TIRANË – Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur te policia gjyqësore” ndaj 33-vjeçares Rozalinda allias Rosela Nallbati, e cila po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” ndaj gazetarit Elton Qyno.

Rozalinda allias Rosela Nallbati
Mësohet se, vendimi u dha në mungesë, pasi Nallbati ndodhet në kërkim prej datës 30 korrik 2026, ditë kur goditi befas me telefon gazetarin Qyno në ambientet e një spitali privat në Tiranë. Pavarësisht kontrolleve të FNSH-së në Tiranë e Elbasan, ajo mbetet ende në arrati.
Policia e Shtetit i ka përcjellë një kopje të vendimit edhe zyrës së Interpolit për vendosjen e “Njoftimit të Kuq”. Gjatë caktimit të masës, gjykata mbajti parasysh gjendjen e saj familjare, pasi është nënë e dy fëmijëve të mitur.
Bëhet me dije gjithashtu se, Rozalinda Nallbati është bashkëshortja e Florenc Çapjas, personazh i njohur i botës së krimit i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012, si dhe me 4 vite burg për siguri kushtesh për vrasje ndaj Sokol Sanxhaktarit. Çapja u ekstradua nga Dubai në maj të vitit 2025 dhe vuan dënimin në paraburgimin 302 në Tiranë./Dosja.al