Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjete sociale, theksoi se Karlo Bolino nuk është i vetmi emër i përfshirë në dosjen e Lubi Ballukut.
Ai shtoi se shuma të mëdha parash janë përvetësuar gjithashtu nga Top Channel dhe figura të tjera të lidhura me “Top Tunelin”, ndërsa “BB” i referohet Ben Blushit.
Berisha denoncoi atë që e quajti një “rreth vicioz” të përfitimeve dhe shpëlarjes së mediave, duke theksuar se pasojat më të rënda bien mbi qytetarët që mbeten pa ilaçe, ndërsa dokumentet e zbuluara duhet të zgjojnë zemërimin e merituar të shqiptarëve ndaj kësaj mafie.
“E vërteta, në përgjime përfshihej Karlo Bolino, përfshihej ai BB, duhet ta them këtu, ishte Ben Blushi, ai vepra shkruan, por aty ishte.
Përfshiheshin edhe të tjerë.
Kjo do të thotë mafiozizëm i tmerrshëm i medieve.
Imagjino pak, ky mafioz që e ka filluar jetën si i tillë, vjell vrer, shpif dhe trillon kundër opozitës, ndërkohë që ka marrë tokat e lënë për gjimnaz nga pronarët me 4 vendime të Edi Ramës.
Katër vendime për tokën në mes të Tiranës, për të ndërtuar zyrat e tij.
Karlo Bolino, vetëm në një nga këto regjistrimet, ka qindra milionë me këste që Evis Berberi të shpifte për Sali Berishën, të shpifte për ju, të mashtronte shqiptarët p[ër të vërtetat, të lavdëronte Edi Ramën.
Por Karlo nuk është i vetëm.
Të themi atë që është.
Shuma më të mëdha ka marrë Top Channel.
Aty BB-ja. Tek tuneli, nuk e quajtën kot Top Tuneli, etj. Dhe sa portale mbahen me paratë që u vidhen taksapaguesve për të shpëlarë fytyrat e nxira të këtyre hajdutëve ministra. Pra një rreth vicioz.
Por edhe njëherë do kërkoj mirëkuptimin se forma më e zezë për mua është kjo bie tek të sëmurët me sëmundje të rënda se mbeten pa ilaçe se u vidhen fondet.
Dhe mediat heshtin, dhe në të gjitha mediat është vetëm një gazetar që pranon çdo lloj kërcënimi për t’u bërë zëri i atyre të sëmundjeve.
Uroj që këto dokumente të zgjojnë tek shqiptarët zemërimin e merituar ndaj kësaj mafie.”- tha Berisha.




Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet.
Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua , nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.
Megjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’u bërë stare, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura “sensacionale”, kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin gjuhën shqipe, sa s’dinë përdorimin e njëjësit e shumësit dhe një frazë që e fillojnë me “ju” e mbarojnë me ti).
Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë. Kjo përsa i përket vendit amë. Kurse për Kosovën e për “liderët” e saj, mjafton pamja e katundeve që digjen, e fëmijëve të vrarë, e njerëzve që shpërngulen nën vërshëllimën e predhave, për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga çdo mburrje e pozë përpara kamerave të TV.
Mirëpo një pjesë e “liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
___
*Shkruar për “Courrier International”, Paris, shkurt 1999, përmbledhur në libërthin “Mbi krimin në Ballkan„ – Ismail Kadare