“Mendoni për romanet e mëdha të kohës sonë, mendoni për Uliksin e James Joyce-it”.
Jorge Luis Borges
L’Art de poésie, Gallimard, Paris, 2000, f. 54.
Është një rrugë në Paris, rruga Odeon, e cila mund të ishte quajtur rruga Uliks, meqë botimi origjinal i romanit monumental Ulysses (Uliksi) i James Joyce-it, u mor përsipër të botohej më 1922 nga Sylvia Beach që kishte aty librarinë Shakespeare & Company; përkthimi frëngjisht (Ulysse) doli shtatë vjet më vonë nga botuesja Adrienne Monnier, mikeshë e S. Beach. Monnier që nga viti 1916 kishte botuar disa autorë francezë, mes tyre edhe Paul Fort, Jules Romain dhe Roger Caillois, pa harruar edhe një revistë jetëshkurtër, ku botuan autorë si: Blaise Cendrars, Jean Giraudoux, Jules Supervielle, Antoine de Saint-Exupéry. Mund të përmenden edhe miqtë shkrimtarë që frekuentonin librarinë si Guillaume Apollinaire, Colette, Jean Cocteau, Jacques Prevert, Saint-John Perse e të tjerë. Me kulturë të gjerë letrare dhe me kuptimësi për rëndësinë e kësaj vepre, ajo ua besoi punën e hollë e të vështirë të përkthimit dy figurave të njohura si përkthyes të anglishtes e që u rishikua i tërë nga shkrimtari Valery Larbaud dhe nga vetë autori.
I cilësuar nga Borges-i si “katedrale e prozës” (Parathënie, Pléiade), ai është çmuar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë moderne duke zënë vendin e parë në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX që hartoi The Modern Library më 1998.
Përkthimi në shqip i romanit Uliksi të Joyce-it nga Idlir Azizi dhe botimi i tij nga Shtëpia Botuese Zenit, mbetet një ngjarje kulturore. Sepse kjo vepër e Joyce-it është si një univers i pafund, me regjistrat gjuhësorë dhe stilet e të shprehurit që përmbledh ligjërimi i tij i panjohur më parë në letërsi. Përkthimi i Azizit është një aventurë e guximshme dhe e bukur, por që ka brenda edhe mundimin, si medalje e pakundërshtueshme e gjithë atyre që i kanë hyrë përkthimit të një vepre të vështirë.
Historiku i veprës
Romani Ulysses doli për herë të parë në formën e një rubrike të përjavshme në The Little Review[1], në Nju Jork, gjatë muajve mars 1918 dhe nëntor 1920, para se të botohej i plotë në Paris, në shkurt 1922, nga libraria Shakespeare&Company (ky do të mbetet i vetmi botim me tirazh të madh i librarisë). Që nga botimi i tij me fragmente në Shtetet e Bashkuara, romani nxiti diskutime, sidomos një ankesë nga New York Society për heqjen e pjesëve që u quajtën të turpshme. Madje ajo e cilësoi krejt librin të pabotueshëm. Romani u ndalua në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1933. Pas kësaj ai u komentua pareshtur dhe do të bëhej objekt i studimeve të panumërta.
Uliksi, vepër klasike e shekullit XX
I pari që e vuri re karakterin enciklopedik të veprës së Joyce-it ishte Ezra Pound-i kur shkroi se “Joyce ka ndërmarrë artin për të vazhduar atje ku e ka lënë Floberi” (Literary Essays of Ezra Pound, ed.Faber &Faber, 1920, f. 403). Është e çuditshme kur konstaton sot se edhe Floberi i shkruan të dashurës së tij Luise Colet, një shkrimtare e kohës, kështu: “Librat, prej të cilëve rrjedh një letërsi e tërë, si Homeri dhe Rabëleja janë enciklopedi e epokës së tyre” (Flaubert, Correspondance II, Pléiade, 1980, f. 545).
Uliksi është nga ata romane që i jep formë një bote të tërë. Duke qenë një roman total, ai i shumëfishon nivelet e leximit dhe përmbush një program enciklopedik. Nëse flitet për palimpsest, ai është një roman me shumë palimpseste, sepse çdo kapitull dhe çdo episod, siç i quan autori, ka një teknikë e simbolikë të veçantë si dhe një mënyrë rrëfimtare të ndryshme. Studiuesit e veprës dhe jetës së Joyce-it, të cilët kanë parë edhe dorëshkrimin, janë mahnitur, sepse kanë gjetur aty romanin shumëpërmasor. Joyce-i i ka lëvizur nga vendi praktikat e tjera të shkrimit. Valéry Larbaud që u bë bashkëpërkthyes i botimit dhe që shkroi hyrjen, e rrallë për epokën, pyet: “Atëherë ku është çelësi”; që arrihet të shkohet përtej klisheve. Në vend të lexuesit që i hutuar nga orteku i fakteve nuk di të orientohet, ai përgjigjet : “Eh, pra, ai është, si të thuash te titulli Uliks”.
Ndikimet
Vepra e Joyce-it ka ushtruar një ndikim të madh te shkrimtarë si Samuel Beckett, Borges, Alain Robbe-Grillet, Salman Ruzhdie, Philippe Sollers, Raymond Queneau, William S. Burroughs, Kerouac, Nathalie Sarraute e të tjerë. Flann O’Brien-i, shkrimtar irlandez e ka protagonist në një roman ku hija e Joyce-it hyn në bisedë me Shën Agustinin.
Një numër i madh kritikësh kanë shkruar se vepra e tij ka nxiturfiksionin modern dhe postmodern duke krijuar breza shkrimtarësh që e braktisën gramatikën, thurjen e ngjarjes, ndonjëherë të palexueshme (si në veprën e Burroughs-it dhe të tjerë të brezit të tij). Disa shkrimtarë si Bernard Shaw ose Paule Coelho janë mjaft të rezervuar për veprën e Joyce-it.
Megjithatë, teoricienët e letërsisë strukturaliste Tzvetan Todorov dhe Gérard Genette dhe të asaj poststrukturaliste, ndër të tjerë Umberto Eco dhe Robert Scholes e shohin Joyce-in si një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit. Eco e quan FinnegansWake si një « univers ajnshtajnis[2]. Ndikimi i Joyce-it ka lënë gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu fjala “kuark” Three Quarks for Mister Mark në FinnegansWake, është në origjinë të fjalës quark (kuark) përdorur në fizikë. Fraza këndohet nga një kor zogjsh deti.
*
Vepra e Joyce-it është bërë objekt studimesh në dhjetëra e dhjetëra libra studimorë, seminare, sesione shkencore dhe konferenca.
Filozofi Jacques Derrida ka shkruar një libër për përdorimin e ligjërimit në Romanin Uliksi; filozofi amerikan Davidson e krahason Finnegans Wake me tekstet e Lewis Carrol-it; psikanalisti Jacques Lacan i kushtoi seminaret e viteve 1975 dhe 1976;
Nabokov-i e vlerësonte shumë romanin Uliksi; ai e zhvilloiatë në kurset universitare midis veprave madhore të shekullit XX, si Metamorfoza e Franz Kafka-s apo edh ndonjë tjetër.
Shumë filma janë xhiruar për jetën e Joyce-it dhe Norës, si dhe për vepra të ndryshme të Joyce-it. Midis tyre regjisori amerikan Joseph Strick, më 1983 përshtati për ekranin e madh romanet Ulysses dhe A Portrait of the Artist as a Young Man.
Është orkestruar edhe një pjesë muzikore për fëmijë, me titull Një lule për vajzën time.
Herbert Gorman më 1941 botoi biografinë e parë për Joyce-in.
Richard Ellmann më 1959 botoi një biografi dhe e pasuroi atë më 1982.
Në Dublin, Joyce-i kujtohet duke festuar çdo vit 16 qershorin “Bloomsday”.
Që nga 2011 në Monreal mbahet një festival i quajtur Joyce.
Në Dedham (Massachusetts) të ShBA-së në Shëtitoren Joyce, zhvillohen çdo vit veprimtari sportive dhe lexime të veprave të autorit.
Një kopsht në Paris quhet Kopshti James Joyce.
Për të ruajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e shkrimtarit irlandez, në Cyrih ku ai kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, më 1983 është themeluar nga Fritz Senn Fondacioni James Joyce. Ai ka shkruar edhe parathënien e përkthimit të parë shqip të romanit Uliksi.
Sot është përkthyer në shqip një pjesë e madhe e veprës së Joyce-it.
Kritika francezedhe anglo-saksone
Uliksi (Ulysses anglisht) konsiderohetsotsikryevepër që e ka merituar shugurimin letrar të Joyce-it. Ai është një roman në lëvizje të përhershme, që përshkruan jetën në një ditë të vetme, në universin e hapur të një qyteti të vetëm, Dublin. Ideja filozofike e tij se jeta është një udhëtim, realizohet edhe nëpërmjet monologut të brendshëm të quajtur përroi i ndërgjegjes (stream of consciousness) nga kritika.
Në atë përditshmëri Joyce-i përpiqet të mbërthejë “atë që quhet jetë”, në rrethanat historike të modernitetit në shekullin XX duke kapërcyer pengesat gjuhësore dhe duke e zhvendosur objektin e romanit nga rrëfimi i ngjarjeve, në vetërrëfim. Gjuha, dykuptimësia e ligjërimit dhe teknikat e ndryshme të shkrimit që ndryshojnë në çdo episod, përftuan një jehonë të gjerë qysh në fillim kur romani u botua në Francë dhe ndikuan në çmistifikimin e rrëfimit letrar tradicional. « Detyra që i kam vënë vetes teknikisht, është të shkruaj me tetëmbëdhjetë pikëpamje të ndryshme dhe me po aq me stile të gjithën, atë që duket e panjohur ose e pavënë re nga sivëllezërit e mi”[3]. Këto janë gjithashtu tetëmbëdhjetë orët e atij 16 qershori 1904 në Dublin që nis në orën tetë të mëngjesit dhe vazhdon gjer natën vonë.
Edhe pse një pjesë e kritikës e ka cilësuar romanin Uliksi si një parodi të poemës homerike, kuptimi i tij është shumë më i thellë. Vladimir Nabokov-i në kursin[4] për romanin, më 1980 shkruante: “Uliksi është një vepër e shquar e gjithëkohshme arti, por kritikët janë të interesuar më tepër për konsiderata të përgjithshme dhe ide sesa për veprën në vetvete… Unë duhet t’ju sqaroj se në zhvendosjet e Leopold Blumit atë ditë vere në Dublin, nuk duhet të shihni një parodi të ngushtë të poemës Odiseja, ku punonjësi i reklamave luajtka rolin e Odiseut, ku gruaja kurorëshkelëse e Blumit do të ishte e dëlira Penelopë, ndërsa Stiveni do ta shihte veten si Telemaku. Që ka një jehonë të vagullt të përgjithshme homerike në rastin e Blumit është e dukshme, ashtu si e thotë titulli dhe gjithashtu shohim një sërë nënkuptimesh klasike në libër, por do të ishte fare një humbje kohe, po të kërkoje paralele të ngushta me çdo personazh dhe çdo skenë… Prandaj, pas këtyre interpretimeve në shtyp, Joyce-i u detyrua t’i hiqte titujt pseudo homerikë nga kapitujt, sepse e mendoi se çfarë përfundimesh do të nxirrnin gjithë të mërzitshmit, të ditur dhe të paditur.”
Zanafilla e tekstit
Shqetësimi i Joyce-it për çështjen e formës dhe estetikën e shkrimit është shfaqur mjaft herët. Në fletoret e Parisit ai shkruan: “Ritmi duket se është raporti i parë, domethënë një raport i formës midis pjesëve të ndryshme dhe një të tëre, ose edhe midis cilësdo prej këtyre pjesëve dhe së tërës […] pjesët përbëjnë një të tërë kur ato plotësojnë një qëllim të përbashkët” (25 mars 1903)[5].
Ideja për romanin atij i lindi qëkur ishte duke shkruar Dubliners (Dublinasit) më 1903; ai deshi të shtonte edhe një tregim të titulluar Ulysses. Madje përcaktoi edhe emrat e dy personazheve kryesore: Stiven Dedalus dhe Leopold Blum. Por kjo ide u la për një vepër më të madhe.
Kemi edhe një gjenezë të dytë të romanit në vitet që u ndalua në Amerikë nga viti 1921 deri në vitin 1934 dhe në Britaninë e Madhe deri më 1936. Është një aventurë më vete shpërndarja e romanit në mënyrë të fshehtë. Në shumë tregime moderniste dhe në intervista përshkruhet sesi e kanë kaluar përtej detit romanin e botuar në Francë në një valixhe me fund të dyfishtë apo të ndarë pjesë-pjesë, futur midis rrobave duke përjetuar makthin që i mbërthente nëpër dogana. Madje edhe nga Gjermania naziste, vepra mundi të dilte e të kalonte oqeanin prej një profesori amerikan të letërsisë.
Një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes
Ngjarja, pra, fillon në mëngjesin e 16 qershorit. Arsyeja përse Joyce-i zgjodhi 16 qershorin është thjesht një datë simbolike e jetës së tij, data kur pati takimin e parë të dashurisë me Nora Barnacle (të cilën e kishte njohur një javë më parë), dhe që u bë bashkëshortja e tij e pazëvendësueshme.
Në dritën e imagjinatës së çliruar nga normat e ngushta letrare, personazhet kryesore jetojnë një ditë të zakonshme në qytetin e Dublinit me detin e tij, me diellin mbi det e me shkollat, me shtëpitë, me kishat dhe varrezat, me gazetat, bibliotekat, baret dhe tavernat, spitalet dhe shtëpitë publike e me të gjithë banorët. Në një anekdotë tregojnë se Joyce-i e ka përshkruar me aq saktësi Dublinin, sa po të ndodhte një apokalips, do të mjaftonte të merrnin romanin e tij për të rindërtuar qytetin ashtu si kishte qenë.
Me tetëmbëdhjetë episodet, ashtu si i ka quajtur Joyce-i, në tetëmbëdhjetë ligjërime përurohen sinoret (vend, pjesë e trupit, ngjyrë, fushë e mendimit ose e veprimtarisë), mënyrat e reja të shprehjes (tregimtari, retorikë, stil gazetarie, vazhdim i formave muzikore, evolucion i gjuhës etj.) si dhe temat që trajtojnë jetën, dashurinë dhe vdekjen, në të cilat përfshihen (shkolla, familja, arti, kultura, tradita, ëndrra, seksi, feja, gjendja politike e shoqërore… ). Uniteti i tekstit sigurohet nga përdorimi i pikave të orientimit hapësirë-kohë dhe me teknikën e monologut të brendshëm, që mundëson sjelljen e së shkuarës në të tashmen.
Stiven Dedalusi është njëri prej personazheve kryesore që shfaqet qysh në romanin Portreti i artistit në rini. Aijeton në kullën Martelo me mikun e vet Bak Maligan dhe një tjetër, pak i njohur nga Stiveni, quhet Hajnes dhe ka ardhur një natë më parë, por që del admirues i folklorit irlandez. Dedalusi është një i ri i zhgënjyer, disi pesimist dhe që e neverit shtirja e bashkëkombësve të vet si dhe rregullat e ngurta, prandaj nuk do që t’i shërbejë asnjë ideologjie, madje tallet me Rilindjen gaelike që vepron në rrethet letrare dublineze.
Kur niset atë mëngjes për në punë duke nxituar në ranishtën buzë detit edhe mendimet e tij lëkunden “si valët e detit”. Përsiatjet filozofike për realitetin e botës dhe krijimin nga exnihilo, vazhdojnë me kujtimet e Parisit kur lexonte Aristotelin dhe Shën Thomas d’Aquin-in. Ai që kishte synim të bëhej doktor apo shkrimtar, i kupton me hidhërim dështimet dhe vetminë që e shoqëron si artist. Duke menduar për ekzistencën e njëkohshme të Atit të përjetshëm dhe unit “terr që shkëlqen në dritë”, ai përhumbet njëkohësisht në vërshimet e ndjesive të një bote në zhvillim të vazhdueshëm. Krenaria e tij e cenuar e shtyn të urrejë trupin, mishin dhe të pohojë një liri të vërtetë shpirtërore. Stiveni është mësues historie. Një nxënës që vjen vonë në klasë, i kujton fëmijërinë duke i ngjallur të kaluarën, dhe e bën të mendojë për dashurinë amnore si të vetmen gjë të vërtetë në këtë botë. Kur mbaron mësimin ai takon drejtorin, i cili i mban një ligjëratë misozhine[6] e antisemite. Në këto rrethana vjen fraza e famshme: “Historia është një makth, nga i cili dua të zgjohem”.
Leopold Blumi, personazhi tjetër, Uliksi modern, shfaqet i heshtur, por plot andralla. Gjatë një dite ai do të përjetojë emocione të shumta e të ndryshme. Autor dhe shpërndarës reklamash, ai kryen një punë si gjithë të tjerët. I ati i tij ka qenë një hebre, i ardhur nga Hungaria dhe i kthyer në protestantizëm; aty në Irlandë ai e pati ndërruar mbiemrin në Blum. Pak pas vetëvrasjes së të atit, Leopoldi përqafoi katolicizmin për t’u martuar me një këngëtare që shëtit gjithë Irlandën me grupin e saj dhe “në ndryshim nga Penelopa e Homerit, ajo kishte pasur shumë dashnorë”, thuhet në një koment, ndër dhjetëra e qindra të tillë që ka ngjallur figura e saj. Ata kanë një vajzë që ka mbushur 15 vjeçe dhe një djalë që jetoi vetëm 11 ditë. Blumi është njeri i thjeshtë, një borgjez i vogël, i sjellë, dashamirës dhe zemërgjerë dhe ne shohim sesi dita e tij ka gëzimet dhe zhgënjimet e saj. Në mbrëmje ai shkon në teatër dhe pastaj në një bordel ku edhe takohet me Stivenin. Aty përjeton disa halucinacione që Joyce-i i përshkruan me mjeshtëri.
Mund të ndalemi në ndonjë temë të poemës së Homerit që autori e risjell me një kuptim të ri bashkëkohor. Bie fjala, tema e Sirenave në të cilën jepet fuqia mizore e kumbimit tingullor, është model i krijimit ku i lihet liri imagjinatës. Për Homerin rreziku e ka burimin te kënga e dy sirenave. Sigurisht te Joyce-i “rreziku” janë dy vajza të reja, por përtej tyre, është krejt episodi që nis e këndon. Lexuesi gjendet i magjepsur si Uliksi i poemës dhe i duhet të kthjellohet që të mos tralliset nga hutimi.
Sylvia Beach dhe James Joyce në librarinë Shakespeare & Company me rastin e daljes nga shtypi të Uliksit (1922)
Struktura
Joyce-i është ruajtur të mos ketë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me poemën Odiseja të Homerit, edhe pse në letërkëmbime ai u ka vënë tituj episodeve për ta bërë sa më të kuptueshëm tekstin. Skemat shpjeguese, të njohura si skema Linati[7] dhe skema Gorman[8] (madje është edhe një emër tjetër më pak i njohur), janë “një lloj çelësi” për të hyrë në vepër. Sipas Genette-it, kjo e bën romanin Uliksi një model të “hipertekstit”.
Rrëfimi i romanit përbëhet nga tetëmbëdhjetë kapituj, të cilat Joyce-i vetë i quajti episode (Pléiade, faqe LXXIV), të ndara në tri pjesë të mëdha: duke rimarrë emrat nga poema Odiseja, si: Telemak, Odise dhe Nostos (Pléiade, f. LXXXI-LXXXIV), ose sipas skemës tjetër me tri metafora: Aurora, Mëngjesi, Mesnata, (Pléade, f. LXXVI-LXXX).
Pjesa e parë Telamakiada (sipas skemës Linati) përmban tri episode. Veprimi përqendrohet rreth Stiven Dedalusit, personazh që përfaqëson fushat shpirtërore dhe intelektuale, pra, atë që është e palëndët te njeriu, figurë që njëjtësohet me Joyce-in, si një vazhdim i jetëshkrimit Portreti i artistit në rini (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV), i cili mbyllej me fjalët e artistit :“Do të farkëtoj në kudhrën time ndërgjegjen e paformuar të racës njerëzore.”
Pjesa e dytë zhvillohet në dymbëdhjetë episode dhe është pjesa më e rëndësishme e veprës. Aty gjejmë personazhin Leopold Blum, zëdhënës i fushës materiale dhe ndijimore të njeriut, Gjatë gjithë romanit, shtegtimet e Uliksit mund të ilustrohen në mënyrë hipotetike me zhvendosjet e Leopold Blumit në qytetin e lindjes. (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV).
Pjesa e fundit, e treta, përbëhet nga tri episode. Aty shfaqe sërish poeti i ri niset në kërkim të fatit. Monologu i fundmë i Mollit është quajtur më tepër një shtojcë sesa një episod.
Nga ndjesia e pikëllimit dhe zemërimit në hapje, kalohet në atë të gjendjes absurde e të lodhur në pjesën e dytë, për t’u mbyllur me pjesën e tretë muzikore. « Qëllimi im është të transpozoj mitin sub specie temporis nostris. Çdo aventurë nuk duhet vetëm ta kushtëzojë, por madje ta krijojë teknikën e vet»[9].
Veprimi në roman realizohet përmes gjuhës, nisur nga një skemë gjigante njerëzore. Disa komentues janë përpjekur ta minimizojnë fare rëndësinë e skemave të Joyce-it (Ezra Pound, kritiku i tij i parë, mendonte se është fjala për kombinime të pjesëve). Nga bisedat me Frank Budgen[10] shpërfaqet ideja se duke u nisur nga skema, Joyce-i kishte parasysh krijimin e një totaliteti imagjinativ historiko-kohor. Një skemë e tillë gjendet edhe te KomediaHyjnore. Lacan-i ishte mahnitur nga kjo lloj skeme. « Që çdo kapitull i romanit Uliksi kërkon të mbahet me një lloj suazimi […] është domethënëse, sepse lidhet me lëndën e asaj që tregon” [11].
Interpretimi
Mëngjes qershori. Ditë me dritë të artë, me qiell të kaltër, me rrugë që zgjohen. Një ditë e re dhe një odise e re për njeriun. Stiven Dedalusi nuk ka shumë kohë që është kthyer nga studimet, ai është edhe i trishtuar edhe i gëzuar.
Ky është epilogu i romanit. Sipas kritikës kemi një lindje plot histori që e marrim vesh jo në një vijë rrëfimtare kronologjike, por në prerje horizontale. Pastaj shfaqet Leopold Blumi. Lexuesi i njeh historinë dhe jetën e personazheve si në një vepër të pikturës baroke në të cilën përdoret “edhe impresionizmi edhe kubizmi”.
Përmes monologut të brendshëm ne takojmë shumë personazhe hije, të afërt dhe miq të këtyre personazheve, të vdekurit e Blumit të atin dhe të birin, miqtë e tij të rinisë, të atin dhe të ëmën e Stivenit dhe figura të tjera episodike. Sido që monologu i brendshëm nuk është mbizotërues dhe nuk përdoret i pashoqëruar me një ligjëratë të zhdrejtë, ai në të vërtetë mbetet shenja më dalluese e romanit. Vetëm monologu i Mollit në mbyllje është mbase i vetmi monolog i pastër.
Tetëmbëdhjetë episodet e romanit që përurojnë një grup të ri elementesh, janë një konceptim i ri të shkruari në fillimet e shekullit XX. Uniteti i veprës sigurohet nga përdorimi i shenjave dalluese, hapësirë-kohë dhe nga teknika e monologut. Romani është gjithashtu shumësi simbolesh dhe nënkuptimesh për historinë e mendimit perëndimor. Uliksi vetëështënjëtitull simbolik, ashtu si edhe personazhi kryesor, Leopold Blumi, i cili shndërrohet nësimbol. Aiështëhebre, përfaqësues injëpopulli me fat dramatik[12]. Në parathënien[13] e botimit të parë, vendosjen e Blumit në qendër të romanit, përkthyesi I. Azizi e quan “akt themelor politik”.
Ndryshe nga bashkëkohësit e vet shkrimtarë, Joyce-i nuk rrëmbehet nga përsiatjet morale dhe shoqërore. Në roman narracioni organizohet si kaos i një subjektiviteti fatmirësisht përparimtar, me një ironi që pastron vetëdijet, me një fragmentim të ngjarjeve dhe kujtimeve, ashtu si në jetë; ky model do të arrijë kulmin me Romanin e ri në Francë. Joyce-i kryqëzon idioma, vende, fjalë, ligjërime nën diellin e patriotizmit irlandez, shtegtime, këngë të trupit dhe shpirtit njerëzor, ngjyra dhe takime qytetërimesh, në të vërtetë të përziera prej kohësh. Të gjitha nën shigjetën sarkastike të deheroizimit të jetës në një përditshmëri natyrore të vjetër sa bota dhe në një vend të përbashkët ku kryqëzohen fatet njerëzore.
Nabokov-i ishte një lexues i vëmendshëm i Joyce-it. Ai e quante dhunti të veçantë shpikjen e fjalëve, lojën dhe tingëllimin e tyre. Por një moment që i kishte lënë shumë mbresa dhe që e komentonte në kurset e tij si një ide që do të formonte breza burrash të emancipuar, është ai kur Blumi i sjell mëngjesin në tabaka Mollit. Këtë pasazh ai e quante si “më të madhin e gjithë letërsisë”. Në këtë cilësim përzihej entuziazmi i shkrimtarit, lexuesit dhe ligjëruesit në katedrën e letërsisë.
*
Kritika thotë se ka një poetikë universale ligjërimi te vepra e Joyce-it. Domethënë se mund të ekzistojë një Libër, forma e të cilit të shpjegojë ide universale. Umberto Eco e ka quajtur vetë titullin një “formë shprehëse” që flet për përmbajtjen. Kur Joyce-i kërkon të dënojë paralizën e jetës irlandeze[14] dhe, përmes saj paralizën dhe shkërmoqjen e botës, për shembull, ai regjistron fjalitë e zbrazëta të mbushura me një vetëbesim të tepruar të gazetarëve, pa dhënë vetë asnjë gjykim. Gjykimi qëndron thjesht te forma e kapitullit, në të cilin rigjejmë të gjitha figurat retorike dhe ku frazat e bisedës u përgjigjen paragrafëve, titujt e të cilëve na kujtojnë ata të artikujve të gazetave; një lloj retrospektive titujsh të gazetës viktoriane të mbrëmjes plot skandale. Umberto Eco e lidh këtë formë rrëfimi me një lloj epifanie. « Nuk bëhet fjalë më për magjepsje nga një epifani vegim, por për një epifani strukturë me përmbajtje të qartë karteziane”[15].
Forma e romanit është “ujdisur” që në kohën e Aristotelit me poetikën e një intrige që sa vjen dhe zhvillohet në kohë. Përkundrazi Joyce-i realizon një formë shkrimore me prerje horizontale, në të cilën brenda një dite ngërthehen kohërat: Antikiteti, Mesjeta, Moderniteti, madje jashtë përsiatjeve dhe bisedave nuk mbeten as Upanishadat që është faza e fundit e Vedave dhe që sipas filozofisë Hindu shpreh te njeriu esencën shpirtërore të ndarë nga trupi.
Te Uliksi veprimet pa ndonjë rëndësi të jetës së përditshme, përftojnë vlera narrative. Perspektiva aristoteliane gjendet kështu e përmbysur; ajo që më parë ishte e dorës së dytë, bëhet kryesore. Aty nuk janë më gjërat e mëdha që ndodhin, por gjërat e vogla që shumohen përbëjnë ngjarjen. Herë-herë në roman ka biseda serioze, herë-herë dëgjohen thirrma vulgare ose shprehje formale, pa kuptim, herë-herë stili kalon në Yiddish ose në një gjuhë të pakuptueshme. Vështrimi i rastësishëm, mendimet dhe gjestet e atypëratyshme, marrin formën e një lloj automatizmi të jetës dhe janë lënda e parë për shkrimtarin. Sepse “arti është mënyra njerëzore për t’i dhënë lëndës së dukshme apo të padukshme një qëllim estetik” (Joyce, Fletoret e Parisit, 1905).
Kritiku Ernst R. Curtius shkruan se “Uliksi ka në bazë një nihilizëm metafizik; te ai makrokozmosi dhe mikrokozmosi prehen në zbrazëti dhe se qytetërimi katandiset në hirnajë si në një kataklizmë kozmike. Nihilizmi i tij është i lidhur me rregullin irracional”[16].
“Çrregullimin” në veprën e Joyce-it disa studiues e quajnë art, sepse çrregullimi aty jepet sipas një rregulli. Me këtë “gjenialitet të formalizmit”, autori ia del të sigurojë ekzistencën e botës së re që ka zbuluar vetë. Pikërisht këtu qëndron shpikja kryesore në roman.
Metoda e Joyce-it që ndërton një monolog të përzier me përshkrimin e gjesteve dhe të historisë, është më afër krijimit poetik. Këtë e ka shpjeguar Budgen[17] që e vlerësonte mënyrën e paraqitjes psikologjike të personazheve te romanit. Në librin me kujtime ai shkruan “ Metoda e thurjes së elementeve në prozën e Joyce-it ishte më shumë ajo e një poeti sesa e një prozatori. Fjalët që përdorte, ai i kishte të gdhendura thellë në mendje, para se të merrnin formë në letër”. Budgen kujton edhe se, ndërsa njëherë e pyeste për ecurinë e romanit, Joyce-i i ishte përgjigjur se “kishte punuar gjithë ditën për të shkruar dy fraza”. Dhe kishte shtuar se “i kishte tashmë në kokë fjalët, por i duhej të gjente rendin ideal”. Ja dhe dy frazat: “A warm human plumpness settled down on his brain. His brain yielded. Perfume of embraces all him assailed. With hungered flesh obscurely, he mutely craved to adore. “ (Ulysses, f. 637). Por përkthimi e ka të pamundur në cilëndo gjuhë qoftë, të ruajë rendin e fjalëve për shkak të zhvendosjes të theksit. Në anglisht fragmenti paraqitet si prozë poetike.
Shembujt e ndryshëm nga romani tregojnë se më shumë është fjala për një poetikë të brendshme të frazës sesa për një teknikë të mirëfilltë poetike. Ai është një art poetik që shpaloset mezidukshëm, një art që trazon dallimet e zakonshme mes poezisë dhe prozës. Valéry Larbaud shihte në këtë teknikë mjetin që Joyce-i të shkruante në mënyrë të natyrshme dhe ta zvogëlonte sa më shumë intrigën.
“Poetika e tij e re nuk ndalet vetëm në shfrytëzimin e sferës së unit lirik në gjendje nistore si në prozën e Woolf-it”, por përfshin një material të shtrirë në hapësirë dhe kohë. Kritika shënon se shqetësimi i Joyce-it për tekstin nuk kishte të mbaruar. Ai dëgjonte me vëmendje dhe shënonte fjalë, të cilat i duheshin dhe kishte besim te ylli i frymëzimit të tij. Gjithçka që grumbullonte, e përdorte në kohën dhe në vendin e duhur. Dhe meqë Uliksi pati si temë jetën në të gjitha pamjet e saj, nuk kishte kufi në përdorimin e elementeve të ndryshme që do të luanin rol në ndërtesën e tij krijuese: ngjyrat e ditës; të qiellit; një parodi; emri i veçantë i një peshku; metodat që përdoreshin për dënimin e marinarëve në anijet shkollore; një frazë e pambaruar; ngërçi nervor i një të ftuari që vizatonte në gotën e tij rrathë bashkëqendrorë; një shaka në një sallë muzike, bisedat nacionaliste… Shkrimtari dhe kritiku Wyndham Lewis thotë: « Kjo është një metodë natyraliste e çuar gjer në makth të përkryer”. Në këtë kuptim Uliksi lajmëron Finnegans Wake. Lexuesi e vë re se gjuha është ajo që shpesh i strukturon perceptimet.
*
Joyce-i ka përfituar nga realizmi psikologjik i personazheve letrare, sidomos i atyre të shekullit XIX, por ai e ndërthur këtë në ekuacionin veprim / monolog. Ne shpeshherë lexojmë mendimet e një personazhi që përshkojnë monologun e një tjetri : përputhje të habitshme bëjnë që Blumi të mendojë atë që Stiveni kishte thënë për Shekspirin. Edhe Lacan-i e përmend këtë gjë. Ndonjë kritik hamendëson se Joyce-i ka për qëllim të vërtetojë një lloj transmetimi telepatik midis Blumit dhe Stivenit. Bie fjala, Stiveni në bibliotekë dhe Blumi në episodin “Sirenat” mendojnë pak a shumë të njëjtën gjë: poetika e trishtimit, roli i muzikës, vargje nga vepra e Shekspirit. Është fjala për një kryqëzim idesh: gjithçka ndodh sikur Joyce-i donte të thoshte se ekziston një nënvetëdije kolektive. Prandaj është e pranueshme për të gjithë kritikët xhoisjanë të flasin për një instancë të një narracioni specifik midis narratorit dhe autorit. Ai shfrytëzon mundësitë që krijon struktura e ligjërimit e bazuar mbi një lloj dialogjizmi me ndërhyrje që janë thyerje logjike në ligjërim.
Për Joyce-in “bota e re”, e re në kuptimin që të ndërmarrësh një punë që nuk është provuar gjer atëherë, është më tepër « më e mira e botëve” të përhershme që rrjedh si lumë. Humori aty është i pranishëm çdo çast edhe pse gjejmë medoemos pesimizëm, hidhërim, keqardhje apo ironi. Humori shërben për të yshtur ankthin e vdekjes. Ndaj edhe dëgjojmë pareshtur të qeshura në të gjitha tonalitetet, një e qeshur që përfshin gjithësinë.
Kjo epope e Uliksit, e simbolizuar me një çifut hungarez, i shtënë pas shkencës, të cilit i bashkohet artisti Stiven Dedalus, i përhumbur në ankthin e Historisë është e jashtëzakonshme. Një pjesë e romanit shquhet për monologun e brendshëm të personazheve, pjesa tjetër për një parodi stilistike dhe autonomie gjuhësore në raport me “subjektet”, derisa gjuha bëhet vetë subjekt. Kështu kur përshkruan një skenë në maternitet Joyce merret me evolucionin e letërsisë angleze. Të gjitha shënimet që ka lënë ai, flasin për një enciklopedi të kulturës dhe historisë. Risjellja e së kaluarës në të tashmen, na kujton formulën e Dekartit : Mendoj, pra, jam[18], mënyrë faustiane për të kapërcyer tmerrin total. Jacques Derrida tregon se Emmanuel Levinas thoshte se Uliksi është “hero shumë hegelian”. Në esenë Uliksigramafon, ndër të tjera, Derrida shkruan: “Nga njëra anë, vepra (Uliksi) e Joyce-it është një makinë shkrimtarie, një korpus, në të cilin shpalosen dhe ndërthuren të gjitha: ligjërimet, gjuhët, dija. […] Nga ana tjetër thjeshtësia e saj dhe mënyrat e tërthorta të paraqitjes, bëjnë që të triumfojë autori dhe gjithçka merr pjesë pastaj për ta bërë të pamundur deshifrimin e tekstit. E shkruar në një përzierje gjuhësh, vepra mban gjallë pështjellimin. […] Ajo lë te lexuesi gjurmë të pashlyera duke e transformuar (nëse ia del ta lexojë; në më të shumtën e rasteve nuk ia del dot).Dhe lexuesi pret nga libri një zë profetik. Libri është si një thirrje në telefon që thotë: “Alo, jam këtu, po të dëgjoj”.
Përfundim
Duke shkruar Uliksin, James Joyce-i kreu një udhëtim gjuhësor që zgjati tetë vjet e që u kurorëzua me një kryevepër botërore. Prandaj krijesat e Joyce-it ia behin nga hapësira e rrëfimit me gjithë plotërinë e tyre duke fituar lëndën prej mishi dhe kocke, jo të një demiurgu, por të një njeriu që është i mbërthyer thellë në “jetën e vërtetë”.
Uliksi është një roman total, me një ndërtim shumëpërmasor që ka bashkuar disa regjistra shkrimorë për të shumëfishuar nivelet e leximit. Duke ecur në gjurmët e Homerit, por nga ana e kundërt e epikës, Joyce-i tregon jetën e zakonshme, komike dhe tragjike njëherësh, betejën ekzistenciale të njeriut. Uliksii sotëm përmbledh në një ditë të vetme në Dublin, dhjetë vjetët e endjes së Uliksit homerik. Epopeja moderne është “parodike […] e mishëruar te personazhi Leopold Blum, i cili nuk ka asnjë përmasë heroike në veprime, por vetëm në ëndrra. Bota në të cilën jeton ai është një pështjellim në vogëlsinë e vet dhe në përmasat mediokre”[19]. Forca e Blumit është të mos mposhtet nga negativja p<r t< siguruar vazhdimësinë e njerëzimit.
Para së gjithash romani është një sfidë vetjake për autorin, e cila mishëron një betejë gjuhësore në kërkim të fjalëve, prandaj është quajtur aventurë gjuhësore. Sintaksë, strukturë, tingull dhe stil, çohen gjer në atë pikë, sa fjalët dhe shkronjat e tyre fitojnë një jetë të pavarur. Simbolizmin që përshkon gjithë romanin dhe portretet psikologjike realizohen me anë të gjuhës. I syrgjynosur vullnetar i vendit dhe i gjuhës së tij, Joyce-i sajon gjuhën e vet, një gjuhë tjetër që e përvetëson, një gjuhë të krijuar prej tij që e shtyn lexuesin deri në kufijtë e të padukshmes. Thyerja e raporteve shkrimore të vendosura nga një traditë mijëvjeçare ishte guxim i madh krijues. Shkrimi i tij imiton shpërfaqjen e një mendimi të vetvetishëm.
Ecuri teknikash dhe lojërash gjuhësore, Uliksi i Joyce-it do të shquhet, ndër të tjera, për përdorimin e shkëlqyer të “përroit të ndërgjegjes”, që mëton të përshkruajë pikëpamjet e personazheve si një barasvlerë të mendimit të tyre.
Të lexosh Uliksin është një përvojë e papërsëritshme, sepse ai është edhe një udhëtim i brendshëm që na përball me një pjesë të unit tonë të panjohur. Joyce-i e vendos subjektin para një pasqyre në të cilën mund të humbasësh ekuilibrin nga e vërteta e zbuluar, por që është edhe e vërteta jonë. Thuhet se Joyce-i e mbrojti njëherë të vetme romanin me thënien e papërsëritshme dhe magjiplote: “Atëherë, po të mos lexohet Uliksi, duket thënë se nuk duhet të jetohet jeta”.
Efekti i “çuditshëm” i romanit lidhet me dendurinë e stilit, i cili është ekstravagant dhe plot kolorit. Këto “ushtrime” stilistike, nëse do t’i quajmë të tilla, nuk mbeten të ngujuara në një botë ëndrrash të ndarë nga jeta: ato hyjnë befasisht në mes të një historie që vazhdon të shtjellohet me gjakftohtësi në mes të një deti kulture. Dhe është kjo lëvizje kontradiktore me rënie dhe ngritje që e shndërron këtë tekst në një stinë të madhe jetësore ku jepen edhe qëndrimet kundër kishës dhe institucioneve, kryesisht ndaj Kishës katolike dhe Shtetit.
“Cilat janë arsyet e një suksesi botëror të Uliksit?”- pyet Typhaine Samoyault, kritike dhe profesore e letërsisë në universitetin Paris 8, e cila ka marrë pjesë në grupin e tetë përkthyesve të romanit për botimin e ri më 2004[20]. “Duke u bërë botëror, Uliksi është shkëputur nga kufizimet kombëtare, por gjithashtu edhe nga pozicioni i tij jashtëqendror duke e transformuar thellësisht idenë e autoritetit letrar. Joyce-i ka emancipuar gjuhën dhe kombin”,- përgjigjet vetë ajo. Kurse Philippe Forest , edhe ky profesor letërsie dhe studiues i vepërs xhoisjane në ditë tona, mendon se “Ulysse” nuk është një libër i palexueshëm”, ashtu si thuhet rëndom, “por një libër i lexueshëm; ai flet për jetën e atij që lexon dhe të atij që shkruan”.
Në të vërtetë, qysh nga botimi i pjesshëm dhe deri në ndalimin e tij të plotë kemi një mungesë perspektive botimi, por njëkohësisht edhe një veprim çlirues, thotë kritika. Censura solli një solidarësi të veçantë me librin. Kemi gra të guximshme botuese si Margaret Anderson në Amerikë dhe Silvia Beach në Francë, postierë që rrëmbejnë kopje të revistës LittleReview pas dënimit ku është botuar Ulysses, ka gjyqtarë dhe botues që e mbrojnë librin. Sigurisht ka edhe doganierë që zbulojnë kopje të librit dhe i djegin.
Por është për t’u theksuar, se botues me emër kanë luftuar ta heqin censurën mbi librin duke marrë pjesë me guxim në një proces të madh gjyqësor në mbrojtje të romanit për vite të tëra. Prandaj mund të thuhet se romani mbarti një fuqi transformuese: “Uliksi ka karakter transformues, ai nuk ka ndryshuar vetëm rrjedhën e letërsisë, por edhe përkufizimin e letërsisë në sytë e ligjit”[21].
Vepra e Joyce-it karakterizohet kryesisht nga një zotërim mahnitës i gjuhës dhe nga përdorimi i formave letrare të reja, të shoqëruara me krijimin e personazheve si Stiven Dedalus, Leopold Blum dhe Molli Blum që janë individualitete të një humanizmi të thellë.
Burimet: Veprat kryesore të Joyce-it, botimet Pléiade dhe arkiva Universalis.
[1] Revistë e avanguardës amerikane me bashkëdrejtues dhe bashkëpunëtorë Gertrude Stein, Shervood Andersom, T.S. Eliot. Romanin Uliksi të Joyce-it e rekomandoi aty Ezra Pound që ishte bashkëpunëtor për Europën. Revista e cilësonte si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX, e cila do të transformonte krejt prozën narrative.
[2] Umberto ECO, L’Oeuvre ouverte, ndarja 1: La poétique de l’oeuvre ouverte, Seuil, Paris, 1962, f.97.
[3] Letër dërguar H.Weaver-it, 24 qershor 1921 në Lettres 3 : 1915-1931, Paris, Gallimard, 1981, f. 194.
[4] Vladimir NABOKOV, Littératures, Paris, Robert Laffont, 2010, f. 1214. Në kurset e letërsisë në universitetet amerikane (1941-1958), Nabokov-i ka analizuar vepra nga Dickens, Flaubert, Stevenson, Proust, Kafka, Joyce ashtu si edhe ato të autorëve rusë: Gogol, Tourgenjev, Dostojevski, Tolstoi, Çehov dhe Gorki. Ai ka bërë një studim ikonoklast për DonKishotin. Duke hedhur poshtë shumicën e ideve të pranuara për kryeveprat e letërsisë, Nabokov-i pohon me një humor të shkëlqyer dhe ironi konceptet e veta të pavarura. “Litteratures” nuk arriti të botohej në gjallje të autorit, por në sajë të një pune të paepur dokumentuese të profesorit amerikan Fredson Bowers, skicat e Nabokovit, shpesh në dorëshkrim dhe shënimet në kopjet e librave që i duheshin për citime në auditor, formuan librin e madh të kurseve universitare, që John Updike, në parathënie i quan Ese.
[6] Misogine (fr. me burim grek): Që urren ose përçmon gratë.
[7] Carlo LINATI, shkrimtar dhe kritik italian (në James Joyce, Œuvres complètes, Gallimard, « Bibliothèque de la Pléiade », 1995, v. II, f. 910-911.
[8] Herbert GORMAN, shkrimtar dhe biograf amerikan.
[9] Letër dërguar Carlo Linati-it, 21shtator 1920 (në James Joyce, Œuvres completes… (vepër e cit.). Po aty.
[10] Frank Spencer BUDGEN (1882 – 1971), piktor, shkrimtar dhe veprimtar socialist. Budgen dhe Joyce kanë kaluar shumë kohë bashkë në Zvicër, sidomos gjatë Luftës I botërore. Libri i tij me kujtime James Joyce and Making of Ulysses, 1934, përshkruan diskutimet e tyre të shumta rreth problemeve estetike të krijimit. Si piktor Budgen-i ka realizuar mjaft portrete të James Joyce-it.
[11] Jacques LACAN, Le Séminaire, livre XIII, Lesinthome, Seuil, Paris, 2005, f.65.
[12] Kur botoi Joyce-i romanin, shteti i Izraelit nuk ekzistonte.
[13] Mendoj se ajo parathënie duhet ta shoqërojë librin në të gjitha ribotimet.
[14] “Banorët e Dublinit janë bashkëkombësit e mi… por ata përbëjnë një racë sharlatanësh … Dublinasi e kalon kohën duke dërdëllitur dhe duke shkuar nga kafeneja në kafene, në taverna dhe në bordel…”. Citim nga një letër e Joyce-it në librin e Richard Ellmann-it, Joyce.
[15] Umberto ECO, L’Oeuvre Ouverte, Du Seuil, Paris, f. 221.
[16] Ernst Robert CURTIUS (1886-1956) , një prej figurave të mëdha të kulturës moderne europiane. Filolog dhe profesor letërsie në disa universitete të Gjermanisë, ai bëri studime për shumë autorë si Paul Valéry, Maurice Barrès, Valéry Larbaud, Paul Clodel, Marcel Proust, James Joyce, Emerson, T.S. Eliot, Hugo von Hofmannsthal e të tjerë. Ai është autor i veprës së shquar “Letërsia europiane dhe Mesjeta latine”.
[17] Frank Spencer BUDGEN, James Joyce et la création d’Ulysse, (përkth. nga angl.), Denoël, Paris, 2004, f.137.
[19] Robert LOUIS, James Joyce, Une epopee parodique, Magazine Littéraire, Paris, janar, 2004, f. 55.
[20] Përkthimi i ri i romanit u bë më 2004 nga Shtëpia Botuese Gallimard, Paris, me një grup prej tetë vetësh të formimeve të ndryshme universitare, kryesuar prej Jacques Aubert.
[21] Kevin BIRMINGHAM, The Most Dangerous Book: The Battle for James Joyce’s Ulysses, 2014, f. 92.
Po bie shi mbi trupin tim të lodhur,
Si mbi një lis, në vetmi të ngelur,
Që rrufetë e Zeusit e kanë goditur,
Por rrënjën në palcë të dheut s’ia kanë shkëputur.
Në palcën e kockës fle një histori,
E gdhendur nga koha me plagë e kujtime,
Në rrënjën e tokës pulson e njëjta jetë,
Që lind nga dhimbja dhe çel në agime.
Në trupin tim shtrihet një hartë e lashtë,
Me lumenj në damarë e me male në eshtra,
Me dete që vlojnë në thellësi të gjakut,
E horizonte të mbyllura pas mureve të heshtjes.
Po bie shi…
Mbi mishin e çarë nga rrufetë e moteve,
Mbi kockën e krisur në thellësi të palcës,
Aty ku as drita nuk depërton pa dhimbje,
Ku heshtja ruan gjurmët e dhunës së natës.
Dikur muret ma matën frymën me gurë,
E nata ma numëronte rrahjen e zemrës,
Por unë në errësirë ruaja një agim,
Që asnjë mur s’mund ta burgoste në thellësi të qenies.
Zeusi mbi mua lëshonte rrufetë e qiellit,
Atlasi më mësonte peshën e ekzistencës,
Prometeu në palcë ma ruante zjarrin,
E Odiseu më printe në udhët e qëndresës.
Si Atlasi, mbi supe mbaj barrën e kohës,
Si Prometeu, në shpirt ruaj zjarrin e lirisë,
Si Odiseu, lundroj nëpër dete të pafundme,
Drejt Itakës së mallit, të rrënjëve e dashurisë.
Po bie shi…
Dallgët e kohës përplasen mbi mua,
Furtunat tronditin shkëmbinj e male,
Por rrënjët e mia, thellë në tokë,
Ruajnë kujtesën e brezave të gjallë.
Mali më njeh, se prej tij kam qëndresën,
Lumi më njeh, se në gjak kam rrjedhën,
Deti më njeh, se në shpirt kam thellësinë,
E qielli më njeh, se me të ndaj pafundësinë.
Në trupin tim, si në hartën e dheut,
Ka vija që koha i vizatoi me dhunë,
Ka pjesë që i ndan largësia e kufirit,
Por rrënjët e tyre pinë nga i njëjti lumë.
Nuk ndahet mishi nga kujtesa e trupit,
As rrënja nuk harron prejardhjen e vet,
Se çfarë ndan dora në hartën e kohës,
E bashkon shpirti në përjetësinë e vet.
Nuk jam vetëm unë që përballem me shiun,
Në mua kalojnë shumë breza e mote,
Jam një degë e një pylli të lashtë,
Që ende kërkon pranverë për këto troje.
Po bie shi…
E shiu depërton në plagët e vjetra,
Por nuk i shuan dot gjurmët e kujtesës,
Se disa dhimbje nuk kërkojnë mëshirë,
Por vetëm të mos humbasin në harresë.
Jam lis i vetmuar, por jo pa rrënjë,
Me degë të përkulura, me ballin në hënë,
Erërat më shkundin, furtunat më ndjekin,
Por rrënjët e mia në thellësi më mbajnë.
E dashuria…
Ajo nuk njeh kufij të kohës,
As largësi malesh, as thellësi detesh,
Ajo është fara që çan zemrën e gurit,
Është rrënja që lidh njeriun me dheun.
Është shiu që prek trupin e lodhur,
Është dielli që zgjon farën në tokë,
Është fryma e shenjtë në thellësi të qenies,
Që i jep shpirtit dritë kur gjithçka hesht.
Njeriu është natyrë që mësoi të ndiejë,
Natyra është heshtje që mësoi të flasë,
E dashuria është ura mes të dyjave,
Që i jep kuptim jetës edhe kur ajo dhemb.
Në çdo grimcë të trupit më flet një univers,
Në çdo grimcë të dheut më flet një jetë,
Ndoshta jemi pluhur i yjeve të lashtë,
Që për një çast mësuam të quhemi dashuri.
Po bie shi…
Mbi trojet ku historia ka lënë gjurmë,
Mbi gurët që ruajnë emra e kujtime,
Mbi lisat që panë perandori të shuhen,
E mbi rrënjët që mbetën gjallë ndër stuhitë.
Në këtë tokë, ku brezat u bënë kujtesë,
Ku guri mësoi të flasë me heshtjen,
Ku gjaku u bë dëshmi e ekzistencës,
Liria u rrit në palcën e dheut, si shpresë.
Se liria nuk është veç një fjalë,
As një flamur që valëvitet në erë,
Është fryma që kalon nga brezi në brez,
Është rrënja që mbetet kur trupi bëhet dhe.
Kur të pushojnë dallgët e shekujve,
Kur Zeusi të heshtë mbi kupolën qiellore,
Kur Atlasi ta lëshojë barrën e botës,
E Prometeu të ndezë zjarrin e agimit të ri,
Unë, si Odiseu, do të kërkoj Itakën,
Jo për t’u kthyer aty ku dikur kam qenë,
Por për të gjetur atë që koha s’ma mori:
Rrënjën, kujtesën dhe shpirtin që më mban.
Po bie shi…
Por shpirti im nuk përkulet nga stuhia,
As nuk e shuan shpresën errësira,
Se mund të copëtohet trupi në shumë horizonte,
Por jo një shpirt që i ka rrënjët në liri.
E kur të pushojë shiu mbi këtë lis,
Kur degët të lahen nga lotët e motit,
Ndoshta do ta kuptojmë të vërtetën e jetës:
Se edhe dhimbja mund të bëhet burim i dashurisë.
Ndoshta nuk është qielli ai që qan,
Por njeriu që s’di ta shprehë atë që ndien,
Ndoshta toka nuk pret vetëm pranverën,
Por dashurinë që në çdo plagë mbin.
Se unë jam toka, jam deti, jam mali,
Jam rrënja që mbijeton nëpër shekuj,
Jam njeriu që kërkon kuptimin e jetës,
Jam dashuria që sfidon edhe vdekjen.
PO BIE SHI…
Shiu edhe mund të pushojë,
Stuhitë mund të largohen,
Por ajo që njeriu shkruan me palcën e shpirtit nuk thahet …
Vetëtimat ndezin vëndin,pritet shi të bjerë me gjyma
Shoh me sy “azërmënin” dhe nxitoj sa më del fryma
Sado shkrepin vetëtimat,unë jam nisur për në shtçpi
Shoh një zonjë që po friket.dridhet si një zog në stuhi.
E shoh që dridhet frikës,s’ka as çadër në këtë shi.
Shkoj i bëhem”rrufepritës” dhe,nën çadër,jemi tani.
Rruga është goxha e gjatë dhe gjmimat veç gjëmojnë
Gati vëndi ndizet flakë(bobo,do na”përcëllojnë”!!!)
Ndaj e zë unë me dorë,që të mbushet me fuqi
Po unë pse ndizem horë? Vetëtimë zonja a si?
Vetëtima prapë shkrepi (zonja mend u hodh përpjetë)
Thasë me vete,oh,ç’më gjeti! Mos e gjen ndonjë gazep?!!!
Me dy duarët e mbërtheva dhe e fut në timin gji
Thashë se në mes e theva,por s’po dridhej më tani.
Duket i pëlqeu “foleja”,se në gjoks m’u tulat
Tani ndryshe “meseleja”, atë “punë” e kam “zanat”.
Zë e puth atë, me nge: vetëm për t’i nxjerrë”frikën”
Duket e pëlqeu se,tash e pushoi “dridhën”
E mbaj mend mirë ditën, atë ditë me vetëtima
Se ASAJ i nxorra”frikën” dhe me të ia bëmë “prima”.
Sot, ndërsa Kosova proteston dhe kërkon drejtësi për një grua të vrarë, duhet të pyesim veten jo vetëm kush është fajtor, por edhe çfarë shoqërie kemi ndërtuar për gratë tona. Dhuna nuk fillon gjithmonë me goditjen e parë; ajo ushqehet edhe nga heshtja, paragjykimet dhe bindja se gruaja duhet të durojë për të ruajtur familjen.
——
Pikërisht sot dua të ndaj këtë shkrim, si një kujtesë se asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbështetje, pa dinjitet dhe pa një derë të hapur.
Baba, dashuria e parë e vajzës
Kur një baba i jep vajzës së tij çelësin e shtëpisë
Sot më doli në Facebook një video nga një ceremoni martesore.
Një çast i bukur, por mbi të gjitha një çast që të dridhte shpirtin.
Babai iu drejtua dhëndrit me këto fjalë:
“Mos harro, Brajan: unë e kam dashur para teje. Ndaj ajo do të jetë gjithmonë e mirëpritur, nëse një ditë do të dojë të kthehet.”
Një fjali rrënqethëse.
E fortë sa shkëmbi dhe e lartë sa qielli.
Një betim i vjetër sa vetë dashuria.
Kjo është një nga ato dashuri dinjitoze që vetëm një baba di t’ia shprehë vajzës së tij:
pa zhurmë, pa dramë, por me një madhështi që i jep gruas siguri për gjithë jetën.
Një burrë një ditë mund të ndalojë së dashuruari.
Jeta mund të ndryshojë.
Rrethanat mund të thyhen.
Por të dish se gjithmonë ekziston një derë ku mund të trokasësh, një adresë ku nuk je e huaj, një strehë ku nuk të gjykojnë është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrë një vajzë nga prindërit e saj.
Ah…
Sa shumë vajza ecin sot kokë ulur në jetë, me një frikë të padukshme në kraharor, me një heshtje që u thotë:
“Duro… sepse nuk ke ku të shkosh.”
Mungesa e kësaj fjale nuk është vetëm mungesë dashurie.
Është liri e prangosur mbi kokën e saj.
Një vajzë që nuk ka një derë ku të kthehet, mëson të jetojë me frikën si normë, të durojë e të heshtë edhe atëherë kur duhet të bërtasë.
Dhe kështu, pa e kuptuar, ajo nuk humb vetëm sigurinë humb vetveten.
Nuk është vetëm dhuna që e mban një grua peng.
Është mungesa e një vendi ku ajo ndihet e pranuar pa kushte.
Sa shumë vajza kanë nevojë ta dëgjojnë këtë fjali.
Sepse ajo nuk ishte thjesht një fjali.
Ishte shpirti i një babai që po i thoshte dhëndrit:
kjo është dora që nuk lëshohet kurrë, dhe asnjë derë e mbyllur në botë nuk do të jetë fundi i saj.
Ky është çelësi i një lirie të dhënë që në fillim të jetës.
Sa shumë siguri i jep shpirtit një ndjenjë e tillë.
Sa e bukur duket një vajzë kur ecën në rrugën e jetës me guxim, me vetëdije dhe me dinjitet.
Ndonjëherë edhe një fjali e vetme bën më shumë se një jetë e tërë këshillash.
Ajo thyen prangat në shpirtin e një vajze.
Rrëzon mitet që mbahen me shekuj e paragjykime.
Ndalon grushtet e dhunës para se të bëhen plagë.
I jep të drejtën të largohet, të mos nënshtrohet, të mos trembet, të zgjedhë veten para së gjithash.
Të shpëtohet.
Nga një baba që i thotë vajzës së vet, pa frikë nga bota:
“Ti gjithmonë ke një vend ku të kthehesh.”
Dhe dashuria e vërtetë nuk të mban peng.
Ajo të jep rrugë.
Dhe gjithmonë… një kthim.
Një vajzë nuk ka nevojë për shumë gjëra për të qenë e lumtur.
I mjafton ta dijë se nuk është kurrë vetëm.
Se diku në këtë botë ekziston një shtëpi që e pret gjithmonë derë hapur.
Faleminderit, Baba im.
Çelësin nuk ma dhe vetëm për të hapur një derë.
Ma dhe që të mos humbja kurrë rrugën për në shtëpi.
Në 180-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri
Analogji midis poezisë së NaimFrashërit dhe asaj të Walt Whitman-it
Përse u desh që të lindnim ? Dhekush jemi ne ? Dhe cila është tokajonë, terra nostra ? Do të kuptoshpakogjë, në qoftë se kënaqesh tëhulumtosh enigmën e identitetit mendihmën e një kujtese vetëm e vetëmbrendashikuese (introspektive) ;për të kuptuar, duhet të krahasoshthoshte Broch-u, duhet që identiteti t’inënshtrohet provës së ballafaqimeve.
Milan Kundera, Le Rideau
Historianët e letërsisë shqiptare, studiuesit, kritikët letrarë, madje edhe shkrimtarët që kanë hedhur dritë mbi veprën e Naim Frashërit dhe e kanë vlerësuar atë si personalitetin qendror të letërsisë e të kulturës sonë në shekullin XIX kanë qenë të shumtë. Midis botimeve të tyre, spikat vepra monumentale « Porosia e madhe » e historianit të letërsisë, e kritikut letrar, e estetit dhe e shkrimtarit Rexhep Qosja. Ndryshe nga studiuesit e mëparshëm, në esenë time, unë do t’i qasem poezisë së romantikut tonë të madh në mënyrë oblike, duke e krahasuar atë me poezinë e Walt Whitman-it, të cilin nobelisti Octavio Paz-i, në veprën e tij « L’arc et la lyre », e ka quajtur « Poeti i Amerikës ». ( referenca XXI, faqe 392)
Naim Frashëri (1846-1900) dhe Walt Whitman-i (1819-1892) rrojtën dhe krijuan në të njëjtin shekull, në kohën e ngritjes dhe të afirmimit të kombeve të tyre. Naim Frashëri qe përfaqësuesi më i shquar i letërsisë së Rilindjes Kombëtare
shqiptare. Në veprën e tij që titullohet « Amercan Renaissance : Art and Expression in the age of Emerson and Whitman », të botuar më 1941, profesori i historisë dhe i letërsisë në Havard F. O. Matthiesen-i e vlerëson Walt Whitman-in si një nga pesë autorët madhorë të kësaj periudhe të artë. (XXII, 57)
Të dy këta poetë i përkasin lëvizjes kulturore dhe artistike të romantizmit.
Sigurisht arsyet e sapopërmendura do të ishin të pamjaftueshme për ta përqasur poezinë e Naim Frashërit me atë të Walt Whitman-it, po të mos ekzistonin ngjashmëri të shumta midis veprave të tyre, të cilat më kanë rënë në sy gjatë leximeve të mia. Për t’u bërë parapritë kritizerëve, të cilëve kjo përqasje mund t’u duket e pavend, e sforcuar apo pretencioze, jam i detyruar të përsërit aksiomën e njohur: « Ekzistojnë familje shkrimtarësh; megjithatë këto familje nuk i bashkojnë as gjaku as gjeografia, por shijet, parapëlqimet, obsesionet=mendimet e ngulëta (apo= të pashqitshme ). » (XXIII, 20)
Siç e kam vënë në dukje në ndonjë shkrim të mëparshëm të kësaj natyre, analogjitë letrare ndahen në dy kategori të mëdha : në analogji gjenetike, ku përfshihen ato ngjashmëri, të cilat, sipas Gérard Genette-it, janë përftuar nga ndikimi i një vepre A mbi një vepër B (XXIV, 13) dhe në analogji tipologjike, të cilat përjashtojnë çdo ndikim të drejtpërdrejtë të një vepre mbi një tjetër. Ato kanë lidhje vetëm me stadin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, të kulturës dhe të letërsisë si pjesë e saj, me natyrën e veprave letrare, me temperamentin, me kulturën dhe me talentin e autorëve të përqasur.
Jam plotësisht i bindur se në rastin e ngjashmërive që vihen re midis poezisë së Naim Frashërit dhe të asaj të Walt Whitman-it, të cilat do të shqyrtohen në vijim të kësaj eseje, bëhet fjalë vetëm për analogji tipologjike. Nuk ka asnjë gjasë që autori ynë, ndonëse ka qenë disa vjet më i ri në moshë, ta ketë lexuar veprën e poetit amerikan apo të ketë pasur dijeni për ekzistencën e saj. Dihet se edhe në Europën Perëndimore ajo është bërë e njohur me vonesë.
Edhe analogjitë tipologjike do të ndahen në dy grupe të veçanta : në ngjashmëri konceptuale dhe tematike që kanë të bëjnë me brendinë, dhe në ngjashmëri stilistike, të cilat vihen re në rrafshin e formës.
POETI SI PROFET I KOMBIT TË VET
Në përvjetorin e njëzetepestë të vdekjes së Naim Frashërit, Safet Butka do të shkruante : « …ky burim lumtësije qiellore s’e ka mëmën vetëm në ndjenjat poetike e patriotike, por edhe në disa thesarë të tjerë q’i japin Naimit titujtë : Atë, Mjeshtrë, filosof, Pedagog, Profét, reformator etj » (XXV, 5) Poetin tonë kombëtar e ka cilësuar si profet edhe historiani i letërsisë shqipe, Dhimitër S. Shuteriqi : « Fjalët e qiririt », frymëziminin, frymëzimin për Shqipërinë dhe përgjithësisht për njeriun, e paraqisnin prej burimi hyjnor, duke ngritur kështu Naimin në rangun e një profeti të lëvizjes kombëtare… » (XXVI 324)
Meqenëse Naim Frashëri u bë zëdhënës i dëshirave më të fshehta dhe i synimeve më largpamëse të kombit të vet, shpeshherë poezia e tij ka tone profetike. Duke iu drejtuar manushaqes së stërkequr nga dimri i rëndë, të kapluar nga ferrat dhe barishtet e këqija (Shqipërisë që lëngonte në robërinë turke), ai thotë :
Po mos u tremb, bëhu trimeEdhe ki durim e shpresë,E pa silli Zotit besëDhe kësaj fjalësë sime. (XXVII, 16)
Në poemën « Shpreh », ligjërimi simbolik i lirikës „Shkëndij‘ e diellit ndaj manushaqes“ i lë vendin ligjërimit të drejtpërdrejtë :
Për Shqipërinëditët e mirapaskëtaj vinë,Lum kush të rrojë,ta shohë zonjë ! XXVII, 8)
Megjithëse Shqipëria dhe populli shqiptar ishin katandisur në një gjendje të vajtueshme, poeti ynë kombëtar ishte i bindur se përpjekjet e rilindësve dhe të të gjithë atyre që punonin për ta ndryshuar fatin e atdheut të vet nuk do të shkonin kot:
Nukë më ngjan, e s’e besonj, kam te Zotishumë shpresë,
Shqipëria këtej tutje kshu po nukë do tëmbesë. (B B)
Në poemën „Gjuha jonë“, ai thotë se këto ndryshime që do të arriheshin si në rrafshin e kulturës ashtu edhe atë të politikës, ishin të pashmangshme:
Si lum kush zë të mbjellë,lum kush vë këtë pemë,se kjo ka për të pjellë,s’mbulohetë me rremë! (XXVII, f 3)
Synimi madhor i asaj kohe ishte çlirimi i Shqipërisë nga robëria turke, mëvetësia e saj dhe krijimi i shtetit shqipatar. Për t’ia arritur këtij synimi, do të përdoreshin të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe luftën e armatosur, ashtu siç kishin vepruar edhe popujt e tjerë ballkanikë :
Se prap’atdheu, ky vendi yt, Shqipëria jot‘e lirë,
Do të çlirohet një dit’, me hir, me të pahirë.(Dëshirë :Ku?)
Ëndrra është e pranishme në poezinë naimiane është edhe ëndrra, siç e dëshmon titulli i përmbledhjes me lirika « Tehajylat » (Ëndërrime). Në krijimtarinë e romantikut tonë, profecia dhe ëndrra janë të pashkëputura nga ardhmëria, me të cilën krijojnë një trini poetike: « Përmes veprës së Naimit ekzaltohet e kaluara ose ëndërrohet për të ardhmen… » (XXXIV, 352) I këtij mendimi është edhe Rexhep Qosja : « … kurse në vjershën Shpreh, të shkruar në pesërrokësh, ai fut një motiv të ri në poezinë e tij atdhetare : fut motivin e besimit në ardhmërinë e pavarur të vendit të vet, në ardhmërinë e dritës e të lirisë që, thotë, nuk është larg. » (X, 193-194)
Në përmbledhjen “Ëndërrime”, ai i uron atdheut një ardhmëri të begatë e të ndritur:
I begatë- i lulëzuar qoftë aiNjë të ardhme pastë plot me lumturi!”(XXXVIII, 132)
Në poezinë e Walt Whitman-it hasen më se një herë fjalët: « profet, profetizoj, profeci », siç ndodh në poemën « Lutja e Kristof Kolombit » :
A mos vallë brenda meje tashti flet njëprofet, a mos vallë po flas përçart ? » ( XXVII, 513)
Në poemën « Këngë për veten time » bardi amerikan thotë :
« Ç‘është e ndyrë largohet prej klithmës sime profetike…” (XXIX, 246)
Në një poemë tjetër, vihen krah për krah profetët dhe poetët :
Profetët dhe poetët më kanë parathënëme anë të poemave profeci ekstatike… (XXVIII, 543)
Ashtu si sivëllezëritë e tij romantikë, autori i kryeveprës “Fije bari” beson se me profecinë e tij, poeti i nxit popujt e robëruar që të luftojnë për të fituar lirinë ose për ta mbrojtur atë nga armiqtë që e rrezikojnë: « I mbrujtur me një idealizëm të ndikuar nga trashendentalizmi i Emerson-it, ai (Walt Whitman-i, A. P.) beson te pushteti që ka poeti për t’u prirë popujve drejt lirisë. » ( XXII, 62)
« …Botë, je te nomme (=unë të thërrasnë emër, botë, unë të profetizoj, çfarë mundtë bëj tjetër… » (XXVIII, 561)
Qëndrimi që shpreh Whitman-i në vargun e sapocituar, i shkon për shtat edhe Naim Frashërit, i cili, për shkak të mjedisit ku rronte, por edhe të shëndetit të brishtë nuk mund të rrëmbente armët për ta çliruar Shqipërinë nga robëria disashekullore, por vetëm mund të nxiste, të frymëzonte të tjerët për ta bërë një gjë të tillë, duke profetizuar për atdheun dhe për kombin e tij një ardhmëri më të dinjitoze. Kjo gjë të kujton përcaktimin e poetit gjerman Friedrich von Hardenberg-Novalis-it, i cili thoshte : « Poeti nuk e bën dot diçka, por ai ndikon që ajo gjë të bëhet .» (XXI, 773)
Ehe në krijimtarinë e Walt Whitman-it, profecia lidhet ngushtë me ëndrrën, me përfytyrimin që ata kishte për ardhmërinë e kombit të vet. Në esenë « Whitman-i,poet i Amerikës”, bëhet ky përcaktim : « Në kundërshtim me disa interpretime të kohëve të fundit, mund të thuhet se, në veprat e tij (të Whitman-it, A. P.), ëndrra poetike dhe ëndrra historike janë një. » (XXI, 892)
Situatat historike që ekzistonin në Shqipërinë dhe në Amerikën e shekullit XIX, kanë qenë të ngjashme në disa drejtime : të dyja këto kombe ishin në ngjizje e sipër, në udhën e emancipimit, të vetëdijësimit dhe të afirmimit të tyre. Ardhmëria e tyre ishte ende një ëndërr, siç e pohon autori i esesë së mësipërme : « Poezia e Whitman-it është një ëndërr profetike, por ajo është një ëndërr në një ëndërr tjetër, një profeci në një tjetër, shumë më të gjerë, që e ushqen atë. Amerika e ëndërron vetveten në poezinë e Whitman-it, sepse ajo është një ëndërr. » (XXI, 892)
Më tej, autori i esesë thekson se poezia e bardit amerikan ishte realiste, sepse ëndrra e tij ishte ëndërr e vetë realitetit, substanca e vetme e të cilit ishte ta shpikte vetveten, ta ëndërronte vetveten pareshtur. Për të mbështetur një interpretim të tillë, autori i esesë i referohet përsëri romantikut të madh gjerman, Novalis-it, i cili kishte thënë : « Kur ne shohim në ëndërr se po ëndërrojmë, kjo do të thotë se zgjimi është afër. » (XXI, 895)
Whitman-I deklaron :
«Në një ëndërr ëndërrova një qytet të papushtueshëm nga pjesa tjetër e botës » (XXVIII, 177)
Për të vënë në dukje karakterin profetik të poezisë së Whitman-it, studuiesi Michel Barrucand-i thotë: « Përmbledhje e vetme në jetën e krijuesit të saj, Leavesof Grass është një libër vizionar. » (XXX, 41) Jam i bindur se ky përcaktim I shkon për shtat edhe poezisë e Naim Frashërit, i cili ëndërronte Shqipërinë e së ardhmes. Vegimet, shestimet, parashikimet e tij ishin një program historik që duhej të vihej në jetë. Një bindje të tillë, ma përforcon edhe interpretimi që I bëhet poezisë së bardit amerikan : « Asnjëherë, Whitman-i nuk ka qenë i vetëdijshëm se po ëndërronte, ai ka besuar gjithmonë se ishte një poet realist. Dhe ai ishte vetëm deri në atë shkallë, kur realiteti që ai celebronte nuk ishte më një e dhënë, por ishte një e përshkuar tejetej nga koha e ardhshme.. “Amerika e ëndërron veten në poezinë e Whitman-it, sepse ajo është një ëndërr : një krijim i kulluar. » (XXI, 895)
Sipas studiuesit Pierre Lagayette, Whitman-i i nxiste bashkëkombasit e tij ta shndërronin Amerikën ideale në një realitet historik, duke e ndërtuar atë në vitet që vijnë: « …dhe Whitman-i (nous entraîne= na shpie A. P.) drejt një Amerike ideale, encore à construire= që duhet të ndërtohet. » (XXXI, 33)
Whitman-i pohon se ëndrrat e tij nuk i përkasin vetëm atij, por në to mishërohen vizionet dhe aspirtatat e shumë njerëzve të tjerë, pra, ato kanë karakter kolektiv :
Dhe në ëndrrat e mia unë ëndërrojëndrrat e ëndërrimtarëve të tjerë,
Sepse unë bëhem të tjerët që ëndërrojnë. (XXVIII, 518)
Trinia profeci-ëndërr-ardhmëri ndeshet shpesh në poezinë e Whitman-it :
Duke qenë unë vetë veç lidhje, këngëtarii një të ardhmeje premtuese (359)
Te poema: « Ti, nëna jonë para barazisësë fëmijëve të tu », të botuar më 1872,Whitman-i I drejtohet Amerikës me këtofjalë :
Do të doja të këndoja një këngë të saktëpara se të iki, të posaçme që ketë lidhje
Një këngë të veçantë që ka të bëjë me ty,me ardhmërinë tënde [… ]
Do të doja të tregoja qysh më parëBashkimin tënd të vërtetë, të tregoja rrugëtpër ta kryer atë. […]
Dhe unë kam besim tek ju, ditë tëardhmërisë. » (XXVIII, 414)
« Unë i dërgoj ngjyrat e të tashmes në qiell, parathem një ardhmëri sublime dhe të hareshme të Shteteve tona… » (XXVIII, 44)
« Po, unë do ta bëj këtë kontinent të pavdirë,
Do ta bëj racën me të shkëlqyer, mbi tëcilën ka ndritur dielli… » (XXVIII, 161)
Poemat e Naim Frashërit dhe të Walt Whitman-it që flasin për ardhmërinë, të kujtojnë deklaratën që do të bënte Guillaume Apollinaire-i pak vjet pas vdekjes së protagonistëve të kësaj eseje : « Poetët duan ta zbutin profecinë, këtë pelë të zjarrtë që askush nuk e ka bërë zap ndonjëherë. » (XXXII, 108)
I.NGJASHMËRI NË RRAFSHIN EBRENDISË
1.Elemente botëkuptimore
POEZIA DHE FILOZOFIA
Ngjashmëritë midis krijimtarisë së Naim Frashërit dhe asaj të Walt Whitman-it kanë të bëjnë me mënyrën sesi ata e kuptojnë botën dhe jetën njerëzore. Shpalosja e botëkuptimeve të tyre është e domosdoshme për arsye se këta të dy autorë janë poetë filozofë. Dihet se qysh në fillimet e kulturës njerëzore, poezia dhe filozofia kanë qenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kështu ka ndodhur me filozofët parasokratikë, të cilët kanë përdorur një ligjim poetik dhe veprat e tyre i kanë shkruar në vargje. Libri « Tao-te-king » : Rruga dhe virtyti i saj, i cili ka për autor filozofin kinez dhe themeluesin e taoizmit Lao-tseu, (570-490 para Krishtit) është shkruar në vargje. Kjo dukuri haset edhe në nënkontinentin indian: « Po shtoj se në Indi, pothuaj të gjithë filozofët e rëndësishëm kanë qenë poetë. » (XXI, 593) Në Persi, një filozof i famshëm si Omar Khayami pikëpamjet e tij filozofike i ka shprehur në vargjet e përmbledhjes së tij «Rubayat » .
Kjo traditë e lashtë, e përhapur në hapësira gjeografike dhe kulturore të ndryshme, në kohën e re ka vazhduar me lëvrimin e lirikës filozofike, e cila është quajtur edhe lirikë refleksive apo përsiatëse. Në analizën që i bën simbiozës midis poezisë dhe filozofisë, O. Paz-i i krahason ato me enët komunikuese : « A është nevoja t’ua kujtoj se për mua poezia dhe mendimi formojnë një sistem të padukshëm – por sa real – enësh komunikuese .» (XXI, 275) Nga ana e tij, filozofi bashkëkohor Emile Cioran është i mendimit se poezia ka përparësi mbi filozofinë, ngaqë ajo mund të ndikojë më fuqishëm te njeriu : « Në raport me filozofinë, poezia ka më shumë intensitet, dhimbje dhe vetmi. » (XXXIII, 132)
Sipas studiuesve, poezia filozofike paraqitet në dy forma :
a) në qoftë se sistemi nuk është i organizuar, bëhet fjalë për poezi gnomike ; poeti kufizohet me maksima, me krijime të shkurtra didaktike. Ky zhanër ka qenë shumë i zhvilluar në lashtësi, sidomos në kohën e filozofëve të parë jonianë dhe te disa poetë si Soloni, Teognidi, Fosilidi. (XXXII, 100) Këtë lloj poezie e ka lëvruar edhe Naim Frashëri në krijimet e përfshira në ndonjë përmbledhje si : « Fjalëtë e të urtët ».
Edhe vetëm filli të jesh, mos del udhës sënjerëzisë.
Je bashkë me shpirtin t’ënt, je përparaPerëndisë! (XXV, f 20)
b)Në qoftë se sistemi është i organizuar, bëhet fjalë për poezinë e madhe filozofike sintetike, siç është ajo e poetit latin Lukreci (De natura rerum, shek. I para Krishtit. (XXXII, 101)
Naim Frashëri është poeti shqiptar, në krijimtarinë e të cilit zë një vend më të madh mendimi, dija, elementi njohës (gnoseologjik). Përveç prirjes së tij të veçantë, kjo gjë mund të shpjegohet edhe me ndikimin që kanë pasur tek ai poetët sufi të Persisë. Pasi e ka quajtur « poet filozof » (IX, 325) historiani i letërsisë Dhimitër S. Shuteriqi ka saktësuar : « Pa dyshim, pikëpamjet filosofike të Naimit janë nga më të përparuarat e Rilindjes sonë dhe e tregojnë poetin si një nga mendimtarët më të shquar në historinë e popullit shqiptar. » XXXIV, 301)
Me një vlerësim të tillë bashkohet edhe akademiku Rexhep Qosja: « Kështu, Naim Frashëri mbetet poeti i parë shqiptar, që i kushton kujdes të veçantë poezisë filozofike, për ç’shkak mund të çmohet themelues i saj në letërsinë shqipe. » (X, 218-219) Ky studiues shton se Naim Frashëri mund të quhet « poeti filozof më i rëndësishëm në letërsinë shqipe deri sot. » (X, 220)
Në poemën « Perëndija », Naimi thotë :
Qeshë diell, ishnja hënë,U bësh‘ uj‘ e baltë e erë,yll e zok e dash kam qenë,Pa dhe njeri shumë herë.( VIII, 423,
Është krejtësisht e qartë se në vargjet e mësirërme reflektohet ideja e filozofit parasokratik Empedoklit : «117. Sepse gjatë kësaj kohe, kam qenë djalë dhe vajzë, pemë dhe zog, dhe peshk memec në det. » ( XXXV, 134)
Duke folur për poezinë e Jean de Meung-it, studiuesit francezë thonë se ajo ka karakter filozofik kur paraqet forcën e plleshmërisë së natyrës“: (XXXII, 106) Një dukuri e tillë ndeshet edhe në poemën ikonike Bagëti e bujqësia të Naim Frashërit:
Mundohetë punëtori, po në zemërzë tëqetë
Sa gaz të madh ndjen, kur njëra, që hodh,i pjell dymbëdhjetë !
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë ngabarra,
dhe parajsën e vërtetë të shfaqurë nëpërara… (IV, 77)
Poezia filozofike ka lidhje të ngushtë me zbulimet shkencore të cilat ndikojnë në botëkuptimin e qenies njerëzore: “ Poezia është një lloj vet<dij<simi për shkencën dhe filozofinë; ajo nuk është paraqitje e zbulimeve shkencore dhe filozofike të një kohe, por kumbimi i këtyre zbulimeve në ndërgjegjet e njerëzve.“ (XXXII, 105)
Në lirikën filozofike „E vërteta“ Naimi thotë:
Këto që na i sheh syri,A na i tregon tejqyri,Yj e hënëra e diej,që lëçijn nëpër qiej,ndaj gjithësisë një çikëjanë, si në det një pikë!Gjithësisë krye e fundNuk’ i gjendet kurrë gjëkund!Gjë s’humbet, as pakësohet,Edhe sërish nukë shtohet… (IV, 61-62)
Studiuesit e krijimtarisë së Whitman-it, kanë vënë në dukje karakterin filozofik të poezisë së tij : « Kështu vepra e Whitman-it, tejet romantike, në revoltën e saj dhe në fuqinë e ligjërimit të saj filozofik, ndërton tekste të reja të shenjta, një « bibël » të re letrare, simbolike, për ta përdorur shkrimtarët e ardhshëm që të gjithë do të ndikohen nga kjo buenë (déluge) bukurie jete dhe fatbardhësie që përmbajnë këto fije bari, një botë e përvujtë , të cilën poeti na zbulon për të na bërë të zhytemi te forcat kozmike të gjithësisë së pafundme ». (XXX, 43)
Në poemat e Whitman-it, flitet në mënyrë të shkoqitur për lidhjen midis poezisë dhe mendimit :
Ndërkaq si një rreth procesionirrotullohen mendimet, ah, mendimet e miatë dhembshura e të mrekullueshme,
Mendime për të vdekurit, për të gjallët,për njerëzit e dashur të kohës së shkuar,
të shtëpisë sime, për miqtë fare larg…(XXVIII, 31)
Jam i bindur se bukuria madhështoree gjithësisë fshihet në atomin më të imët tëgjithësisë… (XXVIII, 547)
Nuk vritet nëna,
gruaja, motra e as vajza,
shtyllat e familjes dhe të shtëpisë.
Ato janë si rrezet e diellit,
që sjellin jetë e i japin dashni e kuptim njerëzimit.
Ta kapërcejmë zemërimin e dëshpërimin
e të mos ia nxijmë vetes fytyrën,
duke u treguar të ligj e të pabesë,
duke shuar jetë e rrënuar themele të shtëpisë.
T’i lutemi Perëndisë
të na japë durimin,
të na ruajë qetësinë
e të na zgjojë ndërgjegjen,
se dhuna është gjëja më e ndyrë:
aty ku çohet dorë,
plaga mbetet e përjetshme.
Nuk i merret askujt jeta
vetëm pse na kaplon
xhelozia, mosbesimi e urrejtja.
Ta frenojmë dorën,
t’i kontrollojmë ndjenjat
e të mos ia nxijmë vetes jetën,
e as fëmijëve të mos ua ngrimë buzëqeshjen,
e të mos ua vrasim ardhmërinë.
Një ndarje me urti e marrëveshje
është shumëfish më e mirë
sesa një jetë nëpër burgje,
me ndërgjegje të vrarë
e fytyrë të nxirë.
-Mbesë, mos fishkëlle. Mos fishkëlle se nuk të rritet gjoksi.
-Noke nënoke, po ç’e dua unë gjoksin e madh?
-Eh, se do ti, por e duan …
-Kush e do, o noke nënoke?
-E duan çunat.
-Po unë çunat i kam më të vegjël se
vetja. Ndonjë sa vetja. Ata më kanë mua si motër.
-Motër për lodër edhe ca, o mbesë. Shpejt ata rriten çdo mëngjes.
-Ooo, noke nënoke. Sa të fshehta paska?
-Si përhera, mbesa ime, si përhera. Sa
zgjon sytë në mëngjes ti je tjetër.
-Tjetër ?
-Po, ti je tjetër nga shtati.
-Nga shtati ?
-Shtati a nuk të duket ty ndonjëherë tjetër. A e ndjen?
-Ua, moj noke? Më bëre të skuqem. E ndjej, e ndjej.
U bëra pesëmbëdhjetë vjeçe.
-Mbesë, pesëmbëdhjetë sa je ti janë
lastar ende për një vogëlushe.
-Po ti, nënoke Nurie sa ishe kur…
-Tek të tetëmbëdhjetat, mbesa ime. U bëra nuse në vogëli.
-Nokja ime, unë jam e vogëlth, ende e vogëlth.
-Ti je si zogu terzi akoma.
-Zogu i zi ? Ç’është ky zog?
-Zogu terzi, jo i zi.
-Edhe zog edhe … Unë di se zogjtë janë të bardhë, të verdhë, të…por asnjëherë të zinj.
-Ti qëndis bukur, mbesa ime. Si zogu terzi.
-Ç’është ky zog? S’e kam dëgjuar ndonjëherë, o nana.
-Zogu terzi nuk jeton këtu. Jeton shumë e shumë larg. E njeh bota.
-Po ne pse nuk e njohim? Pse nuk e sjellim këtu këtë zog nga larg?
-Secili zog jeton në vendin e vet. Dikush do diell. Dikush cicëron edhe në borë.
-Edhe në borë këndojnë zogjtë?
-Po, ka zogj që këndojnë edhe në borë, në shpella, edhe në…Ç’të të them, o mbesë.
-E ke parë ti, nana zogun terzi?
-Zogu terzi jeton shumë e shumë larg. Është zog qëndistar.
-Qëndiskan edhe zogjtë ? Si qëndisin ata?
-Me gjilpërë e pe si ty, moj mbesë.
-O nana, po më çudit.
-Zogu terzi këput gjethet e pemëve dhe…
-Këput gjethet?…Po pse i këput ?. Nuk i vjen keq për gjethet. Edhe ato marrin frymë.
-Nga ia dëgjon frymën gjetheve ti, moj mbesë.?
-Dje mbasdite dola tek parku. Lexova tek trungu i dy -tri pemëve tabela të shkruara ” Mbani qetësi! Këtu cicërojnë zogjtë.!”
-Po ti më the moj mbesë se marrin frymë gjethet?
-Noke nënoke, gjethet kur fëshfërijnë a nuk marrin frymë?
-Gjithçka merr frymë në natyrë. Lart e poshtë.
-Edhe gjyshi merr frymë atje poshtë?
-Gjyshi ka ndërruar jetë. U bënë ca mote. Atje poshtë merr pak frymë edhe gjyshi.
-Ooo, s’qenka keq, gjyshi edhe i padukshëm edhe merrka frymë.
-Gjyshi yt ka jetuar me zogun terzi. Shumë e shumë larg nga këtu.
-Po, a nuk jetonit bashkë ju, o noke?
-Bashkë jetuam pesëdhjetë vite. Gjyshi yt u kthye këtu ku ne jetojmë sot. Unë sapo mbarova gjimnazin e Tiranës. U martuam shpejt. Lindëm tri vajza. Njëra është mamaja jote. Nga ajo linde ti.
-Po terziu, zogu terzi flinte me ju? Me ty dhe gjyshin? Po mami ime ku flinte ?
-O mbesë, moj e mira mbesë. Gjyshi yt nuk e solli zogun këtu. Mua m’i rrëfeu të gjitha këto për zogun kur erdhi nga larg. Nga andej solli ca erëza që ta kënaqnin hundën.Gjyshi yt jetoi shumë larg kaptuar.
-Si kaptuar?
-Tutje e tutje maleve e deteve. Në tjetër botë jetoi.
-Pse ka shumë botë bota, moj noke?
-Bota është një, bota e Zotit. Vendet janë shumë, vendet e njeriut.
-Po pse jetoi kaq larg gjyshi? Nuk e merrte malli për ty, moj nënoke?
-Ne njiheshin, por akoma …
-O nana, sa larg…
-E mori fati dhe e çoi tej. Gjer në Azi. Herë misionar, herë tregtar.
-Noke nënoke, kush e çoi aq larg gjyshin?
-Fati dhe Zoti ahere. Edhe poshtë e çoi Zoti dhe fati.
-O nënokja ime, sa mirë që flemë në një dhomë bashkë.
-Atje ku jetoi gjyshi yt, vetëm atje rritet zogu terzi. Ky zog këput tre katër gjethe të njoma dhe…
-Mua s’më vjen mirë që i këput gjethet. Edhe gjethet kanë lotë e qajnë.
-Nuk kanë lotë gjethet moj bijë. Janë pikat e shiut që bien nga gjethet, moj mbesë.
-Jo, noke nënoke, jo. Po kur s’bie shi? Gjethet prapë qajnë.
-Janë rrezet e ty të duken si lotë.
Ja, i këputi, ç’bën me gjethet ky terziu?
-Me sqep çpon vrrimthka rreth e rreth gjetheve. Pastaj merr fije bari, fije nga merimangat e s’mbaj mend, ç’më thoshte tjetër Aliu im.
-Ja i mori, po pastaj, o nana ç’bën?
-I kalon fijet në vrimthkat e gjetheve. I qep gjethet.
-Ua, u qepkan gjethet pa gjilpërë e fill.?
-Sqepi i zogut është gjilpërë e shkuar gjilpërës, mbesa ime. Gjethet qepen bashkë.
-Po gjethet bashkë ishin tek pema. Zogu pse i këputi? Tani i bën bashkë. U pendua?
-Bën folenë e tij me gjethet. Si pëllëmbë i afron ato. Si pëllëmbë që nuk mbyllen. Shtron aty bar të njomë dhe fshihet.
-Ah, sa mirë, o nana, flenë edhe gjethet me zogun. Ah, sa mirë!
-Mbesë moj, zog je dhe ti. Qëndis.
-O nana, nënokja ime, por edhe ne vend i ngrohtë jemi.
-Jo aq sa për zogun.
-T’i themi zogut të vij njëherë këndej nga ne.
-Çdo zog fluturon e fle kudo. Po erdhi këtu atëhere nuk është zog, por mërgintar.
-Si gjyshi nana kur iku tutje.
-Zogun terzi s’e zë gjumi këtu. Nuk fluturon dot gjer këtu.
-Ta sjellim me kafaz, o nana. Pastaj e nxjerrim nga kafazi. Të rrijë me mua në dhomën time. Dhe me Ogin, papagallin tim.
-Do fluturoj pak. Si i çalë, moj mbesë.
-E mbaj unë ngrohtë, e mbështjell me shallin tim. Flemë bashkë.
-Mbyllur i mbahet fryma. Do përplaset sa andej – këndej nëpër mure e dritare.
-Dal bashkë me zogun në kopsht.
-Do ketë ftohtë edhe në diell.
-Nana, unë e mbarova qëndismën.
-Dritë shpirti, të kam moj mbesollkë!
-O nënoke, po sikur ta fluturoj nga dritarja këtë qëndismë?
-Do t’i dalin krahët, moj mbesë. Do ngjitet lart e më lart.
-Ah, sikur ta kap me sqep ndonjë zog !
-Zogjtë qëndisin vet, moj mbesë. Por e duan edhe çdo qëndismë tjetër.
-Sikur jemi në përrallë, o gjyshe.
-Ne hyjmë e dalim nga përrallat çdo ditë, ëngjëlli im. Natën edhe përrallat flenë si ne.
-Po tani është mëngjes, o nana. Akoma flenë përrallat ?
-Përrallat kanë dal herët në rrugë.
-Ecin dhe ato?
-Njerëzit ecin me përrallat e tyre përkrah. Me ato të vërtetat, që asnjëherë nuk janë përralla, por duken si trille.
-O nana, o nana ime. Unë po dal tani. Më lejo, të lutem të fishkëllej…
Komentet