Një javë larg nga dita e zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 mungesa e një debati mes rivalëve politikë është e dukshme.
Vendin kryesor në fushatën një mujore e zunë sa fjalimet programatike të drejtuesve kryesorë të subjekteve politike me popullsinë qytetare dhe fshatare deri në diasporë dhe sa programet televizive me studio apo reklama elektorale të monitoruara për të treguar lëvozhgën e standardit. E përsa këto mënyra u jepen zgjedhësve të rinjihen me kandidatët e shumtë nga një sesion i mëparshëm i Kuvendit goditjet mes kundërshtarëve i zhvillon makina elektorale e partisë në pushtet. Administrata shtetërore sërish bëhet pjesë e fushatës zgjedhore, propaganda dhe censura i mprehin objektivat, ndërsa influenca në rrjetet sociale punon vetëm për rezultatin dhe të gjitha bashkë janë kthyer në normat kryesore në raport pavarësisht vlerës së votës së lirë që pritet të sjellë ndryshimin. Të gjitha këto lëvizje njerëzore dhe produktet mediatike, kanë një kosto financiare marramendëse që çdo fushatë zgjedhore rriten dhe bëhen më të kushtueshme. Ato mund të mbeten të pranueshme vetëm në qoftë se do ta justifikonin qëllimin jo vetëm me cilësinë dhe mirëqenien e jetës krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por edhe me sjelljen e një cilësie të re përfaqësuesish në Kuvendin e Shqipërisë, profesionistë në politikë dhe në drejtimin e shtetit të orientuar drejtë anëtarësimit Evropian.
Çka kemi lënë pas dhe kemi parë, janë vitet e një tranzicioni politik në përplasje që ka për bazë bojkotin, bllokimin, nepotizmin, garën e pasurimit personal dhe krijimin e një rrethi klientelist vendas dhe ndërkombëtar të ligjvënësve dhe shtetarëve të cilët përdorin forcën e kartonit apo ushtrojnë përleshjen dhe dhunën verbale e fizike mes atyre që populli zgjedh për t’i përfaqësuar, dhe dhe kreu i ekzekutivit për të drejtuar, sikurse edhe e përdorin edhe drejtësinë si një armë ndaj kundërshtarëve politik në mënyrë që të jenë sa më jetëgjatë në pushtet.
Por tek sa i ndjen këto pasoja, zhvillimet e tyre që bëhen më të papërtypshme me sa ç’ndodh në Shqipëri sa duhet një sy i paanshëm dhe i specializuar që të tregojë se politika e sotme shqiptare dhe veçanërisht pushteti në mënyrë të efektshme ushtrojnë ideologjizimin politik në shtresat e popullsisë në të kuptuarin se parti-shteti është fuqia dhe garancia që e “zhvillon” shoqërinë shqiptare dhe jo energjitë e mendjes krijuese të individëve të lirë që përmes punës dhe konkurrencës zhvillojnë pronën private, biznesin dhe tregun e lirë.
Pas tre javëve fushatë dhe një tjetre të mbetur, ne po përpiqemi të kuptojmë se ky është ai muaji i madh që i mbledh njerëzit dhe i lë atyre vetëm në ditë të mendojnë për të zgjedhur. Të votojnë duke shprehur të lirë vullnetin duke qenë qortues, të jenë të lirë dhe të qetë një ditë të vetme që të vendosin për ç’ka ata/ato mendojnë. Të kuptojnë se me zgjedhjen e tyre jo vetëm mund ta përmirësojnë jetën, por me forcën e ndryshimit ata/ato kanë në duart e tyre edhe ëndrrat që nesër do të realizohen duke ushtruar pushtetin përmes përfaqësuesve në legjislaturën e ardhshme. ardhshme.
Kuptuar më thjeshtë, kjo është kontrata e punësimit dhe e përgjegjësive që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për çdo përfaqësues që do t’i dalë zot përfaqësimit për qytetarët nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por në situatën e tashme kur forca politike në pushtet Rilindja Socialiste e cila ka anashkaluar çdo përgjegjësi për shkallën e korrupsionit dhe të varfërisë dhe ka dalë me premtime për “mirëqeverisje”, pra një forcë politike që ka angazhuar një administratë që punon për sigurimin e vazhdimësisë së pushtetit, kjo tregon se në Shqipëri çoroditja ideologjike, e njohur si shpëlarja e trurit ka ndodhur. Ka vepruar e programuar dhe po krijon kushtet për t’u strukturuar në vendosjen e një sistemi parti-shteti autoritar e diktatorial me një opozitë formale që synon ta zhbëjë gradualisht pluralizmin.
Zgjedhësit shqiptar përveç se çdo ditë i duhet të mendojë dhe të punojë se si do të sigurojë punën dhe jetesën e përditshme pa guxuar të thotë; kushte më të mira për strehën, shëndetin, pensionin arsimin, pronën dhe mirëqenien, atij i duhet të përpiqet dallojë së pari këtë nuancë ideologjike në çdo propagandë mediatike edhe përpara se t’i bëjë pyetjen vetes se:-“A jam më mirë sot, krahasuar me katër vite më parë?”.
Pa e bërë këtë dallim deri në ditën e zgjedhjeve për ta shënuar i ndërgjegjshëm votën, i ndershëm dhe i qetë me përgjegjësinë e vet kjo ndjesi e jetuar në 12 vitet e fundit e ka bërë shqiptarin që të kuptojë se përse Shqipëria vazhdon të shpopullohet.
Përse mirëqenia, shërbimi shëndetësor, arsimi, punësimi dhe streha që kjo qeverisje po ua tregon shtetasve të saj se do të sigurohen pas disa vitesh përmes Pasaportës së BE-së?
Çfarë do të thotë se këto të mira gjinden lirisht jashtë kufijve territorial dhe jo në Shqipëri?
Kush e beson këtë mashtrim dhe nuk sheh aftësitë dhe mundësitë në vendin e vet dhe merr rrugët, kjo do të thotë se përzënia e re e shqiptarëve po ndodh nën veshjen e lëvizjes së lirë dhe emigracionit. Është politika më antikombëtare që me shpejtësi në katër vitet e ardhshme do të realizojë shpronësimin më të madh ekonomik dhe shkatërrimin historik, kulturor dhe intelektual të çdo trashëgimnie që do t’i ndodhë kombit shqiptar.
Në një front kundër keq qeverisjes, krimit dhe korrupsionit si dhe për veprimin e lirive demokratike dhe funksionimin e drejtësisë, ky është momenti historik shqiptar për ta shpëtuar me votën e lirë Atdheun dhe fatet e ardhmërisë së tij.
I mbërthyer në censurën dhe propagandën mujore parazgjedhore të “përshtatur” përgjatë 12 viteve, makineria zgjedhore socialiste e investuar nga krimi ekonomik dhe korrupsioni dhe e mbështetur nga administrata shtetërore dhe rrjeti i patronazhimit mund të duket përballë forcës së një vote të lirë e frikshme dhe e pathyeshme, por kurrë se si e tillë përballë pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje dhe bashkimit të votave të lira për ndryshim.
Në analizat e përditshme kundërshtarët e ndryshimit kanë perfeksionuar numrat dhe sondazhet duke i kthyer në shantazhe, një tregues mjaft i dallueshëm për të kuptuar se perceptimi psikologjik dhe politik i votuesve bëhet përmes ideologjizimit, indoktrinimit dhe jo prej dialogut qytetar dhe fjalës së lirë që ashtu sikurse dhe vota, tubimet dhe protestat janë ndër të drejtat dhe liritë themelore që i mbron kushtetuta e republikës.
Kur këto sa u përmendën më lartë nuk marrin vlerën e një analize të situatës ekonomike shoqërore në Shqipëri se ku jemi dhe ku po shkojmë?
Apo janë pak teorike nga të vërtetat që bart realiteti shqiptar?
Mos gjetja e rrugëzgjidhjes qoftë edhe nga këto dy pyetje do të thotë se mendimi kritik i qytetarëve shqiptar (në çdo shtesë dhe grup moshë), ka pësuar një rënie tronditëse për të mos thënë që boshllëku i krijuar janë mbushur me ankth, pasiguri dhe me ushqimin e idesë së largimit kudo nëpër botë për një jetë më të mirë.
Në shembullin e mëposhtëm do të ilustrojmë dy strategjitë e forcave kryesore politike, Rilindjen Socialiste dhe Aleancën Shqipëria Madhështore pa dashur të nënvleftësojmë subjektet e vegjël dhe të rinj politik.
Opozitës së AMSH-s megjithëse e përfshirë masivisht në një tur takimesh me përfaqësues direkt, kundërshtari e godet me anti reklamë dhe etiketime deri sa edhe kur mosha e Sali Berishës vihet si një sprovë, por energjitë e tij në ndryshim nga kundërshtari janë të motivuara drejt turneut të takimeve brenda dhe jashtë vendit për të paraqitur një program. Çdo takim përfaqësohet me kandidatë nga aleanca, po aq sa edhe fryma e mbështetësve ka një rritje që në strukturë dhe interesa përfaqësojnë ndryshimin dhe largimin me votën e lirë nga pushteti Rilindjen Socialiste në 12 vite.
Rilindja Socialiste nga ana e vet, shteti, administrata, media dhe patronazhimi janë kundërshtarët që i besojnë qëndrimit në pushtet. Ata/ato shfaqen pavarësisht korrupsionit dhe ndërgjegjësimit ndërkombëtar ku ky sistem është bërë tashmë i njohur. Me pjesëmarrjen e një pjese të diasporës në zgjedhje Rilindja Socialiste po synon të krijojë idenë e një “shteti normal” ashtu sikurse edhe me opozitën e shkatërruar në zgjedhjet e 2023 synoi të jepte fasadën e një rivaliteti mes rregullash për të futur në xhep fitoren pas certifikimit të rezultatit.
Disa ditë më parë në një takim në Njësinë nr. 7-Tiranë, Taulant Balla ju drejtua votuesve të diasporës:-“Që të bësh punë në Parlament duhen të paktën 71 vota për të bërë qeverinë dhe 84 për të bërë reforma”. Pra pas tre mandatesh, sipas numerologut politik Balla i listës së mbyllur mendon për votat në Kuvend të cilat janë ato që pavarësisht korrupsionit, mbrojnë politikanët dhe u zgjasin pushtetin.
Në qoftë se këto numra realizohen dhe duken normal me çfarë ka ndodhur me keq qeverisjen dhe korrupsionin në çdo drejtim, atëherë zgjedhësit të mos e presin ndryshimin.
Por duke mos u mjaftuar me shembullin Balla ose rastin e parë, në qoftë se po ju japim rastin e dytë me shembullin Rama, ky freskim faktesh duhet të jetë shqetësues dhe ndërgjegjësues për të gjithë ata shtetas shqiptarë që e kanë t drejtën e votës dhe fatin e saj për të ardhmen e Shqipërisë. Kur Rama flet për makinerinë elektorale të elitës së Rilindjes Socialiste, ai është serioz dhe i vërtetë pasi ka shfrytëzuar maksimumin e strukturave organizative të Partisë Socialiste dhe patronazhimit të saj në administratën shtetërore. Thuajse 40 ditë nga data e zgjedhjeve, më 20 Mars, ngjarja në Njësinë nr.2 Tiranë ishte befasuese. Zhargoni i shkujdesur dhe zgjedhja e termave, shtab, celulë, shok e shoqe që gjatë bashkëbisedimit nga ai mjedis shkonte deri në diasporë, ishte i paparashikuar se sa dëm i ka sjellë mendimit kritik qytetar arroganca e shtetit dhe e politikës së majtë progresiste në Shqipëri. Të lumtur dhe të ngazëllyer para kohe edhe për një tjetër fitore, Rama shpuri si rastësisht historinë e këmbënguljes dhe suksesit të tij në marrjen e Partisë Socialiste.
Historia e gjatë e thënë shkurt është se si një personazh, Kismeti i bëri Shqipërisë peshqesh Ramën.
Kjo temë ka patur vëmendjen mediatike jo vetëm nostalgjike me komunizmin, por edhe faktin se si rasti i bën njerëzit me “famë”.
Ishte viti 2003, kur Rama i hyri seriozisht politikës për të qëndruar edhe në këto zgjedhje duke marrë çdo votë nostalgjikësh, por që janë adhurues dhe ndjekës të parullës “BE-2030, Vetëm me Edin dhe PS”. Sigurisht që është e drejta e tyre që e besojnë dhe ta mbështesin, por brenda Partisë së hershme Socialiste nga ky peshqesh i Kismetit, ka humbur demokracia dhe protagonistët e vjetër që tashmë me hir apo me pahir e kanë mbështetur, janë në dyzimin apo vrasjen e ndërgjegjes se: – A bënë mirë apo keq që e pranuan peshqeshin që prej 2003-isht?
Pas 11 Majit ky ankth do zgjidhet ndoshta për të gjithë.
Jeta vazhdon.
Politika i bën premtimet e saj.
Fati i keq është për zgjedhësit kur e kuptojnë vonë se ishin ata që e kishin në dorë dhe vendosën për ndryshimin.
Historia e Kismetit me Ramën ka një ngjashmëri ashtu si dhe ftesa që Enver Hoxha mori për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ai jetoi në ilegalitet nën pseudonimet Shpati dhe Tarasi, ose që nga shtëpia prej qerpiçi “u zgjodh” dhe mbajti për një gjysmë shekulli të nënshtruar një popull.
Por të jesh në krye, kjo është e përbashkëta mes tyre.
Pasi kolegë, shokë, miq dhe bashkëpunëtorë në u thënçin, njësoj u eliminuan gjatë rritjes së viteve bashkë me pushtetin.
Hoxha nga 1941 deri në 1985 mbahet mend në histori si ndër udhëheqësit diktatorialë komunistë që izoloi, torturoi, përndoqi besimin fetar, shpronësoi dhe varfëroi popullin shqiptar. E ideologjizoi aq shumë popullsinë aq sa pasojat e tij herë pas here zbulohen sidomos kur vijnë zgjedhjet.
Mes politikës, propagandës dhe nostalgjisë me të shkuarën shqiptarët kanë nevojë për ta aktivizuar mendimin e tyre kritik, pavarësisht se gjatë një fushate zgjedhore një politikan “zbret” për të takuar një qytetar apo fshatar. E rëndësishme është njohja dhe marrëveshja. Mos realizimi i saj bën që roli i një partie të zbehet, konkurrenca e programeve të dalë më në pah dhe pluralizmi e demokracia të zhvillohen.
Duke kërkuar edicionin e 1985-ës të Enciklopedisë Shqiptare për mënyrën e trajtimit të nja dy datave historike, ndeshesh me togfjalëshin Partia Komuniste Shqiptare dhe akronimin PKSH, Mendon për një çast se si ka mundësi që nuk sheh qoftë edhe një datë, por shpjegimi përcjellës të thotë; shih: Partia e Punës së Shqipërisë.
Rastësore, por edhe domethënëse për njerëzit që ta njohin dhe mos e harrojnë historinë kur ajo përsëritet për të keqen e tyre.
Në 35 vite tranzicion ke frikë të shohësh me sy realist se çfarë dëmi ka sjellë politizimi, ideologjizimi përmes propagandës dhe së fundi konceptet e një shoqërie të hapur kur merr përsipër që duke shpenzuar miliarda lekë nga buxheti i shtetit dhe i ndihmave ndërkombëtare projekte të rijetësimit të historisë së diktaturës duke e bërë atë prezente edhe pse nga ana tjetër tund pasaportën e BE-së.
3 Maj, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)