Sezonin e verës së kaluar, nga fundi i muajit Qershor Policia e Shtetit nisi “Aksionin e Ndotjes Akustike” gjobiste me 4000 euro baret, restorantet dhe diskot në Lungomaren e qytetit të Vlorës, dhe disa ditë më pas ju fut Bashkisë duke emëruar staf të ri dhe nisi shkallën e dytë të goditjes me lirimin e e hapësirave publike. Fadromat dhe ekskavatorët si dhe shpërthimet e kontrolluara me eksploziv shoqëruan gjithë stinën nga jugu në veri, nga Lungomarja dhe çdo autostradë e deri në Theth.
Kush mundi nga shqiptarët dhe që e ndjeu se ju shkel liria dhe prona më vete protestoi, por edhe u gjobit, u padit e u godit. Gjithçka u shua dhe qeverisja e një viti më parë ishte ajo që e tregoi forcën me popullin duke u prishur ekonominë dhe kursimet në emër të rregullave dhe ligjeve, kur nisën zjarret dhe përmbytjet tregoi se as forcë dhe as para nuk nxorri për të përballuar emergjencat civile dhe natyrore.
Ky ishte prologu i asaj se kush dëgjohej më shumë.
Tani kemi ardhur në fazën e asaj se edhe kryeministrit i ka ardhur zëri dhe po e prodhon zhurmën për të kundërshtuar me çdo mënyrë protestën.
Pra i shkundur jo vetëm nga nervat, por edhe nga paratë kryeministri i rilindësve socialistë dhe mediat pranë tij kishin të njëjtin shqetësim “me shkundjen”. Ndaj edhe titujve të lajmeve “Shkundet Tirana nga …” do t’i shtoheshin detajet si: një koncert i së Shtunës në “Eagle Stadium”, pranë Kasharit-Tiranë me pjesëmarrjen e Kanye West, me një publik ndërkombëtar të numëruar prej 80 vendesh, dhe papërmendur atë se për të plotësuar ardhjen e rreth 60 mijë spektatorëve në koncert u përdorën metodat e zbritjes 30% të biletës si dhe dhënie falas për grupe dhe kolektiva shkollore e punonjësish e që në fund do të ishte edhe qerasja bujare e vetë kryeministrit me 4 milion euro nga fondi i emergjencave. Kjo e fundit që do ta shpëtonte koncertin e paralajmëruar, dhe kryeministri menjëherë pas mbylljes së kritikave në llogaritë e rrjeteve sociale do të niste luftën e titujve mediatikë nga makineria propagandistike dhe mediat që e mështesin.
Sa për protestën qytetare mjaftonte që të përmendej titulli i zakonshëm Dita e 43-të…
Titujt sulmues ishin; Rama: “Katër milionë eurot investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj Shqipërisë”, “Koncerti në Tiranë, Rama pret reperin Kanye West”, “Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West”, “Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen në vendin tuaj të bukur”, “Koncerti i Kanye West në Tiranë, Rama: Shqipëria organizoi një ngjarje, që u bë lajm në çdo cep të botës”, “Koncerti spektakolar i Kanye West, Rama: 80 kombësi ka rreth asaj vatre”,”Koncerti i Kanye West, mijëra fansa e turistë nga vende të ndryshme po i drejtohen Eagle Stadium”, “Koncerti i Kanye West, apel për mbërritje në kohë të pjesëmarrësve”, “Rama: Koncerti i Kanye West, marketing global që sjell turizëm dhe ekonomi për Shqipërinë”, “Kanye West në Tiranë, Gonxhja: Ngjarja muzikore për të cilën do të flitet gjithë verën”, “Gonxhja: Suksesi i koncertit të Kanye West i fiton kryeqytetit besueshmëri ndërkombëtare për evente të mëdha”… etj. etj.
Pra me dhjetra tituj të përgatitur për të nisur një sulm për të cilin ja vlen të ndalemi në dy tre të vërteta.
Protesta qytetare në Tiranë mes ditës së 42 dhe 43 kishte pjesëmarrjen e saj dhe u zhvillua megjithëse koncertet e sponsorizuara i hynë në mes.
Koncertet?!
Po ishin dy koncerte.
Ai zhurmëshumi mediatik i Kanye West një ditor, por edhe ai Festivali Sundance i Verës që ishte për katër ditë nga 9-12 Korriku i zhvilluar pikërisht në Zvërnec, ditë natë pa pushim.
A kishte një plan të parapërgatitur për këtë?
Është e kotë të bësh pyetje me këtë nivel korrupsioni, pasi transparenca nuk ka ndërmend të zhvillohet kurrë ndonjëherë për sa kjo qeveri mendon se e meriton që ta drejtojë shtetin me mandatin e Zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 dhe përderisa protesta qytetare nuk i duket bindëse.
Koncertet në botë janë kudo dhe për çdo arsye të listuara. Në kalendarin e veprimtarive tek çdo fqinj me Shqipërinë dhe në mbarë botën ajo që Rama na tregoi si të ishte eksploratori i eventeve kulturore muzikore, doli se këto njoftime nuk përfshihen. Në se bota i ka nisma private koncertet, tek be i bën qeveria dhe ndonjë ministri përgjegjëse që mendojnë për argëtimin e popullatës. Pra atë që “Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West“.
Po pse ku paskemi qënë deri tani?
Reklamat për turizmin janë bërë aq prioritare sa që një Asamble Politike e disa viteve më parë, kur Rama humbi një zv/kryeministër mbajti peshën e strategjisë së Rilindjes Socialiste. Ky fat po e pret edhe sot. Shpik prioritete, shty Kuvendin dhe formato qeveri në muajin Shtator deri sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme.
Me qenë se çudia zgjat tre ditë, le të shohim se çdo të sjellë java.
Sa për Sheshin e Protestës një gjë është e sigurt, se qytetarët dhe rinia do të vazhdojnë me “Revolucionin e Flamingove”, çka u bë eventi më i njohur paqësor në botë për rrëzimin e një qeverisje.
Në mbyllje do të sillnim edhe njëherë vëmendjen për mbrojtjen e natyrës dhe respektin për gjallesën e egër, mjedise ku njeriu nuk kontrollon sjelljen e tij
Si ju duket juve Festivali Sundance katër ditor “go wild” në Zvërnec, kur kjo qeveri urdhëroi Policinë një vit më parë të gjobiste bizneset për “Ndotjen Akustike”.
Mos vallë Rama e ka nisur mbrapsht këtë rradhë. Do t’u prishë qetësinë Zvërnecit dhe Flamingove, në mënyrë që të pushojë protesta dhe kështu qeveria dhe politika shkojnë të qetë për pushimet e verës për t’u shkëputur nga refreni; ‘Rama jepe dorëheqjen’.
12 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)