évoquée”.

 

Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, hyrja dhe konkluzioni i parë është përkthyer kështu:

Në bazë të të gjitha elementeve që kemi në dispozicion dhe në vazhdimin e analizës së kryer në laboratorët tona ne mund të pranojmë konkluzionet e më poshtme:

  1. Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”.

Përkthimi që kam bërë unë:

Duke u mbështetur në tërësinë e elementeve që na janë vënë në dispozicionin tonë dhe pas analizave të bëra në laboratorët tanë, ne miratojmë konkluzionet që vijojnë:

  1. Siç është theksuar në ekspertizën tonë EI180001, ne kemi dyshime sa i përket rrethanave të vdekjes së Z. Astrit Dehari. Në fakt, vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së Z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë, duket e vogël dhe ndërhyrja e një personi tjetër në procesin fatal duhet të përmendet”.

Nga përkthimi zyrtar i konkluzionit të parë  krijohet përshtypjen se gjoja ekspertët zviceran e lënë si diçka subjektive prezencën e personit tjetër (“personit të tretë” siç është përkthyer “une tierce personne”), të cilën “duhet ta kemi parasysh”.

Realisht ekspertiza vjen te konkluzioni se ndërhyrja e personit tjetër duhet të përmendet, që do të thotë se ai objektivisht ka qenë prezent. Ky objektivitet bazohet në rezultatet e ADN-së që ekspertët zviceran kanë gjetur në mostrat që janë marrë nga ora e Astrit Deharit.

Objektiviteti i personit tjetër në procesin fatal lidhet edhe me konkluzionin e dytë.

Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në konkluzionin e dytë thuhet:

2. Les analyses ADN effectuées dans notre laboratoire ont permis de mettre en évidence un profil ADN sur un échantillon décrit par les experts au Kosovo comme contentant trop peu ou pas d’ADN”.

Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, konkluzioni i dytë është përkthyer kështu:

2. Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN”.

Ky përkthim, me një sintaksë që nuk përkon me sintaksën e gjuhës shqipe, krijon huti.

Përkthimi që kam bërë unë:

2. Analizat e ADN-së, të kryera në laboratorët tanë, kanë mundësuar të nxjerrin në pah një profil të ADN-së në një mostër, të cilën ekspertët e Kosovës e përshkruajnë sikur të përmbante pak ose aspak ADN”.

Fillimisht duhet të theksohet se nëpërmjet përkthimit të shtrembëruar (“pak ose shumë pak ADN”) është munduar të fshihet fakti që Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk kanë bërë analiza të ADN-së në mostrën e marrë nga ora e Astrit Deharit, me arsyetimin fse gjoja mostra ka përmbajtur “pak ose aspak ADN”.

Në batë të rezultateve të analizës së ADN-së (Nr. Labo: 19-T03497, të përfshira në ekspertizën plotësuese EI 190001, të datës 9 shtator 2019) ekspertiza zvicerane thekson se “Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur, i emëruar në raport si H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”.

Për këtë arsye kemi konkluzionin e tretë të ekipit mjeko-ligjor zviceran, nëpërmjet të cilit ata shprehin gatishmërinë e tyre të kontribuojnë në ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”.

Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në konkluzionin e tretë thuhet:

3. Au vu de ce qui précède, nous estimons qu’une nouvelle enquête est nécessaire afin de clarifier les circonstances du décès de M. DEHARI Astrit. Nos équipes et nos laboratoires sont à disposition des enquêteurs en charge de l’affaire.

Le matériel mis à disposition du CURML va rester préservé en attendant de nouvelles instructions de la part de notre mandant”.

 

Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, konkluzioni i tretë është përkthyer kështu:

3. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen.

Materiali që është vënë në dispozicion nga CURML do të ruhet në pritje të udhëzimeve të reja nga ana e mandatit ton”.

Përkthimi që kam bërë unë:

3. Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i domosdoshëm për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me këtë çështje.

Duke pritur udhëzime të reja nga ana e atyre që na e kanë dhënë mandatin për këtë hulumtim, materiali që është vënë në dispozicion të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë do të ruhet”.

Siç shihet, kur kemi të bëjmë me materialet që do të ruhen nga ana e Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë, përkthimi është tërësisht i gabuar. Në tekstin frëngjisht thuhet qartë se kemi të bëjmë me materialet që i janë vënë në dispozicionin e kësaj qendre nga ai që u kanë dhënë mandatin të bëjnë ekspertizën. Për të ngatërruar çdo gjë, në përkthim pohohet se gjoja këto materiale “do të ruhet në pritje të udhëzimeve të reja nga ana e mandatit ton” që do të thotë mandatit të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë.

Nuk mund të pritej konkluzion tjetër nga ata që kanë filluar t’i ngatërrojnë gjërat që në fjalinë e parë të përkthimit të ekspertizës së 14 qershorit 2019.

Paragrafi i parë i ekspertizës EI180001 sqaron se kush, kujt i jap mandat të bëjë këtë hulumtim.

Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në paragrafin e parë sqarohet:

Nous avons reçu de M. Metush Biraj, Procureur national de la République du Kosovo, un mandat daté du 05 février 2018, dans le cadre d’une demande d’entraide internationale. Ce mandat est adressé au Centre Universitaire Romande de Médecine Légale avec la demande d’entreprendre toutes les investigations indépendantes nécessaires pour faire la lumière autour du décès de: M. DEHARI Astrit, né le 26 février 1990”.

 

Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, ky paragraf është përkthyer kështu:

Në kemi pranuar nga z. Metush Biraj, Prokuror kombëtar i Republikës së Kosovës, një pako të datës 5 shkurt 2018, në kuader të një kërkese të ndihmës së ndërsjellë ndërkombëtare. Kjo pako i është drejtuar Qendrës Universitare Romand të Mjekësisë Ligjore me kërkesë për të ndërmarrë të gjitha hetimet e pavarura të nevojshme për të ndriçuar vdekjen e : Z. DEHARI Astrit, I lindur me 26 shkurt 1990…”.

Përkthimi që kam bërë unë:

Nga z. Metush Biraj, prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë mandatin që mban datën 5 shkurt 2018.

Në kuadër të një kërkese për ndihmë reciproke ndërkombëtare, nga z. Metush Biraj, prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë një mandat, që mban datën 5 shkurt 2018. Ky mandat i është drejtuar  Qendrës Universitare Romand të Mjekësisë Ligjore me kërkesë që të ndërmerren të gjitha hulumtimet e pavarura, të nevojshme për të hedhur dritë rreth vdekjes së Astrit Deharit, i lindur më 26 shkurt 1990…”.

Nuk është për t’u habitur nga ata që ngatërrojnë “mandatin” me “pako”, të kenë “paketuar” fjalitë që nuk u kanë konvenuar atyre që janë përpjekur të fshehin vrasjen e Astrit Deharit.

Në përfundim të këtij shkrimi por sjell në tërësi konkluzionet e përkthyera nga unë:

Konkluzione

Duke u mbështetur në tërësinë e elementeve që na janë vënë në dispozicionin tonë dhe pas analizave të bëra në laboratorët tanë, ne miratojmë konkluzionet që vijojnë:

  1. Siç është theksuar në ekspertizën tonë EI180001, ne kemi dyshime sa i përket rrethanave të vdekjes së Z. Astrit Dehari. Në fakt, vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së Z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë, duket e vogël dhe ndërhyrja e një personi tjetër në procesin fatal duhet të përmendet.
  2. Analizat e ADN-së, të kryera në laboratorët tona, kanë mundësuar të nxjerrin në pah një profil të ADN-së në një mostër, të cilën ekspertët e Kosovës e përshkruajnë sikur të përmbante pak ose aspak ADN.
  3. Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i domosdoshëm për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me këtë çështje.

Duke pritur udhëzime të reja nga ana e atyre që na e kanë dhënë mandatin për këtë hulumtim, materiali që është vënë në dispozicion të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë do të ruhet.

“Parlamenti me një dekret shpërndahet”, paralajmërimi i fundit i Metës

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se ka një paralajmërim të fundit për atë që e quajti bandë uzurpatore që ka dy vjet që ka përdhosur Kushtetutën e vendit. I pyetur nëse po paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit me shprehjen se “parlamenti me një dekret shpërndahet’, Meta tha se në momentin e duhur do i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë.

FJALA E KREUT TE SHTETIT

Pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve kam një paralajmërim të fundit për gjithë ata që mendojne se betimi i Ilir Metës me doren mbi Kushtetute ka qenë një proces formal apo ceremonial.

Nuk ka institucion më të rëndësishëm në republiken e Shqiperise se sa Kushtetuta e Rebublikes se Shqiperise e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm e pacënueshëm në integritetin e vet, qe është Gjykata Kushtetuese.

Përpjekjet për të dhunaur Kushtetuten në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e GJK janë të dështuara, jane të vdekura.

Askush të mos guxojë të përdhosë GJK, është institucioni më i rëndësishëm.

Parlamenti me një dekret shpërndahet, qeveria me një mocion rrezohet, presidenti përsëri shkarkohet por jo GJK.

Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale duhet ti bëj të qartë se në fund fare kjo është kuhtetutë që mbron popullin dhe do jetë detyra e presidentit që ti tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.

PYETJE: Po paralajmëroni për shpërndarjen e parlamentit?

Presidenti: Jam i qartë, secili të shikojë detyren e vet detyra do jetë e presidentit
dhe në momentin e duhur presidenti do i drejtohet popullit dhe gjithe botës per të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrë barbare sidomos në këto dy vite që u la pa GJK vendi.

Zëri i Amerikës: Prokurori i Përgjithshëm, Çela i pari në listë

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi renditjen përfundimtare të kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm, ku në krye të listës që do i propozohet parlamentit është renditur prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela.

Ai është në garë me drejtuesen aktuale të Prokurorisë Arta Marku, e cila u rendit e dyta dhe Prokuroren e Apelit në Tiranë Fatjona Memçaj, e treta në listë. Vendimi i Këshillit erdhi pasi dje dëgjoi platformat që të tre kandidatët shpalosën për detyrën që synojnë të marrin, dhe ku zoti Çela ra në sy për prezantimin e një platforme tejet të detajuar, e cila përmbante nga plani veprimit, te objektivat e synuar dhe mekanizmat për realizimin e këtyre objektivave.

Pavarësisht renditjes, parlamenti i cili duhet të thotë fjalen e fundit, mund të zgjedhë një nga tre kandidatët. Por zoti Çela është i favorizuar, pasi ai kalon automatikisht nëse nuk arrihet kuota e 84 votave të nevojshme. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se besonte që “në frymën e Reformës e cila i mëshon fort meritokracisë, depolitizimit në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve të organeve të sistemit të Drejtësisë, edhe parlamenti shpresoj se do të marrë parasysh pozicionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe do të votojë atë që ne e renditëm të parin”.

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të diplomatit shqiptar Shaban Murati (fotot)

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të autorit Shaban Murati, shkruar nga Dr. Admir Lisica, studjues i njohur në „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“ të Sarajevës, që po ua sjell të përkthyer në gjuhën shqipe nga diplomati dhe përkthyesi i mirënjohur Xhelal Fejza.


Boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më mirë.
Dr.Admir Lisica
Libri „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ i autorit Shaban Murati, diplomat shqiptar me eksperiencë pesëdhjetëvjeçare, ka lindur gjatë pesëmbëdhjetë viteve, nëpërmjet artikujve të Muratit, të cilat i ka publikuar vazhdimisht në mediat shqiptare dhe rajonale. Bëhet fjalë për pikëpamje të autorit në lidhje me problemet shoqërore-politike në rajon, me theks të veçantë në pozitën e Bosnjë-Hercegovinës dhe të popullit boshnjak. Mbi bazën e eksperiencës shumëdekadëshe diplomatike, që e ka fituar në Suedi, Finlandë, Islandë dhe Maqedoninë Veriore, autori analizon raportin e Europës ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila në pesëmbëdhjetë vitet e kaluara ka qenë shpesh temë e zyrtarëve të lartë europianë. Murati në këtë libër e vë theksin në mënyrë të veçantë në padrejtësinë, që i është bërë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe popullit të saj më të madh në numër, nëpërmjet krijimit të Republikës Srpska, e cila lindi si pasojë e genocidit, gjë të cilën autori në artikujt e tij e nënvizon. Një nga temat thelbësore të këtij libri ka të bëjë edhe me raportin mes dy popujve miq, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët në të shkuarën, për fat të keq nuk e kanë ndihmuar njëri tjetrin
„Dy popujt tanë, boshnjakët dhe shqiptarët, kanë shumë gjëra të përbashkëta, që i lidh nga e kaluara, dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë më mirë. Sarajeva dhe Tirana janë shumë të ngjashëm për nga njerëzit që jetojnë në to, xhamitë e tyre janë të ngjashme, e përbashkët është e kaluara e tyre osmane dhe shumë gjëra të tjera. Ky është një libër për mirëkuptimin e çështjes së Bosnjë-Hercegovinës nga një shqiptar. Gjatë pesëmbëshjetë viteve të kaluara, nga 2003 deri në 2018, në mënyrë të vazhdueshme kam publikuar analiza politike me theks çështjen boshnjake. Librin tim e publikoi qendra kërkimore „Alsar“ nga Tirana dhe më bëhet qejfi për këtë, sepse vetë fakti i përkthimit në gjuhën boshnjake dhe shqiptare flet për atë se kemi një dëshirë të dyanshme për afrimin e dy popujve tanë“, tha Murati në promovimin e librit të tij në Sarajevë.
Duke lexuar artikujt e Muratit mund të konkludohet se autori e njeh jashtëzakonisht mirë situatën politike në rajon, në mënyrë të veçantë në Bosnjë-Hercegovinë, gjë për të cilën disa herë kritikon pushtetin në Shqipëri, i cili në disa raste nuk ka treguar mirëkuptim për Bosnjë-Hercegovinën dhe popullin boshnjak. Një prej artikujve të tij mban titullin „Linçimi serb i Izetbegoviçit dhe heshtja shqiptare“. Në këtë tekst Murati problematizon heshtjen e pushtetit dhe të mediave në Shqipëri, të cilat nuk u rreshtuan menjëherë përkrah antarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili në një intervistë për „Dojçe Vele-n“ shprehu bindjen se Bosnjë-Hercegovina një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Murati nënvizon se ky qëndrim i antarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës flet shumë, dhe se nëpërmjet tij mund të shihet përse zyrtarët e Kosovës duhet të kenë një qëndrim më miqësor ndaj boshnjakëve dhe shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Murati thekson se në kohën e kaluar shqiptarët dhe boshnjakët kanë qenë deri diku të distancuar me njëri-tjetrin.
„Kam shkruar për Bosnjën dhe boshnjakët në mënyrë të vazhdueshme, duke u përpjekur që opinionit publik shqiptar t’i dëshmoj se çfarë po ngjet në skenën politike të atjeshme. Kam folur për të ashtuquajturën pjesë separatiste të Bosnjë-Hercegovinë, që quhet Republika Srpska. Ajo që më duhet të nënvizoj është se unë jam ndoshta i vetmi, që është marrë në mënyrë të detajuar me këtë çështje, se ky është libri i parë që merret me çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe boshnjake, me theks të veçantë: të ashtuquajturën entitet Republika Srpska, Sanxhakun, Kosovën dhe natyrisht Bosnjë-Hercegovinën. Dhe për këtë nënvizoj se ka shumë rëndësi që është publikuar ky libër“.
Një prej promotorëve, Anes Xhunuzoviç, nënvizoi se në librin „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ autori ka theksuar se çdo shpërthim konflikti ndëretnik në Bosnjë-Hercegovinë do të kishte pasoja direkte edhe në shtetet fqinjë, por edhe në mbarë rajonin. Ka vlerësuar se për këtë, procesi i konsolidimit dhe forcimit të funksionimit të shtetit, duhet të ketë mbështetje të të gjithë shteteve në Ballkan.
POZICIONIMI PËR TË VËRTETËN NË BOSNJË-HERCEGOVINË
Interesant ishte edhe fjala e një promotori tjetër, Edhem Biçakçiçit, i cili nënvizoi mirënjohjen për organizatorin, „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“, e cila është përpjekur të realizojë promovimin e kësaj vepre, e cila është publikuar në gjuhën shqipe dhe boshnjake. Biçakçiçi shfrytëzoi rastin që të falenderojë autorin e librit Shaban Muratin për pozicionimin e tij direkt në lidhje me të vërtetën në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është e dukshme në faqet e këtij libri.
„Vepra analizon marrëdhëniet në rajon nga perspektiva e një diplomati, i cili mbi bazën e eksperiencës së pasur, i flet opinionit publik në vendin e tij mbi ngjarjet në vendin mik Bosnjë-Hercegovinë. Boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët në shtetin e përbashkët osman kanë garuar se kush e kush do t’i japë më shumë ministra cilësorë të oborrit (të Sulltanit. Shën. im), pashallarë, artistë, mësues, gjë që flet për ngjashmërinë mes nesh. Ne jemi dy popuj miq, që i lidh historia dhe përkatësia fetare e përbashkët. Ajo që është interesante sot, Bosnjë-Hercegovina është një vend me më shumë se 50% popullsi muslimane, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje shkon deri në 70%. Autori, në 30 tekste, analizon tema jashtëzakonisht thelbësore edhe për këtë unë e falenderoj. Ajo që konsideroj urgjente është se në në të ardhmen duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për lidhjet mes të rinjve, të cilët në të ardhmen do të forcojnë lidhjet mes vendeve tona. Kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës shumica e qytetarëve tanë dëshiron njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por procedura e marrjes së vendimit në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës kërkon konsensusin. Kjo për momentin është e parealizueshme, por besoj se së shpejti do të krijohen kushtet. Megjithatë, mendoj se mund të përparojmë marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës në kuptimin e njohjes së dokumenteve, siguracioneve, gjë e cila do të na siguronte lidhje më të mira mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ne e konsiderojmë Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që janë Austria dhe Gjermania, janë Kosova dhe Shqipëria“, nënvizoi Biçakçiçi.
Konkluzioni i përbashkët i promotorëve, botuesve dhe organizatorëve të promovimit për veprën „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ : E përbashkët është se boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më intensivisht, sepse mes dy popujve nuk ka asnjë çështje të hapur, e cila mund të ishte pengesë në këtë rrugë.

Peter Beyer emërohet raportues i Këshillit të Evropës për Kosovën

Të enjten Komiteti për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, emëroi zotin Peter Beyer, nga Gjermania, si raportues për Kosovën.

Emërimi i tij u bë mes debatesh që kishte nxitur në Kosovë kandidatura e të dërguarit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksei Kondratev, për këtë post.

Autoritetet në Kosovë kishin paralajmëruar se do të refuzonin çdo bashkëpunim me të nëse do të zgjidhej, ndërsa mbi 40 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i bënë thirrje Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike që të mo e bëjnë një gjë të tillë. Reagimet kundër kandidatit rus iu referuan njoftimeve të pakonfirmuara të medieve lokale se ai ishte përfshirë në një incident në Kosovë në vitin 2001, kur shërbente si pjesë e kontingjentit rus në kuadër të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizata kryesore evropiane që për të drejtat e njeriut në kontinent dhe përbëhet nga 47 vende anëtare.

Raportuesi i ri për Kosovën, Peter Beyer është deputet i parlamentit gjerman nga radhët e demokristianëve të kancelares Angela Merkel.

Ai njihet për qëndrimet e tij kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe ka bërë thirrje më herët gjatë këtij viti që Bashkimi Evropian të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, pak pasi që Shtetet e Bashkuara emëruan zotin Matthew Palmer si përfaqësues të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Emërimi i tij u mirëprit në Kosovë. Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, uroi që “ky vendim të jetë një rifillim i mbarë i angazhimit evropian në Kosovë, me qëllim të avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e cilësoi lajm “fantastik” emërimin e zotit Beyer.

“Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik dhe mbështetës i madh i Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Kosova e ka dëshmuar dhe do ta dëshmojë se është bartëse e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”, shkroi ai.

Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës por ka statusin e vëzhguesit ne Asamblenë parlamentare të tij.