Ish-deputeti socialist, Halit Valteri ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale, këtë herë përmes një rrëfimi që, sipas tij, nisi nga një bisedë e zhvilluar në një nga tavolinat e hotel “Rogner” në Tiranë.
Valteri tregon një episod ku një personazh i njohur i biznesit e ka përshkruar një ministre me shprehjen “ministrja që ha burra”, duke e shndërruar më pas këtë metaforë në një kritikë më të gjerë ndaj mënyrës se si, sipas tij, pushteti përqendrohet dhe shtrihet mbi njerëzit, institucionet dhe biznesin.
Valteri nënkupton se bëhet fjalë për Belinda Ballukun, që sipas tij “është kthyer në një kuçedër që ha pushtetin dhe njerëzit”.
“Prandaj pyetja që duhet të bëjmë nuk është vetëm sa ka përpirë kjo kuçedër. Pyetja e vërtetë është sa do ta lejojmë të përpijë. Sepse në momentin kur pushteti fillon të përpi njerëzit, pasurinë, institucionet dhe në fund vetë shtetin, nuk kemi më thjesht një histori për një “ministre që ha burra”. Kemi historinë e një shoqërie që duhet të vendosë se ku e vendos kufirin. Dhe kufiri duhet të jetë i qartë: pushteti është për t’i shërbyer shtetit, jo për ta ngrënë atë”, konkludon Valteri.
Postimi i Halit Valterit
Isha ulur dje në një nga ato tavolinat e Rognerit ku kafeja e mëngjesit shoqërohet shpesh me biseda pune, telefonata, takime dhe histori që zakonisht nuk dalin nga tavolina. Atmosfera ishte e qetë, kafeja sapo ishte servirur dhe biseda kishte nisur si një takim i zakonshëm pune. Po flisnim për punë, njerëz, projekte dhe atë botë të ndërlikuar ku biznesi dhe politika takohen shpesh, herë hapur e herë nën zë. Pas bisedës me personin që më kishte ftuar, në tavolinë u bashkua edhe një personazh i njohur i kryeqytetit, nga bota e biznesit. Në fillim biseda vazhdoi normalisht, me ato batutat dhe komentet që shoqërojnë zakonisht një kafe mes njerëzish që kanë parë e dëgjuar shumë. Por në një moment, në mes të bisedës, u tha një fjali që nuk e kisha dëgjuar më parë: “Ministrja që ha burra.” E dëgjova, qesha lehtë nga mënyra se si u tha dhe prita që të kalonte si një batutë tavoline. Por nuk kaloi. Përkundrazi, sa më shumë vazhdonte rrëfimi, aq më shumë ajo fjali filloi të merrte një kuptim tjetër. Sepse nuk po flitej thjesht për një person që kishte pushtet, influencë apo karakter të fortë. Po përshkruhej një subjekt që, sipas atij rrëfimi, kishte një oreks që nuk njihte kufij. Një subjekt që nuk hante vetëm burra. Përpinte ministra, drejtorë, zyrtarë, biznesmenë, shoferë, punëtorë, kushdo që i dilte përpara. Dhe aty m’u kujtuan përrallat e fëmijërisë, ato ku kuçedra e zezë del nga errësira dhe nuk pyet kush je, nga vjen apo çfarë ke bërë. Të sheh, të kap dhe të përpin. Vetëm se kuçedra e kësaj historie ishte më moderne. Ajo nuk ushqehej me mish. Ushqehej me pushtet.
Në fillim përpin një njeri, pastaj një tjetër, më pas një drejtore, një zyrtar, një biznesmen. Dikë e afron, dikë e bën të varur, dikë e vendos në një pozicion, dikujt i hap një derë, dikujt tjetër ia mbyll. Një telefonatë, një firmë, një emërim, një kontratë, një favor, një heshtje. Dhe me çdo kafshatë, kuçedra rritet. Në një moment nuk është më e nevojshme të përpi njerëzit. Mjafton t’i ketë nën kontroll. Sepse forma më e sofistikuar e pushtetit nuk është të të hajë. Është të të bëjë të besosh se nuk mund të jetosh pa të.
Por një kuçedër me një oreks të tillë nuk mund të ndalet te njerëzit. Pas njerëzve vijnë institucionet, drejtori, zyrat, procedurat dhe vendimmarrja. Dhe aty metafora bëhet më serioze. Sepse kur pushteti fillon të përpijë institucionet, nuk kemi më thjesht një histori për njerëz të fuqishëm. Kemi një problem me vetë shtetin. Institucioni që duhet t’i shërbejë qytetarit shndërrohet në një vegël të pushtetit. Procedura që duhet të jetë e njëjtë për të gjithë fillon të ketë përjashtime. Ligji fillon të duket i madh për të dobëtin dhe i vogël për të fortin. Dhe kështu, kafshatë pas kafshate, kuçedra nuk përpin më individë. Përpin barazinë përpara shtetit.
Pastaj vjen pasuria. Apartamente, vila, makina, jahte, prona dhe para. Euro, paund, franga, lekë. Për një oreks të tillë, monedha nuk ka rëndësi. Rëndësi ka mundësia për të marrë. Sepse kur pushteti kthehet në instrument pasurimi, kufiri mes asaj që është publike dhe asaj që është private fillon të mjegullohet. Një vendim publik mund të shihet si mundësi private, një post si kapital, një institucion si territor, një marrëdhënie si investim dhe një privilegj si të drejtë.
Dhe atëherë kuçedra fillon të rritet me shpejtësi. Sepse kuçedra nuk ngopet. Kur merr një zyrë, kërkon një tjetër. Kur kontrollon një institucion, kërkon një tjetër. Kur ka një biznes pranë pushtetit, kërkon një tjetër. Kur ka një pronë, kërkon të dytën. Kur ka një milion, kërkon të dytin. Dhe kur ka njerëz që i binden, kërkon edhe ata që ende nuk i binden. Ky është paradoksi i pushtetit pa kufij: nuk ka nevojë të jetë gjithmonë i uritur; mjafton të mos dijë të ngopet.
Kuçedra e përrallave ka shtatë koka. Kuçedra moderne mund të ketë shumë më tepër. Një kokë për pushtetin, një për paratë, një për ndikimin, një për institucionet, një për biznesin, një për njerëzit dhe një tjetër për heshtjen. Sepse pa heshtjen, kuçedra do ta kishte shumë më të vështirë të jetonte. Ajo ka nevojë për errësirën, ka nevojë për frikën, ka nevojë për njerëz që shohin dhe heshtin, për njerëz që dinë dhe bëjnë sikur nuk dinë, për njerëz që thonë: “Kështu është politika.”
Por nuk duhet të jetë kështu. Sepse politika nuk është një tavolinë ku disa hanë dhe të tjerët presin radhën. Shteti nuk është pronë e atij që ka më shumë pushtet. Institucionet nuk janë zgjatime të interesave personale dhe qytetari nuk është ushqim për oreksin e askujt.
Në përrallat e vjetra, kuçedra në fund përballej me heroin. Në jetën reale nuk ka gjithmonë një hero që vjen në momentin e fundit me shpatë në dorë. Ka ligje, ka institucione, ka media, ka drejtësi, ka qytetarë dhe ka njerëz që duhet të flasin. Dhe mbi të gjitha, ka dritë. Sepse kuçedra mund të jetë e fuqishme në errësirë, por drita e bën të dukshme.
Prandaj pyetja që duhet të bëjmë nuk është vetëm sa ka përpirë kjo kuçedër. Pyetja e vërtetë është sa do ta lejojmë të përpijë. Sepse në momentin kur pushteti fillon të përpi njerëzit, pasurinë, institucionet dhe në fund vetë shtetin, nuk kemi më thjesht një histori për një “ministre që ha burra”. Kemi historinë e një shoqërie që duhet të vendosë se ku e vendos kufirin. Dhe kufiri duhet të jetë i qartë: pushteti është për t’i shërbyer shtetit, jo për ta ngrënë atë. bw
Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet.
Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua , nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.
Megjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’u bërë stare, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura “sensacionale”, kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin gjuhën shqipe, sa s’dinë përdorimin e njëjësit e shumësit dhe një frazë që e fillojnë me “ju” e mbarojnë me ti).
Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë. Kjo përsa i përket vendit amë. Kurse për Kosovën e për “liderët” e saj, mjafton pamja e katundeve që digjen, e fëmijëve të vrarë, e njerëzve që shpërngulen nën vërshëllimën e predhave, për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga çdo mburrje e pozë përpara kamerave të TV.
Mirëpo një pjesë e “liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
___
*Shkruar për “Courrier International”, Paris, shkurt 1999, përmbledhur në libërthin “Mbi krimin në Ballkan„ – Ismail Kadare