VOAL

VOAL

Turizmi nga Rusia, pavarësisht sanksioneve

May 26, 2022

Komentet

LDK-ja ka një mundësi historike: të propozojë për President dy ose tre figura me integritet- Nga Sadri Ramabaja

LDK-ja synon Presidencën, duke pretenduar që, në momente krizash politike dhe kushtetuese, ta shndërrojë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtetëror. Një qasje e tillë rrezikon ta fusë Republikën në një cikël të ri krizash institucionale.
Fryma e Kushtetutës kërkon një president konsensual, që gëzon besimin e gjerë politik dhe qytetar.
LDK-ja ka një mundësi historike që, duke propozuar dy ose tre figura me integritet, kredibilitet dhe përgatitje profesionale – qoftë nga bota akademike apo ajo diplomatike – të hapë rrugën për tejkalimin e kësaj krize politike.
Në të kundërt, mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt do të bëhej pothuajse e pashmangshme, me pasoja politike që mund të rezultojnë të kushtueshme sidomos për vetë LDK-në.
Urtësia popullore e përmbledh këtë situatë me pak fjalë: “Zgjidh e merr.”

BIRN: Dështimi i paralajmëruar i aeroportit të Vlorës rrezikon qindra milionë euro në arbitrazh

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi të mërkurën se ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private.

Ky vendim vjen pas një konflikti të ashpër gjyqësor dhe bllokimesh fizike në kantier mes dy ortakëve, “Mabco Construction” dhe “2A Group”, i cili nisi në vjeshtën e vitit 2025 për çështjen e ndarjes së aksioneve mes tyre. Pas muajsh përplasjesh, përfshi sherre masive mes punëtorëve të dy kompanive për aksesin në kantier dhe një sërë vendimesh gjyqësore, situata mbeti e bllokuar edhe pasi Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2026, rrëzoi kërkesat e “2A Group” për marrjen e masave të sigurimit të padisë, duke u pasuar më vonë nga të tjera vendime bllokuese në shkallën e parë.

Por përtej një konflikti të thjeshtë mes ortakësh, dështimi i këtij koncesioni përfaqëson sipas ekspertëve një sindromë të vërtetë të Partneriteteve Publik-Privat, PPP, në Shqipëri, ku rreziqet i ngarkohen shtetit dhe përfitimet privatit.

Projekti i aeroportit të Vlorës ka qenë thellësisht kontrovers që në gjenezën e tij, i nënshkruar në prag zgjedhjesh, i zhvilluar kundër rekomandimeve të ekspertëve të financave, dhe i ngecur tashmë në një ngërç që rrezikon t’u lërë taksapaguesve shqiptarë një faturë kolosale detyrimesh.

“Nisja e procedurës për zgjidhjen e kontratës së Aeroportit të Vlorës nuk është dështim i izoluar i konsorciumit Mabco–2A Group, por prova e radhës e problematikës strukturore të PPP-ve në infrastrukturën shqiptare,” thekson Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Përballë kësaj situate, qeveria nuk ka dhënë sqarime publike. Një zëdhënës i Ministrisë së Infrastrukturës e konfirmoi shkurtimisht vendimin.

“Mundem vetëm t’ju konfirmoj nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për VIA. Nuk mund të bëjmë asnjë koment tjetër”, tha ai në një mesazh në WhatsApp.

Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli e akuzoi publikisht qeverinë se po synonte t’i hiqte investitorit “të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri”. Valon Ademi, presidenti i 2A Group, kompanisë tjetër të përfshirë në punime dhe konflikt, nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Një kontratë e favorizuar

Në kantierin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, puna vazhdon normalisht më 26 janar 2025. Foto: Xhemali Moku.
Projekti i aeroportit të Vlorës lindi si një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, i cili u shty përpara nga qeveria pavarësisht vlerësimeve financiare për fizibilitet të ulët dhe protestave nga organizatat mjedisore.

Projekti u ndërtua në afërsi të lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore dhe shtëpi e dhjetëra llojeve të rrezikuara të shpendëve. Zgjedhja e kësaj vendndodhjeje shkaktoi kundërshtime të ashpra publike, si dhe reagime zyrtare nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, të cilat paralajmëruan vazhdimisht për kostot e larta dhe të pakthyeshme mjedisore.

Kontrata u firmos në prill 2021 me konsorciumin fitues të përbërë nga kompania “Mabco Construction SA” e biznesmenit Behgjet Pacolli, kompania turke “YDA Group” dhe “2A Group” e Valon Ademit, ku shteti i ofroi koncesionarit një garanci prej 138 milionë eurosh të ardhurash nga buxheti për 10 vitet e para. Por në shtator të vitit 2022, kompania turke “YDA Group” u largua nga projekti në mënyrë të dyshimtë, duke i shitur aksionet e saj për vetëm 4,450 euro tek kompania e Pacollit.

Sipas letërkëmbimeve zyrtare mes institucioneve, të bëra publike në një shkrim investigativ të publikuar nga BIRN më 27 janar 2026, Ministria e Infrastrukturës mori përsipër risqe të paprecedenta duke garantuar pagesën e kredive bankare të koncesionarit në rast të prishjes së parakohshme të kontratës. Ky lëshim u bë brenda një afati shqyrtimi 3-ditor para nënshkrimit të kontratës, megjithëse Drejtoria e Borxhit dhe Ministria e Financave kërkuan ndryshimin e klauzolave me argumentin se ky angazhim “nuk gëzonte mbështetje ligjore”.

Sipas Zef Preçit, rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh me penalitete të rënda për buxhetin bëhet alarmant pikërisht nga këto klauzola, pasi kontrata i lë shtetit detyrimin për të shlyer huanë prej 56 milionë eurosh ndaj BKT-së në të tria skenarët e ndërprerjes. “Rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar me penalitete të rënda është i lartë,” theksoi Preçi.

Kostot publike, siç bën të ditur Preçi, mund të rriten lehtësisht “në qindra milionë euro”, duke marrë parasysh se ka gjasa që asetet e aeroportit janë hipotekuar si kolateral edhe për një hua 100 milionë dollarëshe të “Mabco”-s ndaj “Delphos Securities”, çka fut një kreditor të tretë ndërkombëtar në këtë ekuacion. Sigurimi i kontratës prej 5% të vlerës, sipas Preçit, nuk ka funksionuar si mburojë efektive pasi ekzekutimi i tij kërkon vendime gjyqësore dhe nuk është automatik.

Beteja e gjatë gjyqësore

Tufa flamingosh në lagunën e Nartës, teksa në sfond vijon punimet Aeroporti i Vlorës | Foto Joni Vorpsi PPNEA
Nisja e procedurave për prishjen e kontratës vjen ndërsa kompania koncesionare ndodhet prej muajsh e paralizuar nga një konflikt i ashpër gjyqësor mes aksionerit kryesor “Mabco Construction” dhe ortakut minoritar “2A Group”, të cilët përpos përplasjes në gjykata civile, kanë shkëmbyer padi penale për manipulim, mashtrim dhe tjetërsim kuotash.

Vetëm në gjyqe për sigurim padie, përgjatë një periudhe rreth 9-mujore janë marrë të paktën 8 vendime të ndryshme nga të tria shkallët e sistemit të drejtësisë.

Ndonëse Gjykata e Lartë rrëzoi në maj 2026 kërkesat e “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit të padisë, situata mori një tjetër kthesë në fillim të verës. Sipas ekstraktit historik të VIA, në korrik 2026 Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të ndalojë çdo organ drejtues të shoqërisë, përfshirë Asamblenë dhe Administratorin Vegim Hoxha, për të aderuar apo garantuar Marrëveshjen e Financimit të lidhur mes “Mabco Construction SA” dhe “Delphos Securities S.A.R.L”.

Në media më herët u publikua se Ministria e Infrastrukturës u pati dhënë një ultimatum palëve të zgjidhnin mosmarrëveshjen dhe se vendimi për prishjen e kontratës vjen pasi nuk ka pasur dakordësi.

Vendimi i qeverisë për zgjidhjen e kontratës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të biznesmenit Behgjet Pacolli. Përmes një deklarate publike, Pacolli paralajmëroi se arbitrazhi tashmë është i pashmangshëm, pasi hapi i ministrisë “synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata”. Ai akuzoi drejtpërdrejt institucionet shtetërore se kanë lejuar degradimin e shtetit të së drejtës duke mos ndërhyrë ndaj “tentativave për tjetërsimin e kuotave të investitorit”, “përjashtimit të paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit” dhe “bllokimit fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit”.

Sipas Pacollit, kërkesat e “MABCO”-s që prej gushtit 2025 për një auditim ndërkombëtar teknik dhe financiar të investimit janë injoruar, ashtu si edhe kallëzimet penale të paraqitura prej tyre ndaj veprimeve të kundërligjshme. “Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve,” deklaroi ai, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes përmes së drejtës ndërkombëtare.

Pacolli fajëson ortakun e tij dhe qeverinë për mospërmbushjen e kontratës dhe vendosjen në operim të aeroportit brenda afateve, duke akuzuar ministrisë se në nisjen e procedurave për prishjen e marrëveshjes citon fakte të rreme.

Ekspertët theksojnë se përballë kësaj situate, monitorimi institucional ka qenë pasiv në mënyrë shqetësuese. Megjithëse konflikti u shfaq në vjeshtën e vitit 2025, Ministria e Infrastrukturës priti deri në maj 2026 për të dhënë një ultimatum 30-ditor, ndërkohë që klauzolat e monitorimit dhe penaliteteve duhej të ishin aktivizuar shumë më herët.

Në kushtet e tanishme, Zef Preçi vlerëson se “opsioni më racional nuk është rifillimi me çdo kusht, por rivlerësimi i plotë i arsyeshmërisë ekonomike të projektit, qëndrueshmëria financiare e të cilit është vënë në dyshim që në fillim”.

Preçi ofron si zgjidhje e mundshme një tender i ri ndërkombëtar transparent për një operator të kualifikuar aeroportual, me kushte të rinegociuara pa garanci shtetërore, ose ripërdorimi i infrastrukturës për aviacion rajonal e logjistikë, duke shmangur kështu kostot e rënda mjedisore në lagunën e Nartës./ BIRN

Fatos Tarifa: Maskarallëk politik!

Nga Fatos Tarifa

E keni vënë re sa shumë flet Kryeministri Rama kohët e fundit?

Duket sikur përpiqet të krijojë përshtypjen se, më në fund, ka kuptuar çfarë nuk shkon në këtë vend, çfarë e pengon demokracinë, se ka reflektuar pas nisjes së protestave qytetare dhe se ka ndryshuar mënyrën e qeverisjes e të kërkimit të llogarisë. Madje, herë pas here, pranon edhe ndonjë prej kërkesave të protestuesve, por vetëm ato që i leverdisin, ndërsa injoron thelbin e pakënaqësisë së tyre.

Problemi është se kryeministri u flet veshëve të gabuar. Nuk u drejtohet atyre që kërkojnë llogari prej tij, ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetarëve, edhe nëse nuk kanë dalë në protestë, as e besojnë më, as duan ta dëgjojnë. Arsyeja është e thjeshtë: nuk e duan më në krye të qeverisë. Ata kërkojnë largimin e tij.

Po çfarë u thotë kryeministri? Edhe pak ditë më parë ai përsëriti të njëjtën tezë, një ide që dëshmon një injorancë të frikshme të vetë demokracisë: “Populli”, tha kryeministri, “flet kur vijnë zgjedhjet”.

Ky nuk është thjesht një interpretim i gabuar i demokracisë, por një element thelbësor i narrativës së tij politike në një kohë kur gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë dorëheqjen e tij.

Në një demokraci funksionale, populli nuk flet vetëm një ditë në katër vjet. Populli flet çdo ditë. Demokracia nuk është një ngjarje që ndodh vetëm ditën e zgjedhjeve; ajo është një proces i pandërprerë. Demokracia është ajo që ndodh në periudhën mes dy zgjedhjeve—në lirinë e fjalës, në protestën qytetare, në kritikën publike, në kërkimin e llogarisë dhe në kontrollin e përditshëm të pushtetit.

T’u thuash qytetarëve shqiptarë se duhet të flasin vetëm kur të vijnë zgjedhjet do të thotë t’u kërkosh të heshtin katër vjet me radhë; të mos protestojnë, të mos kritikojnë, të mos kërkojnë llogari nga ata për të cilët kanë votuar, t’i lënë qeverinë dhe kreun e saj të bëjnë çfarë të duan, të shkelin premtimet elektorale dhe standardet e qeverisjes demokratike, ndërsa në Kuvend të vazhdojnë të vegjetojnë të njëjtët deputetë të paaftë, mes tyre jo pak sharlatanë, të përzgjedhur jo nga populli, por nga kryetarët e partive për interesat e tyre.

T’i kêrkosh popullit të heshtë dhe të presë të flasë vetëm kur të vijnë zgjedhjet nuk është makiavelizëm politik. Është maskarallëk politik. Maskarallëk politik në kuptimin më të plotë të fjalës.

Përmes këtij maskarallëku, kryeministri shpreh jo vetëm përçmimin për qytetarët e vendit të vet, por edhe dëshirën për të qëndruar në pushtet me çdo kusht, edhe kur nuk gëzon më besimin e tyre. Ai shpreh, gjithashtu, frikën se zgjedhjet e parakohshme—po aq legjitime dhe demokratike sa zgjedhjet periodike—mund ta largojnë nga pushteti.

Në një demokraci, pushteti nuk i përket qeverisë. Ai i përket popullit. Populli ua delegon atë, përmes zgjedhjeve, Kuvendit dhe Qeverisë, që të drejtojnë në emër të tij dhe në interes të tij. Por delegimi nuk është një çek i bardhë. Nëse Kuvendi, Qeveria ose kryeministri i zhgënjejnë qytetarët, këta kanë të drejtën të kërkojnë largimin e tyre në çdo kohë, jo vetëm ditën e zgjedhjeve.

Pikërisht për këtë arsye zgjedhjet e parakohshme janë një instrument krejtësisht legjitim i demokracisë. Ato nuk janë një devijim nga rregullat demokratike, por pjesë e vetë këtyre rregullave.

Mjafton të shohim Britaninë e Madhe. Gjatë dhjetë viteve të fundit, pesë kryeministra britanikë janë larguar nga detyra përpara përfundimit të mandatit: David Cameron, Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, pas vetëm 49 ditësh në detyrë, dhe, së fundmi, Keir Starmer, i cili njoftoi dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një lider i ri i Partisë Laburiste.

Rama nuk i njeh demokracinë dhe rregullat e saj më mirë se ata. Përkundrazi, gjatë njëzet viteve në krye të Partisë Socialiste dhe trembëdhjetë viteve në krye të qeverisë, ai ka dëshmuar se ose nuk i kupton, ose i shpërfill rregullat themelore të garës demokratike.

Shqiptarët nuk duan të heshtin deri në zgjedhjet e vitit 2029. Ato janë shumë larg me një Kuvend si ky, me një qeveri si kjo dhe me një kryeministër që u kërkon qytetarëve të mbyllin gojën e të presin edhe katër vjet për të folur. Demokracia nuk u kërkon qytetarëve të heshtin. Përkundrazi, u garanton të drejtën të flasin, të protestojnë dhe të kërkojnë llogari çdo ditë.

Unë flas dhe kërkoj sot të njëjtën gjë.

SA I THJESHTË NË DUKJE, AQ DHE I LARTË DHE NJERËZOR ISHTE- Homazh nga FRAN GJOKA

 

Njerëzit e mirë po ikin në heshtje nga kjo botë, duke lënë pas kujtime, vlerësime për emrin dhe vepren shumëvjeçare që ato kryen. Punuan, sakrifikuan, por ndonëse në vlera materiale fituan pak, ata fituan respektin e njerëzve për ndihmesën që dhanë, për veprat e tyre të mira, për dinjitetin dhe dashurinë që përcollën në jetën e tyre familjare, por dhe të bashkëkombësave te tyre. Kushdo që largohet nga kjo botë, mbetet në adresë të tij apo saj, ajo mirënjohje, kujtimi dhe emri i mirë ndër breza. Aq më tepër nëse sektorin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku nxjerr breza të tërë intelektualësh të fushave të ndryshme. Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike në mësuesi, jeta ndërpritet, e mpleks keqardhjen, dhimbjen dhe kujtimin e mirë në shërbesën ndaj profesionit. Breza të tërë mësuesish punuan e sakrifikuan, duke vendosur nga një tullë në ngrehinën e madhe të arsimit tonë kombëtar.

E në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm më lart, bëjmë fjalë për mësuesin e nderuar e të paharruar, Tom Beqiri, i cili ndërroi jetë në moshën 78- vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Mësuesi i nderuar, Tom Beqiri u lind në fshatin Simon. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kreu në fshatin e tij të lindjes.

Pasi mbaron mësimet e para në vendlindje, falë dhe përkujdesjes së prindërve, dërgohet për të vazhduar shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër. Sa kohë përfundoi shkollimin për mësuesi dërgohet mësues në zonën e Kaçinarit ku dha mësim në fshtrat Simon, Kushnen, Bukmirë dhe Shëngjergj.

Përgjatë gjithë kohës që Toma shërbeu në këto fshatra dhe nuk ishte pak, por mbi 40 vjet, brezat e mësuesve, që punuan me të, panë të personifikuar modelin dhe figurën e një mësuesi dhe edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe komunitetit.

Ai karakterizohej nga cilësi të spitakatura individuale dhe profesionalizëm të lartë,  rrezatonte kulturë dhe edukatë qytetare, duke u bërë frymëzim për breza të rinj të mësuesisë.

Ishte kënaqësi dhe privilegj jo vetëm ta takoje, por thjeshtë të bisedoje me të, se çdo fjalë e tij kishte peshë, të impononte respekt dhe vlera njerëzore, sidomos kur fliste me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesit, për vështirësitë që hasen në punën me nxënësit. Ai, për më shumë se 40 vjet, qëndroi në krye të mësuesve të klasave të para dhe të pesta, pasionant që mësimdhënien e konsideronte të shenjtë dhe nuk dinte kurrë ç’është lodhja.

E gjithë kjo punë paraprihej me përgaditjen serioze. Me diskutime shkencore e metodike që bënte me kolegët e tij. Të gjitha këto nxisnin mendimin e pavarur aktiv e krijues të tyre dhe që rrisnin përqëndrimin e vëmendjes në mësim. Dhe pas çdo ore vetëvleresimi dhe verifikimi meditonte për të bërë ndryshimet e domosdoshme me qëllim që mësimi për ditën e nesërme të ishte më i qartë për 3 nivelet e nxënësve.

Toma ishte mjeshtër i rrrallë i fjalës, komunikues efektiv dhe metodist i shkëlqyer. Ka punuar pa u lodhur në të gjithë sistemin parauniversitar dhe ka dhënë shembullin personal me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrave, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Për hir të vërtetës, duhet të theksojmë se mësues të tillë që shkrijnë jetën e tyre në mësuesi ka përsëri në Shqipëri, por mësues Toma i ndjerë do të mbetet shembulli më pozitiv dhe i kujtuar në disa kolektiva pedagogjike ku ai punoi dhe sakrifikoi shumë nga vetja, duke ju dhënë dije e kulturë brezave.

Ky dritëdhënës në dije e arsim, kishte një prejardhje frytdhënëse në familjen e tij, ku rritja dhe edukimi ishin primare, ndershmëria dhe tradita shkëlqenin, ishin arsimdashës, frymë të cilën e ndërtoi dhe fuqizoi në familjen e re që formoi, me të cilën lidhen të ardhmen e tyre. I martuar me mësuesen e nderuar dhe të respektuar, Vitoren, njohëse e shkëlqyer në mësimdhënien e mësimnxënien e klasave të para dhe të pesta e arsimit 9 vjeçar, ku për 40 vjet, edhe pse në pension, brezat e nxënësve ruajnë kujtimet më të bukura dhe ndjeshmërinë për mësuesen e tyre. Jeta bashkëshortore me zonjën u konsolidua duke u bërë kështu një çift model dhe dinjitoz në arsim e me plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Në këto vite të tranzicionit, Toma bashkë me bashkëshorten e tij investuan shumë nga vetja, duke rritur e shkolluar tre djem të mrekullueshëm Albani, Alvito dhe Aldo,  dhe sot janë koshient për sakrificat e babait, duke u mësuar denjësisht atyre udhën e dijes dhe të prosperitetit.

Në foto: I ndjeri Mësues Tom Beqiri

 

Kudo ku punoi në fshtatrat e rrethit Mirditë, për më shumë se 40 vjet dhe asnjëherë nuk përfitoi nga konjukturat politike të kohës, siç ndodhte rëndomë me të tjerët mësues, ndaj me të drejtë do thoja se Tom Beqiri do të mbetet një ndër mësuesit më me emër jo vetëm për Mirditën, por dhe në shkallë kombëtare.

E tillë ishte fryma që Toma jetësonte, e tillë ishe jeta që ai thurte dhe aq shumë e donte, me pagabueshmërinë, që ai nisi në mësuesi 40 vjet më parë në të gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar drejt kur “duhej” “të përballohej” jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me urtësi, mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht dhe me vendosmëri.

Si ish nxënës i pedagogjikes që ishim në shkollën “Shejnaze Juka” Shkoder, e kujtoi që në rininë e hershme të tij, që veçohej si një djalë fjalëpak, pa zhurmë dhe me energji të pashterrshme, dashamirës, që nuk ju dëgjua zëri kurrë për keq, gojëmbël, po kurajoz që mbronte me dinjitet mendimet e tij.

Nuk ishim jo më shumë se 17 vjeç kur dha një orë mësimi dhe mori në dorë klasën gjatë praktikës pedagogjike. Ishte i qetë, autoritar dhe i butë, duke ruajtur me fanatizëm të gjitha etapat e orës së mësimit, thua se kishte mbi supe dhjetra vite përvojë.

Me mbarimin e shkollës, fillon dhe punën në mësuesi, ku u poq shumë shpejt, në sajë të punës vetëmohuese, të përkushtimit maksimal ndaj detyrës dhe shumë shpejt i dha profesionit dashurinë dhe zemrën deri në frymëmarrjen e tij të fundit.

Një burrë që nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën e tij me bujë e reklama, ua la të tjerëve të gjykonin për shërbimin korrekt që u bënte nxënësve, por që gjykoi me profesonalizëm, sinqeritet, dashamirësi, punën e mirë që bënin kolegët e tij.

Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetet njeri për t’u admiruar, një qytetar dhe atdhetar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të bisedoj me të, kujtoi kur biseda binte te tema e ndryshimeve në tranzicionin e tejzgjatur. Ai gjithnjë ishte i hapur, me vështrimin e ëmbël e gjithë respekt, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument për vlera alternative, për ide e mendime të dobishme, për demokracinë ende të brishtë në Shqipëri.

Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi homazh të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjithanshme të një mësuesi të nderuar të arsimit mirditor.

Tom Beqiri, i ndjerë, tani nuk jeton…, e kujtojnë me lotë mallëngjimi tre djemtë e tij, dy vëllezërit, nipat dhe mbesat, ish nxënësit, kolegët dhe mbarë komuniteti prindëror.

Emri dhe kontributi tij në mësuesi do të mbetet përjetësisht në memorien e brezave të sotëm, si një ndër emrat më të nderuar e të respektuar të arsimit mirditor.

Përjetësisht mirënjoheje misionarit të arsimit!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

 

Tuneli më i madh nënujor në botë Gjermania lidhet me Danimarkën

Në qendër të Detit Baltik po ndërtohet me ritme të avancuara ai që do të jetë tuneli i zhytur më i gjatë në botë. Një vepër gjigante infrastrukturore, që do të transformojë lidhjet mes Europës Qendrore dhe Gadishullit Skandinav, duke reduktuar varësinë nga tragetet që aktualisht lidhin brigjet gjermane dhe daneze të ngushticës së Fehmarnit.

Ngushtica Fehmarn ndodhet në Detin Baltik, midis ishullit danez Lolland (në Veri) dhe ishullit gjerman Fehmarn (në Jug), ajo ndan Danimarkën nga Gjermania dhe është një nga rrugët kryesore detare dhe tregtare mes Skandinavisë dhe Europës Qendrore.

Tuneli i ri “Fehmarn Belt Fixed Link”, i cili ka filluar të ndërtohet, do të kalojë nën këtë ngushticë duke lidhur drejtpërdrejt qytetin danez Rodbyhavn me lokalitetin gjerman Puttgarden.

Një projekt me vlerë 6.2 miliardë paund, që pritet të përfundojë në vitin 2029, tuneli do të përfshijë një autostradë me katër korsi për automjete, si dhe linja hekurudhore.

Projekti parashikon një tunel me përdorim të dyfishtë rrugor dhe hekurudhor, i cili do të përgjysmojë kohën e udhëtimit mes dy vendeve dhe do të ndryshojë rrënjësisht transportin e mallrave përgjatë një prej korridoreve tregtare më të ngarkuara të kontinentit.

Pas përurimit, ai do të jetë zyrtarisht tuneli i zhytur më i gjatë i ndërtuar deri tani për trafikun rrugor dhe hekurudhor duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke hyrë në Librin e rekordeve Guinness.

Mbreti i Danimarkës ka inauguruar simbolikisht segmentin e parë të përfunduar, një seksion prej 217 metrash, i cili tashmë është vendosur në fundin e detit nga ana daneze.

Ky është një moment historik për një projekt që ka kërkuar shumë vite përgatitje dhe që po ecën drejt përfundimit të planifikuar në vitin 2029.

Kostoja e projektit është rritur me kalimin e kohës, nga 4.6 miliardë paund të parashikuara fillimisht në 6.2 miliardë paund, pas finalizimit të marrëveshjes dypalëshe mes Danimarkës dhe Gjermanisë.

Financimi mbulohet nga Danimarka, e cila synon të rikuperojë investimin përmes tarifave që do të paguajnë përdoruesit e tunelit në dekadat pas hapjes së tij.

Si do të ndërtohet tuneli

Struktura, tuneli i plotë, përbëhet nga 89 elemente të parapërgatitura prej betoni të armuar secili me gjatësi 217 metra dhe peshë rreth 73 mijë tonë.

Çdo segment ndërtohet në tokë, transportohet me anije dhe vendoset në një kanal të hapur në fundin e detit, rreth 16 metra nën sipërfaqe, ku lidhet me segmentet e tjera përmes nyjave të papërshkueshme nga uji.

Tuneli do të ketë gjerësi prej 60 metrash dhe do të përfshijë, katër korsi rrugore nga dy në secilin drejtim dhe dy linja hekurudhore të ndara.

Automjetet do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 110 km/orë ndërsa trenat, deri në 200 km/orë. Falë këtyre parametrave, kalimi i ngushticës do të zgjasë vetëm 10 minuta me makinë dhe 7 minuta me tren, krahasuar me 45 minutat që nevojiten sot me tragetet e kompanisë Scandlines.

Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të madh për udhëtarët, turistët dhe veçanërisht për sektorin logjistik dhe mjedisor.

Materiali i nxjerrë nga fundi i detit gjatë gërmimeve nuk do të hidhet, por do të ripërdoret për zgjerimin e vijës bregdetare.

Punimet do të krijojnë rreth 3 km² tokë të re, pjesërisht në ishullin danez të Lollandit dhe pjesërisht në ishullin gjerman të Fehmarnit, e cila do të shfrytëzohet për zona natyrore dhe hapësira të gjelbra bregdetare.

Rëndësia për transportin europian të mallrave

Një nga aspektet më të rëndësishme të projektit lidhet me transportin ndërkombëtar të mallrave. Tuneli Fehmarn Belt është pjesë e rëndësishme e korridorit skandinavo-mesdhetar, rrjetit hekurudhor që lidh Skandinavinë me Italinë përmes Gjermanisë.

Pasi të vihet në funksion, ai do të lejojë kalimin e 68 trenave të mallrave në ditë përmes ngushticës, ndërsa 30 trena të tjerë do të devijohen nga porti i Travemundes drejt jugut, në drejtim të Italisë.

Për Italinë, e cila eksporton dhe importon sasi të mëdha mallrash me hekurudhë përmes Gjermanisë, kjo do të thotë rritje e ndjeshme e kapaciteteve transportuese dhe ulje e kohës së tranzitit në një nga korridoret më strategjike të tregtisë europiane. Pra, bëhet fjalë për një tunel nën det, por me ndikim ekonomik dhe logjistik që shtrihet nga Deti Baltik deri në hapësirën mesdhetare.

Disa përfundime kryesore lidhur me ndikimet e këtij projekti dhe në përgjithësi të investimeve strategjike në fushën e transportit, tregtisë, turizmit, etj.

– Përshpejtimi i transportit dhe i tregtisë, tuneli do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Danimarkës dhe Gjermanisë, mallrat do të transportohen më shpejt dhe me kosto më të ulët duke rritur efikasitetin e zinxhirëve të furnizimit në Europën Veriore.

– Forcimi i integrimit ekonomik europian, lidhja do të përmirësojë korridorin transportues midis Skandinavisë dhe Europës Qendrore nga ku pritet të rriten shkëmbimet tregtare dhe investimet ndërkufitare.

– Rritja e konkurrueshmërisë së rajonit, bizneset do të përfitojnë nga qasja më e shpejtë në tregje dhe porte, rajonet përreth tunelit mund të tërheqin investime të reja industriale dhe logjistike.

– Zhvillimi i turizmit, udhëtimet më të shpejta do të lehtësojnë lëvizjen e turistëve midis vendeve nordike dhe pjesës tjetër europiane, kjo do të sjellë të ardhura shtesë për sektorin e turizmit dhe shërbimeve.

– Përfitime për tregun e punës, projekti ka krijuar vende pune duke nisur që prej fazës së ndërtimit, dhe pas përfundimit mund të rritet lëvizshmëria e punëtorëve dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet rajoneve.

– Ndikimi mjedisor afatgjatë, kalimi i një pjese të trafikut nga tragetet dhe rrugët drejt hekurudhës mund të ulë emetimet e CO₂ për njësi transporti, proces që mbështet objektivat e BE-së për transport më të qëndrueshëm./Monitor.al

“Bunkerizimi” i Gjykatës së Posaçme, BIRN: Rregullorja e re e GJKKO cenon aksesin e gazetarëve

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, miratoi më 17 korrik një rregullore të re që përcakton udhëzime për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e saj. Ky vendim, i shoqëruar nga një komentar voluminoz prej 532 faqesh, prek njëherazi aksesin e mediave dhe gazetarëve në gjykatë.

Në një hapësirë të veçantë dedikuar marrëdhënieve me median, hyrja e komentarit, e shkruar nga gjyqtari dhe kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani, pohon se transparenca e drejtësisë është “një vlerë kushtetuese” në një shoqëri demokratike. Megjithatë, dokumenti shton se kufizimet e reja nuk kanë si qëllim censurën, por synojnë realizimin e “ekuilibrit ndërmjet transparencës së veprimtarisë gjyqësore, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe garantimit të sigurisë institucionale”.

Pavarësisht këtij justifikimi, përkthimi i këtyre parimeve në nene konkrete kufizuese ka ngritur alarmin e gazetarëve dhe organizatave të medias. Ajo që gjykata e quan një “sistem të integruar qeverisjeje institucionale”, nga gazetarët e terrenit dhe organizatat e medias shihet si një përpjekje për censurë dhe kufizim të lirive.

Ndryshe nga praktika e deritanishme e dyerve të hapura për seancat publike, rregullorja e re kushtëzon praninë e medias me kërkesa specifike kohore, pavarësisht nëse gazetari është i pajisur me një kartë akreditimi me afat 1-vjeçar.

Sipas nenit 93, pika 3 e rregullores, përfaqësuesit e medias duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës së Gjykatës “jo më vonë se 24 orë përpara zhvillimit të saj, nëpërmjet formularit elektronik”. Të njëjtat afate zbatohen edhe për kërkesat për regjistrim filmik, fotografim apo transmetim.

Për gazetarët që mbulojnë çështjet e gjyqësorit, kjo kërkesë përbën një bllokim për mbulimin e seancave dhe një ngarkesë burokratike të pajustifikuar, e cila bie sipas tyre ndesh me Kushtetutën.

Reporterët e terrenit dhe organizatat theksojnë se këto rregulla tejkalojnë nevojën për solemnitet dhe siguri. Ata kritikojnë mungesën e një konsultimi të mëparshëm me mediat dhe gazetarët, dhe po ashtu ngrenë shqetësime se, përpos kërkesës për akreditim, rregullorja ka një sërë kërkesash burokratike për autorizime për ndjekjen e seancave që duhet të jenë publike, duke penguar punën e gazetarëve. Ata thonë po ashtu se rregullorja po duplikon udhëzuesin për komunikimin me median, i miratuar pas konsultimeve të gjata nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

“Ne nuk jemi kundër rregullave që garantojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Përkundrazi, besojmë se ato janë të nevojshme. Por çdo kufizim duhet të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj,” tha për BIRN Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).

Më i ashpër në qëndrim ishte Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), që e sheh rregulloren si udhëzues për të shkelur Kushtetutën dhe lirinë e shprehjes.

“Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë,” thuhet në një qëndrim publik të UGSH-së.

Kryetari i Gjykatës, Erjon Bani nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Projekti “Smart City”/ BIRN: Mbi 118 milionë euro për vendosjen kamerave inteligjente, por kush e garanton sigurinë?! Prindër dhe ekspertë të alarmuar për rrezikun e mundshëm kibernetik

Qeveria thotë se po investon miliona në vendosjen e kamerave inteligjente në disa shkolla, por prindërit dhe ekspertët ngrenë alarmin për rrezikun e mundshëm kibernetik, ndërsa theksojnë se kjo masë injoron problemet reale në sistemin arsimor.

Pas mbylljes antikushtetuese të TikTok, kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi sërish vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, këtë herë për të reklamuar projektin e kushtueshëm “Smart City” si një zgjidhje të artë për dhunën në shkolla.

Gjatë inaugurimit të një qendre komande më 16 korrik, Rama tha se nuk e kishte harruar fëmijën e vrarë, ndërkohë që e prezantoi projektin si një reagim sistemik ndaj rrezikut në institucionet arsimore.

“Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë,” theksoi kryeministri.

Por deklaratat e tij nuk bindën më së paku familjen Cani.

“Kamerat nuk parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët, nuk zgjidhin mungesën e sigurisë, nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale,” deklaruan prindërit e 14-vjeçarit të vrarë në afërsi të shkollës “Fan Noli” në nëntor 2024.

Projekti “Smart City” ka hyrë tashmë në fazën e implementimit përmes vendosjes së kamerave inteligjente në 20 shkolla të qarkut të Tiranës, në akset rrugore si dhe në pikat kufitare me premtimin e rritjes së sigurisë publike. Ai parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve mbi 118 milionë euro, të siguruara përmes një kontrate huaje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.

Publiku ka marrë shpjegime të pakëta së fundmi nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili tha në një intervistë televizive se projekti që do të shtrihej në 873 lokacione operative në të gjithë vendin, të ndara në 12 drejtori vendore të policisë, në 24 qytete kryesore dhe 28 Pika të Kalimit Kufitar.

Sipas tij, sistemi synon të parandalojë një listë prej 20 shkeljesh penale, duke filluar nga konsumi i lëndëve të ndaluara e deri te sjelljet agresive apo armët e ftohta. Ai iu përgjigj gjithashtu në distancë shqetësimeve për privatësinë, duke pohuar se Policia nuk do të merrte pamjet, por “alerte” të enkriptuara.

Mbikëqyrja biometrike masive ka rritur megjithatë shqetësimet për cënimin e privatësisë, ndërkohë që ekspertët mendojnë se kjo e lë gjithashtu të pashëruar sistemin arsimor në Shqipëri.

“Në shumë shkolla psikologët mbulojnë disa institucione njëkohësisht, mungojnë ambientet konfidenciale dhe shpesh roli i tyre mbetet formal. Në këto kushte është paradoksale që investimi publik të fokusohet fillimisht te inteligjenca artificiale dhe jo te inteligjenca njerëzore,” tha Kolindo Vjerdha, përfaqësues i “Qëndresës Qytetare”.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Mjedis shtypës

Aplikimi i projektit “Smart City” në shkolla ka shkaktuar shqetësim mes një grupi prindërish, të cilët ankohen gjithashtu për mungesë informimi.

Ataol Kaso, botues dhe prind i një fëmije që studion në shkollën “Jeronim de Rada” tha se nuk e kuptonte logjikën e përgjimit me kamera inteligjente brenda një shkolle me fëmijë 6-14 vjeç.

“Si mund t’i besojmë kështu, verbërisht, pa asnjë transparencë, qoftë edhe një bisedë informuese, të dhënat sensitive të fëmijëve tanë?”, thotë Kaso, i shqetësuar për mungesën e diskutimit të kësaj ndërhyrjeje me prindërit.

Një tjetër shqetësim lidhet me centralizimin e këtyre të dhënave te Policia e Shtetit dhe mbrojtjen e tyre, në një kohë kur siguria digjitale në vend është përballur me shumë problematika.

“Dimë vetëm nga media që kur fëmijët të kthehen në banka në shtator, sistemi i përgjimit do jetë aktiv. Edhe me një nismë më pak të dyshimtë, një mënyrë veprimi e tillë është shqetësuese”, shtoi Kaso.

Gazetarja dhe aktivistja e grupimit “Prindër për arsim cilësor”, Ermelinda Hoxhaj mendon gjithashtu se zbatimi masiv i kamerave krijon vetvetiu një mjedis shtypës, ndërkohë që kritikon institucionet për mungesë konsultimi me prindërit.

“Me këtë projekt besoj se tejkalohet çështja e sigurisë, këtu nis një rrezik i madh i shkeljes së privatësisë së fëmijëve dhe adoleshentëve,” paralajmëron Hoxhaj, duke argumentuar se monitorimi i vazhdueshëm rrezikon të shtojë stresin psikologjik te nxënësit.

Për ekspertët e arsimit, instalimi i kamerave është provë se zgjidhjet sipërfaqësore teknologjike po zëvendësojnë debatin e munguar mbi shkaqet thelbësore të dhunës në shoqërinë shqiptare dhe po ashtu problemet e të miturve.

Vjerdha nga “Qëndresa Qytetare” thotë se në rastin e Martin Canit, konflikti ishte i identifikuar gjerësisht në ambientet e shkollës përpara se të ndodhte vrasja, çka do të thotë se sistemi kishte informacion që supozohet se do sigurohet nga kamerat, por i gjithë zinxhiri i parandalimit—nga drejtuesit e shkollës, tek oficeri i sigurisë dhe psikologu—dështoi fatalisht të shmangte humbjen e jetës.

Sipas Vjerdhës, deri më sot publiku nuk ka parë “një auditim të këtyre hallkave, as masa konkrete ndaj institucioneve që nuk funksionuan”. Ai vë në dukje se në këto kushte, investimi i qeverisë i fokusuar tek Inteligjenca Artificiale nuk është i mjaftueshëm dhe as premton zgjidhje, pasi sistemi arsimor operon me kapacitete të pamjaftueshme, me një raport psikolog-nxënës rreth 1 me 506, shpesh pa ambiente konfidenciale pune për të trajtuar traumat.

“Ato (kamerat) nuk identifikojnë bullizmin psikologjik, nuk zbulojnë izolimin social të një fëmije, nuk trajtojnë depresionin, nuk ndërhyjnë në konfliktet që lindin jashtë fushës së kamerës dhe nuk zëvendësojnë vendimmarrjen njerëzore. Siguria në shkolla ndërtohet mbi praninë e profesionistëve, jo mbi teknologjinë. Teknologjia është një mjet ndihmës, jo politika kryesore,” vëren Vjerdha.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Gentian Serjani, avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Sipas tij, kamerat nuk mund të zëvendësojnë mungesën e mbështetjes sociale dhe psikologjike me të cilat përballen sot fëmijët.

“Ajo që mungoi, dhe që kamerat nuk mund ta zëvendësojnë, ishte reagimi në kohën dhe mënyrën e duhur nga struktura përgjegjëse e institucionit arsimor,” tha Serjani duke analizuar vrasjen tragjike të Martin Canit.

“Nëse mendojmë se zgjidhja do të vijë vetëm nga vendosja e kamerave, fatkeqësisht kemi devijuar nga rruga e duhur për të ofruar një zgjidhje efektive,” theksoi ai.

Kush e garanton sigurinë nga kamerat?!

Zbatimi i shpejtë i projektit, pa kuruar dështimet njerëzore të mbartura, i lë një shteg të hapur rreziqeve që lidhen me sigurinë kibernetike, ndërkohë që bëhet në një zonë gri të ligjit dhe pa rregullimet e duhura.

Orkidea Xhaferaj, eksperte e sigurisë kibernetike pranë organizatës SCiDEV, thekson se projekti vuan nga një mungesë thelbësore transparence, llogaridhënieje dhe informacioni të plotë, duke i lënë qytetarët vetëm me “copëza të asaj çka do bëhet”.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të analizuar të dhëna biometrike, të mbledhura nga kamerat inteligjente, e klasifikon sipas saj automatikisht sistemin si me “rrezik të lartë”, çka dikton nevojën imediate për zbatimin e mekanizmave të fortë mbrojtës kundër keqpërdorimeve.

Xhaferaj shtoi gjithashtu se kjo situatë bëhet edhe më alarmante për shkak të boshllëkut aktual ligjor në Shqipëri, ku ligji i ri për Inteligjencën Artificiale, i cili përfundoi konsultimin publik vetëm në qershor, ende nuk ka hyrë në fuqi për të rregulluar ligjërisht këto sisteme.

“Përpos pamjeve filmike të mbledhura nga kamerat, sistemet përpunojnë të dhënat, i kryqëzojnë ato duke nxjerrë dije e informacion të ri. Çfarë ndodh me këtë?” thotë Xhaferaj, duke shtuar se subjekti i monitoruar janë fëmijët e mitur, gjë që kërkon përfshirjen e drejtpërdrejtë të prindërve.

Sipas saj, vendi ka nevojë për ngritjen e një autoriteti të pavarur auditimi të këtyre sistemeve dhe thekson domosdoshmërinë për transparencë proaktive mbi aksesin e nënkontraktorëve në sistem, thelbësore kjo sidomos pas historikut të sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale kritike të vendit.

“Mendoj se në vijim të sulmeve të vazhduara kibernetike ndaj institucioneve dhe infrastrukturës digjitale kritike, institucionet duhet të japin garanci më të mëdha për qytetarët. Duhet të ketë transparencë proaktive në hapat dhe masat e ndërmarra, për të ndërtuar besim te qytetarët”, thotë ajo.

Shqetësimet për sigurinë kanë edhe Vjerdha e Serjani, të cilët thonë se qytetarët duhet të njihen plotësisht me sistemin. Avokati po ashtu kujton se masa të ngjashme si mbyllja e TikTok-ut patën zero efekt dhe se vrasjet e të miturve vazhduan me raste të tjera në Maliq dhe Durrës.

Vjerdha nga ana tjetër nuk është apriori kundër.

“Kjo nuk do të thotë se kamerat janë domosdoshmërisht të gabuara. Vendosja e tyre në ambientet e përbashkëta mund të ketë një efekt pozitiv në rritjen e sigurisë dhe dokumentimin e incidenteve”, tha ai.

Por sipas tij, përdorimi i tyre duhet të shoqërohet me protokolle shumë të qarta, për administrimin, aksesin dhe të garantohet mbrojtja e të dhënave personale të të miturve. “Pa këto garanci ekziston rreziku që një politikë sigurie të shndërrohet në një mekanizëm mbikëqyrjeje të pajustifikuar,” përfundoi ai./BIRN

Paradoksi i reformës territoriale – Bashkitë nën 10 mijë banorë mbeten, ndërsa shkrihen 4 që kanë mbi 25 mijë banorë

Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili me gjasë do të zbatohet për shkak të votave që mazhoranca ka në Kuvend, tregon se ndarja e re nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve.

Partia Socialiste, në draftin që dorëzoi në Kuvend, propozoi konsolidimin e 15 bashkive: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.

Sipas të dhënave të Censit 2023, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 kanë më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre janë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.

Pusteci, me vetëm 1.8 mijë banorë, është bashkia më e vogël në vend, por vijon të ruhet si njësi më vete. Edhe Konispoli, me 4.9 mijë banorë, ka popullsi të përafërt me Fushë-Arrëzin dhe shumë më të vogël se disa prej bashkive që shkrihen.

Analiza e të dhënave të Censit 2023 tregon se riorganizimi nuk kufizohet vetëm te bashkitë me popullsi shumë të vogël.

Humbin statusin bashki me mbi 20 mijë banorë

Në listën e njësive që humbasin statusin e bashkisë janë përfshirë edhe bashki relativisht të mëdha, me mbi 20 mijë dhe deri në 31 mijë banorë.

Në total, 15 bashkitë e parashikuara për t’u bashkuar me bashki më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së vendit. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë, ndërsa gjysma kanë më shumë se 14.8 mijë banorë.

Bashkia më e madhe që pritet të humbasë statusin është Maliqi, me 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.

Pas Maliqit, njësitë më të mëdha që shkrihen janë Dimali, me 28.1 mijë banorë, Cërriku, me 25.2 mijë, dhe Divjaka, me 24.9 mijë banorë. Këto katër bashki kanë së bashku rreth 109 mijë banorë dhe përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së njësive që preken nga reforma.

Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi, me 18.8 mijë banorë, Patosi, me 18.2 mijë, dhe Belshi, me 17.1 mijë banorë.

Në total, 7 nga 14 bashkitë që shkrihen kanë më shumë se 15 mijë banorë, ndërsa 9 prej tyre kanë mbi 10 mijë banorë.

Bashkitë e tjera të përfshira në variantin e PS-së janë Rrogozhina, me 12.6 mijë banorë, Klosi, me 12.2 mijë, Selenica, me 9.6 mijë, dhe Poliçani, me 8.8 mijë banorë.

Në fund renditen Fushë-Arrëzi, me 4.9 mijë banorë, Këlcyra, me 4.4 mijë, dhe Libohova, me më pak se 2.8 mijë banorë.

Konsolidimi rrit madhësinë mesatare të bashkive

Me kalimin nga 61 në 47 bashki, popullsia mesatare teorike për një bashki do të rritej nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.

Në praktikë, rritja do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e 14 bashkive do të shpërndahen te njësitë pritëse.

Konsolidimi synon të krijojë bashki me administrata më të mëdha dhe me bazë më të gjerë popullsie dhe të ardhurash. Por përfshirja e njësive si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka tregon se reforma nuk po eliminon vetëm bashkitë që janë bërë të paqëndrueshme për shkak të tkurrjes demografike.

Në disa zona po shkrihen njësi që kanë më shumë banorë se shumë prej bashkive që do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Kjo e zhvendos debatin nga pyetja se cilat bashki janë shumë të vogla, te mënyra se si janë zgjedhur qendrat që do të konsolidohen dhe njësitë që do të ruajnë statusin administrativ. (Monitor)

Alban Mësonjësi, nga ‘Panama Papers’ i Parajsave Fiskale në Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë

Alban Mësonjësi /

Ndërsa Rama e Gogu trumbetojnë mbylljen e Kapitullit 24 për drejtësinë, emërojnë në krye të Ministrisë së Drejtësisë Alban Mësonjësin, bashkëshortin e ish-prokurores Ornela Rrumbullaku, të shkarkuar nga vettingu. Ai ka 4 kompani offshore në ‘Panama Papers’ dhe është skeduar për pastrim parash e mafie bastesh. Në dorë ka korrespondencën sekrete me SPAK-un, EUROPOL-in, FBI-në dhe DEA-në…

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe ministri Toni Gogu po trumbetojnë se së shpejti do të mbyllet Kapitulli nr. 24 “Për drejtësinë”, kanë emëruar në kupolën e Ministrisë së Drejtësisë një ekzemplar të aktivitetit kriminal në parajsat fiskale, pastrimin e parave dhe mafien e basteve.

Ky është Alban Mësonjësi, i cili u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë më 28 prill 2026, një muaj e gjysmë pasi Toni Gogu filloi detyrën si ministër; emërim që u bë pa garë, me letra figure penale false, në shkelje të rëndë të ligjit dhe kaloi plotësisht në heshtje.

Pavarësisht se kush e ka rekomanduar dhe propozuar formalisht, emërimi i Alban Mësonjësit si titullari nr. 2 i Ministrisë së Drejtësisë dëshmon faktin se Edi Rama nuk po i shkëput lidhjet me eksponentë të botës së krimit, madje i emëron në kupolën e Ministrisë së Drejtësisë, në kulmin e negociatave me BE-në.

Kryeministri Edi Rama ka pasur informacione nga SHISH-i, Anti-mafia, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe nga agjencitë partnere për përfshirjen e Alban Mësonjësit në aktivitete kriminale me kompani offshore dhe fshehje miliona euro në parajsat fiskale, nëpërmjet rrjetit “Panama Papers”.

Alban Mësonjësi, nga 'Panama Papers' i Parajsave Fiskale

Dhe hetimi që komisioni i vettingut i bëri pasurive të bashkëshortes së tij, ish-prokurores Ornela Rrumbullaku, zbuloi se Alban Mësonjësi ushtronte aktivitet krimesh financiare ndërkombëtare me 4 kompani offshore në Shqipëri, Qipro e Panama, të futura në listën e zezë botërore të skandalit “Panama Papers”.

Për shkak të aktivitetit të bashkëshortit, prej të cilave kishte siguruar shumë pasuri e llogari bankare të paligjshme në bashkëpunim me eksponentë të krimit, u vërtetua se prokurorja Ornela Rrumbullaku ishte bashkëpunëtore dhe u shkarkua nga të dy shkallët e vettingut.

Provat e përfshirjes së Alban Mësonjësit në rrjet krimesh financiare të parajsave fiskale dhe mafien e basteve janë publikuar nga agjencitë partnere ndërkombëtare e zyrtarisht nga komisioni i vettingut, nga policia Antikrim dhe institucionet e drejtësisë shqiptare.

Por profili i tij kriminal, edhe me bashkëshorten të përjashtuar nga drejtësia si bashkëpunëtore, nuk e ka penguar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Toni Gogu që, më 28 prill 2026, Alban Mësonjësin ta emëronin Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë detyrë që kërkon Certifikatë Sigurie të nivelit më të lartë, Alban Mësonjësi, si eksponent i botës së krimit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ka në dorë korrespondencën sekrete të ministrit Toni Gogu dhe të drejtorive të Ministrisë së Drejtësisë.

Ka në dorë informacionet që ministri i Drejtësisë shkëmben me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e SHISH-it, Drejtuesin e SPAK-ut, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Interpol-in, EUROJUST-in, FBI-në, DEA-në, EUROPOL-in etj.

Ai ka mbështetjen e Edi Ramës, pasi nuk është rastësi që Alban Mësonjësi ka qenë shef Sektori në Ministrinë e Brendshme, Drejtor në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Turizmit, megjithëse aktiviteti i tij kriminal ishte skeduar nga agjencitë gjurmuese.

Ndërsa pas daljes së emrit të tij në rrjetin kriminal të parajsave fiskale, Edi Rama e emëroi Alban Mësonjësin Drejtor Juridik dhe Drejtor të Pasurive në Bashkinë Vlorë, nga ku e shkarkoi për falsifikim e grabitje të tokave dhe trojeve në qytet e bregdet.

Më pas, Edi Rama e emëroi Anëtar të Këshillit Drejtues të Kadastrës së Përgjithshme dhe në Agjencinë e Importeve; ndërsa 3 muaj më parë e emëroi Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që mban fjalime për plotësimin e standardeve të drejtësisë./Pamfleti

Anija e rrallë gjermane e Luftës së Dytë Botërore gjendet në Detin Jon pas 83 vitesh

Një nga mjetet më të rralla detare gjermane të Luftës së Dytë Botërore është zbuluar pas 83 vitesh në fundin e detit Jon. Bëhet fjalë për një anije të vogël luftarake LS 6, që  deri sot konsiderohej e humbur dhe që, sipas të dhënave historike, mund të jetë e vetmja e këtij lloji e ruajtur në botë.

Zbulimi nuk ishte rezultat i rastësisë, por i një kërkimi që kishte nisur prej 13 vitesh. Gjithçka filloi pas analizimit të të dhënave nga arkivat ushtarake gjermane, të cilat zbuluan një zonë të mundshme ku LS 6 kishte humbur në shtator të vitit 1943, gjatë tërheqjes së saj nga Korfuzi drejt Pireut.

Informacioni kaloi te studiuesi i historisë, Giorgos Karelas, i cili në bashkëpunim me zhytës dhe kërkues organizoi një përpjekje shumëvjeçare për gjetjen e mjetit detar.

Hapi vendimtar erdhi kur në fundin e detit u identifikua një objekt në një thellësi rreth 96 metra, në zonën e gjerë detare pranë Prevezës.

“Fakti që mjeti ishte ndërtuar prej alumini për të qenë më i lehtë dhe se ishte fundosur gjatë tërheqjes, më bëri ta konsideroja një objekt jashtëzakonisht interesant për kërkime historike dhe zhytjeje”, u shpreh Karelas, duke shpjeguar arsyen që nxiti kërkimin e gjatë.

Konfirmimi përfundimtar u krye nga ekipi AegeanTec, i cili realizoi një zhytje teknike të vështirë duke përdorur pajisje me qark të mbyllur frymëmarrjeje.

Teksa zhytësit iu afruan fundit të detit, silueta karakteristike e një mjeti të vogël të shpejtë filloi të shfaqej nga errësira e Jonit. LS 6 qëndronte pothuajse në pozicion vertikal mbi fundin ranor dhe ishte ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht dekadave të kaluara nën ujë. Panorama

Pranimi i koncepteve të vjetra politike çon në tensione të vazhdueshme…- Nga Skënder MULLIQI

 

—-Përshkallëzimi i të keqës në Kosovë po rritet pothuajse gjeometrikisht me pasoja shumë të mëdha.E tillë është natyra e formacioneve politike të pa përgjegjshme , të pa moralshme politikisht dhe hajnive të pandalshme .Ashtu si në historitë më të tmershme .Nese nuk ndodhë ndonjë transformim pozitiv të rrjedhave shoqërore dhe politike, por jo më këto garnitura  me logjikë autokratike e profitereske, që nuk përkojnë më këtë fillim shekull,sigurisht se  nuk do të kemi punët mirë….
 Logjika e të menduarit nga shekulli I kaluar ende nuk është flakur të shumica e njerëve të politikës .Politikanët po promovojnë politika të tilla si diqka shumë normale dhe të vetëkuptuehsme , dhe ata mbeten në pushtet, të rrethuar nga mbështetja mediatike mercenareske.Kjo politikë prodhon paqendrueshmëri dhe është një spirale dhuneJemi dëshmitarë  të luftërave të tmershme që morën jetën e mija njerëzve, e ish Jugosllavia ka mundur të shpërbëhët pa luftë.Ky solucion nuk u pelqye nga Serbia e fashiste, e cila bëri qmos që më luftë të formojë Serbinë e Madhe.Këtë Millosheviqit nuk ia lejoj NATO e cila ndali makinerinë shfarosëse të shovenizmit serbomadh në Ballkan.Ne këtë shekull njerëzit duan të ruajnë jetën e tyre të zhveshur sepse vendet e origjinës nuk mund tua premtojnë këtë.Valët e largimeve masive nga Kosova nuk u ndalën asnjëherë nga pas lufta.Pse? Sepse asnjë pushtet nuk ofroj kushte që gjenerata e re të inkuadrohet në rrjedhat shoqërore dhe politike të vendit.Ata nga strukturat politike qëllimisht u lanë pas dore.Lufta për pushtet dhe të mira pamterjale e bë e tmershme dhe nga kjo logjikë profitereske kjo klasë politike nuk u lirua kurrë deri më sot.Këtu në Kosovë , është  bërë normale dhe shoqërisht e pranueshme që çdo  negativitet të përceptohet si diqka normale dhe e natyrshme për mentalitetin kombëtar.Meqenëse bëhët fjalë për njerëz dhe zakone , ne do të promovojmë atë në qdo mënyrë.Kështu po merret mandati duke kënaqur nevojën për çdo llojë të pushtetit politik dhe shoqëror.Kur ne lejojme që të dominonjnë antivlerat , çdo statistikë tregon  se jemi të mjerë.Vlerat nuk po përfaqësojnë asgjë, se ato po hudhën poshtë nga njerëzit e pa moral politik.Shkollat po prodhojnë njerëz të pa arsimuar, të cilët nuk kan mundësi të hynë sot në tregun e punës , që popullësia po humbet masivisht, që ndjenja e dinjitetit dhe krenarisë është diqka që  ekziston  në paranoja , që ndjenja e ankthit dhe depresionit mbizotëron vazhdimisht dhe po bllokon qdo veprim që shpresa të zgjohet.Gjithmonë po jemi të poshtëruar nga të mjerët e politikës, për të cilët është normale të vjedhesh mundin dhe ndjersën e popullit!Vlerat e luftës tonë çlirimtare dhe çdo vlerë tjetër po i vjelin strukturat e caktura politike , të cilat e kan humbur  respektin e shumicës të popullit.Shumica prej tyre janë bërë milionerë dhe pa fije turpi po luajnë lojëra të ndyta politike më fatin e qytetarëve. Kam frikë së për një kohë të gjatë do të jemi të ekspozuar ndaj këtij pushtimi propagandistic , dhe së shoqëria jonë po humb nga gjalleria dhe progresiviteti, duke e shëndrruar në diqka të mjerueshme, që fundi nuk i dihet.Përshkallëizmi i të keqës në Kosovë po rritet pothuajse gjeometrikisht me pasoja shumë të mëdha.E tillë është natyra e formacioneve politike të pa përgjegjshme , të pa moralshme politikisht dhe hajnive të pandalshme .Ashtu si në historitë më të tmershme .Nese nuk ndodhë ndonjë transformim pozitiv të rrjedhave shoqërore dhe politike, por jo më këto garnitura  me logjikë autokratike e profitereske, që nuk përkojnë më këtë fillim shekull,sigurisht se   nuk do të kemi punët mirë.Demokracia dallon diametralisht nga koncepti komunist madje dhe ai racist.Pranimi i koncepteve të vjetra politike çon në tensione të vazhdueshme dhe mundësi gjithmonë  të hapura për dhunë.Kjo nuk i nevoitet  aspak vendit dhe qytetarëve. Pa ndërthurje dhe bashkëveprim, nuk ka përparim, dhe për këtë arsye as koncept të së ardhmes…

“O SPAK, po burra a lini me barrë?”- Pankartat “pikante” nga protesta e 66, qytetarët me mesazhe ironike: Kërkojmë divorcin e martesës mes Politikës dhe Krimit!

Në protestën e radhës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë sjellë në shesh një sërë pankartash me mesazhe ironike dhe kritike ndaj zhvillimeve politike në vend.

Një prej pankartave tërhoqi vëmendjen me shkrimin: “O SPAK, po burra a lini me barrë, po pys për një shok”, e shoqëruar me një fotomontazh të kryeministrit Edi Rama shtatzënë.

Pankarta ironizonte lajmet e publikuara në media lidhur me pretendimet se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku mund të jetë shtatzënë, si një mënyrë për të shmangur një masë më të rëndë sigurie në procesin gjyqësor.

Ndërkohë, një tjetër mesazh në shesh ironizonte lidhjet mes politikës dhe korrupsionit, përmes një “njoftimi martese” mes Politikës dhe Krimit dhe se qytetarët tashmë kërkojnë divorcin e tyre.

Po ashtu, protestës i ishte bashkuar edhe një qytetar i moshuar me një pankartë të vendosur mbi trup, ku shkruhej: “Bab Hekri proteston me çunat dhe gocat. Ata e dinë më mirë…”

Mes pankartave të tjera ishte edhe ajo me mesazhin: “Pushtetarët me rroga të larta, populli numëron qindarkat!” Panorama


Send this to a friend