VOAL

VOAL

(Video) Deklarata antishqiptare e Felajt tek Open e nxori pa gjethe fiku sulltanin e saj

June 2, 2022
blank

Komentet

blank

( Video) Dëshërim për mëmëdhenë – Rikthimi dinamik i këngëtarit lirik Gjergj Sulioti dhe dedikimi i tij emocionues për artistët e brezit të tij

Dedikimi nga Gjergj Sulioti

Kohët e fundit u shkruan shumë dhe u thanë edhe më shumë për kontributin vetëmohues të artistëve të nënës Shqipëri që i përkasin brezit tim.

Po! Të atij brezi të humbur artistësh të cilët i dhanë shpirtin këtij vendi në kohë të vështira dhe të egra.

Artistë që në thelb nuk morën asgjë përveç dashurisë së botës dhe duartrokitjeve të ngrohta të një populli të vuajtur e të frikësuar.

Një sërë kolegësh artistësh në çdo fushë, që patën frikë, që qanë në heshtje, atëherë kur edhe e qara ishte krim, që udhëtuan fshehurazi vetëm me imagjinatë, që vuajtën në kushte të pafavorshme, që udhëtuan gjithë vendin nga veriu në jug dhe nga fabrika në kantier, që pritën me durim në radhën e qumështit dhe të vaj gurit, që qëndruan për vite të tëra në për konvikte, që punonin në mëngjes në ndërtim duke ngarkuar thasë me çimento dhe në mbrëmje jepnin shfaqje, që u ndëshkuan, që u burgosën, që u vranë, që u harruar, që jetonuan të mbyllur në apartamente “kuti shkrepse” me një dhomë dhe një kuzhinë dhe që nuk arritën të përmbushin ëndrrat e tyre. Artistë që u përdoren si materiale për të ngritur një moral të thyer të një populli të dënuar dhe që u harruan sikur të mos ekzistonin.

Artistë që në kushte të ngjashme jetese nuk ekzistonin në asnjë cep tjetër të qytetëruar të botës dhe që asnjë regjim nuk u dha drejtësi.

Për të gjithë ata dhe për të gjithë ju që më keni dashur dhe mbështetur për pesëdhjetë e pesë vjet të tëra, që më duartrokitët dhe nuk më tradhëtuat kurrë. Kështu që unë përkulem me zërin tim është e vetmja gjë që di të bëj mirë dhe që do ta bëj derisa të mos marr frymë.

Jeni pjesa më e bukur e jetës sime dhe audienca më e mahnitshme që mund të ketë një artist. Dhe nëse do të lindja sërish miq, do të ndiqja pikërisht të njëjtën rrugë. Jo për kotësinë dhe sindromin e medhështisë së artistit, por sepse askush nuk mund t’ju shkëmbeje me asgjë në këtë botë.

Falenderime të përzemërta për orkestruesin tim Adrian Jorgji i cili gjithmonë më mbështet pa u lodhur me vetëmohim, duke qenë gjithmonë i pranishëm në rrugëtimin tim artistik vitet e fundit. Ai mbeti një mik i denjë në kohët e vështira.

Falenderime për studentin dhe adashin tim, Gjergji Mani nga Opera e Rumanisë, që nuk më harron kurrë dhe që sigurisht më nxorri fytyrëbardhë me arritjet e tij, nipit tim Αleks që insiston gjithmonë duke “vajosur” motorët e mi me durim dhe që do me shpirt muzikën shqiptare, të gjithë teknikët që ndihmuan në xhirimin e klipit, Benin dhe Devisin.

Dhe mbi të gjitha pushtetarët institucionalë që për shtatëmbëdhjetë vjet me radhe nuk e kanë kujtuar emrin tim.

Ι juaji Gjergji

blank

Intervista e plotë- Kraja: SPAK i vendosur të vërë para përgjegjësisë të korruptuarit, përfshirë zyrtarë të lartë

VOA/Menada Zaimi

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-ut Arben Kraja thotë se ky institucion është i vendosur për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që përfshihen në korrupsion, përfshirë zyrtarë të lartë. Zoti Kraja, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, atij të Drejtësisë, Byrosë Federale të Hetimit, Agjencisë amerikane të Luftës Kundër Drogave, si dhe institucione të tjera amerikane të zbatimit të ligjit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se SPAK-u do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni si dhe për të luftuar korrupsionin. Në intervistën me gazetaren e Zërit të Amerikës Menada Zaimi zoti Kraja, tha se pavarësisht nga deklaratat e politikanëve nga të gjitha palët, SPAK-u do të vazhdojë të veprojë, jo mbi bazën e një liste të caktuar apo një radhe të caktuar, por mbi bazën e provave.

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, çfarë të rejash do të sjellë ky forcim i bashkëpunimit, çfarë ka konkrete në këtë drejtim?

Arben Kraja: Ne jemi këtu që nga dita e hënë, siç e thatë edhe ju me të drejtë, një përfaqësi e përbërë nga unë si drejtues, Drejtorja e Byrosë Kombëtare të Hetimeve dhe një prokuror i Prokurorisë së Posaçme. Kemi zhvilluar takime me institucione të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Drejtësisë, në FBI, në DEA (Agjencia amerikane e Luftës Kundër Drogave) apo struktura të tjera të zbatimit të ligjit. Qëllimi i vizitës ishte që, e para të prezantojmë punën e SPAK-ut, deri tani. Pra, çfarë kemi bërë e ku kemi arritur dhe e dyta të vendosim pikat e bashkëpunimit për të ardhmen, në kuptimin e strategjisë e si të zhvillohet ky institucion. Në të gjithë takimet dhe pothuajse me të gjithë bashkëbiseduesit arritëm në një përfundim të përbashkët, që ky projekt i filluar që është një projekt i guximshëm duhet vazhduar e duhet çuar deri në fund. Është një projekt i filluar nga shteti shqiptar në bashkëpunim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për krijimin e SPAK-ut e kam fjalën, dhe në këto kushte duhet të vazhdojë mbështetja për ta konsoliduar edhe më shumë edhe për të vazhduar punën si strukturë për të dhënë rezultatet e pritshme, për të cilën edhe është ngritur.

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, gjatë periudhës që ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara, një grup senatorësh amerikanë, nga të dyja krahët, paraqitën një projektligj që synon të luftojë korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet hartimit të një legjislacioni të posaçëm mbi sanksionet që Uashingtoni ka vendosur ndaj atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në këtë rajon. Në Shqipëri, ndaj një sërë figurash politike, ku më i larti është ish-Kryeministri Sali Berisha, janë vendosur sanksione për korrupsion domëthënës nga Shtetet e Bashkuara. Duket sikur në këtë aspekt perëndimi po bën më shumë se sa autoritetet shqiptare. Cila është përgjegjësia, në këtë rast, e SPAK-ut? Çfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?

Arben Kraja: Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është një problem shumë shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmërisë, mungesa e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që kanë qenë të përfshirë në elemente korrupsioni dhe si rezultat i këtij shqetësimi është bërë një reformë – është krijuar një strukturë e re, ka ndryshuar shumë ligje dhe kemi dy vite e gjysmë që punojmë, kryesisht për ngritjen e konsolidimin e strukturës dhe për arritjen e rezultateve konkrete. Pa diskutim që ne bashkëpunojmë me të gjitha strukturat të homologëve, qoftë edhe jashtë vendit për të luftuar këtë fenomen (korrupsionin). Ne kishim një takim me Kordinatorin Global kundër Korrupsionit i emëruar kohët e fundit nga Sekretari Blinken në Shtetet e Bashkuara. Shkëmbyem mendime në lidhje me nevojën për të rritur edhe më shumë luftën kundër korrupsionit. Pjesa e SPAK-ut pastaj pa diskutim është çështja e hetimeve të çështjeve penale. Çështje penale SPAK-u ka shumë nën hetim, prej atyre të bëra publike dhe që nuk janë bërë publike, sepse kështu është hetimi. Ne jemi të vendosur që për të gjitha rastet që kemi çështje penale nën hetim apo raste që përfshijnë zyrtarë të lartë, kushdo që të jenë ato, t’i shkojmë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.

Zëri i Amerikës: Cila është sfida më e madhe që keni ju në këtë aspekt për të hetuar çështjet?

Arben Kraja: Sfida më e madhe deri tani ka qenë mungesa e plotë e strukturës. Vetëm muajin e kaluar u formua Byroja Kombëtare e Hetimit me numrin e nevojshëm të hetuesve dhe mbingarkesa e madhe me çështje penale të cilat i kishin prokurorët e SPAK-ut. Megjithatë gradualisht ne kemi tejkaluar këtë dhe hap pas hapi kemi filluar dhe kemi dhënë rezultate konkrete. Ato tashmë janë bërë publike, ushtrimi i qoftë dënimeve penale apo edhe ushtrimi i ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion, pastrim parash apo keqpërdorim me detyrën.

Zëri i Amerikës: Zoti Kraja, të ndalemi në disa prej çështjeve më të debatuara në Shqipëri të cilat ju po i hetoni. Çështjen e incineratorëve për shembull. Ju keni vënë nën sekuestrim dy impiantet, në Elbasan dhe në Fier, janë paraqitur prova të shumta dhe janë publikuar gjithaq për impiantin e Tiranës. Ku janë hetimet lidhur me këtë çështje, çfarë duhet të bëjë më shumë SPAK-u në këtë drejtim?

Arben Kraja: Çështja e incineratorëve është një çështje shumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare të cilat kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Po kështu është edhe një volum i madh pune për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Ne kemi 3 hetime, pra 3 çështje penale për secilin nga incineratorët, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parat, pra Elbasanin dhe Fierin ne kemi arritur disa përfundime, pra i kemi bërë njoftimet që tanimë i dini sepse janë bërë publike. Kemi ngritur në përgjegjësi penale disa persona, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por hetimet vazhdojnë dhe për incineratorin e Tiranës do ta vazhdojmë deri në fund për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në qoftë se ka përgjegjësi penale, kush ka dhe do të përgjigjet, kushdo që të ketë shkelur ligjin.

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni ju faktin që pronarët e kompanive që administronin impiantet e trajtimit të mbetjeve arritën që të largoheshin përpara se të dilnin urdhër- arrestet?

Arben Kraja: Kjo është çështje e hetimit, që duhet sqaruar, por problemi është se janë qytetarë të lirë deri sa del një masë sigurie nga gjykata. Deri atëherë njerëzit lëvizin lirshëm. Mund të jenë edhe jashtë vendit, mund të jenë edhe diku tjetër. Nganjëherë kur kërkohen, nuk arrihen të kapen, sepse fshihen. Është pjesë e hetimit kjo. Por e rëndësishme është që kjo nuk pengon që ne të vazhdojmë hetimet. Në Shqipëri ndjekja penale ushtrohet edhe në mungesë të personit, dhe ka edhe vendim gjyqësor përfundimtar në mungesë të tij, kushdo që të jetë ai.

Zëri i Amerikës: Prej një kohe të gjatë ju keni nisur hetimet për disa nga koncesionet në shëndetësi; sterilizim, Check-Up, apo laboratorët. Po me këto dosje çfarë po ndodh?

Arben Kraja: Po punohet intensivisht me të gjitha këto dosje për të mbledhur provat e nevojshme, sidomos tani që është plotësuar numri i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po sqarohet se çfarë ka ndodhur dhe po hetohet nëse ka përgjegjësi njeri apo jo. Nëse po, përgjegjësi do të përgjigjet para ligjit, kushdo që të jetë,

Zëri i Amerikës: Nga opozita ka kritika ndaj SPAK-ut, se nuk po veprohet ndaj politikanëve të lartë. Nga ana tjetër, kryeministri ka deklaruar se ju po godisni vetëm majtas. A e vë kjo institucionin që ju drejtoni, në një lloj trysnie politike?

Arben Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligj gjithmonë. Opinioni publik ka të drejtën e tij të shprehet. Partitë politike po ashtu. Secili shprehet sipas interesit të tij. Ne nuk veprojmë mbi bazën e një liste të caktuar apo një radhe të caktuar. Ne veprojmë mbi bazën e provave, që administrohen nga hetimi, për ato dosje penale që ne i kemi. Kur arrihet të provohet fajësia e dikujt, marrim masa për t’i dërguar për gjykim. Kjo është puna jonë. Ajo që ne kemi rënë dakord si grup prokurorësh, përfshirë edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të hetimit, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve, që shprehen qoftë nga partitë politike, apo nga media të ndryshme, në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë apo çfarë nuk duhet të bëjë SPAK-u. Secili prej prokurorëve ka dosjet e përpara. Është i pavarur të vendosë për to. Është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore, dhe është e rëndësishme, që të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi një çështje, që ka ngjallur disi kritika në opinion në Shqipëri: rasti i goditjes së disa grupeve kriminale të rëndësishme. Sërish krerët e këtyre grupeve nuk u kapën. A nuk ishte dalja në media e deponimeve të Nuredin Dumanit një paralajmërim për ta, që të largoheshin nga vendi? Ku e gjen veten SPAK-u në gjithë këtë gjë?

Arben Kraja: Natyrisht, nuk është e mirë për hetimin, që të dalin në media deklarimet e personave, të cilët janë pyetur, kushdo që të jenë ata. Por proceset në Shqipëri kanë disa detyrime ligjore, që kur merret një masë sigurimi, aktet u vihen në dispozicion të gjithë të pandehurve, avokatëve të tyre. Ato akte kalojnë në shumë duar, dhe nganjëherë është e vështirë të kuptosh se nga rrjedh informacioni. E përsëris që pavarësisht asaj që ndodhi, apo që ka ndodhur edhe në raste të tjera, se ky nuk është rasti i vetëm, ne e kemi vazhduar ndjekjen penale. Po punojmë intensivisht për të provuar edhe më shumë veprimtarinë kriminale të atyre grupeve, që janë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Nuk përbën problem, për momentin, që dikush prej tyre nuk është kapur. Po vazhdojmë pa kufizim hetimin ndaj tyre.

Zëri i Amerikës: Sa të fuqishme janë grupet kriminale në Shqipëri? Kemi parë kapjen e sasive të mëdha të drogës në portin e Durrësit. Sa të fuqishme janë ato realisht?

Arben Kraja: Kohët e fundit ne po vërejmë përfshirjen e shtetasve shqiptarë në veprimtari kriminale jashtë vendit, sidomos në trafikun e drogave, duke u aktivizuar që në vendet e burimit, në vendet e Amerikës së jugut, me garantimin e transportit përmes anijeve, apo rrugë të ndryshme detare drejt Evropës perëndimore. Kjo është dukuri shqetësuese, jo vetëm sepse dëmton jetën e njerëzve, që i përdorin këto droga në shtetet ku shkon droga, por edhe për Shqipërinë ka pasoja. Një pjesë e mirë e parave rrjedhin nga ky aktivitet kriminal vijnë dhe investohen në Shqipëri. Në Shqipëri ndodhin shumë vrasje apo grabitje të dhunshme, ngjarje të dhunshme që lidhen me aktivitetin jashtë vendit të këtyre grupeve kriminale. Ne si shtet jemi të përfshirë në pasojat që sjell ky aktivitet. Për këtë arsye jemi të vendosur dhe kemi punuar shumë fort për të vendosur kontakte me gjithë autoritetet e huaja që ne bashkëpunojmë në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe takimet këtu në Shtetet e Bashkuara, me një pjesë të strukturave të zbatimit të ligjit, ishin në këtë drejtim: që të vendosim kontakte, të shkëmbejme informacion dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta luftuar këtë dukuri.

blank

FOTO-VIDEO Tensione, revolta dhe thirrje për dorëheqje! Çfarë ndodhi në protestën e djeshme për vrasjen e 7-vjeçares

Ashtu siç edhe u paralajmërua qytetarët zhvilluan të enjten para Ministrisë së Brendshme, protestë duke kërkuar drejtësi për 7-vjeçaren Jonada Avdia që u vra tragjikisht në plazhin e Potamit.

Protesta zgjati për me shumë se një orë. Tronditja e opinionit publik për këtë ngjarje ishte e madhe. Revolta e momente tensioni shpërthyen mbrëmjen e djeshme para Ministrisë së Brendshme, ku qytetarë të shumë bënin thirrje të forta për dorëheqje.

Ndërkohë protesta e thirrur nga Shoqëria Civile nën moton: “Nuk e vrau varka, por shteti”.

Fillimisht qytetarët i janë drejtuar bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar para Kryeministrisë.

Nga ana e tyre nuk kishte për të hyrë brenda ambienteve, por vetëm kanë ndezur qirinj. Më pas qytetarët iu drejtuan edhe Presidencës dhe nga aty u dëgjuam ultimatum drejtuar kryeministrit Edi Rama se nëse deri të hënën nuk shkarkon dy ministrat sipas tyre përgjegjës, protesta nuk do ndalen.

Gjithashtu qytetarë të shumtë u shprehën kundër qeverisë në protestën e sotme dhe kryeministrit Edi Rama duke kërkuar largimin e tij. Sipas tyre, ministrat nuk kanë ndjenja teksa shprehen se ndihen të pasigurt kudo që shkojnë.

1 minutë heshtje për 7-vjeçaren e vrarë

Qytetarët ulen në shesh dhe mbajnë një minutë heshtje në nder të vogëlushes që humbi jetën në tragjedinë e Himarës, Jonada Avdiu. Qytetarët kanë hedhur thirrje kundër qeverisë dhe ministrave duke i quajtur vrasës. “Kriminelë me kollare Çuçi Kumbaro”, “Jepni dorëheqjen”, ishin disa nga thirrjet e tyre. bw

 

blank

“Edi Rama kriminel”- Vdekja tragjike e Jonadës, protestuesit thirrje në kor para Kryeministrisë: Pa drejtësi, nuk ka qetësi! (VIDEO)

Vijoi protesta e qytetarëve për ngjarjen e tmerrshme të ndodhur dy ditë më parë në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeccare Jonada Avdia humbi jetën, pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga një oficer policie.

Qytetarët kanë janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë për të ndezur qirinj, ndërsa nuk ndalonin thirrjet “shporru”, ndërsa kanë thirrur në kor: “Pa drejtësi, nuk ka qetësi!”.

Gjithashtu nga protestuesit u dëgjua thirrja: “Edi Rama, kriminel, kriminel”.bw

blank

VIDEO- Intervistë e Presidentes Osmani në BBC: Putini do të dështojë në Ukrainë dhe në përpjekjet për destabilizim të Ballkanit përmes Serbisëë Intervista e mbrëmshme e Presidentes Osmani për BBC Newsnight (e titruar shqip)

Intervista e mbrëmshme për BBC Newsnight.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për BBC Newsnight, ka folur për situatën e fundit në veri. Ajo ka thënë se e gjithë kjo situatë ka ardhur si rezultat i përgatitjeve nga Serbia e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia.

“Ka pasur përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti të Kosovës. Vuçiç në muajt e fundit i ka dhënë mbështetje strukturave ilegale në veri të Kosovës, të cilat përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar ata janë duke e mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë, peng të këtyre politikave të gabuara”, ka thënë Osmani.

Osmani ka theksuar se Kosova nuk ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë asnjëherë në përshkallëzim apo dhunë.
“Por ne duhet të kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Nuk janë akuzat tona ato që përshkallëzojnë situatën, janë veprimet e tyre që përshkallëzojnë situatën dhe po krijojnë tensione. Nëse e themi të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, kjo nuk do të ndikojë negativisht”, tha presidentja.

Duke folur për çështjen e dialogut, Osmani tha se “Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, për dallim nga Serbia që ka bërë të kundërtën”.

Presidentja e Kosovës shtoi më tej se Serbia po bënë marrëveshje armësh dhe gazi me Rusinë, në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës po vendos sanksione ndaj Rusisë.
“Të dyja këto janë të interesuara për të rikthyer tensionet në rajonin tonë, ne nuk do ta lejojmë këtë, nuk do të biem pre e këtyre provokimeve, nuk do të nxisim këto provokime, dhe do të punojmë me partnerët tonë që kjo të mos ndodh”, tha Osmani.

E pyetur nga gazetarja e BBC se cili është mesazhi i saj për presidentin rus, Vladimir Putin, Osmani u përgjigj “Ai do të dështojë në Ukrainë dhe do të dështoj absolutisht në qëllimet e tij kur bëhet fjalë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes satelitit të tij, Serbisë”.

blank

Berisha nxjerr VIDEO-n e Ramës: Dikur kishte urrejtje për vendin e madh të lirisë dhe flamurin amerikan

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka vijuar të publikojë foto dhe video nga historia e vërtetë e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane në 31 vitet e fundit, ku postimin e fundit ia ka dedikuar Edi Ramës gjatë periudhës që ka qënë kryetar i Bashkisë Tiranë.

Në postimin e tij në Facebook, Berisha thekson se ‘jo të gjithë shqiptarët këto 32 vite ishin për marrëdhënie miqësore shqiptaro amerikane’.

Berisha ka publikuar videon kur Edi Rama, që sot i përdor këto marrëdhënie për të mbuluar rivendosjen e monizmit të plotë, vjedhjet e tmerrshme të pasurve dhe fondeve publike, dikur kishte alergji dhe urrejtje për vendin e madh të lirisë dhe flamurin amerikan.

Postimi i plotë i Sali Berishës:

Historia e vërtet e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane në 31 vitet e fundit në foto dhe video!

Miq, për shkak të fallsifikimit banal dhe censurimit si në kohërat e vjetra, të historisë se marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nga Edi Rama, neobllokmenët e tij dhe mafia e George Sorosit, vendosa te flas dhe të paraqes për ju çdo ditë në foto dhe video të gjitha momentet më thelbësore të këtyre marrëdhënieve në 100 vjetorin e tyre.

Jo të gjithë shqiptarët këto 32 vite ishin për marrëdhënie miqësore shqiptaro amerikane.

Në video keni Edi Ramen që sot i përdor këto marrëdhënie për të mbuluar rivendosjen e monizmit të plotë, vjedhjet e tmerrshme të pasurve dhe fondeve publike që dikur kishte alergji dhe urrejtje për vendin e madh të lirisë dhe flamurin amerikan. sb

blank

Video-mesazhi i Presidentit Begaj drejtuar shqiptarëve për partneritetin me BE dhe SHBA

Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj, i është drejtuar mbrëmjen e 28 korrikut me një mesazh të parë me video,  të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, me rastin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE dhe 100-vjetorin e miqësisë me SHBA-në.

Presidenti e ka publikuar sot në Fb me shënimin: “Mesazhi im për bashkëkombasit shqiptarë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe 100- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Të dashur qytetarë,

E sotmja është një mbrëmje feste, pasi ri konfirmojmë rrugën e pakthyeshme evropiane dhe partneritetin me aleatin tonë prej një shekulli.

Jam i vetëdijshëm se 10 ditë më parë, me vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në rrugën që kemi zgjedhur, në rrugën e bashkimit në një federatë popujsh e kombesh që u krijua si bashkim vullnetesh – e vetmja në histori deri më sot – do të ketë ndryshime jo vetëm në rrafshin politik e shtetëror, por edhe në koncepte të tilla themelore si pavarësia e identiteti.

Duke promovuar identitetin tonë kombëtar, faktorin më të rëndësishëm historik e kulturor, që nuk njeh kufij dhe nuk ka pengesë për t’u lartësuar, shqiptarët do të jenë qytetarë dhënës në qytetërimin europian.

Jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë, dhe më shumë akoma, jam i vetëdijshëm për vështirësitë që do të na duhet të përballojmë.

Por, nëse punojmë të gjithë duke pasur në mendje dhe në zemër Shqipërinë, interesin kombëtar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e të brezave të tjerë që do të vijnë, jam i bindur, se jo vetëm vështirësitë do t’i përballojmë, por atdheu ynë do të përparojë e zhvillohet.

28 korriku është një datë shumë e rëndësishme edhe për popullin shqiptar dhe atë amerikan, si dy popuj që i bashkojnë vlerat, parimet.

Në 100 vite, SHBA kanë qenë aty për ne, duke mbështetur cdo hap të Shqipërisë drejt transformimit demokratik dhe drejt rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nën modelin e demokracisë amerikane dhe unitetin e familjes evropiane, Shqipëria ka nevojë për përkushtimin tonë, ka nevojë për ndershmërinë tonë, ka nevojë për punën dhe besimin e të gjithëve ne, ka nevojë për dashurinë tonë.

Është koha t’ia japim ato pa asnjë rezervë, pa u lodhur, por me devocion e përkushtim.

 

blank

Albin Kurti: Dialogu me Serbinë i rëndësishëm, por synimi duhet të jetë njohja reciproke

Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re, duke qenë se sfidat në botë janë duke u shtuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington, zoti Kurti vlerësoi marrëveshjen prej mbi 236 milionë dollarë për energjinë dhe tha se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ndërsa bisedimet me Serbinë kanë ngecur dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, kryeministri Kurti tha në intervistën me kolegen Keida Kostreci, se Kosova asnjëherë nuk e ka mohuar rëndësinë e bisedimeve por se ato duhet të jenë parimore dhe me synimin përfundimtar për njohje reciproke.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër në takimin me sekretarin Blinken dhe zyrtarët amerikanë në Washington u theksua marrëdhënia e fortë mes dy vendeve. Cilat janë mesazhet konkrete që merrni këtu dhe që po i përcillni me vete në vendin tuaj?

Albin Kurti: Kur isha para dy muajve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizita dy javore u dominua nga nevoja e investimeve shtesë amerikane në Kosovë por gjithashtu edhe për një siguri shtesë për Kosovën në kushtet kur përballemi me pasojat kontinentale dhe jo vetëm të invazionit të pajutifikueshëm dhe të paprovokueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë. Ndërkaq kësaj radhe erdhëm për ta bërë konkrete një bashkëpunim në fushën e energjisë përkatësisht nënshkrimin e programit Kompakt prej gjithsejt 236.7 milionë dollarëve që do të kontribuojë shumë për pavarësinë energjetike të Kosovës duke filluar me bateritë akumuluese e deri te trajnimet dhe shkathtësitë tjera profesionale dhe teknike në veçanti për gratë në Kosovë. Mirëpo ne me sekretarin Blinken nuk u ndalëm me kaq, diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale e shtetërore t’i thellojmë dhe avancojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar por gjithashtu edhe duke pasur se dy sektorë që Kosova e ka rritur buxhetin vjetor; bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku ne duam ta rrisim bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm, ishte i frytshëm dhe shumë i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona të cilat po hyjnë në një fazë të re për shkak se sfidat në botë janë duke u shtuar por njëkohësisht edhe investimi amerikan në Kosovë gjithashtu mund të vijë duke u shtuar.

Zëri i Amerikës: Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ndërkaq se zyrtarë amerikanë kanë thënë mes të tjerash se një normalizim i tillë do të pengonte synimet ruse për destabilizimin e rajonit. Në dritën e një situate të re gjeo-politike a ka ndryshuar qëndrimi juaj për përparësinë e këtyre bisedimeve?

Albin Kurti: Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e këtyre bisedimeve por kemi thënë që ato duhet të jenë bisedime parimore në të cilat Kosova është palë dhe jo temë siç ka qenë në të kaluarën. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe për qeverinë e Republikës së Kosovës, Kosova është vend i pavarur, sovran, demokratik dhe integritet të qartë territorial por në të njejtën kohë ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale, ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve dhe normalizimi bëhet me dialog i cili duhet ta ketë qëllimin e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar te njohja reciproke dhe këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit tuaj për të kufizuar përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe për masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serb që hyjnë në Kosovë. Ka shqetësime se vendosja e masave të tilla mund të nxisë tensione të reja mes dy palëve. Si ju përgjigjeni juve?

Albin Kurti: Para më shumë se një muaji ne kemi marrë dy vendime në qeverinë e Republikës së Kosovës, në njërën anë japim një afat dy mujor i cili fillon prej të hënës së një gushtit që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb të cilët kanë targa të automjeteve nga koha e (Slobodan) Millosheviçit si PR, KM, PE, UR, GL, DJ, PZ e kështu me radhë t’i shndërrojnë ato në targa legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës, me ç’rast ne kemi ofruar edhe lehtësime për ta bërë një shndërrim të tillë dhe gjithashtu nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hyjnë në Kosovë ne do t’i pajisim me një dokument të veçantë i cili tregon që ata do të mund të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës. Kjo është një masë që e marrim 11 vjet pasi që këtë tashmë e ka ndërmarrë Serbia ndërkaq sa i përket atyre targave të kohës së Millosheviçit, Serbia vetë e ka pranuar në Bruksel që ato duhet të marrin fund mirëpo duket që po i pengon zbatimi. Ne nuk jemi kundër qytetarëve serbë përkundrazi ne dëshirojmë që me ata të bashkëpunojmë për të mirën e përgjithshme dhe në zbatim të ligj e respektim kushtetutshmërisë. Pra këto janë masa për ligj dhe barazi dhe kundër askujt.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër një përpjekje e Bashkimit Evropian për një takim ndërmjet jush dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç më 19 korrik dështoi. Ju thatë se faji duhet të kërkohet në Beograd, ndërsa përmendët që përpjekjet nuk duhet të jenë të njëanshme dhe e kritikuat Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve. A mund të ishte bërë diçka nga pala juaj që ky takim të mos dështonte dhe më gjerë si mund të kontribuojë Kosova drejt një dialogu konstruktiv?

Albin Kurti: Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës të përgatitur mirë për çështje bilaterale dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet me datën 19 korrik, mirëpo nuk u mbajt për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi një mujore. Pra dikur thoshin se duhet të presin meqenëse nuk i kanë mbajtur zgjedhjet, e tash ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme, që kanë të bëjnë thjesht me faktin se përkundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin, nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës. Pra, nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj edhe nuk e konstituojnë kuvendin, nuk e formojnë qeverinë dhe kërkojnë që takimet e parapara në Bruksel me mua të spostohen në kohë. Me këtë rast unë do të theksoj që Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktivë dhe këtë Brukseli tashmë e ka regjistruar. Pra, në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase mund të mbahet në fund të gushtit.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë Beogradi thekson se ju nuk doni t’i zbatoni marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit, për të cilin ushtrohet trysni edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Si do t’i zgjidhni këto dy çështje?

Albin Kurti: Janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për ndonjë marrëveshje më të rëndësishme se një tjetër. Pra Beogradi dëshiron që marrëveshjet në të kaluarën t’i trajtoj si një tryezë suedeze ku mund të përzgjedhin ata sipas interesave të tyre shtetërore. Më duhet të them që nuk është në interesin as të serbëve të Kosovës një Asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia. Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen në stilin e një Republike Serbe në Bosnjë edhe në Kosovë për faktin që e kanë humbur Kosovën, ndërkohë që nuk është dashur ta kenë asnjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës praktikisht ka konstatuar që asnjëri prej shtatë kapitujve të asaj marrëveshje të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht më gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por përkundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse unë marrë shumë letra nga serbët në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk është për këtë Asociacion. Pra, është më tepër interes i Beogradit, sesa nevojë e serbëve. Ndërkaq, sa i përket çështjes së manastirit të Deçanit, ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pa dallim religjioni por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë. Por duhet theksuar se ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmen nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kakuara, përkatësisht nga Millosheviqi sepse bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për manastirin e Deçanit, ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt. Por, unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike, pa cënuar e diskriminuar askënd.

blank

Kremtimi i 100 viteve të marrëdhënies Shqipëri-SHBA, Presidenti Bajram Begaj: Mbështetja amerikane, e paçmuar për çështjen tonë kombëtare

Presidenti i vendit Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në eventin e organizuar për kremtimin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Shteteve të bashkuara dhe Shqipërisë, u shpreh se është një moment i historisë sonë që  lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.

Presidenti tha ndër të tjera se mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare.

“Kënaqësi e veçantë që sot,  kremtojmë 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Një moment i historisë sonë, lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Rol të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur Presidenti Uillson, i cili  ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare. Fan Noli bashkë me Konicën dhe Vatranët e tjerë, besonin fort në politikën amerikane të kohës dhe vunë gjithçka patën në shërbim të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.

Presidenti Uillson, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe mos copëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike.

blank

Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë”, u shpreh ai.

blank

VIDEO/ Presidenti Biden uron shqiptarët në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike

Presidenti Biden uron shqiptarët në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

blank

VIDEO/ Kush fshihet pas sulmit kibernetik të “e-Albania”?! Hakerat publikojnë dokumentet shtetërore: Kemi akses tek institucionet!

Pas sulmit kibernetik, që paralizoi gjithë shtetin shqiptar, në rrjet qarkullon një website me emrin “HomelandJustice.ru” “Drejtësi për Atdheun”.

Nuk dihet nëse ky grupim mund të ketë lidhje me hakerat, të cilët sulmuan me agresivitet serverat e platformës qeveritare e-Albania dhe institucioneve të tjera për ditë me radhe, por në të ka sulm ndaj AKSH-it, si dhe bëhen thirrje kundër disidenteve iranianë, të cilët janë strehuar në Manëz të Durrësit, dhe përbëhet nga një komunitet prej 3000 personash.

Website-i në fjalë ka në ballinë flamurin shqiptar dhe përsërit pyetjen që qarkulloi përmes sms-ve te qytetarët përpara disa ditëve: Përse duhet të harxhohen taksat tona për terroristët e Durrësit?

Website nuk mund të aksesohet nga brenda vendit me IP shqiptare, por jashtë saj. Televizioni News24 arriti të ketë akses.

Ndër hashtag-ët e përdorur bie ne sy sulmi kibernetik, Muxhahedinet pra MEK, ISIS, MKO- shkurtimi i organizatës se Muxhahedineve. Logoja e përdorur e hakerave përmban një shqiponjë që kap një yllin me gjashtë cepa, referencë e qartë kjo për yllin e Davidit simbolin e shtetit izraelit.

Websiti është ndarë në disa kategori, ku bie në sy publikimi i disa materialeve te rëndësishme te institucioneve shqiptare.

Dokumentet kanë të bëjnë me emërime punonjësish në administratë, shkresa nga AKSHI dhe Ministria e Infrastrukturës, kërkesë për të vizituar kompanine prodhuese turke të dronëve të famshëm “Bayraktar”, si dhe ka foto pasaportash të shtetasve të huaj, çertifikata vaksinimi etj.

Në këtë video, hakerat vërtetojnë se kanë akses të plotë tek adresat zyrtare, si tek skema e Pensioneve, projektet e Këshillit të Ministrave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, DPA, Avokati i Popullit, gjykatat, KQZ, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve te Transportit Rrugor, etj.

Para 5 ditësh, grup i quajtur “Drejtësia e Atdheut” postoi në rrjetin social “Twitter” një status kundër Agjencisë Kombëtare Shqiptare dhe Shoqërisë së Informacionit. Aty shkruhej se AKSHI do të goditet së shpejti me një atak në zemër, llogaria e tyre nuk është me aktive.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë konfirmuar në rruge zyrtare nëse ky grupim lidhet me hakerat, që sulmuan shërbimet online të shtetit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se sulmi kibernetik është organizuar nga një shtet dhe janë dy shtete, për të cilat dyshohet, por ai nuk dha te tjera detaje.

Nga ana tjetër, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i planifikuar për t’u mbajtur në datat 23 dhe 24 korrik në kampin “Ashraf 3”, në Manzë, u shty nga organizatorët për arsye sigurie, që lidhen kërcënime e komplote ndaj muxhahedinëve, deri në një njoftim të mëtejshëm. Edhe ambasada amerikanë pati ngritur alarmin se kishte sinjale të qarta për sulmet gjatë këtij samiti.

Në samitin e përvitshëm, ishin ftuar kongresmenë e senatorë amerikanë, ish-gjeneralë dhe këshilltarë të presidentëve amerikanë, si dhe mbi 9 ish-kryeministra dhe Presidentë nga Perëndimi.

(BalkanWeb)

blank

Meta: Kosova dhe Shqipëria të bashkërendohen kundër akuzave ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

VOA/Leonat Shehu

Mandatin e tij si president i Shqipërisë, Ilir Meta, e kishte nisur me një vizitë në Kosovë, të parën jashtë vendit. Mandatin po e përmbyll sërish më një vizitë në Kosovë.

Presidenti Meta i cili këtë fundjavë përmbyll mandatin, tha të premten se Kosova ka dëshmuar që është faktor i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa bëri thirje për një marrëveshje me njohje të ndërsjellë me Serbinë.

“Mezi presim të duartrokasim një marrëveshje që çon jo vetëm drejt normalizimit por edhe njohjes reciproke të Serbisë edhe të Kosovës është interes i gjithë rajonit tonë. Asnjë vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa zgjidhur çështje të tilla dhe ky është në interesin e të dyjave dhe është në interesin e të gjithë neve”, tha presidenti Meta.

Presidenti Meta tha se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme drejt demokracisë ndërsa kërkoi më shumë bashkërendim ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë posaçërisht për çështjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Hagë.

Të enjten në mbrëmje parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolute, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Evropës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet në Shqipëri thanë se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.

Presidenti Meta tha sot se çdo rezolutë apo akt kundër akuzave të Dick Martyt është e rëndësishme dhe pozitive.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinojnë çdo ditë me njëra tjetrën dhe jo vetëm me njëra tjetrën por edhe me fqinjët tjerë por sidomos Shqipëria dhe Kosova sepse nuk është thjesht çështja e një procesi kundër drejtuesve të UÇK-së, ai është një proces kundër shtetësisë së Kosovës, ai është një proces kundër pavarësisë së Kosovës, ai është një proces kundër forcimit të pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës dhe ne duhet të koordinojmë çdo ditë në mënyrë që shtetësia e Kosovës të forcohet akoma edhe më tej”, tha ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se parlamenti i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar kudo që jeton e ka thënë deri më sot.

“Unë besoj që ju konfirmimin tonë sa i përket pastërtisë së luftës çlirimtare, karakterit të luftës sonë çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdo ditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymëmarrje tonën”, tha ajo.

Raporti i ish të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili përmban akuza ndaj ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishte baza e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime të luftës në Hagë.

Gjykata që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015, ndërsa nisi procesin e parë gjyqësor në shtator të vitit 2021.

Aktualisht në pritje të proceseve gjyqësore ndodhen udhëheqësit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Send this to a friend