(Kryeqyteti aty ku jeton 95% e politikanëve, ligjvënësve, diplomacisë dhe medias)
Momentet në të cilat po kalon Tirana bashkia e kryeqytetit jo vetëm më e madhja, por edhe më e rëndësishmja për infrastrukturën institucionale të shtetit Shqiptar, janë të vajtueshme.
Muajt e shkuar për të mbeten tronditës.
Ndërsa e ardhmja e saj (Bashkia-Tiranë), pavarësisht gënjeshtrës që ushqen ardhjen e atmosferës së ditëve të festave për shkak të korrupsionit dhe frymës që i orienton ato autoritarizmi, sundimi i këtij të fundit që sundon në të gjithë Shqipërinë, ky autoritarizëm pushteti po i bën madje qytetarët të jetojnë me “shqetësimet” e një administrate të korruptuar të kapura nga rrjetat e hetimeve dhe dalja e përpara drejtësisë i ka parashikuar festat që të jenë edhe më të varfra, edhe më mjerane.
A ka mbetur Tirana si “një trup pa kokë”* siç shprehet kryeministri Rama mbi mungesën e kryetarit të bashkisë gjatë një fushate të dytë justifikimesh (për keq qeverisjen), me banorët e njësisë 5 Tiranë? Apo e ka emëruar ai vetë një kryetare të komanduar që e ka përzënë nga zyra e tij në një kohë kur ishte vetë që futi në valle edhe presidentin dhe që të dy ranë përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila është tërhequr për të marrë një vendim brenda afateve?
Por as edhe SPAK po ndjekim se nuk po i jep leje kryebashkiakut të arrestuar Veliaj që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për Buxhetin e vitit 2026.
Pra një bashki “pa kokë” ose e komanduar dhe me financa që zor se do të angazhohet kush që ligjërisht të hedhë firmën, sepse administratori i dalë nga zgjedhjet, kryebashkiaku nuk e bën dot ose do të duhej që ai të kishte dalur nga zgjedhjet e pjesshme që nuk u mbajtën. Pra mbetet ai i qelisë ose i komanduari. Veliaj, ose Ristani.
Pas kësaj hyrje le të shkojmë tek dokumenti flagrant i një firme që i autorizon shpenzimet e festave për fund vitin 2025. Ai është një dokument të cilin e ka publikuar vetë ATSH.

Siç shihet ai ka përmbajtjen dhe firmën e kryetarit në arrest me burg Veliaj. Njohjen e lëndës me përmbajtjen, por as vlera dhe as datë nuk janë shkruar.
A ka vlerë një dokument i tillë i administratës nga ana ligjore në zyrat e financës së shtetit apo të cilës do bankë?
A ngarkohet më shumë me përgjegjësi tek një kryetar në arrest me burg apo edhe kryetarja e komanduar autorizohet mbi këtë dokument?
Dhe e fundit, çfarë atmosfere festash presin banorët?
Për të dhënë një shpjegim se sa e turbullt dhe e ngrirë është kjo çështje ku politika ka ndërhyrë dhe ku ekzekutivi ka cenuar pavarësinë e pushtetit vendor atë do ta jepnim për mes një shembulli se si funksionon gjatë këtyre 9 muajve faqja zyrtare online e Bashkisë Tiranë.
Me përjashtim të disa lajmeve nga muaji Shtatori dhe deri me 17 Nëntor, kjo faqe propagandistike dhe spektakli është pasuruar vetëm me pak ngjarje për të mos thënë është e ngrirë.
Hapeni dhe e shikoni vetë edhe sot 21 Nëntor, 2025.
Aty gjen buzëqeshjen e Velisë, me gati 400 mijë ndjekës (3.93K subcribers), 1103 video dhe një përdorim që prej vitit 2013, pa marrë parasysh aplikacionet e mediave sociale që janë rrjeti i influencave, komunikimit, patronazhimit dhe propagandës së mirëfilltë përpos shpenzimeve financiare audio-vizive që i duhet për ta prodhuar dhe mirëmbajtur këtë ingranazh të pushtetit.
Vlerësojeni vetë gjendjen, drejtësinë, përgjegjësitë sikurse edhe dorëheqjen si pjesë e hapit të emancipuar qytetar, kur “trupi i një qyteti mbetet pa kokë”.
Si funksionon dhe lëviz një kryeqytet me afro 1 milion banorë?
Si administrohet kur ideologjia politike dhe pushteti ekzekutiv qendror është futur tërësisht në trupin e një institucioni me pushtet të pavarur?
Ja pra kjo është atmosfera e festave dhe parashikimi për to që shkon në rënie të lirë dhe jeton në kaos sepse qytetarët e tij nuk e kanë mundësinë që përmes zgjedhjeve të bëjnë një kontratë të re për ta drejtuar qytetin.
Tregu ekonomik nuk do të pyesë fare për çmimet po aq sa edhe çmenduria e mendësisë ideologjike që ka marrë administrata vendore nuk do ta linin të qetë kryeqytetin që tashmë është pështjellë në dy realitete përcaktuese; e para është fuqia blerëse si konsum material dhe e dyta peng marrja politike
Që të dyja këto e kanë bllokuar gjithçka në jetën e kryeqytetit.
Ndjehet se nuk mund të flitet për nerv qytetar dhe zgjim të banorëve pasi as pesha e forcave të natyrës si reshjet, përmbytjet, i ftohti, por as edhe shërbimet bazike urbane si mungesa e kanalizimeve, mungesa e ujit, mungesa e energjisë elektrike, pastrimi i mbetjeve qytetase, cilësia e ajrit nga ndotja e ndërtimeve dhe tymi i automjeteve, trafiku i në çdo rrugëkalim dhe infrastruktura në veçanti etj. nuk ndjehen fare si rëndesë në raport me atë presion që ka kulmuar politika në jetën e përditshme të banorëve.
Por duke folur me sikur, le të bëjmë një ushtrim i thjeshtë aritmetik qytetar që i vlerëson më parë provat dhe dëmet ekonomike që ka shkaktuar korrupsioni, përvetësimi dhe shpërdorimi i parave nga taksat e qytetarëve (shqiptarë dhe ndërkombëtarë). Kësaj vlere financiare le t’i shtojmë edhe dëmin moral që del nga ana tjetër e shenjës së barazimit si shuma e kompensimit monetar. E pranimit të përgjegjësive, e dorëheqjes, e prishjes së kontratës me zgjedhësit për mos mbajtje premtimi ose mashtrimi dhe më kryesorja hapja e rrugës për profesionistët të çdo fushe mbi bazë të meritave, aftësive dhe të edukimit dhe jo të nepotizmit dhe lidhjeve familjare. Atëherë ose pas kësaj kuptohet se do të kishim një drejtim të ri të dalë nga zgjedhjet dhe se festat për Tiranën dhe mbarë Shqipërinë do të shijoheshin dhe do të pranoheshin me gjithë zemër.
Asnjë politikan i opozitës sikurse edhe ndonjë tjetër politikan pa pushtet për shembull sot nuk ka asgjë më shumë në duar për t’ua bërë më të gëzueshme apo më të shëndetshme jetën pensionistëve në ditë festash qoftë edhe në një ditë të zakonshme se sa kritika ndaj parti-shtetit që ua rrit pagesat mujore pensionistëve me bonuse stinore në prag zgjedhjesh, në bonuse fund viti për festa, apo të bonuseve karrem në katër vitet e mandatit të pushtetit.
Përse?
Përse asnjë pensionist nuk bie në “grepin” e opozitës politike?
Sepse me buxhetin që qeveria kalon çdo vit, atë e kontrollon një parti-shtet socialist i korruptuar. Një pushtet i majtë që në ideologji identifikohet me një program politik që ofron; politika ekonomike dhe sociale për barazi, drejtësi sociale, për mbështetje të shtetit në përmirësimin e jetës së shoqërisë pa pagesë në shërbime si arsimi, shëndetësia, strehimi etj. e deri tek rritja e taksave mbi atë shtresë të kamur në mënyrë që të sigurohen të ardhura për të financuar dhe orientuar programet sociale, forcimin e të drejtave të pakicave, mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e punëtorisë.
Një angazhim teorik kongresesh ky të cilin parti-shteti i Rilindjes Socialiste së deformuar dhe të degraduar prej 12 vitesh nga korrupsioni, ka arritur në realitet të zhgënjejë dhe të shpërngulë drejt emigracionit gati 1/3 e popullsisë aktive të vendit. Por edhe një propagandë agresive me ëndrrën e BE-së 2030 që formalisht ka kapur për fyti çdo pensionist dhe çdo shtetas nga shtresat në nevojë si të vetmet prurje për t’u marrë votën dhe i “ushqen” ato nën varësinë e vetme të burimit të lëmoshës, por aspak të respektit dhe të dinjitetit për jetën e mbetur, për kontributin e tyre të dhënë nga vitet e punës.
Por gjithashtu edhe askush tjetër ndoshta nuk mund të thotë më shumë se çfarë tjetër përjetoi Tirana se sa veç asaj atmosfere që pasqyruan lajmet e ftohta të datës 17 Nëntor.
Ishte një festë çlirimi antifashist në 81 vjetorin e saj apo një përkujtimore me të njëjtën moshë për 39 qytetarët e Tiranës të pushkatuar nga terrori komunist që kanë mundur të nderohen vetëm pas rënies së diktaturës në Shqipëri 34 vite më parë.
Kështu do të vazhdojë Tirana edhe me datën e Pavarësisë dhe të Çlirimit?
Apo nuk do të ndjehen Krishtlindjet dhe Viti i Ri sepse korrupsioni ka kapur shtetin me spektakle e fishekzjarrë marramendës që shpenzohen duke imituar gjithshka me frymë globaliste dhe sa më larg traditës dhe familjes jo vetëm në atmosferë festash, por edhe çdo ditë ku fyhet besimi i qytetarëve dhe vriten shpresat.
Askush nuk flet më për kryeqytetin sepse qahen hallet e korrupsionit të qeverisë që nga rasti i pezullimit nga detyra dhe marrja e pasaportës nga ana e prokurorisë speciale për zv/kryeministren Balluku.
Në studiot tv fantazia dhe hamendjet menduan edhe për rrezikun e një plani arratisje, si kundër edhe një zv/kryeministër më parë iu largua qeverisë së kryeministrit Rama.
Fantazitë janë nga njëherë nga më të çuditshmet për t’i shpëtuar drejtësisë, ndaj në këtë rast po përmendim një prej tyre që nuk është dëgjuar.
Prej 7-8 orësh dhe me mbledhje të shtyrë thuhet se zv/kryeministrja Balluku ka qëndruar në mjediset e kryeministrisë, madje dhe një mbledhje e parashikuar e Rilindjes Socialiste për të Premten u shty në një afat të dytë të paditur dhe siç u konfirmua më pas është dërguar një shkresë ankimore me katër kërkesa nga qeveria në Gjykatën Kushtetuese për ‘pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku’.
Në rastin e arratisjes mund të thuhet se dje ishte rasti më i mirë i një alibie arratisje me Hidroplan ose skaf nga aeroporti i Vlorës. Një pistë e padukshme nga përmbytjet ku Laguna e Nartës dhe egërsia e Lumit Vjosa kanë rikthyer pushtetin e gjallesës me ligjet natyrës dhe perëndisë lart që gjithmonë të kujtojnë se çfarë grabitet duhet të kthehet tek i zoti.
Megjithëse një shprehje e njohur thotë se “s’ke nga t’ia nisësh” apo dhe “s’ke nga ta zësh”, ne i kemi dëgjuar dhe po i dëgjojmë si të jenë vullneti i atyre pjesëtarëve të shoqërisë që pajtohen fatkeqësisht me të keqen dhe nuk përpiqen për t’i sjellë vendit ndryshimet.
Duke monitoruar prej kohësh zhvillimet politike dhe ekonomike të Tiranës, pasqyrën e parë të saj e gjejmë tek Faqja e Internetit “Bashkia Tiranë”, si një komunikim i hapur i administratës së saj me qytetarët e vet. Me arrestin e Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj më 10 Shkurt, 2025, kjo faqe ka ngrirë nën efektet më të paprovuara të ndryshimeve globale klimatike. Në këtë faqe e gjen të lirë krye bashkiakun Veliaj edhe pse ai gjendet në arrest me burg prej 9 muajve.
Do t’i kthehemi atmosferës së festës së Pavarësisë në kryeqytet në një tjetër me një këndvështrim për të kuptuar se aty nga Tirana dhe Vlora e festimit të Pavarësisë 2024, Veliaj dhe Rama i ndanë territoret plot një vit më parë. Gjithshka mes tyre rreth drejtësisë tashmë është kompromentuar sepse korrupsioni i ka shtrirë rrënjët thellë.
Çështja sot është se kryeministri Rama pranon të drejtojë me këtë thyerje dhe krizë qeverinë 4 dhe do ta mbrojë mandatin e Velisë deri në vitin 2027. Dhe po kështu edhe posti i Ballukut, ministres dhe zv/kryeministres që sapo e filloi detyrën edhe për katër vitet e ardhshme do të jetë pezull mes lirisë me kusht, arrestit ose burgimin deri në afatet e drejtësisë për të dhënë gjykimin e saj.
Përsa kohë që kërkohet drejtësi përse nuk funksionon dorëheqja që i jep çështjes së drejtësisë hetimin dhe gjykimin në gjendjet e lirisë të paracaktuar nga ligji, në mënyrë që institucionet e pushtetit vendor dhe qendror të mos u merren qytetarëve peng nga korrupsioni i lidhjeve deri në nivelet më të lartat të pushtetit, ku si kusht i domosdoshëm i provës ndaj një shteti të pastër dhe e mbarëvajtjes së vendit janë vetëm përgatitja e kushteve për një qeverisje teknike dhe zgjedhjet e lira.
Rruga më e shpejtë jo për shkuar në Evropë, por për t’u pranuar në familjen Evropiane të cilës i përkasim.
__________
*Kryeministri Rama – në një dëgjesë me Banorët e njësisë 5 në Tiranë, për projektbuxhetin e vitit 2026;- “Gjykata Kushtetuese duhet që t’i qëndrojë besnike vendimit dhe duhet që t’i japë mundësinë të bëjë detyrën pasi Tirana ka nevojë për drejtues. “Kemi edhe buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë është në burg pa gjyq, kur ai u mor dhe u tërhoq nga zyra për t’u futur në qeli që ndodh për njerëzit shumë të rrezikshëm, unë e thash kjo është dispropocionale, çdo njeri nëse duhet hetuar duhet hetuar, por çdo njeri deri kur gjykata e nxjerr fajtor është i pafajshëm, por nëse njeriun e merr dhe e fut brenda dhe pastaj lëshohen hiena dhe kllounët e cirkut politikë dhe mediatik për t’i bërë gjyqin ndodh që vjen dënimi publik dhe pastaj pjesa tjetër”.

21 Nëntor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)