Humbja e thellë dhe e pashpresë e ri ngritjes së afërme, e ka demoralizuar dhe çoroditur opozitën, deri në përmasën “sa të humbë rrugën në oborr”! Fillimisht dhe në vazhdim, refuzojnë votimin e deputetes më të votuar, “prej si ka mbi lisi”, me tej 150 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, Albulenë Haxhiu, me “arsyetimin” se ka fyer kryeparlametarin Kadri Veseli, themelues i Organizatës ilegale kriminale SHIK, duke e quajtur kriminel. Kjo është “një e fshehtë publike” dhe nuk përbënë as fyerje dhe as shpifje, sepse veç sa reprizohet një e vërtetë, tashmë, e njohur.
Si “arsye” të dytë, opozita e akuzon Albulenën si “përçarëse”!? Duke qenë ministre e Drejtësisë, në koordinim me Qeverinë dhe ndërkombëtarët, ndonëse Sistemin e Drejtësisë e kishin rrënuar “komandantët” shtetarë e pushtetarë, për t`iu shmangur ndëshkimit ligjor, për krimet vrastare dhe hajnore, kërkohej një forcë ligjore Speciale, Vetting-u. Pas shumë kundërshtive, Kuvendi e aprovoi. Por, opozita u pendua dhe “nuk la gurë pa lëvizur”, madje deri në -Komisionin e Venecias- për ta penguar fillimin e zbatimit.
Ndërsa Byronë për Verifikimin e Pasurive pa mbulesë burimore financiare, opozita e ka bllokuar qysh në nismë, ngaqë zhvatja e shtetit nga shtetarët dhe pushtetarët, ka qenë makro-hajni zyrtare, përgjatë dy dekadave radhazi. Për rrjedhojë, zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë milionerët e sotëm!
Ekstremi opozitar PAN, palë me Serbinë, kundër pozitës!
Vërtet, qëllimi kryesor i opozitës së bashkuar, plus Lista Serbe, është bllokimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe personalisht i Albin Kurtit. Propaganda, shpifjet dhe gënjeshtrat kundër pozitës, respektivisht, Kurtit, me LVV të tij, kanë qenë aq të shumta e korale, nga opozita PAN-iste, Serbia dhe Rusia, sa i besuan gënjeshtrat e veta, duke thënë se “populli u mashtrua njëherë dhe tani është vetëdijesuar dhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk do t`i fitojë as 10 % të votave!” Por, ndodhi e kundërta!
Ekstremi opozitar PAN, në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë, përgjatë 4 (katër) viteve të qeverisjes të Vetëvendosjes, nuk ka pushuar se intriguari dhe shpifuri, në përpjekje për të denigruar dhe larguar nga pushteti Albin Kurtin dhe LVV. Sanksionet e vëna Kosovës, janë vepër e ndyrë e kësaj opozite, sa destruktive, aq edhe kundra kombëtare. Kulmon koordinimi me Serbinë, kur presidenti Vuçiq urdhëron Listen Serbe t`i bashkohet opozitës shqiptare, për ta rrëzuar nga pushteti Kurtin me partinë e tij.
Opozita e trimëruar, por edhe e tmerruar nga shantazhimi i Serbisë, me dosje të bollshme penalizuese, është hedhur në sulm frontal kundër pozitës. Ndoca krerë partiakë, e përjashtojnë fare fituesin e zgjedhjeve, LVV, jo vetëm nga kompozimi i Qeverisë, por edhe refuzimin e çdo takimi, ku i pranishëm është Albin Kurti dhe LVV e tij! Një sjellje e tillë kriminale e rrugaçerore e opozitës PAN-iste, ka irrituar jo vetëm shumësinë e shqiptarëve vendorë, por edhe ata botërorë.
Oferta e LVV për LDK, koalicion i lakmuar
nga shqiptarët vendorë dhe botërorë
|
Për ofertën e Albin Kurtit, për koalicion e bashkëqeverisje, të bërë LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku, ka kërkuar një marrëveshje paraprake politike. Lidershipi i ri, me ekipin e tij, ka punuar shumë, me profesionistë të fushave të ndryshme, për hartimin e një plan programi zhvillimor ekonomik dhe politik të Kosovës. Për lëndëzimin, realizimin e këtij programi, ai kërkon kryesimin e Qeverisë. Në të kundërtën është përcaktuar që LDK-ja të vazhdojë opozitarizmin aktiv. Mbizotëron opinioni se kryeministri Albin Kurti, edhe pse ka mjaftueshëm zëvendës-kryeministra dhe këshilltarë, ka një ego të sëmurë dhe nuk i konsulton, në masën e duhur, për vendimet që merr, në qeverisjen e vendit. Dibranët tanë, për këtë kanë një urtësi: “Një mendje – asnjë mendje, dy mendje – gjysmë mendje, tri mendje – një mendje”.
Prandaj, për të marrë vendime të pjekura, të mençura dhe vetëkontroll të Qeverisë, një koalicion stabil, i qëndrueshëm është larg më i pranueshëm, se sa një qeveri me një numër deputetësh, sa për ta bërë qeverinë, por që mund ta zhbëjë atë edhe një turbulencë e vogël politike. Duhet mësuar edhe nga praktika e vendeve me demokraci të zhvilluara. Pra, oferta e kryetar Lumirit, për bashkëqeverisje me Albinin, deri këtu, është e bazuar dhe e sinqertë. Dhe, pavarësisht se cili është i parë në qeverisje, pa u konsultuar me zëvendësit, nuk duhet marrë asnjë vendim me peshë.
Letra ofertuese, për koalicion dhe bashkëqeverisje e Albin Kurtit, për Lumir Abdixhikun, përkatësisht, LDK-në, ishte pozitive dhe e pranueshme për shumësinë e strukturave, anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së. Përkundër, përgjigjja publike, e dhënë Kurtit, nuk përfaqëson mendimin e LDK-së, përveç se të një grupi. Përndryshe, votimi i fshehtë i ofertës për koalicionin me LVV, në Këshillin e Përgjithshëm, do të ishte më objektiv, më i shëndetshëm.
Nuk qëndron arsyetimi se, kinse, Lidershipi i LDK-së i ka premtuar anëtarësisë, respektivisht, votuesve për të mos bërë koalicion me LVV. Një premtim i tillë ka qenë për PDK-në, por është shkelur disa herë, duke e bërë LDK-në bisht e patericë të PDK-së. A mund ta marrë LDK-ja pushtetin e vetme? Jo. Atëherë, do të mbetet opozitë e përjetshme! A më të pranueshme janë subjektet politike të koalicionuara në PAN, të akuzuara bazike për ekzekutimin e dhjetra FARK-istëve luftë bërës të Ibrahim Rugovës dhe të qindra veprimtarëve dhe aktivistëve cilësorë të LDK-së apo LVV, e cila nuk ka mëkate të tilla?
Skena politike në Kosovë, është e kontaminuar, toksike. Të vetmet janë dy subjektet politike: LDK dhe LVV me aleatë Alternativa e Guxo, të cilat, deri me tani, nuk janë të kriminalizuara. Shembull faktik: krahasoni listat e kandidatëve për deputetë të LDK-së dhe LVV, me listat e subjekteve politike të PAN-it! Dhe, komentet janë të tepërta.
Pikërisht, për këtë Kurti ka përzgjedhur LDK-në, duke e përsëritur kërkesën për koalicion e bashkëqeverisje, si mundësi të vetme për të mos helmuar Qeverinë e tij. Andaj, është koha për reflektim të opozitës PAN, rrastë të inkriminuar, të spastrojnë partitë e tyre nga elementë masiv kriminalë dhe të mos pretendojnë pushtetin, deri sa nuk bëjnë reformim të thellë, ose më saktë, riformim me ndryshim tërësor, madje edhe të emrave të subjekteve të tyre.
Qëllimi i tufëzimit në qeverisje – amnistimi i PAN të kriminalizuar!
2) Propozimi i bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për koalicion të partive nacionale shqiptare, gjithëpërfshirëse, të Kosovës, është lapsus i skajshëm dhe provokim i rëndë, jo vetëm për LDK-në, por edhe për popullin dhe shqiptarët e përbotshëm. Nuk mund të quhen nacionale vetëm pse flasin shqip, ndërkohë që bashkëpunojnë me Serbinë, për të rrëzuar nga pushteti partinë, e cila punon e lufton për mbrojtjen e sovranitetit tërësor të Republikës të Kosovës. Pikërisht, për këtë, aktualisht, edhe votohet më shumësi absolute, nga populli i saj dhe admirohet nga shqiptarët e kudondodhur.
Propozimi i kryetar Lumirit, për t`u koalicionuar me PAN-in, i cili ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën, është një provokim i rëndë, për vetë anëtarësinë e LDK-së dhe shqiptarët anepërtej Globit. Dyshoj fort të jetë një forcë e jashtme, e cila e cytë, me presion, Kryetarin në lajthitje!?
Lidershipi i ri i LDK-së, i nismoi, por nuk i përfundoi reformat. Deri diku i mirëkuptoj, sepse ishin pjesë i një faji të madh, u zvarritën pas shefit Isë, të katapultuar në krye të LDK-së nga PDK-ja, duke e bërë Hashimin president! Edhe pse ishte një amanet i Rugovës, që “ai të mos lejohet të ngritët në pozitë, sepse është i dëmshëm për Kosovën!” Dhe, vërtet ishte në shërbim të dy shteteve armike të Kosovës dhe të qeverie, gjithashtu! Kjo po i hakmerret sot, Kryetarit dhe LDK-së, por, edhe Kosovës, ngaqë konformizmi ishte trashur!
Mjerisht, në strukturat e LDK-së, vazhdojnë të jenë argatët e PDK-së. Ata nuk e fshehin preferencën e tyre për koalicionin e serishëm me PAN-in, sidomos me PDK-në. Dhe, këtë lakmi nuk e kanë fshehur, madje, së fundi, edhe kanë vepruar haptazi, duke dëmtuar dhe sabotuar, qëllimshëm, Lidershipin e ri. Dhe, me gjithë punën e madhe dhe fushatën voluminoze e dinjitare, të bërë nga kryetar Lumiri, me ekipin e tij, vërtet, simpatik, nuk arriti qëllimin e synuar.
Realisht, parti e dytë e mirëfilltë e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, është LDK-ja. Sepse, PDK-ja, me simotrat në koalicion, ka krijuar klientelë elektorale nga: shumësia e nëpunësve shtetërorë; anëtarësia e organizatave ilegale kriminale, të krijuara gjatë luftës; armata prej 45.500 veteranëve të rremë, plus familjarë, farefisni e miqësi të tyre, garantojnë zvarritjen në politikë të partive-banda!
Tendenca e kthimit në pushtet të “komandantëve” mujsharë, me dosje të bollshme penalizuese, do të ishte vazhdim i një drame me shumë akte. Ndërsa çështja e ndërrimit të kandidatit/it për kryetar të Kuvendit, nuk është, thjeshtë, teknike. Përkundrazi, ngulmimi i partisë fituese, Vetëvendosjes, për ta mbrojtur propozimin fillestar, është thellësisht i drejtë, parimor dhe plotësisht ligjor. Ndryshimi i kandidaturës, do të ishte lëshimi i parë fatal, që do t`i bëhej krimit në Kosovë!
Komentet