VOAL

VOAL

UNDP: Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve i vështirë por i domosdoshëm

February 14, 2020

Komentet

Prestigjiozja gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”: Rama përballet me revoltën e Gjeneratës Z! Kryeministri akuzohet për klientelizëm dhe komercializim të natyrës

Teksa shënohet sot dita e 42-të e protestave mbarëqytetare kundër qeverisë Rama, prestigjiozja gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” i ka kushtuar një artikull Revolucionit të Flamingove.

Artikulli e paraqet Shqipërinë si një vend të përfshirë mes zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe rritjes së tensioneve politike. Në qendër të tij është kryeministri Edi Rama, qeveria e të cilit, për shkak të mbështetjes për projektet luksoze të turizmit, ka nxitur një nga lëvizjet më të mëdha protestuese të viteve të fundit.

Protestat nisën në kryeqytet, Tiranë, dhe udhëhiqen kryesisht nga të rinj të Gjeneratës Z. Protestuesit e quajnë veten “Lëvizja Flamingo”, duke marrë emrin nga flamingot që jetojnë në Lagunën e mbrojtur të Nartës, ku planifikohen zhvillime të mëdha turistike. Këta zogj janë kthyer në simbol të rezistencës ndaj asaj që demonstruesit e cilësojnë si korrupsion, klientelizëm dhe komercializim të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.

Shkaku i menjëhershëm i protestave ishte shpallja e dy projekteve për resorte luksoze, të mbështetura nga Jared Kushner përmes kompanisë së tij të investimeve, Affinity Partners. Projektet, të planifikuara në Gadishullin e Zvërnecit dhe në ishullin e afërt të Sazanit, mund të përfshijnë investime deri në 4 miliardë euro dhe parashikojnë ndërtimin e hoteleve me pesë yje, vilave luksoze, apartamenteve, marinave dhe strukturave turistike të nivelit të lartë. Zemërimi publik u shtua pasi personeli i sigurisë u përball me protestuesit në një nga kantieret e ndërtimit, ndërsa videot e incidentit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

Artikulli i vendos këto zhvillime në kontekstin më të gjerë të transformimit të Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist. Nën diktatorin Enver Hoxha, Shqipëria mbeti për më shumë se katër dekada një nga vendet më të izoluara në botë. Varfëria ekstreme, represioni politik, kampet e punës dhe qindra mijëra bunkerë prej betoni ishin tiparet karakteristike të regjimit. Rimëkëmbja nga kjo trashëgimi kërkoi dekada rindërtimi ekonomik.

Sot, Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Mesdhe. Numri i vizitorëve ndërkombëtarë është trefishuar afërsisht gjatë dekadës së fundit dhe turizmi përbën tashmë rreth një të katërtën e ekonomisë së vendit. Që nga ardhja në pushtet e Edi Ramës në vitin 2013, ekonomia shqiptare është zgjeruar ndjeshëm, me turizmin si motorin kryesor të këtij zhvillimi.

Megjithatë, sipas artikullit, zgjerimi i shpejtë ka nxjerrë në pah edhe probleme serioze. Qytetet bregdetare janë përballur me ndërtime të pakontrolluara, mbipopullim gjatë sezonit veror, presion në rritje mbi infrastrukturën dhe dëmtim të mjedisit. Konkurrenca për burimet e kufizuara të ujit të ëmbël është bërë veçanërisht e fortë, duke vënë përballë nevojat e industrisë së turizmit me mbrojtjen e mjedisit dhe interesat e komuniteteve lokale.

Vëmendje e veçantë i kushtohet lumit Vjosa dhe Lagunës së Nartës, një prej ekosistemeve më të vlefshme të Shqipërisë, ku jetojnë flamingo, pelikane dhe shumë lloje të tjera shpendësh. Edhe pse qeveria shqiptare e shpalli Vjosën park kombëtar në vitin 2023, më vonë Kuvendi ndryshoi legjislacionin mjedisor për të lejuar, në kushte të caktuara, zhvillimin e projekteve të konsideruara me “rëndësi strategjike” edhe brenda zonave të mbrojtura. Organizatat mjedisore argumentojnë se këto ndryshime dobësojnë ndjeshëm mekanizmat e mbrojtjes së natyrës.

Edhe Bashkimi Evropian i ka kushtuar vëmendje kësaj çështjeje. Parlamenti Evropian ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi për miratimin e ndërtimeve dhe zhvillimeve të reja në zonat e mbrojtura, derisa legjislacioni shqiptar të jetë plotësisht në përputhje me standardet mjedisore të BE-së. Kjo çështje merr rëndësi edhe më të madhe, pasi Edi Rama e ka shpallur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 si një nga objektivat kryesore politike të qeverisë së tij.

Protestat pasqyrojnë gjithashtu shqetësime më të gjera për mënyrën e qeverisjes. Disa nga aleatët më të afërt politikë të Ramës, përfshirë ish-zëvendëskryeministra dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë përballur me hetime nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit. Edhe pse vetë Rama nuk është akuzuar, kritikët argumentojnë se këto hetime forcojnë perceptimin për klientelizëm politik dhe korrupsion të rrënjosur në institucione.

Një element i rëndësishëm është se Lëvizja Flamingo shpreh pak besim edhe te opozita tradicionale. Shumë protestues refuzojnë si Partinë Socialiste në pushtet, ashtu edhe Partinë Demokratike në opozitë, duke argumentuar se Shqipërisë nuk i duhet thjesht një ndërrim qeverie, por një transformim i thellë i sistemit politik.

Rama i ka hedhur poshtë me vendosmëri thirrjet për dorëheqje, duke këmbëngulur se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve dhe jo protestave në rrugë. Ai argumenton se projektet e Kushner nuk kanë marrë ende miratimin përfundimtar dhe se refuzimi i miliarda eurove investime të huaja do të nënkuptonte humbjen e një mundësie për ta shndërruar një pjesë të bregdetit shqiptar në një destinacion turistik të klasit botëror. Po ashtu, ai hedh poshtë pretendimet se këto projekte mund të dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Artikulli përfundon pa dhënë një përgjigje për pyetjen kryesore: nëse Lëvizja Flamingo përfaqëson fillimin e një zgjimi të qëndrueshëm politik të të rinjve në Shqipëri, apo nëse lidershipi afatgjatë i Edi Ramës do t’u mbijetojë protestave. Në një kuptim më të gjerë, ai e paraqet këtë përplasje si një provë vendimtare për mënyrën se si Shqipëria do të arrijë të balancojë zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe llogaridhënien demokratike në vitet e ardhshme.

Ish-ministrja gjermane e Mjedisit mesazh protestuesve në Shqipëri: Shumë mirë që protestoni! Solidaritet me mbrojtësit e natyrës

Steffi Lemke, ish-ministrja e Mjedisit në Gjermani dhe deputetja aktuale në Bundestag  ka shprehur mbështetjen e saj për protestat që po zhvillohen në Shqipëri për dorëheqjen e Ramës.


Steffi Lemke  shkroi se protestat kundër projekteve të diskutueshme të ndërtimit në Shqipëri vijojnë dhe se kjo është një gjë pozitive. Deputetja gjermane deklaroi se dëshiron të shprehë sërish solidaritetin e saj me aktivistët shqiptarë të mjedisit dhe natyrës, të cilët sipas saj po dalin në rrugë për të mbrojtur natyrën unike dhe vendin e tyre.

“Në Shqipëri protestat kundër projekteve të diskutueshme të ndërtimit vazhdojnë ende. Kjo është një gjë e mirë! Dua të shpreh edhe një herë solidaritetin tim me të gjithë mbrojtësit shqiptarë të mjedisit dhe natyrës, të cilët dalin në rrugë për të mbrojtur natyrën e tyre unike dhe atdheun e tyre. ”, shkruan deputetja.

Reagimi vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat e quajtura “Revolucioni Flamingo”, të nisura fillimisht kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura, veçanërisht në zonën e Vjosë-Nartës, por që më pas janë shtrirë edhe në kërkesa më të gjera politike dhe kundër korrupsionit. gsh

Çfarë duan sorrat dhe korbat, që nuk mund ta ofrojnë grabitqarët socialistë?- Nga IRENA BEQIRAJ

 

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht

Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare”.

Këtë pasazh e lexova në statusin e një mikut tim deputet socialist të cilit i shkrova- “mblidhi mend se jeni bërë për t’u lidhur !”  Kam një lloj ligështie ndaj çdo do ligësie sidomos kur prej pamundësisë ajo përdoret për t’iu arratisur thelbit, ndaj po i ve gjuhës fre këtë herë por, po marr mundimin t’i shpjegojë mikut tim edhe çdo burri apo gruaje në atë organizatë të gangrenizuar nga paaftësia edhe ligësia, se çfarë duan sorrat dhe korbat, që nuk mund ta ofrojnë grabitqarët socialistë?

Duan çmimet e ushqimeve në Shqipëri të mos jenë 3.8% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat janë sa 41% e mesatares së BE-së!

Duan që çmimet e larta të ushqimeve të mos u ‘rrëmbejnë’ 39.6% të buxhetit të familjeve shqiptare, ose gati 3 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian.  Duan që kequshqyerja në Shqipëri të mos jetë më e larta në Europë për më tepër të mos jetë në rritje .

Nga të dhënat e FAO-s “sorrat edhe korbat” kanë mësuar që në fillim të qeverisjes së grabitqarëve socialiste 2014–2016, prevalenca e kequshqyerjes ishte 4.5%. Pas viteve 2019–2020 prevalenca e kequshqyerjes arrin në 5.4% për vitet 2020–2021 u rritur më tej në 5.8% duke shënuar një kulm të ri në 6.2% në periudhën 2021–2023.

Duan që 19.2 % e shqiptarëve (ose 1 në 5 shqiptar ) të mos jetojnë në kufirin absolut të varfërisë ose me një të ardhur mesatare mujore nën 27,028 lekë për një individ . Duan që , 40.5% e popullsisë ( gati 1 në 2 shqiptarë ) të mos jetojë nën kufirin relativ ose në rrezik varfërie apo përjashtimi social, sepse dreqi e morri këto shifra janë më e lartat në Europë.

Por nuk ka shqiptarë që nuk e di se pse ju “kuç e me maç” jeni vënë në mbrojtje të një koncerti privat . Ekonomia e konsumit që keni ndërtuar nuk mund të mbijetojë pa koncerte, pa kazino, pa paranë e pisët. Vizioni socialist i ekonomisë së bazuar në konsum ose “bukës edhe cirkut” ku dominon shitja me pakicë, mikpritja, argëtimi , ku importohet thuajse çdo gjë edhe prodhohet asgjë; ku varësia nga zinxhirët globalë të furnizimit është e dukshme , ku mungesa e elasticitetit rrit ndjeshmërinë ndaj inflacionit, rritjes së normave të interesit dhe sentimentit së konsumatorit ka nevojë për nxitjen e kërkesës ka nevojë për koncerte , ka nevojë për cirk, ndaj zabrahanisni ku të mundni në kurriz të taksapaguesve.

Por edhe pse halli juaj është i dukshëm , dhe diareja juaj orale irrituese , ky koncert edhe njëmijë të tjerë nuk e ndryshojnë dot faktin që në jetojmë në një vend me mundësi të pabarabarta në arsim dhe shëndetësi, vende pune me paga të ulëta dhe produktivitet të ulët, tregje që nuk funksionojnë siç duhet, edhe korrupsion.

Në këto rreshta të gjitha shifrat janë zyrtare , ndaj sido që t’i quani ata që kërkojnë një qeverisje më të mirë, kjo nuk e zbeh faktin që ju keni ndërtuar një ekonomi grabitqare. Ju të gjithë pa më të voglin përjashtim keni kohë që dini se jeni bërë për t’u lidhur , por ju nuk e prisnit reagimin, ndaj keni lëshuar gjuhën !

BIRN: Sa mund të jetë sasia e parave të drogës në ekonominë shqiptare?!

Ndërsa qeveria ka kaluar nga mohimi total te relativizimi i problemit të pranisë së parave të drogës në ekonominë shqiptare, një vlerësim i mbështetur te dosjet hetimore të SPAK mbi sasitë e kapura sugjeron për volume parash në rendin e qindramilionëve, e ndoshta edhe të miliarda eurove.

Në tetor të vitit 2022, kryeministri Edi Rama përdori fjalën “broçkulla” për t’iu përgjigjur aludimeve se paratë e drogës po qarkullohen në sektorin shqiptar të ndërtimit. Në atë fjalim, Rama dha si shembull për argumentin e tij, informacionin se një bankë e nivelit të dytë pati blerë një kat në kullën Down Town 1.

Disponimi nga kryeministri i një informacioni kaq specifik, kush ka blerë çfarë në një pallat në Tiranë, shkaktoi goxha habi, pasi Rama në mënyrë të përsëritur e ka mbrojtur veten nga skandalet e ndryshme të zyrtarëve të tij me argumentin se nuk dinte gjë, dhe se nuk mban dot përgjegjësi për korrupsionin e të tjerëve.

Gjithsesi, pas zbulimit nga ana e SPAK të disa çështjeve veçanërisht të bujshme në pastrimin e parave në kullat në qendër të Tiranës, zyra e kryeministrit iu përgjigj një mediaje të huaj duke argumentuar se po, në Tiranë ka pastrim parash, por, sipas vlerësimit të kësaj zyre, jo në përmasa të jashtëzakonshme. Sipas kryeministrit, pastrime të tilla parash ka kudo nëpër botë, fjala vjen, në Londër.

Të dhënat e agjencive ligjzbatuese në fakt sugjerojnë se, nëse marrim parasysh sasinë e drogës së kapur, dhe supozimin jo të paarsyeshëm se disafish më shumë drogë nuk është arritur të kapet, si dhe duke shumëzuar këto disafishët me çmimin e tregut me shumicë, mund të arrihet në një vlerësim shumë të përciptë mbi sasinë e parave që organizatat kriminale qarkullojnë.

Normalisht që jo të gjitha paratë e trafikut të drogës vijnë në Shqipëri. Megjithatë, tonelatat me kokainë të identifikuara nga SPAK, që i përkasin periudhës nëntor 2019 – prill 2021, si dhe të dhënave mbi periudhën e kultivimit të cannabisit, 2015-2016, duket se flasin për një sasi aq të madhe miliardash sa, edhe nëse një pjesë fare e vogël e tyre të mbërrijë në Shqipëri, mjaftojnë për të krijuar një plutokraci droge në vend.

Dosjet e SPAK

Më 16 qershor, Prokuroria e Posaçme njoftoi përfundimin e hetimit dhe dërgimin për gjykim të një grupi trafikantësh shqiptarë. Sipas njoftimit [link] pesë operacione të trafikimit nga ky grup kanë dështuar për periudhën nëntor 2019 – prill 2021, ndërsa sasia totale e drogës së trafikuar, për aq sa mund të kuptohet nga komunikimet e Sky ECC mbi të cilat mbështetet kjo dhe shumë dosje të tjera hetimore, arrijnë në “së paku 50 tonë”.

Personazhet kryesore në këtë grup janë vëllezërit Aliu dhe vëllezërit Bibaj, nënstrukturat kyçe të trafikimit dhe pastrimit të parave.  Njoftimi sjell të reja në krahasim me njoftimet e mëparshme për dy gjëra: e para, kemi një vlerësim të sasisë së drogës që dyshohet se është trafikuar, pra, vlerësimit se së paku 50 tonë kanë dalë nga Amerika Latine për në Evropë. E dyta, SPAK dha një vlerësim për 491 pronat që u identifikuan si produkte të parave të fituara nga trafiku i drogës, dhe vlerësimi është që këto prona kushtojnë “rreth 150 milionë euro”.

Sasia e drogës së trafikuar dhe vlera e pasurive të sekuestruara është një hamendësim i informuar. Prokurorët e SPAK nuk kanë mundësinë të dinë saktësisht se sa është sasia e trafikuar, nuk kanë mundësinë të dinë saktësisht sa janë kostot dhe sa është çmimi i shitjes dhe nuk ka se si ta dinë saktësisht vlerën e pronave të sekuestruara.

Nëse marrim parasysh të gjitha këto hamendësime, mundet gjithsesi të nxjerrim disa konkluzione, pavarësisht marzhit të lartë të gabimit.

Një dosje tjetër e SPAK, e hetuar gjithashtu falë dokumentimit të aktivitetit që trafikantët i bënë punës së vet në SkyECC, thotë se kokaina del nga vendet e Amerikës Latine me zakonisht 7 mijë dollarë për kilogram. Një e katërta e sasisë së trafikuar ose një e treta, përdoret për të paguar transportin. Nëse organizatat e specializuara për këtë hallkë të trafikut korruptojnë zyrtarët e porteve nisëse dhe sigurojnë dorëzimin e drogës në Evropë, ata marrin, në pikën e daljes, një të katërtën ose një të tretën e të gjithë sasisë së trafikuar.

Trafikantët përdorin termin “me shtet” për të cilësuar nëse droga po trafikohet në këtë mënyrë. Nëse droga trafikohet fshehurazi, trafikantët përdorin termin “në ujë” për ta përshkruar operacionin. Në këtë rast i duhet dikush në Evropë që të hyjë në port e ta marrë. Operacioni i grabitjes së drogës nga konteinerët e mallrave konsiderohet shumë i rrezishëm. Njerëzit që e marrin përsipër rrezikojnë burgun për goxha kohë përkundrejt një shpërblimi të majmë, që në një rast të dokumentuar arrin në 30 apo edhe më shumë përqind nga droga e trafikuar.

Nëse zbatojmë të njëjtën logjikë për të gjitha ngarkesat, atëherë mund të themi se kostoja që trafikantët kanë për blerjen dhe transportin e drogës deri në Evropë është afërsisht 10 mijë euro për kilogram. Trafikantët kanë pasur humbje nga sasia prej 50 tonë, afërsisht nëntë tonë që janë kapur nga agjencitë ligjzbatuese gjatë kësaj periudhe. Kjo do të thotë që kostoja totale e trafikimit të pesëdhjetë tonëve është rritur për shkak të humbjeve nga kapjet me 18%.

Në shumë prej dosjeve prokurorët vlerësojnë se çmimi i shitjes me shumicë të një kilogrami kokainë në Evropë, pasi ka dalë nga portet, varion nga 25 mijë në 30 mijë euro.

Nëse marrim parasysh çmimin e blerjes me shumicë, koston e transportit dhe humbjet nga droga e kapur, mundemi të llogarisim se trafikantëve u kanë mbetur 41 tonë drogë për shitje me vlerë totale që mund të luhatet nga 1 miliardë deri në 1.2 miliardë. Ndërsa kostoja e operacioneve, ku përfshihet blerja në Amerikën Latine, transporti dhe humbjet, duket se kanë qenë rreth 600 milionë euro, ku 350 milionë ka kushtuar droga, 150 milionë transporti dhe 100 milionë humbjet nga sasitë e sekuestruara.

Në fund të operacioneve, grupi në fjalë duhet të ketë pasur nëpër duar 400 deri në 600 milionë euro. Këto hamendësime i përkasin vetëm periudhës nëntor 2019 – prill 2021, periudhë gjatë së cilës trafikantët përdorën SkyECC pa pasur dijeni se komunikimet e tyre po përgjoheshin. Ne e kemi të pamundur të hamendësojmë nëse operacionet e tyre kanë qenë me të njëjtin intensitet për periudhën pas prillit 2021 ose para nëntorit 2019.

Grupi në fjalë është një nga shumë grupe të trafikut ndërkombëtar të drogës në sasi të mëdha të identifikuara nga SPAK, grupe të cilat, dukshëm kanë preferuar Shqipërinë si vendin e sigurt ku të mbajnë paratë e fituara nga këto aktivitete.

Grupit në fjalë iu identifikuan në pronësi të drejtpërdrejtë 491 prona me vlerë 150 milionë euro. Supozim i arsyeshëm është që prokurorët nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë të gjitha pronat e lidhura me grupin. Të dhënat nga dosjet sugjerojnë se një mënyrë e preferuar e trafikantëve për të maskuar pronat e veta është përmes emrave të pronarëve fasadë, qytetarë që ekzistojnë ose që nuk ekzistojnë fare, por që kanë emrin si pronarë asetesh të ndryshme. Me një fjalë, shifra prej 150 milionë euro duhet të shikohet si minimum. Shifra e saktë e parave të grupit të qarkulluara në ekonominë shqiptare është logjikisht më e lartë se sa kaq.

Pak ditë më herët, në datën 12 qershor, SPAK kreu një goditje tjetër masive ndaj pastrimit të parave të drogës. Në atë rast u goditën vëllezërit Koçeku, të cilët trafikonin drogë dhe ndërtuesi Ilir Shtufi, i cili kishte hapur kompanitë e tij, të njohura për disa prej kullave më ikonike në Tiranë, për pastrimin e parave të tyre. GJKKO ka dhënë tre vendime për sekuestro paraprake. Për njërin vendim, vlera e aseteve të sekuestruara arrin në 128.4 milionë euro. Për dy vendimet e tjera nuk ka të dhënë për vlerën totale të parave dhe pronave të sekuestruara, por listat e gjata të pronave të patundshme, kompanive apo llogarive bankare sugjerojnë se bëhet fjalë për pasuri në rendin e dhjetëramiliona eurove.

SPAK ka goditur deri tani edhe shumë grupe të tjera, për të cilat jepen të dhëna vetëm për sasinë e drogës së sekuestruar të identifikuar, por jo të dhëna për sasinë totale të dyshuar të trafikuar dhe as për pasuritë e blera me këto para.

Grupi Çela-Balla, i goditur verën e vitit 2025, lidhen me trafikimin e 11.6 tonëve kokainë të sekuestruara, ndërsa një grup tjetër i njohur si vëllezërit Hoxhosmani dhe Plaurent Dervishaj janë akuzuar si të lidhur me 4.7 tonë të trafikuara dhe të sekuestruara. Një grup tjetër [link] akuzohet si përgjegjës për 3.6 tonë kokainë të kapur.

Duhet të theksohet se të gjitha këto sasi i përkasin viteve 2020-2021.

Sipas shembullit të grupit Aliu-Bibaj, në aktivitetet e të cilit humbej 18% ose afro një e pesta e të gjithë drogës së trafikuar, është e mundur të ekstrapolojmë se këto grupet e tjera duhet të kenë trafikuar pesë herë më shumë drogë nga sa u është kapur, dhe kjo, vetëm për periudhën 2020-2021. Kështu, të 11.6 tonët e grupit Çela-Balla sugjerojnë se ata duhet të kenë trafikuar rreth 60 tonë, fitimi i të cilave arrin gjithashtu në mbi gjysmë miliardi euro.

Grupi Hoxhosmani – Dervishaj duhet të kenë trafikuar rreth 25 tonë, me fitime neto më shumë se çerek miliardi euro dhe grupi tjetër, me 3.6 tonë, duhet gjithsesi të ketë realizuar fitime në rendin e 100 apo 200 milionë eurove.

Me pak fjalë, grupet e goditura deri tani, që të gjithë të identifikuar nga SkyECC, për një periudhë më pak se 15 muaj, duhet të kenë qarkulluar fitime neto prej 1 deri në 2 miliardë euro. Është e pamundur të dihet, por është e logjikshme të thuhet se jo të gjitha grupet kriminale kanë përdorur SkyECC dhe se në qarkullim me gjasa ka grupe të tjera kriminale të cilat kanë përdorur mjete të tjera komunikimi të papërgjuara nga autoritetet.

Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se deri tani kemi folur vetëm për tregtinë me shumicë. Kokaina e transportuar me qindra apo mijëra kg nga Amerika Latine për në Evropë, shitet me çmim shumice për 25 mijë deri në 30 mijë euro për kg. Por blerësit me shumicë, të cilët e shpërndajnë më pas me pakicë, duket se në shumë raste janë gjithashtu shqiptarë. Dhe një trafikant që blen një kilogram drogë për 30 mijë, zakonisht e shet për 70 apo 100 mijë me doza të vogla.

Trafikantët i referohen një paketimi një kilogramë si “bukë”. Një i dyshuar për vrasje me pagesë p.sh., sipas fjalëve të trafikantëve, është paguar në një rast me katër “bukë”. Rrjedhimisht, tregu potencial i pesëdhjetë tonëve drogë, ndërsa është në rendin e 1 deri në 1.5 miliardë në tregun e shumicës, arrin në 3, 4 apo më shumë miliardë në tregun e pakicës. Dhe nëse vetëm 10% e të gjitha këtyre parave të kenë ardhur në Shqipëri, kjo është një shifër e jashtëzakonshme.

Ekonomia shqiptare ka pasur gjithmonë një pjesë jo të vogël të aktivitetit nga kultivimi i drogës. Por ndërsa për një ton kanabis të prodhuar në vend dikur siguroheshin të ardhura në rendin e 1.5-2 milionë eurove me çmim shumice, këto ngjajnë tashmë shifra të papërfillshme në krahasim me tonelatat e kokainës.

Prania e parave të drogës në ekonominë shqiptare tashmë është e vërtetuar katërcipërisht. Ajo që nuk ka marrë vëmendjen e duhur është dështimi tërësor i agjencive ligjzbatuese shqiptare për t’i identifikuar dhe bllokuar në kohë këto para. Hetimet e SPAK mbështeten në shumicën dërrmuese të rasteve te SkyECC për prova, ndërsa provat e ofruara nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare duket se janë me pikatore.

Zbulimi i SkyECC është një rastësi që nuk ka gjasa të përsëritet kështu që, lufta kundër pastrimit të parave të drogës nuk mundet të mbështetet vetëm te çfarë trafikantët kanë dokumentuar në aplikacion.

Kontrasti mes dhjetëra tonelatave drogë të trafikuara dhe qindramiliona eurove të pastruara, të gjitha këto të dokumentuara nga SkyECC, dhe zbulimeve të rralla të rasteve të pastrimit të parave të padokumentuara në këtë aplikacion, demonstron se në fakt se Shqipëria nuk ka vetëm problemin e pastrimit të parave të drogës, por edhe të luftës efikase ndaj grupeve shqiptare të narkotrafikut./BIRN

“Nuk gjenden shkelje nga Kushner dhe investitorët”, Reuters hap dosjet e Zvërnecit: Artur Shehu falsifikoi aktet e pronësisë së tokës

Një biznesmen me bazë në Miami, i kërkuar në Shqipëri për dyshimin e pastrimit të parave të drogës, dyshohet se ka falsifikuar aktet e pronësisë së tokës ku Jared Kushner dëshiron të ndërtojë një vendpushim multi-miliardë dollarësh, tha agjencia e vendit për luftimin e krimit të organizuar në dosjet e çështjes të shqyrtuara nga Reuters. Biznesmeni, Artur Shehu, mohon të gjitha akuzat kundër tij, tha avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili konfirmoi se prokurorët shqiptarë kishin lëshuar një urdhër arresti që kërkonte arrestimin e Shehut për pastrim parash për bandat e drogës.

Dosjet e çështjes akuzojnë Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij për trafikim të kokainës së Amerikës së Jugut në portet evropiane dhe pastrim të fondeve duke i përdorur ato për të krijuar një perandori të pasurive të paluajtshme, duke përfshirë edhe dokumente të falsifikuara të pronësisë së tokës. “Asgjë që është pretenduar në lidhje me karakterin e z. Artur Shehu nuk është e vërtetë. Ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues i dokumenteve të pronës”, tha Cakrani.

 

 

“Z. Shehu është në dijeni të akuzave të bëra nga prokuroria shqiptare. Këto akuza nuk e shqetësojnë atë sepse ai pohon se e vërteta është krejtësisht e ndryshme nga ajo që pretendon prokuroria”. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së refuzoi të komentojë nëse kishte marrë ndonjë kërkesë nga Shqipëria për të gjetur ose ndaluar Shehun në Miami. Në prill, Shehu ia shiti rripin e bregdetit të paprekur shqiptar për resortin e planifikuar Albania Land Development, një kompani që është në pronësi të zhvilluesve të projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development dhe investitorëve të tjerë.

“Dyshime të arsyeshme krijohen, bazuar në prova, se pasuritë e lartpërmendura janë fituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, shkruan prokurorët në dosjet e çështjes. Dosjet nuk ngrenë asnjë pretendim për shkelje kundër dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Kushner, Sazan Real Estate Development, Albania Land Development ose investitorëve të tjerë në projektin e resortit.

Reuters nuk gjeti asnjë tregues se ndonjë investitor ishte në dijeni të ndonjë dyshimi në lidhje me Shehun kur bleu tokën prej tij. Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development nuk iu përgjigj akuzave kundër Shehut kur Reuters pyeti për to, por tha se kompania besonte se blerjet e tokës ishin legjitime. Albania Land Development nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Një zëdhënës i Kushner refuzoi të komentonte për këtë histori. Ndërsa Sazan ka konfirmuar se Kushner është një investitor në projekt, natyra e saktë e rolit të tij ose shkalla e investimit të tij nuk është bërë publike.

PROJEKTI I KONTESTUAR NË TOKË SHTETËRORE
Akuza se aktet mund të jenë falsifikuar është një tjetër pengesë për një projekt të profilit të lartë që tashmë përballet me protesta masive për akuzat se kërcënon jetën e egër.
Banorët e fshatit Zvërnec pranë projektit kanë kundërshtuar pretendimin e Shehut mbi tokën në çështje gjyqësore që datojnë më shumë se një dekadë më parë.

Muajin e kaluar, një duzinë prej tyre treguan aktet e pronësisë dhe të dhënat tatimore të Reuters që, sipas tyre, vërtetonin se ishin pronarët e ligjshëm të tokës. Avokati i tyre, Kostandin Beko, tha se çështja është ende e hapur dhe ata planifikojnë të kërkojnë një urdhër gjykate për të ndaluar projektin e resortit.

Shqipëria, dikur një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara në Evropë, tani është kandidate për t’u bashkuar me BE-në dhe po përjeton një bum ndërtimesh përgjatë disa prej vijave bregdetare të fundit të paprekura të kontinentit në Detin Adriatik. Resorti i mbështetur nga Kushner është planifikuar përgjatë një shtrirjeje plazhesh të egra, pylli dhe një kënete ku jetojnë breshkat e detit dhe flamingot. Zogjtë janë bërë simbole për kundërshtarët e projektit, të cilët i quajnë protestat e tyre “Revolucioni i Flamingove”.

Gruaja e Kushnerit, Ivanka Trump, ka thënë se asaj dhe Kushnerit iu krijua ideja për resortin kur panë bregdetin nga një jaht vite më parë. Në vitin 2024, Kushner njoftoi planet në mediat sociale me një vizatim artistik që tregon tokën e mbuluar me një hotel, vila, pishina dhe skela për jahte. Ai nuk ka zbuluar publikisht se sa para ka investuar në të. Qeveria e Shqipërisë i ka mbështetur fuqimisht planet dhe thotë se protestat janë organizuar nga kundërshtarët e saj politikë.

Kryeministri Edi Rama i tha Reuters muajin e kaluar se ishte një projekt “i bukur” dhe do të vazhdonte pavarësisht kësaj. I pyetur në lidhje me akuzat në dosjet e çështjes kundër Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se qeveria nuk do të ndërhynte në transaksionet private, por se projekti po vazhdonte në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të BE-së. Brukselit i ka bërë më parë thirrje Shqipërisë, si kandidate për anëtarësim në BE, që t’i përmbahet rregullave mjedisore të BE-së në lidhje me projektin. Një zëdhënës i Komisionit ekzekutiv të BE-së nuk dha komente shtesë për këtë histori.

PROKURORËT SHQIPTARË NDËRHYJNË
Dosjet e çështjes kundër Shehut u përgatitën nga Struktura Speciale e Shqipërisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, e krijuar në vitin 2019 për të luftuar korrupsionin me hetuesit dhe prokurorët e vet të pavarur nga shërbimi i rregullt i policisë dhe prokurorisë. Dosjet përmbajnë 200 faqe dhe nuk janë bërë publike. Kur u pyet për dosjet e çështjes, një zëdhënës i agjencisë konfirmoi se SPAK po hetonte çështjen, por nuk pranoi të komentonte më tej. Dosjet janë të datës 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK gjithashtu shpalli publikisht urdhër-arreste për 20 persona për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash të fituara nga kjo tregti.

Ndryshe nga dosjet e çështjes, të cilat identifikojnë plotësisht Shehun dhe figura të tjera me emër, urdhër-arrestet i identifikojnë të dyshuarit vetëm me inicialet e tyre, në përputhje me praktikën standarde në Shqipëri në të cilën të dyshuarit nuk emërohen publikisht përpara se të akuzohen. Inicialet në urdhër-arreste korrespondojnë të gjitha me emrat e plotë të personave të përshkruar në dosjet e çështjes, përfshirë një të dyshuar të identifikuar si “A.Sh.” Avokati i Shehut, Cakrani, duke konfirmuar se Shehu ishte një objektiv, tha se nuk ishte i shqetësuar për urdhër-arrestin, pasi “besohej gjerësisht” se prokurorët shqiptarë vepronin nën ndikimin e politikanëve dhe figurave të biznesit.

SPAK nuk ka thënë nëse ndonjë nga 20 të dyshuarit është arrestuar ose akuzuar që atëherë.

SHQIPTARI QË JETON NË MIAMI
Dokumentet e SPAK thonë se Shehu shiti tokën për projektin e resortit për rreth 110 milionë euro, fonde për të cilat thotë se urdhëroi të ngriheshin në llogarinë e një noteri, duke penguar që paratë të arrinin te Shehu. Shehu dhe bashkëpunëtorët “blenë tokë duke përdorur fonde të fituara në mënyrë të paligjshme dhe falsifikuan dokumente pronësie duke krijuar tituj të rremë pronësie ose duke rritur artificialisht madhësinë e pronave”, tha SPAK në dosje.

“Pronat më pas u transferuan ose shkëmbyen në mënyrë që ato të mos mund të gjurmoheshin lehtësisht nga autoritetet.”. Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development tha: “Ne vazhdojmë të besojmë se blerjet themelore të tokës u kryen në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat në fuqi. Si gjithmonë, ne respektojmë dhe do të bashkëpunojmë me çdo proces të ligjshëm sipas nevojës.”

Reuters i kërkoi zëdhënësit të shpjegonte pse kompania besonte se blerjet e tokës ishin të ligjshme, duke pasur parasysh akuzat e prokurorëve kundër Shehut, por nuk mori përgjigje të mëtejshme.
Avokati i Shehut, Cakrani, i tha Reuters se familja e Shehut e kishte në pronësi tokën që nga koha e Perandorisë Osmane më shumë se 100 vjet më parë, dhe se Shehu ua kishte shitur ligjërisht investitorëve të resortit. Cakrani e përshkroi Shehun si një qytetar të ndershëm që kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998 pasi “bandat kriminale” vranë vëllain dhe xhaxhain e tij para syve të tij. Reuters nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

BIRN: Shantazh ndaj protestës, Policia nis hetim për vlerësimet me “1 yll” në Google

Një muaj më parë, kur protestat masive kundër qeverisë sapo kishin filluar, në një cep të internetit, një platformë sociale që njihet si Reddit – pak e njohur dhe pak e përdorur nga shqiptarët, përdorues të një forumi për Shqipërinë sugjeruan bojkotin e bizneseve që ata i konsiderojnë të lidhura me qeverinë.

“Bojkot bizneseve të oligarkëve”, shkruhej në një postim të para 30 ditëve, ndër dhjetëra të tillë me thirrje për t’iu bashkuar protestës apo organizime të ngjashme.

Thirrja u pasua nga të tjera dhe disa ditë më parë, pjesëmarrësit në këto forume dhe me gjasë të tjera grupe në rrjetet sociale u organizuan të publikojnë përshkrime (review) negative apo vlerësime të ulëta në platformën Google Reviews ndaj një numri biznesesh – përfshi disa nga mediat kryesore në vend, të zotëruara nga persona që mbështesin qeverinë.

Në 48 orët e fundit mijëra qytetarë lanë vlerësime me 1 yll apo komente negative në një listë të gjatë me biznese, duke targetuar së pari Rozafa Fish City, pronari i së cilës Gjergj Luca pati sulmuar protestën dhe përdorur etiketime ndaj protestuesve. Luca reagoi në 8 korrik në faqen e Facebook që mban emrin e kompanisë.

“Dikur paraardhësit tuaj fusnin njerëz në burg me letra anonime ndërsa ju pasardhësit e tyre me profile fallco dhe sharje në rrjetet sociale vetëm sa na gudulisni bizneset”, shkroi Luca në një postim që u shoqërua me një video ironike.

Por ndërsa në rrjetet sociale protesta u ironizua, një sërë biznesesh iu drejtuan Policisë së Shtetit me kallëzime kundër valës së komenteve dhe review-ve negative.

Në një deklaratë për mediat vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita paralajmëroi ndjekje penale për komentuesit apo lënësit e shënimeve.

“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, tha Hita në deklaratë.

I pyetur nga BIRN për referencat ligjore për ndjekje penale, Hita referoi 4 nene të Kodit Penal, 2 për manipulimin e tregut dhe çmimeve, falsifikimin kompjuterik dhe shpifjen.

Por përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë të lirisë së shprehjes dhe ekspertë të ligjit e shohin deklaratën dhe hetimet e policisë me shqetësim të thellë, duke e cilësuar si një mjet presioni që rrezikon të kriminalizojë lirinë e shprehjes dhe protestën digjitale të qytetarëve.

“Deklarata, e dhënë në një moment ku protestat vazhdojnë prej 40 ditësh, krijon një efekt intimidues ndaj qytetarëve që protestojnë si në mënyrë digjitale, ashtu edhe fizikisht,” paralajmëron Orkidea Xhaferaj, eksperte e të drejtave digjitale dhe sigurisë kibernetike pranë SCiDEV, ndërsa vëren se gjuha e përdorur nga Policia e Shtetit ka një ndikim të drejtpërdrejtë te liria e qytetarëve dhe se duket se synon intimidimin.

Akuzat penale për yjet në Google

741209933 1439572638208077 4871246184517559906 n
Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj

Një rrjet i tërë aplikacionesh e faqesh në internet, kryesisht të lidhura me industrinë e shërbimeve u mundëson klientëve të restoranteve apo bizneseve të ngjashme të lënë shënime, komente apo thjesht vlerësojnë me yje bizneset në varësi të shërbimit që marrin.

Vlerësimet e larta kryesisht janë një reklamë falas për bizneset, që më pas u shfaqen klientëve të rinj më shpesh dhe po ashtu ndikojnë në frekuentimin e tyre. Shumica dërrmuese e këtyre shërbimeve kërkojnë që vlerësimi të lidhet me praninë fizike në restorant dhe nga adresa të regjistruara.

Google Reviews, që duket se qe sistemi që u përdor më shumë për lënie të vlerësimeve të ulëta, një yll, në disa biznese në Shqipëri në dy ditët e fundit, kërkon më pak konfirmim.

Megjithatë BIRN vuri re se shumica e vlerësimeve në këto biznese u bënë nga persona që nuk u fshehën, duke përdorur adresa dhe emra realë. Një pjesë e tyre bënë të qartë se review ishin të lidhura me protestën, duke akuzuar në komente bizneset si oligarkë apo shënime të ngjashme politike. Por shumica dërrmuese janë vetë vlerësime të ulëta me 1 yll dhe pa komente.

I pyetur nga BIRN Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, këmbënguli se hetimet nuk ishin politike dhe se policia po ndiqte kallëzimet nga bizneset.

“Qytetarët kanë gjithë të drejtën e tyre të bëjnë politikë, të bëjnë protestë, të bëjnë gjithçka pa shkelur ligjin”, tha Hita.

Ai bëri me dije se vala e vlerësimeve negative po hetohej për 4 nene të Kodit Penal. Sipas tij referenca për hetim ishin neni 143/a/1, për manipulimin e tregut, 143/a/3 pika c, për manipulimin e çmimeve dhe informacionin e rremë mbi mallrat e çmimet, neni 120 shpifja dhe neni 186/a që ka të bëjë me falsifikimin kompjuterik.

Por dy nenet e para të referuara kanë të bëjnë me përpjekje që lidhen me manipulimin e çmimeve konkretisht: “Paraqitja jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli” dhe manipulimin e bursës apo përhapjen e informacionit apo “fakte të tjera të rreme për rritjen ose rënien e çmimit të titujve”. Po ashtu falsifikimi kompjuterik nuk duket se përshkruan rastin, pasi nuk ka ndërhyrje në sistemet e Google apo faqe të ngjashme, ndërsa është e paqartë se si vendosja e vlerësimit me një yll apo edhe komente negative për një biznes mund të konsiderohen shpifje.

Avokati Gentjan Serjani shpjegon se pretendimet e policisë nuk vlejnë dhe se deklarata tregon edhe një herë vendi është në një valë proteste jo të zakonshme që sipas tij “e gjen sistemin juridiko-penal të papërgatitur”.

Ai tha se ishte absurde që një qytetar të akuzohet për vepra të rënda si “Manipulim tregu” (143/a/1) apo “Manipulim çmimesh” (143/a/3/c) thjesht për një koment në internet.

“Këto konsiderohen opinione ose vlerësime subjektive, jo fakte penale. Një review negativ mbrohet nga liria e shprehjes, sidomos kur përshkruan përvojën personale të klientit,” argumenton Serjani. Rreziku i vetëm juridik, shton ai, ekziston nëse vlerësimi përmban pretendime faktike të rreme të tipit, “ky ushqim më helmoi” kur nuk ka ndodhur, të cilat futen te vepra penale e shpifjes.

Ekspertët: Cënim i lirisë së shprehjes dhe intimidim

20260614 201806 scaled e1781515256487
Protestues kundër qeverisë gjatë protestës së 14 qershorit në Tiranë. Foto: BIRN.

Por për eskpertët kjo nuk është një ngjarje e re dhe as Shqipëria nuk është e para ku protesta të kësaj forme ndodhin.

Orkidea Xhaferaj thekson se fenomeni është i njohur dhe shihet si pjesëmarrje aktive e qytetarëve në politikë përmes platformave digjitale.

“Në literaturë përkufizimi i review bombing njihet si i tillë… si një taktikë e re për konsumatorët që të angazhohen në pjesëmarrje politike joformale”, tha ajo.

Qytetarët në mbarë botën e përdorin atë për të protestuar ndaj diskursit politik, mediave apo industrive. Duke iu referuar pretendimeve të policisë për koordinim, Xhaferaj thotë se bojkotimi apo veprime të ngjashme protestuese normalisht janë të koordinuara dhe kjo është një e drejtë që mbrohet dhe për të cilën ka vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Prandaj koordinimi, masiviteti dhe sinkronizimi nuk mjaftojnë vetë për ta bërë të paligjshëm. I paligjshëm bëhet kur shoqërohet me llogari fiktive, pagesa të fshehta, impersonim, përvoja të trilluara, kërcënime, zhvatje ose manipulim teknik”, tha ajo.

Xhaferaj ishte kritike mbi mënyrën se si policia e paraqiti rastin, duke shtruar pyetjen nëse policia kishte vërtet kompetenca për të hetuar.

Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, thekson se kjo deklaratë ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.

“Të pretendosh publikisht se ekziston një rrjet i organizuar me mbi 10 mijë llogari që po sulmon turizmin shqiptar, pa paraqitur asnjë provë konkrete, rrezikon të krijojë një klimë mosbesimi dhe të shndërrohet në një deklaratë politike, e jo institucionale e një policie serioze,” shprehet Myzyraj.

Ai shton se pretendimi se ka “sulme ndaj turizmit” është një narrativë e njohur politike e qeverisë prej vitesh dhe se vlerësimet në platformat online mbrohen nga liria e shprehjes.

“Vlerësimet negative ose pozitive në platformat online janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe e të drejtës së konsumatorëve për të ndarë përvojën e tyre”, tha ai.

Edhe për Rigels Xhemollarin nga Qëndresa Qytetare, situata tregon një përdorim të strukturave policore në funksion të politikës. “Deklarata ishte e rrezikshme, joprofesionale dhe e ndikuar politikisht,” thekson ai, duke shtuar se veprat penale të pretenduara nuk e përmbushin anën objektive dhe subjektive në këtë rast.

Edhe përfaqësues politikë reaguan ashpër ndaj deklaratës. Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri i tha BIRN se hetimet e pretenduara ishin një shantazh ndaj protestuesve.

“Nisja e një hetimi nga ana e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që lirisht shkruajnë ‘review’ në Google është shantazh i pastër për të dekurajuar protestën”, tha Kapri, ndërsa akuzoi policinë për shoqërime të paligjshme dhe dhunë shproporcionale gjatë protestave.

Bora Mema, një aktiviste e Lëvizjes Bashkë, e sfidoi policinë duke bërë publike një review të sajën.

“Meqë Policia e Shtetit nuk ka punë më të mira për t’u marrë, përfshirë shfrytëzimin e minorenëve në punë dhe paska vendosur të kriminalizojë review-të negative ndaj Gjergj Lucës, le ta nisë me mua dhe me këdo qytetar që do të bashkohet”, shkroi Mema./birn

Pa dorëheqje kolektive nuk ka ringritje të LDK-së! Nga Florim Zeqa

 

Këtë shkrim po e filloj me një koment të ditëve të fundit të një lexuesi të shkrimeve të mia: “Z. Zeqa çka ju keni vërsulur LDK-së, pse nuk po e bëni edhe ndonjë shkrim për partitë e tjera, por vetëm për LDK-në, të cilën jeni duke e ç’montuar copë-copë. Do doja që këto analiza shumë të sakta të mos i publikosh në facebook dhe në këto portale që zoti e di punën e kujt e bëjnë!

 

Përgjigja ime e përgjithësuar ndaj komentuesve është kjo: “Ndjehem i lumtur që me saktësinë e analizave të mia kam arritur të zgjojë ndërgjegjën e fjetur të njerëzve të ndershëm dhe atdhetar që ia duan të mirën LDK-së dhe shtetit të Kosoves në veçanti. Menjëherë pas shkrimit autorial ‘Dorëheqja kolektive, shpëtim për LDK-në’, i datës 03.07.2026, janë shtuar zërat me kërkesën e njëjtë për dorëheqjen kolektive të drejtuesve të LDK-së”.

 

 

LDK-në copë-copë po e bëjnë profiterët e jo ata që e duan me shpirtë

 

Aty ku dhëmb dhembi shkon gjuha, e thotë një fjalë e urtë popullore! LDK është dashuria ime, është dhimbja ime e madhe!

Mes veprimtarëve të orëve të para dhe këtyre lakmitarëve që po e shqyejnë LDK-në është një dallim i madh. Aktivistët dhe veprimtarët e orëve të para e duan partinë pa interes dhe pa kushte, kurse këta lakmitarët, kusarët dhe matrapazët e ditëve të sotme, po pasurohen duke i bërë njëqind marrëzi në emrin e LDK-së dhe të Ibrahim Rugovës.

Kritikat dhe sugjerimet e mia nuk burojnë nga urrejtja dhe as nga ambicia për poste dhe privilegje, por nga dashuria e sinqertë për ta ringritur LDK-në aty ku e ka vendin, në parti të parë politike në vend e jo në vendin e tretë ku e katandisën interesgjinjt dhe matrapazët politikë!

Është iluzive të presësh ringritje të partisë nga ata që e katandisën, prandaj kjo është arsyeja e logjikshme, pse unë kërkojë dorëheqje kolektive të krerëve të LDK-së, përkatësisht të Kryesisë Qendrore dhe Këshillit të Përgjithshëm!

Njëzet vite humbje dhe rrëshqitje pa asnjë fitore në nivel qendror janë pak më shumë se disfatë politike për LDK-në!

Janë këto 20 vite humbje dhe degradim, katandisje dhe përçarje, kapje dhe uzurpim i partisë nga klanet dhe grupet e interesit, të cilat shkaktuan dëshprim dhe zhgënjim të elektoratit i cili u largua pandalshëm drejt formacioneve tjera politike!

Kjo humbje e besimit të anëtarësisë është produkt i këtyre strukturave të partisë, e jo vetëm e kryetarit aktualë, i cili me naivitetin e tij është më së paku fajtorë për këtë katandisje të vlerave demokratike në LDK!

Kur e themë këtë, e kam parasysh faktin se nënshkruesit për shkarkimin e kryetarit aktualë janë shkatërruesit fatal të LDK-së. Andaj, është i pamjaftueshëm vetëm largimi i kryetarit, pasi e keqja e madhe prapë mbetet në LDK!

 

Pa rikthimin e vendimmarrjes tek anëtarësia, ndryshimet në LDK janë utopike

 

Është e dhimbshme që LDK-ja si partia më e vjetër në vend, që i hapi proceset demokratike në trojet etnike shqiptare, partia që i ndërtoj themelet e shtetit në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë, partia që ndërtoj institucionet e Republikës së Kosovës të katandiset kaq poshtë saqë të kënaqet me vendin e tretë në skenën parlamentare!

Përveq humbjes së zgjedhjeve, LDK e ka humbur edhe shpresën për ringritje shkaku i tjetërsimit të vlerave demokratike!

Nga “Lidhja” në Rruga e re” ndodhi tjetërsimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, avangardës së proceseve demokratike në Ballkanin perëndimor.

LDK e ka vetëm një rrugë që të shpëtojë nga katandisja e mëtutjeshme.

Ajo është rikthimi në bazën elektorale, me organizimin e zgjedhjeve të brendshme, të ndershme dhe demokratike që e kthejnë në identitetin e saj tradicional të zhvillimit të demokracisë nga poshtë-lartë e jo anasjelltas me diktat autoritarë nga lartë!

Mirëpo, paraprakisht duhet të ndodhë dorëheqja kolektive e strukturave drejtuese, të cilat janë përgjegjëse për katandisjen e partisë.

Ndryshe, me këto struktura asnjëherë nuk do të kemi reforma të mirëfillta dhe unifikim të elektoratit rugovian në LDK!

Me delegat servil të zgjedhur në vitin e largët 2010, Kuvendi Zgjedhor është manipuluar në vijimësi nga drejtuesit e partisë, duke inskenuar “kuvende zgjedhore” me aklamacion apo edhe me votë të fshehtë duke i dirigjuar me ‘telekomandë’ delegatët servil dhe të dëgjueshëm që të votojnë sipas rekomandimeve të kryetarit!

Prandaj, pa rikthimin e vendimmarrjes tek anëtarësia përmes votës së lirë dhe demokratike, ndryshimet në LDK janë utopike!

Pa largimin e uzurpatorëve dhe pa zgjedhje mbi bazën e meritokracisë, LDK përveq humbjes së vendit të tretë, do të rrëshqas akoma më poshtë në renditjen tabelare!

Megjithatë, edhe vendi i katërt, përkatësisht kalimi i pragut zgjedhor do të jetë i mjaftueshëm për mbijetesën e klanorëve dhe grupeve të interesit në LDK, por jo edhe bazament për ngritjen e saj.

Se sa të vendosur janë pengmbajtësit e LDK-së, lexojeni DEKLARATËN E KRYESISË QENDRORE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS (hape linkun) https://gazetablic.com/kryesia-e-ldk-se-abdixhiku-ka-mandatin-per-udheheqjen-e-proceseve-politike-rezultati-zgjedhor-nuk-permbush-pritjet/

 

Ngritja e LDK-së do të jetë graduale, fillimisht duhet të ngritet në vendin e dytë, pastaj vendin e parë ashtu siq e kam projektuar në fillim të këtij viti. Edhe një herë, zotohem para elektoratit për afatet kohore të ngritjes së LDK-së!

Zotimi im përgjegjësi morale para elektoratit dhe para Zotit!

 

Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së

Orsago (Itali), 10.07.2026

Hita shantazhoi protestuesit për llogari të Ramës dhe Lucës- BIRN: Cënim i lirisë së shprehjes dhe intimidim

Teksa policia paralajmëron ndjekje penale për “manipulim tregu” dhe “falsifikim kompjuterik” ndaj mijëra qytetarëve që po vlerësojnë negativisht bizneset e perceptuara pranë qeverisë, ekspertët e ligjit dhe shoqëria civile e akuzojnë për një tentativë shantazhi për të shtypur lirinë e shprehjes dhe për të barazuar protestën e ligjshme digjitale me krimin kibernetik.

BIRN

Një muaj më parë, kur protestat masive kundër qeverisë sapo kishin filluar, në një cep të internetit, një platformë sociale që njihet si Reddit – pak e njohur dhe pak e përdorur nga shqiptarët, përdorues të një forumi për Shqipërinë sugjeruan bojkotin e bizneseve që ata i konsiderojnë të lidhura me qeverinë.

“Bojkot bizneseve të oligarkëve”, shkruhej në një postim të para 30 ditëve, ndër dhjetëra të tillë me thirrje për t’iu bashkuar protestës apo organizime të ngjashme.

Thirrja u pasua nga të tjera dhe disa ditë më parë, pjesëmarrësit në këto forume dhe me gjasë të tjera grupe në rrjetet sociale u organizuan të publikojnë përshkrime (review) negative apo vlerësime të ulëta në platformën Google Reviews ndaj një numri biznesesh – përfshi disa nga mediat kryesore në vend, të zotëruara nga persona që mbështesin qeverinë.

Në 48 orët e fundit mijëra qytetarë lanë vlerësime me 1 yll apo komente negative në një listë të gjatë me biznese, duke targetuar së pari Rozafa Fish City, pronari i së cilës Gjergj Luca pati sulmuar protestën dhe përdorur etiketime ndaj protestuesve. Luca reagoi në 8 korrik në faqen e Facebook që mban emrin e kompanisë.

“Dikur paraardhësit tuaj fusnin njerëz në burg me letra anonime ndërsa ju pasardhësit e tyre me profile fallco dhe sharje në rrjetet sociale vetëm sa na gudulisni bizneset”, shkroi Luca në një postim që u shoqërua me një video ironike.

Por ndërsa në rrjetet sociale protesta u ironizua, një sërë biznesesh iu drejtuan Policisë së Shtetit me kallëzime kundër valës së komenteve dhe review-ve negative.

Në një deklaratë për mediat vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita paralajmëroi ndjekje penale për komentuesit apo lënësit e shënimeve.

“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, tha Hita në deklaratë.

I pyetur nga BIRN për referencat ligjore për ndjekje penale, Hita referoi 4 nene të Kodit Penal, 2 për manipulimin e tregut dhe çmimeve, falsifikimin kompjuterik dhe shpifjen.

Por përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë të lirisë së shprehjes dhe ekspertë të ligjit e shohin deklaratën dhe hetimet e policisë me shqetësim të thellë, duke e cilësuar si një mjet presioni që rrezikon të kriminalizojë lirinë e shprehjes dhe protestën digjitale të qytetarëve.

“Deklarata, e dhënë në një moment ku protestat vazhdojnë prej 40 ditësh, krijon një efekt intimidues ndaj qytetarëve që protestojnë si në mënyrë digjitale, ashtu edhe fizikisht,” paralajmëron Orkidea Xhaferaj, eksperte e të drejtave digjitale dhe sigurisë kibernetike pranë SCiDEV, ndërsa vëren se gjuha e përdorur nga Policia e Shtetit ka një ndikim të drejtpërdrejtë te liria e qytetarëve dhe se duket se synon intimidimin.

Akuzat penale për yjet në Google

Një rrjet i tërë aplikacionesh e faqesh në internet, kryesisht të lidhura me industrinë e shërbimeve u mundëson klientëve të restoranteve apo bizneseve të ngjashme të lënë shënime, komente apo thjesht vlerësojnë me yje bizneset në varësi të shërbimit që marrin.

Vlerësimet e larta kryesisht janë një reklamë falas për bizneset, që më pas u shfaqen klientëve të rinj më shpesh dhe po ashtu ndikojnë në frekuentimin e tyre. Shumica dërrmuese e këtyre shërbimeve kërkojnë që vlerësimi të lidhet me praninë fizike në restorant dhe nga adresa të regjistruara.

Google Reviews, që duket se qe sistemi që u përdor më shumë për lënie të vlerësimeve të ulëta, një yll, në disa biznese në Shqipëri në dy ditët e fundit, kërkon më pak konfirmim.

Megjithatë BIRN vuri re se shumica e vlerësimeve në këto biznese u bënë nga persona që nuk u fshehën, duke përdorur adresa dhe emra realë. Një pjesë e tyre bënë të qartë se review ishin të lidhura me protestën, duke akuzuar në komente bizneset si oligarkë apo shënime të ngjashme politike. Por shumica dërrmuese janë vetë vlerësime të ulëta me 1 yll dhe pa komente.

I pyetur nga BIRN Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, këmbënguli se hetimet nuk ishin politike dhe se policia po ndiqte kallëzimet nga bizneset.

“Qytetarët kanë gjithë të drejtën e tyre të bëjnë politikë, të bëjnë protestë, të bëjnë gjithçka pa shkelur ligjin”, tha Hita.

Ai bëri me dije se vala e vlerësimeve negative po hetohej për 4 nene të Kodit Penal. Sipas tij referenca për hetim ishin neni 143/a/1, për manipulimin e tregut, 143/a/3 pika c, për manipulimin e çmimeve dhe informacionin e rremë mbi mallrat e çmimet, neni 120 shpifja dhe neni 186/a që ka të bëjë me falsifikimin kompjuterik.

Por dy nenet e para të referuara kanë të bëjnë me përpjekje që lidhen me manipulimin e çmimeve konkretisht: “Paraqitja jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli” dhe manipulimin e bursës apo përhapjen e informacionit apo “fakte të tjera të rreme për rritjen ose rënien e çmimit të titujve”. Po ashtu falsifikimi kompjuterik nuk duket se përshkruan rastin, pasi nuk ka ndërhyrje në sistemet e Google apo faqe të ngjashme, ndërsa është e paqartë se si vendosja e vlerësimit me një yll apo edhe komente negative për një biznes mund të konsiderohen shpifje.

Avokati Gentjan Serjani shpjegon se pretendimet e policisë nuk vlejnë dhe se deklarata tregon edhe një herë vendi është në një valë proteste jo të zakonshme që sipas tij “e gjen sistemin juridiko-penal të papërgatitur”.

Ai tha se ishte absurde që një qytetar të akuzohet për vepra të rënda si “Manipulim tregu” (143/a/1) apo “Manipulim çmimesh” (143/a/3/c) thjesht për një koment në internet.

“Këto konsiderohen opinione ose vlerësime subjektive, jo fakte penale. Një review negativ mbrohet nga liria e shprehjes, sidomos kur përshkruan përvojën personale të klientit,” argumenton Serjani. Rreziku i vetëm juridik, shton ai, ekziston nëse vlerësimi përmban pretendime faktike të rreme të tipit, “ky ushqim më helmoi” kur nuk ka ndodhur, të cilat futen te vepra penale e shpifjes.

Ekspertët: Cënim i lirisë së shprehjes dhe intimidim

Por për eskpertët kjo nuk është një ngjarje e re dhe as Shqipëria nuk është e para ku protesta të kësaj forme ndodhin.

Orkidea Xhaferaj thekson se fenomeni është i njohur dhe shihet si pjesëmarrje aktive e qytetarëve në politikë përmes platformave digjitale.

“Në literaturë përkufizimi i review bombing njihet si i tillë… si një taktikë e re për konsumatorët që të angazhohen në pjesëmarrje politike joformale”, tha ajo.

Qytetarët në mbarë botën e përdorin atë për të protestuar ndaj diskursit politik, mediave apo industrive. Duke iu referuar pretendimeve të policisë për koordinim, Xhaferaj thotë se bojkotimi apo veprime të ngjashme protestuese normalisht janë të koordinuara dhe kjo është një e drejtë që mbrohet dhe për të cilën ka vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Prandaj koordinimi, masiviteti dhe sinkronizimi nuk mjaftojnë vetë për ta bërë të paligjshëm. I paligjshëm bëhet kur shoqërohet me llogari fiktive, pagesa të fshehta, impersonim, përvoja të trilluara, kërcënime, zhvatje ose manipulim teknik”, tha ajo.

Xhaferaj ishte kritike mbi mënyrën se si policia e paraqiti rastin, duke shtruar pyetjen nëse policia kishte vërtet kompetenca për të hetuar.

Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, thekson se kjo deklaratë ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.

“Të pretendosh publikisht se ekziston një rrjet i organizuar me mbi 10 mijë llogari që po sulmon turizmin shqiptar, pa paraqitur asnjë provë konkrete, rrezikon të krijojë një klimë mosbesimi dhe të shndërrohet në një deklaratë politike, e jo institucionale e një policie serioze,” shprehet Myzyraj.

Ai shton se pretendimi se ka “sulme ndaj turizmit” është një narrativë e njohur politike e qeverisë prej vitesh dhe se vlerësimet në platformat online mbrohen nga liria e shprehjes.

“Vlerësimet negative ose pozitive në platformat online janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe e të drejtës së konsumatorëve për të ndarë përvojën e tyre”, tha ai.

Edhe për Rigels Xhemollarin nga Qëndresa Qytetare, situata tregon një përdorim të strukturave policore në funksion të politikës. “Deklarata ishte e rrezikshme, joprofesionale dhe e ndikuar politikisht,” thekson ai, duke shtuar se veprat penale të pretenduara nuk e përmbushin anën objektive dhe subjektive në këtë rast.

Edhe përfaqësues politikë reaguan ashpër ndaj deklaratës. Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri i tha BIRN se hetimet e pretenduara ishin një shantazh ndaj protestuesve.

“Nisja e një hetimi nga ana e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që lirisht shkruajnë ‘review’ në Google është shantazh i pastër për të dekurajuar protestën”, tha Kapri, ndërsa akuzoi policinë për shoqërime të paligjshme dhe dhunë shproporcionale gjatë protestave.

Bora Mema, një aktiviste e Lëvizjes Bashkë, e sfidoi policinë duke bërë publike një review të sajën.

“Meqë Policia e Shtetit nuk ka punë më të mira për t’u marrë, përfshirë shfrytëzimin e minorenëve në punë dhe paska vendosur të kriminalizojë review-të negative ndaj Gjergj Lucës, le ta nisë me mua dhe me këdo qytetar që do të bashkohet”, shkroi Mema.

“Shpërthen zemërimi edhe për Albanian Files” – Media holandeze: Edi Rama ka tërhequr mbi vete revoltën e popullit, arkitektët e huaj po reflektojnë

Me planin e tij për ta transformuar Shqipërinë me arkitekturë, si përmes ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë natyrore, kryeministri Edi Rama ka tërhequr mbi vete zemërimin e popullit. Edhe zyrat holandeze të arkitekturës po vihen tani në shënjestër.

Nga Kirsten Hannema, De Volkskrant

 

 

“Do të jetë një dhuratë e Shqipërisë për Evropën,” tha kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën britanike ‘The Observer’, duke folur për planin e Ivanka Trump dhe partnerit të saj Jared Kushner për të zhvilluar ishullin e paprekur Sazan, pranë bregdetit shqiptar, në një resort luksoz me dhjetë mijë dhoma hoteli.

Artikulli u botua më 22 maj, një ditë përpara se në fshatin bregdetar Zvërnec të shpërthenin protestat kundër planit, të cilat më pas u përhapën në kryeqytetin Tiranë. Që atëherë aty protestohet masivisht.

Jo vetëm nga mbrojtësit e natyrës, të cilët kanë frikë se specie të mbrojtura si flamingot do të zhduken; kundërshtimi drejtohet kundër kulturës së ndërtimit në përgjithësi dhe sistemit politik që qëndron pas saj.

“Shqipëria shihet si një parajsë për arkitektët që të eksperimentojnë, si një shesh lojërash, ashtu siç ishte dikur Roterdami,” tha Elian Stefa, arkitekt dhe kurator nga Tirana, për The Architect’s Newspaper. “Por a përputhen të gjitha këto eksperimente me dëshirat e popullit? Shumë njerëz kanë ndjesinë se identiteti i kryeqytetit po ndryshon pa pëlqimin e tyre.”

Zyrat holandeze

Edhe zyra të njohura holandeze ndërtojnë shumë në Shqipëri, si OMA (e njohur, ndër të tjera, për Kunsthal në Roterdam dhe selinë qendrore të televizionit shtetëror kinez) dhe MVRDV (ndër të tjera për Markthal dhe Depot e Muzeut Boijmans Van Beuningen në Roterdam).

Ato bëjnë pjesë në “Arch Army” (Ushtria e Arkitektëve), siç i quan Rama arkitektët e huaj të njohur që ka mbledhur rreth vetes për të transformuar vendin, me synimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Si kryetar i Bashkisë së Tiranës (2000–2011), socialisti Rama, artist me profesion, bëri që ndërtesat gri të periudhës komuniste të lyheshin me ngjyra dhe organizoi konkurse ndërkombëtare projektimi.

Si kryeministër (që nga viti 2013), ai vazhdoi me projekte si transformimi i Piramidës së diktatorit Enver Hoxha në një kompleks shumëfunksional për të rinjtë, projektuar nga MVRDV.

Zyra nga Roterdami projektoi gjithashtu edhe ndërtesën Skënderbeu, e cila paraqet kokën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Megjithatë, disa njerëz thonë se aty shohin kokën e vetë Ramës.

Së fundmi, zemërimi është drejtuar edhe ndaj kësaj “ushtrie arkitektësh”.

Shkak është libri The Albanian Files, një vëllim prej tetëqind faqesh me projekte nga gjashtëdhjetë studio të huaja arkitekture, i redaktuar nga holandezja Anneke Abhelakh.

Veçanërisht shumë reagime ka shkaktuar kontributi i Reinier de Graaf, partner në OMA.

Ai i shkroi një letër të hapur Ramës, në të cilën sugjeron që të mos zhvillohen më zgjedhje, në mënyrë që “patroni i ndriçuar i arkitekturës” të mund të mbetet kryeministër për gjithë jetën, “madje ndoshta edhe si mbret.”

Letra, e botuar nga Tirana Times, ishte menduar si ironike, por nga disa është interpretuar fjalë për fjalë – dhe është bërë benzinë mbi zjarrin e kundërshtarëve të Ramës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij.

Nga hiçi

“Kjo nuk vjen nga hiçi,” thotë arkitektja shqiptare me bazë në Holandë, Dorina Pllumbi. “Historitë lavdëruese në shtypin e huaj për projektet që arkitektët e famshëm po ndërtojnë këtu, deri tani kanë bërë që zërat kritikë të heshtin.”

“Ajo që po ndodh tani në Tiranë është se qytetarët po organizohen dhe po bëjnë të dëgjohet zëri i tyre,” shton kolegia e saj Klodiana Millona. Arkitektet kanë marrë pjesë ditët e fundit në demonstrata. Një grup protestuesish kishte sjellë një tortë ditëlindjeje prej betoni për Ramën, i cili të shtunën mbushi 62 vjeç.

Pllumbi dhe Millona shohin se The Albanian Files ka nxjerrë në sipërfaqe shumë zemërim të grumbulluar.

Për faktin që arkitektët e huaj marrin të gjitha mundësitë për të ndërtuar, ndërsa studiot shqiptare trajtohen si “rregullues lokalë” (local fixers).

Për natyrën që po zhduket dhe për Teatrin Kombëtar, i cili – ndërsa brenda ndodheshin ende aktivistë – u shemb me buldozer për t’i lënë vend një teatri të ri me kullë, sipas projektit të studios daneze BIG.

Për kullat në të cilat shumë apartamente qëndrojnë bosh, ndërkohë që qiraja mesatare në Tiranë rritet dhe shtëpitë ekzistuese familjare po shemben.

Kjo ngre pyetje mbi rrjedhat financiare që qëndrojnë pas projekteve të ndërtimit.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare e kanë cilësuar sektorin shqiptar të ndërtimit si një vatër korrupsioni dhe pastrimi parash.

SPAK, prokuroria speciale kundër korrupsionit në Shqipëri, po heton mënyrën se si janë zhvilluar projektet e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.

Libri tregon se Rama është i përfshirë ngushtë në përzgjedhjen e arkitektëve për projektet.

Arkitekti i njohur kilian Alejandro Aravena shkruan se mori një mesazh nga një koleg, “nëse mund ta ndante numrin tim me kryeministrin e Shqipërisë.”

“I thashë: sigurisht. Pesë minuta më vonë u kontaktova nga kryeministri për të pyetur nëse mund të shkoja në Tiranë për të biseduar mbi një projekt të mundshëm.”

Ai fitoi konkursin e mbyllur për një rrokaqiell 300 metra të lartë, i cili do të ndërtohet në kryeqytet.

Drejtpërdrejtësi freskuese

Winy Maas nga MVRDV lavdëron “hapjen e Shqipërisë ndaj ideve të reja dhe gatishmërinë për të marrë rreziqe.”

“Bindja e kryeministrit Edi Rama se arkitektura përbën një pjesë thelbësore të së ardhmes së vendit vendos tonin. Mënyra se si trajtohen projektet dëshmon për një drejtpërdrejtësi freskuese,” thotë Maas.

Më 4 qershor, ditën e prezantimit të librit, Rama dha një intervistë për CNN lidhur me protestat kundër planeve për ishullin Sazan.

Ai tha se projekti i resortit do të tregonte se si natyra dhe ndërtimi mund të ecin dorë për dore, dhe mbajti përpara kamerës librin The Albanian Files.

“Kjo është prova se do të bëhet siç duhet,” tha ai.

Në libër paraqiten resorte të ndryshme pushimi, ndër to edhe një kompleks në qytetin bregdetar Dhërmi (Drymades) me ndërtesa apartamentesh të bardha mesdhetare, të projektuara nga studioja e Roterdamit Cityförster.

Redaktorja Anneke Abhelakh është e habitur nga gjithë kjo bujë.

“Kur fillova librin, mendoja se po dokumentoja një periudhë. Ndërkohë e kuptoj se vetë dokumentimi mund të bëhet pjesë e historisë që ai regjistron. Ajo që tregon ky debat është se ekziston nevoja për më shumë transparencë mbi mënyrën se si ka ndodhur ky zhvillim.”

Ajo e konsideron “domethënës” faktin që i njëjti libër iu dhurua nga Rama presidentit francez Emmanuel Macron si një shembull i transformimit të Shqipërisë, ndërsa protestuesit e përdorin atë si kritikë ndaj politikave të tij.

“Kjo nuk është një kundërshti, por një shenjë se kjo histori ende nuk është shkruar përfundimisht.”

Shpërdorim pushteti

Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike, e sheh librin si provë të shpërdorimit të pushtetit dhe të praktikave të paligjshme të ndërtimit. Ai kërkon që të zhvillohet një hetim për të verifikuar se si, sipas tij, arkitektët e huaj kanë përfituar nga projektet e mëdha publike në Shqipëri.

Reinier de Graaf beson se Rama “filloi me qëllime të sinqerta” transformimin e madh të Shqipërisë dhe se janë realizuar projekte të mira.

Si shembull ai përmend projektin e banimit Mangalem 21, të cilin e ndërtoi në Tiranë. Ai përbëhet nga 1.200 apartamente (me qira të mesme), të shpërndara në blloqe shumëngjyrëshe rreth shesheve të gjelbra.

Por vitet e fundit ai sheh “një proces të përqendrimit të pushtetit”.

“Fillimisht ne ia paraqisnim planet bashkisë. Pas një ndryshimi ligjor në vitin 2024, tani ne raportojmë te agjencia shtetërore AZHT, e cila i jep llogari drejtpërdrejt kryeministrit.”

Me letrën e tij ai donte të vinte në diskutim marrëdhënien midis arkitekturës dhe pushtetit; ai shkruan shpesh për këtë temë, ku ironia është marka e tij dalluese.

“Ironia është një mjet për të qenë kritik pa ndodhur automatikisht që të mos mund të punosh më askund ose të prishësh gjithçka,” thotë De Graaf.

Studioja e tij aktualisht po punon mbi projektin për transformimin e stadiumit Selman Stërmasi në Tiranë, ku planifikohet t’i shtohen stadiumit dy kulla.

Rama reagoi në podcastin Flasim ndaj polemikave rreth librit.

Ai tha se “teksti është interpretuar gabimisht dhe është përdorur si pjesë e një ‘inkuizicioni’ kundër botimit.”

Ai shtoi se letra e De Graaf-it tregon pikërisht se ka hapësirë për kritikë.

Për shkak të gjithë kësaj buje, javën e kaluar De Graaf publikoi një letër të dytë në Tirana Times, në të cilën shpjegon se letra e tij e parë ishte satirë.

Pllumbi dhe Millona nuk i kushtojnë rëndësi këtij shpjegimi.

Millona thotë: “Në Shqipëri e kemi kuptuar prej kohësh se arkitektura dhe pushteti janë të lidhura me njëra-tjetrën.”

“Ushtria e patronazhistëve” – Gent Progni nxjerr videon dhe denoncon profilet false: Janë të krijuara në qershor, vetëm na shajnë dhe komentojnë negativisht

Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni ka publikuar një video përmes së cilës dokumenton një “ushtri” profilesh false, të krijuara së fundmi, për të sulmuar protestuesit që janë ngritur kundër qeverisë së Edi Ramës.

Me videon ai tregon se profilet janë hapur në Instagram gjatë muajit qershor, përmes të cilave vetëm komentohet negativisht ndaj tyre.

Eksperti i referohet si “ushtri e patronazhistëve”, duke drejtuar gishtin nga qeveria se po tenton që të sulmojë protestuesit dhe të zbehë lëvizjen e tyre.

 “Ushtria e patronazhistëve. Të gjitha profile të hapura në qershor, të cilat na shajnë dhe komentojnë negativisht”, ka shkruar Progni krahas videos.

Kosova e pasur me resurse natyrore, e varfër në politikbërje!- Nga Florim Zeqa

 

Shkak i zbrazjes së Kosovës nga qytetarët e saj nuk është mungesa e resurseve natyrore dhe as e rezervave nëntokësore, por e varfërisë politike në qeverisjen e vendit dhe mungesvës së përspektivës zhvillimore. Pra, shkaku i klasës së dështuar politike shteti i Kosovës po vendnumëron për vite të tëra në pikën zero.

 

Shteti pa barazi ligjore, inekzistent për qytetarët

 

Nuk ke si ta quash ndryshe një klase politike pos të dështuar, e cila për 27 vjet pas luftës çlirimtare nuk arriti të ndërtoje një skemë të sigurimeve shëndetësore dhe as një përspektivë të qartë zhvillimore që garanton mirëqenje të qytetarëve.

Një politikë që për 27 vite rresht nuk arriti të krijoj drejtësi dhe barazi qytetare para ligjit, nuk e meriton të qeverisë tutje me vendin!

Për më keq se kaq, politikbërja kosovare i vërtetoj deklarimet e armiqve shekullor se “shqiptarët nuk janë të zotët të mbajnë shtet”.

Zgjedhjet në çdo katër muaj për çdo vjet, janë argumenti me i mjaftueshëm i paaftësisë qeverisëse të politikanëve tonë.

Shteti nuk ndërtohet me inate personale, me ndërskamca e shantazhe kundër njëri-tjetrit, por duke bashkëpunuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin në qeverisjen e vendit.

Respektimi i rezultateve zgjedhore dhe njohja e fituesit janë parime bazë të demokracisë. Ndërsa kompromisi dhe toleranca janë pikënisje e çdo partie politike që i fiton zgjedhjet në Kosovë.

Kurse, kryeneqësia dhe inatet personale, urrejtja dhe egot për pushtet po e dërgojnë vendin në ngërçe dhe bllokada të pambarim, pasojat e të cilave po i vuajnë qytetarët.

Kjo varfëri politike është kthyer në sindromë kancerogjene për buxhetin e shtetit të Kosovës, ku për çdo vjet avullohen me dhjetra miliona euro vetëm për procese zgjedhore.

Varfërimi i buxhetit të shtetit do të thotë varfëri për qytetarët, por jo edhe për politikanët! Pasi, partitë politike financohen nga shteti dhe nga oligarkët ekonomik.

Asnjë politikan nuk paguan asgjë në Kosovë nga xhepi i tij, por nga arka e shtetit dhe e partisë politike! Kjo është arsyeja pse gara po bëhet kaq e ashpër mes partive politike dhe arsye pse po ndodhë vjedhja e votave brenda sojit (partisë)!

Prandaj, është i nevojshëm ndryshimi sunbstancial i sistemit qeverisës në vendit tonë! Por, parapraksiht ndryshimit të sistemit politik, duhet të ndryshojnë dhe reformohen partitë politike, të cilat më së paku janë në shërbim të qytetarëve!

Partitë politike, të ktheyra në korporata fitimprurëse për kryetarët dhe rrethin e afërt të tij ka çuar në degradimin e vlerave demokratike siq janë meritokracia dhe vota e lirë!

Përderisa të fillojnë të largohen nga politika artistët, mjekët, profesorët, krijuesit dhe shkencëtarët, sportistët dhe yjet e estradës, policët dhe ushtaret nuk mund të themi se politikbërja kosovare është kthyer në rrugë të mbarë.

Lënja e qetë dhe krijimi i kushteve për punë normale e kategorive të sipërcekura do të thotë kthim i shtetit në normalitet, ku respektohen vlerat e shoqërisë sonë.

 

Pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, mesazhi i këtij shkrimi është ky: “Apel të gjithë krerëve të partive politike që të bashkëpunojnë ngusht në gjetjen e një kompromisi politik për zgjedhjen e Presidentit, në të kundërtën, do të ndëshkohen akoma më keq nga elektorati me bojkot të pergjithshëm të procesit zgjedhor.

“Mobilizimi më i madh popullor i dekadave të fundit” Media italiane: Shqiptarët kanë vrarë frikën, Rama nuk është më i paprekshëm

Media italiane “IL Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një artikull të gjatë protestës antiqevritare në Shqipëri, e cila ka hyrë në ditën e 39.
Kjo media shkruan se ky është mobilizimi më i madh popullor që Shqipëria ka njohur dekadat e fundit dhe arritja më e madhe e saj është vrasja e frkës.
Një tjetër çështje të cilës kjo media i jep vëmendje është edhe “lufta hibride” e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama, duke e konsideruar protestën si produkt të Iranit apo Rusisë.
Edhe dhuna policore e ushtruar ndaj protestuesve po ashtu është trajtuar dhe theksi vihet te mosreagimi i institucioneve.

Artikulli i plotë:

 

 

Mobilizimi më i madh popullor që Shqipëria ka përjetuar në dekadat e fundit vazhdon: aftësia për t’u përhapur përmes mediave sociale dhe përpjekjet për ta delegjitimuar atë.

“Arritja më e rëndësishme e protestës është ajo që organizatorët e quajnë vrasja e frikës. Shqiptarët nuk e perceptojnë më pushtetin e kryeministrit Edi Rama si të paprekshëm. Ky ndryshim psikologjik mund të jetë pasoja më e rëndësishme e kësaj lëvizjeje”.

Për gazetaren investigative Xhesika Tollia, e cila prej më shumë se një muaji ndjek në terren manifestimet e Revolucionit Flamingo për portalin investigativ “Shteg”, ky është momenti i kthesës së mobilizimit më të madh popullor që Shqipëria ka njohur në dekadat e fundit. Më shumë se kërkesat politike, sipas saj, ka ndryshuar marrëdhënia mes qytetarëve dhe pushtetit.

Për këtë është i bindur edhe Endrin Hysa, 37 vjeç, italian me origjinë shqiptare. Ai jeton prej vitesh në Itali, por kur protestat shpërthyen vendosi t’i bashkohej diasporës dhe të kthehej në Shqipëri për të marrë pjesë në manifestime.

“Omerta (heshtja e imponuar nga frika) ka qenë gjithmonë një nga të këqijat më të mëdha të këtij populli. Për dekada me radhë shqiptarët mbetën të izoluar nga bota gjatë komunizmit. Pas rënies së tij, shumë njerëz përfunduan duke pranuar në mënyrë pasive një politikë thellësisht të korruptuar,” thotë 37-vjeçari.

Më pas ai rrëfen disa episode nga fëmijëria e tij: “Kur isha fëmijë jetoja në Durrës dhe të gjithë e dinim se ai pallat shumëkatësh ishte ndërtuar nga mafia, ose ai lokali, apo ai tjetri ngjitur. Për ne prania e krimit të organizuar ishte normalitet,” shpjegon Endrini.

Më pas ai shton: “Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se Shqipëria nuk do të mund të ndryshonte kurrë për sa kohë që do të vazhdonte ky heshtje kolektive. Kur pashë në Instagram mijëra njerëz që dilnin në rrugë, e kuptova se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Për herë të parë pashë shqiptarët të çliroheshin nga frika. Dhe unë duhej të isha këtu”.

Historia e tij tregon edhe një element tjetër dallues të Revolucionit Flamingo: aftësinë për t’u përhapur përmes rrjeteve sociale më shumë sesa përmes medieve tradicionale.

“Bëhet fjalë për një protestë jo tradicionale,” shpjegon gazetarja Tollia. “Ajo mbështetet fort te rrjetet sociale dhe përdor mënyra komunikimi tipike të brezave të rinj. Kushdo që ka një telefon inteligjent dhe një lidhje interneti mund të publikojë një video që mund të bëhet virale brenda pak orësh”.

Për këtë arsye, vëren Tollia, lëvizja nuk ka qenë kurrë e varur nga mbulimi i mediave tradicionale, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare.

“Protesta u përhap përmes algoritmeve të rrjeteve sociale. Dhe pikërisht për këtë arsye edhe kryeministri Rama e ka cilësuar disa herë algoritmin si ‘fajtor’”.

Sipas gazetares shqiptare, kryeministri u përpoq që në fillim të kontrollonte narrativën: “Fillimisht u përpoq t’i minimizonte protestat. Më pas, kur u bë e qartë se ato përfaqësonin një realitet politik që nuk mund të injorohej më, filloi të kërkonte elemente për t’i delegjitimuar”.

Sipas saj, Rama fillimisht foli për një “luftë hibride”.

“Ai pretendoi se lëvizja ndikohej nga interesa ruse ose iraniane. Kur këto shpjegime nuk gjetën mbështetje në opinionin publik, filloi të identifikonte protestues të veçantë, duke publikuar emrat dhe fotografitë e tyre në kanalet e tij në rrjetet sociale.”

Ndërkohë, klima në sheshe është bërë më e tensionuar.

Ditët e fundit kanë ndodhur përplasje dhe disa arrestime. Megjithatë, një nga thirrjet që dëgjohet më shpesh mbetet: “Policia është me ne.”

“Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet duke thënë se disa protestues hodhën miell ose vezë drejt automjeteve të deputetëve,” thotë Tollia.

“Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim institucional lidhur me dhunën e denoncuar nga disa të arrestuar. Kemi parë njerëz tashmë të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë që goditeshin me shkopinj gome.”

Këto episode dhune, shpjegon më tej Tollia, u përfshinë shpejt në narrativën e qeverisë.

“Ishte e parashikueshme që këto episode do të përdoreshin për të forcuar rrëfimin e qeverisë. Dhe pikërisht kjo po ndodh. Disa ekspertë të komunikimit mendojnë se Partia Socialiste po ndjek një strategji të koordinuar të disiplinës së mesazhit (message discipline) dhe manipulimit politik (political spin).”

Megjithatë, sipas gazetares, përplasjet nuk e kanë dobësuar mbështetjen për protestën.

“Manifestimi kombëtar i 4 korrikut, që nxori në rrugë mijëra njerëz, tregoi se protesta vazhdon të mobilizojë qytetarët njësoj si ditën e parë. Pamjet e prindërve që sjellin fëmijët në protesta dhe i lënë të vizatojnë ulur mbi asfalt janë prova më e qartë se shumica e pjesëmarrësve nuk kërkon dhunë. Ata vazhdojnë ta mbështesin lëvizjen me të njëjtin entuziazëm si në fillim.”

Kërkesat e mijëra protestuesve mbeten të njëjtat: një ndryshim i thellë politik dhe dorëheqja e Edi Ramës, i cili për momentin nuk ka ndërmend të largohet nga detyra.

“Nuk mund të them nëse Rama do të japë dorëheqjen apo jo,” përfundon Tollia.

“Ai vetë e ka përsëritur disa herë se kjo mundësi nuk bën pjesë në planet e tij. Ajo që mund të them është se kjo protestë do të ketë për të një kosto të konsiderueshme politike.” bw


Send this to a friend