Një denoncim i fortë ka ardhur nga një prej biznesmenit të njohur Nikollaq Neranxi, i cili ka akuzuar se krimi i organizuar ka shtrirë tentakulat e tij në këtë sektor jetik, duke shkatërruar konkurrencën e ndershme dhe duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e qytetarëve.
Në tryezën e thirrur nga PD me partitë opozitare, shoqërinë civile dhe intelektualët, sipas dëshmisë së Neranxit, pas investimeve masive në sektorin e ndërtimit, mafia tashmë ka kapur industrinë ushqimore, një fushë më pak e ekspozuar ndaj vëmendjes publike.
Kjo ndërhyrje, sipas tij, ka sjellë një rënie drastike të standardeve të sigurisë ushqimore. Biznesmeni ngre pyetje retorike tronditëse: “A guxon kush t’i kërkojë llogari atyre që sjellin ushqime të skaduara, oriz sintetik, pula me salmonelë, peshk me parazitë, apo produkte të ndryshme me substanca kancerogjene?”
Ai i përshkruan këto grupe si “tregtarë droge” që tashmë po u shesin konsumatorëve “vdekjen e ngadaltë dhe sëmundjet e sigurta”. Klima e krijuar është ajo e frikës dhe pafuqisë së institucioneve. Sipas denoncuesit, asnjë doganier, punonjës i tatimeve, specialist bujqësie apo inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) nuk guxon të përballet me këto grupe. Lajmet për ushqimet e rrezikshme, thekson ai, vijnë kryesisht nga institucionet e huaja dhe vetëm pasi produktet janë konsumuar tashmë nga shqiptarët.
Situata ka arritur kulmin me një ngjarje të rëndë të ndodhur pak javë më parë, ku një biznesmen u mor peng nga shtëpia e tij dhe u dërgua tek bandat.
Ironia, sipas Neranxit, qëndron në faktin se të nesërmen e kësaj ngjarjeje skandaloze, Kryeministri zhvilloi një takim me biznesmenë, por asnjë prej tyre nuk guxoi të ngrinte zërin apo të bënte “pyetjen ekzistenciale: Kush na e siguron neve jetën dhe biznesin?”
“Ne jemi kthyer në një Sinaloa ku ligjin e bën i forti. Ky vend është lënë nën menaxhimin dhe sundimin e mafies, dhe ne si biznes, që nuk kemi asnjë lidhje me atë botë, vuajmë çdo ditë pasojat”, u shpreh Neranxi.
Nikollaq Neranxi: Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të folur mbi problemet e biznesit. Për të mos përsëritur të njëjtat probleme të biznesit me taksa të larta dhe vështirësi nga më absurdet, sot kam zgjedhur të fokusohem në një problematikë që e njoh mirë për shkak të aktivitetit tim. Të gjithë e dimë se investimi i parave të mafies është në sektorin e ndërtimit. Por në fakt, mafia sot në Shqipëri ka kapur dhe një sektor tjetër jetik, atë të ushqimit, më pak i ekspozuar në krahasim me sektorin e ndërtimit. Po çfarë po rrezikojmë me kapjen e sektorit ushqimor nga krimi? Përsa i përket konsumatorëve, kur mafia investon në këtë sektor, ulen të gjitha standartet e sigurisë ushqimore. Si mendoni ju? A guxon kush t’i kërkojë llogari atyre që sjellin ushqime të skaduara, oriz sintetik, pula me salmonel, peshk me parazit, apo produkte të ndryshme me substanca kancerogjene. Këta tregtarë droge, që sot kanë investuar dhe në sektorin ushqimor, po i shesin konsumatorëve vdekjen e ngadaltë dhe sëmundjet e sigurta. Asnjë doganier, punonjës i tatim taksave, specialist bujqësie apo AKU-je nuk guxon t’ju afrohet. Edhe kur ka lajme për ushqimet e rrezikshme, ato vijnë nga institucionet e huaja, asnjëherë nga kontrollet tona dhe gjithmonë mbasi janë konsumuar e gjithë sasia nga shqiptarët. Problemi i dytë i futjes së mafies në sektorin ushqimor ka të bëjë me shkatërrimin e konkurrencës së lirë dhe nxjerrjen nga tregu të bizneseve ekzistuese, të cilët kanë të gjithë eksperiencën dhe ekspertizën e duhur për të operuar në këtë sektor. Nuk dua askush të më paragjykojë, megjithëse më keni ftuar, ju falenderoj dhe njëherë. Dua të tregoj që mos të përmend biznese të tjera, thjesht problemet që ka biznesi Neranzi. Bizneset Neranzi janë akoma në këmbë vetëm sepse ky regjim i gjeti me themele të forta dhe me një këmbëngulje të madhe nga ne për të punuar shumë, sigurisht dhe me edukimin e konsumatorit. Aktiviteti ynë është bërë shumë i vështirë. Duket sikur çdo ditë shkojmë në luftë dhe jo në punë. Mafia e ushqimeve ka nxjerrë në rrugë gangsterët e saj që terrorizojnë klientët tanë. Imagjinoni, ka pronarë pastiçerish, restorantesh apo hotelesh të cilat na pohojnë këtë gjë. E thonë hapur. Jemi të kërcënuar. Duhet të blejmë tek ata, sepse na shkatërrojnë biznesin pasi janë të lidhur me pushtetin. Pak muaj më parë arritën të terrorizonin një nga furnitorët tanë. Kishim një bashkëpunim prej 15 vitesh. Dhe më thotë vëlla, të lutem, nuk mund të bashkëpunojmë më bashkë. Më kanë ofruar para që ta heq përfaqësinë tuaj, mbasi u thashë jo, më kërcënuan. Kam fëmijë për të rritur. Do ndërpresim bashkëpunimin. Dhe ky nuk është një rast i izoluar. Ka plot biznese të konsoliduara në treg të cilat janë të kërcënuar, të shantazhuar. Disa kanë falimentuar duke zgjedhur të ikin në heshtje. Pak javë më parë, na mësuam se një biznesmen u mor peng nga shtëpia e tij dhe u dërgua tek bandat. Ironia më e madhe cila është? Të nesërmen, kryeministri i vendit bën takim me biznesmenët. Nuk doli asnjë biznesmen apo sipërmarrës që t’i bënte të paktën një pyetje ekzistenciale. Mbasi ndodh ky rrëmbimi i këtij biznesmeni, kush na e siguron neve jetën dhe biznesin? Kjo është një ngjarje skandaloze. Pra ne jemi kthyer në një Sinaloa ku ligjin e bën i forti. Ky vend është lënë nën menaxhimin dhe sundimin e mafies dhe ne si biznes që nuk kemi asnjë lidhje me atë botë, vuajmë çdo ditë pasojat. Por a ka zgjidhje ky problem? Që mafia të futet në sektorin ushqimor, kjo nuk është e padëgjuar.