VATRA NË UDHËKRYQ
“Selia e Vatrës, me vlerë mbi 1 milionë dollarë, e blerë me kontributet e anëtarësisë në breza, ndodhet tani në rrezik të përvetësimit nga shteti, për shkak të një borxhi prej 24,000 dollarësh, të shkaktuar nga mospagimi i taksave.”
Për më shumë se një shekull, Vatra, Federata Panshqiptare e Amerikës, ka qenë një nga shtyllat më të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan. Vatra është e lidhur ngushtë me historinë moderne të Shqipërisë. E themeluar në vitin 1912, në prag të Pavarësisë së Shqipërisë, Vatra luajti një rol vendimtar në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Figura si Fan Noli dhe Faik Konica mobilizuan diasporën përmes Vatrës për të siguruar njohjen ndërkombëtare dhe mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë. Ajo mbështeti përpjekjet për pavarësi, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në kohë lufte dhe diktature, mbështeti luftën çlirimtare të Kosovës, mobilizoi ndihma në kohë krizash dhe fatkeqësish, si dhe forcoi komunitetin shqiptaro-amerikan. Vatra ruajti gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar për breza të tërë emigrantësh në Shtetet e Bashkuara.
Sot Vatra, ky institucion historik përballet me një krizë që rrezikon jo vetëm pronën e saj, por edhe autoritetin e saj moral.
Megjithëse në krye të Vatrës në 2020 erdhi një biznesmen që na u paraqit si multimilioner, ndër vatranë ishte folur shpesh për gjendjen e keqe fnanciare të Vatrës. Njeri nga editorët e Diellit më thoshte se paguhej me pare xhepi, apo nuk paguhej për muaj të tërë.
Pasi mora një indicje nga një mik vatran në NY, i cili ka kontribuar dhe sponsorizuar dhjetra mijë dollar për Vatrën , bëra një kërkim në regjistrat publikë të qytetit Bronx, dhe me rezulton se Vatra nuk ka paguar taksat e pronës për Selinë e saj qendrore që nga viti 2022. Shuma e papaguar arrin rreth 24,000 dollarë (shih dokumentin me poshtë). Gjithashtu rezulton se qyteti Bronx ka dërguar në mënyrë të shpeshtë dhe periodike të gjitha faturat me kamat-vonesat përkatëse. Nuk më rezulton asnjë pagesë apo përgjigje ndaj këtyre faturave që nga viti 2022.
Këto regjistra tregojnë gjithashtu se më 3 qershor 2025, qyteti i Bronx-it vendosi një bllokim tatimor (Tax lien) mbi Shtëpinë e Vatrës dhe më vonë e shiti borxhin një institucioni financiar (Tower Capital Management LLC) për 15,500 dollarë. Sipas ligjit të shtetit të Nju Jorkut, Vatra ka një vit e një ditë kohë për të shlyer borxhin. Nëse borxhi prej 24,000 dollarësh nuk paguhet deri më 3 qershor, pra pak më shumë se tre muaj, qyteti ose mbajtësi i bllokimit tatimor mund të fillojë procedurat e konfiskimit (foreclosure).
Ky informacion nuk është thashethem, por është i dokumentuar në regjistrat publikë bashkiakë të NY, të verifikueshëm nga çdokush.
Ndërtesa e selisë së Vatrës besohet të ketë një vlerë mbi 1 milionë dollarë. Ajo përfaqëson jo vetëm një vlerë financiare, por kontributet, mundi, djersa dhe sakrificat e vatranëve ndër dekada. Breza të tërë shqiptaro-amerikanësh kanë paguar kuota, kanë organizuar mbledhje fondesh dhe kanë mbështetur Vatrën që ajo të ketë një shtëpi të përhershme. Ajo simbolizon unitetin, sakrificën dhe vazhdimësinë historike nga fillimi i shekullit XX deri sot. Të vihet në rrezik kjo ndërtesë do të thotë të vihet në rrezik një monument i gjallë i historisë sonë.
Nga ana financiare, situata ngre pikëpyetje serioze. Selia e Vatrës, përveç zyrave të saj, përfshin dy apartamente me qira, që flitet se janë të rentuar secili me rreth 1,800 dollarë në muaj, pra mbi 40,000 dollarë në vit të ardhura nga qiratë. Këto të ardhura janë mbledhur nga zyrtarët e Vatrës. Me rreth 50,000 dollarë të ardhura vjetore nga qiratë pa llogaritur kuotat e vazhdueshme të anëtarësë, si është e mundur që të mos paguhen $5,000 taksa në vit? Problemi nuk duket të jetë mungesa e fondeve, por mënyra e menaxhimit që lë dyshime për përvetësime financiare të padrejta.
Nga ana tjetër, ndërkohë që taksat mbeten të papaguara, drejtuesit e Vatrës janë përfshirë në disa procese gjyqësore me anëtarët të vet. Proceset ligjore kërkojnë fonde të konsiderueshme dhe avokatët mbushin xhepat me shuma të mëdha. Kjo krijon një kontrast dhe një paradoks të madh: Ka para për beteja ligjore kundër anëtarëve, por nuk ka para për të paguar detyrimet bazë tatimore?
Një organizatë e themeluar për të bashkuar shqiptarët dukshëm se po shpenzon energji dhe burime financiare për konflikt të brendshëm, ndërsa selia historike rrezikon konfiskimin.
Po aq shqetësuese janë deklarimet e anëtarëve të Vatrës se rreth 80,000 dollarë donacione, të mbledhura për viktimat e tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, nuk kanë arritur në destinacionin e tyre. Këto fonde u dhanë në mirëbesim nga anëtarët dhe komuniteti për të ndihmuar në një tragjedi kombëtare. Sipas deklarimeve të vatranëve, këto para nuk gjenden as në bankë e as në destinacion. Kjo përbën një dyshim të madh për përvetësim apo shpërdorim të jashtëligjshëm të fondeve, njollë të zezë mbi organizatën tonë famëmadhe dhe një shkelje serioze të besimit të anëtarëve dhe donatorëve. Ka shumë vatranë që thonë se me paratë e tërmetit po paguhen avokatët për gjyqet e Vatrës. Nëse jo, atëherë, lidershipi i Vatrës i detyrohet vatranëve dhe donatorëve transparencë të plotë për fatin e këtij fondi.
Vitin e kaluar, 12 zyrtarë të lartë të Vatrës kërkuan zyrtarisht një audit financiar të pavarur për hetimin e buxhetit të Vatrës, me qëllim rritjen e transparencës dhe rikthimin e besimit, por kryetari i Vatrës refuzoi t’i përgjigjej kësaj kërkese. Një audit i pavarur është praktikë normale për organizatat serioze. Refuzimi për ta konsideruar atë vetëm sa thellon dyshimet për shkelje financiare.
Bie në kujtesë që, një vit më parë, kur anëtarët e Vatrës u mblodhën tek Selia e tyre për të bërë mbledhje, drejtuesit e Vatrës ndërruan çelësat e Selisë, duke lënë jashtë nga ajo ditë deri më sot qindra anëtarë nga përdorimi i zyrave. Simbolika është e fortë: anëtarët u lanë jashtë nga ndërtesa që ata vetë financuan ta blejnë dhe ta mbajnë gjallë, në të njëjtën kohë, lidershipi i Vatrës nuk paguante taksat e pronës dhe ndërtesa vetë rrezikonte të humbej.
Është koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie. Lidershipi i Vatrës mban përgjegjësi ligjore, fiduciare dhe morale. Pagesa e taksave të pronës, mbrojtja e fondeve të dhuruara, garantimi i transparencës dhe respektimi i anëtarëve janë detyra themelore. Mos-shlyerja e taksave për disa vite, përfshirja në procese gjyqësore të kushtueshme, mosadresimi i thirrjeve për një audit të pavarur dhe mungesa e transparencës lidhur me fondet e Vatrës, së bashku ngrejnë shqetësime serioze mbi qeverisjen e organizatës.
Vatra i ka mbijetuar grekërve dhe sërbëve, luftërave botërore, trazirave politike dhe diktaturës. Ajo ka ndihmuar në formësimin e historisë së Shqipërisë moderne. Ndërsa sot ajo po kalon një krizë të brendshme. Ajo që është në rrezik nuk është vetëm një pronë prej 1 milionë dollarësh. Është trashëgimia, besimi dhe nderi i një institucioni që ka përfaqësuar shqiptarët për më shumë se një shekull.
Apeli është jo vetëm për anëtarët e Vatrës dhe degët e saj që bëjnë sehir. Apeli është për shoqatat atdhetare, kultet fetare, bizneset pafund shqiptaro-amerikane dhe të gjithë shqiparët e Amerikës. Le të bëhemi bashkë në këtë shqetësim kombëtar: borxhi mund të paguhet, bllokimi tatimor mund të hiqet, Vatra dhe selia mund të shpëtohen…sa nuk është tepër vonë.
13 Shkurt 202