Marta Kos (Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian), zbuloi një ditë më parë në takimin “BLEDI 20”- Slloveni, të dhënën ende të papublikuar nga Eurobarometri se 92% e shqiptarëve dhe 70% e malazezëve e duan BE-në dhe u duk se ra në kurthin e shakasë së kryeministrit shqiptar Rama, i cili shprehu në thelb atë që përjeton Shqipëria sot e goditur nga propaganda parti-shtet.
Kryeministri shqiptar Rama pjesëmarrës në këtë takim rajonal për BE-në ka të drejtë ti zgjasë jo vetëm shakatë, por edhe ironinë e tij si herë të tjera ndër Samite deri në pikën therëse kur shprehet në atë audiencë se:-“Nuk mendoj se ka një vend tjetër deri më tani në Evropë ku mund të bësh një fushatë dhe mund të zhvillosh zgjedhje pikërisht me këtë për BE-në”. Kjo është pjesa e vërtetë e asaj që Pasaporta e BE-së, shërbimet shëndetësore, shkollimi, punësimi etj. hidheshin në tubime elektorale si program politik nga Rama për BE-2030, teza këto të cilat u stërholluan në çdo studio televizive dhe media pranë pushtetit dhe asnjëherë nuk u sfiduan në debate mes kundërshtarëve politikë. Askush prej tyre nuk foli për thelbin e Census-it që u vonua për 8 muaj, për shpopullimin, mplakjen, premtimet ekonomike dhe sociale të pa mbajtuara dhe për më tepër aferat korruptive në pushtetin qendror dhe lokal në shërbimin shëndetsor, arsim, turizëm infrastrukturë, mjedis, për përndjekjen dhe ndëshkimin e kundërshtarëve politikë, për lirinë e medias, për zgjedhjet e ndershëm dhe të lira etj.
Pas kësaj amullie ashtu sikurse shkuan edhe vetë zgjedhjet me një rezultat që u shpall nga KQZ rreth 2 muaj më pas, Rama i quan si të ndershme dhe të rregullt premtimin e fushatës dhe po i bën evropianët dhe popullin shqiptar të besojnë se:-“… arsyeja pse fituam fort këtë herë, mendoj, ishte e lidhur ngushtë edhe me zotimin e BE-së dhe me thirrjen që të gjithë njerëzit të mblidheshin rreth flamurit tonë për ta çuar atë në BE”.
Pra parti-shteti “fituam fort këtë herë”!
Me sa mbahet mend dhe ky cilësim i fitores lidhet me zgjedhjet e 11 Majit, 2025 të cilat i prodhuan 83 mandate Partinë Socialiste.
Por një ditë më vonë, sipas një vlerësimi prej OSCE-ODIHR, në Raportin e Gjetjeve Paraprake i cili u bë i njohur gjatë një konference shtypi më 12 Maj, 2025, pra vetëm një ditë më pas cilësohej se :- “Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u zhvilluan në një klimë politike tejet të polarizuar. Procesi i anëtarësimit në BE zuri vend dominues në diskursin politik, ku Partia Socialiste (PS) në pushtet bëri fushatë duke u përqendruar tek anëtarësimi në 2030-ën si objektivin e saj dhe duke vënë në dukje arritjet në procesin e negocimit, ndërkohë që partitë opozitare kritikuan përdorimin e retorikës së integrimit në BE si mënyrë për të hequr vëmendjen nga problemet në vend, si standardi i jetesës, korrupsioni dhe hapat mbrapa në demokraci. Realizimi për herë të parë i votimit nga jashtë vendit (VJ) në këto zgjedhje u pa përgjithësisht si arritje e rëndësishme”.*
Do të vijmë edhe tek “shakaja”, e Ramës që shpesh është njohur si rruga tradicionale e gafave zyrtare që kërkojnë të largojnë vemendjen nga objekti kryesor dhe shquhen nga një nxitim i dallueshëm që kërkon me çdo kusht legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve pa ndëshkuar korrupsionin dhe farsën elektorale për të cilat qeveria e Rilindjes Socialiste mbetet përgjegjësja kryesore. Pra vendosjen e autoritetit pa njohur dhe marrë përgjegjësitë për masakrën zgjedhore që u zhvillua në Shqipëri edhe me pjesmarrjen për herë të parë të diasporës.
Ja çfarë thotë Rama sipas ATSH-s:-“Ne jemi njerëz besnikë, e di. Mbështetëm Perandorinë Osmane me 92%, mbështetëm Bashkimin Sovjetik me 92%, mbështetëm Kinën maoiste me 92% dhe tani mbështesim BE-në. Dhe më e mira është se edhe kur ata dështojnë, ne jemi me ta. Derisa të vijë dikush tjetër. Kështu që kur të dështoni ju, ne do të themi: Jo, ne jemi BE dhe pikë! Dua të kthehem një sekondë pas tek gjysmëshakaja gjysmë e vërteta për 92% tonë historik, sepse po, është e vërtetë. Por, në të njëjtën kohë nuk ka qenë kurrë zgjedhja jonë”.
Në politikën moderne globaliste, sondazhet janë ato që përpiqen të influencojnë mbi zgjedhësit. Eurobarometri në Shqipëri vijon sa nga zgjedhjet lokale në ato të përgjithshme prej vitesh, e shkuara tradicionale duken thjeshtë një histori pa trashëgim e vlera.
Por fati i keq i atyre njerëzve besnikë që quheshin shqiptarëve atëherë nuk u duhej aspak “Otomanometri”, për t’u kuptuar se sa përqind duhej të ishin nga të gjitha trevat t’u bërë bashkë për flamurin, mëvehtësinë dhe lindjen e shtetit Shqiptar që doli pas 28 Nëntorit të 1912-tës duke thënë se i përkisnin Evropës. Shqipëria mbijetoi nën frymëzimin e Rilindjes së vërtetë patriotike shqiptare. Ndaj fati i keq i atyre njerëzve besnikë që edhe kur mbetën 3 milionë shqiptarë të izoluar deri në 1990-ën, nuk do t’i hynte në punë as “Sovjetikometri” dhe as “Maometri” që “besnikërinë” për diktaturën forcërisht nuk e kishin 92%, por 99.9%. Pra veç shakasë, në qoftë se Shqipëria dhe shqiptarët përqafuan në 1990 masivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën nuk ka përse preferenca e sotme e luhatur e kryeministrit Rama nga SHBA-ja, të shoqërohet me gafën “përtej oqeanit”*, kur historikisht njihet roli i SHBA-së dhe diasporës patriotike shqiptare se sa punë dhe përpjekje ata i dhanë pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen në Lidhjen Kombeve.
Duke shtuar dozën e gafave të Ramës për shkak të budallallëkut dhe rrëmbimit që sjell ironia e ndërtuar si shakaja tendencioze prej gaztori, termi i zgjerimit të Evropës me Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy vende të renditurat më lartë mes shteteve të Ballkanit Perendimor si; Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina Serbia, Kosova marrin nga kjo përmbajtje e “BLEDI -20” një tjetër fushëpamje diplomatike e mos interes për fqinjët në rajon. Pra dihet mirë se kjo ide nisi gati rastësisht në 2013, kur Rama erdhi në pushtet dhe tash pas 12 vitesh apo edhe më 2017 kur u hodh ideja e një Mini Shengeni Ballkanik, Kryeministri i Shqipërisë Rama me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shikuan një tjetër të ardhme për vendet e Ballkanit Perëndimor duke i lënë jashtë Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Sipas “Ballkanometrit”, Rama dihet që është një artist-sportist mbi 2 metra, i veshur me shije dhe që e ka qejf shakanë, por interesimi dhe hyrja në BE do të ishtin më të forta dhe domethënëse në qoftë se theksi do të vihej realisht mbi kohën e humbur ku përgjegjës janë ngritja e një shteti autokrat dhe korrupsioni, kanë përkeqësuar çdo ditë liritë qytetare, qëndrimin mbi pronën dhe vendosmërinë për zgjedhjet. Eurobarometri mund të tregojë saktë se shqiptarët e duan BE-në, ashtu sikurse edhe propaganda dhe media pranë pushtetit të Ramës po mundohen ta kapitalizojnë atë si “Fitore të Thellë të PS”, rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025.
Si do që të sillet situata, përveç shakasë dhe propagandës ai/ajo që duan të nxjerrin diçka mbi Bledi-20 dhe çështjen e zgjerimit të BE-së duhet të mendojnë se në dy vitet e ardhëshme si një mundësi e afërt dhe më tej sipas Zonjës Kos: “Ne do të jemi në gjendje të pranojmë anëtarësimin e shteteve të reja. Ata duhet të japin pa i rënë rrugës shkurt. Që do të thotë se; 1- sundimi i ligjit, 2-të drejtat e njeriut, 3- lufta kundër korrupsionit, 4- lira e medias, janë të panegociueshme”.
A fiton parti-shteti apo pluralizmi?
_________
*Fodullë- cilësi të krekosje, mendjemadh, mospërfillës.
* OSCE-ODIHR 12 Maj, 2025- Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve Shqipëri,
Zgjedhjet Parlamentare, 11 Maj 2025, Deklaratë e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake,
Përfundimet Paraprake
*Rama i referohet në Bedi-20 SHBA-së si përtej oqeanit.
1 Shtator, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)