VOAL

VOAL

Universitetet amerikane e ato britanike më të mirat në botë

September 6, 2016

Komentet

Rubio në takimin e NATO-s mes shqetësimeve për tërheqjen e trupave amerikane

Alex Raufoglu

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, niset për në Suedi më 21 maj për takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, teksa aleatët evropianë kërkojnë siguri lidhur me zvogëlimin e pranisë së trupave amerikane dhe ndryshimin e retorikës së Uashingtonit sa i përket aleancës.

Rubio do të marrë pjesë në takimin në Helsingborg më 22 maj, që është një nga mbledhjet e fundit ministrore në nivel të lartë para se udhëheqësit e aleancës të mblidhen për samitin në Ankara në korrik.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, kryediplomati amerikan pritet t’u bëjë thirrje aleatëve për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen dhe për “ndarje më të madhe të barrës”, ndërsa fokusi do të jetë gjithashtu te siguria në Arktik.

Por, takimi zhvillohet në një moment kur ka shqetësim të madh. Zyrtarët evropianë po kërkojnë qartësi lidhur me shkallën e zvogëlimit të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, pas një sërë lëvizjesh të Pentagonit që kanë tronditur aleancën.

“Terr informativ”

Pasiguria buron nga njoftimet e fundit që kanë rritur frikën në mbarë Evropën se Uashingtoni mund të jetë duke dobësuar garancitë e tij të sigurisë në një moment të rrezikshëm.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur planet për tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania. Pentagoni më pas konfirmoi se po anulonte një dislokim të planifikuar të rreth 4.000 trupave në Poloni dhe po pezullonte planet për dislokimin në Gjermani të një batalioni me raketa lundruese Tomahawk, që lëshohen nga toka.

Një diplomat i lartë evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, paralajmëroi se aftësia kyç parandaluese e aleancës po minohet nga mungesa e komunikimit.

“Gjëja më e keqe është fakti se kontinenti duket se po mbahet në terr informativ lidhur me përmasat e kësaj tërheqjeje”, tha diplomati, duke theksuar se shtetet që gjenden në vijë e parë, sikurse vendet e Baltikut, po kanë vështirësi që të bëjnë planifikimet e duhura.

Ky diplomat shtoi se planet e raportuara të SHBA-së për zvogëlimin e kontributeve në modelin e forcave të NATO-s – sipas të cilit, anëtarët paraprakisht angazhojnë forca për kriza madhore – do të “dëmtonte shumë” vijat fillestare të mbrojtjes të Evropës.

“Efektiviteti i NATO-s mbështetej në idenë se ajo ishte e pathyeshme”, tha diplomati. “Tani, në një ‘divorc’, ju filloni të shihni shfaqjen e çarjeve”.

Zyrtarët e administratës amerikane kanë këmbëngulur se këto lëvizje janë një përshtatje e përkohshme dhe jo një tërheqje strategjike. Nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi së voni se fokusi i administratës mbetet te “pavarësia dhe sovraniteti evropian”, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, e përshkroi vendimin për Poloninë si një “vonesë standarde në rotacion”.

Rubio, si transmetues “i qëndrueshëm” i mesazheve

Për shumë zyrtarë evropianë, prania e Rubios ofron një masë sigurie. Kryediplomati amerikan shihet gjerësisht në Bruksel dhe në kryeqytetet e Evropës Lindore si një figurë më e qëndrueshme dhe më tradicionale transatlantike sesa disa figura të tjera në administratën e Trumpit.

Kongresisti Don Bacon, republikan nga Nebraska dhe mbështetës i NATO-s, i tha Radios Evropa e Lirë se Rubio luan një rol kyç në stabilizimin e marrëdhënieve. Bacon tha se shpreson që Rubio do ta përforcojë përkushtimin e Uashingtonit ndaj mbrojtjes kolektive, duke u bërë njëkohësisht thirrje aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Kongresisti Bacon vazhdimisht ka argumentuar se aleanca mbetet qendrore për interesat e sigurisë së SHBA-së dhe ka paralajmëruar kundër izolacionizmit në kohën kur ka rritje të kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe Irani.

Këto shqetësime u pasqyruan edhe më 20 maj gjatë seancave dëgjimore në Senat për konfirmimin e kandidatëve të Trumpit për ambasadorë në disa vende evropiane.

Michael Kavoukjian, i nominuar për të shërbyer si ambasador në Norvegji, e përshkroi Oslon si “sytë dhe veshët e aleancës në Arktik” dhe u zotua për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe të inteligjencës kundër aktivitetit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Jeanne Shaheen, demokratja kryesore në Senat për politikën e jashtme, paralajmëroi se Norvegjia ndodhet “në vijën e parë të aktivitetit dhe përpjekjeve sabotuese në rritje të Rusisë në Baltik, në Detin e Veriut dhe në Arktik”.

Ndërkohë, Eric Wendt, kandidati i Trumpit për ambasador në Shqipëri, theksoi rëndësinë e ndarjes së barrës brenda NATO-s dhe tha se do ta nxisë Tiranën të përmbushë objektivat e aleancës për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri më 2035.

Seancat dëgjimore nxorën në pah balancimin e vështirë me të cilin përballet Uashingtoni: sigurimin e aleatëve për përkushtimin e Amerikës ndaj sigurisë evropiane, teksa vazhdon t’u bëjë presion anëtarëve të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

Kundërshtime nga Kongresi

Duke folur më 20 maj në Carnegie Endowment for International Peace, kongresisti Michael McCaul, kryetar nderi i Komitetit për Punë të Jashme në Dhomën e Përfaqësuesve, mbrojti NATO-n.

“NATO-ja na ka mbajtur jashtë një lufte botërore për 80 vjet, prandaj ka vlerë”, tha McCaul.

Edhe pse McCaul pranoi se Trump po kërkon ta transformojë NATO-n nga ajo që e quajti një marrëdhënie “prind-fëmijë” në një partneritet më të barabartë, ai paralajmëroi kundër retorikës që mund të largojë aleatët kyç.

McCaul po ashtu tha se Kongresi po kundërshton disa lëvizje të njëanshme ushtarake të administratës në Evropë.

“Unë e përshëndeta zhvendosjen e disa prej këtyre trupave në Poloni, ku po i vendosni drejtpërdrejt pranë kërcënimit që ekziston”, tha McCaul, duke iu referuar Rusisë. “Por, më pas administrata argumentoi tërheqjen nga Polonia. Kongresi tani ka ndërhyrë dhe ka thënë jo”.

Sfida e Rubios në Suedi do të jetë që të balancojë presionet konkurruese: të mbrojë politikat “Amerika e Para” përpara aleatëve evropianë skeptikë, teksa ruan unitetin brenda një aleance që përballet me një Rusi gjithnjë e më të vendosur.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Skandali i dosjeve Epstein, pjesë e hetimeve bëhet edhe ish-partnerja e financierit amerikan

Nadia Marcinko, ish-partnerja e financierit Jeffrey Epstein, mund të përfshihet në hetime të reja nga Kongresi amerikan lidhur me rrjetin e trafikimit seksual të të miturëve që tronditi SHBA-në prej vitesh.

Marcinko, e lindur në Sllovaki, ishte për shtatë vite partnerja e Epstein pas Ghislaine Maxwell dhe më vonë pilote e avionit të tij privat. Edhe pse ajo nuk është akuzuar apo dënuar ndonjëherë për vepra penale, emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumenteve dhe emaileve të reja që hedhin dritë mbi marrëdhënien e saj me Epstein.

Sipas një hetimi të BBC-së, Marcinko ishte një nga katër gratë e përfshira në marrëveshjen e vitit 2008 që u garantonte imunitet nga ndjekja penale si “bashkëpunëtore të mundshme” të Epstein. Dy prej tyre, Sarah Kellen dhe Lesley Groff, pritet të merren në pyetje nga ligjvënësit amerikanë, ndërsa disa kongresmenë kërkojnë që edhe Marcinko të hetohet.

Dokumentet dhe komunikimet e siguruara nga BBC tregojnë se Epstein dhe Marcinko kishin planifikuar të krijonin familje së bashku dhe se ai i kërkonte vazhdimisht të gjente gra të tjera për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.

Në një email të vitit 2006, Marcinko i shkruante Epstein se do të përpiqej të gjente vajza për të në Nju Jork, megjithëse shprehte shqetësimin për marrëdhënien e tyre. Megjithatë, nuk ka prova që ajo i ka prezantuar Epstein vajza të mitura.

Nga ana tjetër, dokumentet zbulojnë edhe aspektin kontrollues dhe abuziv të Epstein ndaj saj. Marcinko u ka treguar hetuesve federalë se ai ushtronte kontroll të plotë mbi jetën e saj, duke e detyruar të kryente operacione plastike dhe duke përdorur dhunë fizike ndaj saj.

Në një email të vitit 2012, ajo i shkruante financierit: “Nuk dua të jem me ty, por më shqetëson të shoh se si manipulon dhe lëndon vajza të tjera”.

Pas arrestimit të dytë të Epstein në vitin 2019 për trafikim seksual, Marcinko nisi të bashkëpunonte me FBI-në. Agjencia amerikane më vonë mbështeti kërkesën e saj për të qëndruar në SHBA, duke e cilësuar atë si viktimë të një marrëdhënieje seksuale detyruese.

Sot, Marcinko është larguar nga jeta publike dhe sipas raportimeve jeton në Nju Jork, ku është përfshirë në aktivitete të një qendre budiste Zen.

Rasti ka hapur debat në SHBA mbi kufirin mes viktimës dhe bashkëpunëtores në rastet e trafikimit seksual. Ekspertët ligjorë theksojnë se shpesh viktimat mbeten nën kontrollin psikologjik të abuzuesve edhe pas largimit fizik prej tyre.

Ndërkohë, Kongresi amerikan pritet të vendosë nëse Nadia Marcinko do të thirret zyrtarisht për të dëshmuar mbi rolin e saj në rrjetin e Jeffrey Epstein. shqip

SHBA ngre aktakuzë për vrasje ndaj ish-presidentit kuban Raúl Castro, për rrëzimin e 2 avionëve më 1996

Raul Castro, tashmë 94 vjeç, kur ndodhi rrëzimi i 2 avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës​ ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht. Castro u largua nga posti i presidentit në vitin 2018.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë dhe krime të tjera, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës.

Çështja, e bërë publike të mërkurën, akuzon Castron dhe pesë persona të tjerë për rrëzimin e avionëve që i përkisnin grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”, ku humbën jetën katër persona, mes tyre tre amerikanë.

Castro, tashmë 94 vjeç, në atë kohë ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht.

Ndërsa SHBA po rrit presionin ndaj regjimit komunist në Kubë, presidenti aktual kuban Miguel Díaz-Canel i cilësoi akuzat si “një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore”.

Duke folur në Freedom Tower në Miami, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, njoftoi se ndaj Castros do të ngrihen edhe akuza për shkatërrim avionësh dhe katër akuza individuale për vrasje, për vdekjet e Armando Alejandre Jr, Carlos Alberto Costa, Mario Manuel de la Peña dhe Pablo Morales.

“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump nuk i harrojnë dhe nuk do t’i harrojnë qytetarët e tyre”, deklaroi Blanche.

Akuzat do të shqyrtohen në një gjykatë amerikane, ndërsa disa prej tyre parashikojnë mundësinë e burgimit të përjetshëm. Akuzat për vrasje mbartin dënim maksimal me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Akuzat e reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë synojnë një nga figurat kryesore të udhëheqjes komuniste kubane, në një kohë kur Kuba po përballet me presion të fortë nga SHBA për reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në sistemin njëpartiak të vendit.

“Mendoj se strategjia është që presioni të rritet gradualisht deri në pikën kur qeveria kubane do të detyrohet të dorëzohet në tryezën e negociatave”, tha Wiliam LeoGrand.

SHBA ka vendosur sanksione ndaj Kubës dhe ka imponuar një bllokadë mbi furnizimin me naftë për vendin, gjë që ka sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesa ushqimore.

Më herët gjatë së mërkurës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, publikoi një mesazh drejtuar popullit kuban, në përvjetorin e pavarësisë së vendit.

“Presidenti Trump po ofron një rrugë të re mes SHBA-së dhe një Kube të re”, deklaroi Rubio.

Rubio u tha qytetarëve kubanë se konglomerati ushtarak kuban i njohur si GAESA është përgjegjësi kryesor për ndërprerjet e energjisë dhe mungesat ushqimore që vendi vazhdon të përjetojë.

GAESA zotëron ose operon shumicën e sektorëve më fitimprurës të ekonomisë kubane, nga portet dhe pikat e karburantit deri te hotelet luksoze me pesë yje.

Në reagim ndaj mesazhit të Rubios, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel akuzoi SHBA-në për gënjeshtra dhe për vendosjen e një “ndëshkimi kolektiv” ndaj popullit kuban.

Në moshën 95 vjeçare, Raúl Castro, vëllai i liderit të ndjerë kuban Fidel Castro, mbetet një figurë me ndikim dhe në Kubë njihet si “udhëheqësi i mbijetuar i Revolucionit Kuban”.

Ai është tërhequr nga rolet aktive në qeveri dhe në parti, por gjatë presidencës së tij në vitet 2008-2018, së bashku me ish-presidentin amerikan Barack Obama, mbikëqyrën një periudhë të shkurtër afrimi mes Uashingtonit dhe Havanës.

Todd Blanche deklaroi se nuk do të “krahasonte çështje” mes rastit të Castros dhe atij të Nicolás Maduro.

Presidenti amerikan Donald Trump u pyet për aspektin politik të aktakuzës së publikuar të mërkurën.

“Shumë prej atyre njerëzve janë të lidhur me mua në kuptimin që kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me kubano-amerikanët”, tha Trump. “Nga pikëpamja humanitare, ne jemi këtu për të ndihmuar.”

Ndërsa Castro nuk pritet të ekstradohet apo të paraqitet në proces, të gjitha opsionet duket se mbeten të hapura, sipas avokates Lindsey Lazopoulos Friedman.

“Nëse ai do të paraqitej në këtë çështje, do t’i garantoheshin të njëjtat të drejta ligjore si çdo të pandehuri tjetër”, tha Friedman, duke shtuar se kjo do të përfshinte edhe një gjyq me juri.

“Askush nuk pret që çështja të ndjekë këtë rrugë tipike… por aktakuza është bindëse dhe mbështetet nga prova të rëndësishme”, deklaroi ajo për BBC-në.

Qendra në Miami ku autoritetet amerikane shpallën aktakuzën ndaj Raúl Castro ishte e mbushur me kubano-amerikanë, kryesisht përfaqësues të organizatave të emigrantëve kubanë që prej dekadash udhëheqin opozitën ndaj qeverisë kubane nga Shtetet e Bashkuara.

Të rrethuar nga fotografitë e katër viktimave të rrëzimit të avionëve në vitin 1996, shumë pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar në Miami e përshkruan lajmin si një moment të shumëpritur.

“Ishte koha, pas 67 vitesh të atij regjimi vrasës”, tha Isela Fiterre. “Raúl Castro nuk vrau vetëm katër individë. Gjatë shumë viteve, ai ka vrarë njerëz të panumërt”, u shpreh ajo.

Fiterre tha se drejtësia nuk vjen kurrë vonë dhe se është mirënjohëse ndaj administratës Trump për këtë hap.

Një tjetër pjesëmarrëse, Mercedes Puid-Soto, shprehu të njëjtin qëndrim.

“Ndihem shumë e lumtur. Drejtësia u vu në vend”, tha ajo. “Është shumë e rëndësishme që familjet të mbyllin atë kapitull, por edhe ne kubanët.”

Megjithatë, mbi njoftimin e Todd Blanche vazhdonte të qëndronte pyetja nëse administrata e Donald Trump do ta përdorë këtë aktakuzë në të njëjtën mënyrë siç përdori atë ndaj Nicolás Maduro, si justifikim për një operacion ushtarak nën petkun e zbatimit të ligjit.

“Kjo ka pak gjasa të ndodhë pa përballje”, tha Roxanna Vigil. “Dhe çdo lëvizje që do të përfshinte bashkëpunim me regjimin kuban do të ishte shumë e vështirë të pranohej nga diaspora kubane në SHBA.”

Përfaqësues amerikanë dhe kubanë, përfshirë nipin e Raúl Castros, Raúl Guillermo Rodriguez Castro, kanë zhvilluar “bisedime” muajt e fundit, por akuzat amerikane ndaj ish-presidentit kuban nuk pritet t’i lehtësojnë këto kontakte.

Përkundrazi, pala kubane dha sinjale të forcimit të mëtejshëm të qëndrimit “pa dorëzim dhe pa lëshime” ndaj presionit amerikan, ndërsa mediat shtetërore kubane i cilësuan akuzat si “akuza të rreme” ./BBC/

BE dhe SHBA finalizojnë marrëveshjen tregtare, shmanget përshkallëzimi i ri i tarifave

Bashkimi Evropian ka finalizuar tekstin e marrëveshjes së re tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas muajsh negociatash intensive dhe debatesh politike, duke kapërcyer një nga pengesat e fundit për ratifikimin e saj dhe duke shmangur një përshkallëzim të ri të tarifave mes dy blloqeve ekonomike. Marrëveshja u arrit në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare të BE-së dhe eurodeputetëve, ndërsa procesi i negociatave u koordinua nga presidenca qipriote e Bashkimit Evropian. Sipas draftit përfundimtar, Bashkimi Evropian do të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa në këmbim Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një kufi tarifor prej 15% për eksportet evropiane.

Marrëveshja mori rëndësi të veçantë pas paralajmërimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse dokumenti nuk ratifikohej deri më 4 korrik, tarifat për automjetet evropiane do të rriteshin nga 15% në 25%. Tashmë, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare pritet të vijojnë me votimet përfundimtare për miratimin e marrëveshjes. Institucionet evropiane vlerësojnë se procesi mund të përfundojë brenda afatit, me Parlamentin Evropian që pritet të votojë më 16 qershor, ndërsa më pas do të vijojnë ratifikimet nga kryeqytetet evropiane.

“Ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të ekuilibruar është në interes të të dyja palëve”, deklaroi ministri i Tregtisë i Qipros, Michalis Damianos.

Edhe pse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar, procesi i ratifikimit u vonua për shkak të kundërshtimeve të forta në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët kishin bllokuar disa herë procedurat, fillimisht pas deklaratave të Donald Trump për Groenlandën dhe më vonë pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi një pjesë të kuadrit global tarifor të administratës amerikane. Versioni final i marrëveshjes përfshin disa mekanizma shtesë mbrojtës për Bashkimin Evropian. Mes tyre është edhe zgjatja e afatit të marrëveshjes deri në fund të vitit 2029, në vend të vitit 2028.

Po ashtu, negociatorët kanë përfshirë masa që synojnë mbrojtjen e industrive evropiane në rast të rritjes së ndjeshme të importeve amerikane. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-të nuk respektojnë angazhimet e marra. bw

Kina konfirmon se do të blejë 200 avionë Boeing, pas samitit Trump-Xi/ Presidenti amerikan: Marrëveshje të shkëlqyera

Kina ka konfirmuar se do të blejë 200 avionë Boeing, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, u takuan në Pekin javën e kaluar.

Sipas marrëveshjes, SHBA-të do t’i ofrojnë Kinës garanci furnizimi për pjesë dhe komponentë të motorëve të avionëve, tha Ministria e Tregtisë e Kinës.

Të dyja palët do të punojnë gjithashtu drejt një zgjatjeje të armëpushimit të tarifave për të cilin ranë dakord në tetor dhe do të kërkojnë ulje të tarifave për 30 miliardë dollarë ose më shumë mallra secila, shtoi ministria.

Udhëtimi i Trump në Kinë prodhoi disa premtime mbi tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë, duke përfshirë blerjen e Boeing dhe rritjen e aksesit për fermerët amerikanë në tregun kinez.

“Ne bëmë shumë marrëveshje të shkëlqyera tregtare, duke përfshirë mbi 200 aeroplanë për Boeing, me një premtim prej 750 aeroplanësh, që do të ishte porosia më e madhe ndonjëherë”, u tha Trump gazetarëve. bw

Financial Times zbardh diskutimet mes Trumpit dhe Xi Jinpingut: Putin mund të pendohet për pushtimin e Ukrainës

Presidenti kinez, Xi Jinping pranoi se homologu rus Vladimir Putin mund të pendohet përfundimisht për pushtimin e Ukrainës gjatë bisedimeve me Donald Trump në Pekin javën e kaluar.

Sipas disa personave të njohur me vlerësimin e SHBA-së për samitin e Pekinit dhe të cituar nga Financial Times, Xi i bëri komentet gjatë bisedimeve të gjera që përfshinin edhe Ukrainën dhe në të cilat Trump sugjeroi që të tre udhëheqësit të bashkëpunojnë kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN).

Komentet e Xi-së mbi vendimin e Putinit për të nisur një pushtim në shkallë të plotë të fqinjit të Rusisë në vitin 2022 dukeshin më të theksuara se në të kaluarën. Një person i njohur me takimet e Xi-së me ish-Presidentin e SHBA-së Joe Biden tha se ndërsa udhëheqësit kishin zhvilluar bisedime “të sinqerta dhe të drejtpërdrejta” rreth Rusisë dhe Ukrainës, Xi ende nuk e kishte vlerësuar Putinin apo luftën.

Zbulimi vjen ndërsa presidenti rus udhëton për në Kinë të martën për një samit me Xi Jinping, katër ditë pasi presidenti kinez priti Trump për takimin e tyre të dytë që kur presidenti amerikan u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Putini nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tre javë pas një udhëtimi në Kinë, në të cilin ai dhe Xi njoftuan një partneritet “pa kufizime” . Vizita e tij dy-ditore këtë javë vjen 25 vjet pasi presidenti i atëhershëm Jiang Zemin nënshkroi një traktat miqësie sino-ruse me Putinin. syri.net

Rikthim i Britanisë në BE? Zyrtarët kundër privilegjeve të vjetra: Negociatat duhet të trajtohen si për çdo kandidat! Kostumi i qepur sipas porosisë ka ikur

Asnjë marrëveshje e bërë sipas porosisë për Mbretërinë e Bashkuar nëse dëshiron të ribashkohet me bllokun, thonë ish-zyrtarët e BE-së për Brexit-in. 

 

Britania nuk do të jetë në gjendje të ribashkohet me BE-në me kushtet e veçanta që gëzonte në të kaluarën, kanë thënë veteranët e negociatave të Brexit.

Paralajmërimet erdhën ndërsa politikanë të lartë të Partisë Laburiste që garojnë për udhëheqjen e partisë dhe vendit të tyre flasin hapur për dëshirën e tyre për t’u rikthyer në Unionin evropian në një moment në të ardhmen.

Georg Riekeles, një ish-këshilltar në taskforcën e BE-së për Brexit, tha se priste që shtetet anëtare të mbanin një qëndrim “shumë të ngrohtë dhe mikpritës”, por edhe një qëndrim “të vendosur” ndaj një aplikimi britanik për anëtarësim.

Ekziston një nevojë strategjike që BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të punojnë së bashku, por nuk mendoj se do të ketë një oreks për të hapur dekada të reja të jashtëzakonshmërisë britanike. Çmimi i rihyrjes do të ishte anëtarësimi në kushte normale.”, tha ai.

Gjatë 47 viteve të anëtarësimit në BE, Mbretëria e Bashkuar arriti një status të veçantë të paprecedentë: përjashtime nga politikat thelbësore, të tilla si monedha e vetme dhe zona pa pasaporta Shengen, si dhe një zbritje në pagesat e buxhetit të BE-së, ndërsa luajti një rol në përcaktimin e axhendës.

Sandro Gozi, ministri i Evropës i Italisë nga viti 2014 deri në vitin 2018, tha se “sigurisht që do të fillojmë” me ato kushte standarde, kur u pyet për anëtarësimin në euro dhe zonën Shengen në çdo negociatë rihyrjeje.

“Është e qartë se kostumi i qepur sipas porosisë ka ikur dhe është e qartë se negociatat e Mbretërisë së Bashkuar duhet të trajtojnë të gjitha çështjet që parashikohen për çdo kandidat.”

Gozi, tani eurodeputete dhe kryetare e delegacionit të parlamentit evropian në asamblenë e partneritetit parlamentar BE-Mbretëri e Bashkuar, parashikoi se vendet anëtare të BE-së do të mirëprisnin një kërkesë britanike për t’u ribashkuar pavarësisht pasigurisë së një mandati të mundshëm si kryeministër i Nigel Farage.

Wes Streeting argumentoi gjatë fundjavës se Mbretëria e Bashkuar duhet të ribashkohet me BE-në në të ardhmen. Edhe pse aleatët e ish-sekretarit të shëndetësisë thonë se kjo nuk mund të ndodhë pa zgjedhje ose referendum për të marrë lejen e votuesve britanikë, komentet e tij rindezën përçarjet e “fjetura” prej kohësh mbi Evropën në krye të partisë Laburiste në pushtet.

Andy Burnham, kryebashkiaku i Mançesterit të Madh, i cili po kërkon të kthehet në Westminster për të sfiduar kryeministrin, ka thënë më parë se dëshiron që Britania të ribashkohet me bllokun brenda jetës së tij. Megjithatë, të hënën ai sqaroi se nuk do të përpiqej ta bënte këtë të ndodhte nëse do të bëhej kryeministër në një afat të shkurtër.

Gozi tha: “[Brexit] ka qenë një katastrofë e madhe për Mbretërinë e Bashkuar, por ka qenë edhe një humbje për BE-në… Nëse në një moment të një trazire kaq të madhe globale, Mbretëria e Bashkuar vendos të kërkojë të ribashkohet me BE-në, mendoj se për modelin tonë politik do të ishte një fitore e madhe.”

Ministri i Jashtëm anglofil i Polonisë, Radosław Sikorski, e ka paralajmëruar gjithashtu Britaninë të mos presë një marrëveshje të ngjashme me “anëtarësimin e saj de facto à la carte” të së kaluarës. Elitat britanike, tha ai më parë këtë muaj, duhej të “internalizonin” marrëveshjen themelore evropiane “që të merrni më shumë përfitime në këmbim të bashkimit të disa aspekteve të sovranitetit”.

Tregjet globale të energjisë janë në prag të një katastrofe

Skenarët tani variojnë nga të këqij në të tmerrshëm, shkruan The Economist

Tregtarët e kontratave të së ardhmes për naftën priren të jenë optimistë. Më 17 prill, pasi ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit ishte “plotësisht e hapur”, çmimi i naftës Brent ra me 10%, në 90 dollarë për fuçi.

Brenda pak orësh, Irani ndryshoi qëndrim dhe sulmoi një tanker indian. Ditën tjetër të tregtimit, standardi global u rrit me vetëm 5%.

Që atëherë, çmimi është rritur ndjeshëm duke kaluar mbi 126 dollarë për fuçi, duke tejkaluar kulmin e fundit të marsit, edhe pse një bllokadë amerikane ka ndaluar qarkullimin e më shumë nafte në Gjirin Persik. Pak ditë më pas, nafta ra sërish nën 100 dollarë, pas lajmeve për një marrëveshje të mundshme.

Mbi pesëdhjetë ditë pas fillimit të luftës me Iranin, bota ka humbur 550 milionë fuçi naftë bruto nga Gjiri Persik, gati 2% të prodhimit global të vitit të kaluar. Çdo muaj që Hormuzi mbetet i mbyllur, botës i mungojnë 7 milionë tonë gaz natyror i lëngshëm (LNG), me vlerë sa 2% e furnizimit vjetor.

Megjithatë, në vendet perëndimore, ku ndodhen tregjet më të mëdha të kontratave të së ardhmes, ndikimi mbetet i kufizuar.

Benzina është pak më e shtrenjtë, por shumica e familjeve ende mund ta përballojnë përdorimin e makinës. Kamionët vazhdojnë të qarkullojnë. Avionët vazhdojnë të fluturojnë. Rezervat e karburantit mbeten pranë niveleve të paraluftës.

Kjo tablo qetësuese është thellësisht çorientuese. Deri më 20 prill, ato pak anije cisternë të naftës që kishin kaluar Hormuzin para fillimit të luftës arritën në destinacionet e tyre, në Malajzi dhe Kaliforni.

Nuk ka mbetur më asnjë amortizator për ta mbrojtur botën nga goditja e furnizimit, në një periudhë të vitit kur kërkesa nga drejtuesit e makinave që udhëtojnë për pushime nis të rritet.

Për të matur sa pranë katastrofës energjetike është bota, The Economist ka studiuar një grup treguesish. Ai tregon se dëmi i rëndë tashmë është bërë.

Edhe më keq, pa një rihapje, kostot mund të rriten ndjeshëm, duke shkaktuar ngjarje që mund ta paralizojnë sistemin e karburanteve. Rihapja e ngushticës tani do ta shmangte, vetëm për pak, katastrofën. Por një pjesë e ndikimit negativ shtesë tashmë është i pashmangshëm.

Tre faktorë po e shtyjnë botën drejt buzës së greminës. Ngarkesat e naftës të disponueshme për blerje po bien ndjeshëm. Rafineritë po ulin prodhimin e karburanteve.

Dhe kërkesa mbetet artificialisht e lartë, sidomos në Europë. Që tregjet e energjisë të ekuilibrohen, diku në një treg të madh duhet të ndodhë diçka e rëndësishme.

Së pari, tregtia. Një nga arsyet pse goditja më e madhe e furnizimit në historinë e naftës nuk ka shkaktuar panik global është se një sasi thuajse rekord nafte ishte në det kur nisi lufta. Ndërsa anijet luftarake amerikane u nisën drejt Gjirit Persik në shkurt, vendet e rajonit rritën eksportet.

Pas dërgesave të fundit, këto rezerva shtesë në det janë shteruar. Po kështu edhe shumica e ngarkesave të naftës iraniane dhe ruse, të cilat qëndronin në det në pritje, por gjetën blerës pasi Amerika lehtësoi sanksionet ndaj dy vendeve.

Volumet totale në det kanë rënë me shpejtësi rekord. Për karburantin e avionëve dhe benzinën, ato janë shumë poshtë normave historike dhe ndoshta pranë minimumit të nevojshëm që tregtia detare të funksionojë (shih grafikun 1, paneli i sipërm).

Kjo e lë Azinë, e cila dikur merrte katër të pestat e eksporteve të Gjirit Persik, në një pozitë veçanërisht të vështirë. Inventarët tregtarë në disa vende të tjera aziatike po bien ndjeshëm. Koreja e Jugut pritet të ulë në ditët në vijim lëshimet nga rezervat strategjike.

Ato të Japonisë do të shterojnë në maj. Rezervat e naftës bruto në Azi, pa përfshirë Kinën, ranë me 67 milionë fuçi, ose 11%, në muajin deri më 19 prill, sipas Kayrros, një kompani që vlerëson inventarët përmes imazheve satelitore.

Mungesa e lëndës së parë i ka detyruar rafineritë aziatike të ulin përpunimin me mbi 3 milionë fuçi në ditë, ose 10% të kapacitetit të tyre të kombinuar.

Kjo mund të përshpejtohet në 5 milionë fuçi në ditë në maj dhe, nëse ngushtica mbetet e mbyllur, në 10 milionë fuçi në ditë në korrik, thotë Neil Crosby nga Sparta Commodities, një kompani të dhënash. Kina mund të ndihmonte duke liruar një pjesë të 1.3 miliardë fuçive naftë bruto që mban në rezervë.

Në vend të kësaj, ajo ka pezulluar eksportet e produkteve të rafinuara. Një tregtar i njohur me strategjinë e saj energjetike mendon se ajo nuk do t’i hapë rubinetet përpara një armëpushimi të qëndrueshëm.

E gjithë kjo i rëndon mungesat e krijuara nga humbja e eksporteve të Gjirit të karburanteve të përfunduara, nga të cilat varet gjithashtu Azia.

Çmimet e karburanteve të rafinuara janë tashmë të larta. Në tregjet e tregtimit aktuale në Azi, benzina iu afrohet 120 dollarëve për fuçi, nafta 175 dollarëve dhe karburanti i avionëve 200 dollarëve, nga përkatësisht 80, 93 dhe 94 dollarë para luftës.

Kërkesa po përshtatet, pjesërisht me vendime qeveritare. Shtatë vende kanë vendosur detyrim për punë nga shtëpia dhe të paktën pesë po racionojnë karburantin për automjete.

Çmimet e larta po bëjnë gjithashtu pjesën e tyre. Miniera të vogla, peshkarexha dhe kompani të tjera pa rezerva të mjaftueshme nafte po punojnë me kohë të pjesshme. Përballë pamundësisë për të përballuar çmimin e naftës së lehtë, disa prodhues të plastikës kanë mbyllur njësi prodhimi.

Kombinimi i racionimit shtetëror dhe atij të vetëimponuar mund të bëjë që kërkesa aziatike për naftë bruto të tkurret me gati 3 milionë fuçi në ditë në prill, krahasuar me shkurtin.

Europa deri tani e ka shmangur rënien e fortë të kërkesës, pasi qeveritë po përpiqen të ruajnë fuqinë blerëse të qytetarëve. Nga 27 vendet e Bashkimit Europian, 16 po përdorin paratë e taksapaguesve ose po ulin taksat mbi karburantet për t’i mbrojtur konsumatorët nga çmimet më të larta.

Për këtë arsye, rafineritë europiane pothuajse nuk e kanë ulur prodhimin. Por, ashtu si homologet e tyre aziatike, edhe ato duhet të blejnë naftë bruto me një kosto shumë më të lartë nga sa sugjerojnë kontratat e së ardhmes për Brent.

Një matës më i mirë është Brent i datuar, çmimi për ngarkesat reale që dorëzohen gjatë javëve të ardhshme. Diferenca mes të dyjave, zakonisht 1 deri në 2 dollarë, u zgjerua shumë në prill, duke reflektuar frikën për mungesa afatshkurtra, sipas Platts, që përpilon këtë standard referues (shih grafikun 1, paneli i poshtëm).

Ajo është ngushtuar që atëherë, por mbetet më e madhe se zakonisht dhe nuk përfshin tarifat e larta të transportit detar dhe kosto të tjera.

Lënda e parë me 130 deri në 150 dollarë për fuçi i ka shtyrë marzhet e rafinerive europiane në territor negativ, vlerëson Benedict George nga Argus Media, një agjenci raportimi çmimesh (shih grafikun 2, paneli i sipërm).

Backwardation ekstrem, situata kur çmimet aktuale të mallrave janë shumë më të larta se ato të kontratave të së ardhmes, ua ul fitimet: ato duhet të paguajnë shtrenjtë për naftën bruto tani, por i shesin produktet e tyre me çmime më të ulëta të kontratave të së ardhmes. Së shpejti, do të duhet të ulin prodhimin.

Nëse Europa vazhdon të subvencionojë konsumin, tregjet do të çrregullohen edhe më shumë. Së pari, çmimet e produkteve do të vazhdojnë të rriten. Amerika, ku kërkesa priret të kërcejë gjatë periudhës së udhëtimeve verore me makinë, do t’i shtyjë ato edhe më lart.

Konkurrenca për LNG-në, mungesa e së cilës deri tani është përthithur kryesisht nga vetëkufizimi i konsumatorëve aziatikë dhe kalimi te qymyri, do të rritet gjithashtu kur Europa të nisë rimbushjen e rezervave të gazit për dimër.

Rezervat që po shterojnë me shpejtësi e përkeqësojnë situatën. Rezervat e Europës për karburantin e avionëve mbulojnë rreth 50 ditë konsum, niveli i tyre mesatar.

Por modelimi i Michelle Brouhard nga Kpler, një kompani të dhënash, për The Economist tregon se rezervat europiane do të bien me shpejtësi nëse flukset përmes Hormuzit nuk normalizohen deri në qershor. Ato në rajone të tjera importuese mund të zhduken edhe më shpejt (shih grafikun 2, paneli i poshtëm).

Perspektiva mund të përkeqësohet nëse Amerika, në përpjekje për të frenuar çmimet e brendshme, ndjek shembullin e Kinës dhe ndalon eksportet e produkteve të rafinuara, të cilat janë rritur me gati gjysmën që nga fillimi i luftës.

Tregjet e kontratave të së ardhmes po e mohojnë gjithë këtë. Edhe nëse Hormuzi do të rihapej sot, do të duheshin muaj që prodhimi i naftës bruto në Gjirin Persik, transporti detar dhe rafinimi të rifillonin plotësisht.

Saad Rahim nga Trafigura, një kompani tregtare, mendon se një humbje kumulative prej 1.5 miliardë fuçish nga Gjiri, ose 5% e prodhimit vjetor global, është pothuajse e pashmangshme.

Nëse ngushtica mbetet e mbyllur, ajo lehtësisht mund të arrijë dyfishin. Hera e fundit kur kërkesa për naftë ra me 10% brenda një kohe të shkurtër ishte gjatë izolimeve të Covid-19 në vitin 2020, një goditje që solli gjithashtu një rënie të PBB-së botërore me më shumë se 3%. Koha për të shmangur një rrëzim të ngjashëm po mbaron. syri.net

Sulm masiv me dronë në Moskë dhe zonat përreth, të paktën 3 persona humbën jetën

Dhjetëra dronë ukrainas janë lëshuar gjatë natës mbi Moskë dhe rajonin përreth, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe disa dhjetëra të plagosur. Autoritetet ruse e kanë cilësuar sulmin si një nga më të mëdhenjtë ndaj kryeqytetit rus që nga nisja e luftës.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, deklaroi se bëhej fjalë për një sulm “në shkallë të gjerë”, ndërsa sipas autoriteteve mbi 70 dronë janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse.

Sulmi ka shkaktuar edhe shumë të plagosur. Sipas mediave ruse, 12 punëtorë në një kantier ndërtimi në Moskë mbetën të lënduar, ndërsa persona të tjerë u plagosën në zona të ndryshme përreth kryeqytetit. bw

Vritet kreu i krahut të armatosur të Hamasit, Al-Haddad deklarohet i vdekur! Ishte truri i sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit

Ushtria izraelite konfirmoi sot se kreu i krahut të armatosur të Hamasit, i cili u paraqit si një nga trurin kryesor të sulmit të paprecedentë më 7 tetor 2023 nga luftëtarët e lëvizjes islamiste palestineze ndaj Izraelit, u vra në një sulm izraelit dje, të premten, në Rripin e Gazës.

 

Ushtria izraelite dhe Shin Bet, agjencia e inteligjencës izraelite, “njoftojnë se terroristi Izz al-Din al-Haddad është neutralizuar”, sipas një deklarate të lëshuar, ndërsa ky informacion u konfirmua për AFP nga zyrtarë të Hamasit.

Më parë, dëshmitarë në qytetin e Gazës  thanë se xhamitë në pjesën veriore të qytetit njoftuan se komandanti i krahut ushtarak të Hamasit ishte “martirizuar”.

Ai ishte zyrtari më i lartë i Hamasit që u vra nga zjarri izraelit që nga një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të në Gaza në tetor. Panorama

“Pika pa kthim” 36 vende i bashkohen gjykatës speciale për të ndjekur penalisht Vladimir Putinin për agresionin në Ukrainë

36 vende, kryesisht nga Evropa, kanë nënshkruar një gjykatë të posaçme për të ndjekur penalisht presidentin rus Vladimir Putin për krimin e agresionit kundër Ukrainës, selia e së cilës do të jetë në qytetin holandez të Hagës.

Premtimi i përbashkët u formalizua të premten gjatë takimit vjetor të ministrave të punëve të jashtme të Këshillit të Evropës, një organizatë për të drejtat e njeriut që ka marrë drejtimin në adresimin e boshllëkut juridiksional të lënë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN).

Ministrat miratuan një rezolutë që përcakton strukturën dhe funksionet e komitetit të menaxhimit që do të mbikëqyrë gjykatën. Ndër detyrat e tij, komiteti do të miratojë buxhetin vjetor, do të miratojë rregullat e brendshme dhe do të zgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët. Vendet angazhohen të respektojnë pavarësinë e procedurave gjyqësore.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili mori pjesë në ceremoni, e përshëndeti momentin si “pikën pa kthim” në kërkimin shumëvjeçar për përgjegjësi.

“Tribunali Special bëhet një realitet ligjor. Shumë pak veta besonin se kjo ditë do të vinte. Por ndodhi”, tha Sybiha në mediat sociale, duke evokuar frymën e gjyqeve precedente të Nurembergut që nxorën në gjyq udhëheqësit mbijetues të Gjermanisë naziste.

“Putini gjithmonë ka dashur të hyjë në histori. Dhe kjo gjykatë do ta ndihmojë atë ta arrijë këtë. Ai do të hyjë në histori. Si kriminel”, shtoi ai.

Rezoluta e së premtes u nënshkrua nga Andorra, Austria, Belgjika, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Republika e Moldavisë, Monako, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Australia dhe Kosta Rika ishin të vetmet nënshkruese jo-evropiane.

Bashkimi Evropian gjithashtu e mbështeti iniciativën, edhe nëse katër nga shtetet anëtare të saj, Bullgaria, Hungaria, Malta dhe Sllovakia, nuk i shtuan emrat e tyre në rezolutën e së premtes.

Lista mbetet e hapur për vende të tjera, evropiane dhe jo vetëm, që të bashkohen.

Alain Berset, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, u bëri thirrje pjesëmarrësve të përfundojnë procedurat e tyre legjislative dhe të ndajnë fondet e nevojshme për të siguruar që gjykata të fillojë punën sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja ka angazhuar tashmë 10 milionë euro.

Mungesa e angazhimit të SHBA-së nën presidencën e Donald Trump ka ngritur më parë shqetësime në lidhje me mungesat buxhetore. Përpjekjet e Trump për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë kanë hedhur gjithashtu dyshime mbi qëllimin kryesor të gjykatës: një draft i diskutueshëm me 28 pika vitin e kaluar hodhi idenë e një amnistie të përgjithshme për krimet e luftës.

“Koha që Rusia të mbajë përgjegjësi për agresionin e saj po afron me shpejtësi. Rruga përpara nesh është ajo e drejtësisë dhe drejtësia duhet të triumfojë”, tha Berset në takim.

Tribunali do të plotësohet nga Regjistri i Dëmeve, i cili mbledh kërkesat e paraqitura nga viktimat e agresionit të Rusisë, dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kërkesave, i cili do t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe do të vendosë për pagesën e duhur. bw

Përfundon vizita e Trumpit në Kinë, Xi Jinping: Historike, të zbatohen dakordësitë e arritura! Presidenti i SHBA-ve: Takim i suksesshëm

Presidenti amerikan Donald Trump është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit me avionin presidencial Air Force One, duke përmbyllur vizitën e tij zyrtare në Kinë.

 

Ceremonia e përcjelljes u zhvillua me tapet të kuq, ndërsa Trump kaloi pranë rreshtave të ushtarëve kinezë që qëndronin në pozicion nderi dhe studentëve që valëvitnin njëkohësisht flamujt e Kinës dhe të SHBA-së.

Gjatë përshëndetjes me zyrtarët kinezë, Trump u pa duke kapur miqësisht nga supet ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, të cilit i dha një përshëndetje miqësore para nisjes.

Presidenti kinez Xi Jinping e cilësoi vizitën si “historike dhe me rëndësi të veçantë”, duke deklaruar se dy liderët kanë krijuar “një pozicionim të ri për marrëdhënie konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme” mes dy vendeve.

“Presidenti Trump dëshiron ta bëjë Amerikën sërish të madhe, ndërsa unë jam i përkushtuar të udhëheq popullin kinez drejt rilindjes së madhe të kombit kinez”, tha Xi, duke shtuar se të dyja palët duhet të zbatojnë “konsensusin e rëndësishëm” të arritur gjatë takimeve.

Nga ana tjetër, Trump e përshkroi vizitën si “shumë të suksesshme, të njohur në mbarë botën dhe të paharrueshme”. Ai e quajti Xi Jinping “një mik të vjetër”, duke shtuar se ka “respekt të madh” për presidentin kinez.

“Jam i gatshëm të vazhdoj komunikimin e sinqertë dhe të thelluar me presidentin Xi Jinping dhe pres me kënaqësi ta pres atë në Uashington”, deklaroi Trump. Panorama


Send this to a friend