A ta zhbën vendlindjen një numër i pavlefshëm në PER*?
Një pyetje nga më të vështirat për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh jashtë atdheut që mendojnë se mund të kontribuojnë duke ushtruar votën në zgjedhjet e 11 Majit.
Po, edhe ata kërkojnë që kësaj pyetje t’i japin një përgjigje sepse ashtu sikurse edhe në Kushtetutë* edhe në Kod Zgjedhor*, gjithshka duket e përcaktuar.
Por përpara se të kuptojmë se çfarë është PER-i, pra Platforma Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë e administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe sa e mundësoi ajo ndërtimin e një liste zgjedhore siç e kërkon kodi, më parë le të japim një shembull tepër të thjeshtë se ky instrument sa më i thjeshtë (PER-i), kërkon të bëjë një listë me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut për të ushtruar për të parën herë të drejtën e votës. Pra nga aty ku jetojnë, ata me postë rikthejnë zarfet e KQZ-së drejt e në kutinë e votimit.
A e kreu PER-i këtë brenda katër muajve, nga 11 Janari – 4 Mars, 2025?
Teknicienët e mbërthyer në tryezat politike që mendojnë vetëm për ta mbajtur pushtetin në Shqipëri i kishin dhënë shenjat e një kënaqësie paraprake. Me seancat kuvendore shty dhe vetëm shty, një listë e mbi 1 milionë shqiptarëve të larguar u rrumbullakos aq sa edhe ishte parashikuar buxheti për postën.
Seancat kuvendore dhe “shoqatat të shoqërisë civile” bashkë që me shifra dhe me kuota i afroheshin 200 mijëshit, apo edhe ca të tjerë të deklaruar në sjellje si të futur edhe në BE, tashmë të ekzaltuar kur ky prag u përmbys i rritën edhe kërkesat për shpenzimet e postës. Shumë prej tyre në parashikime u gjetën mes sjelljeve të lojtarëve të basteve.
Thënë më fort në qartësinë për ta marrë apo mbajtur pushtetin, mes tyre dhe procesit të zgjedhjeve mund të gjente vend shprehja; “the house always wins”*.
Krahasimi ndoshta ju duket pak i rëndë, por janë 34 vite tranzicion.
Por si mund ta shpjegojmë gëzimin me numrat e listës së votuesve nga jashtë territorit më 11 Maj, 2025 në teknicienët e tryezave politike dhe vetë politikën?
A u punua mjaftueshëm me shqiptarët jashtë atdheut që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës jo vetëm tani?
Justifikimi mesa duket mbetet tek shprehja e lodhur nga përdorimi se; “ishte hera e parë”.
Vërtetë deri me 4 Marsi, ose ora 23:59 i çliroi burokratët për të nxjerrë listën e shifrave dhe numrave të vlefshëm nga procesi.
Por çfarë përgjigje do t’ju japin ata qytetarëve me shtetësi shqiptare që jetojnë dhe punojnë në një atdhe të dytë prej vitesh?
Pra që:- “juve jeni një numër i pavlefshëm!”
Apo tjetra që pas disa përpjekjeve pa rezultat dhe kohë e humbur njerëzit të presim se në çfarë liste emri do t’ju dalë.
Pas datës 4 Mars, pra me ata shqiptarë që e provuan PER-in deri në minutat e fundit, pritet një email-i nga KQZ. Një shërbim qytetar elektronik dhe korrektesë në qoftë se ai mesash u shkon dhe i sqaron. Por në s’ardhtë shqiptari që jeton dhe punon jashtë atdheut duhet të ndërmarrë një plan të dytë më të kushtueshëm pasi e kuptoi se PER-i nuk e ndihmoi. Të marrë rrugën dhe të jetë në Shqipëri pak përpara zgjedhjeve për t’u bërë një numër i vlefshëm në vendlindje. Të marrë rrugën sa të hedhë votën dhe të zgjedhë sepse atij qytetari të lirë të botës i duhet ai i shkreti numër i vlefshëm në vendlindjes, nga që e-albania kurrë nuk ja pranon datën e skadimit të dokumenteve me të cilat ai/ajo e kanë lënë vendin.
Fillimisht PER-i u kuptua si një aplikacion i kohës për t’u regjistruar jo si numër, por si një shqiptar dhe pa kufizime dhe pa kushte pasi ligjet e vendlindjes dhe shtetësisë qoftë edhe vetëm të njërit prind, i japin pasardhësve në një familje shtetësinë shqiptare. Ndaj shifra 294 155 shtetas shqiptarë të regjistruar të mos shihet thjeshtë si kërkesë, por si një shqetësim pasi prej 1990 janë miliona shqiptarë të larguar në emigracion që ende nuk e kanë humbur identitetin dhe lidhjen me atdheun, sikurse edhe ata vetë kanë gjetur ku kanë shkuar familje shqiptare të hershme që i kanë ruajtur në disa vende edhe pse para se më shumë se një shekulli gjuhën, traditat, bashkësinë. Miliona bëhen sot shqiptarë që kanë mërguar (pa i përmendur arbëreshët trojet arbërore).
Politika i largoi shqiptarët, ndërsa teknicienët e numrave në tryezat jetojnë me politikën për listat sikur nuk e kuptojnë se popullsia është mplakur dhe se atë mund ta gjallërojë vetëm pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i miliona shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë prej vitesh jashtë atdheut. Plotësimi i kushteve për ushtrimin i të drejtës së votës, i bën shqiptarët më të qytetëruar për të ditur se çfarë kërkojnë dhe se sa i rëndësishëm është ndryshimi i natyrshëm i vendit që nuk vjen nga ligjet e ngurta dhe listat e pjesshme.
Pas 4 Marsit, PER-i do të heshtë.
Kur teknicienët e atyre seancave kuvendare të panumërta që shtynin kohën reklamuan se regjistrimi ishte një proces i thjeshtë, kontakti me aplikimin nga eksperienca e vëzhguar prej aplikuesve ishte i prapambetur. Teknologjikisht e varfër. Nuk kanë shumë rëndësi detajet për shembullin më poshtë, por në katër aplikues tre prej tyre me vjetërsi të ndryshme dokumentesh dhe njëri vizitor i freskët nga Shqipëria që do të mund ta ushtronte të drejtën e votës në adresën e fëmijëve, rezultati mbeti i pavlefshëm. Në dy ditë rreth një orë përpjekje pa rezultat.
Pra çfarë shërbimi na sjell lista kur koha dhe teknika janë të pamjaftueshme dhe nuk u përshtaten thjeshtësisht njerëzve të çdo grup moshe.
Kur flitej fillimisht për PER-in, thjeshtësinë e aplikacionit, tani në 2025 gjithnjë mendohej se përmes një telefoni apo kompjuteri, zgjedhjet e 11 Majit mund të ishin për nga dëshira edhe si një fantazi për të ardhmen e Shqipërisë. Një listë e prodhuar prej një komunikimi elektronik, madje dhe një votë digjitale për emergjencën në të cilën Shqipëria ndodhet.
Fatkeqësisht, kjo nuk u arrit po ta krahasosh me atë thjeshtësinë që shumë aplikacione në fushën e transportit dhe mbi bazë të një llogarie të hapur, të zhvendosin nga pika (A), ku ndodhesh në pikën (B), aty ku duhet të shkosh kundrejt një pagese. Kush ka udhëtuar dhe përdorur aplikime të tilla i njeh mirë përfitimet pasi ka kryer punë.
Shqipëria me PER-in nuk e paska mundësinë të ketë zhvillimin e një “uber-vote”, pasi sistemi kërkon kontrollin dhe pushtetin dhe nuk mendon dot për votën e shtetasve shqiptar jashtë territorit, që prej vitesh e drejta e tyre është shtyrë në sesionet kuvendore dhe teknicienët e politikës si “Vota e Diasporës”.
Madje për numrin e saj, politika u turr në diasporë edhe pa e patur ende “listën”.
Sikurse vihet re në fund të këtij shënimi togfjalëshi “Vota e Diasporës” dhe fjala diasporë u përmendën vetëm njëherë pak më lart, pasi Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor e përcaktojnë si një të drejtë të shtetasve shqiptar dhe jo të një qytetari të lirë të botës me vendlindje Shqipërinë, apo qoftë edhe i lindur nga një prind shqiptar, në moshën e duhur ta ushtrojë të drejtën e votës.
Kështu Shqipëria do të mund të ishte e madhe në shtrije dhe gjithmonë e re në moshë. Atëherë kur diaspora e saj nuk mund të jetë as një numër i preferuar në listën zgjedhore dhe as numër i pavlefshëm në PER-it.
Ndaj kush mundet nga diaspora, ta mundësojë votimin fizikisht në vendlindje pavarësisht përpjekjeve dhe ngarkesave në e-albania.
Fat do të ishte të ushtrohej vota dhe të ndodhte ndryshimi këtë pranverë, në mënyrë që shqiptarët të mos numërohen edhe si fluks turistësh nga mendësia e asaj politike që veçanërisht e ka detyruar popullsinë të largohet për shkak të varfërisë, krimit ekonomik dhe të korrupsionit.
_____________
*PER – Platforma Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë e administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
*Kushtetuta e RSH, Neni 45 – 1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
* Kodi Zgjedhor, Neni 24- 2. Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.
*“the house always wins“- “shtëpia fiton gjithmonë”, Lojërat e fatit në një kazino janë ndërtuar të tilla që edhe fituesit t’i shpërblejnë, por paraja të mbetet aty dhe biznesi të vazhdojë.
6 Mars, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)