(U premtoi, i shkatërroi dhe pastaj “i hodhi farën e re”, trilogjia apo trilli e tri mandateve të Ramës kryeministër)
Po e nisim këtë shënim me strukturën e një lajmi që ATSH, mjeti kryesor i propagandës së Kryeministrit dhe elitës së Rilindjes Socialiste japin me tematikën e turizmit.
Një gazetar pyeti dhe mori përshtypjet e shumë turistëve në qendër të Tiranës. Më e dukshmja sipas tij dhe ndoshta sipas kërkesës editoriale ndriçohej në studion tv me titullin “Turistë të shumtë në Tiranë: Vend tepër mikpritës”. “Shqipëria me bregdet fantastik, ushqimi shumë i shijshëm”.*
Në qoftë se “turistët” treguan se nga vinin dhe cili ishte interesi, përzgjedhja e pyetjeve ishte e orientuar tek mirëqeverisja dhe jo tek përfitimi i vizitorit apo turistit.
Pyetjet se;- sa ju shkon paketa/shpenzoni nga xhepi në euro apo dollarë(?), sa ditë-net qëndroni (?), si janë çmimet krahasuar me vendet që vizitoni (?),… etj. dhe; – a do të ktheheni sërish (?), është e kotë të priten për t’u dëgjuar pasi mediat pranë qeverisë janë thellësisht të orjentuara. Në 5-6 përshtypje të përzgjedhura vetëm njëra i afrohej interesit që shpjegon një anë të turizmit shqiptar i cili shprehej:-“Vizituam shtete këtu pranë dhe Shqipëria na u duk e bukur. Njerëzit na thanë që ishte mirë këtu, ndaj donim të vinim me patjetër.” Por edhe ky rast është statistikë që rrit numrin e turistëve. Ai dhe familja numërohen edhe kur futen edhe kur dalin. Dhe kjo e ka lidhur fort orientimin politik me marketingun mediatik dhe pulsin e lajmit sepse në fund kronika mbyllet me një fund të lumtur dhe thuhet: … “Sitet arkeologjike, muzetë, kalatë, por edhe Alpet e vendit janë ndër zgjedhjet e të huajve, ku vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2025, rreth 4.8 milionë turistë të huaj zgjodhën Shqipërinë si të preferuarën e tyre”.
Ky ishte Tv-Klan të cilit ATSH i ishte referuar për të sjellë ideologjinë e mbjellë në media dhe ta rrëfente si interesim të mediave tani për çështjen më të gjerë të turizmit mbi problemet e Thethit, Akademinë e Pushtetit Vendor dhe e treta e veçuar në këtë vakum pas zgjedhor ku aksioni e pastrimit të territoreve të zëna padrejtësisht në hapësirat publike është përcaktuar si Reformat në bashki në dobi të procesit të integrimit ku thellësisht pohohet nga vetë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku si:-“Jo ndërhyrje si qeveri, por një riorganizim politik i PS në nivel vendor”.
Një mashtrim dhe një tallje me atë që përditë shohin me sy njerëzit, por nuk e shprehin dot sepse propaganda politike i mbyt me tymin e të tjera ngjarjeve gënjeshtër dhe anësore sa që kur vjen një ditë e bukur ai (publiku), vërteton se Rama i ka rrëmbyer të gjitha pushtetet. Ka nënshtruar dhe frikësuar më të dobëtit, ka burgosur kundërshtarët politikë sikurse ka izoluar dëshmitarët e drejtësisë që janë bashkëpunëtorët më të afërt në korrupsion. Pra pasi i ka mbyllur të gjitha brimat nga i rrjedh varka e shpuar e qeverisë dhe timonieri-kryeministër Rama pol lundrojnë drejt BE-së me trillin e verës 2025, me nxehtësinë pas zgjedhore gjoja në ristrukturimin e qeverisjes vendore.
Kur Mazniku shprehet për t’u shfajësuar nga përgjegjësia se: -“Më vjen keq që nuk pata mundësi të shkoj në Theth më herët. Por ndërtime të shumta janë bërë kohët e fundit, pas një keqkuptimi me mesazhet për faljen e gjobave. Kjo nuk do të thotë leje për të ndërtuar pa kriter”, dhe nga ana tjetër fut hundët deri në politizim kapilar dhe polarizues në kuptimin e përçarjes dhe ndëshkimit ndaj atyre që kanë bindje ndryshe politike, ai si ministër i kabinetit Rama-3 tregon thelbin e aksionit të ngritur para dy ditësh në institucionin e Akademisë së Pushtetit Vendor:-“Nuk kemi të bëjmë me një ndërhyrje të qeverisë, por me një riorganizim politik mes PS dhe kryetarëve të bashkive që i përkasin asaj. Është mëse normale që një forcë politike të riorganizohet për t’i shërbyer më mirë qytetarëve”.
Ju lutemi lexojeni mirë:-“Nuk kemi të bëjmë me një ndërhyrje të qeverisë, por me një riorganizim politik mes PS dhe kryetarëve të bashkive që i përkasin asaj. Është mëse normale që një forcë politike të riorganizohet për t’i shërbyer më mirë qytetarëve”.*
Një argument tjetër edhe më i rëndësishëm është edhe trajtimi i vetëqeverisjes vendore si person juridik*. Në Kodin Civil të RSH çka e bën kryeministrin që në mandatin e tretë të pa mbyllur të projektojë ngjyrën politike në pjesën e hartës me humbje elektorale, për të vendosur tërësisht sistemin parti-shtet. Në qoftë se publiku nuk e ka kuptuar ende se çfarë ndodhi me fushatën zgjedhore brenda vendit dhe në diasporë, çfarë ndodhi po ashtu edhe ditën e zgjedhjeve ai tani ka rastin të shohë veprimet antikushtetuese dhe jo ligjore që po ndodhin.
Së paku Thethi si fshat, jashtë vlerave të pasurive njerëzore dhe natyrore është një njësi vendore që gëzon vetqeverisjen dhe statusin e një personi juridik.*
Rama pa paralajmërim, futi fadromat dhe urdhëroi shpërthimin e kontrolluar me eksploziv.
Pse?
Sepse pakënaqësia me zgjedhjet e nxit të shpërthejë trillet që duket se tërheqin vëmendjen, por edhe sigurojnë rrugën e trashëgimisë ideologjike për më gjatë me të tjerë aktorë dhe bashkëpunëtorë. Mjafton të ndiqni strategjinë e Rilindjes Socialiste pas zgjedhjeve të 2021. Menjëherë Partia Socialiste shkoi në procesin e garës së brendshme për 61 kryetarët në 61 bashkitë e vendit në 12 qarqet për vitin 2023. Rezultatet e tyre dihen bashkë me performancën e shumë prej tyre që ashtu sikurse edhe disa ministra dhe administrator të nivelit qendror dhe vendor janë të zhytur në korrupsion dhe nën hetime për abuzime me paranë e taksapaguesve, përveç elitës së rilindësve socialistë.
Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri pas 11 Majit?
KQZ ka ngrirë në përditësimin e fundit me treguesin kohor të 26/05/2025-08:50.
Vetëm tre qarqe në veri janë humbur prej Socialistëve dhe këtë Rama nuk e pranon sepse edhe njohja si me rezultatin ashtu edhe me familjen e qytetëruar ndërkombëtare ku ai gjoja do të bëjë pjesë nuk po ja blen më hipokrizinë. Korrupsioni, narkoshteti, pastrimi i parave sikurse dhe përvetësimi i investimeve qoftë nga BE-ja dhe SHBA-ja me reforma të deformuara po bëhen më të dukshme.
Sipas KQZ 42.16% ishte pjesëmarrja në zgjedhjeve e shqiptarëve brenda vendit dhe ku për herë të parë të drejtë vote kishin edhe shqiptarët në diasporë.
Në se Socialistët në pushtet që e pretendojnë fitoren, flasin për një pjesë të më pak se gjysmës së shqiptarëve pjesëmarrës në votime (zgjedhje), nuk ka pse të imponohen me aksione shkatërrimi pa paralajmëruar sepse trilli i kryeministrit kërceu.
Po, kërceu dhe humnerën që krijon e mbush me materialet e konfiskura investim i sipërmarrjeve private dhe i kursimeve familjare kryesisht në zonat turistike sikurse edhe me datën e largët BE-2030, e cila përmes këtyre krizave shkatërrimtare që prodhohen nga parti-shteti i Rilindjes Socialiste në demografinë dhe ekonominë e Shqipërisë duke vënë seriozisht në dyshim ekzistencën e saj dhe fatkeqësisht asimilimin e kombit. Pra ta shndërrosh territorin shqiptar në një shtet që thirret Atdhe e Mëmëdhe nga një popull në diasporë dhe emigracion.
Qeverisja teknike duhet të vijë dhe mbetet e vetmja domosdoshmëri sepse shembja nga brenda e qeverisjes së korruptuar në fund të mandatit të tretë ka filluar.
Rama dha urdhër politik dhe aksioni nisi nga Vlora në Theth me shkatërrimin pa paralajmërim të personave juridikë. Madje këta të fundit nuk ishin në gjendje ta riqarkullonin vlerën materiale të investuar.
Prona dhe peizazhi i dhunuar në Theth me propagandën e pritjes rimbirjes së barit pas humbjes dhe traumës që pësojnë banorët është jo njerëzore.
Propaganda tek e fundit atë punë dhe rezultat ka:
Një të mashtrojë.
Së dyti të dhunojë.
Së treti të përvetësojë,… dhe pas kësaj vjen përzënia dhe skllavëria në qoftë se nuk ka zë dhe qëndresë.
Praktikisht po i afrohemi parti-shtetit të Ramës.
Përpara syve tanë kanë ndodhur të gjitha bashkë; Premtmi, Shkatërrimi dhe Hedhja e Farës fundi trilogjisë së Ramës kryeministër.
Zot na ruajt ç’do të mbijë!
Mbresa e fundit nga Thethi, ku propaganda ka hequr nga fushëpamja fotografike edhe Kishën e saj prej 1892 është shprehje e qartë e asaj që njerëzve t’ju vritet besimi dhe shpresa e të pranojnë regjimin.
E si për ta mbyllur me atë se çfarë ishte zhurma e mediave pranë qeverisë me turistët që kishin mbushur Tiranën këto ditë përgjigja është se edhe ata vizitorë ditor që numërohen dy herë (hyr-dil), si turistë nga bregdeti i jugut e deri në alpe nuk mund të shkojnë sepse aksioni për hapësirat publike në fund të mandatit qeverisës nuk ka të ndalur. Ndaj dhe turistët që duan ta zbulojnë Shqipërinë, ndryshojnë sipas gjendjes dhe trilleve të Ramës. Vite më parë kureshtar, vjet vizitorë me çanta shpine dhe pak shpenzime dhe këtë vit tranzitor sepse morën imazhin e shkatërrimit me vete.
Në këtë mënyrë ky kryeministër vjel taksën e traut të kufirit dhe nuk pyet as për sezonin turizmit dhe as mbi kontratat e pushimeve me netë fjetjeje që dikush mund të ketë porositur ashtu sikurse nuk i bëhet vonë edhe me mbytjen e propagandës që tek e fundit shqiptarët po e me imazhet që kryeministri Rama ushqen atë pjesë që e votuan nga 46% e shqiptareve pjesëmarrës në zgjedhje. Pra duke reflektuar mbi atë që populli të jetë i lirë dhe të zgjedhë për të ardhmen e tij, atij do t’i duhet të kuptojë se drejtohet nga një elitë që “ka marrë” votat nga ai përfaqësim që nuk janë as çereku i së tërës, i mbarë shtetasve shqiptarë në Shqipëri dhe në diasporë.
_______________________
*Klan Tv
* ATSH
* KODI CIVIL I REP. SHQIPËRISË
KREU III
TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE1.6. Të drejtën e personit juridik: Si persona juridikë, njësitë e vetëqeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë të veçantë:
a) të drejtën e lidhjes së kontratës;
b) të drejtën e krijimit të personave të tjerë juridikë;
c) të drejtën e ngritjes së padisë civile;
ç) të drejtën e mbajtjes së llogarive;
d) të drejta të tjera për ushtrimin e funksioneve në bazë dhe në zbatim të ligjeve dhe akteve nënligjore.
19 Korrik, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)