(5 Dhjetori Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, por edhe Dita e Tokës Bujqësore)
Fjala “vullnetarizëm” në mesazhet e shkallëzuara të përfaqësuesve të shtetit dhe politikanëve u përdor dhe u shfrytëzua sipas interesave ideologjike të pushtetit dhe jo për thelbin e përmbajtjes që kjo fjalë ka në traditën dhe në kulturën shqiptare. Të ndodhurit pranë në rast ndihme dhe nevoje është përdorur kaq keq ideologjikisht dhe politikisht në 70-80 vitet e fundit sa që në më pak se dy dhjetëvjeçarët e parë të tranzicionit shqiptarët shijuan skajet e lirisë pa e kuptuar se në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit prirjet globaliste i kanë bërë ata/ato të jenë vunerabël ( fizikisht dhe emocionalisht të plagosur ), ku 40% popullsisë së emigruar të tregon se vendi ka mbetur pa rini dhe se varfëria që sundon mbi marrëdhënien me pronën private kusht i mirëqenies janë zëvendësuar me lëmoshën e qeverisë që i kërdis qytetarët me taksa në rritje.
Por ashtu sikurse edhe titulli paraqet renditjen në veprimtarinë e ditës nga poshtë-lartë, pra nga kryetari i Bashkisë Shkodër Beci, tek SH.T.Z presidenti Begaj dhe për nga influencat tek kreu kryeministri Rama formaliteti i veprimtarive dhe mesazheve ishte plotësisht i ngjashëm.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Beci zbret në Velipojë për pastrimin e plazhit Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, 800 të rinj kanë zbritur në terren për t’iu bashkuar aksionit të madh për pastrimin e plazhit të Velipojës ku modeli “jo thjesht pastrim, por vetëdije, model dhe frymë” i 800 të rinjve shkodranë që ndërpresin ditën e shkollës dhe marrin një kanotjere, doreza dhe thasë plastikë për një punë të detyruar, mbledhjen e mbeturinave që përmbytjet kanë mbushur bregdetin prej shpëlarjes së lumenjve.
Çfarë vetëdije, modeli apo fryme sjell propaganda e globalistit Beci kur gjithë vitin ky ndërgjegjësim dhe punë pastruese nuk bëhet në qytetin e tij?
Për të krahasuar edhe përgjigjen ndaj emergjencës, mund të thuhet se Shkodrës ju desh ditë më pas se qytetet bregdetare të Malit të Zi dhe Kroacisë e pastruan vijën bregdetare të tyre nga mbeturinat shqiptare. Një tregues ndihme dhe shembull i sjelljes ndaj ‘kojshisë jugor’, konkret dhe jo vullnetarizues. Se po të ishte për t’i treguar vendin, komshiu i egër apo dikush tjetër më gjakftohtë do t’i mblidhte të gjitha mbeturinat, do t’i peshonte dhe do t’i jepte Becit faturën, vlerën dhe shpenzimet qoftë të përpunimit apo edhe të incenerimit, teknologji dhe metoda kujdesi mjedisor që Bashkisë së Shkodrës i kanë mbetur vetëm në letra dhe orientimet e ideologjisë rilindëse.
Mbi të njëjtën kornizë, por me renditje të ndryshme vjen postimi/lajm nga presidenti SHTZ Begaj:-“Kjo ditë është një mundësi për të shprehur nderimin tim për të gjithë vullnetarët që shërbejnë pa kushte për komunitetin. Ju jeni shtylla morale që mban gjallë angazhimin vullnetar, social dhe solidaritetin. Respekt dhe mirënjohje çdo nisme që fuqizon komunitetin dhe u qëndron pranë qytetarëve. Vazhdoni me kurajë! Shqipëria ka nevojë për zemrën dhe kontributin tuaj sot dhe çdo ditë”.
Të dy lajmet me kujdes duan të nënvizojnë shtysën globaliste se në botë ka rreth 1 miliardë vullnetarë dhe se; ‘… rreth 70% e përbëjnë vullnetarët joformalë, duke ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në komunitetet e tyre, ndërsa 30% angazhohen përmes organizatave formale’.
Përsa kërkon të zbërthesh qoftë edhe atë ndjesi qytetare të pa imponuar nga sloganet e pushtetit dhe të politikës se çfarë mund të bëjnë me vullnet të lirë njerëzit, goditja finale vjen nga kreu i ekzekutivit Rama i cili thuajse ka dalë së fundi jashtë etikës dhe raporteve diplomatike me SHBA-në gjen rastin t’i tërheqë vëmendjen aleancës kur thumbon e ndreq njëkohësisht me përkufizimin e tij përsa i përket ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit në veprimtarinë “Një Fundjavë Ndryshe”.
Rama në çelje të thënies shprehet:“Ishte një moment kur Amerika i la pas, duke tërhequr me vete gjithë NATO-n. Të gjithë ata të cilët i kishte nxjerrë nga errësira me një premtim të madh, me premtimin se me ardhjen e Amerikës dhe NATO-s në Afganistan gjithçka do të ndryshonte në jetën e tyre”.
A nuk është ky një moment vetëmburrjeje edhe duke qenë një vend aleat i NATO-s të dalësh tani në pah duke luajtur rolin e strategut kur në atë kohë ekzistonte një frymë konkrete kritike për mënyrën e tërheqjes nga Afganistani, por administrata e ish presidentit Baiden veproi me lëshimin e terrenit si i mundur ndaj Talibanëve.?
Por po në vazhdim thekson edhe vlerat e asaj shoqërie si amerika ku:-“…Dhe përnjëherë, sa hap e mbyll sytë, gjithçka mbaroi për ata njerëz. Aty unë kam parë një Amerikë tjetër. Kam kuptuar forcën e jashtëzakonshme të atij vendi, kur njerëz nga më të ndryshmit, që në jetën e tyre të përditshme jetojnë në kampe të ndryshme, siç jeni ju këtu sot, u bënë bashkë. Dhe vinin telefonata të çuditshme, kërkonin ndihmë, kërkonin ndihmë këtu nga Shqipëria, sepse ne u bëmë i vetmi vend që hapi dyert për afganët, të cilët, për ta thënë deri në fund, ishin shumë myslimanë për të qenë të mirëpritur në shumë vende të tjera të NATO-s, ose nuk ishin aq barrë sa duhej”.
Pra është vërtetë një amerikë tjetër, që jo vetëm e njeh ndihmën, humanizmin liritë dhe të drejtat e njeriut, por edhe u del atyre në mbrojtje kur ato shkelen. Janë po SHBA-të që po theksojnë raportet mes emigracionit të ligjshëm ndaj atij të paligjshëm, do të jenë mburoja e qytetërimit modern dhe demokracisë. Në këtë drejtim pushteti i Ramës në Shqipëri ka treguar në disa raste se investon dhe blen influenca të përkohshme të rrezikshme për vendin dhe rajonin.
Në pjesën e fundit ku duke u vetë lavdëruar se :-“Ndërkohë që ne e bëmë këtë akt dhe shumë të tjerë u përfshinë bashkë me shtetin, pikërisht për atë që thashë më parë, sepse tek ata që papritur e kuptuan se kishin mbetur në mëshirën e një turme vrasësish, ne pamë pasqyrën ku reflektohej shpirti ynë. Dhe shpirti ynë, pavarësisht se jemi ndër vendet më të vogla dhe më pak të pasura të NATO-s, nuk mund të ishte më i vogël se shpirti i atyre që mund të jenë më të pasur e më të mëdhenj se ne”, ne mund të zbërthejmë synimet e Ramës për t’ju afruar butë zhurmës së lajmeve të fundit që po qarkullojnë se Shqipëria mund të shndërrohet në një pikë të nxehtë me një ose disa vatra të tjera të reja për imigrimin, qendra pritëse të emigrantëve. Shqipëria është një vend i vogël anëtar i NATO-s, por e vërteta është se Shqipëria nuk është “një nga vendet më pak të pasura të NATO-s”, por më i varfëri dhe më i rrënuari ekonomikisht në këto dhjetë vitet e fundit, i goditur në pluralizëm dhe liritë e ideve dhe të politikës, i kompromentuar nga agjendat përfituese globaliste dhe fatkeqësisht me një popullsi të mplakur pasi rinia dhe pjesa më vitale popullsisë, 1/3 e saj janë larguar për të siguruar një jetë më të mirë dhe mirëqenie në botë.
Të gjithë këta shembuj duken të përsëritur në qëndrimet e arsyeshme reale dhe të opozitës, por kurrë asnjëherë në mediat pranë qeverisë dhe propagandën e saj e cila edhe një ditë të thjeshtë ndërgjegjësuese për ‘vullnetarizmin’ e politizon.
Përse po këta shtetarë dhe politikanë nuk dalin edhe me një cilësim për “Ditën e Botërore të Tokës”?
I tillë ishte edhe ky 5 Dhjetor.
Por kjo as nuk mund të thuhet e jo më të ndodhë(!)
Shqipëria renditet nga fundi, por me të gjitha grup kapitujt e hapur për në BE, madje në 2030-ën për elitën e rilindësve socialistë.
Edhe 100 mijë hektarë sipërfaqe publike e deklaruar e hapur, zor se do të gjejë gjelbërim nga konkurrenca e ndërtimeve dhe sipërfaqet e betonizuara deri tani. Por nuk u tha ende se sa është vlerësimi i tokave dhe pyjeve të ndodhura në verë, i përmbytjeve nga reshjet në vjeshtë dhe dimër, dhe po kështu i erozionit dhe i humbjeve të reja të sipërfaqes së tokës në të korrat e vitit të ardhshëm. Një mungesë përgjegjësie dhe menaxhimi shtetëror që e ka lejuar korrupsionin të gërryej kudo. Pra fokusi i qeverisë është zona urbane qyteti, deri diku Parqet Natyrore dhe Turizmi për t’i shfrytëzuar, por kurrë se si Fshati, Bujqësia, Prodhimi Bujqësor e Blegtoral, sepse toka është lënë e djerrë që pjelloria e saj të mos vrasë xhepat e klientelës së qeverisë me çmimin e saj.
Kështu pra termi vullnetarizmit nga, tirret e shtjellohet në të gjitha ato forma vetëm e vetëm që e vërteta të humbasë e të mos thuhet.
Vullnetarizmi, pra kuptimi i asaj që askush ty nuk të detyron dhe je ti vetë që me ndërgjegje vepron, paraqitet edhe si një lëvizje. Pra ta kuptojmë thjeshtë që për mungesat apo mos mbajtjen e premtimeve nga qeveria, qytetarët me ndërgjegjen e tyre të protestojnë me lëvizjen e tyre. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë dhe pandërpreje duke u fuqizuar sepse nga ana e pushtetit në vijimësi po shohim dhe po kuptojmë se propaganda e saj e kërkon vullnetarizmin kur i duhet, por jo të shohësh një veprim të vullnetshëm prej përfaqësuesve të saj ese kur, kapen nga drejtësia me abuzime financiare, përvetësime dhe shkelje të ligjit, dorëheqja si vullnet i mirë nuk ekziston.
Pa daljen e të vërtetës, shoqëria dhe qytetarët me dhe pa vullnet mund pajtohen me gjithshka, por jo kurrë me zhvillimin, mirëqenien dhe lirinë.
____________
*kanotjere/kanatjere– nga italishtja canottiera, veshje e hollë prej pambuku, pa mëngë e pa jakë, që vishet në trup.
6 Dhjetor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)