Rrugët e kurbetit për kosovarët u hapën që në fillim të viteve të shtatëdhjeta. Kushtet e vështira dhe skamja që kishin përfshi vendin shumë vite më parë,sollën si rezultat punësimin në vende të ndryshme të Evropës. Që nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta,një rrugë të tillë kurbeti e mori edhe protagonisti i këtij shkrimi,Ukë Ibish Kikaj, nga fshati Shishman, Komuna e Gjakovës.

UKE KIKAJ
Karrierën e filloi në qytetin Bulach të Zvicrës, një qytet i bukur në rrethin e Zyrihut ,ku filloi karrierën e tij dhe formimin prej një njeriu me tipare bamirësie e humanizmi.Kishin kaluar mbi tridhjetë vite që nuk e kisha takuar Ukë Kikaj. Kisha dëgjuar për bëmat e tij të mira,për punët që i shkojnë mbarë,por nuk besoja se do ta njihja edhe po ta takoja në rrugë,pas aq shumë vitesh.
Një ditë korriku të vitit të kaluar, më bie telefoni dhe kur dëgjoj,prezantohet dhe kërkon takim në hotel “Pashtrik” të Gjakovës. Pas një ore të asaj dite, u takuam,bukur me do mëdyshje…
“Ukë a je ti?- i thashë në terasën e hotelit. Po,po,unë vet,tha ai dhe më zgjati dorën,duke u përshëndetur,pas aq shumë vite të ikura. Pasi na erdhën makiatot,biseda nuk e kishte fundin…
Si rezultat i atij takimi,rrjedh ky shkrim. Mendoj se ua kemi borxh gjithë qytetarëve tanë në diasporë, të cilët dhanë çdo gjë nga vetja, që ky popull të tejkalojë situatën e rëndë të asaj kohe nga okupatori serb, në vitet 90-ta,vite të aparteidit të vërtetë. Bisedat ishin spontane por jo edhe pa shkas…
BAMIRESIA SI TRASHEGIM FAMILJAR
Ukë Ibish Kikaj,vjen prej një familje rome nga fshati Shishman,Rekë e Keqe,komuna e Gjakovës,të cilët gjithë jetën janë çmuar e vlerësuar shumë nga bashkëfshatarët e tyre,nga rrethi i gjerë, në tërë Rekë të Keqe. Axha i Ukës,Shaban Kika,tani i ndjerë,ish teknik medicional me profesion,ato vite të vështira e me skamje,në vazhdimësi ishte pranë njerëzve në nevojë , për ofrimin e ndihmës mjekësore , ilaçe,injeksione,kudo, fshatrave të Rekës së Keqe..
Një trashëgimi bamirësie,padyshim se ka vazhduar edhe Uka,i cili që në fillimet të viteve shtatëdhjeta e deri me sot,kurrë nuk i harroi njerëzit e vet,nevojat e tyre,bashkëfshatarët dhe vendin ku u lind dhe u rrit.
TAKIM I PAPRITUR ME JUSUF GERVALLEN
Pas krijimit të marrëdhënies së punës në qytetin Bulach,pas dy vitesh, përfshihet në Sindikatën e firmës punuese dhe aty tregohet i suksesshëm dhe i mirëpritur nga punëtorë të shumë vendeve të tjera. Aty edhe fillon përspektiva, bashkë me kalitjen prej një bamirësi të spikatur.
Duke zgjeruar aktivitetin e tij edhe me bashkëvendësit e vet, rastisë fati që në fundvitet 70-ta ,të shoqërojë Jusuf Gërvallën nëpër disa kantone të Zvicrës, ku ishin të nevojshme kontaktet e patriotit tonë të madh, me bashkatdhetarët e ikur atje.
Por realisht,tregon sot Uka,nuk e njihja e as nuk më tha askush, se kënd e shoqëroja kantoneve të Zvicrës, për aso aktivitetesh të asaj kohe. Ndërsa,kur kuptova më vonë se kush kishte qenë Jusuf Gërvalla,sot ndihem krenar që kam pasur rastin t’i ofroj një shërbim sado të vogël,flet Ukë Kikaj, me modesti e njerëzi.
AKTIVITETET TONA TE PAFUNDME ATE KOHE TMERRI
Në vitet e dhunës së shfrenuar politike të Serbisë ndaj Kosovës dhe në tërësi popullit të saj,ikjet nga Kosova ishin gjithnjë e më të shumta. Arritja në Zvicër e një numri të madh qytetarësh tanë,shtonte kërkesën për hapjen e shkollave edhe në gjuhën shqipe, në kantonet ku jetonim si etnitet shqiptare.
Për këtë arsye,falë angazhimeve të pakursyera të bashkëvendësve tanë,me Klubin Vatra në Bulasch,ku ishte edhe Ukë Kika aktivist,u hapen shkolla shqipe në nëntë Komuna. Një veprim i fuqishëm,i arsyeshëm e kombëtar për shkollimin e fëmijëve në gjuhën shqipe edhe në Zvicër,kur Serbia nuk i linte në oborret e shkollave të tyre në Kosovë….
Në kuadër të aktiviteteve në vazhdim,Ukë Kikaj,bashkëbisedon dhe formon fondin për fshatin e tij,Shishman,për të cilin mbledhin mjete e ndihma në rrethanat e kohës së dhunës serbe në vitet 90-ta. Si bashkëmendimtarë dhe aktivistë të denjë për çështje kombëtare,gjeti edhe Brahim Ramën, Rexhep Sejdiun, Imer Sejdiun etj, ku formuan fondin për ndihmë ndaj bashkëfshatarëve te tyre.
Ky fond dha rezultate te shkëlqyera në të gjitha fushat e jetës imediate,por ai u shtri edhe në sigurimin me mjetet e domosdoshme për armatim të UÇK-së në ato vite.
Për këso qëllimesh fisnike e humanitare,mjetet e derdhura, kapin shuma të larta të valutës zvicerane. Ukë Kikaj, njëri nga organizatorët e fondeve dhe bamirësive të kohës,edhe sot ruan një dosje të trashë letrash ku argumenton mirë menaxhimin e dhënies së tyre në situata të ndryshme.
Por,Ukë Kika,nuk flet vetëm për ndihmat e dhëna nga fondet, ku ishte njëri nga aktivistët e tyre,por tregon me modesti edhe për mjetet vetanake që ka dhënë pa asnjë kursim njerëzve e familjeve të ndryshme, të njohur e të panjohur, kur situatat kanë diktuar nevojën për ndihmë. Bile,nga modestia e tij njerëzore,nuk dëshiron t’i ceken emrat atyre ,të cilëve u ka dhënë ndihma në momente bukur të vështira.
Ukë Kikaj, edhe pas luftës nuk e ka rrudhë dorën për ndihma dhe rimëkëmbjen e vendit të vet.Në vitin 2002 Uka ka hapur xhirollogarinë (fondin “Familja Kikaj”),në të cilin bashkoi afro 30.000-Fr.,fond i cili ekziston edhe sot. Nga këto mjete ka ndihmuar një familje në fshatinHereq të Gjakovës, edhe disa të tjera, me rastin e djegies së disa shtëpive në lagjen “Mahalla e Sefës” në Gjakovë.
Për këto të fundit,është në dijeni edhe ish kryetari i Gjakovës,z.Pal Lekaj.
Ukë Kikaj,vazhdon të jetë i pranishëm kudo, ku e do nevoja e ndihmës se domosdoshme. Ky bamirës i njohur,në vitin 2014 ka ndihmuar edhe disa shkolla në kohë dimri me lëndë për ngrohje ,si ajo “Ganimete Terbeshi” në Ponoshec të Gjakovës etj.

Një dosje e Ukë Kikaj,ruajtur bukur,që flet për ndihmat
e dhëna para e pas lufte

Shënime te ruajtura e të administruara mirë
nga Ukë Kikaj
Duke qenë kureshtar për bamirësitë e këtij njeriu humanitar,patëm kureshtje ta pyesim se si ndihet tani,bukur me do vite jete e ngarkesa të tjera në supe .
Uka me modesti thotë:
”E mira është që dora e majtë, mos të dijë se çfarë dha dora e djathtë. Në fakt, ndihem mirë për atë që kam bërë për vendin dhe qytetarët e mi,por më duket se edhe ato janë pak…”
Tani, Ukë Kikaj ,është i pensionuar,jeton me frytet e punës së vet,me krenarinë e tij të gatuar me djersën e ballit. Djemve të familjes ua ka lënë të formuar firmën “Kikaj Consulting HmbH,” në qytetin Bulach të Zvicrrës.
Natyrshëm, në jetë, bamirësit nuk duhet harruar kurrë. Si Uka ka edhe shumë djem e burra tjerë të cilëve u kemi mbetur borxh për bamirësitë e tyre të mëdha në kohë të vështira.
Ai që harron të mirën e tjetrit,shtrenjtë e paguan të ardhmen e vet.Rëspekt Ukë Kikaj!
GJAKOVE, QERSHOR 2016
Komentet