(Hoxha kujton 20 Qershorin-Ditën e Refugjatëve)
Megjithëse publiku nuk po e kupton akoma se me sa thjeshtësi propaganda vazhdon të shitet si një lajm nga anëtarët e kabinetit të qeverive Rama, “të rejat” e Tiranës zyrtare prej korrupsionit dhe amatorizmit në drejtimin e shtetit prodhojnë çdo ditë gjëra të çuditshme përsa i përket përgjegjësive në drejtimin e shtetit. Njëri pas tjetrit dhe dy prej tyre afër për nga detajet ishin zhdukja nga radari prej disa ditësh e kryeministrit Rama sikurse edhe një status i ministrit të brendshëm Hoxha mbi refugjatët, të cilat zunë vend në një skicë nga LD-NY25.
Rama ushtarak dhe ish polici Ervin Hoxha sot ministër të shprehura në skicë duan t’i nxjerrin kuptimin e statusit mbi refugjatët ku ministri Hoxha shkruante në mbyllje të mendimit se: – “Solidariteti nuk është vetëm një parim moral, është një angazhim konkret për të mbrojtur dinjitetin njerëzor!”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve.
Ky status kombinon aq përpiktë me zhvillimet e sotme rajonale dhe botërore sa që ngre edhe dy problematika të mëdha në politikën shqiptare përsa i përket vijave ndarëse pozitë dhe opozitës apo edhe më gjerë progresistë globalë dhe shqiptarë që po u rrezikohet kombi nga mplakja dhe largimi i popullsisë në emigracion.
Problematika e parë duke u provuar se është karakteristikë e një qeverie që autoritetin e ka ngritur mbi shfrytëzimin e vjeljes të taksave në popullsi dhe mbi normat e klientelizmit, nënshtrimit dhe tregtimit të interesave kombëtare na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me propagandë puro dhe jo me aspektet që mendojnë të parandalojnë krizën e refugjatëve. Gjithashtu të mendosh se kjo lloj qeverisje që po përpiqet të instalojë kontrollin e fluksit të refugjatëve duke lejuar ngritjen e kampeve për refugjatët në territorin e shtetit Shqiptar, ky tregues fsheh një të panjohur të errët e cila në çdo rrafsh qoftë ai; tregtar, kulturor, diplomatik, historik, trashëgimie apo edhe mençurie quhet në fund të fundit HUMBJE (!).
A i mban dot bashkë Shqipëria këto cilësi si korrupsioni, krimi ekonomik, pritja e refugjatëve, turizmi 15 milionësh në të njëjtën kohë kur 1/3 e popullsisë vendase është larguar në emigracion?
Mirë që pushteti është i verbuar përpara realitetit për hir të fitimeve, por opozita dhe media që duhet të luftojnë për të vërtetën përse nuk i bëjnë objekt diskutimi publik të gjitha këto qëndrime?
Në qoftë se vetëm konstatojmë atëherë interesi i publikut topitet nga vitet e mazhorancës në pushtet apo edhe të një mazhorance që është e “lodhur nga përsëritja e mandateve”, me fantazi vetëm përkryerjen e arrogancës së qeverisjes dhe që ka kultivuar me ideologjinë e vet një regjim autoritar, atëherë njerëzve u duhet thënë qartë se pluralizmi humbi dhe diktatura u rivendos para syve dhe votës së tyre që kishte rast për të zgjedhur..
Një tjetër karakteristikë më thellë që vihet re është gara brenda llojit nga çdo anëtar i kabinetit pavarësisht mandateve që zotërojnë apo përgjegjësitë institucionale.
Në rastin e jetëgjatësisë ata/ato ministra dhe ministre shijojnë ndryshimin periodik të posteve sa herë që vijnë zgjedhjet.
Ndërsa jetëshkurtrit janë ata/ato anëtarë/e të kabinetit ku karakteristika kryesore është peshëmbajtja e korrupsionit.
Kush nuk e mban humbet emrin dhe “karrierën”, ndërsa ata që përfshihen bëjnë të mundur që emrin dhe karrierën e zgjasin me votat e rrëmbyera dhe të blera në zgjedhje, por edhe me vitet e vuajtjes së burgut kur punët me drejtësinë nuk shkojnë mirë dhe dalja jashtë loje konsiderohet si sakrificë dhe mirënjohje ndaj kryeministrit që këta individë diku për interesa i ka emëruar.
Mungesa një javore fizike e kryeministrit në SHBA i ftuar në dasmën e Aleks Soros me Huma Abedin u mbulua me rubrikat e njohura në ATSH, me “kryeministri ndau sot pamjet…”, etj., etj. deri sa ai u shfaq në mjediset e Asamblesë Politike të PS sikur nuk kishte ngjarë gjë brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë duke “respektuar” heshtjen dhe bezdinë që kryeministrit i vjen nga fshehja fizike dhe përballimin me realitetin, anëtarë të kabinetit të tij hedhin statuse si për të treguar se qeveria është e angazhuar dhe punon pa ndërprerë. Veç kryeministrit që hedh statuse me skuadrat fituese të rretheve edhe pse KQZ nuk ka mbyllur rinumërimet, Taulant Balla, një Ministër për marrëdhëniet me Parlamentin dhe Koordinator i Votës së Diasporës hedh statuese nga Italia ku promovon bizneset private të shqiptarëve të larguar fatkeqësisht edhe 30 vite më parë. Se për çfarë vijojnë këto vizita kthimi pas zgjedhjeve mes emigrantëve, dikush në Kuvend duhet të kërkojë llogari qoftë për shpenzimet e shtetit dhe qoftë për “hesapet e pambyllura” të një tjetër anëtari të kabinetit.
Kryeministri i stilizuar me uniformë ushtarake që shpëtimtare në zgjedhje kishte kartën elektorale të pasaportës së BE-së është ai moment kryqëzimi dhe tregon se ku ndodhen Shqipëria dhe shqiptarët pas premtimeve zgjedhore dhe votave ende të pa numëruara. Zgjedhjeve me një rezultat të paditur për shkak të shkeljeve në hedhjen e votës ku tani e më shumë për shkak të stabilitetit rajonal po bëjnë që Shqipëria edhe pse një vend anëtar i NATO-s mund t’i humbë vlerat e sovranitetit dhe për shkak të keq qeverisjes, korrupsionit e krizave dhe ato mund ta shndërrojnë Ramën në një “polic trau dogane” në Ballkanin Perëndimor që do të pasurohet nga fatkeqësia dhe nga fati i njerëzve të shpërngulur nga vatrat e luftës e mbase më keq do të njihet si një kryeministër me uniformë që territorin e vendit lehtësisht e shkëmben për famë dhe favore.
Duke ju kthyer edhe njëherë statusit-lajm të Ministrit të Brendshëm Hoxha:-“Punojmë pa ndërprerje për të ndërtuar një sistem azili më të fortë, më transparent dhe më efikas – në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe të së drejtës ndërkombëtare”, duhet theksuar se 20 Qershori si Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve dhe tundja e pasaportës e BE-së nga Rama si pjesë e fushatës nuk do të duket më një kohë e largët. Paralajmërimet e mplakjes dhe zvogëlimit me 1/3 të popullsisë tashmë kanë ndodhur. Shqipëria e zbrazët mund të pushtohet këtë vit nga 15 milion turistë dhe pyetja lind natyrshëm mund të filtrojnë mes këtij numri kërkues azili të pa vetuar që do ta mbingarkonin gjendjen e Shqipërisë dhe asfiksonin një strehim refugjatësh, një strukturë që nuk ekziston?
Një shtet që do të tregohet integrues me valën e refugjatëve nuk e bëjnë atë as racist dhe as homofob më shumë karshi ndonjë shteti apo kombi tjetër që vuan nga shpërnguljet e luftës, përndjekja politike e fetare dhe mospërballimi i jetesës prej varfërisë të shkaktuara në rajonet pranë Shqipërisë. Problemi kryesor është se çfarë po ndodh me mirëqenien, strehimin, arsimimin, shëndetin e popullit tënd, në mënyrë që ai të falenderohet për zemërgjerësinë e sinqertë dhe për mikpritjen dhe jo për burokracinë shtetërore që lehtësisht terrenin nga shfrytëzimi turistik mund ta kthejë në kampe dhe qendra tranzitore pritjesh për refugjatët.
Pra jemi vetëm dy muaj pas garës në fushatë dhe situata ndërkombëtare e ngarkuar nga vatrat e luftërave rajonale dhe kryeministri Rama pas mungesës gati dhjetë ditore mund ta pozicionojë veten dhe vendin në çështjen e refugjatëve dhe zgjerimin e tyre në territorin shqiptar dhe kjo duket si e vetmja kartë që ai do ta luajë në emër të stabilitetit përballë qeverive botërore.
E megjithëse këto zhvillime marrin shpesh drejtime të papritura, anëtarët e kabinetit Rama nuk do t’i ndalojnë status-lajmet me celularët dhe në shkallët e godinës së kryeministrisë pas mbledhjeve të qeverisë.
Ky ves do të vazhdojë.
Do të vazhdojë edhe rrjetet sociale aty ku duken më pak ndjekës se votues edhe pse tik-tok-u është ndalur në muajin Shkurt, kohë kur fushata e zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 po merrte përparësi në jetën politike shqiptare.
Në këtë kuptim ashtu si propaganda dhe censura e kreut të shtetit do të kuptohet nga publiku që i sheh të vërtetat dhe po e kupton mënyrën se si po drejtohet shteti, po projektohen politikat e qeverisjes, po rriten influencat dhe gjithnjë e më shumë po shterohen përpjekjet për një transparencë me mediat.
Fakti që statuset ditore botohen nga shumë ministra në faqen zyrtare të ATSH duke marrë formën e lajmit, kjo na bën të kuptojmë se drejtimi i shtetit bëhet ndenjur dhe duke shtypur ekranin e celularëve me gishta.
20 Qershor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)